Orientalizmi dhe shqiptarët

Filozofia dhe tradita judeo-kristiane thuhet se janë në themelet e kulturës dhe të qytetërimit perëndimor. Por, njohja filozofike nuk është njohje shkencore. Filozofia nuk merret me “çka dini”, por “si mendoni”. Qëllimi i filozofisë është të konceptojë pyetjet e duhura dhe jo të gjejë përgjigjet e sakta. Këtu termi “filozofi” ka kuptimin “të duash mençurinë”. Një nga pyetjet e duhura është: A e deshtën mençurinë ata të mençur që u muarrën me Orientalizëm? Pyetjet nuk vdesin, thoshte Pablo Neruda.

Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, botim i Rilindjes, Prishtinë, 1981, që ka 2273 faqe, që është ribotuar sipas botimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1980, nuk ndodhet fjala: Orientalizëm! Fjala orientalizëm nuk ndodhët as në Fjalorin e Shqipës së Sotme, që ka 1584 faqe, që është Fjalori më i ri, që është i ripunuar dhe i plotësuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2002. Termi apo fjala Orientalizëm nuk gjendët as në Fjalorin Enciklopedik, botuar në Tiranë, 2002.

Atëherë, çfarë kuptimi ka fjala ose termi Orientalizëm ose Orientalist? Termi Orientalizëm rrjedh nga fjala latine Oriens, që ka kuptimin: lindja e diellit ose shkurt Lindje. Prej fjalës Oriens (Lindje) u formue fjala Orient, prej së cilës u formue termi Orientalizëm, Orientalist. Ky term i formuar në Perëndim, nga njerëz të mençur, kinse për t’i njohur popujt e Lindjes, në të vërtetë për t’i sunduar, për t’i shfrytëzuar, për t’i tjetërsuar…

Orientalizmi është njohuria që merret me studimin e shoqërive dhe kulturave të Lindjes, Lindjes së Afërme dhe të Largët. Gjithashtu, mund të paraqitet edhe si përshkrim i aspekteve të ndryshme të kulturës së Lindjes nga dijetarë të Perëndimit, qofshin ata shkrimtarë, piktorë, dizajnerë etj.

Pra, çdo njeri që mëson, studion, shkruan, hulumton rreth Orientit, qoftë ai antropolog, sociolog, historian apo filolog quhet orientalist. Orientalistët e Perëndimit, qofshin ata të krishterë ose laikë, gjatë kohës së Imperializmit Europian, shekujt tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, kurrë nuk e njohën të vërtetën Islame. Një nga simtomet e kësaj injorance është fakti se All-llahu për ta është një hyjni te myslimanët, jo Krijues, Zot, të Cilin e besojnë hebrenjtë dhe të krishterët! Orientalistët perëndimor, befasohen, shqetësohen, kur dëgjojnë se All-llah do të thotë Zot, Perëndi. Arabët e besimit të Krishter nuk njohin ndonjë emër tjetër, përveçse All-llah. As këtë nuk duan ta kuptojnë orientalistët…! Kjo injorancë ndonëse është zbehur në shekullin e fundit, por kanë vazhduar paragjykimet ndaj popujve myslimanë, siç jemi edhe ne, shumica e shqiptarëve.

Kur shumica e shqiptarëve u islamizuan, në veçanti në Kosovë, atëherë shpëtuan. Shpëtuan sepse nuk u sllavizuan, nuk u asimiluan, nuk u faruam…As këtë disa nuk duan t’a pranojnë, nuk duan t’a pranojnë sepse paragjykojnë…

Për t’u mos u zgjatur më shumë, qe një nga shembujt e fundit të këtyre paragjykimeve:





Fjala e tre klerikëve antimysliman në Komitetin e Kongresit Amerikan



Klerikët, në vend se të bëhen bartës të së vërtetës, jo rrallë,

bëhen mbrojtës të vetvetës!



Në vitin e kaluar, maj, 2005, tre klerikë të lartë të Kishës Katolike në Kosovë, mbajtën nga një fjalë, kumtesë, si me qenë orientalistë, në Komitetin e Kongresit Amerikan, ku, ndër të tjera, thanë:



1. Imzot Mark Sopi, Ipeshkv i Kishësh Katolike në Kosovës, tha: “Të nderuar zotërinj kongresmenë! Shqiptarët katolikë të Kosovës e pranuan krishterimin prej Shën Palit dhe nxënësve të tij. Katolikë kanë qenë edhe myslimanët e Kosovës, por gjatë sundimit otoman-turk me kohë zgjatje prej pesë shekujsh, gradualisht kaluan në islam. Shumë prej tyre sot kanë nostalgji për fenë e të parëve, krishterimin, dhe nuk është një çështje e vështirë prapë të kthehen në të, sepse sot kemi këso raste të tilla të konvertimit dhe ky fenomen po rritet dita-ditës. Duhet t’u ndihmohet në këtë ndërgjegjësim fetar…”



2. Dr. Don Lush Gjergji, Famulltar dhe Vikar Gjeneral i Kishës Katolike, Kosovë, ndër të tjera, tha:

“Tek ne shqiptarët në Kosovë historikisht dhe aktualisht, kryesisht, kemi dy fe, krishterimin dhe islamizmin. Krishtërimi ndër shqiptarë, për rrethana më tepër politike, shoqërore dhe kulturore, se sa fetare, u nda në dy kisha motra, Kisha katolike dhe Kisha ortodokse, tani ka edhe disa bashkësi protestante. Islamizmi po ashtu ka dy degë apo drejtime: myslimane dhe bektashiane. Sot, çdo shqiptar për ta kuptuar vetveten, historinë, traditën, kulturën, gjuhën, letërsinë e vjetër, por edhe atë evropiane dhe botërore, doemos takohet me faktin e krishterë. Kjo na bën “të dalluar” për mirë nga të tjerët, që edhe vëllezërit tanë të islamizuar, së bashku me ne, të jemi prokristianë, proevropianë, proamerikanë, sepse gjeografikisht, historikisht, kulturalisht, me shekuj edhe fetarisht jemi të krishterë…”



3. Dr. Don Shan Zefi, Kancelar Ipeshkvnor e Kryetar i Gjyqit Kishtar, ndër të tjera, tha:

“Me invazionin e pushtimit turk të provincave shqiptare në shek.XV, popullata e krishterë (katolike) pësoi tragjedinë më të errët në historinë e saj fetare e kombëtare, që ka lënë pasoja të thella apo labile për krishterim: imponimin e islamizimit të dhunshëm…Dhe së fundi mund të thuhet se Kisha Katolike te shqiptarët në Kosovë e kishte vazhdimësinë e saj historike, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe dhunshëm vendoset nga Serbia në Kosovë, pikërisht siç nguliten më vonë edhe turqit me xhamitë e tyre, që së bashku me serbët, rrënuan e përvetësuan kishat e hershme shqiptare…”

Kjo ishte një pasqyrë e shkurtër e tri kumtesave, të tre klerikëve më të lartë të Kishës Katolike në Kosovë, mbajtur në Komitetin e Kongresit Amerikan.

Kumtesat e këtyre zotërinjve të nderuar, të botuara në gazetën “Bota Sot”, me 30 maj 2005, faqe: 5, 8, dhe me 1 qershor 2005, faqe: 8, ndonëse kundërthënëse ndërvete, ato kanë të përbashkët frymën e orientalistëve perëndimor, sepse kanë “mision civilizues”, evrocentrik, ungjillzues, kolonizues, shfytëzues, mashtrues…

Kumtesat e tyre, rreth islamizimit të shqiptarëve, jo vetëm që s’kanë argumente shkencore, por ato janë në kundërshtim me doktrinën kishtare dhe me vetë Papën e ndjerë, Gjon Palin e Dytë, i cili në librin “Të kapërcehet pragu i shpresës”, ndër të tjera, tha: ”Fetaria e myslimanëve meriton nderim…”

Kumtesat e tyre merren me të kaluarën... Kjo është në kundërshtim me këshillat e Papës, i cili, në librin e lartëpërmendur, tha:”Këshilloj të gjithë që të harrojnë të kaluarën dhe të arrijmë mirëkuptimin e ndërsjelltë…”. Klerikët e nderuar katolikë, në kumtesat e tyre, krenohen, mburren me vetveten…Kjo mburrje, kjo krenari, është në kundërshtim me Biblën, e cila urdhëron e thotë:

“Kush mburret le të mburret në Zotin” (Bibla,1Korintianëve1,31)

“Vërtet, kushdo që e lartëson veten, do të përvujtnohet e kush e përvujtnon vetveten, do të lartësohet” (Bibla, Lluka,14,11)

Pse i shkruem këto? Këto i shkruem që të marrin mësim!

“Kush merr mësim në Fjalën e Zotit prej ndokujt, le ta bëj mësuesin e vet pjestar në të gjitha të mirat e veta. Mos u gënjeni: Zoti nuk lejon të vihet në lojë! Çka kush mbjell, atë edhe do të korrë!” (Bibla, Galatasëve 6, 7)

Gjendja fetare e kombëtare e shqiptarëve është kjo që është. Popujt, kombet, e kanë fatin ashtu siç e meritojnë…! Duke u mburrur me të kaluarën, duke u lavdëruar vazhdimisht me meritat e paraardhësve ndër shekuj, në këtë mënyrë, ne po dëshmojmë para vetes e të tjerëve se vetë jemi të pa vlerë. E kuptoj dëshirën tuaj që e keni, që shqiptarët myslimanë të kthehën në katolikë. Ju, gjithashtu, duhet ta kuptoni dëshirën e shqiptarëve myslimanë, me qenë ata që janë, ose siç tha Papa Gjon Pali i Dytë, fetaria e myslimanëve meriton nderim. Pra, kur nuk e keni gjendjën fetare që e doni, duhet të duani atë që e keni. Ju e keni fenë tuaj, ne e kemi fenë tonë. Atdheun e kemi të përbashkët, por, siç thoshte Xhuzepe Mazzini, Atdheu nuk është hapësirë tokësore, është ideja që lartësohet mbi të. Mbi të e mbi të gjitha, Zotin e kemi të përbashkët. Ai është Krijues. Krijues i Harmonisë, Burim i Dashurisë. Me dashuri, në harmoni, e kuptojmë zemrën e njëri-tjetrit, të tjerëve, që të shërbejmë, jo të urrejmë. “Nuk duhet të trembëmi nga e vërteta e vetes sonë.”

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme