Dituria Islame, pyet Nexhat Ibrahimi Përgjigjet!

* Nexhat Ibrahimi: Pyetja përfshin shumë përgjigjje, ndaj e kam vështirë të ofroj përgjigje të plotë me pak fjalë. Moskujdesi është i brendshëm dhe i jashtëm. I brendshmi jemi ne, kuadri i Bashkësisë islame, kurse në moskujdesin e jashtëm do t’i numëroja besimtarët indiferentë ndaj pasurisë së vakufit dhe organet e pushtetit. Çdo shenjë, gjurmë e krijuar nga motivet islame duhet kultivuar në mënyrën më të mirë, qofshin ato edhe nishanet e varreve. Nuk jam simpatizues i nishaneve të reja, por ato që janë krijuar më herët paraqesin vlerë kulturore dhe historike. P. sh. epitafi i Suziut dhe Nehariut në Prizren heq dilemat për prejardhjen e tyre nga se ata veten e quajnë “Zerrini” që do të thotë “Prizrenasi”, “Suzi Prizreni”, e jo sllavë, turk, anadollas, arab etj., siç do të dëshironin disa qarqe. Etj. Etj. Tentimi i disa individëve për eliminimin e tyre para disa muajve, duke rrënuar varret e këtyre dy kolosëve, paraqet përdhosje dhe mëkat edhe në aspektin islam, e edhe në aspektin historik e kulturor.

* Çka duhet të ndërmarrin Këshillat vendor dhe bashkësia islame në nivel qendror për ruajtjen e asaj që ka shpëtuar?

* Nexhat Ibrahimi: Këshillat komunal të Bashkësisë islame të Kosovës dhe Kryesia e BI të Kosovës, së pari duhet ta evidentojnë tërë trashëgiminë që ekziston. Ato që janë të nacionalizuara, duhet bërë përpjekje për denacionalizim në nivel të Kryesisë BI. Kurse ato që janë në posedim tonin, duhet rehabilituar me ndihmën e institucioneve përkatëse dhe të ekspertëve të pavarur, nga vendi apo nga jashtë. Duhet siguruar edhe mjete për këtë qëllim. Kjo është punë e shtrenjtë dhe kërkon angazhimin e të gjithëve në Kosovë. P. sh. Këshilli BI në Prizren ka bërë incizimin dhe projektimin e të gjitha xhamive të territorin e vet në gjendjen e pasluftës (të rreth 70 xhamive) dhe një kopje ia ka dërguar Kryesisë BI në Prishtinë. Bashkësia Islame e Kosovës duhet ta ketë në radhët e veta një ekspert të historisë së artit apo të ngjashëm, i cili do t’i bënte vlerësimet paraprake për gjendjen e objekteve, për prioritetin etj.

* Porosia e juaj për ata që rrezikojnë trashëgiminë materiale islame?

* Nexhat Ibrahimi: Ata që i rrezikojnë vlerat kulturo-historike islame ndër shqiptarët janë njerëz të manipuluar, me standarde të demoduara. Ata që me islam (d.m.th. ata që në emër të islamit) i rrezikojnë vlerat e trashëgimisë materiale islame ndër ne duket se kanë humbur kompasin në hapësirë dhe kohë. Islami ka nevojë për besimtarë të sinqertë e jo për besimtarë të manipuluar nga ide dhe vlera konservative. Më të zëshmit në këtë aspekt, të a. q. selefinjë, tentojnë t’i heqin përmendoret materiale, duke harruar se po krijojnë përmendore po të këtij lloji në zemrat dhe mendjet e tyre. Vallë, nuk kanë këta individë prioritete. Në vend që të luftohet narkomania, alkoholizmi, duhani, prostitucioni, lojërat e fatit, korrupsioni, humbja e identitetit fetar e nacional, aprovimi i standardeve të huaja thuajse në çdo sferë të jetës etj., të tillët ofrojnë mjekra të gjata e të gjëra, ofrojnë pantollona të shkurtra (bermude) nëpër rrugë e nëpër xhami, faljen e namazeve fakultative duke lëshuar sunnetet, por duke penguar edhe të tjerët t’i falin, aprovimin e standardeve të medhhebeve tjera në namaz ndër ne etj., duke përbuzur e hedhur medhhebin hanefij. Të tillët nuk ofrojnë islamizim, por arabizim, nuk ofrojnë unitet, por përçarje deri në shkallë të shpalljes së të tjerëve për fasik, mushrik e kafir, e të gjitha këto në emër të islamit burimor... Cfarë absurdi, çfarë primitivizmi. Merrni me mend, një i ashtuquajtur imam, diku në Deçan apo Strellc, falë tetë rekate namaz të teravisë. Ka shumë çka të flitet për këtë temë ... Më duket se çështja meriton trajtim përkatës nga Kuvendi BI, Kryesia BI e deri te Këshillat BI.

* Mendimi i juaj për iniciativën që të themelohet drejtorati i vakufeve në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë islame të Kosovës?

* Nexhat Ibrahimi: Nuk di ç’nënkuptoni me Drejtoratin e vakufeve. Ende nuk kam lexuar ndonjë elaborat, apo së paku ndonjë iniciativë me arsyetim. Në anën tjetër, nuk duhet harruar se edhe tash vakufet komunale janë nën mbikqyrje të Bashkësisë Islame të Kosovës. Nëse është iniciativë individuale, ajo duhet të shqyrtohet, e nëse është iniciativë e Kryesisë BI, ajo duhet ta dërgojë elaboratin përkatës nëpër këshillat komunal të Kosovës, duke analizuar të gjitha aspektet. Jam për reforma frytdhënëse, por vetëm pas analizave të mençura. Mendoj se joshfrytëzimi racional dhe afarizmi i dobët i vakufeve deri tash në Kosovë nuk është mosekzistimi i drejtoratit për vakufe, por paaftësia intelektuale dhe neglizhenca e njerëzve përgjegjës, krahas pengesave nga regjimet e kaluara. Mirëpo, para së gjithash, do të duhej organizuar një simpozium apo sesion shkencor mirë të përgatitur mbi vakufin, ku do të shtroheshin punime të ndryshme shkencore, teorike dhe praktike. Vetëm atëherë, do të mund të mendohej për nisma të reja.
_________________________
P. S.: Kjo intervistë ndonëse është kërkuar nga Dituria Islame në Prishtinë, ajo nuk është botuar kurrë. Arsyetim zyrtar nuk ka pasur. Autori mendon se arsyeja e mosbotimit është në vetë përgjigjjet. Pergjigjet janë shkruar më: 02. 11. 2001, Prizren, Nexhat Ibrahimi, d.v.


RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme