Njeriu Skënderbe, mes mitit dhe simbolit

E dyta lidhet me pasqyrimin e këtij dimensioni tek pasardhësit që në varësi të kushteve mund të transformojë njeriun në mbinjeri duke e drejtuar pashmangshmërisht drejt një forme gjysmë hyjnore të paprekshme. Shekulli në të cilin jetoi dhe vdiq Skënderbeu është i zhytur thellë nën masën monoteiste që rrethon ambienti skëndërbian dhe transformimi në një entitet mbinjerëzore i njeriut është herezi e dënueshme pikërisht nga monoteizmat në të cilët u formua Heroi dhe jashtë të cilëve nuk mund të dilej, aq më tepër në një rajon “provincial” të Europës, si Ballkani. Metamorfoza ndodh shumë më vonë, në shekullin e XIX ku edhe ne shqiptarët si i gjithë Ballkani por edhe Europa, eksperimentonim një fazë të re, një mitologji moderne në kërkim të identiteteve të reja.
“Njeriu i ri” nuk është vetëm pjesëtar i një komuniteti fetar apo i një klase sociale brenda shoqërisë, por edhe një pjesëtarë i “popullit të zgjedhur” që ushqehet me mite, eskatologji, mesianizem të cilat ndërtojnë një Hyjni të re: Kombin. Herder, Saint-Simon, Comte, Mazzini, Mickieëicz gjer tek marksizmi dhe hegelizmi ndërtojnë atë çka do të importojnë rilindasit tanë, fetë laike me njeriun Zot. Do të jetë Nacionalizmi feja më e përhapur e gjysmës së dytë të shekullit të XIX. Rilindasit përpunuan duke u bazuar në modelin e nacionalizmit Gjerman, një variant shqiptar ku identitet fetare tradicionale mjaft të spikatura në trojet tona, pa humbur asgjë nga doktrinat e tyre, zmbrapsen përpara një ndjesie të re gjithëpërfshirëse: Kombi. Kjo ndjesi zëvendëson ato tradicionale pa humbur të njëjtën strukturë: ka një eskatologji që e projekton popullin në një të ardhme pozitive, mesianizem që e shpëton popullin, doktrinë e përbërë nga vlerat e kombit, apostazi e trasformuar në tradhti ndaj këtyre vlerave dhe e dënueshme madje edhe me vdekje, profetë që shpallin doktrinën dhe klerikë që e mbajnë gjallë.
Rolin e profetit e luan tek ne Skënderbeu, ndërsa klerikët filozofe janë rilindasit që ashtu siç e trasformuan pasardhësit Jezusin në Krisht ashtu edhe rilindasit propozojnë një njeri – personazh historik- të deformuar në një figurë ideale, gjysmë hyjnore, mit modern. Ato e “ngjallën” Skënderbeun nga harresa e shekujve e nxorën në dritën e nacionalizmit, e pastruan nga konteksti në të cilin jetoi, e laicizuan dhe “krijesa” artificiale mori përsipër të identifikojë masën e “besimtarëve” të rinj që duhej t’i bashkangjiteshin. Vepra e rilindasve e rrethuar me një vështrim romantik të historisë, me projektimin në një të kaluar të lavdishme, ekzotike dhe gati inekzistente siç është edhe modeli klasik i Romanticizmit, ishte e destinuar të mbetej në harresë sikur të mos ndërhynte Shteti politik. Ky organizëm me qëllim justifikimin e ekzistencës së tij ka nevojë për indoktrinim të masave. E ka eksperimentuar më së miri Oktavian Augusti në fundin e shekullit të I para.K kur modelit të pushtetit i bashkëngjiti një propagandë që idealizonte vlerat e organizmit (Principates “republikane”) dhe vetë Augustit si individ. Shteti i organizuar nga Enver Hoxha dhe elita komuniste në vetëshpalljen si krijese e popullit shqiptar - që në fakt më tepër ishte një krijesë e Titos dhe e konferencës së Jaltes ku Stalin, Churchill, Roosëelt vendosën edhe fatin tonë – morën nga rilindasit Skënderbeun laik dhe nacionalist. Me këtë figurë Enverizmi tenton të mbulojë komunizmin me petkun nacionalist dhe vetë Enveri të barazohet me Skënderbeun- shpëtimtarin e kombit. Njohja e Skënderbeut është rezultat i politikës kapilare të indoktrinimit që “Nëna Parti” ndërmori për një gjysmë shekulli dhe pati sukses. Rilindasit nuk arritën në masivizimin publik të Heroit sepse masa ishte injorante dhe rilindësit (shumica) jetonin jashtë trojeve etnike, pra “krijesa” mbeti në letër.
Nikolaj Marr shkruan: “gjuha standarde është një fenomen klasore”, ajo i nënshtrohet masës nga klasa që ka pushtetin politik. Ky fenomen ka ndodhur gjatë të gjithë historisë së njerëzimit dhe ne shqiptarët e kemi përjetuar që më paraardhësit tanë iliret të cilët njohën një latinizim të gjuhës gjatë sundimit romak, ky imponim klasore u ruajt në mesjetë nga Kisha Katolike me përdorimin e latinishtes, njohu një imponim tjetër, kësaj radhe Osman, pa harruar imponimet gjuhësore Bizantine(greko-ortodokse) dhe Sllave.
Së fundi imponimi i “Shqipes Standarde” nga elita komuniste duke preferuar një gjuhë më të afërt për klasën sunduese. I njëjti imponim klasor vlen edhe për Historinë që për nga masa e spekulimit ia kalon Gjuhësisë. Në çdo epokë ajo është shkruar konform klasës sunduese dhe nga Perandoria Romake shndërrohet në mjet propagandistik që arrin kulmin me institucione Propagande të themeluara më parë në Britani dhe USA e pastaj në Gjermani, në vendet komuniste, etj. Krijesa rilindase e laicizuar tej mase, e shkëputur nga mesjeta, ambienti fetar, ambienti social, marrëdhëniet me fqinjët, kushtet e trojeve shqiptare, i serviret masës duke zënë hapësira publike, faqe librash, krijime artistike, institucione.
Në kushtet e një diktature ajo çka është linja partiake është edhe e vetmja dritare që individëve i lejohet për të vështruar ambientin, për të krijuar identitetin dhe mentalitetin. Ajo çka serviren rilindasit dhe nguliti komunizmi është një Skëndërbe “mbinjeri” jashtë realitetit, një mit në vend të simbolit, një profet që për masat e indoktrinuara gjysmë shekulli sot është transformuar në “Hyjni” e pa cenueshme. Pluralizmi i mendimit dhe pranimi i ngadalshëm i diversitetit, mundësia e shkëputjes nga egocentrizmi – imitim ky i monomendimit që vinte i diktuar nga Partia – duhej të na udhëhiqte drejt një këndvështrimi real 360 gradë që do të thotë një perceptim i qartë i vendqëndrimit (pozicionit) të figurave në kontekstin historik. Megjithëse kanë kaluar 18 vite, modelet e rrënjosura, por mbi të gjitha integralizmi në mendime, vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e shqiptarëve. Elitat e sotme ashtu si në diktaturë tentojnë të imponojnë përsëri vetëm një këndvështrim, të gjithë të tjerët janë tradhti dhe fatalitet, fatkeqësi që rrezikojnë Kombin. Pra për Kombin është me e shëndoshe të bazohet në krijimtari romantike, në njerëz mitologjik, në një Hero Kombëtar që në beteja hiqet si i vdekur dhe pastaj benë kërdinë duke kalëruar (neper mal !!) në armiq ashtu siç bënin partizanët mbi gjermanët. Ju kujtohen filmat e para dy dekadave?
Imbani mend trimat komuniste tek “shkatërronin divizionet gjermane” - thoshte Enveri ne Kongrese; Colin e breshkave si Davidi përpara Golias, Qemal Stafen dhe Vojo Kushin ne versionin Oso Kuka-kamikaz, 5 heronjtë e Vigut si 300 spartanet e Leonides ?! Me këto njerëz të mitizuar jemi rritur dhe është herët për t’i zbritur nga Olimpi pasi jetojmë akoma me mentalitetin e përjashtimit të “Tjetrit”. Këndvështrimi historik i Skënderbeut të propozuar nga Oliver Jens Schmitt (keq) pritet nga një pjesë e elitës dhe e masës injorante sipas modelit të vjetër: “armik i popullit dhe i Partisë”, brenda kornizave të stereotipizuara nga e kaluara totalitare. Partia sot mund të jenë elitat, ndërsa populli është masa që ka mbetur në mësimet enveriste, viktimë e mendimit integralist. Përse historia e Schmitt meriton këto etiketa? Libri ngjan me Kodin e Da Vinçit në një aspekt themelore: ashtu siç Dan Braën rikthen tek lexuesi një Jezus njeri ashtu edhe Schmitt prezanton një Skënderbe njeri. Është përfolur shumë sikur po shembet miti dhe kjo na qenka shkatërruese! Në fakt miti nuk është real sepse është pjellë emotive; një formë mendimi i ndryshëm nga mendimi logjik apo shkencorë pa nevojë shpjegimi rracional; imazhe ose legjendë mahnitëse i ndërtuar mbi një personazh. Sinonimet e fjalës mit janë: legjendë, përrallë, ëndërr, utopi, fantazi etj. Simboli nga ana tjetër është një objekt ose individ konkret që rievokon ose përmbledh një realitet të prekshëm, të vërtetueshëm, i cili në rastin e Heroit njehsohet me Qëndresën: Skënderbeu simbolizon, personifikon qëndresën.
Nëse miti thyhet, largohemi nga ëndrrat e Romanticizmit, utopia, abstraksioni, përrallat, legjendat që paraqesin vlera kulturore por nuk mund të jenë pjesë e realitetit logjik. E vetmja lidhje mes mitit dhe simbolit është se që të dy rievokojnë dhe në formë sintetike përfaqësojnë një ndjesi të ndarë nga masa. Schmitt në asnjë moment nuk kundërshton madhështinë e Skënderbeut, madje ai e bën edhe me aktiv, i jep disa ngjyresa intelektuale, aftësi për të ndërmarrë zgjedhje vendimtare, trimëri, vetëbesim, karizëm, qëndresë përballë pushtuesit etj, të gjitha këto virtyte të liderit, Heroit. Kryetari i partisë Lega Nord në Itali e quan Garibaldin, heroin kombëtare italian, “budalla…hajdut kuajsh…vrasës..mason”. Akoma nuk kamë parë inkuizicion ndaj Leges. Jo sepse italianët, të paktën elitat, nuk interesohen për pikëpamjet e Bossit, por sepse Garibaldi nuk është ura lidhëse e Kombit Italian. Ai është vetëm një vegël për të arritur unitetin politik pasi të jetë bërë publikisht i pranueshëm uniteti etno-kulturore. Italianët edhe pa Garibaldin janë italianë me histori, gjuhë, vlera, kulturë, etni, etnografi, të përbashkët. Heroi kombëtar i Italisë shfaqet në periudhën e krijimit të Nacionalizmit, fesë politike. Është plotësisht një figurë historike me të metat dhe virtytet njerëzore, i adhurueshëm apo i respektueshëm e në të njëjtën kohë i kritikueshëm.
Simbolizon dëshirën e afirmimit politik në arenën e Fuqive të Mëdha të Italisë dhe italianëve që rievokojnë një të kaluar të lavdishme, pra qartësisht një njeri dhe jo mit. Sjell shembullin e Italisë sepse modeli i Nacionalizmit Italian është edhe modeli që ndoqën rilindësit. Ky model i teorizuar nga Herder përfaqëson “kombin e bazuar mbi vlera etno-kulturore të përbashkëta”, që njihet si modeli Gjerman i Nacionalizmit. Modeli tjetër, ai Francez, shtjellohet si “kombi politik”. Avni Rudaku i nisur pikërisht nga kjo ndarje e modeleve të Nacionalizmit është i mendimit se kombet politike (francezët) nuk i kushtojnë rëndësi mitit, ndërsa ato kulturore (gjermanet, italianet, shqiptarët) nuk bëjnë dot pa mite. Kjo, shihet qartë, është një tentativë për të justifikuar domosdoshmërinë e mitit. Italianët që kanë zgjedhur rrugën e sipërcituar, nuk kanë një Hero-Mit, por njeri-simbol dhe realizues i aspiratave ndoshta jo popullore por të paktën elitore politike. Në Gjermani ky personazh, realizues i bashkimit është Bismarku, i cili me sa di unë nuk kalëron në ajër me shpatë por ka një vend të përcaktuar qartë nga historia. Franca ,e cila sipas justifikimit të Rudakut, nuk i kushton rëndësi mitit, ka një Heroinë që më tepër se personazhe historik është “legjendë” e afërt me mitin, në fakt është shpallur shenjtore 5 shekuj pas vdekjes, pra ka një frymë mbinjerëzore. Kështu justifikimi i mitit i nisur nga “modeli i Nacionalizmit” bie poshtë nga një krahasim i thjeshtë.
Pastaj, të themi se një popull ka nevojë për mite, pra për legjenda dhe një popull nuk ka nevojë, pra është me racional, në këtë mënyrë inferiorizojmë popullin e parë që bazohet akoma në përralla. Mitet e kombit sipas këndvështrimit të Herderit shfaqin vlerat krijuese të një populli, ndjesitë, jetën, gjuhën, të gjithë këto elementë të cilat nga sa më shumë njerëz të ndiqen aq më shumë forcojnë dhe zgjerojnë bazën e kombit. Çdo komb dhe çfarëdo lloj komuniteti ka nevojë për ndjesi të përbashkëta, ka nevojë për mite e legjenda që vijnë nga thellësia e shekujve, si ato kombe politike ashtu edhe ato kulturore. Francezët pa këto ndjesi nuk do të ishin francez. Legjendat mundësojnë të evidentojnë një masë individësh që i cilëson si krijimtari e vetja, si pronë, si ndjesi, si produkt “nacional”. Tek ne shqiptarët Eposi i Kreshnikeve përbën botën e miteve, krijimtarinë popullore, legjendat, ashtu si Nibelunget përbëjnë mitet e gjermaneve, por Bismarku dhe Skënderbeu janë personazhe reale, jo krijime popullore, i përkasin një momenti historik të dokumentueshëm. Kështu popujt me nacionalizëm të modelit “komb kulturore” si Italia dhe Gjermania, i kanë mitet e ndara prej personazheve historike , ne vazhdojmë të mbetemi në përjetimet Romantike të shekullit të XIX të imponuara (të njohur) nga enverizmi! Schmitt kundërshton në mënyrë indirekte jo vërtetueshmërinë historike të Skënderbeut sipas perceptimit të masës që vazhdon t’i qëndrojë besnike Partisë. Ai e bën indirekt sepse është studiues, nuk ka nevojë ta pohojë, le faktet të flasin.
Madje për çudinë e atyre që nuk kanë lexuar librin, nuk ka edhe aq shumë fakte të panjohura, mit-shkatërrues, sepse ai thjeshtë e ka studiuar Skënderbeun në kontekstin në të cilin jetoi. Për disa njerëz është më lehtë të hedhin në treg si të besueshëm pohimin( nuk ka asnjë historian, kronike, dokument që e vërteton) se Gjergj Kastrioti lindi me 6 Maj – ditën e Shën Gjergjit – se sa të besojnë se emri Gjergj i dashur për serbet është greko-ortodoks, normal për Ballkanin dhe nëna ka emër sllav, edhe ky fenomen normal në Shqipërinë Lindore pas depërtimit shekullorë serbo-bullgar. Si arrihet këtu? Thjeshtë me një logjikë objektive që është e mundur të realizohet nga historianë të cilëve objekti nuk u përket. Ja perse e gjithë historiografia shqiptare dhe Ballkanike në përgjithësi, duke përjashtuar integralizmin komunist, nuk arrin dot të dalë nga subjektivizmi dhe emotivizmi etnocentrik i të bërit histori. Të lexosh një histori Ballkani duhet një autor jashtë ballkanik sepse autorët “tanë” janë infektuar pak nga mercenarizëm-klientarizmi, pak nga ndjenjat nacional-shoviniste dhe për ta kompletuar, pak nga fetarizmi.
Ajo çka shqiptarëve u duhet është pastrimi prej mentaliteteve përjashtuese dhe afrimit të rrezikshëm më një Nacionalizëm në formën klasikë tashmë të lënë në shekullin e XIX nga bota e qytetëruar dhe që vazhdon të jetojë vetëm në mendësinë barbarë sllavë. Në aspirojmë të hyjmë në Europë e si të tillë duhet të mësojmë të jemi europianë, të paktën elita që kaq shumë e kritikon mendimin orientalist të masës shqiptarë dhe orientimin kulturorë akoma në Anadoll – siç pretendon Kadareja. Por një elitë që bazohet në legjenda, mitë, ide romantikë, i largohet arsyes që shpëtoi Europën nga errësira Mesjetare. Tani kjo elitë nga njëra anë kërkon në formë majmunërizmi afrimin më Europën dhe nga ana tjetër vazhdon të mendojë si në Mesjetën, madje atë Ballkanikë të fshatrave malorë ku “kishte njerëz që pagëzoheshin për të mos i ardhur era këmbëve”- shkruan N.Malkolm. Janë këta personazhe, pushtues të shtypit, që kanë ndërmarrë një inkuizicion ndaj Schmit-it dhe lirisë në vetvete. Këtu nuk flitet për liri mendimi sepse Schmitt nuk shfaq mendime personale, por jetën e Skënderbeut si njëri historik. Nuk kemi të drejtë të shikojmë njeriun si njëri?



RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme