Letër vëllait nga burgu i gjerë

Sot më mërziti burgu dhe më bëri ta marr pendën e të shkruaj një letër për ty. Nuk e di a do të arrij kjo letër deri në duart e tua apo do ta marrë era gjatë rrugëtimit saj të gjatë. Burgu im është shumë i gjerë dhe ka shumë të burgosur në të. Ka një gomar vazhdimisht këndon në derën e burgut dhe sa herë që mundohesh të thuash diçka ai e rrit tonacionin e zërit dhe ta pamundëson fjalimin. Ka një dhelpër në dritaren e burgut, vazhdimisht më vëzhgon kur unë flas me miqtë e mi. Ka edhe një mi brenda në dhomë, vazhdimisht na shqetëson duke kërkuar ushqim. Sa që ndodh ndonjëherë e humbim shumë kohë duke i kërkuar ushqim atij. Ka një krevat në skajin përballë derës së burgut dhe çdo kush që na vizton i bie në sy ai që është në atë krevat. Kështu që ne vazhdimisht luftojmë në mes vete e ndonjëherë edhe gjakosemi vetëm që të ulemi në atë krevat. Kështu të mbyllur në këtë burg të gjerë kemi harruar se ajo që është jashtë burgut është shumë më e gjerë se burgu. Duke na mërzitur gomari me zërin e tij, ne kemi harruar se përjashta ka shumë bilbila zëkëndshëm. Duke u frikësuar nga vëzhgimi i vazhdueshëm i dhelprës kemi harruar se luanët nuk frikësohen nga vëzhgimi i dhelprës. Por puna është se duhet të dalim nga ky burg që ta kuptojmë se jemi luanë. Duke kërkuar ushqim për miun harruam ushqimin tonë. Kështu kemi ndërtuar katër mure të gjerë dhe të lartë, jemi mbyllur brenda dhe nuk po e shohim se burgu nuk është burg e as që ka mure e dritare. Muret e tij të pathyera, dritaret e tij të hekurta dhe drynin e madh të derës së tij ne i kemi ndërtuar vetë. Vetë ne u mbyllëm në këtë burg dhe të paprekshmet (abstraktet) po na duken të ngurrta dhe po mundohemi që muret e këtij burgu, që janë vetëm në mendejn tonë e nuk ekzistojnë në të vërtetë, ne po mundohemi t’i rrëzojmë me forcë fizike. E si mund të rrëzohet me dorë ajo që nuk mund të preket me dorë, por ekziston vetëm në imagjinatën dhe mendjen tonë?!

 Kështu, vëllai im, të shkruajta në letrën e parë, ti ma ktheve letrën e më the se nuk ke kuptuar gjë dhe se nuk e ke ditur se jam në burg. E unë sot po ta kthej prap letrën dhe ngelem me shpresë se ti do ta kuptosh më se në një burg si ky burgu im je edhe ti bashkë me miqtë e tu.

 Vëllau im i dashur! Gëzohem që letra e parë të kishte arritur dhe shpresoj se edhe kjo e dyta do të arrijë në duart e tua.

 Burgu për të cilin të shkruajta në letrën e parë ishte burg i imagjinuar. Burg në të cilin njeriu mbyllet vetë pa e mbyllur askush. Ndërton muret e tij dhe ndihet i lumtur dhe krenar për atë që është i burgusour. E di se prapë do të thuash sikurse edhe në letrën që ma ktheve: “Asgjë nuk të kuptova, kur të paskan burgosur”. E unë do të tregoj tani për muret e burgut, gomarin te dera e tij, dhelprën në dritaren e tij dhe miun në dhomën e tij.

 Burgu, vëllau im i dashur, muret e tij dhe hapsira e tij, është ajo bota jote në të cilën jeton. Krijon një botë tënden, në atë botë gjen shumë miq që më pare e kanë krijuar po të njejtën për veten e tyre. Vetëburgosesh në të dhe u nënshtrohesh rregullave të atij burgu.

 Ndërsa gomari, vëllau im i dashur, është ai sundimtari i asaj bote në të cilën je vetëburgosur ti dhe që sa herë që ti dëshiron të thuash diçka në gjuhë të njeriut, me fjalë, logjikë dhe urtësi, ai këndon këngën e tij dhe ata rreth teje nuk e dëgjojnë më zërin tënd por e dëgjojnë vetëm zërin e gomarit. Edhe pse zëri i tij nuk u pëlqen, zë gomari më, ata janë të detyruar ta dëgjojnë për deri sa edhe ata gjinden në këtë dhomë burgu.

 Ndërsa dhelpra që vëzhgon nga dritarja është ai mosbesimi yt në vetvete, është ai nënvlerësimi i vetes sate, është ajo gomarofobia. Gjithmonë të frikëson dhelpra nga dritarja kur të vëzhgon e kur ti flet me miqtë e tu ruhesh nga vëzhgimi i dhelprës. Ke frikë se po të dëgjoi dhelpra do t’i japë shenjë gomarit që ta fillojë këngën. Pra dhelpra nuk eksiston në të vërtetë po ajo është frika në brendësinë tënde. Frika që ke prej gomarit, mbase jo frika por mosdëshira për ta shtyer gomarin që ta ngrerë zërin. Edhe interesante është me gomarët, sa herë që i thua gomarë u vjen mërzi e edhe më shumë pallin dhe e vërtetojnë fjalën tënde. Sikur t’i thuash një luani gomar, ai asnjëherë nuk do të hidhrohej. Bota e njeh se është luan e ti çka të duash thuaj atij. Ndërsa kur gomarit i thua gomar ai të mbetet në qafë!

Ndërsa ai miu që vazhdimisht të kërkon ushqim, edhe ai nuk është mi i vërtetë por një mi që jeton në ty dhe ti e lë të lirë që të bëjë me ty çka të dëshirojë ai. Ai miu është materializmi që jeton në ty miku im. Duke ushqyer miun harron të ushqesh veten. Kjo është e barabartë me fjalinë: duke menduar vetëm për materialen e harron shpirtëroren. Unë do të kisha thënë e harron njerëzoren! Ke një pjatë me mish dhe një të zbrazët para vetes. I ngopur je por prapë e mer pjatën me mish të pjekur e një herë nuk bëhesh burrë me marrë pjatën e zbrazët e me ia thy për koke ati që ta servoi pjatën e t’i thuash: unë di të pjek mishin vetë, nuk dua të më servosh pjatë me mish, shporru e më lër ta pjek mishin tim vetë unë e jo ti me miqtë e tu, gjegjësisht armiqtë e mi. Pra në këtë rast, vëllai im, pjata e zbrazët është më e mirë se ajo me mish. Se kur në rastin konkret, që ti e ke në mendje e unë jam i sigurt për këtë, e zgjedh pjatën me mish ti i përngjet një kafshe mishngrënëse dhe kjo nga se njëriu është qënie me tre komponentë, materie, shpirt dhe mendje, materie, pra si një kafshë, shpirt, pra si një engjull ndërsa mendje (fiqir), pra mëkëmbës në tokë. Po e largove ndonjërin nuk mbetesh njeri. Andaj në rastin tonë – siç thashë më lart – po e zgjedhe pjatën me mish i përngjet një kafshe. Po nuk e more asnjërën i përngjet një engjulli. Ndërsa po e more pjatën e zbrazët dhe ia theve kokën atij që ta servoi atëherë je njeri i vërtetë. Nëse pyet pse dhe si kështu?! Do të them: kur ia thyen pjatën për koke, atij që të servon mish të dyshimtë dhe jo të pastër, ti dëshmon se je njeri, ke mendje, me mendje kontrollon materialen dhe shpirtëroren në ty. Dhe në këtë rast, ti dëshmon se në funksion i ke që të tre komponentët e tua, materialen, shpirtin dhe mendjen.

 Kjo ishte letra ime, vëllai im i dashur, të lus ta ruash letrën dhe kohë pas kohe ta lexosh. Unë po ngelem me shpresën se një ditë edhe ti do të dalësh nga burgu në të cilin je vetëmbyllur, do ta marrësh pjatën e zbrazët dhe do t’ia thyesh për koke atij që po të servon pak mish gjersa ta pi gjakun si kompensim për mishin.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme