Hadithi në studimet e orientalistëve

Hyrje[1]

 

Hadithi[2] ka qenë objekt shqyrtimi e debatesh, objekt studimi e përkushtimi qysh nga ditët e para të tij. Në periudhën më të hershme përkundër faktit se nga pjesa dërmuese respektohej e aplikohej në jetë, nga një numër i bashkëvendësve të Muhammedit a.s. hadithi kontestohej. Më vonë, fronti i kundërshtimit qe zgjeruar, duke u shtri edhe përbrenda muslimanëve e sidomos kjo tendencë gjeti vend në preokupimet e jomuslimanëve. Megjithëse kundërshtimet ekzistonin qysh nga fillimi, deri në fund të shekullit III hixhrij kundërshtim të organizuar nuk pati, respektivisht edhe kur ekzistonte ai ishte më shumë individual, i zbehtë dhe nuk paraqiste ndonjë pengesë serioze që meritonte ndonjë përkushtim të veçantë, pos më tepër ishte si manifestim i fanatizmit fetar kristian. Mirëpo, me kalimin e shekujve, me intensifikimin ushtarak, politik, tregtar e kulturor islamo-kristian edhe interesimi për studimet ndaj hadithit filloi të rritet. Sidomos kjo ndodhi gjatë shekullit XIX dhe XX, kur hadithi studiohej si fushë e veçantë, në kuadër të studimeve të përgjithshme të orientalistëve perëndimorë dhe botërorë.[3]

Fillimet e orientalizmit dhe të studimeve orientale

 

Fillimet e orientalizmit nuk duhet kërkuar në kohët e lashta, edhe pse fërkimet e para rrjedhin qysh atëherë. Atëherë kur bota myslimane dhe kristiane u ndeshën me tërë forcën, atëherë edhe filluan studimet më të hovshme e më sistematike, e kjo është koha e Kryqëzatave. Superioriteti mysliman në rrafshin ushtarak, politik, tregtar, shkencor e kulturor, shtrirja e fuqishme myslimane në të katër anët e botës, rënia e territoreve kristiane një pas një (Spanja, pjesë të territorit Bizantin etj.) i nxiti krerët kishtarë sidomos perëndimorë por edhe prijësit politikë, që krahas fuqizimit politikë e ushtarak duhet të ndodh edhe fuqizimi intelektual, që ta mbrojnë fenë dhe territoret e tyre.[4] 

Ndër veprimet e para në atë që do të quhet orientalistikë është angazhimi i Robert Kettanit nga ana e klerikut me ndikim nga Clunyi në Francë, Petri i Madh, që të bëhet përkthimi i Kur’anit në gjuhën latine, me synimin e vetëm që të mposhtet feja islame.[5] Normalisht, përkthimet dhe studimet e tilla nuk kanë mundur të ofrojnë në pasqyrë objektive për Islamin, sepse synimet nuk ishin qëllimmira. Ato bëheshin me kërkesë të Kishës dhe nën direktivat e saj. Një frymë e tillë studimesh për fat të keq ka mbetur edhe pas Kryqëzatave, ndonëse studimet për Islamin nuk ishin ekskluzivitet i Kishës por edhe i subjekteve të tjera. [6] Kjo bëri që studiuesit e Islamit të vëhen në shërbim të kolonializmit perëndimor, shpesh herë në lidhje të ngushta me misionarët kristianë kurse gjatë shekullit të fundit në lidhje edhe me lëvizjen sioniste.[7] Këto rrethana kanë bërë që deformimi i mësimeve islame dhe paragjykimet të shtrihen në tërë hemisferën perëndimore: Amerikë, Angli, Gjermani, Rusi, Francë, Itali, Holandë etj.[8]

Orientalistët dhe hadithi

 

Studimet orientaliste për një kohë të gjatë nuk ishin të specifikuara në një fushë të caktuar, por ishin të përgjithësuara. Studiohej Kur’ani, filozofia apo aspekte të fushave ekzakte. Vetëm më vonë, në shekullin XVII e vërejmë një studim të hollësishëm. Ndër perëndimorët e parë, i cili shkroi për hadithin ishte orientalisti francez De Herbelot.[9] Ky mendon se nëntë përmbledhjet kryesore të hadithit janë të huazuara nga Talmudi.[10] Mirëpo, në shekullin vijues, studimet e hadithit thellohen edhe më tepër, kurse hadithi studiohet veçantë. Në shekullin XIX-XX kujdes të veçantë hadithit i kushtojnë Leone Caetani (1869-1926), S. W. Muiri (1819-1905) etj. Megjithatë, njeriu që më së shumti u angazhua në atakimin e hadithit ishte Ignaz Goldziher.[11] Vepra e tij Muhammedanische Studien (Muslim Studies) (Halle, 1889–1890, 2 vol.) është bërë strumbullar i të gjitha studimeve perëndimore.

Më vonë, studimet avancuan por në aspekt të cilësisë, kështu që kemi edhe orientalistin Joseph Schacht (1902-1969). Edhe ai ishte tejet tendencioz, kurse vepra e tij ndër burimet e tendenciozitetit orientalist.[12] Madje, sipas orientalistit Ser Hamilton Gibb[13] “Ajo vepër në të ardhmen do të bëhet themel për të gjitha studimet e kulturës dhe qytetërimit dhe të drejtës islame në Perëndim.”[14]

Orientalistët dhe shkrimi i hadithit 

 

Nëse William Muiri është ndër autorët e parë serioz që e kontestoi në përgjithësi teorinë klasike të autenticitetit të Kur’anit dhe në veçanti të shkruarit e tij, atëherë Ignac Goldziheri është kulmi i këtij kontestimi. Muiri pohon se hadithin i pari e shkroi Ibn Shihab Ez-Zuhriu[15] në shekullin e II hixhrij, sipas urdhrit të Omer Ibn Abdulazizit.[16] Këtë ide e përpunoi edhe Goldziher në veprën Muhammedanische Studien, duke pohuar se hadithin myslimanët filluan ta shkruajnë vetëm në shekullin II hixhrij. Ai pohon se ky ishte hapi i fundit për ta ruajtur traditën e Pejgamberit a.s., pasi theksuan se është e pamundur të ruhet, memorizohet dhe transmetohet.[17] Orientalistët e tjerë më vonë do të thonë se përmbledhjet e hadithit që sot i kemi janë vetëm “manifestim të tendencave që kanë ekzistuar në bashkësinë muslimane gjatë periudhës më të pjekur të zhvillimit”, e jo manifestim të fjalës së vërtetë të Pejgamberit a.s.[18] orientalisti gjerman Schacht shkon edhe më tej sa shkrimin e hadithit thotë duhet shtyrë edhe më vonë. Sipas tij, pohimi se hadithi është shkruar në pjesën e parë të shekullit II hixhrij është vetëm pretekst për të trilluar hadithe që do t’i arsyetojnë traditat zakonore dhe ato shoqërore arabe.[19] Tentime të tilla kemi edhe brenda muslimanëve, qoftë të motivuar me mendime islame qoftë të ndikuar nga orientalizmi evropian.[20]

Dijetarët myslimanë sikur edhe Imam Vehbi Ismaili ynë, në studimin e tij për shkencën e hadithit pohon se se hadithi nuk e kishte tretmanin e Kur’anit, por edhe ai shkruhej sipas nevoje. Në një rast, siç raporton Abdullah ibn Amri, thotë: “Unë shkrueja çdo gjë që dëgjoja nga Profeti a.s. me qëllim që më vonë t’i mësoja përmendësh. Disa më kritikuan për këtë gjë. I tregova Profetit këte dhe ai më tha: ‘Shkruaj se unë flas vetëm të vërtetën.” [21] Raportohet se kanë ekzistuar disa përmbledhje hadithesh: Sahifja e Sa’d ibn Ubadete El-Ensariut, Nus`hat’ul-kebireh e Semureh ibn Xhundubit, Sahifja e Xhabir ibn Abdullahut, Sahifja e Abdullah ibn Amr ibn El-Asit, Kodeksi (Kitab) i Muhammedit a.s., Sahifja e Abdullah ibn Abbasit, Sahifja e Ebu Hurejres respektivisht e Hemmam ibn Munebbihut, Suhufet e Ebu Bekrit etj.[22]

Arsyet e qëndrimit negativ të orientalistëve ndaj hadithit 

 

Shkaqet që orientalistët patën qëndrim negativ ndaj hadithit janë të shumta, por disa janë kryesore:

- Mosnjohja zyrtare e Islamit, Kur’anit dhe Muhammedit a.s. nga ana e Kishës kristiane. Kjo mosnjohje ka ndikuar që edhe çkado që rezulton prej tyre të mos njihet, të përçmohet, të kritikohet dhe të devijohet doktrina e tij.[23]

Në përgjithësi, orientalistët mohojnë se Islami është feja e fundit nga Allahu xh. sh., e shpallur Pejgamberit a.s. nëpërmjet Kur’anit.[24] Për shkak të këtij problemi ata shpesh herë ngatërrojnë tekstin e Kur’anit dhe të Hadithit, duke mos ditur si t’i specifikojnë, duke thënë se edhe Kur’ani edhe hjadithi janë produkt i Muhammedit a.s.[25]

Kontributi i orientalistëve në studimin e hadithit 

 

Është e padiskutueshme se orientalistët për shkak të paragjykimeve dhe bindjeve të tyre të shtrembëruara ndaj Islamit kanë bërë dëme të konsiderueshme. Por, gjithashtu është e padiskutueshme se kanë dhënë edhe kontribut që vlen të theksohet. Motivet mund të jenë edhe jofort humane, por në disa raste kemi synime të pastra shkencore. Kështu, kemi gjetjen, përpunimin dhe publikimin e disa veprave në dorëshkrim me rëndësi parësore. Veprat zakonisht janë botuar në origjinal dhe në përkthim në ndonjërën nga gjuhët evropiane me standarde të larta shkencore.

Por, projekti që vlen të përmendet është Indeksi i Haditheve të Pejgamberit a.s. i punuar prej orientalistëve me titull El-Mu‘xham el-mufahras fi elfadh’il-hadith. Këtë projekt e filloi orientalisti Arent J. Wensink dhe ai zgjati rreth 50 vjet. Vëllimi i parë doli më 1936 në Leiden, kurse i fundit më 1987.[26] Në këtë vepër janë rradhitur sipas rendit alfabetik hadithet e nëntë përmbledhjeve të njohura si Kutub’ut-tis’a, e ato janë: Dy Sahihët : i Buhariut dhe Muslimit, katër Sunene: Tirmidhiut, Ebu Davudit, Nesaiut dhe Ibn Maxhes, dy musnedet: Ahmed ibn Hanbelit dhe Darimiut dhe Muvatta`i i Malik ibn Enesit.[27]

Dijetarët myslimanë kanë poseduar disa indekse dhe metoda për gjetjen e haditheve (kutub’ul-etraf), por projekti evropian është mjaft praktik, më i lehtë, ndonëse edhe këtij realizimi i bëhen ca vërejtje në aspektin praktik. Kohëve të fundit ky projekt po përgatitet edhe në formën elektronike, kështu që puna do të lehtësohet edhe më shumë.

Në vend të përfundimit

 

Preokupimi dhe interesi i orientalistëve për hadithin nuk është i hershëm. Këtë e kanë kushtëzuar shumë faktorë, por kryesor është mosnevoja e tyre për hadithin. Edhe preokupimet e para të tyre nuk janë të motivuara për synime të ndritshme, por për ta goditur Islamin edhe nga ky kend, çfarë e kemi Goldziherin, Schachtin etj., duke zhvilluar teorinë se nuk ekziston hadith autentik Për fat të keq, shkenca orientaliste e hadithit nuk ka ecur shumë përpara në këtë rrafsh.

Edhe pse kemi dëshmi burimore se hadithi është shkruar edhe në kohën e Muhammedit a.s., madje me dijen dhe rekomandimin e tij, por jo masovikisht, orientalistë të caktuar e mohojnë këtë mundësi. Shkruarja sistematike dhe metodologjike e hadithit ka filluar të bëhet në pjesën e fundit të shekullit të parë, e sidomos gjatë shekullit të dytë, kur e kemi Ez-Zuhriun, Ebu Hanifen[28] etj., për të vazhduar në shekullin e tretë me Buhariun, Muslimin dhe kolosët e tjerë.



[1] Synimi me këtë shkrim është të shtrojë zhvillimet për hadithin dhe rreth hadithit te orientalistët, kalimthi, duke theksuar përfaqësuesit e tyre kryesorë, qëndrimet, paragjykimet por edhe kontributin e tyre. Meqë pretendimet e shkrimit janë modeste, edhe literatura edhe autorët e përdorur janë të kufizuar.

[2] Hadith është ajo që Muhammedi s.a.v.s. ka thënë, vepruar, miratuar apo heshtur. Në hadith bëjnë pjesë edhe ato lajme të cilat flasin për cilësitë e Pejgamberit a.s. Shih gjerësisht: Imam Vehbi Ismaili, Vepra 6, Logos-A, Shkup, 2009, fq. 19 etj. H. Mehmed Hanxhiq, Hyrje në shkencën e hadithit, përktheu Nexhat Ibrahimi, Logos-A, Shkup, 1997, fq. 7-9.

[3] Omer Nakicevic, Uvod u hadiske znanosti, Sarajevë, 1986, fq. 19.

[4] Safvet Halilovic, Umjesto predgovora, në veprën: Mustafa es-Sibai, Orijentalizam i orijentalisti (za i protiv), prijevod Nezir Halilovic, Zenicë, 2003, fq. 5.

[5] Ismail Ibrahim Navvab, Orijentalne studije: pregled korijena, Beharistan, casopis za kulturu, 5/6, 2002, preveo Ahmet Alibašic, fq. 124, cituar sipas: Aljo Cikotic, Orijetnalisti i hadis, Glasnik Rijaseta Islamske Zajednice Bosne i Hercegovine, nr. 5-6, 2009, fq. 419.

[6] Ismail Ibrahim Navvab, po aty, fq. 125.

[7] Ahmed Smajlovic, Felsefetu’l-istishraki ve etheruha fi’l-edebi’l-arabijji’l-muasir, Kajro, 1980, Daru’l-Mearif, fq. 119-125.

[8] Motivet e orientalistikës në përgjithësi ishin të motivuara fetarisht, politikisht, ekonomikisht por edhe shkencërisht. Gjerësisht shih: Mustafa es-Sibai, Orijentalizam i orijentalisti (za i protiv), po aty, fq. 63-68.

[9] Barthélemy d'Herbelot (1625 –1695) është orientalist francez, sipas: shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Barth%C3%A9lemy_d'Herbelot .

[10] Akram Diya al-‘Omari, Mawqif al-istishraq min as-sunna wa-s-sira an-nabawijja, Revistë e Univerzitetit Katar: Merkez buhuth as-sunna wa-s-sira, nr. VII, 1994/95, fq. 70, sipas: Aljo Cikotic, po aty.

[11] Ignác (Yitzhaq Yehuda) Goldziher (1850-1921) është orientalist hungarez me prejardhje hebraike dhe bashkë me gjermanin Theodore Noldeke dhe gjermanin Christiaan Snouck Hurgonje konsiderohet si themelues i studimeve moderne të islamistikës. Sipas: http://en.wikipedia.org/wiki/Ign%C3%A1c_Goldziher .

[12] Joseph Schacht (1902-1969) orientalist gjerman me prejardhje hebraike dhe autor i disa veprave për Islamin (fikhun, usuli-fikhun etj.). Vepra më e rendësishme e tij është Origjina e jurisprudencës muhamedane (Origins of Muhammadan Jurisprudence, 1950). Shih këtë vepër: http://islam-and-muslims.com/Origins-Muhammadan-Jurisprudence-Schacht.pdf .

[13] Ser Hamilton Gibb (1895–1971) është ndër orientalistët më të njohur anglez në shekullin XX.

[14] Muhammad Bahauddin, po aty, fq. 21. Krhs.: Omer Nakicevic, po aty, fq. 20.

[15] Shih: Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në Islam, përktheu: Nexhat Ibrahimi, Logos-A, Shkup, 2006, fq. 220.

[16] Muhammad Bahauddin, po aty, fq. 34. Omer b. Abdulaziz (61-101 h.), i biri i Abdulaziz b. Mervan dhe pasardhës i Omer b. El-Hattabit r.a. Ky si halif ishte dy vite e pesë muaj. (Ibn Sa‘d, Tabekat, vëll. V, fq. 408), sipas: Aljo Cikotic, po aty.

[17] Muhammad Bahauddin, po aty, fq. 34.

[18] Sipas: Aljo Cikotic, po aty, fq. 418-426.

[19] Omer Nakicevic, po aty, fq. 20-21. Muhammad Bahauddin, po aty, fq. 80-81.

[20] Omer Nakicevic, po aty, fq. 19-32.

[21] Për këtë dhe raste të tjera shih gjerësisht: Suneni i Ebi Davudit, 24:3, sipas: Imam Vehbi Ismaili, po aty, fq. 24.

[22] Seid Ramadan, E drejta islame, përktheu: Nexhat Ibrahimi, Logos-A, Shkup, 2007, fq. 45 e tutje. Omer Nakicevic, po aty, fq. 38-40 a.; H. Mehmed Hanxhiq, po aty, fq. 17-19.

[23] Mustafa as-Siba’i, As-Sunna wa makanatuha fi at-tašri’i al-islamijji, al-Maktab al-Islami, Bejrut, 1985, fq. 188-189.

[24] Mustafa es-Sibai, Orijentalizam, po aty, fq. 71.

[25] Mustafa es-Sibai, Orijentalizam, po aty, fq. 74.

[26] Mustafa es-Sibai, Orijentalizam, po aty, fq. 22.

[27] Imam Vehbi Ismaili, po aty, fq. 42 e tutje. H. Mehmed Hanxhiq, po aty, fq. 23-26 e tutje.

[28] Veprën e Imam Ebu Hanifes për Hadithin e kemi edhe në gjuhën shqipe: Fuad Sediç, Musnedi i Imam Ebu Hanifes, SHB Dituria Islame, Prishtinë, 2009, fq. +287.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme