Hixhreti, shkollë meditimi dhe rrugë praktike

Hyrje

Arritja e hixhretit çdo vit kalendarik zgjon emocionet tona, por edhe përgjegjësinë tonë për të ardhmen, zgjon kujtesën për të kaluarën por edhe detyrimet tona për të ardhmen. Ato evenimente janë të shumta, por të mësuar nga vetë Kur’ani, nga mënyra e shpalljes së tij, do t’i marrim vetëm disa segmente të rëndësishme, pa pretendim se i kemi theksuar më të rëndësishmet, sikurse është domethënia e vetë fjalës hixhret, që nuk e ka kuptimin e thjeshtë të largimit, të shpërnguljes nga një vend në tjetrin, por edhe tërë atë që e implikon kjo fjalë dhe ky veprim – hixhreti. Këtë bukur e thotë Muhammedi a.s.:
“Kurse muhaxhir është ai që e braktis çdo gjë që Allahu e ka ndaluar.”


Feja është vlera më e çmuar

Me fjalën hixhret kuptojmë, ndër të tjera, braktisjen e çdo gjëje që posedon me qëllim të shpëtimit të fesë dhe të ekzistencës fizike. Për shkak të bindjeve islame apo joislame shumë njerëz u detyruan t’i lënë edhe më të afërmit. Ata dhanë çdo gjë për fenë dhe por fenë nuk e dhanë për asnjë çmim. Shembull i mirë është ai i Suhejb Rrumiut, i cili në Mekë fitoi pasuri të madhe. Që t’i bashkohet grupit të bashkëmendimtarëve të tij, ai u detyrua ta lë tërë pasurinë e tij në Mekë, në duar të idhujtarëve, për ta realizuar synimin e tij. As’habët deklaruan se Suhejbi humbi, por në këtë reagoi Muhammedi a.s.: “Suhejbi ka fituar.”
 
 
Shembulli i liderit

Muslimanët filluan të shkojnë për Medinë herët, menjëherë pas takimit në Akabë, por Muhammedi a.s. këtë udhëtim e bëri ndër të fundit, atëherë kur mori vesh për komplotin që po i organizohej. Këtë vonesë e bëri sepse priste që ta organizojë mirë hixhretin, t’i sigurojë muslimanët nga rreziku i vrasjes dhe më në fund të vepronte.
Jomuslimanët vepruan kështu, në organizimin e komplotit, që t’i shmangen përgjegjësisë individuale kurse vrasjen e tyre eventuale ta shtrinin në të gjitha fiset armiqësore. Sipas tyre, synimi do të arrihej, me vrasjen e Muhammedit a.s. kurse hakmarrja nuk do të mund të bëhej, sepse do të ishte e pamundur të vriteshin të gjitha fiset.


Individët sakrifikohen për shumicën

Lufta shuhet me luftë, taktika përballet me taktikë. Kundërshtarët planifikuan komplot, por edhe Muhammedi a.s. planifikoi largim spektakular, duke e çarë rrethimin pa u vërejtur nga kurejshitët që e rrethonin. Ai e la në shtratin e tij Aliun r.a., si mashtrim ndaj kundërshtarëve. Në mëngjes kundërshtarët depërtuan në brendi të shtëpisë, por Muhammedi a.s. atëkohë ishte larguar mjaft nga vendi i ngjarjes. Ky solidaritet Pejgamber-Alij u pagua, sepse shpëtoi i paprekur pejgamberi i muslimanëve – Muhammedi a.s., kurse dështuan planifikimet e errëta armiqësore.
Veprimet e mëdha e historike nuk bëhen nga individë të vetmuar. Për këtë arsye, Muhammedi a.s. në Mekë e angazhoi Aliun r.a., kurse gjatë rrugës Ebu Bekrin r.a. Në Medinë angazhoi shumë njerëz në të cilët ishte i sigurt se nuk do ta tradhtojnë atë dhe fenë islame dhe se do ta ndajnë ndërmjet tyre të mirën dhe të keqen. Jeta i imponon disa veprime, sikurse është përzgjedhja e shokut të jetës, shokut të luftës, shokut të punës etj. Gjithnjë duhet pasur në kujdes kriterin e shëndosh dhe synimin e pastër.


Armiku nuk duhet t’i mësojë qëllimet tona

Muhammedi a.s. posa mori vesh se armiku planifikon vrasjen e tij ndërmori të gjithë hapat njerëzor për t’iu shmangur të keqes. Vendosja e Aliut r.a. në shtratin e tij, largimi i tij nga shtëpia pa u vërejtur, zhdukja e gjurmëve gjatë rrugës për në Medinë, që armiku mos ta kuptojë drejtimin e tyre janë veprime të duhura. Muslimanët asnjëherë nuk duhet t’i zbulojnë qëllimet para armiqve, sepse do të jetë përparësi e tyre për mbrojtje nga ata.
Për arritjen e planeve nuk zgjidhet rruga vetëm nëpërmjet muslimanëve, por edhe me të tjerë. Për shembull, Muhammedi a.s. e zgjodhi për udhëheqës rruge për në Medinë një idhujtar nga Mekja. Kjo na mëson se profesionaliteti duhet të respektohet në raste të caktuara, kundrejt përcaktimit ideologjik.


Edhe imtësitë kanë vendin meritor në mozaikun islam

Fshirja e gjurmëve të rrugës nëpër shkretëtirë me anë të kopesë së dhenve, rrjeti i merimangës në hyrje të shpellës Thewr dhe veprime të tjera, janë vetëm disa ndërmarrje që duhet të merren para armikut. Ato janë të vogla, por kryejnë punë të mëdha. Njeriu duhet të bëjë kujdes për të gjitha veprimet, qofshin edhe të vogla, sepse edhe ato ndihmojnë në të mirën e Islamit por edhe në të mirën personale. Shembulli i sipërm është shumë i mirë dhe në pajtim me ajetin kur’anor: “Por edhe kush bën keq, qoftë sa grima, do ta shohë.” (El-Zelzeleh, 8).


Xhamia, strumbullari i gjithëmbarshëm

Ende pa arritur në Medinë, Muhammedi a.s. u ndal të pushojë në vendin Kuba. Aty e filloi ndërtimin e xhamisë së parë në Islam. Ndërtimi i xhamisë flet mjaft për synimet e Muhammedit a.s. Xhamia do të jetë strumbullari i jetës dhe i veprimtarisë së të gjithë muslimanëve. Nga xhamia do të organizohet jeta e brendshme dhe e jashtme, paqja dhe lufta, solidariteti dhe mësimi; çdo gjë në interes të muslimanëve.
Qyteti i Medinës i vëllazëroi muslimanët. Ata ndanë pasurinë, ata ndanë problemet, ata ndanë fitimet. Çdo gjë e bazuar në parimin e vëllazërisë fetare, madje për një kohë të shkurtër edhe trashëgimia bëhej në këtë parim. Medina është bërthama e ummetit musliman, që sot shtrihet në një çerek të botës në përgjithësi


Raportet ndërmjet muslimanëve dhe të tjerëve

Ardhja e muslimanëve në Medinë dhe vendosja e tyre aty hapi shtigje të reja në pikëpamje të marrëdhënieve ndërfetare dhe ndërnacionale. Aty nuk kishte vetëm muslimanë, por edhe idhujtarë, hebraikë dhe kristianë. Duke e analizuar këtë gjendje, shumë shpejt Muhammedi a.s. hartoi Kartën e Medinës (Sahifa), në të cilin dokument rregulloheshin të drejtat dhe detyrimet e të gjithëve, muslimanëve dhe jomuslimanëve. Kjo Kartë është kushtetuta e parë e aplikueshme në botë. Ajo i rregulloi për mrekulli raportet besimore, politike, ekonomike e të tjera në qytet-shtetin e Medinës.


Përfundim

Shumica e muslimanëve hixhretin e kanë bërë në emër të Allahut, pa ngatërruar emocionet dhe interesat botërore me interesin e besimit. Ata sakrifikuan çdo gjë, bile edhe jetën pa kurrfarë kundërvlere. Por, një numër më i vogël besimtarësh kanë ngatërruar prioritetet e interesave. Disa mendonin se do të fitojnë më tepër, disa se do të martohen, disa se do të fitojnë pozita e kështu me radhë. Por, përgjigjja më e mirë erdhi nga vetë Muhammedi a.s.:
إنـما الأعـمـال بالنيات وإنـمـا لكـل امـرئ ما نـوى . فمن كـانت هجرته إلى الله ورسولـه فهجرتـه إلى الله ورسـوله ومن كانت هجرته لـدنيا يصـيبها أو امرأة ينكحها فهجرته إلى ما هاجر إليه .
“Veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që e ka për qëllim. Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për shkak të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush shpërngulet të fitojë disa të mira të kësaj bote ose të martohet me ndonjë femër shpërngulja e tij vlerësohet për atë që është shpërngulur.” (Muttefekun alejh).
Këto janë disa shkëndija, të vlefshme, në rrugëtimin tonë botëror drejt xhenetit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme