Shpjegimi i sures El-Ihlas

Njëqind e dymbëdhjeta sure, el-Ihlas – sinqeriteti, ose Njëshmëria e Zotit (Karabeg)[1], është njëra ndër suret më të shkurtra, me katër ajete, në Kur’an. Melodikisht është e lehtë, prandaj edhe mësohet lehtë dhe mbahet mend. Thuajse të gjithë fëmijët tanë e mësojnë edhe para se të shkojnë në mekteb, pranë gjyshit ose gjyshes. Përkthimin e kësaj sure gati se të gjithë e mësojnë qysh në mekteb ose në shkollë për shkak të domethënies që ka. Është mirë që të jetë kështu, pasi që në këtë sure përbëhet esenca e besimit islam – Imani. Për shkak të domethënies, mesazhit dhe vlerës së saj, shpesh përsëritet (lexohet) në namaz dhe jashtë tij, para fjetjes, para vdekjes dhe te varri.
Kush do të besojë fortë, sinqerisht dhe i dorëzuar në atë çka thotë kjo sure dhe kush me veprat e tij atë do ta dëshmojë, ka zgjedhur fatin e kësaj bote dhe botës tjetër.


Vendi dhe shkaqet e zbritjes

Për vendin e zbritjes së kësaj sure ekzistojnë mendime të ndryshme. Të parët mendojnë se është zbritur në Mekke (Ibn Abbasi dhe Muhammed Ali es-Sabuni); të dytët mendojnë se është zbritur në Medine (Alusi); kurse të tretët, njëkohësisht edhe mendimi më i pranuar, se është zbritur disa herë, d.m.th. edhe në Mekkë edhe në Medine.[2]
Edhe shkaqet e zbritjes së kësaj sure janë të ndryshme. Ibn Kethiri transmeton nga Ikreme se ka thënë: “Kur jehuditë thanë: “Ne adhurojmë Uzejrin, të birin e Zotit”, kurse të krishterët “ne adhurojmë Isain, djalin e Zotit”, mexhusitët[3] thanë “ne adhurojmë diellin dhe Hënën”, ndërsa mushrikët[4] thanë “ne adhurojmë idhujt”, Allahu i Madhërishëm ia zbriti të Dërguarit a.s., suren ihlas (kul huwall-llahu ehad).
Ibn Enesi r.a., transmeton se Kurejshitët i kanë thënë Muhammedit a.s.: “Na e përshkruaj Zotin tënd në të cilin na thërret? Me ç’rast Allahu i Madhërishëm e zbret këtë sure.” Transmetim të njëjtë shënon edhe ibn Abbasi r.a., në tefsirin e tij: Kurejshitët i thanë: “Muhammed, na e përshkruaj Zotin tënd, në mos vallë është Ai nga ari apo argjendi? Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbriti këtë sure.”
Sipas Muhammed Abduhusë nuk është dashur që dikush ta pyeste të Dërguarin s.a.v.s., për origjinën dhe përshkrimin e Zotit, e që kjo sure të shpallet si përgjigje në pyetjet e parashtruara, porse gjendja e popullit arab dhe e mbarë njerëzimit pashmangshëm solli deri te misioni i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., dhe me një sure t’i thirr edhe mushrikët edhe kitabinjtë [5] të besojnë në një Zot, po ashtu edhe t’ua definoj nocionin e Zotit në mënyrë sa më të shkurtër dhe më të qartë


Emrat e sures el-Ihlas

Kjo sure neve na është e njohur si “Qul huwallahu” ose EL-IHLAS, megjithatë ajo ka edhe disa emra të tjerë, ashtu si edhe disa sure tjera, për ne të panjohura, të cilat përmenden në komentet e Kur’anit. Disa prej atyre emrave dhe kuptimeve të tyre do t’i përmendim në këtë punim, të cilët në të njëjtën kohë na tregojnë për domethënien dhe rëndësinë e kësaj sure në jetën e përditshme të çdo muslimani.
أ لأسأ س – d.m.th. bazë, themel, sepse në të flitet për tewhidin, i cili është themel për principet tjera të fesë. Zamahsheriu transmeton nga Ubejje dhe Enesi r.a., se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thëne: “Shtatë qiej dhe shtatë (kate) tokë prehen në QUL HUWALLAHU EHAD”, kjo do të thotë se gjithçka që ka krijuar Allahu i Lartmadhërishëm është dëshmi (argumet) e këtij tewhidi (njëshmërie) dhe njohje e atributeve të Tij, për të cilat flet kjo sure.
سورة ألمعرفة - sureja e njohjes, sepse është njohje e Allahut të Lartmadhërishëm, njohje e plotë e Atij që është në të. Në një transmetim tregohet se një njeri këtë sure e ka lexuar në namaz, dhe i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “që ky njeri e ka njohur Zotin e vet.”
سورة ألجمالة - surja e bukurisë, sepse i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën”, ndërsa në pyetjen se çdo të thotë kjo, i Dërguari s.a.v.s., lexoi: “Ai është mbështetje për çdo njërin / as nuk ka lindur kë, / as që është i lindur!”
سورة الصد وسورة المعوذ - surja e mbështetjes dhe mbrojtjes. Nesaiu dhe Bezari transmetojnë rrëfenjën autentike nga Abdullah ibn Enesi r.a., se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ia vendoi dorën mbi gjoks, dhe i tha:” Thuaj!”- Abdullahu i tha se nuk dinë çka. Pastaj i Dërguari e përsëriti: “Thuaj: Ai është Allahu, i Vetmi…”
Qul Huwall-llahu ehad…), ai (Abdullahu) vazhdoi ta lexoj suren dhe e përfundoi, ndërsa i Dërguari a.s., i tha ta lexojë suren Felek. Kur e mbaroi edhe këtë i tha ta lexojë suren Nas. Pasi e mbaroi i tha: “Kështu tek Allahu kërkohet mbështetje”
Transemeton Ibn Abbasi r.a., se Allahu i Lartmadhërishëm gjatë miraxhit Muhammedit a.s., i ka thënë: “Të kam dhënë suren el-Ihlas, kurse ajo është gurrë i çmuar në thesaret e Arshit; është mbrojtje nga dënimet e varrit dhe nga zjarri i Xhehennemit.” Këtij hadithi “nuk i shkon përshtati” rrëfenja e Ebu Umames: “Katër ajete janë shpallë nga thesaret e Arshit dhe asgjë tjetër, kurse ato janë: Ummul Kitab (Fatihaja), ajetu-l-kursija, ajetet e fundit të sures el-Bekare dhe surja el-Keuther.”
سورة ألحضر - surja e pjesëmarrjes, sepse melaqet marrin pjesë dhe dëgjojnë leximin e kësaj sure kur lexohet, ashtu si edhe largohen djajtë nga leximi i saj.
سورة البرأة- surja e pastërtisë, ngase me të ndahet imani (besimi) nga shirku (mosbesimi). Transmetohet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., e ka parë njeriun i cili e ka lexuar këtë sure dhe ka thënë: “Sa i përket këtij, ai është i pastër nga shirku.” Shu’be transmeton nga Muhaxhiri se ka dëgjuar njeriun i cili ka thënë: “Udhëtoja me të Dërguarin a.s., kur ai vërejti njërin i cili lexonte suren el-Kafirun, -tha ky është i pastër nga shirku, ndërsa për suren el-Ihlas se i është falur.” Dhe nga kjo mund të përfundojmë se edhe surja Kafirun thirret me të njëjtin emër, البرأة, surja e cila ndanë imanin nga shirku. Vezaniu thotë se surja Ihlas ka lidhje me suren Kafirun me kuptimin e saj, sepse të dyja flasin mbi tewhidin, në atë çka Zoti nuk është dhe në atë çka Ai është.
Sejjd Kutub thotë: “Kjo sure është vërtetim i monoteizmit të besimit islam, ashtu siç është surja el-kafirun negacion i çfarëdo lloj ngjashmërie dhe takimi mes besimit monoteist dhe politeist. Secila nga to kredon e monoteizmit e trajton nga pikëpamja e saj.
I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ditën e ka filluar me leximin e këtyre dy sureve në namazin e sabahut… Një nisje e këtillë ka mësimin dhe domethënien e saj.”
سورة النور - surja e dritës. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., thotë: “Të gjithë kanë dritën e vetë, kurse drita e Kur’anit është surja Ihlas.”


Vlera e sures Ihlas

Shumë hadithe, të cilët dallojnë në gradën e tyre, flasin për vlerën e kësaj sure. Në to vërehet, se ata të cilët do ta duan dhe lexojnë, ndërsa pëlqehet leximi i saj në namaz, pas namazi, para fjetjes, do tu falen mëkatet dhe se (kjo sure) do t’i shtyj në Xhennet.
Enesi r.a., transmeton se një njeri i ka thënë të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., që e donë këtë sure, ndërsa i Dërguari a.s., i ka thënë: “Nëse e donë (ajo) do të shtyj në Xhennet”
Imam Buhari shënon: “Dashuria ndaj saj supozon hyrjen në Xhennet.” Ebu Hurejre tregon se ka qenë me të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., ku e ka dëgjuar një njeri që e lexoj këtë sure, pastaj i ka thëne: “E ke obliguar.” “Në çka e kam obliguar, o i Dërguari i Allahut?” “Borxh të ka të të fus në Xhennet”, i tha i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. Në një transmetim tjetër thuhet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka hyrë në mesxhid gjersa një njeri ka përfunduar namazin e tij duke thënë: “Të lutem Ty, si Allahu Një, që je mbështetje e gjithçkaje, nuk ke lindur kë, as që je i lindur, të m’i falësh mëkatet e mia, vërtetë Ti je shumë falës dhe Mëshirues.” Atëherë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., tha tri herë: “Të falur e ka.”
Tirmidhiu transmeton nga Enesi r.a., se ai i cili dëshiron të flejë në krevatin e tij, le të shtrihet në anën e djathtë dhe ta lexojë njëqind herë suren Ihlas, kështu që Allahu i Lartmadhërishëm do ta mbrojë nga zjarri. Në transmetimin tjetër qëndron se Zoti i Lartësuar do t’i thotë: “Robi im, hyr në Xhennet me anën e djathtë tënden!” Imam Ahmedi shënon që Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush e lexon KUL HUWALLAHUN dhjetë herë, Allahu do ti ngrit atij pallat në Xhennet.” Omeri r.a., në këtë ka shtuar: “Nëse lexojmë më tepër, a do të kemi shpërblim më të madh?” I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Nëse ju e shtoni (leximin) edhe Allahu do ta shtojë (shpërblimin).”
Imam Buhari transmeton nga Aisha r.anha, që Pejgamberi a.s., kur shtrihej në shtrat në mbrëmje i mblidhte shuplakat, pështynte në to dhe lexonte: “Kul huwallaun, kul e’udhu birab-bil felek, kul e’udhu birab-bin-nas, dhe pastaj me to prekte trupin aq sa ishte e mundur, duke filluar nga koka dhe fytyra. Këtë e bënte tri herë.”
Sipas transmetimeve të vërteta surja Ihlas ka vlerën e një të tretës (1/3) së Kur’anit. Imam Buhari transmeton nga Ebu Seid el-Hudriu, që një njeri e ka dëgjuar tjetrin se si e lexon suren Ihlas dhe atë duke e përsëritur, dhe se pas namazit të sabahut i ka shkuar Pejgamberit a.s., dhe ia ka treguar rastin. Atëherë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit gjendet jeta ime, ajo është e barabartë më një të tretën e Kur’anit.”
Në një transmetim tjetër qëndron se Pejgamberi a.s., u ka thënë as’habëve të tij: “A nuk është në gjendje ndonjëri prej jush që ta lexon një të tretën (1/3) e Kur’anit brenda natës?” Pasi që u është dukur rënd kjo, thanë: “A kush është ai i cili është në gjendje, o i Dërguari i Allahut?” Ndërsa i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., u përgjigjet: “Kul huwall-llahu ehad”, është një e treta e Kur’anit.”
Sipas Abduhusë kjo donë të thotë, që ai i cili saktë do ta kuptojë domethënien e saj dhe kush qartë do ta kuptojë gjithë atë në çka ajo na udhëzon, do ti jetë e qartë gjithë ajo që në Kur’an flitet mbi tewhidin dhe tenzihun.[6]


Zoti është një – kul huwall-llahu ehad

Ai është Krijuesi i qiejve dhe Tokës edhe i vetë juve, Ai është Një dhe s’ka tjetër shok. Ai është Ai, të Cilit të gjithë i mbështeten, i Cili gjithkujt i është strehim, prej të Cilit të gjithë varen, ndërsa Ai është i pavarur prej çdo gjeje.
الصمد الله Mbështetje i është çdokujt, d.m.th. është i Vetmi që meriton t’i kthehemi të kërkojmë ndihmë dhe i Vetmi të Cilit i drejtohen lutjet. Çdo nevojë dhe ndihmë, të cilat janë të nevojshme për njeriun, ndërsa i kalojnë mundësitë e tij, mundet dhe lejohet të kthehet dhe të kërkojë ndihmë për të vetëm Allahut të Lartmadhërishëm, pa ndonjë ndërmjetësues. Fjala “Es-Samed” do të thotë edhe kjo, që vetëm Zoti ka të drejtë të vendos parime të përgjithshme, dispozita sheriatike, ndërsa për punë dhe veprimtari njerëzit.
يلد لم Nuk ka lindur kë, sepse nuk i takon asnjë lloji, e të ketë shoqëruese kështu që të lindin, në çka tregojnë edhe Fjalët e Tij: صاحبة له يكن ولم ولد له يكون أنى “E prej nga Atij fëmijë, kur nuk ka bashkëshorte.” (En’am, 101)
يولد لم Nuk është i lindur, sepse gjithë ajo që lind ndryshon dhe ka trup, Ai është i amshueshëm, asgjë nuk i ka paraprirë ekzistencës së Tij, Ai nuk është trup dhe asgjëje nuk i ngjason.
Abduhu këto ajete të sures Ihlas i komenton kështu: “يلد لم”, “nuk ka lindur kë”, për të Lartmadhërishmin thuhet se është larg nga ajo që Ai mund të lind dikë, dhe me këtë bie poshtë pohimi i shtrembëruar i politeistëve, krishterëve dhe të tjerëve, të cilët thonë se Zoti ka djalë dhe vajzë. Të kesh fëmijë, e të mos lindësh është e pa mundur, ndërsa lindja mund të jetë vetëm te qeniet e gjalla, të cilat kanë atribute trupore, ndërsa Zoti nuk është i tillë. “يولد لم “, “as që është i lindur”, nuk qëndron pohimi se Zoti ka djalë, i cili më pas është bërë Zot, dhe se duhet ta adhurohet si edhe Zoti i vërtetë, dhe atij t’i drejtohet si Zotit të vërtetë, ndërsa nëna e tij të trajtohet si nëna e Zotit. Fëmija, dhe gjithë ajo që lind, e ka të domosdoshme zanafillën dhe mbarimin e tij, dhe si pasojë e kësaj, pohimi i tyre se ai fëmijë është bërë i amshueshëm bashkë me babanë e tij nuk mund të arsyetohet dhe të kuptohet. Prandaj, kush dëshiron të besojë në Njëshmërinë e Zotit, le të largohet nga ato pohime dhe le të thotë: “Ai është Zoti Një dhe i Vetmi; Ai është Allahu i vetëm, që çdo njëri duhet t’i drejtohet, nuk ka lindur kë, as që është i lindur dhe Atij askush nuk i është i barabartë.”
Ideja e Njëshmërisë së Zotit është princip fundamental i islamit dhe motiv kryesor i Kur’anit. Ajo ka një moral përfundimtar shumë të rëndësishëm: Zoti, si Krijuesi i vetëm, është Gjykatësi i Lart. Njerëzit bartin përgjegjësi për veprat e tyre, ndërsa Zoti i verifikon jetët e tyre (99, 6-8). Nga kjo, nuk ka të privilegjuar, porse të gjithë njerëzit janë të barabartë para vullnetit dhe caktimit Absolut (5, 20).
Njëshmëria e Zotit është rruga e ,moralit njerëzorë. Besimi në Zotin nuk është vetëm se të thuash (…”të cilët me gjuhët e tyre thanë: “Ne besojmë”, ndërsa zemrat e tyre ende nuk kanë besuar”,- 5, 44); atë duhet ta përcjellin veprat e vlefshme, ndërsa çdo njëri është i obliguar aq sa edhe ka mundësi (7,42; 10,4). Motivi i vërtetë i vlerave të tyre është dorëzimi i plotë Allahut të Lartmadhërishëm (2, 131).

Nga boshnjakishtja:
Mehas Alija
______________________________________
1) Përkthimi i Kur’anit fjalë për fjale është i pamundur. Dhe si rrjedhojë e kësaj, si në të gjitha përkthimet e Kur’anit në përgjithësi, dhe në shqip në veçanti, mund të hasim në përkthime të ndryshme të fjalëve Kur’anore. Edhe te sureja Ihlas ndryshojnë përkthimet në emërtimin e sures. P.sh. Sherif Ahmeti e përkthen si “…kaptina e pastërtisë, e të kulluarit, e sinqeritetit…“; Përkthyesit e Kur’anit “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”, e kanë përkthyer si “…Pastërtia e Besimit, ose et-Teuhid-Njësia e Besimit” Ndërsa, per dy perkthimet tjera, te Feti Mehdiut dhe Hasan Nahit, nuk kam pasur mundesi te gjej material. (M. A.)
2) Shih përkthimet shqip. Sh. Ahmeti mendon se është zbritur në Mekke.
3) Zjarëputistët ose adhuruesit e zjarrit.
4) Politeistët – ata që besojnë në shumë Zota.
5) Ithtarët e Librit (Hebrenjtë, krishterët)
6) Tenzih – transcedent, pakuptueshmëria e Zotit..

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme