A MUND TË JENË MIQ MUSLIMANËT DHE JOMUSLIMANËT

JUSUF RAMIQ


A MUND TË JENË MIQ MUSLIMANËT DHE JOMUSLIMANËT


Në kohën e fundit në mjetet e informimit publik gjithnjë e më e pranishme është tema për fundamentalizmin islamik. Për këtë dëshmojnë edhe shumë shkrime në shtypin tonë. Në disa prej tyre hedhet poshtë çdo mundësi e vënies së miqësisë ndërmjet muslimanëve dhe jomuslimanëve, sepse Kur'ani jo vetëm që ndalon shoqërimin me pabesimtarët por edhe me kushërinjt më të afërt nëse nuk janë muslimanë.

Islami rekomandon një segrecionizëm të qindpërqindtë që drejtpërdrejt shpie në ksenofobi, sepse nëse ju me fqiun që nuk është i fesë suaj nuk mund të hani së bashku, të pini - e ç'mund të bëni atëherë pra?! Njerëzit munden që vetëm me smirë të sillen njëri ndaj tjetrit. Asgjë më nuk mbetet për marrëdhëniet e tyre.

Autorët e shkrimeve të cekura vetëdijësisht i shmangen të vërtetës se Islami është kundër çdo lloj diskriminimi, se angazhohet për komunikim të ndërsjellë të pjesëtarëve të besimeve të ndryshme.

Buhariu shënon se Esma, e bija e Ebu Bekrit ka thënë:

" Nëna më ka ardhur në vizitë si idhujtare, jomuslimane dhe iu drejtova Pejgamberit dhe kërkova mendimin e tij, kurse ai më ka thënë: ‘Mbaje lidhjen me nënën tënde dhe bëni mirë asaj’.”

Omeri, halifi i dytë nga grupi i hulefai-rashidinëve, po ashtu ka mbajtur lidhje me vëllain e vet që ka mbetur në Mekë si idhujtar, jomusliman.

Bashkësitë nestoriane, sipas Thomas W. Arnoldit, kanë përjetuar lulëzim të plotë të jetës religjioze kur erdhën nën dominimin musliman. Kur Bizanti pushtoi pjesët veriore të Sirisë, jakobitët më shumë kanë dëshiruar që patrikut jakobit t'ia vendosnin karrigen në truallin musliman se sa në Carigrad.

El-Ahtali, poeti i madh arab, "kristiani i zjarrtë” dhe poeti zyrtar i pallatit në Damask ulejr, sipas P. Lamenit, krahas halifit duke bartur kryq të madh të arit në krahëror. Personalitetet autoritative të besimit kristian kanë qenë shtylla të administratës emevite, si psh. Mansur ibn Sarxhuni dhe i biri i tij shën Gjoni nga Damasku.

Në pyetjen e as'habëve, shokëve të Pejgamberit të Zotit, çka u lejohet, pasoi Shpallja ku qëndron:

“… ju lejohen ushqimet e mira dhe … ju lejohen ushqimet e ithtarëve të Librit; edhe atyre u lejohen ushqimet tuaja. … ". (El-Maide, 4-5).

Ky tekst është shpallur si përgjigje në pyetjen e shtruar, kurse përfshin rregullin për ngrënien e përbashkët të ushqimit dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Kjo thënie kur'anore iu lejon pjesëtarëve të Islamit që ta ndajnë ushqimin me fqinjët e vet që nuk janë muslimanë, kurse për rëndësinë e këtij rregulli mendoj se është e tepërt të flitet.

Është fakt se në Kur'an ka tekste në të cilat iu urdhërohet pjesëtarëve të Islamit që mos të pranojnë për miqë hebrenjt dhe kristianët, përkatësisht jobesimtarët kur ka besimtarë, por duhet ditur se ato tekste kanë të bëjnë vetëm me situatë të caktuar. Aplikimi i tyre është i kufizuar në këtë dhe situata të ngjashme me këtë. Është gabim që të përgjithësohen ndonëse kjo bëhet shpesh. Do të ishte gabim kur p.sh., teksteve kur'anore në të cilat qëndron:

“O besimtarë, mos merrni për mbrojtës ebrejtë dhe të krishterët! Ata janë mbrojtës të njëri-tjetrit! I atyre është madje edhe ai nga mesi i juaj i cili i pranon për mbrojtës ...” (El-Maide, 51);

"Besimtarët le të mos marrin për miq mosbesimtarët kur kanë besimtarë, sepse kush vepron kështu, nuk ka asgjë nga ndihma e All-llahut, përveç nëse seriozisht frikësoheni prej tyre. All-llahu ju afron kujdesin e vet dhe te All-llahu është caku.” (Ali Imran, 28)

t'i jepet prioritet domethënies së përgjithshme të tekstit.

Këtu është e nevojshme të hulumtohen shkaqet e shpalljes për këto tekste. Dihet saktë se teksti i parë është shpallur drejtpërdrejt pas betejës në Uhud. Me të është rregulluar një situatë konkrete, kohësisht e kushtëzuar. Ky ajet nuk përcakton raportin dhe qëndrimin parimor të Islamit ndaj të tjerëve. Nëse këtij teksti do t'i jepnim karakter absolut dhe të përgjithshëm, gabimisht do ta kuptoni këtë raport.

Fjala është për raportin e caktuar në situatën e caktuar. Raporti i tillë vlen vetëm në situatën e tillë.

Teksti i dytë është shpallur për shkak të hipokritëve të cilët kanë qenë shumë të afërt me një grup të idhujtarëve, ei cila këtë afërsi e ka abuzuar. Disa thonë se është shpallur për shkak të një muslimani i cili ka provuar t'i njoftojë idhujtarët për synimin e Pejgamberit që ta çlirojë Mekën. Këtu nuk ka të bëjë me kurrfarë përjashtimësie. Fjala është për ndalimin e tradhtisë, e jo për ndalimin e bashkëjetesës. Dihet saktë se Muhammedi ka lidhur miqësi me idhujtarët, sikur që dihet se Amir ibn Umejje, idhujtar, jomusliman, ka qenë mik personal i Muhammedit dhe se ka gëzuar besimin e tij edhe pse në betejat në Bedr dhe Uhud ka luftuar kundër muslimanëve.

Thëniet kur'anore nga periudha mekase dhe medinase e Shpalljes ia marrin teksteve të cekura karakterin absolut dhe të përgjithshëm:

“Ti me siguri do të shohësh se armiqtë më të flaktë të besimtarëve janë hebrejtë dhe politeistët; dhe gjithsesi do të shohish se dashamirë më të afërt për besimtarët janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë ….” (El-Maide, 82).

Kur'ani në atë drejtim shkon edhe më tej sepse nuk përjashton mundësinë e vënies së marrëdhënieve të mira madje edhe me idhujtarët, dhe këtë në kohën kur Islami ka qenë në konflikt të plotë me idhujtarët arabë. Duke iu drejtuar muslimanëve Kur'ani thotë:

“All-llahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe me drejtësi ndaj atyre që nuk ju luftojnë për shkak të fesë dhe nuk ju përzënë nga shtëpitë tuaja. Me të vërtetë All-llahu i do të drejtët...”. (El-Mumtehane, 8-9).

Në këtë mënyrë Kur'ani vë principet më të forta të bashkëpunimit ndërnjerëzor. Ai rekomandon bamirësinë, qoftë ajo nuk kthehet, e njëanshme. Kur'ani kurrë nuk e ka anuluar këtë princip, as që dikujt i ka lejuar që në vend të këtij të vë ndonjë tjetër.

Është e nevojshme në fund të theksohet që thëniet kur'anore duhet t'i kundrojmë në kontekst të thënieve tjera kur'anore. Ata nuk mund të kundrohen jashtë këtij konteksti, të ndarë ose të izoluar. Kur'anin, po ashtu, duhet ta sodisim edhe në shkaqet e tij të shpalljes. Ky është parakusht i domosdoshëm, sipas H. Gjozës, për të kuptuarit e tij korrekt, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të zbulojmë çka është në tekstin përkatës historike, kohore, hapësinore, e kushtëzuar, çka paraqet zgjidhjen e pyetjes konkrete e çka princip apo qëndrim. Në shembujt që i kemi theksuar qartë shihet se cili tekst kur'anor e shpreh principin e i cili zgjidh situatën konkrete.

Përktheu: Nexhat Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme