Roli mobilizues i fesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit

Madje në periudhën e sundimit të njëmendësisë komuniste u krijua një klishe e paraqitjes me ndikim edhe sot , e veçanërisht u hesht, u neglizhua dhe u nëpërkëmbë roli mobilizues i fesë Islame dhe i Myderriz Ymer Prizrenit në Lidhjen Shqiptare.
Për ta kuptuar më drejtë problemin e shtruar, duhet të vëmë në spikamë faktin historik se: Njënia (uniteti) fe-kombësi në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe të formimit të shteteve nacionale kudo në Evropë, ka qenë Një dhe e pandashme, sikurse edhe në të gjitha luftërat nacionalçlirimtare . Ndaj, nga kjo nuk mund të ishte i privuar as populli shqiptar, veçanërisht kur dihej se në rrethana të robërisë nën akëcilin pushtues ballkanik ortodoks apo evropian katolik, pjesës absolute të kombit shqiptar i rrezikoheshin të dyja, feja dhe kombësia . Dhe, kur të kihet parasysh fakti se shqiptarët myslimanë arrinin mbi katër të pestat e numrit të përgjithshëm të shqiptarëve, del qartë se kombi shqiptar realisht ishte komb mysliman , ndaj është plotësisht logjike pse forcën mendore dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e përbënin shqiptarët myslimanë.
Nga burimet e sigurta dihet se në themele të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qëndron “Komiteti i Prizrenit” i ngritur nga fundi i vitit 1877, në krye me Myderriz Ymer Prizrenin. Këtë Organizatë politiko-ushtarake shtypi i Evropës i fillimit të vitit 1878, e kualifikoi si “Lidhje të Rrezikshme Shqiptare”. Për këtë fakt fliste edhe konsulli i Greqisë në Shkodër, Mavrommati, më 18 shkurt 1878 .
Fitorja ruso-ortodokse në të ashtuquajturën Lufta Ruso-Turke të vitit 1876/77, do të kurorëzohet me Traktatin e Shën-Stefanit të 3 marsit 1878, në dobi të interesave të pansllavizmit . Copëtimi ndërkombëtar evropiano-rus i rreth dy të tretave të Njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë për interesa të Serbisë, të Malit të Zi, të Bullgarisë dhe të Greqisë, përpos rrezikimit të qenies shqiptare të banorëve rrezikonte qenin Islame të shumicës absolute të kombit shqiptar, dhe kulturën shqiptare të proveniencës myslimane, e cila realisht ishte faktori integrues historik i kombit shqiptar. Traktati i Kongresit të Berlinit i pajtoi interesat midis botës së krishterë ortodoksisë e katoliko-protestante, por ndau për Malin e Zi, Serbinë dhe Greqinë mbi një të tretën e Njësisë Etnokulturore e Gjeopolitike të Shqipërisë, toka këto kryesisht të banuara me shqiptarë myslimanë . Për themelimin e këtij realiteti historik politik dhe ushtarak kombëtar shqiptar, kundër vendimeve të Traktatit të Shën-Stefanit, pati rol vendimtar inteligjencia shqiptare islame; myderrizët, mualimët, hoxhallarët, shehlerët e efendilerët. Konsulli gjerman në Vjenë, më l prill 1878, i shkroi kancelarit Bismark se "Shqiptarët janë shumë të shqetësuar dhe se pritet ndonjë Kuvend i tyre i madh, i cili do të kërkojë autonomi dhe pavarësi nga Turqia" dhe i paralajmëronte se "së shpejti do të bëhet bashkimi i shqiptarëve". Konsulli anglez Kirby Green në Shkodër, më 3 maj 1878, duke pasqyruar lëvizjen e rezistencës shqiptare në viset: Plavë - Guci - Beranë - Graniq, dhe në shumë vise të tjera të Shqipërisë Veriore përballë Malit të Zi sllav ortodoks, konstatonte: “Lidhja ka depërtuar në mes të myslimanëve, duke i lidhur kolektivisht dhe individualisht për të rezistuar deri në vdekje, të gjitha përpjekjet, pa marrë parasysh a janë ato përpjekje të jashtme ose të Portës, përpjekje këto që duan ta ndryshojnë gjendjen e tanishme të territorit të tyre” .
Konsulli Green e informonte Londrën se po realizohej përpjekja shqiptare për bashkimin e organizimeve, të lidhjeve krahinore, në një Lidhje Gjithëshqiptare kundër zgjerimit të Bullgarisë në tokat shqiptare . Dhe, derisa konsulli vjenez në Shkodër, Lippich, më 7 prill 1878, fliste për një "Lëvizje popullore në kuptimin e shquar të fjalës", më 11 maj 1878, do të informojë për zgjerimin e lëvizjes në vise të Dibrës, të Matit, të Gjakovës, të Pejës, të Prizrenit, të Gucisë, të Beranës, të Rozhajës, të Bjellopoles dhe të Sjenices - "kundër aneksimeve bullgare - serbe - malazeze, të stipuluara në Traktatin e Shën - Stefanit". Nga të dhënat del se Muderriz Ymer Prizreni e hartoi Memorandumin e banorëve të Prizrenit, të 12 majit 1878, drejtuar përfaqësuesve diplomatikë të Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku midis të tjerash, thuhej: “Jemi të informuar me hidhërim të madh, nëpërmjet gazetave, se disa pjesë të krahinës sonë të cilat janë të populluara me gegë, do t’i bashkohen Serbisë, Malit të Zi ose do të përfshihen nga ana e Bullgarisë së re.
Serbet dhe bullgarët, të cilët i kanë okupuar disa kaza të Vilajetit tonë i kanë dhunuar familjet tona, e kanë cenuar nderin dhe pasurinë tonë. Faltoret dhe varrezat tona janë poshtëruar dhe rrënuar; varrezat e të parëve tanë janë çnjerëzuar...”
Ndërgjegjësimi i lëvizjes politike e luftarake shqiptare do ta detyrojë përfaqësuesin francez në Shkodër ta informnte Parisin, më 17 qershor l878, se “Lidhja, që formohej nga banorët mysi¬ma¬në të Shqipërisë së Sipërme kundër çdo lëshimi ndaj Malit të Zi, është sot një fakt i kryer. Delegatët nga të gjitha rrethet janë mbledhur në Prizren dhe po krijojnë Komitetin Qendror...” .
Meqë tashti Perandoria Osmane, për ta ruajtur Stabollin, Boforin dhe Mesdheun ishte e detyruar t’i plotësonte kërkesat e Traktatit të Kongresit të Berlinit në dëmë të Njësisë Etnokulturore e Gjeiopolitike të Shqipërisë, Forcat mendore e ushtarake të Lidhjes Shqiptare, pra pjesa më e madhe myslimane, i dha botës mesazhe politike e luftarake se para interesit jetësor të kombit shqiptar nuk njeh interes tjetër. Këtë qëndrim sublimonte qartë Fetfaja e Myderriz Ymer Efendi Prizrenit, themeluesit dhe mbarëvajtësit jetësor të Lidhjes Shqiptare 1877-1887: "Çdo shqiptar asht i detyrueshëm me luftue kundër ushtrisë turke, mbasi Turkija don me ja lëshue tokën shqiptare shkjaut" . E pathyeshme dhe dinjitoze mbi këtë kërkesë do të tregohet veçanërisht pjesa më e ditur nga radhët intelegjencies shqiptare islame . Të përmendim këtu vetëm vigjilencën dhe guximin patriotik të Myderriz Salih Efendisë së Ulqinit, i cili duke u ngritur kundër Fetfasë së Shejh-Ul-Islamit, që i lejonte Sulltanit të përdorte forcën kundër mbrojtësve të Ulqinit. Ai u thërriti “botërisht myslimanëve se, sipas fesë islame, nuk ishte mëkat por detyrë e shenjtë të luftonin për mbrojtjen e atdheut, qoftë edhe kundër Sulltanit-Kalif” .
Mesazhin historik të Fetfasë së Myderriz Ymer Prizrenit e përjetësoi kënga popullore për Ymer Efendi Prizrenin: “Kush ja jep Mbretit ni plum”, ku midis të tjerash, thuhet: “Efendi, na çka me ba, /A ban turkut (myslimanit-M.P.) pushkë m’i ra?/ Myderrizi kish pas thanë:/ - Kur asht fjala për Vatan,/ Jo veç turkut e ati tjetrit,/ Po ni plumb kush ja jep Mbretit,/ Ka me shkue në lula të xhenetit!”
Të gjitha xhamitë, të gjitha medreset, të gjitha teqetë u kthuen në vatër të veprimtarëve e të luftëtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mesazhet nga dy Fetfatë dhe kënga e cituar, krahas plumbave që iu dhanë misionarit të Portës së Lartë, Mmehmet Ali Pashë Maxharrit, në Gjakovë, ua morën nga duart adutin kishave dhe diplomacive ruse, evropiane e ballkanike, të cilat sa e sa herë bënë turrë, tinës e hapur, për ta kualifikuar Lidhjen Shqiptare si fundamentaliste islame kundër krishtere dhe si instrument të Sulltanit për të penguar planet ruso-evropiane kundër copëtimit të Perandorisë Osmane në Ballkan .
Këtu duhet të theksohet fakti se nga truri politik e ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të përkatësisë fetare Islame, dolën të thuash të gjitha iniciativat dhe veprimet për ruajtjen e unitetit politik kombëtar shqiptar të elementeve me përkatësi islame, ortodokse e katolike, si dhe shumica e dëshmive politike dhe programatike relevante për unitetin politik të popullit shqiptar drejtuar Kongresit të Berlinit dhe qarqeve diplomatike e publicistike ndërkombëtare. Edhe në Memorandumin e Pashko Vasës, të Komiteteve të Arbëreshëve, dhe të mjediseve të krishtera, ishte e pranishme dora e kokave shqiptare islame në Stamboll, në Janinë, në Shkodër, në Manastir, në Shkup, në Podgoricë e gjetkë. Rilindësit nga lagjja ortodokse: De Rada - Dora D’Istria-Vretoja-Kullurioti, si edhe shtypi botëror, kryesisht u bënë jehonë vetëm opinioneve politike të mendjeve të shquara myslimane të Lidhjes Shqiptare në Atdhe .
Elementi shqiptar ortodoks dhe katolik i ndikuar nga propaganda kishtare e diplomatike ballkanike e evropiane antiislame, në të gjitha fazat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qëndroi bukur indiferent. Pati edhe raste të mbajtjes së qëndrimit armiqësor pro autro-hungarez dhe proitalian në Veri, apo progrek në Jug. Madje mund të konstatojmë se shumë ftohtë, deri në dezertim nga qenia shqiptare dhe Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vazhdonte të mbetej elementi shqiptar ortodoks në viset e Toskërisë ku pretendonte Greqia. Asnjë prift ortodoksë nuk iu bashkua komiteteve të Lidhjes Shqiptare, asnjë kishë ortodokse nuk i hapi dyrtë për veprimtarët e Lidhjes Shqiptare. Kjo qartë pasqyrohej edhe në raportin e Fornié-s, agjent konsullar i Francës në Artë, i cili, pas udhëtimit hetimor të frymës politike e kombëtare të banorëve të viseve të Artës-Prevezës, shkroi, më 15 tetor 1879: "Në të gjithë fushën e Fanarit flitet më shumë shqip sesa greqisht dhe, në përgjithësi, fanariotët konsiderohen shqipta¬rë të krishterë pak të përzierë me elementin grek. Sidoqoftë, cila¬do që të jetë raca (kombësia) në të cilën bëjnë pjesë, konstatova se, në kundërshtim me thëniet e krerëve të Lidhjes Shqiptare (myslimanë- M.P.), ata kanë simpati vetëm për Greqinë" .
As priftëria dhe paria katolike në Gegëri nuk mori pjesë në komitetet e Lidhjes Shqiptare. Ata ishin komprometuar para popullit shqiptar në përgjithësi me Kryengritjen e Mirditës të vitit 1876, të nxitur nga Rusia, me ndihmë të drejtëpërdrejtë të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Komiteteteve të Garibaldit në Itali . Në komitetet e Lidhjes në Prizren e Shkodër pati edhe përfaqësues të katolikëve, por jo nga qarqet intelektuale. Asnjë kishë katolike nuk i hapi dyert për veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit .
Kundër definimit qartë kombëtar shqiptar të Lidhjes së Prizrenit, përpos ndërhyrjeve të fshehta e të hapëta të Portës së Lartë dhe të Malit të Zi , vepronin propagandat katolike austriake e italiane. Qysh më l5 qershor l878, në kohën kur Kuvendi Themelues i Lidhjes po debatonte për aktet themelore programore dhe statutore të Lidhjes Shqiptasre të Prizrenit, Kapedani i Mirditës, Prenk Bib Doda, në krye të 58 bajraktarëve katolikë, i shkroi Kongresit të Berlinit një telegram me të cilin kërkonte sigurimin e autonomisë ekzistuese, osmane, të Mirditës, duke potencuar se "mirditasit si shqiptarë të besimit katolik i kanë disa veçori, të cilat prore janë respektuar edhe se edhe në të ardhmen ato duhet të respektoheshin” .
Sipas shënimeve të adjutantit të Bismarkut, "shumë nga delegatët e kongresit treguan interesim dhe kërkuan që (telegra¬mi i Dodës) të lexohet. Posaçërisht për të u interesuan austro¬hun¬garezët dhe italianët. Edhe anglezët dhe francezët nuk qenë gjithaq të painteresuar për të." Më l8 qershor l878, krerët e popullsisë katolike të Mirditës, të Pukës, të Kthellës, të Malësisë së Lezhës e të Lurës, shkuan edhe më larg, kërkuan nga Fuqitë e Mëdha që Kongresi i Berlinit të parashihte autonominë e viseve “të tyre” nën drejtimin e "kryetarit tonë shumë të dashur, të natyrshëm dhe trashëgimtar, Prenkë Bib Dodës" . Mirëpo, Kongresi i Berlinit aprovoi autonominë tradicionale osmane, që përputhej me kërkesën e kreut Bib Doda. Në Protokollin 13 të kongresit u saktësua se: ”popullatat e Mirditës do të vazhdojnë të gëzojnë privilegjet dhe imunitetet që zotërojnë ab antique”.
Të shtyrë nga propaganda austro-hungareze, katolikët e viseve të Gjakovës morën pjesë masivisht në mbrojtjen e misionarit të Portës së Lartë, Mehmet Ali Pashë Maxharrit, i cili kishte ardhur për të përgatitur terrenin për dorëzimin e Plavë-Gucisë Mali të Zi . Me forcat e Lidhjes Shqiptare në Gjakovë u përballë edhe famullitari i Zymit, Fra Pjetri me Tonin, birin e Prenk Gulisë, muselim ky i Gjakovës për katolikët. Një burim thotë se në mbrojtje të Pashë Maxharrit: “Përveç krerëve të përmendur dhe Hoshi i Nures” morën pjesë edhe “nja 300 djem katolikë të Fanit të Mirditës. Të gjitha këto u organizuan me një strategji të përgatitur më parë me qëllim të përçahej Lidhja”.
Vërtet, konsulli francez A. Lé Ré në Shkodër, më 6 tetor 1879, informonte Parisin se propaganda vjeneze kishte arritur që elementin katolik të viseve të Gjakovës ta mbante larg Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në lidhje me këtë element qëndronte konsulli vjenez Lippich, i cili i ftonte shqiptarët katolikë " të kenë durim", sepse "brenda disa muajsh ata do të çliroheshin nga një fuqi e huaj" !?! - pra nga Austro-Hungaria, të cilën shumica absolute shqiptare myslimane e konsideronte okupatore të padëshirueshme .
Të shtojmë edhe këtë fakt: Vjena, në periudhën e Lidhjes Shqiptare, Prizrenin e bëri qendër të propagandës austro - hungareze krahas Shkodrës, në dobi të planeve për shtrirjen e Austro-Hungarisë në tërë Gegërinë, aspiratë kjo e mirëpritur nga shumica e shqiptarëve katolikë. Kjo propagandë në Prizren do të mbështetet hapur në tregtarin Balto Tarabullusi, i vendosur këtu kohë më parë. Ai e dinte gjermanishten, ndaj ishte marrë për përkthyes (dragoman) në konsullatën austro-hungareze. Meqë kryente detyrën e informatorit dhe të spiunit në dëm të bashkimit shqiptar pa dallim feje, Komiteti Qendror i Lidhjes vendosi ta likuidojë. Këtë detyrë do ta realizojë Ramadan Zaskoci, më l2 gusht l880, duke e vrarë në shtëpi, së bashku me gruan.
Se elementi katolik në Gegëri nuk ishte i vullnetit t’i bashkohej Lidhjes Shqiptare në unitet të plotë me shumicën shqiptare myslimane e hetoi qartë edhe bullgaro-serbi antishqiptar, Jovan Haxhi Vasileviq, i cili ka konstatuar se: fillimisht "edhe vetë shqiptarët veriorë nuk e kuptuan njësoj Lidhjen dhe detyrat e saj. Derisa flitej për dorëzimin e Plavës dhe Gucisë Malit të Zi", vende këto me shqiptarë myslimanë, "shqiptarët e krishterë (katolikë) nuk kanë dashur as të lëkunden kundër asaj". Do t’i bashkohen thirrjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krahas shqiptarëve myslimanë, vetëm sapo do të rrezikohen tokat e banuara me katolikë në Hot, Grudë etj. Faktor mobilizues, tashti, ishte feja e krishtere katolike. Ndërkaq, shqiptarët ortodoksë në Veri të Vilajetit të Shkodrës: kuqët, palabardhët, pipërit etj., sipas Spiridon Gopçeviqit, do të bashkohen me Malin e Zi pa kundërshtim kundër Lidhjes. Faktor mobilizues në këtë drejtim ishte feja e krishterë ortodokse . Dhe, sapo do të largohet rreziku i copëtimit të Hotit e të Grudës, në thirrjen e Komitetit të Lidhjes Shqiptare në Shkodër për mbrojtjen e Ulqinit do të përgjigjen vetëm burrëria shqiptare myslimane, kurse shqiptarët katolikë do të tregohen “të pasigurtë”, Prenk Bib Doda më nuk do të lëvizë fare, ndërkaq “Malësorët” thirrjes së Lidhjes Shqiptare “iu përgjigjën me diplomaci”, e “Kelmendët u tërheqen plotësisht” në guackën e tyre.
Meqë përpjekjet luftarake dhe diplomatike ruso-evropiane për dekompozimin dhe grabitjen e tokave të Perandorisë Osmane në fakt ishte aleancë e krishterë kundër ardhmërisë së islamit në botën myslimane, përkrahja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për rezistencën boshnjake kundër okupimit Austro-Hungares të Bosnjës dhe Hercegovinës ishte në fakt përpjekje shqiptare për ta ruajtur tërësinë e njësisë kulturore dhe gjeopolitike historike të Shqipërisë, aq më parë pasi boshnjakët në shqiptarët, thënë më së buti, shihnin vëllamët besnikë. Mbështetja e rezistencës boshnjake kundër okupimit antiaustro-hungarez realisht ishte Luftë e Lidhjes Shqiptare për ti pritur sa më larg pretenduesit serbë, malazias, austro-hungarez dhe italianë që synonin viset e Vilajetit të Kosovës dhe të Shkodrës.
Kërkesa e shumicës absolute shqiptare për bashkimin e armëve me boshnjakët, në luftën për ekzistencë kombëtare e fetare, kishin mbështetjen e fortë në tabanin historik të lidhjeve të moçme shpirtërore dhe luftarake midis shqiptarëve e boshnjakëve. Ata i lidhte gjaku ilir, jeta shtetërore shekullore osmane e përbashkët, feja islame, kujtesa historike nga cikli i këngëve të kreshnikëve: Mujit e Halilit, Tale Budalinës, Gjergj Elez Alisë e Arnaut Osmanit, traditat e ngjashme kulturore, perceptimet psikologjike të përafërta, vlerat shpirtërore shumë identike, lidhjet martesore të qëndrueshme, lidhjet etnike shqiptare dhe të gjakut, miqësitë tradicionale, interesat ekonomike, ndjenja e sigurisë së njërit pranë tjetrit, interesat gjeo-politik shtetëror. Boshnjakët pranoni kornizën shtetërore në kuadër të Shqipërisë, pranonin shtetësinë shqiptare.
Këto Kërkesa sublimonte edhe Nenit 16 i Kararnames të aprovuar nga Kuvendi Themelues i Lidhjes së Prizrenit, më 17 qershor 1878, e cila kishte domethënie të madhe për interesat e kombit shqiptar, veçanërisht shikuar konstelacionin e forcave të implikuara në Çështjen Shqiptare aso kohe dhe më vonë. Në dokument, midis të tjerash, thuhej: "Në përputhje me vendimin e Lidhjes, me besën e lidhur dhe me situatën e pastajme, ne, përfaqësuesit e trimave të pathyeshëm të Gegërisë, të Toskërisë dhe të Bosnjës, të cilët qysh kur u lindën nuk njohën tjetër mjeshtëri përveç asaj të armëve dhe të cilët qenë gati ta derdhin gjakun për Perandorinë dhe atdheun, kemi zgjedhur për kryeqytet tonë Prizrenin, dhe, pasi jemi bashkuar fatbardhësisht, tani e tutje nuk do të lejojmë kurrë, që ndonjë sundimtar të na tiranizojë e shtypë banorët e atdheut tonë. Këtë nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë, në asnjë kohë dhe pavarësisht nga rretha¬nat..." . Mbi këtë platformë politike e luftarake Këshillit Qendror i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 5 gusht l878, mori vendimin edhe “për angazhimin e një pjese të forcave luftarake përkrah forcave boshnjake",
Këtu duhet të konstatojmë edhe këtë fakt: Shteti që do të lindte nga Lidhja e Prizrenit do të sillte në fuqi Ligjin që garantonte diverzitetin kulturor e fetar shekullor, liritë individuale dhe kolektive, sigurinë e jetës dhe të mirëqenies dhe paprekshmërinë e pronës dhe të dinjitetit njerëzor, barazinë midis myslimanëve dhe të krishterëve. Ky ishte “Sheriati” .
Vendimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për kthimin e ”Sheriatit” në gjyqe ishte akt politik largvajtës që kishte për qëllim anulimin e ligjeve të proveniencës politike evropiane të krishtera antiislame, të Tanzimatit, të cilat krijuan rrëmujën e panjohur në Perandorinë Osmane, të cilat gotitën njëninë e Njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë. Ato krijonin hapësirë për krijimin e oazave autonome të rajoneve sipas përkatësisë së fesë, duke i dhënë përparësi getoizimit të mjediseve katolike e ortodokse në mjediset shqiptare ku myslimanët ishin pakicë. Me “Sheriatin” ruhej uniteti i vendit dhe ruhej harmonia konfesionale shqiptare e domosdoshme për përballimin si unitet, të aspiratave separatiste të elementeve të krishtera jo shqiptare të përkrahura nga Rusia, Anglia, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Greqia etj. Kombi shqiptar dhe Shqipëria ishin në luftë për ekzistencë, ndaj duhej unitet mbi aspirata të kombësisë me prani të diversitetit fetar shekullor, duhej forcë dhe ndërgjegje shtetformuese kombëtare .
Vërtet, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e projektuar nga truri shqiptar mysliman, me përpjekjen maksimale të trurit dhe të masave shqiptare myslimane u mbajt në jetë si Lidhje Kombëtare Gjithëshqiptare dhe përfundimisht truri dhe gjaku shqiptar mysliman i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përball përfundimisht me mizoritë e ushtrisë anadollake turke në prill dhe në maj të vitit 1881.
Themeluesi dhe kryetari i parë dhe i vetmi i Shqipërisë Etnike, Myderriz Haxhí Ymer Efendi Prizreni me bashkëvep¬rim¬tarët, themelues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryesisht ulema, intelektualë dhe krerë të dalluar, i treguan botës dhe Portës së Lartë se Shqipëria nuk është miraz i Perandorisë Osmane që duhet ndarë nga të tjerët, se ekziston kombi shqiptar i konsoliduar politikisht dhe ushtarakisht, se tërësia e Shqipërisë në shtrirjen e katër vilajeteve osmane: Kosovë, Shkodër, Manastir dhe Janinë, është amanet i shqiptarëve dhe jo i Sulltanit, i cili kishte kohë që në sytë e kombit shqiptar përjetohej si sovran dhe halif i padëshiruar dhe i dhunshëm.

Prishtinë, 10 qershor 2008

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme