Tirana zbulon rrënjët

Pllaka të gurta e të mermerta me mbishkrime arabe u zbuluan gjatë punimeve në Rrugën e barrikadave. Arkeologët kanë kërkuar pezullimin e punimeve nga Bashkia. Objektet i përkasin Mesjetës së vonë
Duket se Tirana ka vendosur të tregojë për të kaluarën e saj. Pas zbulimeve të bujshme në zonën e Kalasë së Tiranës, të cilat devijuan një projekt të tërë urbanistik, një tjetër zbulim është bërë së fundmi në Rrugën e Barrikadave. Kanë qenë sërish dhëmbët e ekskavatorëve që kanë ndeshur në objektet arkeologjike. Bëhet fjalë për pllaka mermeri e epitele guri të shkruara në arabisht, të cilat sipas specialistëve i përkasin Mesjetës së vonë. Zbulimi i objekteve u bë gjatë punës për rikonstruktimin e rrugës, pranë shkollës së mesme “Sami Frashëri”. Të parët që përcollën lajmin në institucionet përkatëse, ishin banorët e zonës, të cilëve u tërhoqi vëmendjen dalja në dritë e këtyre objekteve. Pas inspektimit në zonë, arkeologu dhe restauratori Spiro Nika ka nxjerrë në dritë edhe disa gjurmë të reja, që mendohet të jenë epitafe varresh, apo edhe pjesë shtambash, eshtra apo edhe copëza të tjera pllakash të hershme. Nga një studim i parë, mësohet se një prej pllakave të jetë e vitit 1785 ndërsa tjetra e vitit 1814. Sipas arkeologut Nika, dje i është dërguar një shkresë për pezullimin e punimeve në rrugë, Bashkisë së Tiranës. “Zona ka nevojë për një studim të hollësishëm, prej të cilit do të dalin edhe përfundimet e sakta mbi përkatësinë dhe moshën e objekteve të zbuluara”, - thotë ai. Sa i përket vlerës që kanë, arkeologu thotë se ajo është e dyfishtë. “Së pari bëhet fjalë për vlera humane, pasi dihet që në atë zonë shtrihej një kompleks i tërë fetaro-social i besimit mysliman dhe bektashi, ku përveç xhamive dhe teqeve, ka pasur edhe një varrezë, e cila ka ekzistuar deri në vitin 1967. Por ka edhe vlera për trashëgiminë kulturore, pasi objektet janë 200-300-vjeçare”, - thotë Nika. Mësohet se në atë zonë më parë ka ekzistuar teqja e Sheh Dyrit, e cila është shpallur monument kulture dhe është vënë në mbrojtje nga shteti në vitin 1963. Ndërsa në oborrin ku sot ngrihet gjimnazi “Sami Frashëri” ka qenë më parë edhe një xhami, në të cilën zhvillohej edhe mësim.Kështu që gjetjet e reja në Rrugën e “Barrikadave” mendohet të jenë pjesë e këtij kompleksi social- fetar. Ato mund të jenë pllaka varri ose pjesë nga teqeja. Nika thotë se mbi pllakat e gurta gjenden mbishkrime në gjuhën arabe, të cilat kanë nevojë për deshifrime. Punëtorët e firmës, tregojnë se të tilla pllaka me mbishkrime i kanë hedhur bashkë me mbetjet inerte në lumin pranë Babrrusë. Ata tregojnë se kanë gjetur gjatë punimeve edhe monedha të vjetra, njëra prej të cilave i përket vitit 1830. Sipas historikut të Teqes së Sheh Dyrit, shkruar nga Prof. Dr. Emin Riza, mësojmë se në rrugën “Barrikadat” i përket shekullit të XVIII. “Pas fletë rrufesë për prishjen e xhamisë së “Et’hem Beut, një prej veprave më të spikatura të kësaj gjinie në Tiranë, regjimi sulmoi edhe teqen e Sheh Dyrit. Ashtu si shpesh me mjetet e njohura, të cilat shpërfillnin gjithçka njerëzore, Komiteti i Rinisë, së shkollës së mesme “Sami Frashëri”, në emër të rinisë së shkollës, e cila ishte pranë kompleksit të teqesë në të vërtetë urdhëron: ne kërkojmë që brenda kësasj teqeje të zhduken varret e shenjta, të shkatërrohen ato, si gjëra të parëndësishme pa vlerë, të cilat jo vetëm që nuk ndihmojnë në faktet historike, por edhe i prishin rëndësinë atyre. Vetë punonjësit e IMK-së u detyruan të shkatërrojnë tyrben, pjesë organike të teqesë me vlera historiko-arkitektonike. Pas rreth 20 vjetësh nga përfundimi i ndërhyrjeve restauruese në vitin 1983 u vërejtën dëmtime, që u pasuan në një tjetër ndërhyrje”,- shkruan Emin Riza në historikun e Teqesë.

Sat, 07 Jun 2008
Gazeta Shekulli, Tiranë

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme