URATĖ PĖR ADEM KURTPASHĖN

 

URATË PËR ADEM KURTPASHËN

Do t’i lutem unë Allahut
Adem Kurtpashës t’i falë shëndet 
E t’ia ruajë Murat begin,
Që t’a pshtojë këtë milet.

Do t’i lutem që Adem pashës
T’i falë Allahu aq vjetë e jetë
Gjithë sa ka yje qielli,
Gjithë sa ka n’botë dushk e fletë.

Allah, t’lus unë gjynahqari,
Falnai m’katet për jetë e mot,
Gjithë ku shkel këmbë shqiptari
Ti, bekoje, i Madhi Zot.

Adem pashë po t’kënnoj uratën
Oxhak i parë n’kët Shqipni, 
Nuk u lodhe per arkëthatën
Veç ky popull t’marrë dijeni.

Murat beg, Uvill Sabahi
Si fener ti Dritë na jep
Me emër t’vet t’ruejt Allahu
Që nxorre pop’llin n’selamet…

 

 

Shënim:

Burimet osmane dëshmojnë mbi njëzet pasardhës të Kurt Pashës, kanë arritur gradën pasha. Disa prej tyre u dalluan si mbështetës të zhvillimeve kulturore e arsimore në Gjakovë. Mahmud Pasha, i biri i Hasan Pashës ka ndërtuar Xhaminë e Mahmud Pashës me dy mejetepe. Murad Pasha, i biri i Adem Pashës, ka ndërtuar dhe ka vakëfuar Medresenë e Madhe dhe Teqenë e Madhe , ku shejhu i parë ka qenë Axhizi Baba.
Murat Pasha ishte donator më i rëndësishëm dhe personi më meritor në zhvillimin e jetës kulturore, arsimore dhe fetare në Gjakovë në fillim të shekullit të XVIII-të . Puna e këtij burri të madh të artit e të kultures u nderua nga gjakovarët brez pa brezi. Madje Yvejs Efendija në shenjë mirënjohjeje, ia kushtoi një vjershë Adem Kurtpashës dhe djalit të tij Muratit. Me sa kemi mundur të hulumtojmë, kjo është e para poezi në gjuhën shqipe me alfabet osman që njihet deri më sot. Ne po ua japim për herë të parë studiuesve të kësaj fushe dhe lexuesve tanë.

 

Shenim i transliteruesit:
Yvejs Efendia ishte drejtori i parë i Medresesë së Madhe të Gjakovës. Me sa dime deri më sot, kjo është poezia e pare e shkruar në gjuhën shqipe prej ndonjë gjakovari me alfabetin osman të kohës. Merita e ruajtjes i takon Haxhi efenni Zekës së Byberajve, që nuk kursei florinjtë për t’i mbledhur kahdo që të gjendeshin shkrimet shqipen ndërsa kthimi në alfabetin latin më takon mua, shkronjësit të përvujtë të tij, Ismail Haxhi Tahirit. 
Në dorëshkrimin e tij me titull ”Shënime të shkurta e kujtime për Haxhi Zekën”, atdhetari Ismail Haxhitahiri – Ibrani, Yvejs Efenninë e cilëson si “të parin e dijetarëve dhe të poetëve të Gjakovës, që shkroi poemën “Ylli i Bardhë – Bardhë Ylli ynë.”
Burim: Prof. Dr. Shevqet Canhasi, ‘HAXHI ZEKË BYBERI (1832-1902) në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Prishtinë 2004, f.73.)
“Pishtari i arsimit e i demokracisë -NIMAN FERIZI 1883-6 korrik 1937) f.95-96. Gjakovë, 2015.

Përgatiti: Mexhid YVEJSI, Gjakovë

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme