Sfidat e imanit në rrethanat bashkëkohore

Liritë fetare aktuale

 

Liritë fetare në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI nuk duhet të na mashtrojnë dhe vënë në gjumë, kundrejt ndikimeve indirekte dhe të fshehta ideologjike në qenien e brendshme të myslimanit dhe shpirtin, besimin e tij. Edhe pse feja dhe besimi në një pjesë të konsiderueshme të botës pranohet si pjesë legjitime e të drejtave njerëzore, dhe feja mund të manifestohet botërisht, rregullimi shoqëror shekullar e laik i tregut vetëm e ka ndërruar modelin komunist por nuk i ka eliminuar format e ndikimit, madje i ka bërë edhe më të rrezikshme për zhvillimin normal të myslimanëve.

Rreziku i parë për fenë dhe besimin në shoqërinë bashkëkohore konsiston në “frymën lëvizëse” e cila synon vazhdimisht në rritjen materiale e cila asnjëherë nuk pushon. Sipas ideologëve të modernizmit rënia e synimit për rritje të vazhdueshme të të mirave materiale do të thotë shkatërrim, vdekje. Në këtë ide ata ushqehen në teorinë e Darvinit se vetëm më i fuqishmi mbijeton, duke iu përshtatur rrethanave të reja. Ideja e synimit drejt më të mirës në parim nuk është kundër Islamit, sikur ky parim te perëndimorët mos të reduktohej përjashtimisht në rritjen dhe zhvillimin material.

Pasoja e qëndrimit për vrap të përhershëm drejt fitimit më të madh e vrazhdëson dhe ngurtëson njeriun. Edhe pse ky synim është një “religjion i forcës dhe fuqisë” ata përpiqen ta kamuflojnë me terma të kapshëm dhe atraktivë, si: garë e tregut apo garë ndërmjet subjekteve për ta shpënë bashkësinë përpara. Profili i këtij “religjioni të forcës dhe fuqisë” është aftësia e njeriut afarist që në këtë luftë të grabitë sa më shumë para për vete dhe për “bosin” e tij, apo si e shpreh këtë gjendje një dijetar mysliman se kjo klimë moderne është “pikëpamja filozofike e botës atëherë është xhungla në të cilën luftojnë kthetrat dhe dhëmballa”. Afaristi besimtar do të gjendet në pozitë të palakmueshme, ndërmjet të a.q. ligjeve të tregut të lirë do të thotë të shndërrohet në njeri apo në grup egoist që grumbullon sa më shumë para dhe rrugës besimore të bërjes mirë dhe kundëregoizmit por që e bënë të dobët materialisht. Në një anë kemi financierin apo investuesin modernist që shikon të grumbullojë sa më shumë para në këtë botë dhe çdo ide tjetër e konsideron papjekuri madje edhe çmenduri dhe në anën tjetër e kemi financierin apo investuesin që financon apo investon në rrugën e Zotit dhe fitimi i së cilës është 700 herë më i madh, duke u mbështetur në ajetin kur’anor, në të cilin Allahu f.l. thotë:

“Ata të cilët pasurinë e vet e shpenzojnë në rrugë të All-llahut i ngjajnë shembullit të një kokrre prej së cilës mbijnë shtatë kallinj e në secilin kalli nga njëqind kokrra. Dhe All-llahu ia shumëfishon kujt do Ai; All-llahu ka horizont të gjerë të dijes.” (El-Bekare, 261).

Në këtë ambient të ngatërruar me interesa të shumtë individual e grupor, të shumë pikëpamjeve, për ekonomistin, investuesin, tregtarin besimtar e të sinqertë paraqiten shumë rreziqe dhe pakëndshmëri. Dikush këto rreziqe i ka kategorizuar në tri grupe kryesore:

-         Rreziqet lidhur me punën dhe fitimin haram;

-         Rreziqet lidhur me rrënimin e baraspeshës ndërmjet ibadetit dhe punës dhe;

-         Rreziqet lidhur me protestën e njeriut kundër vullnetit dhe rendit të Allahut në Tokë.

Puna dhe fitimi haram

Kur’ani dhe hadithi qartë dhe rigorozisht i përcaktojnë kufijtë e haramit dhe veprimeve që e përcjellin haramin. Çdo muslimanë e di se çdo veprim lidhur me prodhimin, transportin dhe distribuimin e haramit është i ndaluar. Në këtë kategori, ndër të tjera, bëjnë pjesë prodhimi i pijeve alkoolike, drogave dhe narkotikëve, mishit dhe yndyrës së derrit dhe përpunimeve të tyre, përmbajtjet pornografike dhe të gjitha ato veprime që çojnë apo ndihmojnë të sendërtohet një haram.

Në vendin tonë, ndonëse vend me përqindje gati maksimale të muslimanëve, janë të pakta objektet pa shitje apo shërbim të alkoolit. Njëjtë vlen edhe për objektet hotelerike të restoranteve, qebaptoreve, byrektoreve, ëmbëltoreve të cilat përdorin përmbajtje haram për prodhimin e produkteve të tyre, por njëkohësisht gjatë ditëve të ramazanit shërbejnë ushqime e pije. Lëre që nuk dëshirojnë ta ndalin punën gjatë ditës së ramazanit, por së paku nuk e shkruajnë ndonjë porosi se besimtarët duhet të agjërojnë, ndonjë porosi të ngjashme me atë në pako të duhanit, se duhani dëmton shëndetin. Po kështu veprojnë edhe shitoret e tekstilit, të cilët shesin rroba e veshje provokuese, ekstravagante. Kështu veprojnë edhe gazetat e televizionet e myslimanëve: janë përplot dhe reklama pornografike, pastaj me reklama fallxhorësh, me mashtrues të cilët shërojnë çdo gjë të gjallë dhe me horoskopë të cilët merren me të ardhmen e njerëzve.

Shkaku i gjithë kësaj nuk duhet kërkuar jashtë myslimanëve. Besimi i dobët dhe interesi për fuqi më të madhe materiale ka ndikuar që të bëhemi edhe vetë pre e këtyre gabimeve. E qartë se afarizmi bashkëkohor është i bazuar në trendët momentale, kurse aty janë shfrenimi dhe çdo gjë që e ndihmon atë. Njerëzit e blejnë atë që është joshëse  dhe e ëmbël, pa çarë kokën se çfarë përmbajtje ka. Ky afarizëm aktual ka fitim dhe njerëzit vrapojnë drejt këtij fitimi. Ta marrim për shembull muzikën (komerciale). Nuk kam asgjë kundër muzikës si të tillë dhe nuk bëj pjesë ndër ata që e ndalojnë si të tillë. Por, sot në muzikë më së paku ka muzikë, më së paku ka këngë. Edhe pse këndohet (bëhet zhurmë), në muzikën aktuale në rend të parë është klipi (reklama), zakonisht me femra gjysmëlakuriqe, me vallëzime provokative, me tekst provokues, përplot shund e kiç dhe askund vlerë muzikore. Shikoni për një javë televizionin dhe do të shikoni dhjetëra emisione për gjoja këngëtarë të caktuar. Gazetari e eksploron këngëtarin nga të gjitha këndet: sa vjeç je, sa femra/meshkuj ke ndërruar deri tash, a bashkëjeton dhe me kënd, çfarë kënge do na prezantosh, ku e ke bërë klipin, çfarë alkooli e duhani pinë, për përvojën e parë seksuale etj.etj.etj. Por, në ekranet televizive nuk do ta sheh asnjë shkencëtar, intelektual apo mendimtar (të paangazhuar politikisht). Ai duhet ta vetëfinancoi punën shkencore, ta botojë veprën dhe në fund të merr kredi ta paguajë borxhin për veprën e botuar, sepse bankroton pa dyshim. Televizioni i kushton shumë rëndësi natës së shtrigave (irlandeze) thuajse ne nuk i kemi shtrigat tona, i kushton rëndësi ditës së shën valentinit (pagan i veshur me petk kristian) thuajse ne nuk kemi ditë më të mira, ditës së 8 Marsit (komunist) thuajse ne nuk kemi ditë më të mira për femrën se sa kjo ditë etj.etj. Por, shikoni, nata e Bajramit të Kurbanit të vitit 2010 kaloi pa asnjë emision të drejtpërdrejtë në ndonjë televizion kombëtar të Kosovës, e lëre më që këtë ta bëjë Top-Chaneli i socialistëve (enveristëve) në Shqipëri.

Mbetet që të gjithë ne ta analizojmë të shkuarën tonë, të bëjmë plane për të ardhmen tonë, por nën thjerrëzën e hallallit.

Rrënimi i baraspeshës ndërmjet ibadetit dhe punës

Baraspesha në çdo gjë është rregull islam. Allahu i lartësuar e ka vendosur Universin në baraspeshë absolute. Çdo prishje e këtij rendi do të çojë në parregullsi dhe kaos. Por, ky rregull nuk është vetëm në botën përreth nesh, por edhe në aktivitetet tona, sikurse është ibadeti, puna, pushimi etj. Skajshmëritë nuk ekzistojnë: braktisja e punës dhe dhënia pas mospunës dhe përtacisë qëllimisht. Nga ky rregull nuk bëjnë pjesë të sëmurët, të pafuqishmit etj. (El-Bekare /2/, 273). Por, nuk ekziston as skaji tjetër, braktisja e plotë e ibadetit, duke u dhënë pas lakmisë dhe pangimësisë për të mira materiale e luks, duke e harruar plotësisht Krijuesin. Çdo musliman e ka për obligim ta gjejë kombinimin e tij të ibadetit dhe punës ashtu si i pëlqen brenda këtyre kufijve të përcaktuar. Nuk duhet harruar se puna i përshtatet kërkesave të fesë e jo feja kërkesave të punës.

Në kohën aktuale, të një dinamike të tmerrshme, në afarizëm dhe kudo tjetër, besimtari si njeri afarist duhet të bëhet këmbëngulës dhe të qëndrojë i pathyeshëm përballë sfidave. Janë tri shkallë të cilat duhet t’i ruajmë:

 - Rrënimi i baraspeshës ndërmjet ibadetit, punës dhe kohës kushtuar familjes. Puna e tepruar nga lakmia për fitim, në garë për t’ua kapërcyer të tjerëve është një faktorë me rëndësi në prishjen e baraspeshës ndërmjet faktorëve që i përmendëm më sipër, duke harruar “mesin e artë” që e porositë mësimi islam. 

Siç na ka mësuar Muhammedi a.s. ne duhet të gjejmë kohë edhe për ibadetet, por edhe për punën dhe kohën e lirë. Nuk mund të pranojmë që të na kalojë një kohë e gjatë pa lexuar, prej nga do të nxjerrim mësime për jetën e përditshme.

Ndodh që njëri prind ose të dy prindërit janë të punësuar. Ata kthehen të lodhur dhe me ngarkesat e punës. Kohë për gruan dhe fëmijët shumë pak apo aspak. Fëmijët kryesisht i janë lënë mjeteve elektronike apo stacioneve te shumta televizive dhe ambientit në rrugë e shkollë. Besimtarët e tillë gjejnë pak kohë për islam dhe literaturë islame. Sa më shumë të zgjatë koha në këtë mënyrë aq më larg Islamit është besimtari. Nëse nuk do të gjendemi në mënyrë të rregullt, kjo do të jetë shkalla e parë e shkatërrimit tonë, por nëse do të gjendemi si duhet, kjo do të jetë vija e parë e luftës.

Shkalla vijuese në rrugën e shkatërrimit të imanit kryerja jo e rregullt e obligimeve fetare apo braktisja e tërësishme e tyre. Përkundër pengesave që mund të dalin njeriu duhet t’i kryejë obligimet fetare, si namazin etj.

“Ruani kohët e faljes si edhe atë të mesmen dhe para All-llahut qëndroni me përulje! Nëse frikësoheni, atëherë duke ecur ose kaluar, por kur të jeni të sigurt përmendeni All-llahun ashtu siç ju ka mësuar Ai për atë që nuk e keni ditur.” (El-Bekare, 238-239).

Shkalla e tretë në rrugën e shkatërrimit është vrasja e zemrës duke e harruar Allahun xh. sh. Dinamika e kohës bashkëkohore nuk lejon komoditet në punë, por angazhim maksimal. Kjo bëhet kryesisht për qëllime të përfitimeve maksimale materiale. Mirëpo, punëtori krahas idealit që rrogën duhet ta fitojë hallall, në kohën e lirë duhet të preokupohet me vetveten e jo me angazhimet e punëdhënësit dhe përfitimet gjithnjë në rritje të shefit të tij. Ai duhet të kujdeset që preokupim t’i bëhet Allahut (dhikr’ull-llah) e jo euro, dollari etj. Allahu i lartësuar këtë e quan وَلَذِكْرُ اللَّـهِ أَكْبَرُ “të përmendurit e All-llahut është më e madhe” (El-Ankebut, 45). Nëse gjendja pa Zot, respektivisht gjendja me përkujtim të zbehtë të Zotit zgjatë një kohë më të gjatë, atëherë rreziku që zemra të vdesë është e madhe, kurse njeriu të humb të ardhmen e vet. Këtë gjendje e përshkruan vetë Allahu i lartësuar:

“O besimtarë, le të mos u largojë pasuria dhe fëmijët tuaj vëmendjen nga All-llahu. Kush bën ashtu, hej, ata janë të humbur.” (El-Munafikun, 63).

Duhet theksuar se afarizmi bashkëkohor dhe ambienti që na rrethon është njëlloj makine e cila dëshiron të nënshtrojë çdo gjë para vetes. Nëse diç i kundërvihet, ajo synon ta nënshtrojë dhe thyejë tërësisht. Kundërvënia cilësore kësaj tendence është një përpjekje e madhe (xhihad i madh). Mënyrat e kundërvënies janë tre llojesh: me forcë (kujdestari ndaj klientit të tij, me këshillë apo shkrim apo me mospajtim me zemër ndaj të keqes që e sheh. 

 

Protesta e njeriut kundër vullnetit dhe rendit të Allahut në Tokë

 

Shikuar nga këndi islam, njeriu dhe fati i tij nuk janë në duar të njeriut. Njeriu e shfrytëzon jetën e tij dhe për këtë i jep llogari Krijuesit. Në këtë edhe konsiston pesha e rëndë e mëkatit të vetëvrasjes apo të dëmtimeve të vetvetes. Por, kjo nuk do të thotë që njeriu është një automatik që zbaton urdhrat nga jashtë dhe nuk posedon kurrfarë lirie. Këtë çështje do të përpiqemi ta shpjegojmë nëpërmjet tri institucioneve, nëpërmjet tri parimeve: nijetit (qëllimit), duasë (lutjes) dhe xhuhdit (angazhimit). Këto janë tri të drejtat e tij por njëkohësisht edhe tri përgjegjësitë e tij në të gjitha aktivitetet tokësore, kurse rezultati i përket Krijuesit.

Nijeti. – Çështja e parë që shtrohet para nesh është përgjigjja në pyetjen përse e veproj unë këtë gjë, për dashuri të kujt, për çfarë interesash? Mos vallë e dëshiroj lavdinë, namin dhe respektin? Mos vallë e dëshiroj famën që për mua të flitet se si jam i mençur, i aftë apo të ndiej kënaqësi personale se si jam më i miri?! Çfarëdo implikimesh të jashtme në nijet e dëmton e mbase edhe e shkatërron veprimin tonë, sepse çdo gjë në islam duhet të jetë në emër të Allahut dhe të askujt tjetër. Nëse jemi deklaruar se këtë punë do ta bëjmë në emër të Zotit, atëherë të gjitha aktivitetet intelektuale, fizike dhe shpirtërore duhet të jenë tok në një: Çdo gjë në emër të Krijuesit.

Duaja. – Çështja e dytë është e drejta jonë dhe përgjegjësia jonë është t’i drejtohemi Krijuesit tonë me dua (lutje) për t’i shfaqur vetes dhe të tjerëve varësinë njerëzore kundrejt pavarësisë së Absolutit. Ne duhet Atij t’i drejtohemi dhe nga Ai të kërkojmë ndihmë. Vetvetja jonë, shkenca aktuale botërore, individët e fuqishëm nuk mund të ofrojnë përkrahjen që na nevojitet dhe ta ofrojnë sigurinë që na mungon.

Xhuhdi. - Nijeti i pastër dhe duaja e sinqertë na çon në etapën e tretë, atë të angazhimit të sinqertë, të ndërgjegjshëm dhe maksimal në çdo veprim e aktivitet. Muslimani i mirëfilltë angazhohet në sendërtimin e synimeve, por ai nuk humb kohë rreth rezultatit të angazhimit. Këtu edhe qëndron dallimi ndërmjet konceptit islam dhe materialist të fitimit. Koncepti islam synon kënaqësinë e Krijuesit me angazhimin e bërë, kurse fitimi material është pasojë e punës, dhuratë e Allahut për njerëzit. Madje, muslimani i mirëfilltë jo vetëm që sheh intervenimin e Krijuesit në këtë, por madje sheh edhe sprovën në sadakë dhe zekat. Muslimani pasurinë e tij ia përshkruan Krijuesit, kurse materialisti ia përshkruan meritë të vetvetes.

Koncepti materialist është ndryshe. Ai punën ka kompensim material e quan të kot, madje të pakuptimtë. Mosrezultimi me fitim i punës së caktuar për materialistët është humbje kohe dhe regres.

Në këtë angazhim ekzistojnë dy rreziqe:

-         Tërbimi, zemërimi dhe rebelimi i njeriut për shkak se gjerat zhvillohen si do Allahu e jo njeriu;

-         Dëshpërimi i njeriut me përcaktimin e Allahut, inferioriteti nga i cili rezulton humbja e shpresës dhe vullnetit për punë të mëtejme.

Kjo gjendja jonë i ngjanë reagimit të shejtanit në rastin kur duhej t’i nënshtrohej njeriut. Shejtani një kohë të gjatë i nënshtrohej Allahut, shoqërohej me engjëjt, dhe shfaqte përulje të plotë. Por, për shkak të vendimit të Krijuesit që të gjitha krijesat do t’i përulen njeriut, e nxiti rebelimin e shejtanit, urrejtjen e tij dhe madje refuzimin e urdhrit të Allahut. Të tillët nuk pajtohen me faktin se urdhri i Allahut është përfundimtar kurse planet tona janë në funksion të pjesës njerëzore. Për këtë arsye, duhet pasur kujdes kur dëshiron ta qortosh fatin, sepse një hadith kudsij thotë: “O njeri, kur dëshiron ta qortosh fatin, kujdes, Unë jam fati”. (Hadithin e transmeton Ebu Hurejre, kurse e shënon Ibn Asakiri dhe Ibn Nexhari).

Rreziku i dytë është dëshpërimi ynë për shkak të rezultateve të pritura por të parealizuara dhe frustrimi dhe inferioriteti për këtë rast. Këto janë gjendje normale të njeriut në rrugën e tij jetësore. Njeriu kur hasë në ndërlikime nuk duhet të humb kontrollin mbi arsyen, ndjenjat dhe shpirtin e tij, por ai duhet të bëjë angazhimin maksimal fizik, intelektual dhe shpirtëror dhe të kërkojë ndihmën dhe lehtësinë e Zotit. Ajo ndihmë do të vijë, por varet edhe nga faktori i meritës, edhe nga faktori i sprovës. Të gjithë pejgamberët kanë duruar dhe punuar, punuar dhe duruar. Shembulli i tyre duhet të bëhet mësuesi ynë në çdo rast.

 

Botuar ne Revisten Etika nr. 35, shkurt 2011. (Kopja e paredaktuar).

Allahu është absolut. Atij i përket dija absolute. Njeriu është relativ dhe merita e tij është relative.

(Artikulli ynë është rezultat i interpolimit dhe interpretimit vetjak të shkrimit në web faqen vijuese dhe përshtatjeve të caktuara: http://www.znaci.com/islam_u_drustvu/kritika_drustva/art4_0.html).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme