Pema e ndaluar

Nën ndikim e legjendës greke, sipas së cilës Zeusi u hidhërua me Prometeun sepse i dhuroi njeriut zjarrin, me anën e të cilit i mundësoi atij arritjen e fuqisë dhe njohurive, historia e qëndrimit të Ademit në parajsë është parë, nga të krishterët, si përpjekje e Zotit për ta mbajtur njeriun në injorancë. Akti i mëkatit të Ademit, sipas tyre, qëndron në të ushqyerit e tij nga pema e Njohjes, duke fituar aftësinë për të njohur dhe për të ditur gjërat, gjë që shkaktoi zemërimin e Zotit.

Si rrjedhim Hyji e ndëshkoi Adamin shumë rëndë duke e nxjerrë nga parajsa. Nga kjo del se sipas të krishterëve Hyji deshi që ta mbante Adamin të mbërthyer në injorancë! Sipas kësaj bindjeje të gabuar krishtere Zoti favorizon padijen kundrejt dijes.

Pikërisht për këtë Etërit e Kishës do të flasin në vijimësi kundër shkencës dhe hulumtimeve shkencore, sepse dëshira për të ditur më shumë, sipas tyre, e futi Adamin në mëkate dhe u bë shkak që ai të dëbohej nga parajsa! Si pasojë e kësaj bindjeje jo të vërtet, dijet shkencore do të konsiderohen nga priftërinjtë mëkat shumë i madh, sepse ato do të shkaktonin zemërimin e Hyjit, sikurse kishte ngjarë me Adamin.

Ndërkaq, Kurani famëlartë na rrëfen të vërteten mbi Ademin a.s. Kur Zoti i tregoi engjëjve se do të krijonte një krijesë të re, ata të çuditur thanë se si do të krijosh një krijesë që do të bëj rrëmujë në tokë (El Bekare: 30). Zoti për t’u treguar engjëjve fisnikërinë dhe aftësitë e kësaj krijese ia mësoi Ademit a.s. emërtimet e sendeve.

Dhe kur Zoti kërkoi nga engjëjt që të thoshin emërtimet e sendeve, gjë të cilën ata nuk e bënë ngase nuk i dinin, atëherë All-llahu, para se ta vendoste Ademin a.s. në parajsë dhe para se ai të mëkatonte, kërkoi prej tij që t’i thoshte emrat e sendeve. Pasi ai i tha emërtimet e sendeve, në shenjë respekti për dijen e Ademit a.s., All-llahu i urdhëroi engjëjt që t’i përuleshin atij. Vetëm djalli nuk iu përul atij, gjë për të cilën ai fitoi mallkimin e All-llahut. Djalli u tregua ziliqar ndaj njeriut dhe u bë armiku i tij i përbetuar.

Zoti jo vetëm që nuk ka zili ndaj njeriut, sikurse thuhet në legjendat greke, por madje Ai e ka lartësuar njeriun në raport me shumë krijesa, duke e pajisur me dije dhe duke ia besuar atij amanetin, amanet të cilin nuk e kishte pranuar asnjë prej krijesave. Islami ka lartësuar dijen dhe dijetarët, duke i bërë ata dëshmitarë menjëherë pas engjëjve që dëshmojnë se s'ka Zot tjetër veç All-llahut: “All--llahu dëshmoi se nuk ka Zot tjetër përveç Tij, këtë e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët.” (Ali Imran, 18).

Mosbindja e Ademit dhe ngrënia e tij nga Pema e Ndaluar sipas të krishterëve ishte një mëkat i përjetshëm dhe një degjenerim i përgjithshëm i natyrës njerëzore. Për faljen e këtij mëkati fillestar, që sipas doktrinës krishtere trashëgohet nga brezi në brez, u desh që vetë Zoti të ndërhynte duke u shfaqur dhe mishëruar në trupin e birit të Tij, Jezu Krishtit nëpërmjet shpirtit të shenjtë!

Islami e hedh poshtë të besuarit se Zoti mund të ketë bir, duke e konsideruar një gjë të tillë shkarje dhe blasfemi. Ai e refuzon dhe e kundërshton përcjelljen e gabimit të prindërve të parë tek bijtë e tyre dhe tek brezat pasues, sepse gjithsecili është përgjegjës vetëm për veprën e tij: “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar.” (En Nexhm: 39). Këtë gabim të prindërve të parë, feja islame e përcjell me mjaft mirëkuptim. Ky nuk është një mëkat i pafalshëm: “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), Ai është Mëshirues dhe pranues i pendimit.” (El Bekare: 37).

Largimi i Ademit nga xhenneti dhe zbritja e tij në tokë sipas Kur’anit fisnik është bërë shkak mirësie dhe begatie dhe jo mallkimi. Ishte ngrënia nga Pema e Ndaluar, (që nuk ishte pema e njohjes por e mëkatimit) që bëri që Ademi a.s. të pendohej dhe të jetë shembull pendese për të gjitha brezat e ardhshëm, gjer në Ditën e Fundit. Ishte ngrënia nga Pema e Ndaluar që bëri që Ademi a.s. të zbres në tokë për të kryer misionin e tij, si mëkëmbës i All-llahut mbi tokë, për të cilin ishte destinuar jo vetëm para hyrjes në parajsë, por edhe para se të vinte në këtë botë (El Bekare: 30), madje për një mision të tillë All-llahu e kishte krijuar.

Nga bindja e gabuar rreth trashëgimit të mëkatit u përhap mendimi se njeriu është mëkatar i papërmirësueshëm dhe se vetëm nëpërmjet flijimit dhe kryqëzimit të birit të Tij, Jezu Krishtit, Hyji do t’ia falte mëkatet grigjës! Madje jo vetëm kaq, por sipas dogmës krishtere, meqenëse njeriu ishte mëkatar i vazhdueshëm, ai nuk ishte i denjë që t’i drejtohej me lutje Atit në mënyrë të drejtpërdrejt. Vetëm priftërinjtë e Kishës gëzonin ekskluzivisht bekimin e Hyjit.

Si rrjedhim, njerëzit për të shpëtuar veten dhe shpirtin e tyre, duhej t’u nënshtroheshin priftërinjve dhe t’i luteshin Zotit vetëm nëpërmjet tyre. Besohej, gjithashtu, se vetëm priftërinjtë mbanin çelësin e dijes dhe se dija njerëzore ishte vetëm tek ata. Kjo do të kishte si pasojë zhdukjen e plotë të dinjitetit të njeriut të krishterë, të cilit i qe imponuar pozita e skllavit përballë klerikëve të Kishës.

Në Greqi njerëzit i përfytyronin zotat si forca në formë të njeriut, prandaj edhe i imitonin ata. Zotat edhe pse ishin shumë më superiorë se njerëzit, megjithatë ata ishin qenie madhështore sikurse njerëzit dhe ishin të ngjashëm me ta jo vetëm në formë, por edhe në ndjenja dhe sjellje: gëzoheshin, kënaqeshin, xhelozonin, hidhëroheshin, hakmerreshin, luftonin, duke përjetuar madje edhe aventura heroike. Grekët dëshironin të ishin si zotat, t’u përngjanin atyre. E dinin se një gjë e tillë ishte e pamundshme, por besonin se megjithatë ia vlente që të bënin përpjekje, ngase njerëzit duke u përpjekur mund të lartësoheshin dhe t’u afroheshin zotave. Bindja e grekëve për arritjen në stadin e zotave, nga të krishterët, u zëvendësua me bindjen e zbritjes së Zotit tek njerëzit.

Krejt ndryshe nga këto devijime, Islami e sheh njeriun si një qenie që zotëron arsye. All-llahu i dha inteligjencën atij për të kuptuar se vetëm All-llahu është Krijuesi, për të dëshmuar Njëshmërinë dhe Unitetin e Tij, dhe jo për të besuar se njeriu mund të lartësohet deri në lartësinë e Zotit, sikurse besonin grekët e vjetër, apo se Zoti mund të zbresë në nivelin e njeriut dhe të mishërohet me të, sikurse predikojnë të krishterët me Jezu Krishtin Zot.

Marrëdhëniet e njeriut me Zotin nuk kanë karakter rivaliteti dhe nuk janë armiqësore, sepse Zoti është i Gjithëpushtetshëm, i Gjithëdijshëm, i Gjithmëshirshëm dhe Absolut dhe i pajisur me emrat e bukur dhe cilësitë e Tij të përkryera. Ai nuk do të fitonte asgjë edhe sikur t’i bindeshin të gjithë njerëzit dhe s’do të humbiste asgjë edhe sikur të mos t’i bindeshin të gjithë njerëzit. All-llahu i Madhërishëm në një hadith kudsi thotë:

“O robërit e Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju, dhe njerëzit nga ju, dhe xhinët nga ju, të ishin të devotshëm sikur zemra më e devotshme e njërit nga ju, kjo nuk do t’i shtonte asgjë sundimit Tim.

O robërit e Mi! Sikur i pari nga ju dhe i fundit nga ju, dhe njerëzit nga ju dhe xhinët nga ju, të ishin të prishur si zemra më e prishur e njërit nga ju, kjo nuk do ta pakësonte aspak sundimin Tim.”

Njeriu sipas Islamit nuk e ka të ndaluar akcesin për tek dija. Është pikërisht dija që përbën veçanësinë e bekimit të tij prej Zotit. Zoti i mësoi Ademit a.s. atë që nuk e dinin madje as engjëjt. Është pra dija, për shkak të së cilës Ademi a.s. fitoi epërsi mbi engjëjt dhe për shkak të së cilës Zoti i urdhëroi engjëjt që t’i përuleshin atij.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme