Kronika (Menakib) e Tahir Efendisë

Pjesë nga Kronika (Menakib-i) e Tahir Efendisë:



Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Shumëmëshiruesit!

…………………………………………







Biografia e Mustafë Karabash Efendiut

dhe e Kara-Mahmud pashës



Dhe prej tyre Mustafë Karabashi (Kryeziu) ka qenë misterioz,

prej (kohës së) pushtimit që ka rënë dëshmor në qytetin tonë.

Derisa një rob lufte e pa ëndërr në Maltë,

se kishte qenë farkëtar dhe farkëtonte varret tona.

“Po të jesh besimtar i devotshëm që ta lajmërosh valiun

që ta nxjerrë nga ky vend famën tonë.

Të shpëtoftë (shpirtin) Zotynë me kënaqësi e butësi,

dhe shkofsh në qytetin tënd me sekretin e Zotit tonë”.

Dhe kur e përmbushi premtimin e erdhi te porta e tij (e valiut),

qe tepër i etur, sytë (e qytetarëve) tanë e patën parë.

Pikërisht prandaj një vend quhet “Malta çeshme” (Kroi i Maltës)

dhe ky shkrim ka qenë në varrin e zotërisë sonë (Karabash Efendiut).

Dhe siç është treguar, vërtet e kanë gjetur (kufomën) si ka qenë,

një shumicë njerësish nga fqinjët tanë e kanë nxjerrë (nga varri).

Kurse shkrimin nga varri e ka marrë bisha (vandalisti),

kur pat sunduar Kara Mahmudi në qytetin tonë[1].

Flet vetë krahasimi i varrit të tij,

se vërtet na ka ardhur një flakareshë nga Zoti në fytyrat tona.

I shkatërruar qoftë së shpejti, ka thënë ai,

dhe po atë vit nga Zotynë i pat ardhur shkatërrimi.

Meqë kishte shkruar në luftë me malësorët e vet,

dhe ka vdekur i poshtëruar siç kishte poshtëruar tanët.







Përshkrimi i disa tiranëve



Kush ka synuar tiraninë në Prizren – e ka jetuar,

nga Zotynë e ka gjetur fundin e shëmtuar.

Ka qenë një vali tiran që prishte agjërimin,

u ka thënë dijetarëve të mëdhenj: Ejani të lejojmë mosagjërimin.

Ata i kanë thënë: Ta shpagoftë Zoti, e Ai është shpagues i drejtë,

dhe kjo ka qenë si fjala e fukahave (juristëve islamë).

Në të perënduar të diellit ja atij i erdhi një shigjetë,

dhe hyri ajo në gojën e tij siç i qe drejtuar.

Vrasësi i tij nuk e kuptoi se si ndodhi kjo,

dukej sikur ai ishte vrarë vërtet nga Zotynë.







Biografia e Reis efendiut i varrosur në namazxhah



Dhe prej tyre është hoxhë Reisi për të cilin ka gjera të pabesueshme,

ka qenë mësues i akaidit i zotërisë sonë.

Ishte sëmurur para se të përfundonin mësimet,

dhe i kishte porositur (nxënësit) t’i shkonin te varri për një mësim.

Kur doli nga kjo botë, i shkuan ata te varri,

rrinin rreth tij si kërkues të diturisë.

Kishin hapur librat e tyre ku e kishin mësimin,

dDhe u zbulohej mësimi nga frymëzimi i Zotit.

Kur përfunduan atë që kishin për të mësuar,

më pastaj nuk ndodhte zbulimi rreth reisit.

Zoti i ka sheshuar mrejkylli njeriut,

me bamirësinë e besimit e me drejtësinë e Pejgamberit tonë.

Ky është një i vogël yni në krahasim me të tjerët,

por shumë e kanë përhapur këtë ndodhi në qytetin tonë.







Biografia e zotërisë sonë hoxhë Budak Samarkandiu –

iu shenjtëroftë sekreti dhe përshkrimi i vënies së minderit



Dhe prej tyre është hoxhë Budaku që ka ndërtuar një xhami të pajisur

në skajin më të largët të Rumelisë – në Prizrenin tonë.

Ai kishte kaluar të njëqindtat dhe ishte në gjendje të tillë,

ishte më i rraskapituri nga të gjithë pleqtë tanë.

Në vitin gafur (1286/1869) MU SHFAQ SHENJA Në Ëndërr,

të ndërtoj një minder në xhaminë e zotërisë sonë (Budakut)

I buti (Zoti) na e lehtësoi dhe na e përshtati atë (ndërtimin),

dhe me lejen e imamit e vendosa (minderin).

E bëmë hatib aty djalin tonë Riza,

falej me njerëzit që ishin aty përreth.

O Zot, plotësoja qëllimin atij që ndërtoi (minderin),

sa kohë që të falen bajramet dhe xhumatë tek ne.







Biografia e Mehmed pashës djalit të Bali beut i biri i Mallkoç beut – Allahu ua mëshiroftë sekretin



Do t’i përmendim paksa vakëflënësit,

sipas asaj që kanë treguar paraardhësit e paraardhësve tanë.

Pushtuesi i Budimit pat ndërtuar xhaminë më impozante,

i shëmbëllen Bejt’ul-Kudsit, na i ngazëllen zemrat tona.[2]

Në kohën e pushtimit (të Budimit) ka qenë mîr (bej) i nderuar,

pastaj është bërë vezir në mesin tonë.

Thonë se Mehmedi i Baliut ka sunduar,

në të gjitha viset rreth nesh deri në Budim.

Ka ndërtuar dhe një medrese pranë xhamisë së vet,

dhe e ka gjallëruar me shumë vakëfe në vendin tonë.







Biografia e Mehmed beut – vali që nga qyteti i Shkodrës

në perëndim e deri në Bosnjë në veri



Quhet Mehmet Beg me ofiqin Kukli,

Ka ndërtuar xhaminë më të këndshme në qytetin tonë.[3]1

E ka gjallëruar atë me plot vakëfe të pasura,

Që zgjerojnë furnizimet e nëpunësve tek ne.[4]2

Është bërë vali prej Selanikut deri në Bosnje,

Sundonte dhe njerëzit i nënshtroheshin si robër.

Fëmijët i vdiqën sa ishte vetë gjallë,

Ndaj robërve ka treguar butësi siç e tregojnë ndaj fëmijëve tanë.

Njëra lidhje e tij (prejardhja nga njëri prind) shpie në lidhje sulltanore,

Por nuk ka la pasardhës që ta sqaronin këtë lidhje.







Biografia e Ibrahim bej Begzades

– iu shenjtëroftë sekreti



Atabeu i tij (i Kuklit) Begzadeja ishte person emigrant,

Ai ndërtoi xhaminë më të pashme përposhtë shtëpive tona.

Zoti i ka dhënë pasardhës që (edhe sot) gjenden),

Tani atyre u thonë ‘begollarë’ në qytetin tonë.

Dhe, siç do të sqarohet, vjershëtori ka prejardhje prej tij nga nëna.

Siç flasin regjistrat e gjyshit të Sheriastit tonë.

Gjyshi i nënës sime ka qenë Sejdi Ahmet pasha,

Mareshal i bindur dhe kryeadmiral i flotës sonë detare.

Kur u bë Qypërliu sadriazem,

Atë e bëri vali dhe kryekomandant për Bosnjën.

Edhe djali i tij, Mehmet pasha, qe bërë valiu ynë,

Atij i thoshin ‘Barut pasha’ në vendin tonë.

Qe martuar me një grua nga pasardhësit e Begzades,

Prej saj pat lindur gjyshja ime – nëna e gjyshit tim,

Emrin e ka pasur Ajshe dhe ka qenë shumë e pasur,

Me të është martuar Sinan beu – babai i tim gjyshi.[5]







Biografia e Terzi Memishit, haxhi Kasimit, Iljaz Kukës,

e dhëndrit të Mehmet beut dhe e bijës së tij



Edhe rrobaqepësi i tij (i Kukliut) ka ndërtuar po ashtu një xhami

tek ne, atij i thoshin haxhi Kasim në vendin tonë.

Edhe dhëndri i tij e furnizoi gjysmën e qytetit me kanate uji,

Kurse gjysmën tjetër e bija me ujë të kulluar e të ftohtë.

Nga të gjitha përpjekjet e tij janë gjetur vetëm disa,

Megjithëse përshpirtdhurimet e tij qenë shumë në qytetin tonë.







Historiku i xhamisë së Sofi Sinan-pashës

- iu shenjëroftë sekreti



I thonë Sinan pasha e prejardhjen e ka nga Vila,

Është bërë zëvendës i sadriazemit të mbretit.

Ka ndërtuar një xhami; me të s’ka në trojet tona.[6]6,

Një (xhami) e ngjashme është në Edrene kanë thënë të ngriturit tanë.

Pseudonimi i tij ishte Sofi; me të përmendet biografia e tij,

Kurse ai (adashi) që ka pushtuar Jemenin është një tjetër si pason.

Në Konstantinopol ka pasur një xhami,

Dhe një medrese për të mësuar nxënësit.

Në të nxënësit përsoseshin gjithanëshmërisht,

Dhe s’ka pasur vakëfe siç kanë qenë në qytetin tonë.

Përveç një shehshi të gjerë afër xhamisë,

Prej bjeshkës e deri ku takohet me lumin.

Prejardhja e tij është si u dëgjua (më sipër),

Dhe për të janë përhapur fjalë të ndryshme në vendin tonë.





Historiku i xhamisë së zotëriut tonë myderriz Ali efendiut

- iu shenjtëroftë sekreti



Edhe zotëri myderrizi që i thoshin Ali hoxha,

Ka ndërtuar gjithashtu një xhami në mes të qytetit tonë.

Është transmetuar se ai ka komentuar Bejdaviun,

Varri i tij te xhamia e tij në mes nesh.





Historiku i xhamisë së Jakupit,

birit të Gazi-Evrenosit

Edhe Jakup beu ka ndërtuar një faltore për tregun e tij,
Për t’u falur e lutur njerëzit që ia mësojnë tregut.

Këtij tregu tani i thonë Arasta,

Sepse ka qenë i renovuar me tregjet e qytetit tonë.

Është shkatërruar e renovuar disa herë,

Siç e kanë renovuar (edhe) tash disa banorë.







Biografia e zotërisë sonë Suzi

– Allahu ia shenjtëroftë sekretin dhe xhaminë e tij



Edhe i nderuari ynë Suzi ka ndërtuar një xhami të vetme,

dhe kjo ka ndodhur pas të nëntëqindave.

Dhe e ka gjallëruar me vakëfe sidomos me toka,

që kishte blerë nga thesari i mbretit.

Deri më tash një e treta (e saj) ishte përherë e myezinit,

e pjesa tjetër e imamit, kështu kemi vepruar.

Ka vakëfuar një pronë për bukëpjekësin e tij në afërsi të xhamisë,

dhe shtëpinë e vet, po ashtu, aty afër.

Ajo kishte pjesën e epërme, e pjesa e poshtme ka qenë mekte,

Ymer beu e ka rinovuar dhe i ka ngritur minaren.







Historiku i xhamisë së Ahmet beut –

robit të liruar të Mehmet beut



Haxhi Mustafa personalisht ka ndërtuar një xhami,

afër “tabakhanes” në Perëndim të qytetit tonë.

E ka rinovuar Ahmed beu duke i ngritur minaren,

dhe ka nxjerrë lejen për të emëruar hatibin.







Historiku i xhamisë së terxhuman Iskender Subashit



I thoshin terxhuman Iskender një personi

që po ashtu kishte ndërtuar një xhami në lindje të qytetit

Dhe disa banorë pas tij i kanë ngritur

minaren që bën të dëgjohet zëri i thirrësit.







Historiku i xhamisë së qatip Sinanit



Po ashtu edhe një person që i thoshin qatip Sinan,

ka ngritur një xhami në lindje të qytetit.

Kjo është shkatërruar e rinovuar më se një herë,

rinovuesin e ka krijuar vërtet ndihma e Zotit tonë.







Historiku i xhamisë së Çuhaxhi Mahmudit

– Zoti e mëshiroftë



Atë e quanin Çuhaxhi Mahmud në qytetin tonë,

ka ndërtuar po ashtu një xhami në pjesën kryesore të qytetit.

Është shkatërruar më se njëherë, Allahu ia lehtësoftë,

edhe ajo është rinovuar nga bujaria e qytetarëve tanë.







Historiku i xhamisë Çor-aga dhe haxhi Ramadan

- Allahu i mëshiroftë



I thoshin Çor-aga dhe haxhi Ramadan po ashtu,

ka ndërtuar gjithashtu një xhami në mes të qytetit tonë.

Sa herë kishte nevojë për meremetim, e meremetonin banorët tanë,

ajo ka qenë e ruajtur falë kujdesit të qytetarëve tanë.







Historiku i xhamisë së re dhe biografia e zotërisë sonë

- Xhafer efendiu – iu mëshiroftë sekreti



I thoshin Dervish Çelebi një personi,

që ka ngritur një xhami në pjesën kryesore të qytetit tonë,

Edhe këtë si të tjerat e meremetonin banorët tanë,

i thoshin xhamia e Mahallës së Re.

Pranë saj është varrosur Xhafer efendiu,

dhe ka rënë dëshmor në luftë kur kam lindur unë.







Biografia e valiut të Egjiptit Maksut pasha,

martirizimi i tij dhe xhamia e tij



Tre vallezër viganë që kanë realizuar vepra të mira,

rrjedhin nga familjet më të vjetra aristokrate të vendlindjes sonë.

I pari prej tyre Maksut pasha, ka qenë dijetar,

që e veçoi sadriazemi nga të gjithë viganët tanë.

Fillimisht e bëri vali në Kars e më pastaj

e bëri vali në Egjipt, ku u mirëprit nga populli.

Vërtet ka thënë sadriazemi ynë: Ky është më meritor se unë,

kishte vendosur ta bënte shpejtë ndihmëssadriazem.

Por kur erdhi në pushtet sadriazemi i ardhshëm, iu frikësua atij

dhe e martirizoi, ç’katastrofë kjo për popullin tonë!

Sepse ne nga interesi shkatërrohemi marrëzisht,

Zoti na përmirësoftë për hatër të të dashurit (Pejgamberit ) tonë.

Ka ndërtuar një xhami tek ne, të këndshme, të zbukuruar,

dhe e ka gjallëruar me shumë vakëfe në qytetin tonë.

Ndërtuesi kishte urdhëruar që ajo të bëhej si e Sinan pashës,

por kur erdhi vali në qytetin tonë,

Ajo që më parë ka qenë xhami pa minber,

e ka ndërtuar Hasan Çelebiu që rrjedh nga vendi ynë.







Biografia e mrekullibërësit Sejdi beu

- iu shenjtëroftë sekreti



I dyti prej tyre Sejdi beu ka ndërtuar një xhami tek ne,

(aty) falen përherë të gjitha kohët e namazit.

Sejdi beu ka ndërtuar po ashtu një faltore në Kurillë,

Dervish beu e ka rinovuar dhe ka vënë hatibin.







Biografia e shenjtërisë së tij zotërisë sonë Kasim

- Allahu iu shenjtëroftë sekretet



Dhe i treti – Kasim beu ka bërë ujësjellësin prej lumit,

për se kishin nevojë banorët tanë.

E dhuroi dhe nuk u pa më,

kur uji arriti në pikën më të largët që synohej.







Biografia e Sinan pashës – sadriazem, luftëtar

dhe pushtues i Jemenit - Allahu e mëshiroftë



I thoshin Sinan pasha me prejardhje nga Topojani,

ai ka pushtuar Jemenin dhe ka gëzuar trojet tona.

Fshati i tij ishte ngushtë me jetesë,

prandaj janë shpërngulur banorët e trojeve tona.

Ai me cilësitë e veta ka qenë i edukuar e dinjitoz,

dhe pat hyrë në radhët e ushtrisë së mbretit.

Qe dërguar në Persi që të vendoste paqe për një çështje,

Dhe qe i suksesshëm në përfundimin e saj.

Falë kësaj u bë pushtetar zulmëmadh në Kars

Dhe pastaj qe avancuar derisa arriti (të bëhej vali ) në Siri.

U bë vali në Kajro të Egjiptit,

Dhe nuk është lavdëruar për rregullimin e pushtetit atje.

Nga Egjipti

...................................................................................

_____________________________

Përkthimin e veprës në gjuhës shqipe e bëri Nehat Krasniqi. (Shënimi sipas: Edukata Islame, nr. 57, 1995, Prishtinë, fq. 59 – 76).

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Viti I luftës së Kara Mahmud pashës është 1209 h./1795.
[2] Viti I ndërtimit të xhamisë është 904 h./ 1498-1499.
[3] Viti i ndërtimit të xhamisë është 941 h./1534-1535.
[4] Viti i vdekjes është 963h./1556.
[5] Është quajtur edhe Siddike (e drejtë).
[6] Viti i ndërtimit të xhamisë është ‘Mitha-i xhennet’ 1024 (1615).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme