Sami Frashëri

Është më se e sigurt se u lind më 22 Rexheb të vitit 1266 hixhrij apo sipas kalendarit gregorian, më 3 qershor 1850 . Babai i tij quhej Halid beu, i cili vdiq më 1858. Ai u përkiste bejlerëve të vegjël në rrethin e qytezës së Frashërit.
Mësimet e para Samiu i mori nga imami i fshatit, ku përveç mësimeve fetare mësoi edhe gjuhën turke, arabe dhe persiane , të cilat më vonë do t’i hyjnë në përdorim të gjerë në punën e tij të vëllimshme shkencore.
Pas vdekjes së prindërve, Avdyli, vëllai më i moshuar, mori familjen me vete në Janinë, ku punonte si nëpunës dhe bënte tregti. Ky ishte vitit 1865. Ardhja e Samiut në Janinë paraqet një mundësi më shumë për të dalë në botën e diturisë. Kështu, Samiu u regjistrua në gjimnazin Zosimea, ku vazhdoi mësimin e gjuhëve orientale te dy imamë të njohur të Janinës, pastaj e mësoi mirë kulturën greke dhe romake dhe e përvetësoi mirë gjuhën frenge. Në këtë kohë kishte përvetësuar njohuri mbi dituritë e ndryshme si nga gjeografia, historia, matematika, ostronomia, fizika, kimia, historia e natyrës, anatomia etj. Gjimnazin e mbaroi më 1871, kurse vitin vijues punoi si nëpunës në sekretarinë e Vilajetit të Janinës.
Në vitin 1872, vëllai më i ri i frashërve, Samiu shkoi në Stamboll, i cili atëherë ishte një shesh shumë i përshtatshëm për ta vënë në veprim dituritë dhe kulturën e arritur dhe rast për të arritur njohuri të reja deri atëherë të pakapshme për të. Së pari filloi të punojë në zyrën e shtypit. Më 1873 Samiu e intensifikoi punën e tij, kështu që kjo nuk i shkoi për shtati qeverisë së atëhershme, e cila më 1874 e internoi në Tripoli.
Është vështirë të përcillet jeta e Samiut në një shikim të kësaj natyre, prandaj do të përpiqemi të japim vetëm karakteristikën kryesore të aktivitetit të tij, se Samiu me veprat artistike, diturore dhe didaktike do të dalë në radhët e para të intelektualëve të kohës në Perandorinë Osmane.
Samiu filloi me shkrimin e romaneve, dramave dhe përkthimeve, pastaj vazhdoi me shkrimin e enciklopedinë Kamus’ul-a’lam (Enciklopedise Dictionnaire Universel d’Histoire e de Geographie), me 12 vëllime, fjalorët dygjuhësor turqisht-frengjisht, arabisht-turqisht, fjalorin turqisht-turqisht, disa doracakë për mësimin e arabishtes dhe turqishtes dhe të disa gramatikave të turqishtes, arabishtes dhe shqipes e të tjera.
Përveç shkrimeve të theksuara, Samiu bëri zgjedhjen e poezive të Alij ibn Ebi Talibit dhe i përktheu në turqishte. Gjithashtu, bëri përzgjedhjen antologjike të poezisë paraislame.
Më 1266 hixhrij apo 1879 greg. Në Stamboll e boitoi veprën mjaft të rëndësishme për kulturënislame me titull Medeniyeti islamiye (Qytetërimi islam). Kjo vepër paraqet një studim konstruktiv dhe shkencor të rrallë të asaj kohe.
Në vitin 1885 Samiu botoi trajtesën me titull: Himmet’ul-himami fi neshr’il-islam (Pëpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit), të shkruar në gjuhën arabe, me një gjuhë të rrjedhshme e të qartë. Në këtë vepër autori tregon rrugët e përhapjes së Islamit nëpër botë, shtron faktorët që ndikuan në përhapje e të tjera. Pasi që këtët vepër të vogël për nga vëllimi, por të vlefshme, po ua prezantojmë të përkthyer në gjuhën shqipe, nuk do të flasim më gjerësisht.
Sipas disa të dhënave, Samiu është marrë edhe me përkthimin e Kur’anit në gjuhën turke, mirëpo nuk ka të dhëna për botimin e tij.
Puna e tij e mundimshme, kushtet e vështira të jetës bënë që Samiu të lëngojë nga reumatizma, nga e cila edhe vdiq të shtunën me 5 qershor të vitit 1904, në Samboll, pas një pune të gjallë dhe mjaft produktive, por edhe mjaft i ri e në vlug të punës.
Këto pak rreshta po i përfundojmë me mendimin se “Sami Frashëri ështe quajtur njeriu më punëtor në Perandorinë Osmane”, kurse një autor turk shkruan: ”Punën që duhet ta bënte një grup njerëzish, një institucion ose disa institucione të organizuara, doli dhe e bëri një Sami ....”. Konsiderojmë se me këtë u tha krejt ajo që mund të thuhet për një intelektual të kalibrit botëror. Allahu e shpërbleftë nga thesari i Tij i pashterrshëm.
A m i n!

Prizren, 1989

_______________________________
Zymber Hasan Bakiu, Bibliografi e zgjeruar e veprave të Sami Frashërit, në; Sami Frashëri, Vepra, 8, Prishtinë, 1984, fq. 13-14.
Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi, III, Prishtinë, 1986, fq. 313.
Dhimitër Shuteriqi, Historia e letërsisë shqipe, botimi VI, Prishtinë, 1979, fq. 129.
Rexhep Qosja, po aty, fq. 313. Krhs.: Dh. Shuteriqi, po aty, fq. 129.
Zyber Hasan bakiu, po aty, fq. 7.
Dh. Shuteriqi, po aty, fq. 129.
Mbase në këtë vend e shkroi dramën Besa. Shih: Dh. Shuteriqi, po aty, fq. 130.
Rexhep Qosja, po aty, fq. 314.
Rreth kësaj çështje shih: Zymber Hasan Bakiu, po aty, fq. 149-162.
Lidhur me këtë shih: Fipil Hiti, Istorija arapa, bot. II fototip, Sarajevo, 1988, fq. 750 dhe Tomas W. Arnold, Historia e përhapjes së Islamit, botimi sheip, Prishtinë, 2004.
Rexhep Qosja, po aty, fq. 315; Zymber Hasan Bakiu, po aty, fq. 73.
Feti Mehdiu, Kamus a;’a’lam i Sami Frashërit, në: Sami Frashëri, Vepra 7, Prishrtinë, 1984, fq. 10, fusnota 9.

P.S.: Teksti është botuar si Parathënie në librin: Sami Frashëri, Përhapja e Islamizmit, Prizren, 1410/1989, fq. 5-7.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme