Beteja për postin e presidentit në Egjipt

Presidenti aktual i Egjiptit, Muhamed Husni  Mubarek, qe 30 vjet është në postin më të lartë në vendin me popullatë më të madhe të botës arabe. Tash ai është në moshën 82 vjeçare, e cila moshë nuk ia lejon atij të jetë efikas në kryerjen e obligimeve shtetërore në një vend me probleme të shumta siç është Egjipti. Ai  është presidenti i katërt i Egjiptit, pas revolucionit të vitit 1952. Husni Mubaraku erdhi në postin e  presidentit,  pas atentatit që u krye ndaj ish-presidentit Enver  el-Sadat,  më 6 tetor 1981. Në këtë mënyrë pra ai konsiderohet se ka qëndrua në postin e presidentit të Egjiptit  më gjatë se të gjithë  paraardhësit e tij, por edhe mbretërit e dinastisë së  Mehmet Ali Pashës.

Gjatë këtyre tri decenieve,  kryetari i Egjiptit,  luajti rol me rëndësi në stabilitetin e rajonit, në veçanti në   përkrahjen e  fuqishme  të negociatave palestinezo-izraelite, edhepse ai asnjëherë nuk e vizitoi Izraelin, siç kishte bërë paraardhësi i tij Enver el-Sadat.

Në të njëjtën kohë është edhe aleati më besnik i SHBA-së në Lindjen e Mesme, për çka administrata amerikane jep ndihma të konsiderueshme vjetore në bazë të marrëveshjes paqësore të Kemp Davidit të nënshkruar me Izraelin në vitin 1979. 

Ka kohë që në mediat egjiptiane është aktuale se kush do ta trashëgojë  Husni Mubarakun, nëse ai tërhiqet nga pushteti për shkak të moshës, apo edhe vdekjes. Në opcion janë disa personalitete.

I pari është se atë mund at trashëgojë i biri i tij, Xhemal Mubarak, një biznesmen dhe sekretar për marrëdhënie me publikun në Partinë Nacional Demokratike në pushtet, në krye të së cilës është presidenti Husni Mubarak. Në shumë raste kur presidenti Mubarak është pyetur për këtë çështje, ai e ka mohuar një mundësi të këtillë. Megjithatë, tash kur fushata është shumë afër dhe partia  Nacional Demokratike, sipas fjalëve të sekretarit të saj të përgjithshëm, Safvet Sherif, po pret miratimin e kryetarit të partisë për t’u kandiduar për kryetar  të kësaj partie apo dikush tjetër, nëpër fshatra të Egjiptit ka  filluar fushata për tubimin e nënshkrimeve për kandidimin e Xhemal Mubarakut si kandidat  të mundshëm të partisë për garën presidenciale. 

Analistët thonë se ka pak gjasa, por nuk është e pamundur, që Mubaraku të emërojë birin e tij si zëvendëspresident, duke i dhënë atij mundësinë për të ardhur në vend të tij nëse ai ndërron jetë apo të lë postin pa përfunduar mandatin. Grupet opozitare kanë filluar një fushatë kundër dorëzimit  të pushtetit  nga Mubaraku te i biri i tij. Por, opozita historikisht ka dështuar të fitojë mbështetje të gjerë, duke i lënë të gjitha letrat në duar të Mubarakut. Nëse kandidimi i tij realizohet dhe ai fiton në zgjedhje, atëherë kjo do të jetë hera e parë që një person jo ushtarak do të jetë në krye të Egjiptit që nga viti 1952.

Kandidatë  të tjerë të mundshëm përfshijnë shefin e inteligjencës së Mubarakut, Omer Sulejmanin, i cili kohëve të fundit ishte angazhuar në ndërmjetësimin në mes fraksioneve  palestineze Fatahut në Ramallah dhe Hamasit në Gaza. Flitet edhe për mundësinë që në skenë mund të dalë ndonjë figurë ushtarake tek i cili ka besim presidenti Mubarak. 

Një kandidatë me gjasa më të vogla është sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Amr Musa, një ish-ministër i zëshëm, i punëve të jashtme, i famshëm në Egjipt për kritikat e tij ndaj Izraelit dhe ndaj politikës amerikane në regjion. 

Disa të tjerë vlerësojnë se gjasa ka edhe Muhamed El-Baradei, ish-kryetar i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sipas shumë analistëve ky mund të paraqet edhe rrezikun kryesor për Mubarakun, nëse zgjedhjet janë të rregullta dhe fer. 

Ka fare pak gjasa që një kandidat opozitar, i përjashtuar nga Vëllazëria Myslimane apo një parti liberale të vijë në vend të Mubarakut, pasi që partitë e  ligjshme opozitare nuk kanë pothuajse fare ndikim. Pothuajse është e pamundur kandidimi i ndonjë të pavaruri.

Pavarësisht se kush vjen në pushtet, presidenti i ri me gjasë do të vazhdojë reformat ekonomike dhe do të mbajë lidhje më të ngushta me Uashingtonin dhe paqe me Izraelin.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme