Menu:
 
Navigatori i Kur'anit:
 
 
Kontakti
Name:

Email Adresa:

Mesazhi juaj:

Index -> Shkrime autoriale ->

Natyra, manifestimet, problemet dhe perspektiva e zgjimit islam në Ballkan


Nexhat Ibrahimi

Hyrje



Shkrimi që keni para vetes përpiqet të shtrojë gjendjen e muslimanëve në Ballkan sipas shteteve dhe regjioneve, në mënyrën më të shkurtër nga e kaluara, në të tashmen dhe vizionet për të ardhmen. Natyrisht, për shkak të gjendjes politike në këto vende dhe luftrave të njëpasnjëshme, nuk posedojmë të dhëna të sakta, por të përafërta. Pasaktësitë eventuale shpresoj të kuptohen nga lexuesit si gjendje normale tranzitore e jo si qëllimkëqija dhe dezinformuese.

Share:  Del.icio.us  Digg  Facebook  Newsvine  Reddit  Technorati


Po ashtu, ky shkrim përpiqet të përgjigjet, apo pjesërisht të përgjigjet në disa prej pyetjeve:

Çfarë janë rrethanat shoqërore-historike dhe çfarë është natyra e zgjimit islam te muslimanët në Ballkan? Cilat modele të zgjimit islam janë të pranishme në Ballkan dhe cilat janë manifestimet e zgjimit islam në Ballkan? Cilat janë problemet dhe vështirësitë objektive dhe subjektive që e përcjellin këtë zgjim islam të muslimanëve në Ballkan? Cila është natyra e radikalizmit dhe ekstremizmit islam në Ballkan dhe cilat janë përmasat e tij nëse ai ekziston? Cilat sfida dhe probleme qëndrojnë para zgjimit islam në Ballkan dhe çfarë janë lidhjet e lëkundjeve dhe të përplasjeve bashkëkohore islame në Ballkan me ato në botë? Ekziston ndërlidhshmëri apo ky zgjim është rezultat i vetëdijësimit spontan? Çfarë është raporti i organeve zyrtare islame kundrejt lëvizjeve dhe organizatave proislame te ne? Cilat janë mundësitë reale për zgjimin islam dhe cila është perspektiva e zgjimit islam në Ballkan? Përgjigjja e hollësishme dhe meritore në këtë gjitha këto pyetje do të çonte larg, por megjithatë përpjekjet tona do të jetë modeste dhe njëkohësisht orientuese për shqyrtime të ngjashme.[1]





Rrethanat shoqërore-historike dhe treguesit statistikorë për numrin

e muslimanëve në Ballkan



I. Muslimanët e Ballkanit përbëjnë një tërësi heterogjene në pikëpamje politike, ekonomike, etnike, gjuhësore, kulturore por edhe fetare. Por, ky heterogjenitet përbënë në vete edhe pikat e përbashkëta, që janë më të rëndësishme se sa pikat që ndajnë. Janë qëllimkëqija pretendimet e disa intelektualëve dhe politikanëve që integrimet jomuslimane në Ballkan po forcohen nga sindromi “i frikës nga muslimanët”, sikurse edhe pretendimet e disa intelektualëve muslimanë që për hir të islamofobisë së të tjerëve të neglizhojë apo braktisë tërësisht faktorët integrues nga mesi i vet.

Takimet e para të muslimanëve me popujt ballkanikë, me intenzitete të ndryshme, datojnë nga shekulli VIII[2], për t’u intensifikuar dhe institucionalizuar me ardhjen e osmanlinjve në shekullin XIV-XV.[3] Është indikativ edhe fakti se procesi i islamizimit të vullnetshëm të popujve ballkanikë ka zgjatur me shekuj për t’u deislamizuar vetëm për disa dekada si pasojë e dhunës, vrasjeve, persekutimeve, dhunimeve nga pala tjetër. Kjo gjendje ka qenë më pak e praktikuar në Kosovë, Shqipëri, Sanxhak, Bosnjë e Hercegovinë dhe pjesërisht në Bullgari.[4]

II. Numri i saktë i muslimanëve në Ballkan paraqet problem të llojit të vet. Mosekzistimi i rubrikës dhe mosevidentimi i qytetarëve gjatë regjistrimeve kombëtare sipas përkatësisë fetare në vendet komuniste ka bërë që shifrat vetëm përafërsisht të jenë të sakta. Disa hulumtues mendojnë se numri i muslimanëve në Ballkan është rreth 10 milionë, respektivisht rreth 24 % të popullsisë së përgjithshme.[5] Vetëm në Shqipëri e sidomos në Kosovë muslimanët përbëjnë shumicën dërmuese. Në Bosnjë e Hercegovinë muslimanët përbëjnë shumicën relative, kurse në Sanxhak muslimanët janë të defaktorizuar, sepse janë të ndarë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi dhe nuk paraqesin subjekt homogjen politik dhe territorial. Në Maqedoni muslimanët përbëjnë rreth 30% të popullsisë, kurse në Bullgari rreth 13 %. Në Greqi, Rumani dhe në Kroaci e Slloveni muslimanët përbëjnë pakicë të konsiderueshme. Përqindja e muslimanëve në këto vende ballkanike kushtëzon edhe natyrën e zgjimit dhe të renesansës muslimane.[6]

Muslimanët e Ballkanit kryesisht janë popullsi autoktone, e cila ka pranuar islamin shumë herët, e masovikisht dhe institucionalisht vetëm me ardhjen e osmanlinjve. Popujt më të njohur janë iliro-shqiptarët, boshnjakët[7], torbeshët, goranët, pomakët etj. Numri më i vogël janë ardhacakë nga viset tjera e sidomos nga Turqia. Grupi etnik i iliro-shqiptarëve dhe i boshnjakëve është me numër më të madh.

Muslimanët e Ballkanit flasin disa gjuhë, por më të rëndësishmet dhe më masoviket janë gjuha shqipe, boshnjake, turke, rome dhe ajo bullgare. Të gjithë këta popuj për gjuhë fetare kanë gjuhën arabe. Gjuha arabe ka qenë edhe gjuhë e diturisë dhe e shkencës, kurse gjuha turke deri më 1912 ishte gjuhë e administratës shtetërore. Gjuha persiane ka qenë gjuhë e letërsisë, e sidomos e poezisë islame.

Në aspektin juridik dhe doktrinar muslimanët e Ballkanit i përkasin shkollës hanefite – maturidite[8], kurse në aspektin kulturo-qytetërues i përkasin zonës kulturore osmane. Janë të pranishme edhe tarikate të tesavufit, kryesisht sunitë.

Forma më standarde organizative e muslimanëve të Ballkanit është “Bashkësia Islame” në krye me kryetarin apo muftiun (në Bosnjë, Maqedoni, e Mal të Zi quhet Reis’ul-ulema, kurse në Kosovë kryetar / mufti). Territorialisht, por edhe në aspektin kadrovik e organizativ Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës është më e madhja, kurse të tjerat janë diç më të vogla.[9]

Statusi politiko-juridik i muslimanëve në Ballkan dallon nga vendi në vend, me ndryshime të kohëpaskohshme, varësisht nga ideologjia dhe sistemi politik që ndjek shteti i caktuar.





Pasqyrë e gjendjes së muslimanëve në Ballkan



Bashkësia Islame e Hungarisë.- Kjo bashkësi numëron disa dhjetëra mijë muslimanë, kryesisht arabë, turqë, pakistanezë, iranianë dhe konvertitë të paktë vendorë. Mirëpo, numri i tyre është në rritje e sipër.[10] Sipas kryetarit të Bashkësisë Islame të Hungarisë, Sulltan Bollek, aktualisht numri i muslimanëve është mbi 30 mijë muslimanë. Nga ky numër është 5 mijë muslimanë janë hungarezë vendorë. Muslimanët e Hungarisë, krahas vendorëve, janë turqë, shqiptarë boshnjakë dhe arabë. Sipas të njëjtit burim, në Hungari ka gjithsej tre imamë. Në kryeqytet, sipas burimeve të mëhershme, në Budapesht, ekzistojnë dy mesxhide për nevoja të besimtarëve. Mirëpo, burimet aktuale të Bashkësisë Islame theksojnë se në Budapesht ekzistojnë gjashtë mesxhide, në Miskolc një, në Siklos një dhe në pecs një mesxhid. Ekziston edhe në revistë me emrin “Calling Word” - revistë mujore.[11] Ekzistojnë dy përkthime të Kur’anit në hungarisht.[12]

Bashkësia Islame e Rumanisë.- Muslimanët kryesisht janë të vendosur në zonën e Dobruxhës. Më së shumti ka turqë, pastaj tatarë, romë dhe shqiptarë[13]. Në çështjet juridike-akaidologjike ndjekin mësimet e shkollës hanefite-maturidite. Numri i muslimanëve llogaritet të jetë rreth 1 %. Sipas një burimi, llogaritet të jenë rreth 200 mijë banorë apo 2.3 % muslimanë.[14] Në Rumani funksionojnë më se 80 xhami, kurse qendra e tyre është në Konstancë.[15] Kah fundi i shekullit XX është hapur “Shkolla e mesme teologjike-pedagogjike muslimane Mustafa Kemal Ataturk”.[16]

Bashkësia Islame e Greqisë.- Nga qindra xhami në fillim të shekullit XX, disa gjimnazeve dhe medrese në Komotin, Ksant, Ehinos, ku mësonin muslimanët, mbeti shumë pak.[17]

Pas këmbimit të popullsisë në vitin 1923 ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, në Greqi kanë mbetur numër i vogël muslimanësh, kryesisht në Thrakinë perëndimore të Greqisë veri-lindore. [18]Mendohet se janë rreth 270 mijë muslimanë apo mbi 2%. Një pjesë e konsiderueshme e muslimanëve në Greqi kanë qenë shqiptarë, sidomos në Çamëri, prej nga me dhunë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre kurse pasuria e tyre është nacionalizuar.[19] As në ditët e sotme gjendja e muslimanëve në Greqi nuk është e mirë. Mendohet se në Greqi ka rreth 800 mijë emigrantë muslimanë, sidomos nga Shqipëria, por edhe nga Pakistani, Egjipti, Bangladeshi, Palestina, Iraku etj.[20] Shpesh herë emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi janë të detyruar të ndërrojnë emrin dhe fenë për të gjetur punë. Mendohet se Greqia ka rreth 250 xhami.[21]

Bashkësia Islame e Bullgarisë.- Sipas vitit 1992 në Bullgari kishte mbi 1.110.000 muslimanë (apo 13,1%) nga të cilët rreth 92,3% sunnitë dhe 7,7% shi’itë alevitë (në krahinën Deli orman).[22] Bashkësinë Islame të Bullgarisë e përbëjnë tri tërësi etnike kryesore: bullgarët e islamizuar (të njohur si pomakë), turqit dhe tatarët.[23] Ka të dhëna se edhe romët dhe çerkezët përbëjnë përqindje të caktuar të popullsisë.[24] Dikur Bullgaria kishte mbi 2300 xhami, që në vitin 1966 të ketë 1300.

Në të kaluarën muslimanët e Bullgarisë kanë përjetuar gjendje të rëndë, madje edhe duke u kryquar me dhunë. Sot ekzistojnë tri shkolla të mesme islame sikur në Shumen. Në Sofje ekziston Instituti i Lartë Islam (Visshij Isljamski Institut) ku studiojnë numër i vogël studentësh.[25]

Bashkësia Islame e Shqipërisë.- Shqipëria, krahas Kosovës, është vendi i vetëm me popullsi shumicë muslimane në Evropë. Numri i muslimanëve në Shqipëri duhet të jetë mbi dy milionë e 700 mijë muslimanë. Shqiptarët janë populli më i madh muslimanë në Ballkan dhe kapërcen shifrën prej 6 milionë. Shqipëria pas largimit të Turqisë më 1912 kaloi një periudhë të rëndë. Kjo gjendje ishte e rëndë për shkak të orekseve të pangopura të shteteve fqinje të Serbisë, Maqedonisë, Greqisë. Gjendja sidomos u vështirësua pas vitit 1945, kur nën regjimin komunist të Enver Hoxhës u rrënuan shumica e xhamive dhe objekteve islame. Deri në vitin 1967 Shqipëria ka pasur 1666 xhami kurse sot mendohet të ketë mbi 400 xhami dhe mesxhide. Gjatë sundimit komunist në Shqipëri u burgosën, u internuan apo u vranë shumë punëtorë fetarë. Pas rënies së komunizmit më 1991, edhe Shqipërinë e përfshiu vala e zgjimit islam, me një numër të vogël objektesh fetare dhe me pak punëtorë fetarë kryesisht të moshuar. Bashkësia Islame e Shqipërisë ballafaqohet me mungesë të mjeteve materiale dhe me mungesë kuadrosh cilësore fetare. Aktualisht punojnë rreth 350 imamë. Ka shtatë medrese me rreth 2000 nxënës. Boton gazetën “Drita Islame”. Ekzistojnë edhe revista e gazeta jashtë Bashkësisë Islame si Univers, Impakti, që mbrojnë vlerat kulturo-historike dhe aktuale islame etj.[26]

Bashkësia Islame e Shqipërisë ballafaqohet edhe me një numër të madh organizatash fetare kristiane, të ndihmuara drejtpërdrejt nga shtetet kristiane por të përkrahura edhe nga faktori politik dhe intelektual vendor.

Bashkësia Islame e Bosnjës dhe Hercegovinës.- Këtë qindvjetëshin e fundit Bashkësia Islame e Bosnjës dhe Hercegovinës është etnia më e organizuar fetare e muslimanëve në Ballkan dhe aktualisht mban primatin e qendrës islame në Ballkan. Zgjimi i muslimanëve në Bosnjë ka filluar më herët, në vitet e 70-ta të shekullit XX, por mori hov sidomos me fillimin e luftës.

Kjo bashkësi përfshinë muslimanët e Bosnjës, Kroacisë e Sllovenisë dhe Sanxhakut. Bashkësia Islame ka mbi 20 doktorë shkencash fetare, disa dhjetëra magjistër shkencash fetare dhe mbi 500 që kanë përfunduar fakultetet islame.

Bashkësia islame ka Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë në dy katedra: teologjik dhe pedagogjik, ka tri Shkolla të Larta Islame me 800 studentë dhe pesë medrese me mbi 1300 nxënës. Bashkësia Islame ka Bibliotekën e Gazi Husrev-beut të vjetër 450 vjetë, Qendrën Botuese El-Kalem, Drejtorinë e Vakufit, gazetën Preporod, revistën Novi Mual-lim, Glasnik, Analin, Takvimin, Vjetarin e Fakultetit Islam etj. etj.[27]

Bashkësia Islame e Kosovës.- Bashkësia Islame e Kosovës nga viti 1993 është pavarësuar nga Rijaseti i Bashkësisë Islame të ish-Jugosllavisë. Popullsia e Kosovës përbën mbi 90% muslimanë, respektivisht mbi 2 milionë e 400 mijë muslimanë. Popullsia tjetër që nuk arrinë 10 % janë serbë ortodoksë dhe më pak se 1% katolikë shqiptarë.

Bashkësisë Islame e Kosovës gjatë luftës serbo-shqiptare 1998-1999 iu rrënuan, dogjën apo dëmtuan mbi 218 xhami dhe qindra objekte tjera të Bashkësisë Islame, iu mbytën shumë punëtorë fetarë dhe shumë nxënësa të medreseve në Kosovë.[28]

Përveç shqiptarëve si shumicë dërmuese, ka edhe boshnjakë, turqë, romë, egjiptianë dhe ashkalinjë muslimanë. Bashkësia Islame ka një medrese me pesë paralele dhe atë dy paralele (djemë dhe vajza) në Prishtinë, dy paralele (djemë dhe vajza) në Prizren dhe një paralele (djemë) në Gjilan. Bashkësia Islame ka edhe Fakultetin e Studimeve Islame të hapur më 1992. Bashkësia Islame boton Takvimin vjetor, revistën Edukata Islame dhe Dituria Islame dhe libra të tjerë islamë dhe disa revista të nxënësve dhe të studentëve.

Bashkësia Islame e Sanxhakut.- Sanxhaku sipas vitit 1991 kishte mbi 400 mijë banorë dhe me 54% muslimanë. Një numër i tyre prej 80 mijë muslimanësh janë shpërngulur në Bosnjë apo në Perëndim. Bashkësia ka xhami të shumta, ka medresenë e djemve dhe vajzave, Shkollën e Lartë Islame, Shtëpinë Botuese “El-Kelimeh” dhe mujoren “Glas islama”. Bashkësia Islame e Sanxhakut nga viti 1993 në vend të Prishtinës është e lidhur me Bashkësinë Islame të Sarajevës.[29]

Bashkësia Islame e Serbisë.- Në Serbi nuk kemi ndonjë bashkësi islame homogjene. Aktualisht vepron Bashkësia Islame e Sanxhakit me seli në Novi Pazar, ajo e Beogradit me seli në Beograd dhe përfshinë disa qytete dhe ajo e Kosovës lindore (Presheva, Bujanovci dhe Medvegja), e cila mbanë lidhje me Prishtinën dhe ajo po ashtu e Kosovës lindore, e cila është shkëputur nga Prishtina dhe mbanë lidhje me Qeverinë e Beogradit dhe vepron e pavarur.

Serbia ka qenë nën sundimin osman mbi 400 vjet dhe aty kishte disa qindra xhami dhe objekte tjera islame. Mirëpo, largimi i Turqisë tërhoqi një valë dhune të paparë ndaj muslimanëve. U prishën thuajse të gjitha xhamitë, medresetë, hamamet, kronet dhe objektet tjera kulturore islame, dëboi qindra mijë muslimanë. Vetëm nga Sanxhaku i Nishit etnikisht u pastruan mbi 600 fshatra me shumicë muslimane. Aktualisht nuk kemi ndonjë përqindje të muslimanëve në Serbi.

Bashkësia Islame e Malit të Zi.- Sipas regjistrimit të vitit 1991 muslimanët në Mal të Zi përbëjnë mbi 20% të popullsisë dhe atë rreth 13 % boshnjakë dhe rreth 7 % shqiptarë. Mendohet se janë rreth 140 mijë muslimanë të etnive të ndryshme.

Bashkësia Islame selinë e ka në Podgoricë, numëron rreth 120 xhami, 70 imamë, 13 këshilla komunal të BI-së. Podgorica boton gazetën “Elif” në gjuhën boshnjake dhe shqipe.[30] Në ndërtim e sipër është edhe medreseja.

Bashkësia Islame e Kroacisë.- Në Kroaci jetojnë mbi 80 mijë muslimanë. Kanë 13 Këshilla Komunal Islam dhe dy xhami e 20 mesxhide. Nga viti 1992 është hapur edhe medreseja në Zagreb. Kjo bashkësi kohë pas kohe boton literaturë islame dhe organizon tubime shkencore dhe garat e këndimit të Kur’anit me rëndësi ndërkombëtare.[31] Gjatë vitit 2005 është marrë vendim për hapjen e Fakultetit të Diturive Islame dhe Sociale.

Bashkësia Islame e Sllovenisë.- Nga të dhënat e vitit 2001 në Slloveni ka pasur mbi 47 mijë muslimanë, apo 2.4%. Bashkësia Islame mendon se ky numër arrinë në rreth 100 mijë muslimanë. Por, edhe ne mendojmë se ky numër është disafishuar, në bazë të emigirimit të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe muslimanëve boshnjakë. Në Slloveni deri tash nuk është lejuar ndërtimi i ndonjë xhamie, por në vitin 2003 është lejuar ndërtimi i xhamisë. Qyteti Jasenicë në Slloveni ka mbi 20% muslimanë nga numri i përgjithshëm i popullsisë.[32]

Bashkësia Islame e Maqedonisë.- Në Maqedoni jeton bashkësia muslimane të cilën e përbëjnë 99 % shqiptarët muslimanë, dhe turqit dhe boshnjakët (torbeshët). Sipas të dhënave të vitit 1991 kishte 441.987 shqiptarë, mbi 70 mijë turqë dhe mbi 50 mijë romë. Të dhënat e palës shqiptare pohojnë se në Maqedoni ka më shumë muslimanë se sa që argumentojnë të dhënat zyrtare, dhe kjo shifër mund të arrijë deri në 40% të popullsisë së përgjithshme.

Bashkësia Islame posedon medresenë e mesme dhe Fakultetin e Shkencave Islame. Ka mbi 520 xhami, 690 mektebe dhe afërsisht dyfishë imamë aktivë. Boton gazetën “Hëna e Re”.[33]





Natyra, faktorët dhe manifestimi i zgjimit islam në Ballkan



I. Natyra e zgjimit islam respektivisht e interesimit për zgjimin e muslimanëve në vendet ballkanike me shumicë muslimane, sikurse janë Kosova dhe Shqipëria, por edhe Bosnja, dhe mjediset sikur te muslimanët në Maqedoni, Kosovën lindore dhe Mal të Zi, kryesisht është spontane, jopolitike, më tepër si nevojë e brendshme e besimit të besimtarëve se sa si rezultat i ndonjë organizimi politik. Gjendja aktuale ofron të dhëna se edhe për një periudhë kohore nuk mund të pritet në horizont ndonjë ndryshim, apo radikalizim i gjendjes.

Po ashtu, nuk kemi asnjë parti apo grupim politik të spektrit islam[34], e që pretendon ta thyejë status-kuonë e tanishme. Po ashtu, nuk ekziston asnjë personalitet fetar apo intelektual musliman, i cili pretendon të ofrojë rrugën dhe mënyrën për aplikimin e sheriatit në këto vende. Edhe ato pak kërkesa që ekzistojnë më tepër janë rezultat i devotshmërisë individuale se sa rezultat i një kërkese kolektive. Shkaqet dhe arsyet për një gjë të tillë janë të shumta por në këtë shkrim nuk do t’i trajtojmë.

II. Zgjimi islam në Ballkan pati filluar në vitet e 70-ta të shekullit XX, sidomos në Jugosllavi. Këtë e ndihmoi edhe liberalizmi politik, ekonomik dhe kulturor i Jugosllavisë kundrejt botës dhe po ashtu edhe hapja ndaj vendeve arabo-islame për shkaqe politike dhe ekonomike. Kjo bëri që fuqia ekonomike e muslimanëve të vijë në shprehje në rikonstuktimin e objekteve fetare, në shkollimin e kuadrove të reja në vende të ndryshme dhe rikthimi dhe fuqizimi i kuadrove të vjetra në rrethana pak-a-shumë të reja. Marrëdhëniet e mira të Jugosllavisë me shtetet arabo-islame në grupin e Shteteve të painkuadruara, fatkeqësia palestineze e sidomos Revolucioni islamik në Iran bëri që edhe popujt muslimanë në Ballkan të ndihen më të fuqishëm dhe të krijojnë ‘njëfarë’ identiteti islam kundrejt popujve të tjerë. Këtij zgjimi sado pak i ndihmoi edhe arrestimi dhe gjykimi i intelektualëve boshnjakë në krye me Alija Izetbegoviqin (1983) dhe jehona e këtij gjykimi në tërë Jugosllavinë e atëhershme dhe dalja e A. Izetbegoviqit në krye të boshnjakëve në vitin 1990, pas daljes nga burgu 6 vjeçar.[35]

Këtë zgjim e ndihmoi sidomos agresioni me përmasa të kontrolluara, selektiv i Jugosllavisë, por kundërproduktiv, në Kosovë (1981 e pas), pastaj lufta e Jugosllavisë së cunguar në Bosnjë 1992-1995, lufta në Kosovë 1998-1999 dhe ardhja e aktiviteti i shoqatave humanitare nga vendet arabo-islame. Zgjimi islam erdhi edhe si pasojë e rënies së komunizmit dhe e demokratizimit të Ballkanit në përgjithësi dhe e tokave shqiptare në veçanti. Përmirësimi i gjendjes së muslimanëve në të gjitha vendet në Ballkan ka qenë në rritje, me përjashtim të pozitës së muslimanëve në Greqi, sigurisht si pasojë e raporteve të tendosura ndërshtetërore ndërmjet Turqisë muslimane dhe Greqisë ortodokse por edhe ndërmjet Shqipërisë muslimane dhe Greqisë ortodokse (problemi çamë).

III. Zgjimi islam në Ballkan mund të vërehet në mënyra të ndryshme, por më të dukshme janë:

- Religjioziteti më intenziv individual, i cili mund të hetohet në vizitueshmërinë e xhamive dhe të manifestimeve islame, kurorëzimet islame, blerja e literaturës islame, praktikimi i religjiozitetit të tij më intenziv në vendin e punës apo në shtëpi e të ngjashme. Mirëpo, ky është vetëm një vlerësim individual, sepse nuk kemi ndonjë anketë të bërë apo ndonjë studim serioz të këtij lloji;

- Rindërtimi dhe ndërtimi i xhamive dhe e qendrave islame që ka filluar me vitet e 70-80-ta në ish-Jugosllavi dhe pas viteve të 90-ta në vendet tjera ballkanike. Përkundër ndërtimit të objekteve të reja, kapaciteti i tyre nuk është i mjaftueshëm as sot sidomos gjatë namazit të xhumasë, teravisë dhe të bajrameve.[36]

- Arsimimi islam në Ballkan ka përjetuar një zhvillim të mirë. Ekzistojnë katër fakultete islame (Sarajevë, Prishtinë, Shkup, Zenicë), dy shkolla të larta islame (Bihaq dhe Novi Pazar) dhe një Institut islam në Bullgari dhe një Institut islam privat në Shqipëri AIITS). Punojnë edhe rreth 20 medrese – shkolla të mesme islame: pesë në Bosnjë, pesë në Kosovë, dy në Maqedoni, shtatë në Shqipëri, tre në Bullgari etj.;

- Veprimtaria botuese islame në vendet ballkanike pas rënies së komunizmit ka filluar me intenzitet më të gjallë. Deri sa Bashkësia Islame por edhe botuesit privat në Bosnjë e Hercegovinë janë diç më mirë, kjo nuk mund të thuhet edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës, të Maqedonisë, Shqipërisë etj. Po mos të ishte veprimtaria e gjallë dhe cilësore e shtëpive botuese private (më herët Zëri Islam, pastaj Logos-A, Furkan, Asr, AIITS etj.) gjendja do të dukej e mjerë;

- Zgjimi islam ka ardhur në shprehje edhe në përdorimin e simboleve dhe shenjave të ndryshme me motive islame sikurse janë veshja islame te femrat muslimane dhe lëshimi i mjekrës te meshkujt, përdorimi i simboleve tradicionale islame në flamuj apo në rekuizite të tjera: çelësa, varëse, korniza muri, dekore të ndryshme etj.

Përkundër kritikave mjaft të vrazhda, shpeshherë edhe ekstreme nga ana e shekullaristëve, ky lloj zgjimi islam është në rritje e sipër;

- Ndonëse nuk ekziston ndonjë parti apo organizim politik, dhe ndonëse islami nuk ka arritur të bëhet faktor vendimtar për formulimin e programeve të ndonjë organizmi politik, shumë muslimanë kanë filluar të vetëdijësohen dhe të pozicionohen afër partive që janë më afër fesë islame; e etillë është SDA në Bosnjë, Partia e Drejtësisë në Kosovë, Partia e Aksionit demokratik – rruga islame në Maqedoni etj.

- Paraqitja e organizatave kulturore dhe humanitare islame, vendore apo të jashtme, janë shprehje dhe shenjë e zgjimit dhe e solidaritetit musliman dhe ndërmusliman dhe njëkohësisht janë pengesë në sytë e fundamentalizmave antimuslimanë, të cilët dëshirojnë fushë të hapur për eksperimentimet e tyre ndaj muslimanëve.

- Vlejnë të përmenden edhe disa nisma në dobi të regjionit ballkanik si formimi i Këshillit Islam të Evropës Lindore në gusht të vitit 1991 në Sarajevë, i cili nuk funksionoi dhe formimi i Këshillit evro-aziatik i propozuar nga Turqia, i cili nuk dha rezultate të dëshiruara.

- Ndërtimi i disa institucioneve islame alternative si Bankat islame (Bosna Bank International), çerdhet islame, ambulancat islame, thertoret islame, e pse jo edhe shkolla të specializuara islame etj., për t’ua lehtësuar jetën besimtarëve muslimanë në shoqëritë shekullare ateiste.

- Simpatia dhe solidarizimi i popujve muslimanë ballkanikë me vuajtjet e popujve tjerë si: boshnjak, shqiptar, çeçen, palestinez, afganistanez, irakien, morotë filipinezë, kashmiras etj.

- Ringjallja e frymës së xhihadit te muslimanët e Ballkanit duke iu falënderuar luftës shkatërrimtare ortodokse në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës, por edhe duke iu falënderuar supremacionit politik dhe ekonomik dhe animit të shqiptarëve jomuslimanë në Shqipëri kah përkatësia fetare, sikurse simpatia e maqedonëve dhe grekëve në favor të serbëve. Në zgjimin e muslimanëve ballkanikë ndikoi edhe ndihma e pashterrshme dhe solidarizimi i vendeve muslimane me shqiptarët, boshnjakët etj.





Orientimet fetare dhe organizatat e muslimanëve në Ballkan



Ndonëse është vështirë të tërhiqet një vijë e saktë, megjithatë islami tradicional është dominant në Ballkan kurse bartës të këtij manifestimi janë bashkësitë fetare.

Edhe sufitë, apo tarikatet janë një faktorë me rëndësi, por dallojnë nga vendi në vend. Deri sa në Bosnjë e Hercegovinë tarikatet funksionojnë brenda Bashkësisë Islame, në Kosovë ata funksionojnë të pavarur si organizatë por shërbimet e varrimit i kryejnë me Bashkësinë Islame. Në anën tjetër, në Shqipëri tarikati bektashi nga ana e shtetit shqiptar është shpallur për fe të veçantë, me qëllimin e vetëm që Bashkësia Islame sunnite të humbë në numër kurse Islami mos të paraqitet fe shumicë.

Viteve të fundit është i hetueshëm në shumë aspekte edhe depërtimi i mendimeve revivaliste kryesisht nëpërmjet literaturës së përkthyer dhe studentëve që kanë diplomuar nëpër ato vende. Mënyrat tjera të dnikimit janë edhe ligjëratat, kampimet, shoqërimet, ndihmesa studentëve dhe takimet e shumta në të cilat studiohet Kur’ani dhe Sunneti. Përparësia e këtij aktiviteti është se janë më të lëvizshëm, më aktivë, por shpesh pa platformë të studiuar dhe me imitime të vendeve të huaja.[37]

Botëkuptimet vehabiste (duke u identifikuar me shprehjen selefiste) janë të reja në Ballkan dhe lidhen me kthimin e disa studentëve nga Medineja dhe Amani. Por, si në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e regjion, pikëpamjet vehabiste erdhën sidomos me ardhjen e shumë shoqatave arabo-islame pas rënies së komunizmit dhe gjatë dhe pas luftërave në Ballkan.

Që nga vitet e 70-80-ta kemi një tërheqje, respektivisht një heshtje të theksuar të modernizmit nga skena publike intelektuale në Ballkan. Sidomos kjo ka ndodhur me depërtimin e ideve revivaliste.

Edhe idetë shi’ite kanë pasur një reflektim të vogël në Ballkan. Kjo ka ndodhur sidomos pas revolucionit islam në Iran më 1979. Muslimanët e Ballkanit nuk e simpatizuan këtë revcolucion për shkak të shi’izmit, por për shkak të fenomenit se bota muslimane pa në vepër se muslimanët mund t’i kundërvihen botës perëndimore nëse janë unik dhe konstruktiv. Në simpatinë e muslimanëve të Ballkanit për mësimet shi’ite ndikoi edhe paraqitja e propaganduesve të tyre në mënyrë më të organizuar dhe në mënyrë më efikase krahasuar me arabët. Të gjitha grupet e sipërme nuk mund të rradhiten në grupin e organizatave ekstremiste.[38]

Mirëpo, në mesin e shumë organizatave ka edhe asosh që mund të quhen ekstremiste. Në këtë grup bënë pjesë Supporters of Sharia apo Ensaru-sh-sheri‘a.[39] Natyrisht, këto ide nuk janë të pranishme në masë më të madhe, por në disa individë, të cilët ende qëndrojnë pas pseudonimeve. Simpatizuesit e tyre kryesisht janë të rinjë, studentë. Në paraqitjen e këtyre grupeve ekstremiste ndikon edhe korruptimi material e moral i elitës fetare në trojet ballkanike, respektivisht në trojet shqiptare, pastaj ndikon edhe paaftësia e autoriteteve të bashkësive islame për angazhime më serioze.





Politika e antiterrorizmit global pas 11 shtatorit 2001 –

Islami dhe muslimanët në Ballkan



Prezentimi medial i islamit dhe muslimanëve në fillim të mileniumit të tretë, e sidomos pas 11 shtatorit 2001, ishte tejet i vrazhdë dhe nga viktimat e gjenocidit, etnocidit dhe urbicidit, u shndërruan në armiqë të botës së qytetëruar. Si boshnjakët ashtu edhe shqiptarët u paraqitën si gjakpirës dhe pengesa të integrimit islamo-perëndimor.

11 shtatori 2001 dhe ngjarjet që pasuan pas tij ndikuan negativisht në zgjimin musliman në Ballkan, por SHBA-të dhe aleatët e saj nuk fituan simpati për shkak të arrogancës së tyre por antipati. Madje, sjellja arrogante e tyre solli deri te një valë e re e interesimit për islamin si brenda muslimanëve ashtu edhe të jomuslimanëve.





Pengesat dhe vështirësitë e zgjimit islam në Ballkan



Rezistenca kundër zgjimit islam në Ballkan, por edhe në qendrat tjera në botë, buron nga disa qendra.

Burimi i parë dhe më i fuqishëm i rezistencës kundër zgjimit islam është shtresa sunduese e Evropës shekullariste dhe kristocentriste. Po ashtu, sundimi gjysmëshekullor komunist në Ballkan pas vetes la breza të edukuar dhe arsimuar në frymën e shekullarizmit, ateizimit dhe evropocentrizmit vullgar dhe agresiv. Këtë e provon secila gazetë e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë etj.

Burimi i dytë i rezistencës kundër zgjimit islam janë paragjykimet, fobia dhe armiqësia e hapur e jomuslimanëve në regjion. Ky mjedis armiqësor paraqet kërcënim jo vetëm për afirmimin e islamit dhe identitetit kulturor-qytetëruers musliman, por edhe për vetë ekzistimin fizik të muslimanëve në Ballkan. Këtë më së miri e vërtetoi armiqësia katolike kroate, ortodokse serbe-malazeze, ortodokse maqedone, ortodokse greke kundrejt muslimanëve gjatë viteve 1990-2000.[40]

Burimi i tretë i rezistencës për zgjimin islam në Ballkan janë paragjykimet e madje edhe armiqësia e disa qarqeve ndërkombëtare të cilët synojnë një kontroll të plotë mbi muslimanët. Kështu mund të kuptohet edhe sjellja e perëndimit ndaj luftës në Bosnjë dhe Kosovë. Faktori ndërkombëtarë duhet të zgjedh mes dy obcioneve: ose muslimanët dhe islamin do ta shpallë armiqësorë dhe si të tillë do ta trajtojë dhe me këtë do t’i përkrahë elementet radikale ose muslimanët dhe islamin do ta pranojë si religjion evropian sikurse judaizmin dhe kështu do të Faktori ndërkombëtarë duhet të zgjedh mes dy obcioneve: ose muslimanët dhe islamin do ta shpallë armiqësorë dhe si të tillë do ta trajtojë dhe me këtë do t’i përkrahë elementet radikale ose muslimanët dhe islamin do ta pranojë si religjion evropian sikurse judaizmin dhe kështu do të veprojë në eliminimin e kushteve socio-ekonomike dhe politike që përkrahin ekstremizmin.[41]

Burimi i katërt i rezistencës ndaj zgjimit islam është perceptimi tradicional i islamit, të cilët zakonisht rezufojnë ndërrimet për shkak të mehtalitetit të tyre konservativ. Kjo shtresë është inerte dhe nuk mund ta tolerojë islamin e gjallë, të zgjuar e dinamik, i cili për moto ka ixhtihadin si mekanizëm të pazëvendësueshëm për hulumtimin dhe gjetjen e rrugëve për problemet e reja. Këtë e ka pohuar edhe Malik ibn Nebi qysh në mesin e shekullit XX. Fjala është se kolonializmi ësjhtç fjatorë për prapambeturinë muslimane, por faktori kruyesor është ajo që i ka parapritë kolonializmit, braktisja e ixhjtihadit, respektivisht, “çlirimi i muslimanëve do të vijë kur të shqyrtohen padrejtësitë të futura në mendimin dhe politikën e islamit në fund të shekullit XIII”.[42]

Po ashtu, probem në vete është edhe rezistenca e atyre që islamin e kanë kuptuar si të atillë nga i cili jetojnë, por për të nuk jetojnë. Islamin e shohin si zeje, profesion e jo si mision. Aktivitetet të cilat i ofrojnë këta kuadro dhe besimtarë janë sterile, inerte dhe joproduktive dhe më e keqja, para njerëzve krijojnë përshtypjen se po punohet dhe jetohet sipas islamit.

Për të dalur nga kjo gjendje, dijetarët thuajse janë unikë se duhet ide e re e cila: 1) Do të lirojë traditën nga historia e fosilizuar dhe ta transformojë nga një ndjenjë asfiksuese në diç që gjallëron; 2) Do ta formojë fikhun e ri – shkencën e re të fikhut dhe të drejtën të përqëndruar në nevojat, kërkesat dhe problemet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet shoqëria muslimane; 3) Sërish të hapen dyert e ixhtihadit dhe të udhëhiqet me luftë arsyeshëm dhe këmbëngulësisht, deri te të kuptuarit e freskët dhe deri te perceptimi i ri i mësimit të Kur’anit dhe i jetës dhe hadithit të Muhammedit a.s.[43]











Predimenzionimi medial i zgjimit islam në Ballkan



Nëse gjykojmë sipas hapësirës që i kushtohet manifestimit të zgjimit islam në mediume në mjediset me shumicë islame në Ballkan, mund të përfundohet se fjala është për lëvizje me përmasa të gjera. Kjo mund të shihet edhe nga fakti, të cilin e pohon një autor boshnjak se “edhe një këngëtar mesatar në Sarajevë mund të tubojë më shumë simpatizues se sa edhe oratori më i mirë islam.”[44] Qarqet islame kryesisht janë në margjina të jetës publike, politike dhe ekonomike. Nuk ka asnjë tregues, asnjë anketë për intenzitetin e religjiozitetit të muslimanëve në Kosovë e vendet tjera në Ballkan që do të provonte se në Ballkan ekziston ndonjë lëvizje serioze islame. Disa hulumtime në Bosnjë të bëra nga Programi zhvillimor i OKB-dë (UNDP) tregon se muslimanët religjiozë janë pakicë në Ballkan. Zgjimi religjioz që ekziston te muslimanët, katolikët dhe ortodoksët ballkanikë është i dukshëm por, sipas tyre, ende nuk e ka përfshirë amzën e shoqërisë.[45] Mediumet që predimensionojnë zgjimin muslimanë në Ballkan e sidomos në Kosovë dhe tokat shqiptare, me apo pa vetëdije ndikojnë në krijimin e paragjykimeve, mostolerancës dhe armiqësisë. Është e domosdoshme që hulumtimet të kapin edhe aktivitetin katolik dhe ortodoks në tokat shqiptare. Shembulli i Kosovës është mjaft dëshmues. Pas luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas vitit 1999 e pas, në Kosovë kanë vepruar dhe veprojnë mbi 1000 shoqata e fondacione evroperëndimore kristiane, përballë numrit minor rreth 30 shoqata islame, të cilat strikt kanë punuar sipas instrukcioneve nga KFOR-i dhe UNMIK-u. Ngjashëm është edhe në Shqipëri, por për fat të keq me të madhe flitet për fundamentalizmin dhe radikalizmin musliman e jo për atë kristian. Shumicës së intelektualëve të vendit dhe të huajë i pengon renovimi i xhamive të rrënuara e të djegura nga lufta ortodokse serbe, ndonëse besimtarët detyrimet e tyre fetare të xhumave, të teravive e sidomos të bajrameve i kryejnë nën qiell të hapur gjatë katër stineve të vitit.





Problemet, sfidat dhe kërcënimet për mbijetesën

e muslimanëve në Ballkan



Mbijetesa biologjike.- Jomuslimanët e Ballkanit kanë qëndrim të pandryshueshëm negativ lidhur me muslimanët dhe zgjimin, pa marrë parasysh cila parti apo sistem politik është në pushtet. Nacionalizimi dhe shovinizmi i jomuslimanëve ballkanikë është kërcënimi kryesor për muslimanët. Mirëpo, përkundër përndjekjeve masovike të muslimanëve, përkundër luftërave të shpeshta shkatërrimtare kundër muslimanëve, popujt muslimanë, boshnjakët apo shqiptarët nuk kanë treguar vetëdijësim të mjaftueshëm ta kuptojnë kërcënimin e fqinjve të tyre. Ata janë të përçarë, të thyer, si në rrafshin politik e ekonomik ashtu edhe në rrafshin fetar. Për më tepër, kur asnjëri grupim etnik apo fetar, i vetmuar, nuk ka fuqi t’i kundërvihet sulmeve të njëpasnjëshme. Boshnjakët i quajnë shqiptarët “juzhnjaci” (jugorë, me kuptim të pagëdhendur), kurse shqiptarët i etiketojnë boshnjakët si “kokëtrash e shkije”.

Krahas demokratizimit të mjedisit jomusliman në Ballkan, shpresa e muslimanëve ballkanikë për ditë më të mira është shenjë pozitive për zhvillimet e reja. Ata presin që ta kenë një shtet apo një bllok shtetesh muslimane, qoftë edhe sikurse Organizata e Konferencës Islamike, që t’i mbrojë interesat muslimane sikurse që katolikët i mbronë Evropa katolike, apo ortodoksët i mbronë Rusia e Greqia.[46]

Ruajtja e identitetit.- Identiteti është brenga dhe sfida vijuese që i preokupon muslimanët ballkanikë. Deri sa proceset e integrimit politik e ekonomik evropian janë intensifikuar, procesi kulturor është çështje e ndieshme, sepse Evropa nuk po e integron Ballkanin nëpërmjet vlerave, por nëpërmjet nus-prodhimeve, si: nëpërmjet klubeve të natës, shfrenimit moral, nihilizmit, egoizmit, narkomanisë etj., të cilat kanë efekte negative mbi fenë dhe shpirtëroritetin. Për t’u mbrojtur nga uragani evroperëndimor, por edhe për t’iu kundërpërgjigjur evroperëndimorëve, muslimanët duhet ndërtuar infrastukturë islame që nënkupton formimin e institucioneve alternative për ruajtjen e vlerave islame të muslimanëve. Shembull kemi në disa shekujt e parë të historisë islame, si në Lindjen islame ashtu edhe në Perëndimin islam.

Provokimi intelektual.- Muslimanët, sidomos intelektualët muslimanë, kanë për detyrë që islamin ta bëjnë interesant dhe relevant për muslimanët e regjionit. Ata duhet të pushojnë të “importojnë” modele nga Lindja e mesme dhe e afërm, por të fillojnë të përsiasin dhe meditojnë vetë për mjedisin e tyre, vetë t’i identifikojnë problemet e tyre dhe vetë t’i gjejnë zgjidhjet për ta, duke pasur parasysh përvojat e të tjerëve. Ky angazhim duhet të jetë i sinqertë dhe intelektual.

Provokimi, sfida intelektuale është më seriozja, sepse epërsia e Evropës dhe Perëndimit është pikërisht në rrafsh të intelektualizmit. Që islami dhe muslimanët të mund të garojnë me sukses në tregun evroperëndimor për shpirtrat njerëzorë duhet të bëjnë dallimin çka është mësim burimor islam dhe çka interpretim dhe traditë. Përgjigjet duhet të jenë reale, të aplikueshme në këtë mjedis dhe me gjuhën e kohës. Përgjigjet e nxituara rreth çështjes së femrës në islam, bashkëjetesës me fetë dhe popujt tjerë e dëmtojnë islamin në raport me të tjerët. Islami është fe e matur, e të maturës, fe e lehtësisë, e mirëkuptimit dhe tolerancës dhe këtë e kërkon nga pasuesit e tij. Për këtë arsye, sfidë e veçantë për institucionet islame arsimore të Ballkanit është integrimi i diturisë profane dhe sakrale, në mënyrë që kuadri i saj të përgatitet për akces në rrjedhat evropiane dhe të mos mbeten në margjina të rrjedhave.

Uniteti.- Sfidë e veçantë për zgjimin musliman në Ballkan është edhe sektarizmi dhe jouniteti thuajse në të gjitha nivelet. Kjo ka bërë që shumë organizata me qëllim të njëjtë të konsumojnë kohë të tepruar për çështje të parëndësishme e triviale, e edhe çështje mospajtimesh e rivalitetesh personale. Për këtë arsye, zgjimi musliman nënkupton pluralizimin islam dhe dialogun ndërmusliman, i cili është detyrim dhe domosdoshmëri. Nëse nuk vjen deri te përmirësimi i këtyre raporteve historia e pësimit të muslimanëve nga jomuslimanët në Ballkan do të përsëritet deri në shkatërrimin përfundimtar.

Aleatët në Perëndim.- Në këtë proces të mbijetesës biologjike dhe kulturore është me rëndësi që të gjithë evropianët mos të kategorizohen në shportën e njëjtë. Këtë dallim e ka bërë edhe Muhammedi a.s. me jomuslimanët e kohës së tij: ka dalluar jomuslimanët agresiv nga ata joagresiv. Ka edhe rreziqe, kërcënime dhe sfida të tjera. Mendoj se historikisht mundet dhe duhet hulumtuar miqtë dhe armiqtë e muslimanëve në Ballkan por edhe në botë, dhe duhet vendosur aleanca konstruktive të ndërsjella, jo të dëm të kundërshtarëve ideorë, por në mbrojtje të ekzistencës fizike dhe kulturore.

Pajtohemi dhe mendimin e Tarik Ramadanit dhe të papa Gjon Palit II-të se problemi i mirëfilltë nuk qëndron në pamundësinë e pajtimit ndërmjet islamit dhe kristianizmit, nuk qëndron në keqkuptimin ndërmjet Islamit dhe Kristianizmit, por qëndron në “frikën se shekullarizmi, ashtu çfarë është kuptuar në shoqëritë e industrializuara, do të mund të ishte vetëm emërtim, perde, pas së cilës fshehet realiteti i ateizmit dhe joreligjiozitetit.”[47]





Raportet e Bashkësive Islame zyrtare kundrejt organizatave

e lëvizjeve /pro/islame



Raportet ndërmjet Bashkësive Islame dhe lëvizjeve dhe organizatave /pro/islame janë me rëndësi të jashtëzakonshme për zgjimin islam në Ballkan. Në botën islame zgjimi islam nuk ka qenë në relacion të njëjtë me bashkësitë islame zyrtare. Institucionet zyrtare islame në botën arabo-islame kryesisht kanë qëndrim negativ ndaj organizatave të tjera islame. Kjo klimë si duket është bartur edhe në hapësirat ballkanike. Por, për dallim prej vendeve muslimane, këtu edhe institucionet zyrtare edhe ato jozyrtare janë opozitë dhe minoritet kundrejt isntitucioneve të feve tjera apo të orientimit ateist të shteteve.

Por, është i dukshëm mosdurimi ndërmjet institucioneve zyrtare të Bashkësisë Islame dhe shoqatave proislame joqeveritare. Faktorët për këtë gjendje janë të llojllojshëm, por përcaktimi ideor dhe joprofesionalizmi i disa aktivistëve të shoqatave, pastaj ngurtësia dhe shkurtëpamësia e disa personaliteteve brenda Bashkësisë Islame ka qenë shkak për marrëdhënie të çrregulluara. Aktivistët jashta Bashkësisë Islame humbin respektin për organet e Bashkësisë Islame në rastet kur nuk hasin në mirëkuptim tek ata, apo kur hasin në injorim dhe injorancë të zyrtarëve të Bashkësisë Islame. Sidomos marrëdhëniet prishen kur bëhet përzierje apo ndërhyrje e kompetencave.





Përmbyllje



Islami është /ende/ në margjina të jetës politike, shoqërore dhe kulturore në të gjitha vendet e Ballkanit. Megjithkëtë, islami në këto vende është vital, dinamik dhe paraqet një intensifikim i aktivitetit islam ndër besimtarët. Nuk mund të flitet për një riislamizim, por as për një deislamizim. Mirëpo, pas përfundimit të luftrave në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni, dhe ardhjes së të huajve si forcë ushtarake, humanitare e të tjera, morali publik ka rënë tejet çdo mase.

Është vështirë që muslimanët e Ballkanit në kohën e globalizmit të vetekzistojnë pa ndihmën e vendeve islame. Për këtë arsye, duhet më shumë solidaritet ndërmjet muslimanëve të Ballkanit dhe të botës muslimane përgjithësisht. Duhet më shumë mirëkuptim material dhe doktrinar, më tepër komunikim, dialog dhe tolerancë ndërislame. Para Bashkësive Islame të Ballkanit qëndrojnë detyra shumë të rëndësishme për shkak të diskontinuitetit historik, fragmentarizimit territorial, jounitetit doktrinar dhe moskuptimit të islamit dhe muslimanëve në këto troje nga të tjerët. Liderët fetarë në Ballkan duhet të gjejnë dhe të ofrojnë zgjidhje autoktone islame përballë sfidave të modernizmit, postmodernizmit dhe evropeizimit në vend të huazimit të reçetave të gatshme nga Lindja e mesme, nga periudha të veçanta historike apo nga grupime e individë të skajshëm. Zgjidhja duhet të jetë e studiuar mirë dhe të përfillë përvojat bazore të lëvizjeve botërore islame dhe traditën regjionale të reformizmit bashkëkohor islam. Për shkak të vendosjes gjeografike të vendeve ballkanike, duhet të përfillet edhe faktori evropian që rinia muslimane të ketë aftësi të dialogojë me kulturën dhe qytetërimin evropianë.

Krahas dobësive subjektive të muslimanëve në Ballkan, rreziku më i madh kundrejt muslimanëve vjen nga nacionalizmi dhe shovinizmi agresiv i fqinjve kristianë dhe nga fundamentalizmi shekullar antiislam i shoqërive ballkanike. Mirëpo, shansi më i mirë për muslimanët e Ballkanit është demokratizimi i regjionit dhe respektimi i të drejtave njerëzore në këtë regjion. Natyrisht, nuk duhet ushqyer iluzione të mëdha në këtë kuptim, duke e marrë parasysh disponimin antiislam qysh në fillim të mileniumit të tretë.





--------------------------------------------------------------------------------

[1] Pyetje të ngjashme shtron edhe Tarik Ramadan, njëri ndër inteektualët relativisht të rinjë muslimanë sot. Shih: Tariq Ramadan, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002, fq. 193 e pas.

[2] N. Ibrahimi, Islami në Ballkan para shekullit XV, bot. II, Prizren, 2000. N. Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar, Shkup, 2003.

[3] Thomas W. Arnold, Historia e përhapjes së islamit, Prishtinë, 2004.

[4] Numri i disa qindra xhamive dhe objekteve muslimane në Serbi për shembull gjatë kohës së osmanlinjve, dhe rrënimi i tërë atyre për një kohë të shkurtër, tregon karakterin militant dhe fundamentalist të ortodoksisë. Shih: Nexhat Ibrahimi, Islami si provokim global, Shkup, 2006.

[5] Zentrak-Institut Islam-Archiv Deutchland (SOEST) pohon se aktualisht në Evropë jetojnë 53 milionë muslimanë. Personalisht mendoj se numri prej 53 milionë është rrëgjuar së tepërmi. Sipas: Over 53 Milion Muslims live in Europe, në: http://www.emunion.org/?action=artikle&id=39.

[6] Ahmet Alibašic, Revitalizacija islama na Balkanu, në: http://www.bosanskialim.com/.

[7] Ndonëse një pjesë e autorëve boshnjakë-serbë-kroatë mendojnë se boshnjakët kanë prejardhje sllave, unë mendoj se kjo nuk qëndron. Boshnjakët kryesisht janë ilirë, dhe vetëm me ardhjen e sllavëve ka ardhur deri te përzierjet më të theksuara. Ky mendim me kalimin e kohës dhe me thellimin e studimeve historike po gjenë gjithnjë e më shumë përkrahës edhe në mesin e vetë boshnjakëve.

[8] N. Ibrahimi, Shkolla juridike hanefite …, bot. II, Prizren, 2000/1421 h.

[9] Shih kushtetutat e Bashkësive Islame të vendeve përkatëse.

[10] Shih për Bashkësinë Islame të Hungarisë: http://www.magyariszlam.hu/eng/hicnow.html.

[11] Të dhënat autori i shkrimit i ka siguruar nga kryetari i Bashkësisë Islame të Hungarisë Zoltan Bolek më 30. 03. 2006, nëpërmjet internetit: magyariszlam@freemail.hu.

[12] Atlas Islamskog svijeta, Sarajevë, 2004, fq. 578.

[13] Musulmanii din Romania, sipas: http://www.islam.ro/despre_musulmani.htm.

Edhe D. Tanaskoviq pohon se në Rumani ka muslimanë shqiptarë. Shih: Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990, fq. 300.

[14] Tarile musulmane ale lumii, Populatie si resurse, http://www.islam.ro/s-capitol-14.htm.

[15] Musulmanii din Romania, sipas: http://www.islam.ro/despre_musulmani.htm

[16] Atlas Islamskog Svijeta, op. cit., fq. 580.

[17] Enciklopedija zivih religija, op. cit., fq. 304-305.

[18] Aleksandar del Val, Islamizam i Sjedinjene drzave alijansa protiv Evrope, Beograd, 1998, fq. 205 e pas.

[19] Klerikët grekë haptazi theksojnë se “lufton për helenizmin dhe pengimin që ky vend të bëhet islamik.” Pierre Pinta, Notre Histoire, N0 101, sipas: Aleksandar del Val, op. cit., fq. 207.

[20] Greek Muslim minority, në: http://en.wikipedia.org/wiki/Greek_Muslims.

[21] Ahmet Alibašic, op. cit. Atlas Islamskog svijeta, op. cit., fq. 574-575.

[22] The Human Rights of Muslims in Bulgaria in Law and Politics since 1878 , Sofia, November 2003, BULGARIAN HELSINKI COMMITTEE, MEMBER OF THE INTERNATIONAL HELSINKI FEDERATION FOR HUMAN RIGHTS, sipas: http://www.bghelsinki.org/special/en/2003_Muslims_fm.doc.

Shih: Enciklopedija zivih religija, op. cit., fq. 303.

[23] Deri në shekullin VIII bullgarët ishin fis turk që së pari u krishterizuan e një shekull më vonë edhe u sllavizuan. Sipas: Nexhat Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare …, op. cit., fq. 15-38.

[24] Enciklopedija zivih religija, op. cit., fq. 302.

[25] http://www.photius.com/countries/bulgaria/society/bulgaria_society_islam.html. Atlas Islamskog svijeta, op. cit., fq. 573.

[26] Disa të dhëna për Shqipërinë i sigurova nga intelektuali zotëri Olsi Jazexhi nga Tirana.

[27] www.rijasetnet.ba

[28] Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në kosovë, Prishtinë, 2000.

[29] Atlas Islamskog Svijeta, op. cit., fq. 582.

[30] Disa të dhëna për Malin e Zi i kam siguruar nga zotëri Omer ef. Kajoshi, nëpunës i Bashkësisë Islame në Mal të Zi. Atlas Islamskog Svijeta, op. cit., fq. 582.

[31] Disa të dhëna janë marrë nga: http://www.islamska-zajednica.hr/medzlisi.php dhe http://www.islamska-zajednica.hr/nasi_uzori.php.

[32] Atlas Islamskog Svijeta, op. cit., fq. 580.

[33] http://www.bim.org.mk. Atlas Islamskog svijeta, op. cit., fq. 578-579.

Ndonëse kësaj Bashkësie Islame iu drejtova në e-majlin zyrtar për të dhëna të sakta (mars 2006), edhe pas shumë pritjesh, nuk arriti ndonjë njoftim. Për këtë arsye iu referova të dhënave të literaturës, që sigurisht nuk janë të freskëta.

[34] Ekzistimi i SDA-së bë Bosnjë, Sanxhak, Kosovë, pastaj i Partisë së Drejtësisë në Kosovë apo i ndonjë partie tjetër në Ballkan, të cilat në programet e tyre përkrahin edhe vlerat islame, as për së afërmi nuk mbulon nevojat politike të muslimanëve në Ballkan.

[35] Alija Izetbegovic, Islamska deklaracija. Disa botime në gjuhën boshnjake. Në gjuhën shqipe së pari është botuar me titull “Islami sot dhe nesër”, Prizren, 1990/1411 h., për t’iu shmangur ndjekjes së policisë jugosllave, kurse botimet tjera janë me titull: Deklarata islame.

[36] Deklaratat e liderëve fetarë në Kosovë, Bosnjë, Shqipëri etj., tregojnë se numri i xhamive as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e besimtarëve. Mirëpo, si niveli komunal ashtu edhe ai qendror i pushtetit, të motivuar nga shekullarizmi vullgar por edhe nga qëndrimi servil ndaj faktorit ndërkombëtar, nuk brengosen për këtë problem.

[37] Ziauddin Sardar i Zafar Abbas Malik, Islam – kratak pregled kulture i civilizacije, Sarajevë, 1426 h./2005, fq. 157.

[38] Ziauddin Sardar, op. cit., fq. 157.

[39] Ahmet Alibasic, op. cit.

[40] Muharem Omerdic, Prilozi izucavanju genocida nad bosnjacima (1992-1995), Sarajevë, 1999.

[41] Ahmet Alibašic, op. cit.

[42] Ziauddin Sardar, op. cit., fq. 165. Mendim të ngjashëm ka edhe Fazlur Rahman, ne librin e tij me titull: Duh Islama, Beograd, 1983.

[43] Ziauddin Sardar, op. cit., fq. 166.

[44] Ahmet Alibašic, op. cit.

[45] Ahmet Alibašic, op. cit.

[46] Ziauddin Sardar, op. cit., fq. 155-156.

[47] Shih: John Paul II, Encyclique, L’Evangele de la vie, … i N’ayons pas peur de la verite (Bayrad - Centurion, Paris, 1995), sipas: Tariq Ramadan, op. cit., fq. 227.



E Hënë, 17 Gusht 2009; 21:35


Kerko:

 
Ju rekomandojmë :
 
Akaid dhe Fikh Islam:
 
Të përhershme:
 
Prezantime (Powerpoint)
 
Ilahi:
» Zeriislam.com nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo teksti të autorëve «
Copyright © ZeriIslam 2005-2009
Free counter and web stats