Sofi Sinan Pasha Dhe xhamia e tij në Prizren

Dr. Hasan Kaleshi


Sofi Sinan Pasha Dhe xhamia

e tij në Prizren


Zëri islam, Prizren, 2000


Titulli i origjinalit:

Dr Hasan Kaleshi

Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Prishtina, 1972, fq. 257 - 264.

Përktheu: Nexhat Ibrahimi

Botimin e rekomandojnë
Miftar Ajdini, Ali Vezaj, Hasan Salihu, Idris Sertollaj, Abdullah Hoxha, Naser Kastrati, Zaim Qafleshi, Nail Skenderi, Vahidin Behluli, Fejzullah Shatri

Lektor: Ali Vezaj


Botues: Bashkësia islame Prizren

Botim intern

Botimi i parë

Design: Studio Ymer Prizreni, Prizren

Prizren, 2000


Disa fjalë rreth këtij botimi


Që nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XIX e deri në ditët e sotme, Sofi Sinan Pasha dhe xhamia e tij në Prizren kanë qenë dhe janë, në kontinuitet, në qendër të vëmendjes, si të shkencëtarëve të profileve të ndryshëm, ashtu edhe të gazetarëve dhe të politikës ditore. Ndonëse është shkruar, pothuaj, më tepër se për çdo personalitet, përkatësisht më tepër se për çdo xhami tjetër, edhe sot e kësaj dite ende nuk janë sqaruar shumë gjera. Përpjekjet e deritashme (thuajse rregullisht të shkruara me qëllime të caktuara fetaro-politike pansllaviste) më tepër u gjasojnë gojëdhënave që i dëgjojmë nga nënëloket tona si fëmijë.

Një hap më tej në ndriçimin e këtij problemi ka ecur I. Jastrebovi, mirëpo, zëri i tij ka mbetur i padëgjuar nga zhurma e zhurnalistikës së politikës ditore. Kjo po ngjanë edhe në ditët tona, kur me fuqinë e shkencës së forcës e të dhunës, politika ditore na "vërteton" se xhamia e Sinan Pashës është ndërtuar nga materiali ndërtimor i kishës (atëherë në gërmadha) të Arkangjelit. Në pajtim me këtë, sipas tyre, tash, katër shekuj më vonë, duhet ndërmarrë rrënimin e xhamisë, kurse ata gurë të kishës t'i kthehen kishës. Ky ka qenë dhe është synimi parësor i tyre. Sa është humane dhe qytetëruese një fushatë e këtillë nuk do koment.

Bashkësia islame e Prizrenit me qëllim që këtë çështje ta heq nga domeni i "shtypit të verdhë" e ta vë në tryezën e shkencëtarëve: historianëve, historianëve të artit, arkeologëve, etnologëve, arkitektëve, teologëve etj.) disa herë ka apeluar botërisht te ekspertët që këtë çështje ta studiojnë në mënyrë të mirëfilltë, mirëpo, deri tash nuk ka hasur në mirëkuptim.

Të nxitur nga kjo gjendje, e në mungesë të ndonjë studimi monografik përkatës, iu përveshëm punës në përkthimin, përgatitjen dhe botimin e këtij shkrimi të dr. Hasan Kaleshit (të shkëputur nga vepra e tij "Dokumentet më të vjetra vakufore në gjuhën arabe në Jugosllavi", Prishtinë, 1972).

Kemi bindjen se ky shkrim do të kontribuojë në ndriçimin e shumë çështjeve rreth personalitetit të Sinan Pashës dhe xhamisë së tij, por edhe do t'i nxisë kompetentët e sotëm që objekteve të kulturës e qytetërimit islam në Kosovë e më gjerë t'u qasen pa paragjykime, konstruktivisht dhe gjithanshëm. Këtë ia kemi borxh të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. All-llahu na ndihmoftë!



Prizren,

03 Ramazan 1411 / 19. 03. 1991

N. Ibrahimi





E vërteta rreth Sofi Sinan-pashës dhe xhamisë së tij në Prizren



Hyrje


Në Kosovë ekzistojnë dy xhami, që mbajnë emrin "Xhamia e Sinan Pashës" - njëra në Prizren, më e madhe dhe më e njohur, kurse tjetra në Kaçanik, më e vogël dhe më rrallë e përmendur. Duke e marrë parasysh se në pyetje janë dy objekte mjaft të rëndësishme të arkitekturës islame në Kosovë, e pasi që ndërtuesit e tyre kanë luajtur rol me rëndësi në historinë e Turqisë - ndërtuesi i xhamisë së Kaçanikut ka qenë Koxha Sinan - Pasha, vezir i madh, kurse i asaj në Prizren Sofi Sinan-pasha[1]), beglerbeg i Budimit. Për këta në historiografinë tonë, e madje edhe në shtyp është shkruar mjaft. Mirëpo, rreth tyre është krijuar huti e atillë, ashtu që janë ngatërruar faktet historike dhe legjendat sa që edhe sot nuk dihet për cilin është fjala, e madje është shkuar deri atje sa që ndërtimi i një xhamie t'i përshkruhet tjetrit, apo që të dytë të merren si personalitet identik. Për këtë shkak kam konsideruar se është e nevojshme që këtë pyetje ta ndriçoj, sidomos pasi kam ardhur deri te disa shënime të reja, deri tash të panjohura ose të shmangura në shkencë, e sidomos për atë shkak që më ka ardhur në dorë vakufnameja e Koxha Sinan -pashës* (Shih tërësinë e librit të Hasan Kaleshit, veçan faqet 257 e deri në fund të kaptinës, Vërejtje e N. I.)

Rrallë herë për ndonjë xhami dhe ndërtuesin e saj ka pasur aq legjenda, tregime dhe mendime të kundërta sikur për Sinan Pashën dhe xhaminë e tij në Prizren, e edhe për atë në Kaçanik. Udhëpërshkruesit e ndryshëm, diplomatët, historianët, hulumtuesit e rrethanave kulturore dhe kishtare, e edhe gazetarët, duke filluar nga vitet e pesëdhjeta të shekullit të kaluar e deri më sot, kanë shkruar, e edhe sot shkruajnë për Sinan Pashën dhe vakufet e tij në Prizren. Por, as deri sot personaliteti i tij në tërësi nuk është ndriçuar. Vetëm Jastrebovi ka bërë përpjekje serioze që ta ndriçojë këtë çështje[2]), ndonëse jo me një objektivitet të plotë. Por, duket se shumë suksese pozitive të tij në thyerjen e legjendave kanë mbetur edhe më tej mjaft të pavërejtura, e sot edhe të harruara, që mund të konkludohet edhe nga shkrimet më të reja mbi këtë temë. [3])

Kush është ky Sinan Pashai për të cilin janë krijuar aq legjenda dhe si erdhi deri te ajo që rreth tij të krijohet rrëmujë e tërë? Sipas mendimit tim shkakun së pari duhet kërkuar në atë që në kohën e njëjtë kanë jetuar dy Sinan Pasha‚ të lindur në Lumë, në Shqipëri, prej të cilëve njëri disa vjet më i vjetër, ka qenë pesë herë vezir i madh dhe pesë herë serdar (komandant suprem i ushtrisë), dhe e ka lënë nën hije namin e këtij Sinan Pashës tjetër, ndërtuesit të vërtetë të xhamisë së Prizrenit, por jo edhe të Kaçanikut, i cili ka qenë vetëm beglerbeg dhe anëtar i divanit në rang të vezirit.





Jeta dhe vepra e Sofi Sinan-pashës



Sinan Pasha, i quajtur edhe Sofi Sinan Pasha, është i lindur në fshatin Vilë në Lumë, Shqipëri [4]), që i takonte Sanxhakut të Prizrenit. Për këtë shprehimisht flet Kronika e Tahirit, që ruhet në zyren e Bashkësisë islame në Prizren.[5]) Jastrebovi, gjithashtu, krejtësisht drejt konsideron se fshati Vilë është vendi i tij i lindjes [6]), e duke u mbështetur në të edhe P. Kostiqi. [7]) Me prejardhje është shqiptar. Si ka arritur në Stamboll, nuk na është e njohur, por nuk duhet përjashtuar mundësinë se është caktuar si devshirme. Detyra e parë e madhe për të ka qenë pozita e agës së Stambollit, e më vonë e sekban-bashës [8]). Sipas Zambaurit [9]) ai në vitin 997 (fillon më 20. 11. 1588) për herë të parë ka qenë beglerbeg i Budimit, deri sa sipas Surejës [10]), pasi është larguar nga pozita e sekban-bashës, është emëruar në vitin 998 (fillon më 10. 11. 1589) për mirahor të dytë, e pastaj për kol-çehajë, kurse tek më 1003 (1594) e fitoi pozitën e beglerbegut në Kairo. Por, është e sigurtë se ai më 1003 ka qenë beglerbeg i Budimit. Përveç Zambaurit, këtë e konfirmon edhe Naima, sipas të cilit në fillim të muajit dhu-l-hixhxhe 1003 (fillon më 07. 08. 1594), Mehmed-pasha, i biri i Koxha Sinan-pashës, në cilësi të serdarit të ushtrisë turke dhe beglerbegu i Budimit Sofi Sinan-pasha, ai i Temishvarit Mihalixhli Ahmed-pasha, i Sigetvarit Terjaki Hasan-pasha, i Halepit Mahmud pasha dhe i Janikës Osman-pasha, me 10.000 ushtarë arritën në Ostrogon. Ata u vendosën përballë armikut, kurse ditëve vijuese është zhvilluar beteja me kthesa të papritura. Ushtrinë turke personalisht e ka udhëhequr Koxha Sinan-pasha. [11]) Atëherë, d.m.th. me fillimin e muajit Safer 1004 (fillon më 06. 09. 1595). Turqit e humbën Ostrogonin dhe për këtë shkak është ndërruar Koxha Sinan-pasha. [12]) Në vitin 1005 (fillon më 25. 08. 1596) Sofi Sinan-pashën e gjejmë si beglerbeg të Jegrit. Kah gjysma e Muharremit të vitit 1007 (fillon më 04. 08. 1598), me rastin e një transferimi të beglerëve, Sofi Sinan-pasha nga Jegri është transferuar për beglerbeg të ejaletit anadollak. [13]) Por të gjitha gjasat janë se atje nuk ka shkuar. Dy muaj pas këtij transferimi Turqit e rrethuan Varadin. Që ta pushtojnë atë, kishin nevojë për më shumë topa, sepse kishin vetëm tre sosh. Për këtë shkak i është dhënë fermani Sofi Sinan-pashës, beglerbegut të Jegrit, që t'i bashkangjitet ushtrisë dhe me vete nga Jegri t'i marrë dhjetë topa me tërë municionin. Mirëpo, kjo ndihmë nga Jegri nuk arriti me kohë, dhe Turqit e lëshuan rrethimin e Varadit dhe për shkak të mbrojtjes së Budimit, u nisën në drejtim të Selnukit. Pati rënë shi plotë 40 ditë, urat dhe rrugët u patën rrënuar, kurse topat u ngulitën në baltë. Topat i kanë transferuar përtej lumenjve duke i tërhequr me pallamare. Beglerbegu i Dijar Bekirit Koxha Murat-pasha, beglerbegu i Halebit Mahmud-pasha dhe Sofi Sinan-pasha janë futur vetë në zgjedhë dhe i tërhiqnin topat. [14])

Nuk na është e njohur se çfarë aftësi tregoi Sofi Sinan-pasha në këto luftëra në Hungari dhe si beglerbeg i Jegrit. Por, pas pushtimit të Kanjizhës serdari i ushtrisë turke e dërgoi beglerbegun boshnjak Dervish-pashën ta ruajë Jegrin, kurse beglerbegi i atjeshëm Sofi Sinan-pasha u emërua për beglerbeg të Bosnjes. Në këtë detyrë ka mbetur vetëm disa muaj, sepse e ka zëvendësuar Tahir Mehmed-pasha. [15])

Sipas "Sicill-i Osmani", ai më 1010 (fillon më 02. 07. 1601) është hequr nga pozita e beglerbegut, por të gjitha gjasat janë se më tej ka mbetur në pozita të larta në lidhje me luftërat në Hungari. Në Safer të vitit 1011 (fillon më 21. 07. 1602), pas pushtimit të Stoni Beogradit, serdari i ushtrisë turke, Jemishxhi Hasan-pasha, [16]) duke pasur për qëllim të nisen për Erdelje, arriti në Budim. Ushtria armike gjendej në vendin Xhigerdelen, karshi Ostrogonit, dhe e rrezikonte Budimin. Atëherë Sofi Sinan-pasha qe emëruar për komandant kryesor (bashbug) për shkak të mbrojtjes së Budimit. [17]) Në muajin Muharrem 1012 (fillon më 11. 06. 1603), Sofi Sinan-pashës i është dhënë grada e vezirit dhe u ftua në Stamboll. Por, ai këtë pozitë nuk e kishte deri në Ramazan të të njëjtit vit (shkurt 1604), kur me rastin e një transferimi iu urdhërua të vijë në divan si vezir i divanit (vezir-i kubbe neshin).[18]) Kur në fillim të vitit 1013 (fillon me 13. 05. 1604), veziri i madh Ali-pasha u nisë për Beograd në luftë kundër Austrianëve, Sofi Sinan-pashën e emëroi për kajmekam, d.m.th. për zëvendës të vetin. Mirëpo, së shpejti u hoq nga kjo pozitë, por sërish u emërua kur u ekzekutua Saturxhi Mustafa-pasha. Shkaku i ndërrimit të tij nga kjo pozitë nuk na është i njohur, ndonëse Jastrebovi, të dhënat e të cilit duhet pranuar me rezervë, [19]) mendon se kjo është për shkak të dyshimit se ka mbajtur lidhje me kryengritësit në Azi. [20])

Për periudhën e mëvonshme të jetës dhe shërbimit të Sofi Sinan-pashës kemi gjithnjë e më pak të dhëna. Sipas Sicill-i Osmani ai është liruar nga detyra për shkak të sëmundjes. Sipas Zambaurit më 1016 (fillon më 28. 04. 1607) është emëruar për beglerbeg të Bosnjes, por për këtë nuk kemi ndonjë dëshmi tjetër. Sa ka qëndruar në Bosnje nuk e dimë, por gjithsesi jo më shumë se një vit, sepse më 1017 (fillon më 17. 04. 1608) është emëruar vali i Damaskut. [21]) Që atëherë i humbet çdo gjurmë. Sipas Sicill-i Osmani, ai të njëjtin vit (1017) ka vdekur në Damask, por kjo do të jetë e pamundur, sepse ndërtimi i xhamisë së tij në Prizren është kryer shtatë vjet më vonë. Nuk kemi kurrfarë arsyera që të besojmë se xhamia është ndërtuar pas vdekjes së tij. Sipas Jastrebovit, ka vdekur në rrugë për Stamboll, në vitin 1615. Eshtë varrosur nja njëmijë hapa prej Galipolit, në vendin Tophane, ku gjendet një tyrbe. [22])

Të shohim tash se cilat arsyera na shtyejnë që kategorikisht të pohojmë se xhaminë e Sinan-pashës në Prizren e ka ndërtuar Sofi Sinan-pasha e jo veziri i madh Koxha Sinan-pasha, sepse ajo është ndërtuar në vitin 1024 (fillon më 31. 01. 1615), kurse Koxha Sinan-pasha ka vdekur njëzet vjet më herët - 1004 (fillon më 06. 11. 1596). Viti i ndërtimit të xhamisë shihet prej kronovargut Misal-l-xhennet (E ngjashme me parajsën), i cili na jep vitin e mësipërm. Ky kronovarg, dhe vetë viti, janë të shënuar mbi mihrab. Kronovargu është dhënë edhe në Kronikën e përmendur të Tahirit. Pos kësaj, autori i Kronikës, Tahir efendiu, shprehimisht thekson se këtë xhami e ka ndërtuar Sofi Sinan-pasha. Duket se edhe në kohën e tij (rreth 1875) ka ekzistuar konfuzion rreth ndërtuesit të xhamisë, sepse duke dhënë një biografi të shkurtër të Koxha Sinan-pashës, ky thekson se ai ka lënë vakuf në Prizren, por se "nuk ka ndërtuar vepër bamirësie në qytetin tonë". Dhe më në fund, në dokumentet zyrtare turke kjo xhami është e njohur vetëm si xhami e Sofi Sinan-pashës. Kështu, në dokumentin nr. 43 nga viti 1281 (fillon më 06. 06. 1864) të një Sixhili të Prizrenit, që gjendet në Akademinë e shkencave në Beograd, lexojmë se njëfarë Javuz Mehmed-efendiu, i cili ka qenë anëtar i Këshillit të madh të Sanxhakut të Prizrenit "e lë vakuf një medrese” të cilën ai vet e ka ndërtuar, kurse e cila gjindet përballë xhamisë së Sofi Sinan-pashës, ndërsa në dokumentin nr. 34 përmendet vakufi i xhamisë së Sofi Sinan-pashës. Kjo medrese është quajtur Medreseja e Sinan-pashës.22a)

Janë të gjitha gjasat, se gjatë ndërtimit të kësaj xhamie janë përdorur gurë të manastirit të Shën Arkangjellit. [23]) Mirëpo, shtrohet pyetja se a e ka rrënuar Sofi Sinan-pasha manastirin e Shën Arkangjellit apo jo? Shumë shkencëtarë tanë dhe disa gazetarë, duke u thirur në njëfarë legjende, pohojnë se ai e ka rrënuar atë manastir dhe ka lejuar që në vend të tij dhe me gurë të tij të ndërtohet xhamia. Kjo legjendë, përafërsisht, duket kështu:

Sinan-pasha i ka shkruar padi sulltanit se si në atë manastir fshihen banditë dhe i mbysim udhëtarët që kalojnë atypari. Për t'i argumentuar këto pohime, Sinan-pasha e fton anëtarin më autoritativ të familjes Vujiq nga fshati Llokvicë dhe dakordohet me të që për një bludë (masë prej druri) dukatë t'i tubojë nënshkrimet e fshatarëve të krishterë se si ata po kërkojnë që të rrënohet manastiri. Me të lexuar këtë, sulltani i lejon Sinan-pashës që të rrënohet manastiri. Mirëpo, Sinan-pasha nuk e mbanë fjalën dhe në vend të një blude me dukatë, Vujiqit i dërgon një bludë me mel të mbuluar me një shtresë prej dukati. Për këtë serbët qohen në kryengritje pse "e kanë shitur Shën Arkangjellin për një bludë prej meli", dhe e padisin Sinan-pashën te sulltani. Duke e parë sulltani se Sinan-pasha e ka mashtruar, i dërgon një gajtan mëndafshi me urdhëresën: "Ose ta rrënojë xhaminë, ose ta përtërijë manastirin ose të varet me gajtanin e mëndafshit, i cili për atë i është dërguar." Sinan-pasha më me dëshirë ka pranuar të varet se sa ta rrënojë bamirësinë e vet e ta përtërijë manastirin. Legjenda thotë se edhe xhamia është ndërtuar në formën çfarë e ka patur manastiri, me kupollë të thjeshtë. [24])

Sipas mendimit tonë, nga kjo legjendë një fakt gjithsesi është i saktë, e ky është se një pasha nuk ka mundur lehtë ta rrënojë një manastir aq të njohur pa lejen e pushtetit qendror. Por tjetër gjë është që nëse manastiri ka qenë i rrënuar dhe i lënë pas dore. Se i ka shërbyer manastiri destinimit të vet në atë kohë, vërtet nuk kemi kurrfarë të dhënash, kurse për atë se ka qenë i lënë pas dore dhe i rrënuar kemi. Jastrebovi thekson se manastiri në atë kohë ka qenë i rrënuar. Sipas tij edhe manastiri i Deçanit ka qenë i lënë pasdore më se dyzetë vjet, e po ashtu edhe Graçanica. Ai vazhdon: "Sofi Sinan-pasha, duke kaluar nëpër Prizren, ka menduar se do të jetë më mirë që t'i përdorë gurët për vepra të mira dhe mirë e ka ditur se të krishterët atëherë nuk kanë qenë në gjendje ta përtërijnë manastirin, nga se nuk kanë mundur ta ruajnë nga rrënimi, kupolla pati rënë, e fatkeqësitë elementare edhe më tepër e kanë dëmtuar." [25]) Nga një shkrim i vitit 1519 shihet se manastiri qysh atëherë ka filluar që materialisht të rrëzohet‚ sepse igumani i tij pati filluar t'i shesë librat e manastirit ose të vetat, ndërsa kallogjerët e tjerë përgatiteshin ta braktisin manastirin [26]), kurse Radomir Grujiqi thekson se manastiri ka filluar të shkatërrohet qysh në shekullin e XV-të. [27]) Sipas tregimit të një prizrenasi (muteveliu i xhamisë së Kukli-beut) që e ka shënuar Jastrebovi, Sinan-pasha i ka blerë gurët, sepse manastiri ka qenë i rrënuar. Sa të pavërteta ka në këto legjenda dhe në çfarë shkalle rrezikshmërie është mbështetja në to, shihet nga fakti se xhamia nuk është ndërtuar në vendin ku ka qenë manastiri dhe se Sofi Sinan-pasha fare nuk është varur, por ka vdekur me vdekje të natyrshme, se xhamia nuk është ndërtuar sipas shembullit të manastirit, por sipas një xhamie në Edrene (Turqi), siç e thekson shprehimisht autori i kronikës Tahir-efendiu.

Fakti se për ndërtimin e kësaj xhamie janë përdorur gurët e manastirit të Shën Arkangjellit i ka dhënë shkas pushtetit gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër për ta rrënuar xhaminë. Dhe vërtetë rrënimi pati filluar, u rrënua pjesa e përparme e xhamisë (hajati - tremi) e cila ka qenë e ndërtuar me tri kube. Mirëpo, atëherë u ngritën banorët e Prizrenit dhe rrënimi ndërpritet. Pas çlirimit xhamia është vendosur nën mbrojtjen e shtetit, kurse në vitin 1952 ka filluar konzervimi i saj nga ana e Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve.

... Atëherë punimet patën përfshirë fasadën dhe riparime të vogla në mbulesën e pullazit. [28]) ...

Me qëllim që të shpëtohen dorëshkrimet e vlefshme orientale të cilat gjinden në tyrbe të xhamisë së Mehmed-pashës, Enti i Prizrenit ka ndërtuar rafte të bukura dhe i ka ekspozuar dorëshkrimet më të vlefshme, duke dëshiruar që xhaminë më vonë ta shndërrojë në përmbledhje të dorëshkrimeve orientale, të cilat do të tuboheshin nga mbarë territori i Kosovës. Mirëpo, Bashkësia islame ka ngritur kontest gjyqësor duke kërkuar që të largohen dorëshkrimet dhe që përdorimi i xhamisë t'i kthehet qëllimit fillestar - të jetë faltore. Kontestin e fiton Bashkësia islame, ndonëse me gjasë krejt çështja ende nuk është hequr prej rendit të ditës. [29] (Aktualisht xhamia kryen destinimin parësor, kurse Bashkësia islame po bënë përpjekje për sigurimin e sponzorëve për finalizimin e punëve. N. I.)

------------------------------------------------------------------------------

[1]) Husref Rexhiq, Pet osmanlijskih gragjevina na Kosovu i Metohiji, Starine Kosova i Metohije, I, Prishtina, 1961, fq. 97 - 98.

[2] ) Ivan Jastrebov, Sinan-pasha i Kukli-beg, Glasnik Srpskog uçenog drushtva, XLIII, Beograd, 1876, fq. 1- 51. I. Jastrebov, Stara Srbija i Albanija, Spomenik Srpske Akademije i Nauka, XLI, II razred, Beograd, 1904, fq. 36. I. Jastrebov, Podaci za istoriju crkve, Beograd, 1875. Në të vërtetë, në të tre artikujt gjenden të dhënat e njëjta.

[3] ) Spomenici kulture, Beograd, 1951; Dushan Kostiq, Prizren stari, kapije i otvori, Politika nga 18 nëntori 1951; Dragan Vukobratoviq, U lepom starom Prizrenu, Borba nga 13.07.1951.

[4] ) Ky fshat është pothuaj dy orë ecje nga ish-fortifikata dukagjinase, afër malit Korab, jo larg fshatit Kalis. Në shekullin XIX Kalisi me fshatrat përreth, ka paraqitur nahi të veçantë në suaza të Sanxhakut të Prizrenit.

[5] ) Më gjerësisht mbi Tahir-efendinë dhe Kronikën e tij shih: Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, Gjurmime albanologjike, nr. 1, Prishtina, 1962,fq. 112-113.

[6] ) I. Jastrebov, Sinan-pasha i Kukli-beg op. cit., fq. 6.

[7] ) Petar Kostiq, Crkveni zhivot pravoslavnih Srba u Prizrenu i njegovoj okolini u XIX veku, Beograd, 1928., fq. 24.

[8] ) Mehmed Sureyya, Sicill-i Osmani, II, Istambull, 1308-1311 (1890-1893), fq. 112.

[9] ) E. de Zambaur, Manuel de Genealogie et de chronlogie pour l'histoire de l'Islam, Hannovre, 1927, fq. 168.

[10] ) Ibidem., fq. 112.

[11] ) Naima, Tarih-i Naima, I, Istambull, 1283 (1866), fq. 194. Atë që O. A. Knezheviq, (Carsko-turski namjesnici u Bosni i Hercegovini u Sinju 1887, fq. 33-34) e thekson se Sofi Sinan-pasha ka qenë beglerbeg i Bosnjes më 1006 (fillon më 14. 08. 1597) dhe ka mbetur gjashtë muaj në atë detyrë, askund nuk kemi mundur ta verifikojmë. Mirëpo, pjesa më e madhe e të dhënave që ai i vendosi është jo e saktë. Duke u nisur nga nofka e tij Sofi, Sufi, ai gabimisht pohon se është i lindur në Sofje.

[12] ) Këtë luftim të përbashkët të Sofi Sinan-pashës dhe Koxha Sinan-pashës Jastrebovi e hedhë në vitin 1008, që është e pamundur, sepse qysh katër vite më parë Koxha Sinan-pasha ka qenë i vdekur.

[13] ) Naima, op. cit., fq. 194. 14.

[14] ) Naima, op. cit., fq. 1 94. Peçeviu gjithashtu e përshkruan këtë ngjarje. Mirëpo, kjo sipas tij ka ndodhur më 1008 (fillon më 24. 07. 1599), kurse atëherë Sofi Sinan-pasha ka qenë beglerbeg i Anadollisë, në rang të vezirit.

[15] ) S. Bashagiq, Kratka uputa u proshlost Bosne i Hercegovine, Sarajevo, 1990, fq. 53. Se Sofi Sinan-pasha më 1009 (fillon më 13. 07. 1600) ka qenë beglerbeg i Bosnjes pajtohen edhe Zambauri dhe Sureyya.

[16] ) Jemishxhi Hasan-pasha. Të gjitha burimet turke pajtohen se ai është me prejardhje shqiptare. Mirëpo, prej nga është askund nuk është shënuar. E edhe në Islam Ansiklopedisi (fasc. V. s. v. Hasan Yemişci), ku është botuar deri tash artikulli më i madh dhe më studioz për të, është thënë se vendi i lindjes së tij nuk është i njohur. Mirëpo, në Kronikën e Tahir efendisë nga Prizreni (bejti 150) qëndron: Jemishxhi Hasan-pasha badas min diyarina (Jemishxhi Hasan-pasha rrjedh nga rrethi ynë). Nëse kjo është e saktë, kurse nuk kemi arsye të mos besojmë, sepse të dhënat e tij janë krejtësisht të sakta, kjo do të thotë që vendin e tij të prejardhjes do të duhej kërkuar rreth Prizrenit apo në Shqipërinë veriore. Përndryshe, këtë deri diku e konfirmojnë raportet e tij me Koxha Sinan-pashën, i cili e ka favorizuar mjaft. Për këtë gjejmë konfirmim te Peçeviu (II, 145) I cili ia zë për të madhe Koxha Sinan - pashës që ka treguar simpati të madhe ndaj Jemishxhi Hasan-pashës vetëm për atë pse ka qenë çeshnegir bashi (kujdestar i shijuesve të gjellërave), dhe këtë më 1590. Në vitin 1599, është emëruar për kapuxhi bash. Gjatë kohës së luftërave hungareze më 1002 (fillon më 27. 09. 1593), të cilat i ka udhëhequr Koxha Sinan-pasha, është ndërruar Mehmed-aga. Në këtë pozitë e emëroi Koxha Sinan-pasha. Në vitin 1004 (fillon më 14. 08. 1597) me sukses i ka zhvilluar luftërat në Detin e Kuq. Më vonë e shohim se si mjaft shpejt përparon. Në vitin 1009 (fillon më 02. 07. 1601) vdiq veziri i madh Ibrahim-pasha. Hasan-pasha bëhet vezir i madh dhe menjëherë i vazhdon luftërat kundër Hungarisë. Atëherë një kohë ka qëndruar edhe në Beograd. Prej këtu është nisur për Stoni Beograd, por nuk arriti ta pushtojë. Në vitin 1001 (fillon më 21. 06. 1602) sërish bën sulm në Stoni Beograd, të cilin më në fund e pushton. Në fund të të njëjtit vit e lë një pjesë të mirë të ushtrisë në Beograd dhe niset për Istambull që atje t'i rregullojë rrethanat, sepse u patën krijuar shqetësime, komplote dhe intriga kundër tij. Por, në vitin 1603 është ekzekutuar. Të gjithë kronistët turqë theksojnë se ka qenë mjaft kryefortë dhe hakmarrës, por theksojnë edhe meritat dhe aftësitë e tij. (Islam Ansiklopedisi, s. v. Hasan paşa Yemişci; një sërë të dhënash për të janë te Hammeri, Jorgi dhe Zinkeiseni).

[17] ) Naima, op. cit., fq. 133.

[18] ) Naima, op. cit., fq. 381; M. Surreyya, op. cit., III, fq. 112.

[19] ) Të dhënat nga Jastrebovi jo vetëm që duhet të pranohen me rezervë, por nuk duhet mbështetur edhe në citatet e veprave të shumta. Kështu, ai thotë "sipas Hammerit"‚ duke mos theksuar asgjë më shumë. Ai në punimet e tij shpesh thirret në historinë e Naimes, kurse ato të dhëna aspak nuk gjenden në libër. Ai e citon vetëm librin e tij të dytë, kurse aty nuk ka asnjë të dhënë për Sofi Sinan-pashën.

[20] ) I. Jastrebov, Sinan-pasha i Kuk1i-beg, op. cit., fq. 7.

[21] ) M. Surreya, III, op. cit.,fq. 1 12.

[22] ) I. Jastrebov, Stara Srbija i Albanija, op. cit., fq. 213.

[23] ) Salname-I Nazaret-I Ma'arif-I Umumiye, III, 1318, fq. 1512-1513.

[24] ) Manastirin e Shën Arkangjellit ka filluar ta ndërtojë Dushani në vitin 1348 dhe ia ka dedikuar vetes për varr. Manastiri është përfunduar më 1353. Në vendin ku car Dushani e ka ndërtuar legatën e vet, ka ekzistuar manastiri bizantinas, i cili e ka mbajtur emrin e njëjtë. Këtij manastiri car Dushani ia ka dedikuar rreth 50 fshatra serbe dhe dhjetë fshatra shqiptare, si edhe shtatë kisha me të gjithë njerëzit dhe pasurinë. (P. Kostiq, op. cit., fq. 121 - 123 ; I. Jastrebov, Stara Srbija i Albanija, op. cit., fq. 47 - 48).

[25] ) Shih: P. Kostiq, op. cit., fq. 121 - 123 ; D. Kostiq, op. cit., D. Vukobratoviq, op. cit.

[26] ) I. Jastrebov, op. cit., fq. 48.

[27] ) P. Kostiq, op. cit., fq. 124.

[28] ) Radomir Grujiq, Otkopavanje Svetih Arhangjella kod Prizrena, Glasnik Skopskog nauçnog drushtva, libri III/I, Shkup, 1928, fq. 239.

[29] ) Ark. D. St. (Pavlloviq), Konzervacija spomenika kulture muslimanske arhitekture, Konzervatorski ispitivaçki radovi, libri I, fq. 113.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme