Shqiptarët a i takojnë Lindjes së Mesme?

Fundi i këtij shekulli sikur i ngjalli sërish ato pak shpresa, por, në këtë rast diplomacia shqiptare u gjend tejet e papërgatitur, e hutuar dhe shumë e ç’orientuar. Një Shqipëri e dalë nga sundimi i egër komunist, nuk kishte as mundësinë ekonomike, as elitën politike e intelektuale që të ndikonte as për së afërmi në ndryshimet që po ndodhnin në ish-Jugosllavi. Për më tepër e tërë diplomacia shqiptare i ishte dorëzuar një trajektoreje, sistemi i së cilës nuk ishte i pa njohur për ta. 

Diplomacia jonë kishte të gjitha shanset të përmirësohej, bile të zhvillohej dukshëm më shumë këto vitet e fundit, mirëpo sërish ka ngecje për shkak të pranverës arabe që ka luhatur ekuilibrat diplomatikë në botë. Bazuar sa më sipër u tha, tani jemi dëshmitarë të një ngërçi diplomatik brenda hapësirës shqiptare. Ky ngërç nuk erdhi si rezultat i bllokimeve të fuqive të jashtme, por si rezultat i keqadministrimit të brendshëm të udhëheqësve që nuk kuptojnë se çdo të thotë diplomaci e jashtme ose ndërkombëtare.

Treguesi më i mirë për ne, dhe për diplomatët e huaj të cilët kanë qasje të drejtpërdrejtë në vendin tonë, përveç disa rasteve në të kaluarën e afërt, kemi rastin e fundit të çmontimit të armëve biologjike siriane. Kryeministri, Edvin Rama u tregua totalisht i paaftë të menaxhojë situatën ose të paktën të tregojë se meriton të jetë një burrë shteti. Lakmia për të qenë në qendër të vëmendjes së diplomacisë botërore, duket se qe, një lëvizje e pa studiuar mirë, as prej tij e as prej këshilltarëve e tij. Me këtë veprim harbut të tij, bëri që shqiptarët sërish të rikujtohen në botë si elementë të paqëndrueshëm dhe amatorë në diplomaci.

Mirëpo, teknologjia digjitale tregoi edhe një herë se është bërë një faktor shumë i rëndësishëm për ndryshime të mëdha, dhe të shpejta brenda një sistemi, atëherë kur një qeveri përpiqet të neglizhojnë ose anashkalojë një popull të tërë. Dy vjet më parë, si rezultat i këtij digjitalizimi, ngjarjet e pranverës arabe mashtruan diplomatë dhe analistë eminent të botës, ndërsa tani rasti Rama, një kryeministër i një shteti shumë të vogël, edhe pse pa qëllim, mashtroi diplomatët më të mëdhenj të botës. Prandaj, diplomacia e sendërtuar me parimet e shekullit të kaluar duhet të ndryshojë rrënjësisht, nëse duan të zhvillojnë dhe harmonizojnë raportet qeveri - popull. Një veprim i pa matur i një qeverie (kudo qoftë në botë) mund të shkaktojë dëme shumë të mëdha.

Kush jemi ne

Të nëpërkëmbur thuajse për një shekull, erdhi koha që të shohim dritën në tunelin e gjatë, dhe, pasi kapërcyem vitet e emergjencës, populli ka filluar të tregojë natyrshmërinë e vet, ose më mirë me thënë nevojat e domosdoshme për jetesë. Sikur politikanët tanë të ishin të sinqertë dhe ta përcillnin zërin e popullit ashtu siç është, sot, problemet do të ishin minimale. Në asnjë shtet të botës së civilizuar, një tranzicion nuk mund të zgjasë më shumë se tetë vjet, ndërsa tek ne tranzicioni është tejzgjatur. Kjo stërzgjatje është tregues se partitë tona politike nuk kanë as vizion, dhe as makro polikë të qartë për vendin e tyre. 

Diplomatët e huaj jo se nuk e dinë kush jemi ne, por edhe këta bëhen se po i dëgjojnë premtimet tona boshe. Nëse perëndimorët nuk përfitojnë asgjë nga ne, ata të paktën nuk humbin asgjë me ne. Humbësi i vërtetë në këtë rast është vetë populli shqiptarë i cili vazhdon të qëndron në vend numëro, tani e dy dekada. Shqiptarët ndonëse nuk i përkasin gjeografikisht popujve të Lindjes së Mesme, me ose pa dashje këta përfshihen brenda këtij mentaliteti që njihet si Çështja Lindore.

Po bëhen dy decenie që kur BE-ja i ktheu përgjigje Turqisë se rrënjët e saj krishtere nuk i mundësojnë t’i japin një përgjigje të prerë për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Përpjekja e gjatë për ta shndërruar një Turqi laike, duket se ka dështuar. Nëse BE-ja do të vazhdojë të ndjekë me fanatizëm këtë diplomaci, atëherë diplomatët tanë shqiptarë do të duhej të na tregonin qartë nëse edhe ne jemi brenda kësaj dosje së bashku me Turqinë. 

Disa zëra të cilat dolën të pa qarta në ekranet tona televizive nga kryeparlamentari i Shqipërisë, z. Ilir Meta rreth vërejtjeve që ia ka bërë diplomacia holandeze z. Sali Berisha, pastaj përgjigja jo e qartë e Kryeminstrit Shqiptar Edvin Rama në pyetjen e drejtpërdrejtë të shtruar nga Blendi Fevziu si dhe nga disa kërkesa dhe veprime që kohëve të fundit që janë shpeshtuar nga diplomatët e Kosovës, na bëjnë të dyshojmë se diplomatët tanë po fshehin diçka që populli duhet domosdoshmërisht ta dijë.

Të mos gënjehemi

Dy qeveritë si ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë marrë një iniciativë për një diplomaci të përbashkët. Kjo është një nismë që premton, mirëpo që ne të mos gënjehemi në raportet me BE-në, le të përkujtojmë disa rezultate të censusit të fundit në Kosovë. Numri i ateistëve nuk kaloi shifrën e më shumë se 1200 vetëve, dhe më shumë se 1700 të papërcaktuar fetarisht. Këto shifra janë një tregues për secilin që pretendon të merret me diplomaci. Pastaj, një tregues tjetër i madh është rindërtimi i xhamive të shkatërruara nga serbët para dhe gjatë luftës 1999-të, dhe ngritja e xhamive të reja në ato vende ku për një kohë të gjatë nuk ka pasur xhami. 

Sikur ky popull të besonte fuqishëm në ideologjitë dhe parimet perëndimore, nuk do të kishte ngritur këto objekte islame, por do t’i kishte rrënuar edhe ato që kishin mbetur. Prandaj, diplomacia perëndimore këto veprime i ka të qarta, dhe nuk ka pse të zhgënjehet, por ata që po na zhgënjejnë janë politikanët tanë të cilët në çdo mënyrë po mundohen të gënjejnë diplomacinë perëndimorë duke iu thënë se populli shqiptar, është një popull që besimin në Zot e ka të cekët dhe të pa rëndësishëm në jetën e vet të përditshme. 

Kjo nuk do të thotë se muslimanët shqiptarë janë anti perëndimorë, por ky është një realitet që po ndodh tek shqiptarët. Për të marrë bekimin e perëndimit, ne nuk kemi pse të konvertohemi në fenë e të cilëve vetë këta e shporrën. Diplomacia perëndimore nëse vërtetë ka për qëllim të ndihmojë shqiptarët, duhet të del me projekte konkrete për të gjetur modelin e bashkëjetesës me popullin autokton musliman shqiptar. Ky popull nëse nuk i përket gjeografikisht Lindjes së Mesme, vazhdon të jetë brenda dosjeve mbi Çështja Lindore e cila ka filluar që nga koha e të sëmurit të Ballkanit tash e dy shekuj.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme