
Izraelitët, të cilët kishin devijuar nga mësimet e Musait a.s./ Moisiut dhe të dërguarve të tjerë që u kishin ardhur atyre dhe të cilët e braktisën rrugën e drejtë e besimin e pastër që ua kishin treguar pejgamberët e Zotit.
Allahu xh.sh. përgatiti në mënyrë të veçantë Isanë a.s./ Jezusin për ta vazhduar misionin e pejgamberëve të tjerë para tij, duke i thirrur njerëzit në rrugën e drejtë dhe besimin në një Zot e duke i larguar nga rruga e shtrembër, idhujtaria.
Dyzet vjet pas Isait a.s./ Jezusit, romakët e pushtojnë Jerusalemin. Një pjesë të hebrenjve i vranë, kurse një pjesë tjetër i zunë robër. Torën dhe librat e tjerë, pothuajse që të gjithë, i dogjën. Jerusalemin e kthyen në gërmadhë, ndërsa pasuesit e Isait a.s./ Jezusit u shpërndanë gjithandej dhe nisën ta përhapnin fenë e Jezusit, fenë e pastër dhe besimin në një Zot.[1]
Pas kësaj, hebrenjtë u bashkuan me romakët, grekët dhe idhujtarët për ta luftuar fenë e Jezusit/ Isait a.s. Madje, në rastet kur i kapnin pasuesit e Isait a.s./ Jezusit i nxirrnin në arena për t’i shqyer luanët. Çifuti (hebreu) Dhunuvas dhe njerëzit e tij i hidhnin të krishterët e Nexhranit, të cilët s’e pranonin hebraizmin, në hendeqe me zjarr dhe i sodisnin teksa digjeshin. Megjithatë, besimtarët që i qëndruan besnikë të Isait a.s. nuk hiqnin dorë prej besimit dhe, për çështjet e tyre, shkonin pa frikë drejt e në zjarr.[2] Në Kur’anin e Madhëruar këta quhen “Shokët e Hendekut”, për të cilët Allahu xh.sh. thotë:
“Pasha qiellin me plot yje, Pasha ditën e premtuar, Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet! Mallkuar qofshin ata, të zotët e hendeqeve, të zjarrit me plot lëndë djegëse, kur ata rrinin ulur rreth tij dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët”. (Buruxh 1-7)
Nxënësit dhe ndjekësit e fesë së Jezusit/ Isait a.s. u keqtrajtuan në mënyra të ndryshme e më barbare nga ana e hebrenjve. Kështu, në mesin e hebrenjve ishte edhe hebreu me emrin Pali (që në hebraishte quhej Saulo[3]). Pali ishte fanatik çifut, madje shumë aktiv, i cili, si pjesëtar i “racës së zgjedhur”, nuk dëshironte të dëgjonte se në Palestinë ishte paraqitur një profet, që pretendonte të ishte Mesia. Shkurt, u bë kundërshtar i rreptë i Jezusit dhe fanatik i madh kundër pasuesve të tij, i palodhur në dëmtimin dhe mizorinë e tyre. Në fund, protagonisti kryesor i transformimit të sektit hebraik në religjion botëror.[4]
Keqtrajtimin që e kanë bërë Pali dhe të tjerët e tregojnë Veprat e apostujve 26:9-11, ndërsa për këtë dëshmojnë vetë fjalët e Palit, i cili tha:
“Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas. Dhe këtë kam bërë në Jerusalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim. Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja”.
Në një vend tjetër tregohet edhe mënyra e vrasjes së Stefanit në prani të Palit dhe miratimi i tij për vrasje të tilla:
“Dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul (Pal). Kështu e vranë me gurë Stefanin”. (Veprat e apostujve 7:58-59)
“Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jerusalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve... Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg”. (Veprat e apostujve 8:1,3)
“Atëherë unë thashë: “O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty; kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin”. (Veprat e apostujve 22:19-20)
Ndërkohë, ai përndiqte edhe dishepujt e tjerë. “Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit”. (Veprat e apostujve 9:1)
Hebrenjtë nuk u kënaqën me keqtrajtimin e të krishterëve, ata bënë plane për ta zhdukur fenë e Jezusit/ Isait a. s. me rrënjë. Pali pasi që ishte edhe njëri që i sulmonte dhe bënte çmos për ta asgjësuar fenë e Jezusit, hynte nëpër shtëpi, merrte burra e gra dhe i dorëzonte në burgje, i keqtrajtonte në të gjitha mënyrat.
Sipas studiuesit Ibn Hazmi[5], lidhur me persekutimet dhe ndodhitë që janë zhvilluar, thekson se të krishterët kanë humbur një pjesë të rëndësishme të teksteve origjinale biblike për disa arsye. Për shembull, numri i besimtarëve kur Jezusi/ Isai a.s. përhapte porosinë e tij, ishte i paktë; fshehtësia e besimtarëve rreth besimit dhe fesë së tyre; presioni që bëhej kundër të krishterëve rreth besimit dhe fesë së tyre nën shtypjen pas Jezusit/ Isait a. s. Këto ishin disa nga arsyet që e shkaktuan humbjen e teksteve origjinale (të shpallura). Besëlidhja e Re e tashme nuk është ajo që i është zbuluar Jezusit.[6]
Një ditë Palit, duke udhëtuar për në Damask, në rrugë i shndriti një dritë prej qiellit, ndërsa ai u rrëzua për tokë dhe dëgjoi një zë që i tha: “Saul, Saul, pse po më salvon?” Ai e pyeti: “Kush je ti, zotëri?” E ai i tha: “Unë jam Jezusi që ti e salvon...! Pastaj Pauli u mbush me shpirtin e shenjtë dhe filloi prej atij momenti që ta predikonte fenë e Jezusit dhe kështu nuk i keqtrajtoi më ndjekësit e Jezusit.
Kjo ishte mënyra e vetme, sipas së cilës, kinse, Palit iu dëftua Jezusi dhe filloi ta pasonte atë; përkatësisht ishte mënyra e vetme që ta shtrembërojë fenë e Jezusit/ Isait a.s. dhe ta fitonte besimin e atyre që e ndjekin atë.
Historinë e Palit dhe paraqitjen e Jezusit para tij në formë drite e përshkruajnë edhe Veprat e apostujve. Këtu vërejmë një kontradiktë të madhe që na mbjell dyshim nëse kjo ngjarje është e vërtetë apo jo, sipas Biblës, ku thohet në Veprat e apostujve 9:3-4,7:
“Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli. Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: “Saul, Saul, përse më përndjek?”... Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri”.
Shih po ashtu në të njëjtin libër, Veprat e apostujve 22:6-9:
“Dhe më ndodhi që kur isha duke udhëtuar dhe po i afrohesha Damaskut, aty nga mesi i ditës, papritmas një dritë e madhe nga qielli vetëtiu rreth meje. Dhe unë rashë përdhe dhe dëgjova një zë që po më thoshte: “Saul, Saul, përse më përndjek?” Dhe unë u përgjigja: “Kush je ti, o Zot?” Edhe ai më tha: “Unë jam Jezus Nazareasi, të cilin ti e përndjek”. Edhe ata që ishin me mua e panë dritën dhe u trembën, por nuk dëgjuan zërin e atij që më fliste”.
Këtu shihet qartë mospërputhja ndërmjet fjalëve të të njëjtit libër. A mund të jemi të sigurt se burimi i këtyre rrëfimeve kontradiktore është Zoti? Natyrisht, se jo. Në kapitullin e 9, vargu 7, thuhet se njerëzit që udhëtuan me Palin e dëgjuan zërin, por nuk panë asnjë njeri, kurse në kapitullin e 22-të, vargu 9, tregohet e kundërta e kësaj, ata e panë dritën e personit me të cilin fliste Pali, por nuk dëgjuan asnjë zë. Kjo histori na lë në dyshim nëse ishte apo nuk ishte e vërtetë. Përkitazi me këtë ngjarje ish-prifti Anselm Tormedi[7] i shek. XIV, thotë se ky tregim lidhur me Palin është një gënjeshtër, një trillim.[8]
Kjo histori përmban edhe kundërthënien të tjera. Përderisa tek kapitulli i 29 i Veprave të apostujve është thënë se Pali i mori udhëzimet për misionin e tij te johebrenjtë nga Jezusi gjatë vizionit, kurse te kapitulli i 22-të i Veprave të apostujve thuhet se pas vizionit Pali shkoi në Damask, u kthye në Jerusalem dhe vetëm atëherë i pranoi instruksionet për misionin e tij. Gjithashtu, një kundërthënie tjetër gjendet se te Letrat e galatasve, ku Pali pohon se ai nuk u kthye direkt në Jerusalem nga Damasku (siç është pohuar te Veprat, 22) por priti për tre vjet të plotë para se ta bënte këtë.[9] Pra, Pali pohon se, pas konvertimit të tij rrugës për në Damask, nuk ka shkuar në Jerusalem për të parë ata që ishin apostuj para tij (Galatasve 1:16-17), ndërkohë që në librin e Veprave thuhet se ikja në Jerusalem ishte gjëja e parë që ai bëri pasi e la Damaskun (Veprat 9:26).[10]
Në Veprat e apostujve (23:6), Pali thotë se ishte farise bir fariseu. A thua, Jezusi zgjodhi një farise për t’ia dhënë vizionin e tij, kurse në Ungjillin e Mateut (23:15) për Jezusin farisenjtë ishin hipokritë, fëmijët e ferrit?!!
Kështu, Pali filloi t’i shtonte gënjeshtrat e veta dhe filloi që të shkruante ungjij të ndryshëm dhe, me gënjeshtrat e tij, filloi ta ndryshonte ligjin e Jezusit/ Isait a.s. Shtrohet pyetja: Cili është themeluesi i fesë së re të cilën sot e njohim si krishterizëm?
Historiani i madh H. J. Wells[11] jep përgjigje në këtë pyetje dhe thotë:
“Shën Pali, personit të cilit i takojnë meritat më të mëdha për përhapjen e krishterizmit të ri, nuk e ka parë kurrë Jezusin/Isanë a.s., as e ka dëgjuar atë që ai ua ka thënë njerëzve. Emri i tij i vërtetë është Saul i cili në fillim ishte njëri ndër kundërshtarët dhe dëbuesi i një numri të nxënësve të Jezusit/Isait a.s. Në mënyrë të papritur e ka pranuar krishterizmin dhe ka ndërruar emrin e tij prej Sauli në Paul... Pali e ka njohur mirë filozofinë e grekëve të vjetër, të cilën e ka paraqitur shkolla aleksandrike, ka arritur që frytet e saja t’i përfshijë në krishterizëm me ndihmën e të cilit ajo ka kaluar prej formës njëboshtore në trinitet. Me të është përputhur një numër i madh i atyre që kanë besuar në shumë zota. Disa nga ithtarët e Palit kanë pasur sukses që të futen në kishë dhe ashtu të kenë ndikim në formimin e vetëdijes krishtere. Në atë mënyrë ka pasuar bashkimi i qëndrimeve filozofike të vjetra dhe të krishterimit të ri”.[12]
Shën Pali, i cili ishte me gjenezë nga Tarsusi, ishte i edukuar në lëvizjen farisite dhe, po ashtu, ishte një hebre i rritur në një mes, ku ndikim të madh kishin helenizmi dhe fetë mistere, si feja mistere në Tarsus me kultet Sandan, Mithra dhe bashkëshorti i hyjneshës Cybele, Attis. Ky i fundit në Egjipt dhe në Azinë e Mesme adhurohet si Osiris, Tammuz, Dumuz ose Adonis. Prej doktrinave të tjera edhe kulti Kyrios zë vend të rëndësishëm në doktrinën e Shën Palit.[13] Pali ishte njohës i mirë i kulturës pagane. Ai duke e komentuar mesazhin e Jezusit në bazë të kulturës helene, feve mistere, feve gnostike dhe fesë hebraike, ka vënë themelet e krishterizmit të sotëm.[14]
Pali filloi ta çrrënjoste pak nga pak fenë e pastër të Isait a.s. / Jezusit, duke u bërë ky një nga themeluesit e krishterizmit. Madje, Majkëll Hartit në veprën “100 njerëzit më me ndikim në histori”, e radhit atë në vendin e gjashtë, duke thënë: “Nuk ekziston individ tjetër që ka luajtur rol aq të madh në përhapjen e krishterizmit... Në të vërtetë, ndikimi i ideve të tij është aq i fortë, sa disa gjurmues thonë se Pali, e jo Krishti, duhet të konsiderohet si themelues i religjionit të krishterë”.[15]
Për ata që i mbeten besnikë fesë së Jezusit/ Isait a.s. (hebraiko-krishterët), Pali ishte tradhtar; dokumentet hebraiko-krishtere e konsiderojnë si “armik”, duke e paditur për shkak të “dyfytyrësisë taktike”.[16] Pali ishte ai që e vuri themelin e fesë krishtere, filloi ta predikonte një ungjill të ri, të shkruar nga dora e tij, dhe duke u larguar nga mësimet e Jezusit/ Isait a.s. Kjo paraqitet në letrat e tij, siç janë: letra e parë e Palit dërguar korintasve dhe letra e dytë e Palit dërguar romakëve, ku thotë:
“Sipas hirit të Perëndisë që më është dhënë, si arkitekt i ditur, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të” (1 Korintasve 3:10)
“Ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim”. (Romakëve 2:16)[17] Gjithashtu, në letrat e Palit, të shkruara dhe të përmbledhura në Dhiatën e Re, tregohet se si Pali u bë dinak, si përdori dredhi. Bie fjala, tek 2 korintasve 12:16 tregohen fjalët e Palit: “Ashtu qoftë! Unë nuk u bëra barrë për ju; megjithatë duke qenë dinak ju zura me dredhi”. Atëherë, mund të pyesim se çfarë njeriu dinak dhe përtac e paska frymëzuar Perëndia për ta shkruar Librin Shenjtë!?
Duke e pasur parasysh faktin se Pali, apo ungjilli i tij, binte ndesh me ungjijtë e tjerë, sepse ai dëshironte që ungjilli i tij të mbretëronte mbi ta ndaj, për t’i plotësuar qëllimet e tij, ai t’i mallkonte të gjithë ata që e kundërshtonin, bile do të dilte edhe kundër engjëllit. Ai do ta konsideronte të mallkuar këdo që nuk i përmbahej ungjillit të tij.
Këtë e vërtetojnë letrat e Palit dërguar galatasve, ku thoshte:
“Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar. Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar”. (Galatasve 1:8-9)
Kjo vinte nga fakti se Pali ishte xheloz dhe se në atë kohë, përveç ungjillit të tij, kishte dhe ungjij nga apostujt e vërtetë të Jezusit, të cilët Pali i konsideronte si të pasaktë.
“Çuditem që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër, i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrembërojnë ungjillin e Krishtit.” (Galatasve 1:6-7)
Kështu, Pali i këshilloi pasuesit e tij që të mos i ndjekin mësimet e të tjerëve, por vetëm të tijin, duke u thënë:
“Pali, apostulli i Jezu Krishtit ... Ashtu si të nxita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes për t’u urdhëruar disave të mos mësojnë doktrina të tjera”. (1 Timoteut 1:1,3)
Ndërkaq, kundër Palit flet edhe Pjetri, në mënyrë indirekte, duke thënë:
“Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë. Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet”. (Letra e dytë, Pjeter 1:20-21)
Ndërkohë Pali me Pjetrin nuk e kishin ungjillin unik për të gjithë njerëzit, sepse vetë Pali tha: “Madje, duke parë se mua m’u besua ungjilli për të parrethprerët, sikurse Pjetrit ai për të rrethprerët”. (Galatasve 2:7)[18]
Duke e parë se Pali pretendonte se ishte i zgjedhur nga ana e Jezusit dhe se e pranonte shpallje, ai filloj të dërgonte letra nëpër vende të ndryshme me të cilat edhe e formonte doktrinën e fesë së ardhshme, gjegjësisht krishterizmit. Nga ai lindi ideja se Jezusi është kryqëzuar, është varrosur dhe është ngritur në qiell (1 Korintasve 15:3-4). Koncepti i mëvonshëm teologjik i trinitetit krishterë tërësisht do të bazohet në mendimet dhe në fjalët e Palit.[19]
Dr. Annold Meyer, profesor i teologjisë në Universitetin e Cyrihut, thotë: “Nëse me krishterim nënkuptojmë besimin në Krishtin, si bir qiellor i Zotit, i cili nuk i ka takuar njerëzimit të kësaj bote, por i cili ka jetuar i barabartë dhe në lavdi me Zotin, i cili ka zbritur nga qielli në tokë, i cili ka hyrë në njerëzoren dhe e ka marrë formën e njeriut, përmes virgjëreshës Mari, që të mund të heqë (t’i shpaguajë) mëkatet njerëzore përmes gjakut të tij në kryq, i cili pastaj është zgjuar nga vdekja dhe është ngritur në të djathtë të Zotit, si zotërues i popullit të vet, i cili në të ka besuar, i cili i dëgjon lutjet e tyre, i mbron dhe i udhëheq; i cili, megjithatë, banon dhe vepron personalisht në secilin prej tyre; i cili do të vijë përsëri me retë e qiellit që t’i gjykojë botës; i cili do t’i rrëzojë të gjithë armiqtë e Zotit dhe i cili popullin e tij do ta marrë me vete në shtëpinë e dritës qiellore, ashtu që ata të mund të bëhen si trupi i tij i popullarizuar - nëse ky është krishterimi, atëherë krishterimin e tillë e ka themeluar Pali i shenjtë, e jo Zoti ynë”. [20]