A është duhani haram në Islam?

 

Shumë muslimanë duhanin e konsiderojnë Mekruh (diçka të papëlqyeshme ose të urrejtur) sipas Sheriatit, por jo Haram (të ndaluar). Sa herë që jepët ndonjë këshillë në lidhje me këtë vështrim, ata zgjedhin që ta injorojnë atë. Ndonëse njerëzit i dinë efektet e këqija të duhanit, duket se Shejtani dhe nefsi i tyre dëshirojnë që ata të vazhdojnë të çojnë dëm para dhe t’i shkaktojnë dëm trupit dhe shëndetit të tyre.

Sigurisht se cigaret nuk ishin prezente gjatë jetës së të Dërguarit Muhammed (s.a.v.s.), megjithatë në të dyja revelatat: në Kur’an dhe në Sunnet autentik (hadithe) ekzistojnë vendime dhe porosi në lidhje me substanca të ngjashme.

Si rregull, Kur’ani e ndalon çdo gjë që është e keqe. Thotë All-llahu i Lartmadhërishëm:

“Ai (Pejgamberi Muhammed) ua lejon atyre të tërë atë që është e mirë dhe e ligjshme dhe ua ndalon të tërë atë që është e keqe.”  (Kur’an, El-A’raf: 157)

E keqja dhe mëkati manifestohen në gjëra, besime, persona, ushqime, pije, etj. Kështu që, nëse provohet se duhani bën pjesë në mesin e gjërave të këqija, atëherë vetiu kjo gjë mjafton për besimtarët të kuptojnë se duhani është i ndaluar, duke marrë parasysh ajetin e lartëpërmendur të Sures A’raf.

Duhani është vrasës

Ai shkakton sëmundje si kanceri i mushkërive, tuberkulozë dhe sëmundje të zemrës (sa për t’i përmendur disa). Dhe ne e dimë që All-llahu i Lartmadhërishëm na ndalon që ta mbysim vetveten:

“Dhe mos e mbytni veten tuaj. Vërtet, All-llahu është i mëshirueshëm për ju. Dhe cilido që e bën këtë përmes agresionit dhe padrejtësisë, Ne do ta hudhim atë në një zjarr të fortë. Dhe kjo është leht për All-llahun.”  (Kur’an, En-Nisa: 29-30)

All-llahu i Lartmadhërishëm po ashtu thotë:

“Dhe mos e hidhni veten tuaj në shkatërrim”  (Kur’an, El-Bekare: 195)

 Duhani e djegë (shkreton) pasurinë

All-llahu i Madhërishëm thotë:

“Por mos shpenzoni (nga pasuria juaj) tepër e pa vend sikur mastrafaxhi. Vërtetë mastrafaxhinjtë (ata që shpenzojnë tepër, pa vend e pa nevojë) janë vëllezër të djajve.” (Kur’an, El-Isra: 26-27)

 A nuk janë duke parë Muslimanët që pijnë duhan?  Ata që e shtrëngojnë fort çdo cent, vetëm për ta shkretuar atë në cigare!… Subhanall-llah, së bashku me shëndetin, e djegin dhe e shkretojnë edhe pasurinë.

 

Duhani u shkakton dëm jo-duhanxhinjve

I Dërguari i All-llahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Nuk ka as dëm as të dëmtuar (reciprok).” (Sahih El-Xhami, 7517)

Shumë njerëz ndeshen me probleme të frymëmarrjes, kur ata aksidentalisht thithin tym nga cigarja ose çibuku i dikujt, veçanarisht ata që vuajnë nga astma bronkiale. Po ashtu është vërtetuar nga ana mjekësore se jo-duhanxhinjtë dëmtohen kur janë në shoqëri të duhanxhinjëve (i.e., nga pirja  e duhanit në mënyrë pasive). Pirja e duhanit nga prindërit ka pas lidhje me problemet e frymëmarrjes së fëmijëve të tyre dhe ua ka shkaktuar vdekjen. Ai po ashtu është shkaktar i shumë zjarreve shkatërruese.

 

Duhani shkakton përhapjen e mekatit dhe të keqës

Meqë duhani është i keq, Muslimanët që pijnë duhan duhet të përkujtojnë se ata kur e bëjnë këtë gjë haptazi, paraqesin një shembull të keq për të tjerët, pra i inkurajojnë fëmijtë e të rinjtë, si edhe të tjerët për të pirë duhan.

 

Duhani ndikon negativisht në adhurim

Shumë duhanpirës nuk e pëlqejnë agjërimin dhe pjesëmarrjen nëpër vendet e studimit të Islamit, nëpër ligjerata Islame, etj, meqë ata vazhdimisht kanë nevojë për cigare e duhan. Duhanpirësi është  i droguar edhe fizikisht edhe psiqikisht.

 

Duhani bën që duhanxhiju dhe ambienti të kutërbojnë erë të keqe

Gjithçka, me të cilën duhanxhiju vie në kontakt, mban erë duhani, pra kutërbon: vetura e tij, rrobet, shtëpija, etj. Andaj, kur një duhanxhi falet me xhemat, ai i dëmton dhe i pengon bashkëfalësit, si edhe engjujt, me erën e tij të keqe.

Muhammedi (s.a.v.s.) ka thënë:

“Cilido që ka ngrënë hudhër, qepë ose presh, duhet që të rrijë larg xhamisë sonë. Vërtetë, engjujt dëmtohen (i.e., iu pengon) nga ajo që e demton birin e Ademit.”  (Sahih Buhari).

 Pikat e lartëshënuara përbëjnë një dëshmi të qartë se duhani është diçka shumë e keqe, dhe për këtë arsye është Haram (i ndaluar). Nëse një Musliman është nën ndonjë stresim, ai atëherë patjetër duhet që t’i kthehet All-llahut Fuqiplotë për ndihmë. Këtu theksojmë se madje edhe shkenca medicinale e ka refuzuar haptazi mitin se duhanpirja i qetëson nervat. Atë që ne e dimë shumë sigurt dhe padyshim, është ajo se përkujtimi i All-llahut të Lartmadhërishëm është shërim, siç thotë   All-llahu (xh.sh.):

“Vërtetë me përkujtimin e All-llahut zemrat gjejnë qetësi.” (Kur’an, Err-Rra’d: 28)

Kështu pra, kur të të ngjallet dëshira për duhan, drejtoju Kur’anit dhe përpiqu e lufto që t’u bindesh urdhrave të All-llahut (xh.sh.).

 ”Ata që përpiqen e luftojnë energjikisht për çështjen Tonë, pa dyshim që Ne do t’i udhëheqim drejt rrugës Sonë.”  (Kur’an, El-Ankebut: 69)

 

 Çfarë duhet të bësh për ta ndalur duhanpirjen

Për ta ndalur duhanpirjen mund të përdoren udhëzimet dhe masat e poshtëshënuara, ndërsa i mbështetemi All-llahut Fuqiplotë dhe kërkojmë ndihmën e Tij.

1. Mundohu që të përkujtosh se ti dëshiron që të fitosh kënaqësinë e All-llahut (xh.sh.). Gjuaji të gjitha cigaret e mbetura, përkujto se ti ke vendosur në mënyrë të prerë që të mos pish më duhan.

2. Zvogëloje kontaktin me duhanpirës (ky është hapi më i rëndësishëm).

3. Mundohu që ta zvogëlosh pirjen e pijeve që kanë lidhje me duhanin, veçanarisht të kafesë, çajit etj. (pra pijeve që përmbajnë Coffeine).

4. Saherë që të ngjallet dëshira për duhan, mundohu që ta angazhosh veten me diçka tjetër, veçanarisht me aktivitete që duhet të angazhohen duart.

5. Mundohu që të mos pranosh cigare prej askujt.

6. Nëse ke nevojë për cigare, mundohu që të mos e përfundosh të tërën.

7. Pi shumë ujë kur ta lësh duhanin. Dehidratimi është simptoma kryesore e tërheqjes nga duhanpirja.

8. Përdore misvakun më shpesh (konkretisht edhe brushën dhe pastën e dhëmbëve – sh.p.).

9. Shoqërohu me njerëz të dëvotshëm, MBAJE GJUHËN GJITHMONË TË ANGAZHUAR ME DHIKR NDAJ ALL-LLAHUT TË MADHËRISHËM.

10. Bëj DUA.

Kemikalet në cigare - Acidi acidik, Acetoni, Amoniaku, Arseniku, Kadmiumi, Monoksidi  i Karbonit DDT, Etanoli, Formilina, Heksamina, Hidrogjeni, Cianidi, Nikotina metilike, Nitrobenzoli, Fenoli, Acidi stearik e shumë të tjerë.

E këshilla jonë e fundit është: Lëje duhanin dhe ji i dëvotshëm në kuptimin e plotë të fjalës, nëse dëshiron që të jesh nga robërit e dashur të All-llahut (xh.sh.), i Cili të krijoi dhe të urdhëroi që të rrishë shumë larg nga e keqja, çfarëdo qoftë ajo!

O All-llah mundësona dhe ndihmona të gjithëve që të largohemi nga të ndaluarat dhe të urrejturat dhe falna mëkatët, si dhe na bëj nga ata, të cilët në Ditën e Gjykimit do të jenë nën Rahmetin Tënd, Amin!

 

Shqipëroi nga anglishtja:
Daim Abazi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme