SHQIPTARËT NË AFRIKËN VERIORE

Perandoria Osmane lindi nga një fis (bajrak) i vogël turk në Anadollin Veriperëndimore dhe u rrit e u zhvillua me kontributet e shumë popujve (kombeve) etnike të Azisë së Vogël, Ballkanit, Kaukazit, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Dihet mirëfilli se pjesë e kësaj Perandorie ka qenë edhe populli shqiptar, shumë pjesëtarë të të cilit, gjatë pesë shekujve të perandorisë, derdhen gjakun dhe djersën e tyre në të katër anët e perandorisë. Shumë nga bijtë e Shqipërisë u inkuadruan në Perandorinë Osmane dhe ata, falë vitalitetit, aftësive, burrërisë dhe trimërisë, arritën të bëheshin figura të shquara e personalitete të mëdha në strukturat e perandorisë. Si dhe pse u ngritën shqiptarët në qarqet më të larta të hierarkisë së Perandorisë Osmane, ka qenë dhe mbetet objekt i analizave e studimeve të veçanta, por ky nuk është qëllimi ynë në këto rreshta. Qëllimi ynë është që t’i paraqesim disa të dhëna për kontributin e disa personaliteteve shqiptare dhënë në Afrikën Veriore në kohën kur kjo pjesë e botës qeverisej nga Perandoria Osmane. Tashmë është vërtetuar katërçipërisht se shqiptarët kanë kontribuar më shumë se gjithë popujt e tjerë për themelimin, zhvillimin, administrimin dhe mbrojtjen e Perandorisë Osmane. Kufomat e shqiptarëve të rënë në Bagdad e Jemen (Arabistan), Sudan e Tripoli (Afrikë), Tebriz (Kaukaz) dhe në dhjetëra vise të tjera aziatike, pushojnë bashkërisht, krah për krah, në varre monumentale të përjetshme. Situata politike në Afrikën Veriore para çlirimit osman përshkohej nga luftëra dhe ndryshime ndërmjet fisesh e shtetesh, duke filluar nga Halifati Fatimij në Marok e deri tek memalukët turq, berberët, spanjollët etj. Vendi i parë që çliroi Perandoria Osmane në Afrikën Veriore, ishte Algjeria (1516), pastaj Libia (1516), Egjipti (1517) etj. Një rol vendimtar për çlirimin e këtyre vendeve nga osmanët kanë luajtur vëllezërit me prejardhje shqiptare: – Hajredin, Uruxh, Iljas dhe Isak Barbarosa. 

 

Vëllëzërit Barbarosa


1. Hajredin e Uruç Barbarosa

 

Hajredini ishte djali i spahiut Jakub, i cili pas pushtimit të Midillisë, qe vendosur aty nga Ferixheja e Vardarit. Hajredini mendohet të ketë lindur në vitin 1478. Edhe pse quhej Hazer, ai u bë i njohur me emrat: Hajredin dhe Barbarosa, për shkak të ngjyrës së mjekrës (ngjyrë karote). Edhe vëllai i Hajredinit, Uruçi, nga perëndimorët është quajtur Barbarosa, e më pastaj edhe Hajredini është quajtur me këtë emër, kurse emrin Hajredin ia kishte vënë sulltan Selimi. Hajredini kishte qenë një tregtar që bënte tregti në Midilli, Selanik dhe Egribaz. Mirëpo, pas shpëtimit të Uruçit nga ushtarët e Rodosit, këta dy vëllezër do të hynin nën mbrojtjen e Shehzade Karkutit. Shpërngulja e detyrueshme e myslimanëve nga Spanja për shkak të tiranive të spanjollëve, me qëllim që të merrnin perëndimin e detit Mesdhe, i kishte prishur marrëdhëniet e mëparshme me osmanët. Për këtë shkak, Uruçi dhe Hazeri ishin drejtuar nga pjesa perëndimore e detit Mesdhe kështu, që pas vitit 1504 ata filluan të paraqiteshin në brigjet e Afrikës Veriore. Dy vëllezërit kishin kërkuar një liman (port detar) të sigurt për arsyet e veta dhe bënë marrëveshje me Sulltanin e Tunizisë, Ebu Abdullah Muhamed b. Hasan (1495-1526) dhe më pastaj u vendosën në Kolkulvadi (La Galetta). Atëherë kur iu shtua numri i arsyeve, ata u zgjeruan deri në brigjet e Italisë. Pasi nuk ia dolën të merrnin Portin Baugie Bigjaje, vëllezërit Barbarosa në vitin 1503 pushtuan Djidjellin, i cili është mbi një siujdhesë. Banorët e këtij vendi Uruçin e shpallën sulltan. Kështu u vunë themelet e shtetit që do ta formonin vëllezërit Barbarosa në Afrikën Veriore. Në një kohë vëllezërit Barbarosa kthehen në Midillia për të hyrë nën mbrojtjen e sulltan Selimit dhe me anë të Muhidelinit i dërguan sulltanit një dhuratë në Stamboll në vitin 1515. Pasi vëllezërit Barbarosa hynë nën mbrojtjen e osmanlinjve, pas vdekjes së krishterit Ferdinand (1516), e shfrytëzuan këtë rast dhe shkuan të ndihmonin popullin e Algjerisë dhe të Celoresë, e cila ishte në perëndim. Uruçin e shpallën sulltan të Celoresë dhe Algjerisë. Në vitin 1517 ata morën edhe Teresin dhe Tiensenin. Por, banorët e Tiensenit bënë marrëveshje me spanjollët dhe e rikthyen Tiensenin në vitin 1518, kur në këtë luftë ra dëshmor Uruçi. Pas Uruçit do të vijë në fron i vëllai, Hajredini. Lufta në Nisë ishte e ashpër dhe e fundit për Barbarosën. Barbarosa më 5 korrik 1546, pas një sëmundjeje të shkurtër, vdiq dhe u varros në turbën pranë medresesë, të cilën e kishte ndërtuar në Beshiktash (Stamboll). Poetët e asaj kohe kanë thurur elegji historiografike për vdekjen e tij; në fund të njërës prej tyre thuhet: “Ka vdekur sunduesi i detit”. Në kohën e Hajredinit detaria ka arritur kulmin në shtetin osman. Sipas burimeve thuhet se Barbarosa ka qenë shtatmadh, biond. Flokët, mjekra, vetullat dhe qerpikët i kishte të dendur. Kohën më të madhe të jetës e kaloi nëpër det. Ai dinte gjuhët: italiane, arabe, spanjolle dhe franceze. E pëlqente edhe muzikën. Në shkrimin në xhaminë që ka ndërtuar në Algjeri në vitin 1520 (prill), shkruante:

 

“Es-Sultanul Mucahid mevlana Hajreddin

ibn el-Emir es-sehir el-mucahid

Ebi Yusuf Ya’kub et-Turki”.

“Sulltani i luftëtarëve, zotëria ynë

Hajredini, i biri i prijësit të qytetit luftëtar,

Ebu Jusu, Jakub Turkut”.


2. Për përkatësinë nacionale të vëllezërve Barbarosa

 

Filip Hiti dhe Hammeri, janë të mendimit se vëllezërit Barbarosa ishin me origjinë greke, i këtij mendimi është edhe Skënder Rizaj. Kurse Dr. Muhamed Mufaku, thotë: “Ata (vëllezërit Barbarosa-n.a,) zakonisht përmenden si “turq” ose si “grek”, por në realitet ata janë prej një ishulli në Greqi të banuar me shqiptarë. Pra, autorët që konsiderojnë se vëllezërit Barbarosa ishin grekë a turq, nuk e kanë të qartë se elementi shqiptar përbënte një bazë të konsiderueshme të ishujve të Greqisë, si dhe të Greqisë kontinentale”. Dy vëllezërit të tjerë të Hajredinit dhe Uruçit, ishin Iljasi dhe Isaku, të cilët së bashku dhanë një kontribut të madh në Afrikën Veriore.

 

Sinan Pasha (1520-1596)

 

U lind në Shqipëri (1520) kurse vdiq në Stamboll (1596). Ishte pesë herë kryevezir-sadriazem:

1. 1580-1582, dy vjet e dy muaj,

2. 1586-1591, dy vjet, tre muaj e njëzet e nëntë ditë,

3. 1593-1595, një vit, njëmbëdhjetë muaj e trembëdhjetë ditë,

4. 1595, katër muaj,

5. 1595-1596, katër muaj e dy ditë.

 

Në kohën e sulltan Sulejman Hanit doli nga oborri i sulltanit me gradën Çashnegir. Më vonë u emërua sanxhakbej në Tripoli, e pastaj vali në vilajetin e Egjiptit. Sinan Pasha ka lindur në fshatin Topajan të Lumës. Duke qenë në pozitë të sadriazemit, Sinan Pasha, më 1596, në moshën 90- vjeçare vdiq dhe u varros në turbën në lagjen Sedefçeler të Stambollit. Dhjetë herë ka qenë në pozita të larta shtetërore. Ndërtoi kalanë dhe xhaminë në Kaçanik. Si duket, la vakëfe edhe në Prizren. Ka gjasa të ketë qenë me origjinë nga Kosova. Ka ndërtuar medrese edhe në Jenishehir-Ajdin, në Malacara, në Stamboll etj..

 

Merre Hysein Pasha

 

U lind në Pejë dhe u vra në Stamboll (1624). Merre Hysein pasha ka qenë sadriazem dy herë: Një herë midis viteve 1622-1622 dhe herën tjetër gjatë vitit 1623. Njëmbëdhjetë muaj pas shkarkimit nga posti i sadriazemit, u vra në kohën e sundimit të sulltan Muratit IV, sepse autoriteti i tij i madh, siç njoftojnë burimet osmane, përbënte rrezik për shtetin. Më 1619 u bë vali i Egjiptit, më 1626, pas Daut Pashës, iu dha pëlqimi të bëhej sadriazem. Ishte i aftë për të kontribuar, por pas 24 ditësh në krye të ministrive (sadriazem), u largua, iku dhe u fsheh. Për personat që do të burgoseshin dhe do të dënoheshin, njerëzve të vet zakonisht në gjuhën shqipe u thoshin: “merre”, prandaj u bë i njohur me këtë ofiq. Për Merre Hysein Pashën e dimë saktësisht se ishte me origjinë nga Peja. Ka lënë shumë institucione dhe vakëfe. Në Pejë ngriti xhaminë e Merre Hysein Pashës, hamamin, ndërtuar më 1485, mejtepin, mullirin etj.

 

Tarhonxhiu Ahmet Pasha (1652-1653)

 

U lind në Shqipëri (1590). Para se të zgjidhej sadriazem, zuri poste të ndryshme të larta në administratën osmane. Në postin e sadriazemit ka qenë 9 muaj. Për herë të parë bëri buxhetin e shtetit osman dhe këtë shërbim e pagoi me kokë, – e varën në litar. Rridhte nga një familje matjane. Me ardhjen e tij në pushtet, gëzoi një autoritet të madh, kurse Hammeri për këtë njeri thotë: “Ishte njeri i fuqishëm dhe që nuk mund të mashtrohej, as me të holla dhe as me ryshfete të tjera”. Pasi qeverisi një kohë në Egjipt, pas largimit nga puna, u burgos nga ana e Abdurrahman pashës. Edhe kur erdhi në Stamboll, u nënçmua shumë nga sadriazemi kurd Mehmet pasha.

 

Ibrahim Pasha

 

Ky qëndroi në Egjipt gjatë viteve 1662-1663. Në kohën e qëndrimit të tij në Egjipt, memlukët pësuan edhe një goditje të fortë nga vrasja e udhëheqësit të tyre Ahmet beu Boshnjaku, për se ata u shpartalluan me kohë.

 

Meli Mansur-Hain Ahmet Pasha (1490-1524)

 

Me prejardhje kopshtari, ushtarak i zoti, për shkak se në Misir shpalli pavarësinë e vendit, u quajt “Hain” (tradhtar), punoi si sadriazem gjatë viteve 1523-1524.

 

Mehmet Pashë Dukagjini (?-1554)

 

Biri i Ahmet pashë Dukagjinit, ishte martuar me bijën e sulltan Selimit, shërbeu si vali i Misirit (Egjiptit – n.n.), vdiq në Stamboll.

 

Muhi Pasha

 

U bë bejlerbe i Tripolit më 1594. Ndonëse nuk qëndroi në krye të vilajetit më shumë se një vit, la gjurmë të thella në këtë vend. Në të vërtetë, me ardhjen e tij, u ndërpre plaçkitja e banorëve nga ana e jeniçerëve, për se edhe kadiu i Tripolit e informoi sulltanin për kënaqësinë e banorëve të vendit me drejtësinë e këtij shqiptari.

 

Bali Çaushi

 

Ishte nga Janina. U dallua për qëndrimin e tij të gjatë në krye të pushtetit. Bali Çaushi ishte i ashpër ndaj të krishterëve, sidomos ndaj grekëve. Ai shkatërroi një kishë të grekëve dhe ndaloi kultivimin e ritualeve jashtë shtëpive, kurse disa të dhëna të tjera thonë se ishte qeveritar i guximshëm e i drejtë dhe kishte kujdes të vazhdueshëm për ndjekjen e njerëzve që shkelnin ligjin.

 

Halil pashë Arnauti

 

Halil pasha arriti në Tripoli në prill të vitit 1673. Mirëpo, Bali Çaushi, si djalë i zgjedhur nga divani (këshilli i ushtarakëve), nuk ishte në gjendje të pajtohej me dëshirën e sulltanit që pushtetin në vend ta merrte përsëri bejlerbeu i ardhur nga Stambolli. Prandaj ai e priti mirë Halil pashën, por i kufizoi shumë lëvizjet e tij, sa pothuaj mbeti në burg shtëpiak.

 

Si përfundim

 

Nga sa u tha më lart, mund të përfundojmë se shqiptarët kanë luajtur një rol me rëndësi jo vetëm në pushtimin e trevave të Afrikës Veriore, por edhe në vendosjen e një administrate të qëndrueshme. Falë aftësive udhëheqëse të këtyre prijësve që u përmendën, kjo administrate do të vazhdonte deri atëherë kur këto vende të pushtoheshin nga Franca dhe Italia (1830).

____________________________________________

Literatura e konsultuar:


1. Joseph von Hammer, Historia turskog (osmanskog) carstva, I, II, III, Zagreb, 1976.

2. Filip Hiti, Histortija Arapa (Od najstarih vremena do danas), II izdanje, Sarajevë, 1973.

3. Stranford J. Shaw, Historia e Perandorisë Osmane dhe Turqisë Moderne, JSC, Tiranë,2006.

4. Skënder Rizaj, Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XVII, Prishtinë, 1982.

5. Halil Inallxhik, Perandoria Osmane (periudha klasike 1300-1600), Gjilan, 2002.

6. Dr. Muhamed Mufaku, Shqiptarët në botën arabe, Rilindja, Prishtinë, 1990.

7. Nexhip P.Alpan-Nesip Kaçi, Shqiptarë në Perandorinë Osmane, Tiranë, 1997.

8. Taha Mudevver, Andaluzia dhe perandoria osmane”, Shkup, 1999.

9. Sami Frashëri, Personalitetet shqiptare në Kamus Al-alam”, Shkup, 2002.

10. Dr. Hasan Kaleshi, Najstariji vakufskih dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Prishtinë, 1972.

11. Robert Martinar, “Historia e Perandorise Osmane”, Ditura, Tiranë, 2004.

12. Petrika Thëngjilli, “Historia e Perandorisë Osmane”, SHBLU, Tiranë, 1997.

13. Islam Ansiklopedisi, Turkiye Diyanet Vakfi, sil. 9, Istanbul, 1997.

14. Historia e popullit Shqiptar I,USHT-IHGJ-ETMMKSAK, Prishtinë, 1979.

15. Husamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik shqiptar”, Logos-A, Shkup, 1999.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme