A e nënçmon "Hixhabi" femrën?

Përgjigjja:

Statusi i femrës në Islam shpeshherë është objekt sulmi nga mediat laike. "Hixhabi" ose veshja islame nga shumë njerëz përmendet si një shembull i 'nënshtrimit' të femrës nën ligjin Islam. Para se ta analizojmë arsyetimin që qëndron prapa "Hixhabit" të urdhëruar fetarisht, le të studiojmë së pari statusin e femrës në shoqëritë para ardhjes së Islamit.


1. Në të kaluarën femra ishte e degraduar dhe përdorej si objekt argëtimi

Shembujt historikë të poshtëpërmendur bollshëm e ilustrojnë faktin që statusi i femrës tek qytetërimet e më hershme ishte shumë i ulët, pra në atë masë, saqë ajo privohej nga dinjiteti themelor njerëzor:

a) Qytetërimi babilonas

Nën ligjin babilonas femra ishte e degraduar dhe privohej nga çdo e drejtë. Nëse një burrë e mbyste një grua, në vend se ai të denohej, gruaja e tij i nënshtrohej vdekjes.

b) Qytetërimi grek

Qytetërimi grek konsiderohet më i famshmi i të gjitha qytetërimeve të lashta. Nën këtë sistem shumë 'të famshëm', femra privohej nga çdo e drejtë dhe shihej me përçmim. Në mitologjinë greke, një 'grua e imagjinuar' e quajtur 'Pandora' është shkaku kryesor për fatkeqësinë e qenieve njerëzore. Grekët e konsideronin femrën nën-njerëzore dhe më të ulët se mashkullin. Megjithëse dëlirësija e femrës ishte e çmueshme dhe ajo respektohej shumë, Grekët më vonë u pushtuan nga egoja dhe çoroditjet seksuale. Prostitucioni u bë një praktikë e rregulltë në mesin e të gjitha klasave të shoqërisë greke.

c) Qytetërimi romak

Kur qytetërimi romak ishte në zenit të 'famës' së tij, burri kishte të drejtën madje që t'ia merrte jetën gruas së tij. Prostitucioni dhe lakuriqësia ishin gjëra të zakonshme në mesin e Romakëve.

ç) Qytetërimi egjiptas

Egjiptasit femrën e konsideronin të ligë dhe si një simbol i djallit.

d) Arabia para-islamike

Përpara se Islami të përhapej në Arabi, Arabët e përçmonin femrën dhe shpeshherë kur lindte ndonjë fëmijë femër, ajo varrosej e gjallë.


2. Islami e lartësoi femrën dhe i dha barazi dhe pret që ajo të ruajë dhe mbrojë statusin e saj

Islami e lartësoi statusin e femrës dhe i dhuroi asaj të drejta maksimale para 1400 vitesh. Islami pret që ajo të ruajë dhe mbrojë statusin e saj.

Hixhabi për meshkuj

Zakonisht njerëzit diskutojnë për hixhabin vetëm në kontekst të femrës. Megjithatë, në Kur'anin Fisnik, Allahu xh.sh. së pari e përmend "hixhabin" për mashkullin përpara "hixhabit" për femrën. Kur'ani Fisnik thotë:

"Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata." (Kur'an, En-Nur: 30)

Në momentin që ndonjë mashkull sheh ndonjë femër dhe nëse i shfaqet në kokën e tij ndonjë mendim i keq dhe i paturpshëm, ai patjetër duhet të ulë shikimin.

Hixhabi për femra

Ajeti tjetër i Sures Nur thotë:

"Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t'i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë (mbulesën) mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ... (Kur'an, En-Nur: 31)


3. Gjashtë kritere për hixhab

Sipas Kur'anit dhe Sunnetit në parim ekzistojnë gjashtë kritere për zbatimin e "hixhabit":

1. Pjesa e trupit që duhet mbuluar

Kriteri i parë është pjesa e trupit që duhet mbuluar. Kjo gjë dallon tek meshkujt dhe femrat. Pjesa që është obligim të mbulohet tek trupi i mashkullit është së paku nga kërthiza deri tek gjunjtë. Për femrën, obligim është të mbulohet i tërë trupi i saj, përveç fytyrës dhe duarve deri tek kyçet. Ato nëse dëshirojnë mund t'i mbulojnë edhe këto pjesë të trupit. Disa dijetarë islamë insistojnë që edhe fytyra dhe duart janë pjesë obligative e hixhabit.

Pesë kriteret e mbetura vlejnë si për meshkujt ashtu edhe për femrat:

2. Rrobat duhet të jenë jo të ngushta dhe nuk duhet që ta shfaqin trupin.

3. Rrobat nuk duhet të jenë transparente ose të tejdukshme, në mënyrë që të mos shihet trupi përmes tyre.

4. Rrobat nuk duhet të jenë tërheqëse, që të mos ndikojnë tek gjinia e kundërt.

5. Rrobat nuk duhet që të jenë të ngjashme me të gjinisë së kundërt.

6. Rrobat nuk duhet që të ngjajnë me të pabesimtarëve, i.e., nuk duhet që të vishen rroba që në mënyrë të veçantë janë identitet ose simbol i feve të pabesimtarëve.


4. Hixhabi ngërthen në vete edhe të sjellurit dhe të mirësjellurit në mesin e gjërave të tjera

"Hixhabi i kompletuar", përveç gjashtë kritereve të të veshurit, gjithashtu në vete ngërthen edhe sjelljen fisnike, mirësjelljen, qëndrimin dhe qëllimin e individit. Një person që i përmbush vetëm kriteret e hixhabit "të rrobave", është duke e zbatuar hixhabin në një sens të limituar. Hixhabi i rrobave duhet që të shoqërohet edhe me hixhabin e syve, zemrës, të menduarit dhe qëllimit. Ai po ashtu përfshinë edhe mënyrën se si një person ecë, si fletë, si sillet, etj.


5. Hixhabi parandalon ngacmimin dhe të rënurit në qafë

Arsyeja se pse hixhabi i është urdhëruar femrës përmendet në Kur'an në ajetin vijues të Sures El-Ahzab:

"O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t'i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues." (Kur'an, El-Ahzab: 59)

Kur'ani thotë se hixhabi është urdhëruar për femrën, në mënyrë që ajo të njihet si modeste dhe se ai gjithashtu e mbron atë nga të ofenduarit, të ngacmuarit dhe të hedhurit në qafë.


6. Shëmbull me dy motra binjake

Paramendoji dy motra që janë binjake, ku që të dyja kanë të njëjtën bukuri dhe po ecin rrugës. Njëra nga to është me hixhab dhe e ka të mbuluar të tërë trupin, përveç fytyrës dhe duarve mbi kyçe. Tjetra e veshur me rrobe perëndimore, me minifund ose pantallona të shkurtëra. Ja, aty në një çoshe gjendet një huligan ose një horr a kopuk, i cili po pret ndonjë viktimë, pra të ngacmojë ndonjë vajzë. Cilën nga ato dyja do ta ngacmojë? Vajzën me hixhab apo atë me minifund? Natyrisht se do ta ngacmojë atë me mini. Veshje të tilla janë thirrje indirekte ndaj gjinisë së kundërt për ngacmim dhe rënje në qafë. Kur'ani shumë drejtë deklaron se hixhabi e mbron femrën nga të ngacmuarit dhe të rënurit në qafë.


7. Dënim maksimal për përdhunuesit

Nën Sheriatin Islam, një burri që është vërtetuar se e ka përdhunuar një grua, i jepet dënim maksimal. Shumë habiten nga kjo fjali "e ashpër". Disa madje thonë se Islami është një fe e pamëshirshme dhe barbare! Unë ua kam bërë një pyetje të thjeshtë qindra burrave jo-Muslimanë. Paramendo se, Zoti xh.sh. mos e bëftë, dikush përdhunon gruan, nënën ose motrën tënde. Ti je gjykatësi dhe përdhunuesi është sjellur para teje. Çfarë dënimi do t'i jepje? Të gjithë më janë përgjigjur se do ta dënonin me vdekje. Disa biles shkuan edhe më tej duke thënë se do ta torturonin derisa ai të vdiste. I pyes ata, nëse dikush përdhunon gruan, nënën ose motrën tënde, ti dëshiron vdekjen për të, mirëpo nëse i njëjti krim bëhet ndaj gruas ose vajzës së dikujt tjetër, ti thua se dënimi maksimal (pra me vdekje) është barbar e i prapambetur?! Pse duhet të ekzistojnë standarde të dyfishta?


8. Shoqëria perëndimore rrejshëm pretendon se e ka ngritur pozitën e femrës

Të folurit perëndimor mbi liberalizimin e femrës nuk është asgjë, vetëm se një formë e maskuar e shfrytëzimit të trupit të saj, degradim i shpirtit të saj dhe humbje e nderit të saj. Shoqëria perëndimore pretendon se e ka "ngritur" pozitën e femrës. Përkundrazi, ajo faktikisht e ka degraduar atë duke e shndërruar në grua pa kurorë, dashnore dhe leckë, e cila është një vegël e thjesht në duart e qejfkërkuesve dhe tregtarve për shërbime seksuale, të fshehur pas ekranit gjithë ngjyra të "artit" dhe "kulturës".


9. SHBA gjendet në njërën nga shkallët më të larta për sa i përket përdhunimeve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës supozohet të jetë njëra nga shtetet më të avancuara të botës. Ai gjithashtu në krahasim me shtetet tjera gjendet një njërën nga shkallët më të larta për sa i përket përdhunimeve. Sipas një raporti të FBI-së gjatë viti 1990, për çdo ditë ishin bërë mesatarisht 1756 përdhunime vetëm në SHBA. Më vonë një raport tjetër thoshte se për çdo ditë bëhëshin mesatarisht 1900 përdhunime në SHBA. Viti nuk përmendej. Ndoshta ishte viti 1992 ose 1993. Ndoshta në vitet në vazhdim Amerikanët janë bërë "zi e më zi".
Mendo një skenar ku zbatohet hixhabi në Amerikë. Kurdo qoftë që një burrë e shikon një grua dhe i vie ndër mend ndonjë mendim i keq ose i paturpshëm, ai e ulë shikimin. Sëcila grua mban hixhabin, ku e mbulon të tërë trupin, përveç fytyrës dhe duarve mbi kyçe. Edhe nëse pas tërë kësaj ndonjë burrë do të bënte përdhunim, atij do t'i jepej dënimi maksimal. Ju pyes, në një skenar të tillë, shkalla e përdhunimeve në Amerikë do të rritej, do të mbetej e njëjtë apo do të zbriste?


10. Zbatimi i Sheriatit Islam do të reduktonte numrin e përdhunimeve

Natyrisht se sapo të vëhet në zbatim Sheriati Islam, rezultatet pozitive do të jenë të pashmangshme. Nëse do të zbatohej Sheriati në ndonjë pjesë të botës, qoftë ajo Amerika ose Europa, shoqëria do të frymonte më lirshëm. Hixhabi nuk e degradon femrën, por e ngre atë dhe ia mbron modestinë dhe dëlirësinë e saj.



Përktheu dhe përshtati:
Daim Abazi.

Burimi: www.irf.net

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme