Institucionet fetare gjatë mbretërimit të Zogut

http://zaninalte.al/wp-content/uploads/2014/01/mbreti-dhe-kleriket.jpg

Abstrakt

Arritja më e prekshme e Zogut mbret, që ne historianët shqiptarë nuk guxuam t’ia vëmë në dukje asnjëherë gjatë sundimit komunist, ishte sigurimi i stabilitetit politik në vend. Ai ishte aq i mençur sa ta kuptonte që për ndërtimin e shtetit të tij, nuk mjaftonte thjesht të kopjonte modele shtetesh që mund të qenë aplikuar tjetër kund pa marrë në konsideratë realitetin politik në vend. Zogu krijoi eventualisht një sistem politik duke kombinuar idetë lindore me ato perëndimore sepse ky tip shteti i siguroi atij centralizmin e nevojshëm për të qeverisur elitën e vështirë politike shqiptare.

Arritja më e prekshme e Zogut mbret, që ne historianët shqiptarë nuk guxuam t’ia vëmë në dukje asnjëherë gjatë sundimit komunist, ishte sigurimi i stabilitetit politik në vend. Ai ishte aq i mençur sa ta kuptonte që për ndërtimin e shtetit të tij, nuk mjaftonte thjesht të kopjonte modele shtetesh që mund të qenë aplikuar tjetër kund pa marrë në konsideratë realitetin politik në vend. Zogu krijoi eventualisht një sistem politik duke kombinuar idetë lindore me ato perëndimore sepse ky tip shteti i siguroi atij centralizmin e nevojshëm për të qeverisur elitën e vështirë politike shqiptare. Një kontribut i madh i Zogut ishte edhe krijimi i një mjedisi që çoi në forcimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Pra, ashtu siç shprehet me të drejtë publicisti dhe diplomati i shquar shqiptar  Eqrem bej Vlora, Zogu nuk krijoi vetëm shtet por edhe komb. Kësaj filozofie i shërbyen edhe marrëdhëniet që ai ndërtoi institucionalisht me komunitetet fetare në Shqipëri[1].

Pothuajse gjashtë muaj pas shpalljes së  monarkisë, më 16 korrik 1929  (botuar në gazetën zyrtare më 1 shkurt 1930)[2], Mbreti Zog, dekretoi ligjin mbi administrimin e bashkësive fetare. Por çfarë përfaqësonte ky ligj i cili u debatua aq shumë në kohën e vet?

Në radhë të parë, sipas tij, komunitetet fetare në Shqipëri ishin persona moralë, që gëzonin të gjitha të drejtat përveç asaj për të marrë pjesë në veprimtari politike  në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë.

 Komunitetet fetare, gjithashtu, quheshin të formuara dhe gëzonin të drejtat e akorduara prej ligjit, vetëm kur Statuti i paraqitur prej tyre, aprovohej prej Këshillit të Ministrave dhe dekretohej nga Mbreti.

Çdo kryetar sekti fetar zgjidhej në bazë të rregullores së vet edhe emërohej prej Kryetarit të komunitetit respektiv, përveç Kryetarëve të sekteve me rëndësi që duhet t’i paraqiteshin Qeverisë nëpërmjet Kryesisë së Komunitetit, për dekretim nga ana e mbretit.[3]

Sipas nenit tetë të ligjit, Kryetarët e komuniteteve fetare,… ndihmësat e zavendësit e tyne, duhet të jenë shtetas dhe prej fisi e prej gjuhës Shqiptare, të dinë të shkruajnë dhe të flasin lirisht gjuhën zyrtare të jenë në nji moshë të paktën mbi 25 vjet dhe të mos kenë kryer vepra antikombëtare. Kryetarët e çdo komuniteti, mbasi të zgjidheshin në bazë të Statutit të tyne, emëroheshin me Dekret Mbretnuer[4].

Komunitetet fetare ishin të lidhura, me Ministrinë e Drejtësisë dhe, të gjitha marrëdhëniet e tyre me Qeverinë, kryheshin me anën e saj, e cila kishte të drejtë edhe t’i inspektonte ato.

Po sipas ligjit, Mbreti, mund të ndryshonte drejtuesit e komuniteteve fetare sa herë që ai konstatonte se ata ishin duke shkelur ligjin. Bashkësitë fetare nuk duhej të merrnin asnjë ndihmë e subvencion nga jashtë. Shpenzimet e tyre për qëllime humanitare, duhej të miratoheshin nga qeveria[5].

Pra, siç mund të konstatohet, ky ligj, i vendoste bashkësitë fetare dhe klerikët e lartë pothuajse nën kontrollin e shtetit, prandaj dhe ngjalli mjaft pakënaqësi kundër qeverisë. Ligji disiplinues i mësipërm u kundërshtua më shumë nga drejtuesit e bashkësive të krishtera, por edhe me drejtuesit e komunitetit mysliman, Zogu pati  probleme sporadike.

Megjithatë me dekretimin e tij bashkësitë fetare në përgjithësi morën të gjitha masat për t’iu përshtatur situatës së re. Bashkësia myslimane, që ishte më e madhja në numër, rreth 70 % sipas numërimit të 1930-ës, më 8 gusht të vitit 1929, organizoi Kongresin e Sunitëve shqiptarë, i cili mori disa masa radikale në raport me organizimin e këtij komuniteti në zbatim të ligjit të bashkësive fetare.

Para së gjithash, Kongresi ripohoi shkëputjen e bashkësisë islame shqiptare nga Kalifati, dhe vendosi t`u jepej fund marrëdhënieve të varësisë me Sheik ul-Islamin. Gjithashtu kongresi vendosi  përdorimin ekskluziv të gjuhës shqipe për lutjet dhe predikimin, unifikimin e medreseve dhe seminareve si dhe mbylljen e shumicës së xhamive të vogla me infrastrukturë të papërshtatshme duke mbajtur dy ose tri syresh kryesore në çdo qytet[6].

Sipas Statutit të Komunitetit Myslyman Shqiptar, të aprovuar në këtë kongres, Komuniteti Myslyman, përbahej prej myslimanëve Shqiptarë të ç’do sekti që ata të ishin.[7] Gjuha zyrtare e Komunitetit duhet të ishte vetëm shqipja.[8] Kryetari i Komunitetit Mysliman zgjidhej me vota të fshehta prej Këshillit të Përgjithshëm. Ky i fundit duhej të dekretohej nga  Mbreti si dhe të betohej para Mbretit.[9]

Në rast se Kryetari i zgjedhur nuk pëlqehej prej Mbretit, Këshilli i Përgjithshëm, ishte i detyruar të zgjidhte një tjetër person i cili gjithashtu duhej t’i nënshtrohej formalitetit të mësipërm. Sipas nenit 11 të Statutit, Kryetari i Komunitetit Mysliman para se të fillonte detyrën betohej para Mbretit me këtë tekst betimi:

 “Betohem n’emën të Perëndisë e ap besen shqiptare se, do të jem kurdoherë besnik i Mbretit të Shqiptarve, i Atdheut dhe i Statutit të Shtetit dhe, detyrohem të betoj në këtë mënyrë të gjith funksionarët qi varen prej mejet.”[10]

Mbas kryerjes së këtij formaliteti Kryetari i Bashkësisë Myslimane do të betohej para Këshillit të Përgjithshëm sipas kësaj formule:

“Betohem n’emën të Perëndisë se, do të mbajë besnikërinë kundrejt urdhnave fetare dhe, do të respektoj plotësisht Statutin dhe rregulloret e Komunitetit me nji ndërgjegje të pastër e Kombtare.”[11]

 Myftinjtë dhe Nënmyftinjtë zgjidheshin nga Këshilli i Përhershëm dhe dekretoheshin prej Kryetarit të Komunitetit Mysliman.

Shumë interesante është ajo pjesë e statutit e cila përcaktonte të ardhurat e Komunitetit të cilat përbëheshin nga: të ardhurat nga vakëfet, ndihmat e ndryshme të shtetit si dhe ndihmat nga besimtarët. Gjithashtu ç’do shtëpi myslimane duhej të paguante një taksë fakultative në arkën e Komunitetit Mysliman. Për ato shtëpi që nuk paguanin taksën, Kryemyftiu, Myftiu, ose Nënmyftiu kishte të drejtë të ndalonte pjesëmarrjen në ceremonitë fetare. Sipas statutit nuk mund të pranoheshin dhurata ose subvencione nga shtete të huaja, vetëm me pëlqimin e qeverisë.

Sipas nenit 64 të statutit, në rast inspektimi nga shteti, zyrat e komunitetit mysliman detyroheshin të tregonin gjithë llogaritë e tyre financiare. Në rast se konstatohej ndonji abuzim financiar, veprohej si mbas dispozitave të Kodit Penal.[12]

Në çdo të premte sipas statutit, duhet të bëheshin lutje për shtetin, Mbretin, Kombin dhe ushtrinë.[13]

Edhe në rregulloren e Bektashinjve shqiptarë, e aprovuar më 26 shkurt 1930, në përshtatje me ligjin për komunitetet fetare, përcaktoheshin të njëjtat dispozita për funksionimin e kryegjyshatës dhe teqeve si edhe për institucionet e tjera të Komunitetit Mysliman..

E gjithë filozofia e funksionimit të këtij komuniteti përcaktohej në nenin 33 të Rregullores së Brendshme të tij. Në të thuhej: “gjithë traditat e Shejta Bektashiane që nuk janë në kundërshtim me ligjet e Shtetit, përmblidhen prej Krye-Gjyshit, bisedohen nga të dy Këshillat, (Këshilli i Shejtë Gjyshënor dhe Mikstë) të mbledhur së bashku nën kryesinë e Krye-Gjyshit, dhe pasi aprovohet marrin emrin “Rregullore e mbrendëshme”. Gjithë Kleri Bektashian detyrohet të konformohet me dispozitat e saj”.[14]

Një tjetër reformë ligjore e mbretërisë që preku funksionimin civil të Komunitetit Mysliman Shqiptar ashtu siç preku edhe komunitetet e tjera fetare ishte aprovimi i Kodit Civil Shqiptar më 1 prill 1929. Më parë marrëdhëniet familjare rregulloheshin për familjet myslimane nga Gjyqi i Naltë i Sheriatit, ndërsa tani gjithçka si martesa, trashëgimia, barazia midis burrit dhe gruas përcaktohej sipas kodit të ri civil, i cili u ndërtua sipas modelit francez, italian dhe zviceran.

Në raport me Bashkësinë Islame Shqiptare, në historinë e mbretërimit të Zogut, është edhe dekretimi prej tij i ligjit të heqjes së perçeve të femrave. Ky ligj u parapri nga organizimi i mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, më 1 mars 1937, i cili në mënyrë unanime mbështeti heqjen e perçes së grave, një iniciativë personale kjo e Zogut. Pas këtij vendimi, parlamenti aprovoi ligjin për heqjen e perçes, ligj i cili më 10 mars 1937 u dekretua nga Zogu. Sipas këtij ligji, femrat shqiptare ndaloheshin të mbulonin pjesërisht ose tërësisht fytyrën, në rast të kundërt dënoheshin me gjoba të rënda nga 20-1000 franga ari. Në rast të përsëritjes së fajit ligji parashikonte edhe dënime penale me burgim ose internim. Gjithashtu sipas këtij ligji, nëpunësit, si të shtetit ashtu dhe të bashkive dhe të komunave, detyroheshin të mos përdornin tjetër mbulesë në kokë veç se kapella; kontravajtësit ndëshkoheshin me gjobë të randë deri në 100 fr. ari. Në rast përsëritjeje, ndëshkimit të sipërm i shtohej edhe ndalimi nga organet zyertare për nji kohë nga nji deri në tre vjet.[15]

Më 30 prill të 1937, u dekretua edhe ligji mbi caktimin e mbulesës së kokës së meshkujve. Sipas këtij ligji, mbulesa e kokës së meshkujve shqiptarë caktohej si vijon:

a)          Ata që vishen kompletisht me petka civile, detyrohen me mbajtë shapkë me strehë;

b)          Ata që vishen kompletisht me petka kombtare, detyrohen me mbajtë kësulë të bardhë të punuem në vend;

c)           Ata që vishen pjesërisht me petka kombtare e pjesërisht me petka civile janë të lirë me përdorë mbulesat e përmenduna në paragrafët e shënuem me germën a) dhe b).

Kondravajtësit edhe në këtë rast ndërshkoheshin sipas këtij ligji me gjobë të lehtë nga pesë deri në në njiqind fr. ari.[16]

Komuniteti Mysliman si dhe komunitetet e tjera fetare iu nënshtruan edhe dispozitave të ligjit mbi ndalimin e nxënësve shqiptarë të frekuentonin shkollat fetare private. Sali Vuçiterni, një intelektual aktiv i arsimit fetar, më 1927 hartoi një platformë reformuese për arsimin fetar islam. Thelbi i saj konsistonte në suprimimin e shkollave të dobëta të medreseve dhe krijimin vetëm të dy internanteve: një në Tiranë dhe një në Shkodër. Kjo reformë e mbështetur fuqishëm edhe nga Zogu pati kritika sidomos nga kleri mysliman i Shkodrës. Por polemika mbaroi me mbështetjen e reformës Vuçiterni.[17] Shkollat fetare të drejtuara nga kleri mysliman iu nënshtruan edhe reformës më të madhe arsimore të ndërmarrë nga Nikolla Ivanaj me anë të së cilës u mbyllën të gjitha shkollat private në Shqipëri. Kjo reformë që në thelb u bë për të fuqizuar karakterin nacional të arsimit e dëmtoi së tepërmi arsimin shqiptar.

Sipas njoftimeve të diplomatëve të huaj në Tiranë, dekret ligjet e mësipërme ishin aprovuar nën presionin e vetë Zogut. Kronikanët e kohës kanë vënë re se, ndryshe nga çfarë ndodhi me komunitetet kristiane, zbatimi i reformës fetare pati vetëm disa kundërshtime sporadike nga ana e klerit mysliman, sidomos atij të Shkodrës dhe pjesërisht atyre të Korçës dhe Gjirokastrës. Kjo lidhet ndoshta me faktin se ky komunitet në këto vite nuk kishte ndonjë mbështetje të fuqishme nga ndonjë shtet i huaj siç kishin ortodoksët Greqinë dhe katolikët Vatikanin[18]. Por ky qëndrim i klerit mysliman mund të lidhej edhe me vetë bindjen e tij për domosdoshmërinë e reformimit të Bashkësisë Islame Shqiptare.

Podiumi kryesor i kulturës islame ishte revista periodike “Zani i Naltë”[19], revistë kjo e përmuajshme. Përveç botimeve të literaturës fetare, ajo  ishte një tribunë e rëndësishme e mendimit intelektual filozofik islam. Personalitete të shquara jo vetëm fetare por edhe intelektuale si Hafiz Ali Korça, Haki Sharofi, Ismet Dibra etj, me shkrimet e tyre jo vetëm që rritën nivelin e revistës, por gjithashtu shprehnin vlerësime dhe mbështetje në forcimin e shtetit shqiptar. Një numër special u botua me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë më 1937, ku i bëhej homazh kryesisht klerikëve myslimanë të cilët kishin dhënë kontribut në çështjen kombëtare shqiptare.

Mbreti Zog, gjatë viteve të monarkisë, pati kontradikta të ashpra me drejtuesit e komuniteteve kristiane. Administrata e tij hyri në debate me kishën greke, me  Patrikanën e Stambollit, si dhe me disa klerikë ortodoksë që ishin nën ndikimin e tyre, të cilët ngurronin të pranonin afirmimin e autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare. Pas riardhjes në fuqi, A. Zogu në vitin 1925, e mori në dorë vetë këtë çështje dhe veproi me energji për zgjidhjen e saj. Që nga koha e presidencës, pra në vitin 1926, u zhvilluan bisedime ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë së Zogut, nga njëra anë, dhe atyre të Patrikanës së Stambollit e të Athinës, në anën tjetër. Në këto bisedime pala shqiptare këmbëngulte që të njihej autoqefalia e plotë e kishës ortodokse shqiptare. Në fillim, për arsye taktike, Zogu i bëri disa lëshime kishës greke në caktimin e klerikëve të institucioneve shqiptare nga radhët e atyre klerikëve që kishin studiuar në Greqi, në mbajtjen e liturgjisë e të meshës në gjuhën greke etj.[20]

Megjithatë në Kongresin Ortodoks të Korçës, të vitit 1929, kisha ortodokse shqiptare miratoi statutin e saj. Sipas këtij statuti, kisha shqiptare ishte person juridik dhe trashëgonte të gjitha të drejtat e komuniteteve ortodokse.[21]

Sinodhi i Shenjtë detyrohej që çdo vepër e paraqitur me anë botimesh, gravurash, çfaqjesh teatrale, ose kinematografike dhe konferencash publike të mos cënonte, çnderonte dogmat dispozitat e Ortodoksisë. Kryepeshkopi zgjidhej prej Sinodhit për gjithë jetën e tij. Në rast se Kryepeshkopi i zgjedhur prej Sinodhit nuk pëlqehej prej Mbretit, Sinodhi, detyrohej të zgjidhte një tjetër të cilin duhet t’ia paraqeste Mbretit për pëlqim dhe dekretim. Në këtë mënyrë zgjidheshin edhe peshkopët e tjerë. Kryepishkopi, Peshkopët, zëvendësit e tyre lokalë, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodhit etj., duhet të ishin prej gjaku, gjuhe si dhe të kishin nënshtetësi shqiptare. Liturgjia duhej të zhvillohej në gjuhën shqipe dhe Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë detyrohej që në çdo meshë të bënte lutje për Mbretin, për gjithë Kombin Shqiptar dhe për ushtrinë.[22]

Sipas nenit 55, Kisha Autoqefale e Shqipërisë, në asnjë mënyrë nuk mund të pranojë dhurata nga shtete të huaja dhe sipas nenit 57, asnjë klerik nuk munt të funksiononte në fenë  orthodhokse në Shqipëri pa qenë i emëruar dhe i lidhur me Kishën Orthodhose Autoqefale të Shqipërisë.[23]

Sigurisht ky statut e zemëroi si Stambollin dhe Athinën. Qeveria greke e ashpërsoi shumë qëndrimin kundër qeverisë shqiptare, sidomos pas reformës Ivanaj e cila konsistonte ndër të tjera edhe  në mbylljen e  shkollave private greke, si të gjitha shkollat e tjera private. Greqia e hodhi qeverinë shqiptare në gjyqin ndërkombëtar të Hagës, të cilën dhe e fitoi. Por ajo që e zemëroi më shumë Mbretin e qeverinë e tij ishte ngritja e përhershme, nga ana e palës greke të çështjes së Vorio – Epirit (të Shqipërisë së Jugut), të cilën Mbreti e konsideronte krejt absurde në atë kohë.

Si rezultat i presionit por dhe i bisedimeve të qeverisë së Zogut me Patrikanën e Stambollit, kjo e fundit e njohu më në fund, në vitin 1937, Kishën Ortodokse Shqiptare si Autoqefale.[24]

Vështirësi më të mëdha u hasën në marrëdhëniet e Zogut me bashkësinë katolike. Kjo bashkësi ishte më e vogla në numër. Sipas statistikave të vitit 1937, ajo përbënte vetëm 10% të popullsisë. Katolikët ishin të përqendruar kryesisht në veri, në qarkun e Shkodrës. Ata kishin dhënë një kontribut të çmuar në Rilindjen Kombëtare shqiptare si dhe në përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi.[25]

Zogu, mbret, nuk i pati të mira raportet me klerin katolik. Ai bëri disa gjeste afrimi, siç ishin vizitat e tij në Shkodër më 1927 apo herë pas here edhe takime me klerikët e lartë katolikë në Tiranë.[26] Por Zogu ishte i vendosur të afirmonte autoritetin shtetëror përkundrejt atij fetar. Kjo u duk edhe në marrëveshjen që ai lidhi me Vatikanin në fund të vitit 1927, në bazë të së cilës i njihej liri veprimi kishës katolike, por në pozitën vetëm të personit juridik.[27]

Një konflikt i madh filloi midis institucioneve katolike dhe Mbretit sidomos pas aprovimit të ligjit të komuniteteve fetare të 1929-ës si dhe ligjit për mbylljen e shkollave të huaja dhe shtetëzimin e tyre, ndër to edhe shkollat katolike. Kisha katolike reagoi fort gjithashtu ndaj Kodit të ri Civil që ia hiqte “familjen” juridiksionit fetar.[28]

Letërsia historiografike shqiptare dhe e huaj përmend veçanërisht qëndrimin ekstrem të peshkopit të Shkodrës, Lazer Mjeda, i cili nga katedra e kishës së tij shkoi larg kur shpalli “shkishërimin e shtetit shqiptar dhe gjithë atyre që do t`u bindeshin ligjeve të tij”. Qeveria urdhëroi arrestimin e tij, por askush nuk guxoi të hynte në dioqezën e tij për ta arrestuar. Ligji mbeti, por në institucionet katolike të krahinës së Shkodrës ai nuk gjeti zbatim. Si rrjedhim një atmosferë e tensionuar juridike mbretëroi në marrëdhëniet midis shtetit dhe kishës katolike deri në largimin e Zogut në prill 1939. Kisha latine injoronte zyrtarisht ligjin për bashkësitë fetare, kështu që Shteti e quante atë si një organizatë ilegale, pa personalitet juridik dhe pa të drejtën që të ndihmohej nga qeveria nga pikëpamja ekonomike. Si kundër ankoheshin ipeshkvijtë shqiptarë në një promemorie të drejtuar më 1935 Lidhjes së Kombeve, ligji për komunitetet fetare ishte “një shpatë e Demokleut e varur mbi kokën e katolikëve shqiptarë”, gati për përdorim në rast se do të dëshirohej “ plohtësisht disiploina katolike”[29].


[1] Bernd Fischer.

[2] Fletorja  zyrtare, 1 shkurt 1930, nr. 8.

[3] Po aty.

[4] Fletorja zyrtare, 1 shkurt 1939, nr. 8.

[5] Po aty.

[6] Histori e popullit shqiptar.

[7] “Statuti i Komunitetit Mysliman Shqiptar”, Fletorja Zyrtare, nr. 53, 24 shtator 1929, neni 1, 1.

[8] Po aty, neni 4, 1.

[9] Po aty, neni 9, 1.

[10] Po aty, neni 11, 1–2.

[11] Po aty.

[12] Po aty, neni 64, 5.

[13] Po aty, neni 69, 5.

[14] Fletorja Zyrtare, 26 gusht 1930, nr. 5.

[15] Po aty.

[16] Fletorja Zyrtare, 30 prill 1937, nr. 32.

[17] Fletorja Zyrtare, 23 shtator 1932, nr. 70.

[18] Jason Tomes, King Zog Self-made monarch of Albania, Sparkford: Sutton Publishing, 2003, f. 151.

[19] Revista “Zani i Naltë” është  themeluar në vitin 1923 menjëherë pas themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe ka vazhduar botimin deri në vitin 1939.

[20] Historia e popullit shqiptar, Botim i Akademisë  së Shkencave, Tiranë: Toena, 2007, f. 301.

[21] “Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipris”, Fletorja Zyrtare, nr. 45, 14 gusht 1949, 1.

[22] Po aty, neni 54, 6.

[23] Po aty, neni 55, 6.

[24] Kastriot Dervishi, Historia e shtetit shqiptar 1912-2005, Tiranë : Shtëpia botuese 55, viti 2006,  f. 376.

[25] Edvin Jacques, “Shqiptarët. Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, Tiranë, Kartë e Pendë, 1995, f. 437.

[26] Roberto Maroco della Roka, “Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944”, Tiranë, Elena Gjika, f. 133.

[27] Po aty.

[28] Historia e popullit Shqiptar, vep. e përmendur, f. 302.

[29] Roberto Maroco della Roka, vep. e përmendur, f. 136.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme