
Kjo po ndodh edhe sot. Faji për luftën në Bosnjë dhe faji për luftën në Kosovë, reduktohet në disa persona, rreth të cilëve bëhet debat i madh mediatik, por jo i mirëfilltë, i sinqertë. Ai më tepër i ngjan një drame me regjisorë e skenaristë të mirë, me aktorë e suflerë të shkathët. Kriminelët fajësohen, por nuk bëhet asgjë serioze për kapjen e tyre, nuk bëhet asgjë serioze për rrënimin e infrastrukturës që e ka mbështetur veprimtarinë e tyre. Madje, kjo strukturë ideore dhe njerëzore përkëdhelet, shpërblehet, bëhet partner politikë, ekonomik, kulturor. Herë-herë barazohet viktima dhe krimineli, madje për të qenë absurdi edhe më i madh, krimineli qitet në pozitë sikur ai qe i detyruar për një veprim të tillë nga mundësia e të keqes e quajtur “musliman”.

Por, nejse! Gjykimi në Hagë i Millosheviqit, Pllavshiqit, Millutinoviqit, Karaxhiqit, Shainoviqit, Llazareviqit e kriminelëve të tjerë, ishte dhe është veprim pozitiv. Është më afër drejtësisë, është një pjesë e drejtësisë, por a është krejt e vërteta? A mund të thuhet se me gjykimin e disa njerëzve që e shkaktuan vdekjen e mbi 300 mijë njerëzve në Ballkan, shkatërrimin e dhjeta mijë shtëpive, dëmet materiale prej shumë miliardave, u vu në vend drejtësia? Kurrsesi jo! Këtë e di edhe injoranti më i madh e lëre politikanët, shkencëtarët, drejtësia. Fajësia është e qartë. Përbindëshi serb nuk do të ekzistonte sikur Evropa të dëshironte. Përbindëshi serb do të eliminohej sikur Evropa të dëshironte, do të pengohej nga krimi sikur Perëndimi të dëshironte. Përbindëshi serb së paku do të kufizohej në keqbërje sikur të dëshironte Evropa. Evropa nuk e dëshiroi mbrojtjen e myslimanëve, së paku nuk e lejoi mbrojtjen e tyre nga vete ata, prandaj Haga me gjykimin që po i bënë Millosheviqit dje e Karaxhiqit sot, njëkohësisht po e gjykon vetveten për neglizhencën e saj, për ndihmesën e saj në bërjen e krimeve, për pjesëmarrjen e saj në krime. Ky është gjykim ndaj estabilishmentit evropian dhe botëror, sepse sikur që në Luftën e Dytë Botërore Hitleri qe ndihmuar (drejtpërdrejt e tërthorazi) nga Stalini, Çerçili, Musolini, e prijësa të tjerë të kohës, kështu bota e ndihmoi Millosheviqin dhe estabilishmentin e tij për krime e gjenocid. Me këto gjykime kozmetike, provizore, mashtruese, Haga vetëm se po i ledhaton kriminelët, po i legjitimon dhe legalizon krimet dhe gjenocidin ndaj Bosnjës dhe Kosovës, dy shteteve me shumicë muslimane në Evropë. Veprimet e fundit të bashkësisë evropiane duke i veçuar vetëm muslimanët e Evropës (nga Turqia, Bosnja, Kosova e Shqipëria) nga liberalizimi i vizave dhe nga hyrja në familjen e përbashkët evropiane qartëson përse Evropa e lejoi dhe e ndihmoi luftën në Ballkan gjatë viteve të nëntëdhjeta të shek. XX. Por, Evropa duhet ta mbaj mend se “virusi” i së keqes nuk është neutralizuar as asgjësuar. Përbindëshi serb pjesërisht është heshtur dhe synimin e tij gllabërues vetëm sa e ka prolonguar, që një ditë të mbijë dhe veprojë me tërë egërsinë e tij. Kjo vërehet edhe nga aktiviteti i tyre në Kosovë e Bosnjë edhe këtyre ditëve e viteve, kur ata rrënojnë çdo plan paqësor e progresiv në rajon. Prandaj, farsa e gjykatës së Hagës është për keqardhje. (Shih: http://www.preporod.com/mirnes-kovaainmenu-84/1354-sudi-li-evropa-karadiu-ili-sebi.html).