Dezintegrimi kombëtar nën maskën e fesë në prag të shekullit XXI

Për një trajtim sa ma objektiv dhe racional, të kësaj çështje këtu do të japim disa sqarime paraprake përkitazi me terminologjinë. Në shikim të parë këto duken si të thjeshta me karakter vetëm gjuhësor, por në esencë kanë rëndësi thelbësore. Prandaj këtu do t’i marrim në shqyrtim emërtimet: Fe, ideologji, religjion, doktrinë, dogmë, themelet mbi të cilat janë ngritur këto dhe funksioni i tyre në shoqëri. Pas këtyre shqyrtimeve do të shohim qartë dhe do të kuptohet se çka është fe dhe çka është maskë e fesë. Në fjalorët aktual në gjuhën shqipe lidhur me këto terme gjejmë shpjegimet vijuese (Fjalor i gjuhës shqipe, Prishtinë, 1965; Fajalor i gjuhës së sotme shqipe, I-II, Prishtinë, 1981; M. Ndreca, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huja, Prishtinë, 1986; Enciklopedia zivih religia, Beograd (drugo dopunjeno izdanje, 1992?) :

-Fe,-ja, f. sh- t. Besim i verbër se gjithëçka në botë përcaktohet e drejtohet gjoja nga forca të mbinatyrshme, hyjnore, i cili ka lindur qysh në kohë shumë të hershme dhe është i papajtueshëm me botëkuptimin shkencor, materialist; tërsi dogmash që japin një botëkuptim fund e krye idealist e reaksionar, i cili është armik i përbetuar i shkencës, besimi te zoti.

-Doktrinë- teori shkencore ose filozofike; tërësi e parimeve teorike të një shkence a të një dege të saj.

-Dogmë- tezë themelore e një feje, që duhet pranuar verbërisht nga besimtarët dhe që është e detyrueshme për ta

-Ideologji- a, gr. Idea dhe logos, shkenca për idetë. Ka disa kuptime. Në radhë të parë kështu quhet grupi i filozofve në Francë në fillim të shek. XVIII. Përdoret gjithashtu për të shënjuar jetën, veprimtarinë shpirtërore të ndonjë periudhe, ose ndërtimin kompleks ideor të një sistemi, të një bote të veçant. Ideologjia është doktrinë politike teori ideologjiko- politike e njdonjë parite, lëvizje etj.

-Religjion, besim në perendi, bestytni, kult. Eshtë prodhim i mendimit njerëzor në një epokë të caktuar.

Pa injoruar këto spjegime dhe në mbështetje të disa burimeve tjera thjeshtë shkencore (të liruara nga ideologjitë e ndryshme) për fenë definicioni më i plotë e më i sakt mund të shprehet kështu: Feja është një besim i sistemuar, i mbështetur në shpallje hyjnore, që e pranon, e nderon dhe e adhuron Zotin një, atë fuqi mbinatyrore që pranohet krijues i universit.

Lexuesi jonë që shërbehet me spiegimet nga burimet e lartpërmendura do të formojë një botëkuptim të gabuar për fenë. Një botëkuptim jo të plotë dhe të paarsyeshëm dhe të paspjeguar fare se në çka mështetet feja.

Ai mandej duke dëgjuar ose lexuar vazhdimisht shprehjet, ideologjia fetare, religjioni islam, religjioni i krishterë, ideologjia islame, doktrina islame, krishtere etj., i ka barazuar këto shprehje në një term duke mos e dalluar fenë nga ideologjia ose religjioni nga bestytnia, doktrinën nga feja.....

Në bazë të kuptimeve që japin fjalorët ekzistues përkitazi me këtë çështje, nëse shqyrtohen me kujdes dallimi ndërmjet këtyre është shumë i qartë. Autorët e fjalorve e kanë dhënë prejardhjen për ideologji- religjion- doktrinë dhe dogmë. Mirëpo për fe, të shtyrë nga ideologjia e caktuar (ideologjia marksiste) ia imponojnë lexuesit bindjen se feja është “besim i verbër...... botëkuptim........ reakcion, gjë që nuk e hasim në fjalorin Enciklopedik anerikan.

Prandaj kur po përcaktohem për formulimin e lartëpërmendura të fesë kamë parasysh faktin se- feja është një fenomen që e përcjell njeriun prej lindjes deri në vdekje dhe si instikt i lindur natyror nuk varet nga ideja e akcilit autoritet ose nga hulumtimet ndonjë grupi ekspertësh dhe nga teoritë e tyre, ose që mund të i imponohet nga sistemet politike të caktuara. Feja është ai besim e veprim i sistemuar që mbështetjen e ka në ndonjërin nga tre librat e shpallur hyjnor (Tevrat - Ingjil - Kur’an), pavarsisht se në çfar gjendje është aktualisht secili nga këto tre burime. Ndërsa ideologjitë zhvillohen nga ideja e një njeriu por edhe vdesin bashkë me atë ose më vonë. Doktrinat e ndryshme rrokullisen nga stuhitë e kohës, kurse termin religjion e përdorin për të emërtuar lëvizjet ideologjike të shekujve të fundit.

Feja mbetet ai fenomen që e shoqëron njeriun si individ dhe shoqërinë njerëzore si tërësi, qysh me njeriun e parë në botë Ademin dhe deri sot dhe jo si ide e Ademit por si besim që mbështetët në shpallje hyjnore, e që janë vetëm tri shpallje hyjnore.

Derisa ideologjia shenjon veprimtarinë shpirtërore të ndonjë periudhe apo të një sistemi të një bote të veçant, apo të ndonjë partie, lëvizje etj.. Feja mbetet mbi partiake, gjithnjerëzore pa të cilën nuk ka kaluar asnjë peridhë e historisë njerëzore asnjë sistem politiko-shoqëror, asnjë regjion në botë.

Prandaj tërë veprimet, lëvizjet e ideologjitë e ndryshme që provojnë të marrin rolin e fesë në shoqëri nën petkun e ndonjë ideje ... janë maskë, veprimi i të cilave mund të zgjasë fare pak, dhe të ketë pasoja për ithtarët e vet.

Këtë qasje me këto dallime duhet shtruar domosdoshmërisht ngase për shkak të paqartësive të rastit ose qëllimisht në disa burime statistikore botërore[1] tretmani i fesë, gjegjësisht i religjionit[2] (kështu qëndron në burimet që kam shfrytzuar unë) u jepet hiq më pak se 18 përcaktimeve të ndryshme në baza të besimit, me tendenca që këtyre t’u shtohen edhe 10 të tjera që janë në formim e sipër dhe kështu do të bëhen 28 religjione të cilat në botë kanë statusin e religjioneve prijse, dmth. kryesore[3]. Kjo nënkupton se ka edhe fe periferike dhe se mund të jenë edhe më shumë. Nga këto të ashtuquajtura religjione te shqiptarët njëherë për njëherë i gjejmë katër fe të cilat qeveria e Tiranës i quan fe zyrtare të Shqipërisë. Ato janë sipas tyre feja Islame, Orthodokse, Katolike dhe ajo Bektashiane[4](DW). Mirëpo në trojet shqipëtare ku më shumë e ku më pak aktivitetin e tyre e zhvillojnë edhe fraksione tjera që thirren në emër të fesë si: reformistë, baptistë, pentakostal, dëshimtarë të Jehovës[5], behaij Ahmedij etj.

Nga shqyrtimi paraprak doli shumë qartë se feja mbështetet në shpallje hynore e cila realizohet vetëm me anë të pejgamberit. Tani dihet se në tërë botën ka vetëm tre libra që kanë statusin e Librit të Shenjtë (LIBRA TË SHPALLURA TË ZOTIT)

1) TEVRAT-i (TORA, Telmud - Besëlidhja e vjetër)

2) INGJIL-i (UNGJILLI - Besëlidhja e re)

3) KUR’AN-i

dhe vetëm këto tre burime janë meritore për të qenë themele të tri feve të botës: Hebreje, Krishtere, Islame: e prandaj të gjitha të tjerat që paraqiten në emër të cilës do fe qoftë, nga të tri fetë e përmendura, janë maska të feve përkatëse dhe në asnjë mënyrë nuk mund të quhen fe. Nga këto tri fe shqiptarët kanë pranuar dy: Fenë Krishtere dhe Fenë Islame. Përdorimi i shprehjes se shqipëtarët janë të përçarë në shumë fe nuk është i qëndrueshëm[6]. Këtu duhet veçuar nëse ndonjëherë interpretuesit e feve, të shtyerë nga motive politike sigurisht në shërbim të të huajve, jo në të mirë të shqiptarëve e as të asnjërës fe kanë tentuar të mbjellin përçarje.E vërteta është se shqiptarët u përkasin dy feve: krishtere dhe Islame, por gjithashtu është e vërtetë se shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasë ndërmjet veti mosmarrveshje të motivuara në baza fetare dhe se shqiptarët nuk janë populli i vetëm në botë që u përkasin dy feve me tri rite fetare[7].





(2)



Këtë fenomen te populli shqiptarë rilindasi ynë Çajupi e ka jetësuar denjësisht në poezinë e tij kur thotë:

“Qenë trima dhe mëmëdhetarë

Besa, fea, si kishin dhe ndarë”[8]

porse

“Hoxha e prifti u kanë mashtruar.....”[9]

Gjithashtu është fakt që nuk mund të mohohet se nuk janë shqiptarët populli i vetëm që i përket dy feve. Përkatësia dy fetare nuk ka qenë në funksion të dezintegrimit kombëtar ngase burimisht këto dy fe nuk nxisin urrejtje por mirëkuptim e tolerancë.

Ndërkaqë rreziku për dezintegrim kombëtar shprehet në tendencat bashkohore që nën maskën e akcilës fe të ndërtohet një platformë e posaqme e cila, duke u larguar nga burimi i fesë dhe duke hyrë në shërbim të qarqeve politike [10], të cilat në mënyrë perfide e vejnë në lojë fenë, në një të ardhme jo të afërt do ta dezintegrojnë popullin shqipëtarë.

Ky veprim dezintegrues nën maskën e fesë është dëshmuar në shekujt XVI-XVII në disa vende të Evropës qëndrore nën ombrellën e fesë krishtere, si në Francë, Gjermani, Zvicër e gjetiu, ku janë shkaktuar gjakderdhje të mëdha, midis Kalvinistëve, Luteranëve, Baptistëve me Katolikët etj.[11] Dhe sot ka arritë që në botë të ketë me miliona ithtarë të këtyre fraksioneve të krishtera: “Dëshmitarë të Jehovës” 4.914.000; Baptistë 35.437.000 vetëm në SHBA 27 milion, Luteranë 43.539.000 etj.[12]

Sipas rrjedhave bashkohore të zhvillimit në këtë plan te populli shqiptarë në kontekstin e oreksit të qarqeve të ndryshme evropiane dhe qëllimeve të platformave djallëzore kundra popullit shqiptarë, me qëllim të coptimit edhe në aspektin shpirtëror, ashtu aiç e kanë coptuar fizikisht, ekziston mundësia e rrezikut të vazhdushëm që fraksionet e ndryshme sikur ato në Evropën qëndrore në shekujt XVI-XVII të mbjellin farën e mospajtimeve ekstreme në popull deri në shkallën e qërimit të hesapeve edhe me metoda fizike, duke u shërbyer gjithnjë me parullat se kështu urdhëron Zoti, kështu dëshiron Jezusi kështu thotë Muhamedi, ashtu thotë Aliu etj, dhe kështu injorojmë urdhërat që ka dhënë Krijuesi - Zoti.

Kjo tendencë e dezintegrimit kombëtar nuk e ka lënë pa e prek edhe pjesën Islame por në shkallë ca ma të vogël. Njëlloj, sikurse edhe në nivel botëror edhe te shqiptarët janë prezente dy shkolla kryesore Islame: shkolla sunite dhe shiite.

Mirëpo deri në vitet 20 të shek. XX në planin kombëtar te shqiptarët janë përdorur emërtimet me mbështetje më reale që kanë edhe arsyetim shkencorë dhe janë të pranueshme nga aspekti fetarë. Kështu diktojnë parimet fetare të feve burimore të mbështetura në librat e shpallura: Muslimanë e të Krishterë respektivisht të Krishterë e Musliman. Në periudhën e përmendur nuk hasim ndarje në shkolla fetare: Ortodoksë, Katolikë, Sunitë, e Bektashijë por vetëm ndarjen në fenë: Krishter[13] dhe në atë Islame[14]. Kjo ndarje nuk mund të kontestohet në asnjë mënyrë.

Mirëpo në dhjetëvjetëshin e tretë të këtij shekulli (vitet 1920-1930) kinse me qëllim të sigurimit të lirisë fetare apo të pavarësisë së institucioneve fetare zenë fill institucionalizimi i fraksioneve fetare dhe kush më herët e kush më vonë ngriten dhe emërtohen si fe, psh fe bektashiane (një nga fraksionet shiite) apo kisha e pavarur ortodokse shqiptare[15] (kjo e dyta u dëshmua në vitet nëntëdhjeta se sa kishte qenë e arsyeshme ndarja e kishës ortodokse shqipëtare nga kisha katolike shqipëtare dhe sa kishte qenë ajo e pranuar. Në vitin 1992 kisha ortodokse shqipëtare hynë nën mbikqyrjen e kishës ortodokse greke).

Mbase sipas këtij modeli, nëse intelegjencia shqipëtare islame në radhë të parë, dhe jo vetëm ajo por tërë mekanizmat politike, shkencore e kulturore luajn lojën oportune symbyllurazi në të ardhmen edhe e ashtuquajtura “feja” bektashiane mund të shkojë rrugës së kishës ortodokse shqipëtare.

Konstatimi tendencioz i K. Jeriçekut se vetëm katolikët janë shqiptarë dhe katolicizmi është barazi me fenë shqiptare “[16]ose insistimi i disa autorëve tjerë të huaj që shqiptarizmi të ngritet në shkallë religjioni[17] janë me prapavi katastrofale për ardhmërinë e kombit shqiptarë.

Njëlloj nuk është rastësi as letra e filozofit Rober Eskarpi i cili në vepren e vet “Letër e hapur Zotit” në një moment i hap sinjalin shërbimit të postës se në Tiranë jeton një baba i bektashizmit (mik i autorit) , që është kryetar suprem i një bashkësie që ka disa milionë besimtarë[18].

Ky në letrën e vet, nëse dimë të lexojmë midis rreshtave Tiranën e ka barazuar me Mekën (qendër islame), Jerusalemin (qendër e krishterimit) dhe Romën (qendër e dytë krishtere-të krishterëve të ritit romak) sigurisht si qendër e ardhshme e bektashizmit. Kështu edhe ndodhi kur Shqipëria në vitin 1993-1994 pa kurfarë ngurimi do të deklarohet si shtet me katër fe zyrtare. “Feja” e katër ishte Bektashizmi. Ky është një deklarim thënë më së buti pa fije serioziteti, njëlloj siç ishte deklarimi i Shqipërisë shtet ateist në vitin 1967. Mesa i ka ndodhë popullit shqipëtarë në këto dy raste shtron nevojën për strukturat politike, në radhë të parë e pastaj ato fetare, shkencore, diplomatike, intelektuale etj. që të kthjellin vetëdijen dhe me mendje të kthjelltë të gjykojnë e të kuptojnë se feja si kategori hyjnore me peshë të veçant shoqërore e filozofike-morale as themelohet me dekrete qeveritare e partiake e as mund të zhbëhet.

Secili qytetar, në shkallën themelore, e pastaj secila shoqëri njerëzore qoftë me kompetencë legjislative apo vetëm me kompetencë të organizimit vullnetar, duhet ta ketë në mendjen e vet edhe në ndërgjegje se feja kërkon mbështetje në Libër hyjnor.

Feja nuk mund të mbështetet në mendimin, idenë apo interpretimin e njeriut sado që ai të jetë me autoritet e meritor në fushën përkatëse. Mbi mendime të njerëzve mund të themelohen vetëm shkolla-mënyra të interpretimit, të cilat asesi nuk duhet të vehen në shërbime fraksioniste në shoqëri.

Pikërisht në mos përfilljen e këtyre parimeve, në jetën e popullit shqipëtar në kohën më të re (nga vitet 20 të këtij shekulli) kanë lindë dhe zhvillohen tendencat dezintgruese kombëtare duke vepruar nën maskën e feve që i kanë shqipëtarët.

Tendenca të dezintegrimit kombëtar të maskuara me petkun e fesë na paraqiten edhe në shtypin e përditshëm apo periodik shqiptar[19]. Këtu individ të ndryshëm në jetën publike zbatojnë një platformë të huaj në dëm të popullit shqiptarë duke i maskuar qëndrimet e tyre me gjoja përpjekjet për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Në fakt këto janë në funksion politik për dezintegrimin kombëtar [20]

Në përgatitjen e terenit për dezintegrim kombëtar të popullit shqipëtarë meritë e veçant i takon ideologjisë ateiste që te shqipëtarët, në mënyrë të veçant në shqiprinë politike, u zbatua pas mbarimit të Luftës së Dytë botërore. Kjo platformë e komunizmit pansllavist iu servua dhe iu imponua popullit shqipëtarë nga ana e udhëheqjes së shqipëtarëve e cila ishte e verbëruar nga parollat famoze të proletariatit dhe në emër të marksizm-leninizmit e shtroi për dhe tërë kapitalin kulturorë, fetarë, kombëtarë shoqëror që ishte arritur deri në vitin 1945. Në këtë periudhë, prej vitit 1945- 1990 aparati shtetëror i ushqyer me ideologjinë e komunizmit bollshevik përdori të gjitha masat e mundshme dhe arriti që në masë bukur të madhe ta zhveshë shqiptarin nga ideali fetarë, sidomos brezat që lindën dhe u rritën në këtë periudhë.

Proceset e zhvillimit demokratik në Evropë kur u përmbysën qeveritë e sistemit komunist, popullin shqiptarë e gjeti të zhveshur nga ideali fetar por aty këtu edhe nga ideali kombëtarë. E gjeti aq të materializuar dhe të varfër shpirtërisht sa pa ndonjë arsye të fortë, i shtyrë nga lakmia për një jetë më komode, ia ktheu shpinën atdheut. Të tillët vështirë se do të gjenden më në gjirin e idealit kombëtarë e as atë fetarë.Të tillët më parë do të jenë të rekrutuar të ndonjë frakcioni që vepron nën maskën e ndonjërës nga fetë se sa të jenë të krishterë të mirëfilltë ose musliman të vërtetë.





(3)



Në hapësirat gjithshqiptare në Ballkan ka gjurmë të veprimeve destruktive me prapavi dezintegruese, edhe nga elemente të tjera përveç atyre që u përmenden e që mund të jenë rekrutë të atyre ose të ndonjë bërthame tjetër, maskë me tjetër ngjyrë. Me veprimet e tyre, që në fillim duken se kanë dallime vetëm formale prej atyre me bazë fetare, në dy-tre vitet e fundit kanë bërë sondimin e terrenit në rrethet fetare ku ka pas edhe kundërshtime gjysmë publike, por ato edhe mëtutje vazhdojnë të zbatojnë platformën e tyre të maskuar me petkun fetarë e që në thelb është platformë ideologjike e caktuar.Ndryshe nuk ka si të spiegohet konfrontimi fizik në disa mjedise shqiptare i disa grupacioneve që veprojnë gjojose për të mirë të fesë. Edhe më të errta dhe me qëllime më djallëzore janë thyerja e varrezave muslimane dhe varrezave të krishtera me qëllim të zhdukjes së identitetit tëe tyre fetarë dhe kombëtarë, madje demolimi,në mënyrë të sinkronizuar për një kohë të shkurtër, i faltoreve dhe demolimi i rekvizitave nëpër xhamia dhe kisha; fërkimi ndërmjet institucioneve fetare me disa shoqata humanitare etj.

Këtu shtruam çështjen e dezintegrimit kombëtar dhe përmendëm sipas mendimit tonë faktorët që janë në sherbim të dezintegrimit. Bindja ime e thellë është se po t’i përmbahemi përcaktimeve të rilindasve tonë të cilët çështjen e feve te populli shqiptarë e trajtonin në kornizë të dy librave të shenjtë: Ungjilli dhe Kur’ani sepse në këto dy libra mbështeten fetë e shqiptarëve, do të japim kontributin më të madh dhe do ti shërbenim integrimit kombëtar dhe do t’ia ngushtonim rrugën tendencave dezintegruese. Kjo është obligim moral i çdo shqipëtari dhe secili duhet t’i tingëlloj në ndërgjegjen e tij porosia e Çajupit:

Musliman e të krishterë

jemi keq

Të ngrihemi që të tërë

djem e pleq

(Çajupi, Vepra 1, Prishtinë, 1983.)



Si Ungjilli dhe Kur’ani

mos e ndani Perëndinë

Shoku shokun mos e hani

Si punojnë ata që s’dinë

(Po aty.)

Fetë e shqipëtarit, ato dy fe që mbështetën në Ungjill dhe në Kur’an, janë në funksion të integrimit jo vetëm përmbrenda popullit shqiptarë por këto dy fe janë në funksion të integrimit të kombit shqiptarë me kombet e tëra të botës, dhe këtë duhet konsideruar si dhuratë nga i Gjithfuqishmi Zot sepse:

Musliman e të krishterë

Përendia na ka bërë

jemi vëllëzer të tërë.

thoshte Çajupi, Po aty.

që korrespondon plotësisht me ajetin e Kur’anit ku thuhet : “Ve lev shae.....”

Sikur të kishte dashur Zoti do t’i krijonte të gjithë njerëzit në një fe” Kur’an 16: 93

Porosi kryesore nga e tërë kjo është që ne si intelektual, të të gjithë profileve duke analizuar të kaluarën dhe të tashmën e popullit shqiptarë të vështruar me sy kritik dhe krahasues edhe me histori të popujve të kaluar në fund të këtij shekulli gjergjësistë në fund të mileniumit të dytë të nxjerrim mësimet të nevojshme. Në mileniumin e tretë të hyjmë më të kthjelluar seç kemi qenë gjatë këtij shekulli kur jemi përplasur sa andej e sa këndej duke u ushqyer me iluzione me çka i kemi ra ndesh realitetit historik. Jemi përpjekur të themelojmë një fe artificiale të mështetura në parolla e ideolog të ndryshëm, madje të bëjmë edhe popull fare të pa fe, që është një absurd i lloit të veçant.

Në mileniumin e ri duhet të hyjmë të vetëdijshëm se jemi një popull që ka lind dhe është rrit si popull në këto troje. Të vetëdijsohemi se historia e popullit shqiptarë, qoft nga këndëvështrimi i formimit fetar qoft ai kombëtarë nuk fillon me ne. Ka filluar shumë më herët dhe nuk përfundon me ne. detyrë e jona është të vazhdojmë me syçelësi në mos më tepër, atëherë sa sa rilindasit tanë.me qëllim që të mos bijmë në në grackat që i endin armiqtë e popullit shqiptarë ngjyrash të ndryshme fetare, ekonomike, politike, historike etj. Të vetëdijsohemi se jemi një popull që kemi një gjak dhe një gjuhë dhe një histori. Besojmë në një Zot por në besimin tonë kemi dy qasje u takojmë dy feve: fesë krishtere dhe fesë islame. Kemi dy fe që mbështeten në dy libra të shenjtë të shpallur hyjnor në Ingjil dhe në Kur’an prandaj duhet që në mënyrë të denjë të informojmë opinionin kulturorë shqiptarë edhe të tjerët se populli shqiptarë është tepër i vogël për ato rryma të cilat nën maskën e fesë përpiqen t’ i imponohen me forma dhe parolla mashtruese. Nëse provojmë të ndryshojmë ndonjë send nga burimet themelore fetare mund të presim vetëm dënimin nga Krijuesi i cili ka mënyra të ndryshme të dënimit e ne aktualisht vuajmë dënimin e njeriut jo të lirë.

Prandaj, për ne nuk e ka humbur aktualitetin porosia e Çajupit:

Ngrihuni trima të tërë

Musliman e të Krishterë

të luftoni për lirinë

të shpëtoni Shqipërinë.

(Po aty )

Nëse nuk vetëdijsohemi, nëse nuk kthjellohemi të veprojmë me kohë sipas këtyre kërkesave, popullin shqiptar e pret dezintegrim kombëtar nën maskën e fesë, ashtu siç i ndodhi në shekullin XVI e XVII me popujt e Evropës Qëndrore. Për këtë përgjegjësia do të peshojë më rëndë mbi institucionet përgjegjëse për organizimin fetar që, sipas mendimit tim, janë : Tiranë- Prishtinë, Prizren- Shkup- Podgoricë.

Mirëpo, edhe ne që jetojmë sot nuk mund t’i ikim dot dënimit të historisë, sepse historia dënon edhe për atë që është dashur ta besh e nuk e ke bërë.

Koha është gjykatës i pamëshirshëm. (Gusht, 2000)









--------------------------------------------------------------------------------

[1] IBRD (HG), The Word Bank Atlas, 1995, Washington D. C. Dezembar, 1994; Statisches Jahrbuch 1994, feur das Ausland, Wiesdaben (sept) 1994), cituar sipas dr. šemso Tankovic Simpozium “Islam na Zapadu”, Zagreb, 1997

[2] Në burimin që e kam shfytëzuar unë qëndron vetëm termi religjion

[3] Dr. Semso Tankovic, si shënimi numër 2. T-2, broj i struktura vodeci religia svjeta.

[4] Shih: Dituria Islame, Prishtinë, nr. 97, 1997

[5] Ridio DW, në një emision të datës 10. I. 1998, me titullin Bektashit në Shqipëri, bisedonte me Baba Reshat Bardhin i cili ndër të tjera i kishte thënë se “feja bektashiane në Shqipëri ka qenë e treta me radhë në Shqipëri, pas sunës dhe ortodoksve, pra përpara katolicizmit...”

Kjo deklerat e tij sigurisht e ka zënafillën dhe mbështetjen në Kongresin e Lushnjës, në të cilin Kongres më 1920 është miratuar një statut ku thuhet “Shqipëria njeh dhe mbron baraz, Sunizmën, Bektashizëmën, Ortodoksizëmën e Katolicizëmën”. Më vonë më 1929 Kongresi i III Bektashian në teqen e Prishtës do të miratoj statutin e Fesë Bektashiane Shqiptare.

[6] Mund të flitet për tendenca me qëllim të përçarjes por është fakt se ato tendenca të gatuara jashta trungut shqiptarë dhe fillimisht pa pjesëmarrjen aktive të shqiptarve, deri më tash nuk kanë pasur kurrfarë suksesi. Këtu mbase duhet të mësohem njerzit e pendës që ta dallojnë fjalën “të ndarë” nga ajo “të përçar”, sepse ndarjet janë të natyrshme kurse përçarjet i përgatisin qarqe a individ të caktuar me qëllime të caktuara për lëvërdi individuale ose të grupacioneve të ngushta e desdruktive.

[7] Edhe populli arab që sot ka disa shtete, si Liban, Egjipt, Siri etj kultivon dy fe. I përket fesë islame dhe fesë krishtere, madje të krishterët edhe atje ndahen në dy rite: ortodoks dhe katolik.

[8] Çajupi, Vepra, 1 “Rilindja”, Prishtinë, 1983, f. 23.

[9] Po aty, f. 23

[10] Krahaso: Dituria Islame, Prishtinë, nr. 97. 1997 (dëshimtarët e Jehovës).

[11] Shih: Kisha dhe historia e saj, libri i 7 Ferizaj- Zagreb.

[12] Dr. Šemso Tanković, si shënimi nr. 2.

[13] Këtu bëjnë pjesë dy rite të fesë së krishterë: ortodoks dhe katolik.

[14] Këtu hyjnë pjestarët e fesë islame si sunit ashtu edhe shiitë, në rastin konkret bektashi

[15] Kjo në kohë të fundit merr karakteristikat e Kishës Ortodokse Greke.

[16] Gjurmime Albanologjike, I, 1971, Prishtinë, f. 198

[17] Nikola Dugandzia, (religjioni dhe kombi). Cituar sipas mr. Ismail Hasani, Probleme teorike nga sociologjia e religjionit, Prishtinë, 1996, f. 118.

[18] Rober Eskarpi, Otvoreno pismo bogu, Beograd, 1968, f. 12. Eskarpi në të vërtet, nuk thotë fetare por vetëm bashkësi me disa miljona besimtarë.

[19] Për ilustrim shih: Ora, Prishtinë, dt. 4. 10. 1996; Zëri, Prishtinë, dt. 28. 12. 1996; Koha, Prishtinë, dt. 6. 11. 1996; Bujku, Prishtinë, dt. 11. 01. 1997.

[20] Krahaso, Hëna e Re, Shkup, dt. 25. 12. 1997.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme