Farsa e Gjykatës së Hagës

Ka shumë arsye për këtë qëndrim dhe është vështirë në një shkrim informativë e përkujtues të përfshihen të gjitha aspektet shpjeguese. Por, njëri ndër faktorët kryesorë përse ta quajmë farsë këtë gjykim mund të numërohet tejzgjatja e kapjes së Karaxhiqit nga organet e shtetit në Beograd (sikur edhe të kriminelëve të tjerë, e cila mund të lexohet si mosëshirë për kapjen e tyre), pastaj tejzgjatja e fillimit të gjykimit të tij për shkak të eskivazheve tashmë të njohura, por edhe kujdesi evropian apo përkëdhelja që mos të “shkelet” rastësisht ndonjë e drejtë e kriminelit Karaxhiq etj. etj.. Drejtësia dhe politika botërore harrojnë se ky kujdes dhe kjo përkëdhelje e kriminelëve nga zyrtarët evropianë e botërorë i lëndon të gjithë njerëzit qëllimmirë e human në Bosnjë e Kosovë, njerëzit viktima të krimeve të tyre, kur kihet parasysh veprimtaria kriminale e Karaxhiqit, sidomos gjatë viteve 1992-1995. Kryesorja përse ta quajmë farsë këtë gjykim është vetë fakti se Evropa u tregua indolente, indiferente madje edhe subjektive kundrejt masakrave serbe, por edhe kroate ndaj muslimanëve boshnjakë dhe shqiptarë. Ata në mënyrë gjakftohte, pikërisht në zemër të Evropës, e shikuan spastrimin e muslimanëve nga Bosnja madje me mjete të ndryshme edhe e ndihmuan këtë proces. Duke mos intervenuar me kohë dhe në mënyrë përkatëse, /pa/vetëdijshëm, Evropa e prodhoi, respektivisht e dizajnoi dhe e ndihmoi prodhimin e përbindëshit Karaxhiq, Mlladiq e të tjerë. Kjo edhe na shtyn të pohojmë se ky gjykim i Karaxhiqit dhe i kriminelëve të tjerë, sa është gjykim për ta është gjykim edhe për vetë Evropën dhe aleatët e saj, si bashkëfajtorë të krimit të krijuar në zemër të Evropës. Kjo gjendje do të mund të ndërlidhej me tezën e mirënjohur dhe dominuese se fajtor për shkaktimin e Luftës së Dytë Botërore ishte vetëm Hitleri dhe fashizmi. Çdo kontestim i kësaj teze ka sjellë një vërshim reagimesh e sulmesh. Përse? Sepse, e vërteta qëndronte ndryshe, apo pjesërisht ndryshe. Hitleri ishte fajtor dhe fajin e tij nuk e mohon askush i mençur, por Hitleri nuk ishte i vetmi fajtor. Ndëshkimi vetëm i Hitlerit dhe vetëm i Gjermanisë ishte vetëm një pjesë e të vërtetës por jo e vërteta e tërë. Për ta plotësuar mozaikun e të vërtetës do të duhej gjykuar edhe fajtorët e tjerë, por si, kur pjesa tjetër e fajit qëndron te fituesit e Luftës së Dytë Botërore. Kur këtë e provoi ta pohojë intelektuali anglez A. J. P. Taylor, u ngrit furtunë e vërtetë, u shkruan shumë libra, me vite të tëra shkruan gazetat, sepse pjesa tjetër e fajtorit, e pandëshkuar, nuk dëshiron të zbulohet, dëshiron të gjykohet dhe të ndëshkohet. (shih këto web faqe: http://www.age-of-the-sage.org/history/historian/A_J_P_Taylor.html; http://www.users.globalnet.co.uk/~semp/origins.htm. Sidomos shih debatin rreth kësaj teme: http://www.questia.com/PM.qst?a=o&d=102859123; A.J.P. Taylor, The Origins of the Second World War, Touchsone, New York, 1961).
Kjo po ndodh edhe sot. Faji për luftën në Bosnjë dhe faji për luftën në Kosovë, reduktohet në disa persona, rreth të cilëve bëhet debat i madh mediatik, por jo i mirëfilltë, i sinqertë. Ai më tepër i ngjan një drame me regjisorë e skenaristë të mirë, me aktorë e suflerë të shkathët. Kriminelët fajësohen, por nuk bëhet asgjë serioze për kapjen e tyre, nuk bëhet asgjë serioze për rrënimin e infrastrukturës që e ka mbështetur veprimtarinë e tyre. Madje, kjo strukturë ideore dhe njerëzore përkëdhelet, shpërblehet, bëhet partner politikë, ekonomik, kulturor. Herë-herë barazohet viktima dhe krimineli, madje për të qenë absurdi edhe më i madh, krimineli qitet në pozitë sikur ai qe i detyruar për një veprim të tillë nga mundësia e të keqes e quajtur “musliman”.



Por, nejse! Gjykimi në Hagë i Millosheviqit, Pllavshiqit, Millutinoviqit, Karaxhiqit, Shainoviqit, Llazareviqit e kriminelëve të tjerë, ishte dhe është veprim pozitiv. Është më afër drejtësisë, është një pjesë e drejtësisë, por a është krejt e vërteta? A mund të thuhet se me gjykimin e disa njerëzve që e shkaktuan vdekjen e mbi 300 mijë njerëzve në Ballkan, shkatërrimin e dhjeta mijë shtëpive, dëmet materiale prej shumë miliardave, u vu në vend drejtësia? Kurrsesi jo! Këtë e di edhe injoranti më i madh e lëre politikanët, shkencëtarët, drejtësia. Fajësia është e qartë. Përbindëshi serb nuk do të ekzistonte sikur Evropa të dëshironte. Përbindëshi serb do të eliminohej sikur Evropa të dëshironte, do të pengohej nga krimi sikur Perëndimi të dëshironte. Përbindëshi serb së paku do të kufizohej në keqbërje sikur të dëshironte Evropa. Evropa nuk e dëshiroi mbrojtjen e myslimanëve, së paku nuk e lejoi mbrojtjen e tyre nga vete ata, prandaj Haga me gjykimin që po i bënë Millosheviqit dje e Karaxhiqit sot, njëkohësisht po e gjykon vetveten për neglizhencën e saj, për ndihmesën e saj në bërjen e krimeve, për pjesëmarrjen e saj në krime. Ky është gjykim ndaj estabilishmentit evropian dhe botëror, sepse sikur që në Luftën e Dytë Botërore Hitleri qe ndihmuar (drejtpërdrejt e tërthorazi) nga Stalini, Çerçili, Musolini, e prijësa të tjerë të kohës, kështu bota e ndihmoi Millosheviqin dhe estabilishmentin e tij për krime e gjenocid. Me këto gjykime kozmetike, provizore, mashtruese, Haga vetëm se po i ledhaton kriminelët, po i legjitimon dhe legalizon krimet dhe gjenocidin ndaj Bosnjës dhe Kosovës, dy shteteve me shumicë muslimane në Evropë. Veprimet e fundit të bashkësisë evropiane duke i veçuar vetëm muslimanët e Evropës (nga Turqia, Bosnja, Kosova e Shqipëria) nga liberalizimi i vizave dhe nga hyrja në familjen e përbashkët evropiane qartëson përse Evropa e lejoi dhe e ndihmoi luftën në Ballkan gjatë viteve të nëntëdhjeta të shek. XX. Por, Evropa duhet ta mbaj mend se “virusi” i së keqes nuk është neutralizuar as asgjësuar. Përbindëshi serb pjesërisht është heshtur dhe synimin e tij gllabërues vetëm sa e ka prolonguar, që një ditë të mbijë dhe veprojë me tërë egërsinë e tij. Kjo vërehet edhe nga aktiviteti i tyre në Kosovë e Bosnjë edhe këtyre ditëve e viteve, kur ata rrënojnë çdo plan paqësor e progresiv në rajon. Prandaj, farsa e gjykatës së Hagës është për keqardhje. (Shih: http://www.preporod.com/mirnes-kovaainmenu-84/1354-sudi-li-evropa-karadiu-ili-sebi.html).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme