99 Vlora e 1 Preshevë

Është vjeshta e tretë e vitit 2011. Rrafsh para 99 viteve shqiptarët turreshin në jug që ta shpallin shtetin e tyre, ndërsa serbët u viheshin pas që të marrin sa më shumë tokë shqiptare. Më në fund Ismail Qemali ndaloi në Vlorë dhe ngutas e shpalli “Shqipërinë shtet të lirë e të mosvarme”. Vijuan pastaj luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, që e nxorën shqiptarinë të ndarë si mozotmëkeq. 99 vite më vonë. Këto ditë shqiptarët po përgatiten ta festojnë 99-vjetorin e shtetit shqiptar. Vetëm ta përsërisësh fjalën e njëjtë, në këtë rast 99 herë “bashkim”, ky është një cikël tespihu për të plotësuar një adhurim. Shqiptarët ka 99 vite që e përsërisin urimin për “Shqipërinë e pavarur”, por po aq vite i përsërisin edhe dhimbjet që i lanë tokat shqiptare të copëtuara. Optimistët, që në gotën përgjysmë me ujë e shohin pjesën e mbushur, do të kishin thënë se pas këtyre 99 viteve ne kemi një shtet më shumë – Kosovën, ndërsa pesimistët – që e shohin gotën gjysmë të zbrazët – do të thoshin se edhe sot e kemi Preshevën matanë, e kemi veriun e Kosovës gati për ta humbur, i kemi shqiptarët e Maqedonisë që as për 99 vite nuk arritën të ngrenë si duhet një muze të alfabetit të shqipes në Manastir dhe Çamërinë e cila edhe më tej mbetet varrë e gjallë shqiptare.

Duke mos dashur të ngazëllehemi me arritjet tona, se tamam puna pas kaq viteve të mos i kishim bërë as këto, e vërteta e kësaj vjeshte të tretë të motit 2011 është se, derisa shqiptarët po përgatiten “ta kallin” krejt në kuq e zi botën e tyre, vëllezërit tanë të Luginës së Preshevës akoma nuk e dinë se në cilin pazar janë: dikush nuk i bën hesap fare, si Serbia, dikush dëshiron t’i këmbejë, si disa politikanë kosovarë, ndërsa ndërkombëtarët bëjnë se nuk e shohin se ky rajon, i militarizuar krejt nga forcat serbe, ngadalë po zbrazet prej shqiptarëve, për t’u lënë vend kolonëve serbë, të cilët në heshtje duan të thonë, ashtu si për Mitrovicën sot, se ajo denbabaden ka qenë tokë serbe. Prandaj, në këtë përvjetor të 99-të, këto ditë kur krejt fishekzjarrët janë drejtuar nga qielli, kur të gjithë, si në vakt të Ismail Qemalit, janë drejtuar drejt Vlorës, Shenja e këtij numri është drejtuar drejt Preshevës. Po i kremtojmë 99 Vlora, por të mos harrojmë se e kemi edhe 1 Preshevë. “Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani e mjerë mileti!” Qoftë me fat Dita e Flamurit, e festofshim të 100-tën më mirë se të 99-tën. E meqë kjo Shenjë është një përmbyllje e vitit 2011, të urojmë që 2012-ta, përkundër parashikimeve për fundin e botës, të jetë fundi i 1 Presheve të dhimbshme dhe lumturia e 100 Vlorave. Urime për mot e jetë!

 

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme