Namazi i Teravive: 8 apo 20 Rekate?

Namazi i Teravive: 8 apo 20 Rekate?

Në një fletushkë të shpërndarë nga ndjekësit e Nasirudin Albanit në Angli të titulluar "Përgjigje për disa pyetje të zakonshme" (Tetor, 1990), është parashtruar pyetja dhe përgjigjja në vijim: (Nr. 22):

(a) Aisha r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. asnjëherë nuk ka falur më tepër se 8 rekate në namazin e Teravive, kështu që si është e mundshme që askush nuk kundërshton 20 (rekate)?

(b) A është e vërtetë që Omeri r.a. e ka futur këtë në praktikë?

 

Përgjigja 22:

(a) Në lidhje me namazin e Teravive - njerëzit pajtohen se është Suneti i Pejgamberit s.a.v.s, dhe forma më e mirë është 11 rekate. Për sa i përket çfarëdo shtese, kjo është e PAPRANUAR dhe është e deklaruar BIDAT (Një inovacion i keq) nga Shejh Albani dhe nga disa dijetarë të tjerë të hershëm - kjo e transmetuar nga Imam Maliku, Ibn Arabiu dhe es-Sen'ani` (Shih Namazi i Teravisë nga Shejh el-Albani).

(b) Nuk është e vërtetë se Omeri r.a. i ka falur ose ka urdhëruar të falen 20 rekate. Në fakt ai urdhëroi Ubej ibn Ke'b që t'i udhëheq njerëzit me 11 rekate (el-Muvetta 1/137, me Sened Sahih).

 

Unë nuk dëshiroj të hyj në detaje për këtë çështje, por Insh`Allah këtë do ta sqarojmë në një publikim i ndarë, i cili është i nevojshëm, për të treguar cili qëndrim është më korrekt. Por sidoqoftë, duhet të cekët se pjesa DËRMUESE e dijetarëve të Hadithit, Fikhut e edhe katër Imamët Muxh'tehid janë të pajtimit që 20 rekate është forma më e pranuar, e përcjellur me 3 rekate Vitr, dhe ky është mendimi i Imamit të "Selefijve", Ahmed ibn Tejmijes!

Së pari, duhet të cekët se Hadithi i cili transmetohet nga Aisha r.a. rreth 11 rekateve nuk ka të bëjë fare me namazin e Teravisë, sipas shumicës së dijetarëve, por në fakt ka të bëjë me numrin e rekatëve të Namazit të Tehexhudit! Hadithi në fjalë është si vijon:-

 

Transmeton Ebu Seleme ibn Abdur-Rahman se ai e ka pyetur Aishen r.a., "Si ishte namazi i Të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në Ramazan?" Ajo iu përgjigj, "Ai nuk ka falur më tepër se 11 rekate në Ramazan apo në ndonjë muaj tjetër. Ai falte katër rekate - me bukurinë dhe gjatësinë e tyre - dhe pastaj ai falte katër rekate - me gjithë bukurinë dhe gjatësinë e tyre - dhe pastaj ai falte tre rekate (Vitr)." Ajo shtoi, "Unë e pyeta, 'O i Dërguarit i Allahut! A fle para se të falësh Vitrin?' Ai mu përgjigj, 'Oj Aishe, Sytë e mi flenë por zemra ime nuk fle.'" (Buhariu, 3/230, botimi anglisht)

 

Sipas autorit të "Fataua Rrahimijeh", Muftiu Abdurrahim Lejpuri (vëll. 1, fq. 275); në mbrojtjen e tij për 20 rekate të Teravisë: "Komentatori i Sahihut të Buhariut dhe eruditi tradicionalist, Shejh Shemsuddin el-Kermani (vdiq. 786H; Rahimehullah) thotë: 'Në Hadithin e mësipërm, fjala është për Namazin e Tehexhudit. Pyetja e Ebu Selemes dhe përgjigja e hazreti Aishes ishin për Tehexhudin.' Ai më tutje shton: 'Nëse fjala nuk ka qenë për Tehexhudin, atëherë ky veprim do të jetë në kundërshtim me traditën që thekson se Pejgamberi a.s. udhëhoqi njëzetë rekate për dy net (radhazi), dhe në rast të një mospërputhje të këtillë tradita e njëzet rekateve është Afirmative (muthbit) dhe ka përparësi, sepse sipas Parimeve të Hadithit, Afirmativja ka përparësi ndaj Negatives (naaf)" (më gjerësisht: El-Keuakib ud-Durari Sherh Sahih el-Buhari, vëll. 9, fq. 155-156). Pra, a nuk do të thotë kjo ata të cilët falin 8 rekate të Teravisë, në vend të kësaj duhet të falin 20 rekate? Pasi që kjo është prej parimeve të Hadithit (siç ka pohuar edhe Albani): "Afirmativja ka përparësi ndaj negatives në raste të caktuara."

 

Një fakt tjetër me rëndësi që duhet të ketë parasysh lexuesi është se Imamët e Hadithit e kanë vendosur Hadithin e Aishes r.a. në seksionin e namazit të Tehexhudit, që tregon se ata mendonin se Hadithi ka të bëjë vetëm me Tehexhudin. Muhadithi Imam Buhariu (Rahimehullah) e ka vendosur Hadithin e Aishes r.a. së paku në dy vende në Sahihun e tij, së pari në seksionin '21: Namazi i Tehexhudit Natën' (shih Sahihul Buhari, vëll. 2, kapitulli 15, nr. 248, botimi Anglisht) dhe pastaj tek seksioni '32: Libri i namazit të Teravive' (shih Sahihul Buhari, 3/230, fq. 128, botimi anglisht). Kjo do të thotë që Imam Buhariu besonte se namazi të cilin e ka përmendur Aishja r.a. ishte vetëm ai i Tehexhudit, dhe pasi që Namazi i Tehexhudit kryhet edhe në Ramazan, Imam Buhariu gjithashtu e citoi të njëjtin Hadith tek 'Libri i namazit të teravive', por, Allahu e di më së miri. Imam Muslimi (Rahimehullah) gjithashtu e ka vendosur Hadithin e Aishes vetëm tek seksioni i Namazit të Tehexhudit (shih Sahih Muslim 1/1607, fq. 356, botimi anglisht). Poashtu, Imam Maliku (Rahimehullah) e ka vendosur Hadithin e Aishes tek libri i Tehexhudit (Shih El-Muweta, Libri 7, seksioni 7.2, nr. 9, fq. 5, botimi Anglisht). Imam Ebu Davudi (Rahimehullah) poashtu e ka vendosur Hadithin e njëjtë në kapitullin 'Mbi numrin e Rekateve të namazit të natës (Tehexhud)' (shih Ebu Davudi 1/1336, fq. 351, versioni Anglisht). Edhe Imamët Tirmidhi`u dhe Nisai`u (Rahimehullah) e vendosën Hadithin e Aishes tek seksioni i Tehexhudit (shih Tirmidhi, vëll. 1, fq. 58 dhe Nisai, vëll. 1, fq. 154). Madje, edhe njëri nga Imamët më të spikatur i "Selefijve", Ibn Kajim el-Xhevziju e ka vendosur Hadithin e sipërpërmendur në seksionin e Namazit të Tehexhudit në librin e tij Zaad el Me'ad (vell. 1, fq. 86)!

 

Muftiu Abdurrahim thotë rreth Hadithit të Aishes: "Dhe nëse kjo traditë është cekur në disa libra në (pjesën) e Namazeve të Ramazanit së bashku me Teravitë, kjo për shkak se, sikurse Teravitë, ashtu edhe Tehexhudi, gjithashtu, është namaz (që falet) në ramazan, dhe për shkak të kësaj ndërlidhjeje mund të përmendet së bashku me teravitë (siç ka bërë Imam Buhariu). Prandaj, vetëm pse është përmendur në disa prej librave (të Hadithit), nuk mund të merret si argument kategorik (për 11 rekate). 'Kur paraqiten paqartësitë, argumenti është falsifikuar.' Veç kësaj, nuk duhet anashkaluar thënia e Hafizit të Hadithit Imam Kurtubiut (v. 671H/1273; Rahimehullah) lidhur me Hadithin (e Aishes r.a.), 'Shumë njerëz të dijes e konsiderojnë Hadithin e lartpërmendur si Mudterib.'" (Më gjerësisht për këtë: Imam Ajniu në Sherh Sahih el Buhari, vëll. 2, fq. 187).

 

Me pak fjalë, transmetimi i sipërpërmendur në asnjë mënyrë nuk është argument për tetë rekate të Teravisë. Ndërsa për dallim me këtë, sa i përket njëzetë rekateve është vendosur Konsensus në mes të Sahabëve (Ixhmaus-Sahaba) me miratimin e Hadithit të Ibni Abasit (rreth faljes së 20 Rekateve nga ana e Pejgamberit s.a.v.s.) dhe praktikisht shumica e Ulemave e kanë pranuar atë." (Fetava Rahimijeh vëll. 1, fq. 276-277).

 

Ndonëse Aisha r.a. ka thënë: "Ai nuk ka falur më shumë se 11 Rekate," ne po ashtu kemi transmetime se Pejgamberi s.a.v.s. ka falur më tepër se 11 Rekate! Argument për këtë është dhënë nga ajo në një tjetër që përfshinë Ebu Selame ibn AbdurRahmanin (Rahimehullah). Ebu Seleme e pyeti Aishen rreth Namazit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ajo tha, "Ai i ka falur 13 Rekate (në namazin e mbrëmjes). Ai fali 8 rekate dhe ai pastaj fali (3 rekate) Vitr dhe pastaj i ka falur dy rekate ulur (namaz nafile), dhe kur ai dëshironte të përkulej (Ruku) ai u ngrit (në këmbë) dhe pastaj u përkul, dhe pastaj ai i fali dy rekate në mes të Ezanit dhe Ikametit të namazit të lindjes së diellit (Fexhr)." (Shih Sahih Muslim 1/1603, fq. 357 dhe poashtu Sifah Salah en-Nebij nga Albani, shtojca 7, fq. 110). Pra, a nuk do të thotë kjo se 'Selefijt' duhet të falin 13 Rekate të Teravisë në Ramazan?

 

Tani, konstatimi i Albanit, “mënyra më e mirë është 11 rekate”  është vetëm mendimi i një grupi të vogël të ulemave. Në fakt janë më tepër se 50 mendime që thonë se mënyra më e mirë është 20 rekate sipas Pejgamberit s.a.v.s. dhe praktikës së Sahabëve të tij r.a.! Çka është më interesante, është se katër Imamët e mëdhenj Muxh’tehid, Imam Ebu Hanife, Imam Maliku, Imam Shafi`u dhe Imam Ahmed ibn Hanbeli (Rahimehullah) janë të pajtimit se namazi i teravive përbëhet prej njëzet rekateve. Thënia se Imam Maliku ka aprovuar tetë rekate duhet të verifikohet, pasi që sipas gjitha gjasave kjo i është atribuar atij për shkak se ai ka transmetuar Hadithin në El-Muwetanë e tij (shih Muweta, 6.2, nr. 4, fq. 48), i cili përdoret për të vërtetuar qëndrimin e tetë rekateve të Teravisë nga një grup i vogël i dijetarëve. Edhepse Imam Maliku (Rahimehullah) e ka cituar këtë Hadith në librin e tij, kjo nuk ka të bëjë me atë se cili ishte mendimi i tij dhe praktika e tij, sikundër kësaj Imam Malik beson se namazi i teravisë ka tridhjetë e gjashtë (36) rekate (dmth. 20 Rekate dhe 16 rekate ekstra namaz nafile, shih më vonë për qëndrimin zyrtar të Medh'hebit Maliki)! Poashtu Hadithi që duket se vërteton 11 rekate të Teravive (përfshirë tre rekate Vitr) në Muwetanë e Imam Malikut është shpjeguar nga shumë argumente tjera bindëse.

 

Ditëve të fundit, më ka rënë në dorë një broshurë me titullin, "A është Namazi i Teravive 20 Rekate?" (Publikuar nga Medrese Arabie Islamie, Azaadville, Afrika Jugore, autori i panjohur). Në këtë broshurë Hadithi i cituar nga Muweta e Imam Malikut (Rahimehullah), rreth 11 rekateve të Teravive (përfshirë tre rekate vitr) ishte analizuar shumë gjerësisht.

 

Hadithi aktual për të cilin bëhet fjalë është transmetuar nga Jahja ibn Jahja el-Lejthi, i cili e transmetoi nga mësuesi i tij Imam Maliku, i cili e transmeton nga Muhamed ibn Jusuf, i cili thotë se es-Saaib ibn Jezid thotë, "Omer ibn Hatabi r.a. urdhëroi Ubej ibn Ke'b dhe Temim ed-Dariun r.a. të vëzhgoj namazin e natës me njerëzit për 11 rekate. Kënduesi i Kur'anit ka recituar Mi'in (një grup i sureve të gjatësisë së mesme) derisa ne u mbështetëm për shkak të qëndrimit aq gjatë në falje. Dhe ne nuk u larguam deri në afrim të agimit (lindjes së diellit)." (Shih referencën e mësipërme në el-Muweta).

 

Në broshurën e sipërpërmendur (kapitulli 7, fq. 20), pas citimit të transmetimit të mësipërm, thuhet: "Nëse analizojmë zinxhirin (Senedin) e këtij Hadithi, vërejmë se Muhamed ibn Jusuf transmeton nga Saaib ibn Jezid. Muhamed (ibn Jusuf) ka 5 nxënës dhe transmetimi i secilit nxënës dallon nga tjetri (d.m.th. teksti i secilit Hadith është ndryshe nga secili nxënës). Pesë nxënësit janë:

  1. Imam Malik
  2. Jahja ibn Katan
  3. Abdul Aziz ibn Muhamed
  4. Ibn Is`hak, dhe
  5. AbdurRezak

 

Transmetimet e tyre janë si vijojnë:

  1. Imam Maliku thotë që Omeri urdhëroi Ubej ibn Ka'b dhe Tamim Dari për të falur 11 rekate. (Nuk përmendet se çfarë është praktikuar më pas, as nuk është përmendur Ramazani).
  2. Jahja ibn Katan thotë që Omeri i tuboi njerëzit me Ubej ibn Ka'b dhe Tamim Dari dhe të dy filluan të falin 11 Rekate. (Urdhëri i Hz. Omerit nuk përmendet, poashtu as Ramazani nuk është përmendur).
  3. Abdul Aziz (ibn Muhamed) thotë se ne falnim 11 rekate në kohën e Omerit. (As nuk përmendet urdhëri i Omerit, e as Ramazani).
  4. Ibn Is`hak thotë se ne falnim 13 rekate në ramazan në kohën e Omerit. (Nuk përmendet urdhëri i Omeri, dhe në vend të 11 përmendet 13).
  5. AbdurRezak thotë se Omeri dha urdhër për 21 rekate. (Në këtë transmetim janë përmendur 21 rekate në vend të 11).

 

Përveç transmetimit të Imam Malikut (Rahimehullah), 11 rekate nuk mund të nxirren nga transmetimet tjera. Për shkak të këtij dallimi, transmetuesi Ibn Is`hak dha preferencë për 13, ndërsa Ibn Abdel Berr el-Maliki preferoi 21 rekate (nga transmetimi i AbdurRezak). Për këtë arsye ky transmetim është Mudterib (Një hadith i cili është transmetuar në rrugë të ndryshme, ashtuqë përmbajta e secilit transmetues ndryshon, dhe nuk është e mundshme t'i jepet përparësi ndonjë transmetimi në veçanti) në lidhje me numrin e rekateve dhe si pasojë i papranueshëm.

 

Kjo sipër ishte analizë e transmetimit të Muhamed ibn Jusufit nga Saaib ibn Jezidi. Tani le ta ekzaminojmë transmetimin e Jezid ibn Hasifes nga Saaib ibn Jezidi, që përmendet në Sunan el- Kubra të Bejhekiut (vëll. 2, fq. 496): Ebu Zi'b transmeton nga Jezid ibn Hasifeh, i cili transmeton nga Saaib ibn Jezid që njerëzit falnin 20 rekate në muajin ramazan gjatë kohës së Omerit.

 

Imam Neveviu, Iraki dhe Sujutiu (që të tre ishin dijetarë të mëdhenjë të Hadithit) në mes tjerësh e kanë pranuar vërtetësinë e këtij Hadithi (shih Tuhfetul Ahjaar, fq. 192 dhe Irshadus Saari, fq. 74, (nga Imam el-Kastalani]).

 

Muhamed ibn Xhafer (një tjetër transmetues në zinxhir) e ka cituar këtë thënie nga Jezid ibn Hasifeh, ashtu siç e ka thënë Ebu Zi'b. Ky transmetim është përmendur në Marifatus Sunan nga Bejhekiu. Alameh Subki dhe Mullah Ali el-Kariu thonë në Sherh Minhaaxh dhe Sherh Muweta respektivisht që zinxhiri i transmetuesve të këtyre Haditheve janë të vërtetë. (Tuhfetul Ehwazi, vëll.2, fq 75).

 

Nga transmetimi i sipër mund të shohim se të dy nxënësit e Jezid ibn Hasife, unanimisht transetojnë faktin qendrimin se në kohën e Umerit r.a. praktika standarde ishte 20 rekate. Si kundër kësaj, 5 studentët e Muhamed ibn Jusuf e citojnë Saaib ibn Jezidin ndryshe (nga njëri tjetri).

 

Në kësi situata qasja më e drejtë do të ishte të mbështetemi në transmetimin e Jezid ibn Hasifeh. Sidoqoftë, Ehlul-Hadithi (emër tjetër i "Selefijve") padrejtësisht kanë hequr dorë nga ky transmetim dhe kanë pranuar transmetimin e dyshimtë të Muhamed ibn Jusufit, i cili ka versione të ndryshme. Kjo është kundër principeve të Hadithit."... Këtu përfundon citati.

 

 

Një tjetër hadith që përdoret nga protagonistët e tetë rekateve për Teravitë, është transmetuar nga Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Pejgamberi s.a.v.s. i udhëhoqi njerëzit në namaz gjatë Ramazanit me 8 rekate dhe Vitrin. Ne u mblodhëm në Xhami natën e ardhshme duke shpresuar që ai do të vinte përsëri. Ne mbetëm duke pritur deri në mëngjesin e ardhshëm (derisa ai doli). Pejgamberi s.a.v.s. tha, 'U frikova që Vitri do t'u bëhet detyrim për ju.'" (transmetuar nga Ibn Nasr el-Merwazi në Kijamul-Lejl, fq. 90, Tabaraniu dhe Ibn Hibani - shih më poshtë për Hadithin e vërtetë)

 

Hadithi i mësipërm është Analizuar nga Shejh AbdurRahim në "Fetawa"-në e tij (vëll. 1, fq. 278-9) me përfundimin se Hadithi është Daif. Shejhu thotë: "Gjëja e çuditshme me këtë Hadith është se zinxhiri i transmetuesve nuk është i besueshëm. Ju lutem kontrolloni thëniet e Imamëve të kësaj shkence (Hadithit) në lidhje me transmetuesit në këtë zinxhirë. Në këtë zinxhir njëri prej Transmetuesve është Ibn Hamid er-Razi, rreth të cilit mendimet e kritikëve të mëdhenj të Hadithit janë siç vijojnë:

 

  1. 'Ai është i dobët.' - Hafiz Dhehebiu (shih në Mizanul I'tidal, vëll.3, fq. 49-50)
  2. 'Ai transmeton shumë Hadithe të papranuara (munker).' - Ja'kub ibn Shejbeh
  3. 'Ai është i papërshtatshëm (i kritikueshëm).' - Imam Buhariu
  4. 'Ai është gënjeshtar.' - Ebu Zur'ah
  5. 'Unë dëshmoj se ai është një gënjeshtar.' - Is`hak Kausaj
  6. 'Ai transmeton Hadithe për gjithçka; Unë nuk kam parë njeri më të patrembur se ai ndaj Zotit.' - Seuleh Xhezrah
  7. 'Për Zotin! Ai është një gënjeshtar.' - Ibn Harash
  8. 'Ai nuk është i besueshëm.' - Imam Nisaiu

 

 

Tani, rreth transmetuesit të dytë, Ja'kub ibn Abdullah Esh'ari el-Kumi:-

  1. 'Ai nuk është i fortë.' - Darakutni (shih Mizanul I'tidal, vëll. 3, fq. 324).

 

Rreth transmetuesit të tretë, Isa ibn Xherijeh:-

  1. 'Ai ka pasur hadithe të papranuara (munker).' - Ibn Ma'in
  2. 'Hadithet e tij janë të refuzuara.' – Nisaiu
  3. 'Hadithet e tij janë të papranuara (metruk ).' – Nisaiu
  4. 'Hadithet e tij janë të refuzuar.' - Ebu Davudi
  5. 'Ai llogaritet në mesin e të dobtëve.' - (shih Mizanul-I'tidal, vëll. 2, fq. 311, nga Hafiz edh-Dhehebiu)."

Këtu përfundon citati.

 

Hafiz Ibn Haxher el-Askalani (Rahimehullah) ka rrëfyer për një transmetim të ngjashëm me Hadithin e mësipërm në Bulug el-Merem min Adillat el-Aham (nr. 396, fq. 159) e tij, nën autoritetin e Hafiz Ibn Hibanit (Rahimehullah): "Transmeton Xhabir ibn Abdullahu r.a.: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. u fal gjatë natës në Ramazan; njerëzit pritën për të ditën tjetër (të nesërmen), por ai nuk doli; dhe ai tha, 'U frikova se mos do t'u urdhërohet (bëhet obligim) vitri për ju.'" Shihni se transmetimi i mësipërm as nuk përmend numrin se sa rekate janë falur nga Pejgamberi s.a.v.s.!! Dy Hadithet e mësipërme nuk mund të përdoren si provë në vete për të justifikuar 8 rekateve të Teravive.

 

Imam Maliku (Rahimehullah) në fakt ka përmendur një Hadith i cili provon zbatimin e 20 rekateve të teravisë në Ramazan; dhe është si vijon:-

Jahja më rrëfeu nga Maliku se Jezid ibn Ruman tha, "Njerëzit e kalonin natën në namaz gjatë Ramazanit me nga 23 rekate (d.m.th 20 rekate të Teravisë, të përcjellur me 3 rekate Vitr) në kohën e Omer ibn Hatabit." (gjerësisht: el-Muveta, 6.2, Nr. 5, fq. 48, botimi anglisht)

 

Edhepse Hadithi i sipërm është Munketi (një lidhje mungon në zinxhir) dhe kështuqë është shpallur Daif nga disa dijetarë (duke përfshirë Albanin), asnjëherë nuk është  përdorur si argument. Përveç kësaj, Hadithit i është dhënë një sened (zinxhir) i plotë edhe nga Imam Ibn Abdel Berr el-Maliki (v. 463/1071; Rahimehullah) edhe Shejh Muhamed Habibullah ibn Mejebi esh-Shenkiti (Rahimehullah), në kërkimet e tyre të  detajuara për të kompletuar të gjithë zinxhirët e transmetuesve (senedet) që kanë zinxhirë të papërfunduar; siç janë gjetur në Muweta të Imam Malikut!

 

Në fakt botimi i fundit i versionit Anglisht të el-Muweta (përkthyer nga A. A. et-Terxhumana dhe Jakub Xhonson) thotë (fq. 34): "Ibn Haxher el-Askalani thotë, 'Libri i Malikut është i vërtetë (i sigurt) sipas të gjitha kritereve që kërkohen si provë për mursel, munketi (dy lloje të hadithit që kanë shkëptuje të një transmetuesi) dhe lloje tjera të transmetimeve.' Pastaj es-Sujutiu vazhdon atë që Ibn Haxher e ka thënë këtu, dhe thotë, 'Hadithet Mursel në të janë provë për të (d.t.th. Shafi'un) siç edhe janë provë Hadithet Mursel për ne kur janë të mbështetur plotësisht. Ç'do (Hadith) Mursel në Muweta ka një ose më tepër përkrahje siç do të sqarohet në këtë komentim (d.t.th. Komentimin e Sujutiut të quajtur Tenwir el-Hawalik). Është plotësisht e sigurt të thuhet që Muweta është e sigurt pa kundërshtim.'

 

Ibn Abdel-Berr mblodhi së bashku të gjitha Hadithet mursel, munketi dhe mu'addil në Muweta dhe tha se numri total i Haditheve që nuk kanë sened në Muweta është gjashtëdhjetë e një (61). Ai pohon se ka gjetur senede për të gjithë ato Hadithe në burime tjera, përpos katër prej tyre. Dijetari i madh i Hadithit, Shejh Muhamed Habibullah ibn Mejabi esh-Shenkiti thotë në Ida'a el-Halik që ai ka gjetur dëshmitarë për këto katër Hadithe dhe pastaj i përmendi këta dëshmitar. Ai tha, 'Disa nga njerëzit e dijes i kompletuan këto senede.' Ai përmendi nga Ibn Abdel-Berri që nuk kishte hadith munker në Muweta, apo ndonjë të Hadith tjetër të refuzuar."

 

Në dritën e asaj që Dijetarët erudit të Hadithit kanë thënë sipër, ne mund të konkludojmë që Hadithi 'munketi' nga Jezid ibn Ruman ka një sened komplet; kështuqë mund të përdoret si provë (Argument), pasiqë Imam Ibn Abdel-Berr thotë që, "Asnjë Hadith munker apo ndonjë tjetër në Muweta nuk është i refuzuar krejtësisht." Prandaj, shumë dijetarë të Hadithit dhe Fikhut e kanë përdorur Hadithin e mësipërm si provë në favor të 20 rekateve për Namazin e Teravive.

 

Për thënien "Në fakt ai urdhëroi Ubej ibn Ke'b që t'i udhëheq njerëzit me 11 rekate", marrë nga fletushka "Përgjigje për disa pyetje të zakonshme", unë them se kjo është gjysma e së vërtetës, pasiqë është theksuar qartë në al-Muweta që : "Omer ibn Hatabi urdhëroi Ubej ibn Ke'b DHE Tamim ed-Dariun ....(shih Muweta, 6.2, nr. 4, fq. 48)!!

 

Albani ka thënë që nëse ndonjëri fal më tepër se 11 rekate Teravi, atëherë ai praktikisht është duke kryer një Bidat (një inovacion, risi shumë të urryer)! Kërkojmë mbrojte nga Allahu për një thënieje kaq të neveritshme! Pasiqë kjo thënie është gjithëpërfshirëse do të thotë që Imamët më të mëdhenj të grupit të shpëtuar (el-Firkat en-Nexhijeh) i Ehlu Sunetit dhe Xhematit kanë qenë duke kryer një bidat të madh (Allahu na ruajt). Nga kjo që ka thënë Albani le të kuptohet se Sahabët e nderuar (Allahu qoftë i kënaqur me ta), katër Imamët Muxh’tehid (Allahu i mëshiroftë), si dhe dijetarët më të shquar të Hadithit dhe Fikhut të 1400 viteve të fundit kanë 'inovuar' (shpikur bidat) praktikën e 20 rekateve të Teravive! Ç'farë kuptimi tjetër mund të nxirrni nga "Medh'hebi i Albanit" kur ‘shejh’ Albani thotë: “Për sa i përket çfarëdo shtese, kjo është e PAPRANUAR dhe është e deklaruar BIDAT”.

 

Unë ju pyes juve, a janë të ashtuquajturit "Selefij" në rrugën e drejtë dhe origjinale të Selef-us-Salihinëve (Paraardhësit tonë Besimtarë të tri gjeneratave të para të Islamit), kur këta deklarojnë se praktika e 20 rekateve bidat, edhepse është transmetuar se Selefët kanë praktikuar 20 rekate?

Hadithi i vërtetë i cili tregon se Pejgamberi s.a.v.s ka falur 20 rekate të teravisë është transmetuar nga Ibn Abasi r.a.. Ai thotë, "Me të vërtetë Pejgamberi s.a.v.s në muajin e Ramazanit, i falte 20 rekate dhe Vitrin (pas saj) pa xhemat." (Transmetuar në Sunen el-Bejheki, vëll.2, fq. 496, Musenef Ibn Ebi Shejbeh, Kebiri i Imam Tabaraniut, Ibn Aadi në Musnedin e tij, dhe Imam Beghawi në Mexhmue-es-Sahabah)

 

Edhepse disa dijetarë e kanë shpallur këtë Hadith Daif si i vetëm, kjo nuk do të thotë se ai duhet të refuzohet tërësisht, pasiqë Daif (i dobët) nuk do të thotë Mew`du (i shpikur). Shih pjesën tjetër në lidhje me Hadithet e dobëta, dhe kur ato janë të pranueshme nga Dijetarët, për elaborim të mëtejshëm. Hadithi i transmetuar nga Ibni Abasi r.a. është i mbështetur nga shumë transmetime të tjera që vijnë nga Sahabë të mëdhenj si Osmani, Aliu, Ibn Mes’udi... (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë këta), si dhe pasardhësit e tyre (Tabi'inët). Pos kësaj, disa dijetarë të Hadithit i kanë shpallur disa Hadithe të dobëta si Sahih, nëse kanë bazë të sigurt. Në librin "Kriticizmi i Hadithit në mesin e Muslimanëve duke iu referuar Sunenit të Ibni Maxhes," (fq. 131, nga njëri prej sheihëve kryesorë të "Selefijve" në Britani, Suhaib Hasan) thuhet: "Shafi'u poashtu i pranonte hadithet e dobëta si autentike (sahih) nëse e ka parë se një (praktikë) e tillë është pranuar nga i gjithë umeti (shih el-Sahawi: Fet`h el-Mugith). Por ai nuk pranon pikëpamjen e Malikut për kufizimin e zbatimit vetëm tek njerëzit e Medinës. Sipas dijetarëve të mëvonshëm të shkollës Hanefite si Ibn el-Humam, një Hadith do të deklarohet Sahih, nëse është i mbështetur në praktikën e Umetit (shih Abdel-Rashid Nu'mani: Me temusu ilaihe el-Hexha, fq. 18). Në mesin e tradicionalistëve, Tirmidhiu shpesh thekson, pasi citon ndonjë hadith më pak autentik: 'Është praktikuar nga njerëzit e dijes (Ehlul-Ilmi).' Sujuti vjen në përfundim: 'Kjo tregon që Hadithi është i përkrahur nga thëniet e njerëzve të dijës. Më tepër se një dijetarë pranon se një Hadith deklarohet Sahih nëse gjen mbështetje nga thëniet e njerëzve të dijes, edhe nëse nuk posedon një sened (zinxhirë) të plotë të transmetuesve (Shih Sujutiu: et-Ta'akubat, folio 20)."

 

Siç u konstatua më sipër, dijetari i madh hulumtues (Muhakkik) Hafiz Kemal ibn el-Humam (v. 861/1457; Rahimehullah) ka thënë: "Njëri prej faktorëve prej të cilit dihet vërtetësia e Hadithit është atëherë kur Ulemaja pajtohen me të, e kjo është një dëshmi që ai Hadith është i fortë" (gjerësisht: Fet`h el-Kadir, vëll. 3, fq. 349).

 

Ka shumë thënie prej dijetarëve që e miratojnë unanimisht 20 rekate të Namazit të Teravive, por do të mjaftohemi me citimin e vetëm disa prej Dijetarëve më të mëdhenjë të Ehlu Sunetit, si dhe Imamit të "Selefijve" (atëherë kur u përshtatet tekeve dhe dëshirave të tyre), Ahmed ibni Tejmijes.

 

(1) Shejhul Islam Ahmed ibn Haxher el-Askalani (v. 852/1449; R.A.)

 

Hafizi i Hadithit, Ibn Haxher Askalani ka transmetuar nga Imam Rafi'u (Allahu e mëshiroftë): "Për dy net Pejgamberi s.a.v.s. na udhëhoqi me 20 rekate secilën natë; Natën e tretë njerëzit u mblodhën por pejgamberi s.a.v.s. nuk doli. Pastaj në mëngjesin tjetër (kur njerëzit e pyeten se pse nuk doli), ai u tha njerëzve, 'Mu duk sikur (kisha frikë se) do t'u bëhet obligim për ju, dhe ju s'do të mund të liroheni nga ky obligim.'" Pasi e transmetoi këtë traditë/veprim, Hafiz Ibni Haxher thotë: "Të gjithë tradicionalistët (Muhadithinët) janë Unanim për saktësinë e këtij transmetimi." (Shih Telhis el-habir fi tehri ahadith er-Rafi'i el-Kebir, vëll. 1, fq. 119, nga Hafiz ibn Haxher).

 

(2) Imam Adham Ebu Hanife (v. 150 H; Rahimehullah)

 

Në Fejd ul-Beri Sherh Sahih el-Buhari (nga Shejh Enver Shah Kashmiri) thuhet: "Imam Ebu Jusuf (Rahimehullah) e pyeti Imam Ebu Hanifen (Rahimehullah), 'A kishte Hazret Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të)  ndonjë argument nga Pejgamberi s.a.v.s. për 20 rekate të Teravisë?' Imami iu përgjigj, 'Hazreti Omeri nuk është nga ata që shpikin nga vetja e tyre; sigurisht që ai ka pasur argumente për këtë!'" (poashtu gjendet në Meraki ul-Felah, fq. 81, nga Imam esh-Shurunbulali dhe në Behrur-Ra'ik, vëll.2, fq. 66, nga Imam ibn Nuxheim el-Misri).

 

(3) Imam Tirmidhiu (v. 279/892; Rahimehullah)

 

Imam Tirmidhiu thotë: "Omeri, Aliu si dhe Sahabët e tjerë (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata) dhe Sufjan el-Theuri, Ibni el-Mubareku dhe Imam Shafi'u (Mëshira e Allahut qoftë me ta), të gjithë besuan në 20 rekate të teravive, dhe Imam Shafi'u pohon se ai i ka parë njerëzit e mekës duke thënë 20 rekate (shih Sunen et-Tirmidhi, vëll.1, fq. 99).

 

(4) Imam Malik ibn Enes (v. 179H; Rahimehullah)

 

Është e shkruar librin më autentik të Fikhut Maliki, el-Mudewena (vëll. 1, fq. 193-94), nga Kadij Sehnuni (Rahimehullah): "Ibn el-Kasimi thotë, 'Rekatet e (Teravisë) së bashku me vitrin janë 39.' Imam Maliku thotë, 'Kjo është ajo rreth të cilës njerëzit janë pajtur, prej paraardhësve, dhe nuk janë ndalur së vepruari.'" (Për shpjegimin pse janë 36 rekate shih më poshtë citatin nga Alameh Enver Shah Kashmiri).

 

(5) Hafiz Ibn Humam (v. 861/1457; Rahimehullah)

 

Alameh Ibn Humam  pohon që është transmetuar nga njerëz të besueshëm se Sahabët dhe pasardhësit e tyre (Tabi’inët) falnin 20 rekate të teravisë gjatë kohës së bekuar të Omerit r.a.; ky transmetim vjen nga Sa'ib ibn Jezid se, 'gjatë kohës së bekuar të (sundimit) të Omerit r.a. ne falnim njëzet rekate.' Vërtetësia e këtij transmetimi është verifikuar nga Imam Neveviu në Përmbledhjen (shih Fet`h el-Kedir, vëll. 1, fq. 407 dhe Nesbur-Rejah, vëll.1, fq. 294, nga Hafiz el-Zejlai). Hafiz Ibn Humam poashtu thotë në Fet`h el-Kedir (vëll.1, fq. 470): "Në fund është arritur unanimitet (konsensus) për 20 rekate dhe vetëm kjo është në zbatim." Ky pohim i fundit është thënë me fjalë të ngjashme nga Ibn Tejmije në Minhexhus Suneh-in e tij (vëll.2, fq. 224).

 

(6) Imam Ata ibn Ebi Rebah (Rahimehullah)

 

Pasuesit e mëdhenj (Tabi'inët) dhe Muftiu i mekës në kohën e tij thotë: "Unë i kam parë Sahabët, dhe njerëzit e tjerë në Meke duke falur 23 rekate, së bashku me vitrin." Ky transmetim është Hasen (i mirë). (shih Musenef Ibn Ebi Shejbeh, fq. 406, Fet`h el-Beri, vëll.4, fq. 219, nga Hafiz Ibn Haxher el-Askalani, Kijamul-Lejl, fq. 91, nga Imam Ibn Nasr el-Merwazi).

 

 

(7) Imam Muwefak ed-Din Ibn Kudame el-Makdisi (v. 620/1223; R.A)

 

Imami i Hanbelinjëve në kohën e tij Ibn Kudame el-Makdisi, thotë në librin e tij el-Mughni (vëll.1, fq 803): "Është vendosur konsensusi i Sahabëve (Ixhma es-Sahaba) për 20 rekate të Teravive."

 

(8) Alameh Enver Shah Kashmiri (v. 1352H; Rahimehullah)

 

Është thënë në lekturën e tij të publikuar, Tirmidhi el-ma'ruf ba-Arfa'sh-Shazi (vëll.1 fq. 329) :"Asnjëri prej katër Imamëve nuk beson në më pak se 20 rekate të Teravisë; kjo gjithashtu ishte praktika dhe mendimi i shumicës së Sahabëve. Imam Malik (Rahimehullah) mendon se ishin më tepër se 20 rekate; ai pohon se janë 36 rekate. Sipas imam Malikut praktika e 20 rekateve bëhet në Xhemat, por praktika e dhe mënyra e qytetarëve të Medines ishte që gjatë intervalit të pushimit të shkurtër (pas çdo katër rekateve), kur Imami ulej pas katër rekateve, ata falnin edhe 4 rekate tjera. Ata të cilët e falnin Teravinë në Xhaminë e shenjtë të Mekës, bënin Tavaf rreth qabes gjatë këtij pushimi të shkurtër. Njerëzit e Medinës, normalisht, nuk munden të kryenin tavafin rreth Qabesë dhe kështuqë, në vend të kësaj, ata falnin 16 rekate tjera (gjithsejtë) gjatë këtyre ndërprerjeve të shkurtra."

 

(9) Imam Ajniu (v. 855/1451; Rahimehullah)

 

Alameh Ajniu shkruan në komentimin e tij të Sahihut të Buhariut (Sherh el-Buhari): "Numri i rekateve të Teravisë është njëzet. Imam Shafi'u dhe Imam Ahmedi (Mëshira e Allahut qoftë mbi ta) pohon të njejtë gjë. Argumenti i tyre është transmetimi i të cilin Bejhekiu, me besueshmëri të plotë, e transmeton nga Sa'ib ibn Jezid. Sahabët e mëdhenj, përfshirë Omerin, Osmanin dhe Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me ta), dhe poashtu pasardhësit e nderuar (Tabi’inët), falnin njëzet rekate." Pastaj ai thotë: "Mënyra më e shkëlqyer dhe më e preferuara është ajo e Pejgamberit s.a.v.s. dhe (praktika) e Sahabëve të tij." (Umdet ul-Karij Sherh-el-Buhari, vëll. 7, fq. 178).

 

(10) Hafiz Taqi-ad-Din Ahmed Ibn Tejmije el-Hanbeli (v. 728/1328)

 

Ai thotë në Fetawa Ibn Tejmijeh (vëll.1, fq. 191): "Është vërtetuar pa ndonjë dyshim se Ubej ibn Ke'b (Allahu qoftë i kënaqur me të) i kishte udhëhequr Sahabët gjatë Ramazanit me 20 rekate (teravi) dhe 3 rekate Vitr. Prandaj, ky është parimi (maslak) i shumicës së Ulemave se kjo është nga Suneti, sepse Ubej ibn Ke'b i udhëhoqi me 20 rekate namaz në prezencën e Muhaxhirëve (emigrantëve) dhe Ensarëve dhe asnjë Sahabi nuk kundërshtoi këtë!"

 

Kështuqë, ju lutem pyeteni veten: "Kush janë 'Selefijt'; a janë këta njerëz që praktikojnë rrugën e Pejgamberit s.a.v.s., Koncensusin (Ixhmanë) e Sahabëve të tij r.a., dhe pasuesve të tyre (Tabi`inët dhe katër Imamët Muxh'tehid, Allahu i mëshiroftë) për 20 rekate, apo janë qejfet e Albanit dhe pasuesve të tij?"

 

Allahu i udhëzoftë!
Përktheu: Fatih Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme