Turqia rikthehet në skenën politike islame

Me ardhjen në pushtet të partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në vitin 2002, në krye me kryeministrin Rexhep Tajib Erdogan, politika e jashtme e Turqisë është prezentë në botën arabe dhe islame. Në të njëjtën kohë ajo është aktive edhe në botën perëndimore me qëllim të integrimit të saj në Bashkimin Evropian, megjithë pengesat e vazhdueshme që po ballafaqohet nga disa vende, siç janë Gjermania dhe Franca..
Pas ardhjes së partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, me orientim pro islamik, gjërat ndryshuan si në planin e brendshëm edhe në atë të jashtëm. Në aspektin ekonomik, qeveria turke stabilizoi monedhën e saj, duke hyrë Turqia në klubin e njëzet vendeve me ekonomi më të zhvilluar në botë. Çështja kurde, të cilën dështuan ta zgjidhin të gjitha qeveritë e mëparshme u bë objekt dialogu, duke filluar nismat e para të rikthimit të kulturës dhe gjuhës kurde në ato pjesë ku kurdët përbëjnë shumicën. Në anën tjetër armiqësia shekullore turko-armene po shkon drejt pajtimit duke vendosur kontaktet e para në nivel më të lartë si dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve. Marrëdhëniet armiqësore me Sirinë për shkak të kontestit të provincës së Iskenderonit u kthyen në marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Ndër kohë që marrëdhëniet e saj strategjike me Izraelin po kthehen gradualisht në një ndërmjetësues të pranueshëm me botën arabe, siç ishte ndërmjetësimi me Sirinë, i cili shënoi suksese të konsiderueshme.
Marrëdhëniet e mira të Turqisë me botën arabe po reflektohen edhe në aspektin ekonomik. Kështu kohë më parë qeveria turke arriti marrëveshje me qeverinë e Libisë për heqjen e regjimit të vizave në mes dy vendeve. Si rezultat i kësaj, ndërmarrjeve turke iu hapen dyert për të hulumtuar tregje dhe për të gjetur punë ne Libi. Kështu këmbimi tregtar në mes dy vendeve në vitin 2003 ishte vetëm 255 milionë dollarë, kurse në vitin që shkoi ai arriti në 1.6 miliardë dollarë, me tendencë që gjatë pesë viteve të ardhshme të arrijë në 10 miliardë dollarë. Një kompani turke kishte fituar tenderin prej 10 milionë dollarësh, për shërbimet e kryera gjatë mbajtjes së samitit të Ligës Arabe në Sirt në fund të muajit të kaluar, ku mbi 95% të ushqimeve dhe gjërave tjera ishin sjell prej Turqisë.
Qëndrimet e drejta dhe parimore të kryeministrit turk rreth çështjeve që kanë të bëjnë me botën arabe dhe islame po hasin në mirëkuptimin si të pozitës ashtu edhe të opozitës së vendeve arabe. Braktisja e kryeministrit turk në mënyrë forumin e Davosit, në vitin që shkoi, në shenjë mospajtimi me fjalimin e presidentit izraelit, Shimon Peres, ka rritur rejtingun e tij në botën arabe dhe islame.
Në Samitin e Sirtit në Libi, kryeministri Erdogan, prezantoi në cilësinë mysafirit, i cili në fjalimin e tij deklaroi se “fati i Stambollit është i lidhur ngushtë më fatin e Kudsit (Jerusalemit)”, duke u përgjigjur pretendimeve të Izraelit se Jerusalemi do të jetë kryeqytet i shtetit izraelit.
Kryeministri turk, një qëndrim dinjitoz, sipas mediave arabe mbajti edhe ndaj kancelarës gjermane, Angela Merkel, me rastin e vizitës së kësaj të fundit që i bëri Ankarasë në mbarim të muajit mars, kur ajo kërkoi prej tij të përkrahë sanksionet që Perëndimi donë t’i vendosë ndaj Iranit për shkak të aktiviteteve të tij në fushën e armatimit bërthamor. Kryemisntri turk kishte preferuar diplomacinë si alternativë më të mirë ndaj sanksioneve për disa arsye. Turqia ka një kufi të përbashkët prej 380 km., me Iranin. Irani është furnizues kryesor i Turqisë me energji, por ajo që është me rëndësi se në Lindjen e Mesme është një shtet që nuk i nënshtrohet kurrfarë sanksioneve edhe pse ai posedon armatim bërthamor, fjala është për Izraelin.
Këto qëndrime të kryeministrit turk dhe politika e re e Turqisë ndaj botës arabe dhe islame, kishin bërë që shumë analistë të mediave arabe ta përshkruajnë kryeministrin turk, Tajib Rexhep Erdogan si një “sulltan” të ri, kurse elitën e re politike turke si “osmanlinj të rinj”, të cilët po rikthehen në skenën politike të botës islame me një vizion të ri. Këto pohime, kryeministri turk, ditë më parë i kishte mohua në një intervistë që kishte dhënë për revistën gjermane “Dir Shpigel”: “unë nuk lakmoj të bëhem padishah apo sulltan e as të krahasohem me Kemal Ataturkun, mjafton që populli im të flet mirë për mua”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme