Lufta arabe-izraelite e vitit 1948

Konflikti i armatosur midis hebrenjve dhe arabëve kishte qenë i shpeshtë që kur Britania e Madhe kishte marrë mandatin e Lidhjes së Kombeve për Palestinën në vitin 1920. Nga viti 1945 deri në 1948, sionistët kishin zhvilluar luftë guerile kundër trupave britanike[1] dhe kundër arabëve palestinezë që përkraheshin nga Liga Arabe.[2]

Pas vendimit të marrë nga Asambleja e Përgjithshme, për ndarjen e tokës palestineze në dy shtete, filloi menjëherë lufta arabo-izraelite. Ushtria palestineze i bëri rezistencë kësaj ndarje në një luftë të pabarabartë që zgjati 6 muaj. Gjatë këtij konfrontimi izraelitët kishin një ushtri të fortë. Ushtria palestineze kishte përkrahjen e ushtrisë arabe që arrinte deri në 24.000 ushtarë, por që nuk mund të krahasohej me ushtrinë izraelite që kishte 70 mijë ushtarë, nga të cilët 64.000 ishin nga Hagana, 5.000 nga Irguni dhe më shumë se 2.000 nga Sterni.[3]

Hebrenjtë u ndihën të gëzuar me vendimin e KB për përfundimin e mandatit të Britanisë dhe filluan të kremtojnë, por kjo nuk zgjati shumë. Arabët vendosin që t’i anulonin vendimet e KB me forcën e armëve dhe shtetet arabe vendosën ta sulmojnë shtetin hebraik në atë vend që ata e konsideronin të ishte territor arab.[4] Vendet arabe kishin tërhequr vërejtjen qysh më herët se vendimi i marrë nga KB për ndarjen e Palestinës do të thoshte shkelje e të drejtave të banorëve të saj për pavarësi, prandaj për këtë arsye ato e refuzuan planin për ndarjen e Palestinës, duke theksuar se ai nuk mund të realizohej paqësisht. Qeveria Britanike, që nga premtimi i Balfourit në vitin 1917 dhe autorizimi i saj si fuqi mandatore, ka vepruar në formimin e atdheut nacional për çifutët në Palestinë.[5]

Me largimin e saj nga Palestina, Britania bëri që të mos ekzistonte kurrfarë pushteti. Gjithashtu, edhe arabët në Palestinë nuk kishin kurrfarë qeverie, ushtrie, apo armatimi. Qytetet arabe ishin të zbuluara dhe fshatrat e tyre ishin pa kurrfarë mbrojtje. Ndërkaq me palën çifute puna ishte krejt ndryshe. Forcat arabe vendosën që të hynin në Palestinë në mënyrë që të mbronin atë që mund të mbrohej.[6] Po në ditën e fillimit të luftës, shtetet arabe, nëpërmjet Sekretarit të Ligës Arabe, i dërguan një telegram (nr. 11/748) Sekretarit të Përgjithshëm të KB.[7]

Ato theksonin se forcat e shteteve arabe kishin hyrë në Palestinë që të plotësonin vakumin që ishte krijuar me përfundimin e regjimit mandator të Anglisë, sepse pavarësia e Palestinës pas përfundimit të mandatit është bërë një fakt i kryer dhe se vetëm banorët legjitimë të Palestinës kishin të drejtë të vendosnin administratën që do të kryente funksionet e qeverisë, pa përzierje nga jashtë. Në telegram theksohej se intervenimi i shteteve arabe ishte i kufizuar në aspektin kohor dhe se do të përfundonte kur në Palestinë të vendosej rendi dhe paqja.[8]

Kështu në 15 maj të vitit 1948, një ditë pas deklarimit të pavarësisë së Izraelit, forcat arabe nga Egjipti, Siria, Transjordania (sot, Jordania), Libani dhe Iraku sulmuan Izraelin dhe u drejtuan drejt Palestinës për ta çliruar atë. Popujt arabë e përkrahën këtë akt. Egjiptianët morën territor në jug, jordanezët morën Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit. Gati pas dy javësh, forcat egjiptiane iu afruan Tel-Avivit, mirëpo KB ndërhyri dhe kërkoi armëpushim të përkohshëm për tre javë. Arabët duke shpresuar në fitore ndaj Izraelit nuk ishin të interesuar për negociata. Por kur u bë e qartë për ta se një gjë e tillë nuk do të arrihej, ata pranuan ndërprerjen e zjarrit- me armëpushimin e parë që do të zgjas 28 ditë. Muhammed Hejkel ka shkruar se vendimi i marrë nga mbreti Faruk i Egjiptit për dërgimin e forcave egjiptiane në Palestinë u bë më shumë për arsye të zbutjes së gjendjes së brendshme të tensionuar, se sa si rezultat i një përgatitje të nevojshme.[9]

Ndërprerja e zjarrit më 11 Korrik 1948, i mundësoi palës hebraike që të armatosej mirë, sepse pala hebraike edhe përkundër proklamimit të embargos së armëve për Lindjen e Mesme, menjëherë pas sulmit arab ndërmori një aksion të gjerë për blerjen e armëve. Duke gëzuar simpatinë e vendeve të koalicionit antihitlerian, shteti i ri hebraik bleu pa vështirësi armatim nga SHBA, Franca, BRSS dhe Italia.[10] Për palën izraelite, sikurse pranon edhe Golda Meir, kjo ndërprerje e zjarrit ishte një rast që të merrnin frymë lirshëm, të këndelleshin dhe të planifikonin ofensivën e madhe të korrikut të vitit 1948, të eliminonin kërcënimet e fundit ndaj Tel-Avivit dhe ndaj bregdetit, duke thyer rrethimin e Jerusalemit dhe duke shkatërruar bazat e shumta arabe në Galilea.[11]

Pala çifute filloi t’i zmbrapste forcat arabe nga pjesa veriore dhe jugore e Palestinës dhe të forconte pozitat e veta në pjesën e re të Jerusalemit. Edhe përkundër disa apeleve të Këshillit të Sigurimit për ndërprerjen e zjarrit, Izraeli i vazhdoi operacionet në Sina dhe në 24 Dhjetor doli në gjirin e Akabes. Vetëm më 6 janar të vitit 1949 hyri në fuqi ndërprerja përfundimtare e zjarrit në të gjitha frontet. Menjëherë pas kësaj filluan bisedimet për armëpushim me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të KB në ishullin grek të Rodosit. Marrëveshja për armëpushim mes Izraelit dhe Egjiptit u nënshkrua në 24 Shkurt të vitit 1949, me Libanin në 23 Mars, me Jordaninë në 3 Prill dhe me Sirinë në 24 Korrik. Si rezultat i kësaj lufte, Izraeli pushtoi 82% të tokës palestineze, kurse Rezoluta nr. 181 për ndarjen e Palestinës i kishte dhënë Izraelit vetëm 56% të tokës palestineze.[12]

Kombet e Bashkuara emëruan si ndërmjetësues kont Folkea Bernadottein. Në raportin e tij të fundit, kont Bernadottei shkruante: “Parimet e të drejtës elementare të njeriut do të cenoheshin seriozisht në qoftë se këtyre viktimave të pafajshme të konfliktit do t’iu mohohej e drejta e kthimit në shtëpi, ndërkohë që emigrantë hebrenj arrinin vazhdimisht në Palestinë...”

Ai përshkruante “plaçkitjet, shkatërrimet dhe grabitjet me përmasa të mëdha” dhe “shembujt e zhdukjes së fshatrave që nuk kishin paraqitur kurrfarë caku ushtarak.” Ky raport (dokument i KB, /648, f. 14) iu paraqit KB më 16 shtator të vitit 1948.[13] Një ditë më vonë, më 17 shtator 1948, kont Bernadottei dhe ndihmësi i tij francez, kolonel Seroti, u vranë në pjesën e Jerusalemit, që ishte nën okupimin sionist.[14]

Lufta e vitit 1948 e shkatërroi infrastrukturën social-ekonomike palestineze dhe pas një rezistence gati 5.000 vjeçare që palestinezët bënë për mbrojtjen e vendit të vet ata u ndodhën befas në një labirint.[15] Edhe pse agjencioni hebraik e kishte pranuar vendimin e KB për ndarjen e Palestinës, ai nuk ishte pajtuar aspak me vendimin për internacionalizimin e qytetit të Jerusalemit. Meqenëse edhe shtetet arabe i kishin kushtuar rëndësi në mënyrë të veçantë Jerusalemit, ky qytet u gjend në qendër të konfrontimit ushtarak hebraiko-arab, nga 1 dhjetori i vitit 1947 deri në përfundimin e konfliktit, më 6 janar të vitit 1949.

Lufta kryesore është zhvilluar në Jerusalem, mes njësive goditëse të Haganit, të ndihmuara nga grupet disidente të Irgunit dhe Sterrnit, në njërën anë, dhe legjioneve arabe transjordaneze në anën tjetër.

Luftimet përfunduan me anë të një armëpushimi dhe jo me marrëveshje paqeje. Shtetet arabe refuzuan të njihnin Izraelin dhe filluan ta dobësonin atë me anë të bojkotimeve ekonomike dhe me veprime sporadike gueriljesh.[16] Izraeli doli nga lufta me 50% më shumë tokë se sa që kish pasur sipas planit të KB, duke përfshirë gjithë Galilenë në veri, pjesën e bregdetit dhe Jerusalemin veriperëndimor, duke lënë vetëm Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.[17]

Megjithatë, shtetit hebraik nuk i mjaftonte vetëm toka. Ai duhej ta pastronte atë tokë nga popullata vendase me qëllim që të vendoste ardhacakët që do të duhej të zinin vendin e banorëve autoktonë. Kufijtë e armëpushimit të vendosura ndërmjet Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë në vitin 1949 u bënë kufijtë faktik të rajonit deri në luftën gjashtë ditore të vitit 1967.[18] Si rezultat i kësaj lufte, më shumë se 750 mijë palestinezë nga 1 milion e 390 mijë banorë që ishin gjithsej lëshuan vatrat e tyre duke lënë pas vete çdo gjë që kishin pasur. Rreth një e treta e tyre u shpërngul në Bregun Perëndimor, një e treta tjetër në Rripin e Gazës, kurse një e treta shkoi refugjat në vendet fqinje arabe, më së shumti në Jordani, Siri dhe Liban.[19] U shkatërruan 478 fshatra palestinezë, nga 580 sa ishte numri i tyre. U kryen 34 masakra, më e rënda e së cilave ishte masakra e 10 prillit të vitit 1948 në Deir Jasin. Aty u masakruan 254 burra, gra dhe fëmijë.[20]






[1] Shih: Dr. Xhemil El Misrij ... në: Dosja Kuds ... op. cit., f. 113 



[2] Liga Arabe është formuar më 22 mars 1945 në Kajro, antarë ta saj janë 22 shtete arabe që përfaqësojnë mbi 340 milionë arabë. Shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Arab_League#Members_and_dates



[3] Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 37.



[4] Dr. Gazi (Ismail) Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ve El Sira El Arabi El Israili, Aman, 1987, f. 63.



[5] Dr. Mustafa Hilmi, op.cit., f. 125.



[6] Dr. Gazi Rubabah, El Kadijetu El Felistinijetu ... op. cit., f. 69



[7] Në të thuhet: “Qeveria mandatore ka shpallur se me rastin e përfundimit të mandatit të saj s’do të jetë përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë dhe rendit në Palestinë... Ky vendim e lë Palestinën pa kurrfarë pushteti qeverisës, i cili do të kishte mundësi që përmes institucioneve të tij të ruante dhe ta udhëhiqte vendin dhe të siguronte mbrojtjen e nevojshme të jetëve dhe të pronave... Përplasjet e fundit në Palestinë paraqisnin kërcënim direkt për paqen dhe sigurinë për vendet arabe, prandaj, për këtë arsye qeveritë arabe duke vlerësuar obligimin e tyre të shenjtë për sigurimin e qetësisë në Palestinë, që e konsideronin si amanet në duart e tyre dhe me dëshirën që të ndërprisnin përkeqësimin e kushteve mbizotëruese, ishin të detyruara që të ndërhynin që të mos zgjerohej anarkia dhe mungesa e ligjit në tokat arabe në fqinjësi dhe të përpiqeshin që të mbushnin vakumin që kishte lënë pas përfundimi i mandatit. Qëllimi i vetëm i ndërhyrjes ishte kthimi i paqes dhe i qetësisë dhe vendosja e sistemit dhe ligjit në Palestinë”. Shih: Ibid, f. 70



[8] Vojimir Sobajić, op. cit., str. 189-90.



[9] Dr. Mustafa Hilmi, op.cit., f. 126.



[10] Vojimir Sobajić, op.cit., str. 191



[11] Golda Meir, Izraeli im (fejtoni 27), Zëri, e martë, 8 tetor (Prishtinë), 2002, f. 20.



[12] Mounir Chafiq, Politika arapskih zemalja i palestinska stvar, Socializëm u Svetu, 44/84, Beograd 1984, nr. 44, str. 137.



[13] Roger Garaudy, Rasti Izrael ... f. 67.



[14] Sipas tij, Negevi duhej t’i takonte arabëve. Ai u angazhua që Jerusalemi të ndahej nga shteti hebraik dhe që Kombet e Bashkuara të mbikëqyrnin portet ajrore dhe detare të Izraelit. Pikërisht për gjithë këto, ai u bë skajshmërisht i papollarizuar tek pale çifute. Shih: Golda Meir, Izraeli im (fejtoni 28), Zëri, e mërkurë, 9 tetor (Prishtinë), 2002, f. 15.



[15] Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 56.



[16] Henry Kissinger, A ka nevojë Amerika për një politikë të jashtme, op. cit., f. 254.



[17] Harun Yahya, op.cit., f. 78.




[19] Harun Yahya, op. cit., f. 78.



[20] Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 56


RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme