
As pushtetarët nuk u kujtuan Fan Noli ynë i ndritur për Kongresin Historik, jo se nuk iu ra udha andej, por se nuk e dinë apo nuk e quajnë të rëndësishme këtë ngjarje. Kryeministri që kemi sot, ishte para disa ditësh lart në Tomorr, dhe mori pjesë në një rit fetar të bektashinjve. Pa edhe si u ther dashi për kurban, rit i vjetër ky Imzot që nga koha e paganëve, por shyqyr që nuk e pa Brigide Bardo, një artiste e madhe franceze, që tani në moshë të thyer drejton një komitet ndërkombëtar në mbrojtje të kafshëve, se do t’i dërgonte letër Këshillit të Europës dhe Komisionit Europian që të na tërhiqnin veshin. Dha dhe porosi që të bëhet rruga për në majë të malit, që mos lodhen pelegrinët, se Ju e dini Imzot, që Tomorri, mali i perëndisë thonë dhe i Zeusit, është goxha i lartë. Ca studiues thonë që në pellazqjishten tonë të bekuar, Tomorr-tumër do të thoshte lutje. Njerëzit shkonin atje të luteshin tek perëndia, duke e pasur më afër, si edhe bëri më vonë Moisiu kur shkonte në mal dhe njerëzit e tij të grizhës bashkë me të vëllanë e tij, mëkatuan duke ndërtuar me stolitë e tyre viçin e artë.
Fluturoi atyre anëve pranë Beratit të bukur, edhe Presidenti i vendit dhe festoi luftën partizane të Skraparit, sepse luftëtarët e atyre anëve kishin 65-vjetorin e çlirimit të Çorovodës, por nuk u kujtua për 85-vjetorin e Autoqefalisë së Kishës sonë Ortodokse. As në prill të këtij viti Imzot, që ishte 70-vjetori i njohjes nga Patrikana e Stambollit të Autoqefalisë, askush nuk u kujtua. Atë ditë prilli ju kam nisur një letër Imzot juve dhe lartmadhërisë Ahmet Zogut, që e nisët dhe e bitisët këtë punë në emër të atdheut, pavarësisë dhe sovranitetit të tij, pa parë dallime dhe pa mbajtur mërira, sepse ju ishit republikan dhe ai ruajalist.
Po do thuash ti Hirësi, po Kisha Ortodokse Shqiptare ç’bën, po sinodi a funksionon, po besimtarët pse heshtin për këtë ditë të shënuar?
Nuk e dinë ata që “Kongresi Kishtar Ortodoks proklamoi … autoqefalinë e Kishës Ortodokse Kombëtare, duke u bazuar mbi kanonet apostolike dhe të 7 sinodeve të lidhura shpirtërisht, dogmatikisht dhe apostolikisht me kishën e madhe të Krishtit, Patriarkanën?”
Më fal Imzot, por nuk e dinë - e kush t’ua thotë ? Sot Arqipeshku i Kishës Ortodokse nuk është shqiptar nga nacionaliteti. E kemi nga Greqia fqinje Imzot. Na do shumë dhe kujdeset, ka gjetur fonde dhe po ndërton edhe një katedrale të madhe në mes të Tiranës, por shqipen nuk e di. Ka mësuar ca llafe dhe i shqipton me muzikalitetin e dëftongjeve dhe glosave të gjuhës greke, por më të shumtën flet greqisht. Pas tij, një jerark shqiptar e lexon ungjillin në shqip. Si i thonë sot, me superpozim ose me konvertim oral. Kuptohet që emocioni humbet rrugës, sa vjen përkthimi, por ama ritet i bëjmë si në Krishtlindje edhe në Pashkë.
Sa bukur ishte në ato ditë Imzot, kur ju shpallët autoqefalinë 10 vite pas nëntorit të 1912-ës së shpalljes së mëvetësisë.
Qeveria e asaj kohe veproi me shpejtësi, korrektësi dhe patriotizëm, duke miratuar autoqefalinë dhe duke e shpallur 18 shtatorin 1922 festë kombëtare dhe urdhëroi që të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat të jepnin lajmin e gëzuar të shpalljes së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke qitur me top. “Në vendimin nr.807 të datës 18.09.1922, Këshilli i Ministrave njohu vendimet e Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse mbështeteshin në parimin e indipendencës së Shtetit Shqiptar”. (AQSh, Fondi 251, dosja 1524, viti 1922) Eh, sot është ndryshe Hirësi Fan Noli, topat bien kur
zgjidhet presidenti, sidomos kur ai është me karrierë ushtarake. Festë kombëtare kemi bërë festën e Ashures, por vitet e fundit edhe atë të Ballakumit, meqë na vjen që nga koha e paganizmit, dhe Ju e dini Imzot që ne shqiptarët ‘vdesim’ për pak paganizëm, sepse atje ka shumë energji dhe shpirt luftarak dhe që si thoshte Hirësia juaj:”Ne shqiptarët e humbasim sensin e masës” e ndoshta kjo është jehona e paganizmit të patretur, që pavarësisht nga besimi e kanë si vulë dalluese të gjithë besimtarët shqiptarë, muhamedan apo të krishterë, sunit apo shiit, katolikë romanë apo ortodoksë shqiptarë autoqefalë. Kur Martin Luteri e përktheu Biblën në gjuhën gjermane e pas tij ajo u përkthye në 400 gjuhë, përfshi dhe përkthimin e Kristoforidhit tonë të ndritur, filloi një erë e re, kur gjuha kombëtare ishte e njëjtë si për qytetarin laik në lidhje me shtetin dhe institucionet, ashtu edhe me të njëjtin person si besimtar në raport me liturgjinë. Pra, brenda ndërgjegjes u vendos kohezioni i mendimit. Por u vendos edhe një komunikim i drejtpërdrejtë me perëndinë për të gjithë popujt dhe etnitë, racat dhe kombet, që besonin në perëndinë Jezu Krisht. Ai vet kishte folur për mbretërinë e qiejve për të gjithë njerëzit, pa dallime racore dhe etnish, dhe Shën Pali që meshoi në kodrat e Durrësit tonë në udhëtimet e tij, kur përhapte krishtërimin, bëri thirrje që hebrejt dhe jo të tillë por edhe paganët, të afroheshin në emër të Jezusit. E di që të hidhërova me këtë lajmin, se Sinodi nuk drejtohet nga një shqiptar që vamë dhe e lutëm vet, “aman eja”, dhe ai la punët e mëdha dhe erdhi për ne, por për ta respektuar, ca ortodoksë nga soji i vllehve të Shqipërisë kanë hedhur edhe firmat që këtij hirësie t’i jepet çmimi Nobel për paqe. Po kujt t’ia them këtë maraz Imzot Noli? Jo që nuk dëgjojnë, por nuk kanë as vesh.
Po si shkruaje Ti hirësi tek ‘Dielli’ në shtator të 1911-ës, kur kish filluar meshimi në shqip dhe peshkopi i Korçës përpiqej ta pengonte, ndaj kërkoi që shqip të bëhej të shtunën dhe greqisht të dielën, sepse të shtunën shkonin në kishë shumë pak njerëz, se qenë në punëra. “Disa herë kemi folur mbi propagandat e të huajve në Shqipëri, dhe kurdoherë kemi shfaqur që vendi ynë ka qenë dhe është një shesh i hapur e i lirë, ku të huajt lozin palaçon dhe ne të brendshmit i bëjmë sehir, ose më mirë, i ndjekim pas që të na gënjejnë”*( Fan Noli, vepra 2, botimi shqip faqe 407)
Ju Hirësi u përpoqët me mish e me shpirt atëherë kur shqipja ishte ende në shpërgënjë, që të meshohej shqip dhe argumentuat që ajo mbarte glosa e fonema që tingëllojnë në të kënduarit e liturgjisë, ndaj edhe e shputë përkthimin deri në Sinodin e asaj kohe të Rusisë, i cili e pranoi përkthimin tuaj. Ju argumentuat se nëse një shqiptar nuk di mirë shqipen gjuhë e nënës, shkencërisht ai nuk mund të dinte mirë gjuhën greke, e cila ishte për ta një gjuhë e huaj. Por tani jo vetëm që ‘hirësia e huazuar’ flet greqisht, por edhe mijëra shqiptarë që kanë shkuar në Greqi për punë, kanë ndërruar emrat, janë vaftisur atje, mësojnë greqisht në shkolla dhe që të duken më pranë Zotit, edhe në kishë flasin greqisht dhe i përbetohen kreut të sotëm të kishës me fjalë e slogane në gjuhën greke. Nga ata që për shkak të fesë, të cilën e identifikojnë jo me perëndinë por me interesin e tregut, ka që kërkojnë të ndërrojnë edhe kombësinë.
E sa keni debatuar Ju për këtë çështje që në vitin 1910 dhe ua shpjegove ortodoksëve të Korçës, ose si e quaje ti aso kohe “pellazgun” korçar, se ‘hungarezët ndahen në dy fera, katholiqizmin dhe protestanizmin, megjithëkëtë s’e kanë humbur kombësinë e tyre, por e kanë afirmuar me një mënyrë që do ta çuditë pellazgun korçar, po të mundohet pak të studiojë historinë e tyre”*( Fan Noli vepra, 2 botimi shqip faqe 336).
Mbetet edhe sot lapidare Imzot ajo që Ju thatë kur parapritë Autoqefalinë:
“Fjalët e para të fesë mbahen siç mësohen” Por kur ato mësohen greqisht në Shqipëri, e më shumë nga shqiptarët që punojnë në Greqi tash e 17 vjet( shkencërisht 25 vjet bëjnë një brez).
Por kur pa iu dridhur qerpiku, qindra nisen që nga Tirana me ca dokumente që të bëhen grekë, se marrin ca palo pensione, si t’ia bëjmë Imzot Noli?!
Duan edhe të numërohen institucionalisht që të kenë defterë që tregojnë se ortodoksë ka më shumë në Shqipëri dhe shqiptarët janë pakësuar në numër në shtëpitë e tyre. E kemi Autoqefalinë në hall Hirësi, ndaj mora mundimin dhe të shkrova sot, kur askush nuk u kujtua edhe pse u mbushën 85 vite nga ajo ditë e bekuar! Të përkulem me respekt o njeri i mendjes, dijes dhe veprimit!