
Dita e pestë e ramazanit. Në vetvete konstatoj se ky muaj i ndershëm 1410 nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar. Edhe atëherë edhe tash gjendje e jashtëzakonshme e shtetrrethimi, shumë të rrahur, të arrestuar, të dëbuar nga puna për shkak të diferencimit famoz bolshevik moralo-politik. Lotësjellës, të helmuar, të vrarë. ...
Pushova pak duke medituar se si kaluan ditët paraprake, përplot nxitim dhe rrëmujë. Disa fshatra vetëm gjatë ditës së parë të ramazanit kërkojnë nga zyra e Vakufit t’u sigurojmë imam ramazani, dikush pyet për gazetën Preporodi e ri dhe për intervistën e paralajmëruar me Rexhep Qosjen, ose për ndonjë libër, kurse shumica pyesin për vaktinë e ramazanit (imsakijen), të cilat sikur edhe ato të Sarajevës kushtojnë as më pak e as më shumë se 5 dinarë. Hallall i qoftë botuesit; dikush di si të fitohet lehtë.
Prizreni për këtë muaj është përgatitur në mënyrë solide: janë pastruar xhamitë, janë riparuar ndriçimet, janë bërë ndërhyrje të ndryshme suvatimi e ngjyrosjeje. Gati në të gjitha xhamitë falet namazi; gati në të gjitha xhamitë mbahen vaze / ligjërata para namazit të teravisë dhe të xhumasë. Kemi edhe ligjërata për femra, kurse risi për këtë vit janë ligjërata-vikendi për të rinjë dhe intelektualë. Sipas treguesve të parë përshtypja është se xhamitë janë të stërngarkuara për të gjithë të interesuarit.
E hënë, 2 prill 1990
Për ne shqiptarët e Kosovës është e pabesueshme që, për shembull, ndonjë organ federativ apo republikan të vendosë në dobi të Krahinës (!?) së Kosovës. Megjithatë, kjo ndodhi në Kuvendin e Jugosllavisë, ku është hedhur poshtë si e pabazuar kërkesa e Serbisë dhe e Malit të Zi lidhur me abrogimin e ligjit për kthimin e kolonistëve në Kosovë. Ata të cilët janë të udhëzuar në këtë materie, e kanë të qartë, kurse të paudhëzuarve, u bëjmë porozi: “Ka qenë e mos bëftë vaki më”! Njeriu më argumentues dhe më sfidues ishte ish-kryetari i Kuvendit të Jugosllavisë, Iljaz Kurteshi, njëri ndër mohikanasit e fundit të Kosovës. Fjala e tij bëri që shumë prej propozuesve të ngrehen nga karriget e tyre dhe t’i demonstrojnë argumentet “duke rrahur mbi tavolinë”. I them vetes: tavolina e mjerë, pa kurrfarë faji, duhet t’i durojë delegatët me prirje të sëmurë, të frustruar dhe sadistë serbëe malazezë.
Gjej pak kohë ta shfletoj gazetën ditore Rilindja. Me shkronja të mëdha shkruan se Medreseja Alauddin është nikoqire e 240 studentëve të Univesitetit të Prishtinës, meqë janë dëbuar nga konviktet studentore, kurse shkaku është sigurisht i njohur për ju: studentët nuk e kanë pranuar raportin me karater apart’heidi ndaj tyre. Jozyrtarisht mësuam se gati gjysma e tyre agjerojnë dhe falin namaz.
Përndryshe, ky qëndrim i Kryesisë së Bashkësisë Islame që t’i pranojë studentët deri pas ramazani është pikë e ndritur, pas disa dështimeve në komunikatat publike ...
E mërkurë, 4 prill 1990
Këto ditë jemi dëshmitarë të kaosit të ri dhe tendosjes së mëtejme. Mjetet e informimit publik lajmërojnë për rastet e reja të helmimeve kryesisht nxënës shqiptarë dhe turqë të shkollave të mesme. Pacientët menjëherë lëshohen nëpër shtëpi, edhe pse gjendja shëndetësore tregon se ata kanë nevojë për mjekim dhe kurrim. Tendosjen e rrit edhe prania e milicisë “vëllezërore” të Serbisë, të cilët legjitmojnë dhe lëshojnë kartela hyrje-dalje (gojore) se kush mund të hyjë e kush jo. Kështu p.sh. gazetari i TV Prishtinës nuk morri leje, kurse gazetari i TV Beogradit po (në Pejë). E përse? Sigurisht për shkak se shqiptarët (mjekët, teknikët, infermierët, recepcionarët, rojtarët e të tjerët) janë në lidhje të drejtpërdrejtë me “terroristët”, “me shqiptarët e pandershëm”, sepse “të ndershëm” kishte pak. Unë do t’u besoja komunikatave zyrtare të Beogradit, se nuk ka të bëjë me helmim por me vepra të terroristëve, sikur këto komunikata t’i jepnin institucionet shendetësore e jo politike dhe policore. S’ka çka, demokracia nga fjalët në vepra.
Rreth orës 17, pas ikindisë, po tentoj të pushoj pak, por gazeta Rilindja nuk më la rehati. E vërej intervistën e A. Shvarcebergut, kryetarit të Federatës së Helsinkut për të Drejtat e Njeriut, dhe më erdhi edhe njëherë të rrëqethem për atë që sa herë deri tash jam rrëqethur. Ia deklaron: “Atë që e kemi parë na ka prekur thellë. Mua më ka tronditur thellë kur kam shikuar lëndimet e atyre të cilët janë qëlluar me armë, me llojet e municionit i cili është përdorur, me vrasjet dhe rrahjet masovike të njerëzve ... Thellë jemi shqetësuar kur kemi takuar njerëzit të cilët janë qëlluar me armë. Mjekët e delegacionit tonë kanë analizuar karakterin e këtyre plagëve dhe erdhën në përfundim se shumë njerëz janë qëlluar pas shpine, apo në kokë ... Përforcimi i aparatit policor nuk shkon në drejtim të forcimit të shtetit juridik. Rregulli i parë e përjashton rregullin e dytë.” Kështu mendon Helsinku.
Pas akshamit dhe iftarit, për teravi do të shkoj në vizitë në xhaminë më monumentale prizrenase, Sinan pashë. Shumë falës namazi, por edhe shumë kurreshtarë. 70 % të namazlinjve janë të rinjë. Mirëpo, xhamia ende është përplot skele ndërtimi, dhe e këtillë është tashmë 25 vjet. Edhe kjo ia vlen të thuhet; xhamia është nën mbikqyrje rigoroze të shtetit. Dhe mirë e mbikqyrin ata; xhamia tash rrezikun më të madh e ka nga mbikqyrja e jo nga mosmbikqyrja.
E xhuma / E premte, 6 prill 1990
Sipas planit, kolegu im, referenti fetaro-arsimor për namazin e xhumasë duhet të jetë në fshatin Korishë, kurse unë në fshatin Lubizhdë. Edhe njëri edhe fshati tjetër kanë mbi 400 familje, mirëpo, pak xhematlinjë. Dhashë vazë mbi 30 minuta e pastaj xhematlinjtë shtruan disa pyetje. Janë të vetëdijshëm edhe ata për mosangazhimin e tyre rreth mësimi-besimit fetar, por jetojnë me shpresë se do t’u ndihmojë Allahu i madhërishëm.
Në shtëpi u ktheva rreth orës 15. E mora libërthin me titull Poezi të zgjedhura të Muhammed Ikballit, e cila dje doli nga shtypi. Nga përkthimi i disa pjesëve të Xhavid-names, lexoj: “Origjinaliteti ështyë në rrënjën e çdo krijese”, kurse të cilën Ikballi e shkroi me rastin e reformave ndjellakeqe të Kemal Ataturkut. Të gjithë ne që sot gjithësesi përpiqemi të integrohemi në Evropë, së paku duhet t’i përkujtojmë edhe fjalët vijuese të Muhammed Ikballit nga libri Xhavid-namja:
Dëshira e zjarrtë e evropianëve po zbehet
Sytë e tyre ende vrojtojnë, por zemrat u kanë vdekur
Ata janë mposhtur dhembshëm me shpatat vetjake
Të gjuajtur të therur, vetë qenë gjahtarë.
E shtunë, 7 prill 1990
Cingërroi telefoni i Bashkësisë Islame. Sekretari i Sekretariatit për Shërbime Shoqërore i KK Prizren njoftoi se kryetari i Komunës do ta pranojë delegacionin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren javën vijuese sipas kërkesës sonë. Objekt i bisedës do të jetë Xhamia e Namaz-xhahut, më e lashta në Prizren (viti i ndërtimit mendohet të jetë 1454, e mbase edhe 1410), me rastin e propozimit të KK Prizrenit që në themele të kësaj xhamie më të lashtë në Prizren të ndërtohet Shtëpia e Mallrave “Beogragjanka”. Këshilli i BI në Prizren qysh moti ju ka dorëzuar protest të rreptë të gjitha organeve të qytetit dhe të krahinës në lidhje me këtë nismë dhe këtë e ka cilësuar si atak direkt në Islamin, të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen islame, si provokim në raportet edhe ashtu të lëkundura ndërnjerzore dhe ndërfetare ... Muslimanët e Prizrenit kanë trashëguar 29 xhami nga periudha osmane, kurse tash ekzistojnë 20. Për disa nga xhamitë e Prizrenit dimë diçka. Për shembull, në themlet e Xhamisë së Mustafa pashës është ndërtuar objekti i BANKKOS-it (më 2008 e shfrytëzon KK Prizren), në themelet e Xhamisë së Budak Hoqës gjendet Gjykata Komunale dhe e Qarkut dhe Policia e Prizrenit, në themelet e Xhamisë së Arrastës gjendet Shërbimi për Kontabilitetin i KK Pemri i panjohur, gjendet Stadiumi i qytetit të Prizrenit etj. etj. Mos të flasim për medresetë e zhdukura, për dyqanet dhe për hektarë tokë të nacionalizuara. Të gjitha këto janë bërë në emër të popullit. Kurse Prizreni, sikur edhe Sarajeva, Travniku, Tetova, Shkupi e qytete të tjera përgjatë Jugosllavisë, ka përvojë të hidhur nga e kaluara, prandaj, është tejet i ndijshëm në këtë dhe provokime të ngjashme.
E diel, 8 prill 1990
Këtë pasdite jam i lirë. Së këndejmi shfrytëzova rastin ta shfletoj librin posa të botuar të Mustafa Mahmudit, Dialog me mikun ateist , i cili më në fund u botua edhe në gjuhën shqipe. Them më në fund, sepse dorëshkrimi i këtij libri pret nga viti 1982. Fat të ngjashëm ka edhe Dialogu i Roxhe Garodisë me dijetarët muslimanë, që pretë nga viti 1983, Texhvidi i Kamil Silajxhiqit nga viti 1987, Edukata fetare dhe morale e Haki Sharofit nga viti 1984 etj. Kryesia e BI të Kosovës nuk e ka parë të udhës t’i botojë këto dhe botime të ngjashme, sigurisht duke i menduar këto vepra të vogla, kurse ata merren vetëm me projekte megalomane, sikur janë dy përkthime të Kur’anit për vetëm 3 vite (duke mos e llogaritur edhe përkthimin e tretë në botim privat). Ende nuk është vlerësuar përkthimi i parë, ende nuk është shkruar asnjë vlerësim kritik për përkthimin e parë, e ja edhe i dyti, nga i njëjti botues. Dhe në vend që përkthimi i dytë të jetë më i suksesshëm se i pari në të gjitha aspektet, në këtë rast kemi të kundërtën. Kështu është kur punohet me (pa)plan dhe (jo)profesionalisht. Kemi tre përkthime të Kur’anit për tre vjet, kurse na mungojnë edhe librat më elementar për edukimin fetar dhe botime të tjera tejet të rëndësishme.
Pas namazit të ikindisë mora pjesë në vikend-ligjëratën me titull “Shkenca në Islam”. Vizitueshmëria e shkëlqyeshme, kurse cilësia e dëgjuesve (dhe e diskutuesve) solide.
Mos ma merrni për të madhe në këtë lloj ditari, sepse përditshmëria jonë është e këtillë; prej xhamive të mbushura, deri te gazi me lotësjellës dhe tendosja e vazhdueshme te secili se a do të arrij në shtëpi i tëri dhe në kohë!
“(Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” (Ali Imran, 8)