Parime të diplomacisë së shtetit islam

Deri sa Ch. Millon-Delsol për nga pikëpamja e ideve politike konsideron se marksizëm-leninizmi përbën misterin më të çuditshëm të shekullit XX-të,[1] ish presidenti i ShBA-së Xhorxh Bush (i vjetëri) me përfundim të luftës së ftohtë shpalli shpresën e tij për një rend të ri botëror në terma klasikë uillsonianë e më vonë ngjashëm me këta terma, duke u ndalur në temën e zgjerimit të demokracisë i shprehu qëllimet edhe pasardhësi i tij ish presidenti amerikan Bill Kllinton.[2]

Henri Kisingjer Ish sekretar i shetit i ShBA-së në librin e tij Diplomacia, vlerëson se asnjë vend tjetër në botë sa ShBA-ja nuk ka ndikuar më shumë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa për konceptin bashkëkohorë në marrëdhëniet ndërkombëtare spjegon se ajo u fut nga Franca në shekullin e XVII nën ndikimin e kardinalit Risheljë, të bazuar në kombin-shtet...[3]

Të gjitha këto dhe shumë konflikte e luftëra të tjera që kanë ndodhur në botë gjatë shekullit të kaluar, që fatkeqësisht po trashëgohen tani në fillim të këtij shekulli, kanë provokuar rënd diplomacinë e shumë shteteve, apo marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi.

Për këtë dhe shumë pyetje të tjera rrethë diplomacisë apo marrëdhënieve ndërkombëtare nga këndvështrimi islam, në këtë punim desha të jap një pasqyrë të parimeve të diplomacisë së shtetit islam në raport me shtetet tjera: Marrëdhëniet me shtetet fqinje dhe shtetet e tjera, me shtetet aleate, me ato agresore etj; Pozicioni i shtetit islam në ngjarjet e ndryshme në arenën ndërkombëtare qofshin ato paqësore apo konfliktuoze.

Diplomacia ndërkombëtare është sjellja (raporti i) e marrëdhënieve mes shteteve. Kështu marrëdhëniet diplomatike ndërtohen me miratim të ndërsjellë duke dërguar ambasadorë dhe duke mirëpritur ambasadorët e shteteve tjera. Ambasadorët përfaqësojnë shefin e shtetit nga shteti i cili janë dërguar dhe zakonisht vendosen në kryeqytetin e shtetit ku janë të dërguar (shtetit nikoqir). Detyrat e diplomatëve janë si: përfaqësimi i shtetit i cili i ka dërguar; mbrojtja e interesave të shtetit të tyre; negocimi me shtetin nikoqir (për projekte të ndryshme); raportimi shtetit të vet për gjendjen në vendin nikoqir si dhe realizon marrëdhënie miqësore.[4]



II

Pushteti ekzekutiv, ai legjislativ dhe gjyqësori realizojnë politikën e shtetit islam. Politikën e mbrendshme të shtetit si: sigurimi i të drejtave qytetare, funksionimi i ligjit dhe vendosja e rendit, siguria ekonomike etj., dhe politikën e jashtme që është edhe temë e jona e këtij punimi.

Veprimtaria e politikës së jashtme e shtetit islam që sot e quajmë diplomaci funksionon në frymën e Kur’anit dhe Sunnetit, Allahu xh. sh. në Kur’an thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat) e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (Kur’an: 49/13).

Ky ajet kur’anor shemb themelet mbi të cilat janë të ndërtuara marrëdhëniet ndërkombëtare sot në botë. Atë që kemi cekur më herët, konceptin bashkëkohor të marrëdhënieve ndërkombëtare të kardinalit francez Risheljë të bazuar në kombin-shtet. Allahu xh. sh. në këtë ajet kur’anor nuk iu drejtohet një fisi a kombi të caktuar e as një race apo të ndonjë konfeksioni fetar por i drejtohet gjithë njerëzimit “O ju njerëz..” , duke zhdukur në vazhdim dallimin mes kombeve, ngjyrës a racës. Llojllojshmëria e gjuhëve, kombeve e ngjyrave tona s’duhet të jetë motiv i konflikteve por i njoftimeve dhe bashkëpunimit me njëri tjetrin. Asnjë komb apo racë nuk ka përparësi në raport me tjetrin komb apo racë, por më i miri, më fisniku prej tyre është ai që është më i devotshmi. Dallimet e lartëpërmendura si ngjyra, raca a kombi nuk duhet në asnjë mënyrë që të konsiderohen si prioritet apo privilegj. Islami nuk njef kufij gjeografikë, ai është universal: “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i tokës, llojllojshmëria e gjuhëve tuaja dhe ngjyrave tuaja. Këto janë njëmend argumente për ata që dinë.” (Kur’an: 30/22).

Qëllimi i islamit është paqa për botën, dashuria mes njerëzve dhe devotshmëria ndaj Allahut dhe në asnjë mënyrë lufta. Ajo, lufta, i obligohet shtetit islam vetëm në vetëmbrojtje: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që luftojnë kundër jush, por mos e teproni! Allahu nuk i do ata që e teprojnë (që e fillojnë luftën).” (Kur’an: 2/190).

Lufta do të ndalet menjëherë pasi agresori ka ndal sulmin, poashtu armiqësia duhet të zhduket: “Luftoni ata derisa të zhduket shpifja (propaganda e luftës) dhe të mbesë feja e Allahut. E nëse ndalen (nga propaganda e luftës) atëherë duhet braktisur armiqësinë, përveç kundër kriminelëve.” (Kur’an: 2/193). Pas përfundimit të luftës ndiqen kriminelët në mënyrë që të mbretërojë qetësia. Këtë na e ka mësuar kur’ani para më shumë se 14 shekujve e ne sot jemi dëshmitar të gjykatave ndërkombëtare për krime të luftës.

Përfundimisht nëse vendet tjera dëshirojnë paqe, shteti islam do ta përkrah ate ashtu siç na obligon kur’ani: “ Në qoftë se ata, anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo, e mbështetu në Allahun. Ai është që dëgjon dhe di.” (Kur’an: 8/61).

Kur arrihet marrëveshja, shteti islam do ta respektoj atë dhe nuk do ta thyej por do t’i përmbahet me devotshmëri: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, Allahu e di se çka punoni.” (Kuran: 16/91).

Edhe nga tradita e të dërguarit të Allahut kemi mjaft argumente dhe ngjarje që na tregojnë për diplomacinë e drejtë dhe të sukseshme të shtetit islam. I dërguari i Allahut pas rregullimit të mbrendshëm të shtetit menjëherë filloi aktivitetin diplomatik dhe të daëwes jashtë shtetit, duke dërguar delegacione diplomatike mbretërive të ndryshme dhe fiseve të xhezirës arabe për t’i ftuar në islam ose në marrëveshje.

Hapi i parë i politikës së jashtme ishte studimi i situatës politike në rajon e më gjërë. Studimi rezultoi me një pasqyrë të qartë të gjendjes në xhezirën arabe dhe fqinjët e saj. Këtu po cekim disa prej pikave kryesore të këtij studimi: 1-Mbretëria e Jemames kishte fuqi dhe ishte mirë e organizuar; 2-Mbretëria e Omanit e cila gjendej në lindje të xhezirës kishte marrëdhënie të mira me mbretërit Persian; 3-Fiset e veriut ishin nën ndikimin e udhëheqësve romak; 4-Mbretëria e Bahrejnit ishte në rrezik nga mbretëria e Jemames dhe Omanit; etj.[5]

Në këtë kohë arrihet edhe marrëveshja e Hudejbisë,[6] me Kurejshët e cila pason me marrëveshje tjera të ndryshme me vende të tjera. Sot janë të njohura rreth 287 dokumente, letra kredenciale e marrëveshje të ndryshme të kohës së të dërguarit të Allahut. Ato dokumentojnë marrëveshje të arritura dhe letra kredenciale të shkëmbyera mes pejgamberit a.s. dhe mbretërve e kryetarëve të vendeve e fiseve të ndryshme si me: Kurejshët, Cifutët, Bizantin, Persinë, Egjiptin e me fise të ndryshme të xhezirës arabe.

Rrugën e njëjtë e kanë ndjekur edhe katër halifët e shtetit islam pas vdekjes së pejgamberit a.s., ku gjithashtu numërohen rreth 86 letra kredenciale e marrëveshje të ndryshme.[7]



III

Për të njohur më mirë diplomacinë e shtetit islam është e nevojshme që fillimisht të njihemi me termat politike që definojnë raportin e shtetit islam me shtetet tjera, respektivisht të marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit islam me shtetet tjera në gjendje lufte ose në paqe.

1. Daru-l-islam: Me këtë term definojmë vendin ku muslimanët jetojnë të sigurtë dhe të lirë (pa kurfarë frike). Ky është një prej definicioneve për daru-l-islam të cilin e ka thënë edhe Ebu Hanife. Ndryshe nga ky definicion juristë të tjerë për daru-l-islam thonë se ai është vend ku aplikohet sheriati (legjislacioni islam) dhe ku janë të sigurtë e të lirë të gjithë si muslimanët ashtu edhe dhimmijjët[8]. Këtë mendim e kanë Ebu Jusufi dhe Muhammedi, madje shtojnë se edhe sikur i tërë vendi të jetë i banuar nga muslimanët e nëse nuk aplikohet sheriati ai vend nuk mundë të jetë daru-l-islam por daru-l-kufër (daru-l-harb). Pra derisa Ebu Jusufi dhe Muhammedi kushtëzojnë aplikimin e sheriatit për daru-l-islam, Ebu hanife kufizohet vetëm në sigurinë dhe lirinë e muslimanëve edhe nëse në atë vend nuk aplikohet sheriati;

2. Daru-l-harb: Ose e kundërta e daru-l-islam, është vend agresorë që nuk ka marrëveshje paqe me shtetin islam, respektivishtë me daru-l-islam, apo ndryshe, vend ku nuk aplikohet sheriati dhe ku siguria e liria e muslimanëve rrezikohet.

3. Daru-l-ahd: Poashtu njihet edhe si daru-s-sulh dhe daru-l-hudneh. Ahd d.m.th. marrëveshje; Sulh: paqe dhe Hudneh: armëpushim. Pra krejt këta terma japin të kuptojmë se bëhet fjalë për vendet joislame të cilat kanë marrëveshje paqe a armëpushimi me shtetin islam.[9]

Profesori im i nderuar nga Universiteti i Jordanit Arif Ebu Ëid në librin e tij Nidhamu-l-hukmi fi-l-islam (Sistemi i qeverisjes në islam) spjegon se kjo ndarje me këta terma dhe me këtë renditje nuk ka ekzistuar në kohën e të dërguarit të Allahut Muhammed a.s. e as gjatë periudhës së sahabëve por ka lindur si nevojë e kohës për të cilën juristët islamë kanë bërë përpjekje (ixhtihad) në favor të sigurisë shtetërore atëherë kur vendet fqinje nxitnin agresion kundër muslimanëve dhe si shkak rezultoi me shumë luftëra.[10] Gjithsesi përpjekjet e juristëve ishin të bazuara në Kur’an dhe në traditën e të dërguarit të Allahut e të cilat argumente i paraqitëm më lartë.

Me këtë rast do të shtojë edhe përpjekjen e disa juristëve islamë të më vonshëm si Ebu Zehre, Uehbi Zuhejli etj., që tri ndarjeve të njohura t’u shtohet edhe një ndarje (përkufizim) 4. Daru-l-hijad: Vend neutral i cili nuk përkrah shtetet agresore (daru-l-harb), e mund të shtohet edhe bashkpunimi i këtyre vendeve neutrale me ato të daru-l-ahd-it.[11]

Kjo ndarje e katërt është si aneks i propozuar nga juristët islamë modern duke pasur parasysh konfliktet dhe luftërat e shumta në botë e sidomos në kohët e fundit, në mënyrë që diplomacia islame të ketë një vizion të qartë në kategorizimin dhe krijimin e raporteve me shtetet tjera në situata të ndryshme, në gjendje lufte ose paqe. Ndërsa juristët e tjerë islamë daru-l-hijad e fusin në kuadër të daru-l-ahd-it.



IV

Duke pasur parasyshë detyrat e diplomacisë së shtetit islam konform ajeteve kur’anore dhe traditës së të dërguarit të Allahut gjejmë se diplomatët, ambasadorët e shtetit islam, duhet që t’u nënshtrohen kritereve dhe të plotësojnë kushte të caktuara në mënyrë që të jenë në gjendje që sa më mirë të kryejn detyrën e tyre.

Juristët islamë kanë renditur një sërë kushtesh paraprake që duhet t’i plotësoj ambasadori i shtetit islam me detyrë jashtë vendit,[12] ndërsa unë do të pëmend më kryesoret në vazhdim:

1- Musliman,[13] se siq kemi theksuar më herët, ambasadorët e Muhammedit a.s. përveç pikpamjeve politike të shtetit islam paraqitnin edhe parimet islame. Kështu nëse ambasadori do të fletë edhe për islamin dhe bazat e saj etj. ai patjetër duhet të jetë musliman, çka do të thotë se ai e ka kuptuar besimin e tij dhe ua proklamon, spjegon të tjerëve.

2- Ambasadori duhet të ketë oratori dhe të jetë i qartë në bisedime. Mesazhin që e interpreton t’ia jap kuptimin e duhur në mënyrë që ta kuptojnë porosinë ata që e dëgjojnë.

3- Të jetë i ditur. Kjo nuk specifikohet, sepse dituria ngërthen në vete shumë njohuri por dituria në këtë rast do të përkufizohej me njohuritë e ambasadorit për misionin që duhet kryer. Këtu mund të cekim rastin kur Xhaëfer ibn Ebi Talib r.a. iu printe muhaxhirëve të parë në Abisini. Takimi me mbretin Nexhashi dhe suksesi i bisedimeve tregojnë qartë se sa njohuri kishte Xhaëferi r.a. për misionin e tij.

4- Morali është kusht tjetër me rëndësi ngase morali i mabasadorit është morali i islamit e më të rëndësishmet nën këtë pikë mund të përmendim besnikërinë dhe modestinë.

5- Durimi gjatë detyrës, (lexo: Kur’an: 46/ 35).

6- Trimëria, se kjo është e nevojshme si në luftë ashtu edhe në paqe. Këtë më së miri e pasqyron rasti i mabasadorëve të të dërguarit të Allahut Muhammedit a.s. të dërguar te mbretër e perandor të ndryshëm, si të Bizantit, Persisë etj. Ku ata bartën mbi vete të gjitha rreziqet e rrugës dhe të vetë ballafaqimit me ata mbretër jobesimtarë.

7- Urtësia. Për urtësinë dhe llojet e saj flasin 210 ajete kur’anore kurse për ambasadorin e shtetit islam është me rëndësi që të njoh, vlerësoj dhe dalloj më të mirën (vlefshmën) prej dy të këqijave (të pavlefshmeve).

8- Të jetë dinamik. Ambasadori duhet të jetë i shkathët dhe vigjilent nga manovrat politike. Të kuptoj plotësisht qëllimin e mesazhit që bartë dhe të ketë zotësi që atë mesazh ta interpretoj në disa mënyra.

9- Pamja. Kjo ndoshta ka vetëm rëndësi teknike por preferohet që ambasadori të jetë pedant dhe me pamje të mirë, etj. (Botohet me leje të autorit)







--------------------------------------------------------------------------------

[1] Ch. Millon – Delsol, Idetë politike në shekullin e XX-të, shtëpia botuese Onufri, Tiranë, 2000, fq.10.

[2] Henry Kissinger, Diplomacia, shtëpia botuese e Lidhjes së shkrimtarëve, Tiranë, 1999, fq. 804-805.

[3] Për këtë më gjërësishtë lexo: Henry Kissinger, Po aty, fq. 17-28.

[4] William R. Slomanson, Fundamental Perspectives on International Law, West-Thomson Learning, botim i tretë, USA, 2000, fq. 317-318.

[5] Halid Sulejman El–Fehdavi, El-fikhu-s-Sijasi li-l-wethaik en-Nebewijje, Dar Ammar, botim i parë, Amman - Jordan,1998/1419, fq. 111-112.

[6] Kjo marrëveshje është quajtur me këtë emër sipas emrit të vendit Hudbaë ku është arritur marrëveshja, shih për këtë më gjërë: Dr. Muhammed Halef Xherad El–Ëisawi, Fikhu-l-gazawat, Dar Ammar, botim i parë, Amman – Jordan, 2000, fq. 338.

[7] Shih Muhammed Hamidullah, Mexhmuatu-l-wethaik essijasijje Li-l-ahdin-nebewij we-l-hilafetu-rrashide, Darun-Nefais, Bejrut – Liban, 2001/1422.

[8] Qytetarë jomuslimanë në shtetin islam.

[9] Më gjërësishtë rreth këtyre termave apo përkufizimeve lexo: Dr. Ismail Kadhim El-Wisavi, Ahkamu-l-muahedat fi-l-fikhu-l-islami – dirase mukarene, dar ammar, botimi i parë, Amman-Jordani, 2000, fq. 15-24; Dr. Arif Halil Ebu Ëid, Nidhamu-l-hukmi fi-l-islam, daru-n-nefais, botimi i parë, Amman-Jordani, 1996, fq. 49-56; Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Towards an Islamic Theory of International Relations: New Directons for Methodology and Thought, The International Institute of Islamic Thought, botim i dytë i rishikuar, Herdon-Virginia-USA, 1993, fq. 19-20.

[10] Dr. Arif Halil Ebu Ëid, Po aty, fq. 50.

[11] Dr. Ismail Kadhim El-Ëisavi, Po aty, fq. 25-26.

[12] Më gjërësisht për këto kushte lexo: Halid Sulejman El–Fehdavi, El-Fikhu-s-Sijasi li-l-vethaik en-Nebevijje, Dar Ammar, botim i parë, Amman – Jordan, 1998/1419, fq. 112-116.

[13] Disa dijetar mendojnë se nëse detyra e ambasadorit do të jetë vetëm teknike apo të ndonjë fushe të veçantë e që ajo s’ka të bëjë me islamin atëherë mundet që një qytetar jomusliman e që njihet si ekspert i asaj fushe të udhëheqë atë mision. Për këtë bazohet edhe rasti kur Muhammedi a.s. ka bashkëpunuar me jomuslimanët e shtetit islam. (shih raste në librin e famshëm të dijetarit Muhammed Hamidullah, të cekur më lartë).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme