Disa të dhëna mbi toponime parasllave të protoshqipes në hapësirën e Dardanisë

Nëse marrim parasysh faktin se shkrimet e para në gjuhën shqipe u gjetën mjaft vonë, atëherë toponimet mesjetare të protoshqipes që na dalin në burimet shkrimore të proviniencave të ndryshme sllave, osmane etj., sidomos në regjistrat kadastralë të administratës osmane, kanë një rëndësi të dorës së parë edhe për studimin e historisë së gjuhëve të Ballkanit, dhe veçan për historinë e gjuhës shqipe.
Regjistrat kadastralë osmanë të gjysmëshekullit XV, që janë më të vjetër se Meshari i Gjon Buzukut për 100 vjet, si edhe këta të mëvonshmit, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, në një mënyrë të tërthortë, mund të na ndihmojnë për zgjidhjen e disa problemeve të onomastikës shqiptare si edhe të historisë së gjuhës shqipe në mesjetë, meqenëse në këta regjistra janë shënuar disa toponime me nga dy emërtime, me atë të formës popullore të shqipes dhe me formën administrative të serbishtes, natyrisht me forma të sllavizuara, por kemi edhe raste kur rendi i fjalëve te disa toponime është shënuar sipas natyrës dhe strukturës së gjuhës shqipe: Petrili Arbanas (Petrili (i) Arbneshit), Bernica Arbanas (Bernica (e) Arbneshit), toponime që gjendeshin në rajonin në mes Novabërdës, Medvegjës dhe Leskovcit, ndërsa toponimet me etnonimin Arban si: Arbanas emri tjetër sllav Krushevic, Arbanas emri tjetër sllav Sushic, Arbanas emri tjetër sllav Sllavojevc dhe Arbanas emri tjetër sllav Hobotinc, që gjendeshin në arealin e Nishit, Prokupit dhe Kushumlisë.
Të njëjtat toponime, natyrisht të shtrembëruara nga administrata sllave, i hasim edhe me trajtat dhe strukturën sllave, si: Arbanashka Petrili, Arbanashka Bernica, Berishina Luka, Guri Kuq, emri tjetër sllav Zllatar në Berane, Guri Kuq (emri tjetër) me emrin sllav Obrinje në masivin malor të çiçavicës, Guri Kuq, emri tjetër sllav Crveni Kamen-Dibër, Bardoniq, emri tjetër Beliq, Palabard, emri tjetër Belopavliq, Mjekër Bard (Duga Shuma), Bardosan emri tjetër sllav Lipovac, në rrethinën e Gjakovës, Shën Petri, emri tjetër Sveti Petka, Shën Mrija-Sveti Marija, etj. në rajonin e Tropojës.
Në këtë trajtesë, shkurtimisht dëshirojmë t'ia bëjmë të njohur opinionit shkencor se në burimet shkrimore të administratës osmane të shek. XV-XVI, si dhe në hartat topografike austriake nga viti 1689/1690, janë shënuar një numër i konsiderueshëm i toponimeve në hapësirën e Dardanisë me etimologji të protoshqipes, që pa mëdyshje, dëshmojnë autoktoninë e shqiptarëve në këtë hapësirë që nga mesjeta e hershme, të cilat kanë vazhdimësi edhe në mesjetën e vonë deri në ditët e sotme.
Këto toponime, siç e pamë më lart, në burimet sllave të shek. XIII-XIV i hasim vetëm me strukturën sllave, e jo edhe me atë të shqipes, çka dëshmon se toponomastika shqiptare ishte në masë të madhe e sllavizuar, por, pas tërheqjes së administratës sllave nga hapësira e Dardanisë dhe vendosjes së administratës osmane në këtë hapësirë, këto toponime të protoshqipes përsëri na rishfaqen në këtë hapësirë, të cilat ishin trashëguar brez pas brezi nga popullsia autoktone shqiptare dhe përdoreshin në jetën e përditshme private, ndërsa administrata dhe kisha sllave mesjetare në dokumentet dhe regjistrat e tyre i përdornin vetëm trajtat e toponimeve të përkthyera të protoshqipes.
Siç dihet, territoret prej Nishit (Naissus) e deri te Velesi (Bilazora), që në Mesjetë ishin të përfshira në Dardaninë antike, nën sundimin e Bizantit deri në fund të shek. IX, ndërsa gjatë shekujve X dhe XI (927-1018) hyjnë nën sundimin e bullgarëve, të cilët me pak ndërprerje, i sunduan ato për gati 100 vjet, - Bizanti i ktheu nën sundimin e vet shtetëror deri në fund të shek. XII.
Gjatë sundimit bullgar, në hapësirën e Dardanisë ishte vënë shtresa e parë e toponimeve sllave, dhe ky shtresim sllav ka vazhduar me intensitet edhe më të madh gjatë shekujve XIII e XIV, kur tokat shqiptare u pushtuan dhe u administruan nga Nemanjidët serbë, për plot dy shekuj, deri në depërtimin e osmanlinjve (1389), të cilët mund të themi se ndërprenë sllavizimin e mëtejshëm të toponimeve dhe antroponimeve shqiptare në viset verilindore dhe helenizimin e mëtejshëm në ato jugperëndimore të Arbërisë Mesjetare etnolinguistike dhe etnografike, e cila, siç thamë, shtrihej deri përtej Nishit (Naissus), Velesit (Bilazora) dhe Shtipit (Astibos).
Pas depërtimit të sllavëve në Ballkan, dhe sidomos pas vendosjes së administrates së tyre në tokat shqiptare gjatë shek. XIII – XIV, ata bënë ndryshime të mëdha në jetën shoqërore të popullsisë balkanike, si në aspektin material, ashtu edhe në atë religjioz. Administrata dhe kisha sllave ka lënë gjurmë të thella në të gjitha fushat të jetës shoqërore, por këto gjurmë më së shumti mund të shihen në lëmin e ndryshimeve të toponimeve, dhe sidomos në ndryshimin e antroponomisë (emrave) të njerëzve te popullata vendëse (shqiptare dhe vllahe).
Edhe mendimi i shumë dijetarëve vendës si edhe të huaj, e sidomos ai i bizantologut francez Alë Dykelie (Allain Ducellier), dhe të historianit anglez Noel Malkolm (Malcolm), është se gjatë sundimit mesjetar bullgar dhe atij serb, është vënë shtresa e parë e toponimeve sllave.
Po ashtu, Fanulla Papazogllu, bizantologe e njohur, në një punim të saj konkludon se Dardania duhet të konsiderohet si areal onomastik i veçantë. Fakti se emrat ilirë që gjenden në tërë territorin e Dardanisë, nga të cilët numri i tyre mjaft i madh janë pa dyshim me prejardhje ilire, dhe ata janë dëshmuar vetëm në Dardani, tregon se onomastika ilire në Dardani ka qenë autoktone dhe jo e marrë nga jashtë.
Në bazë të toponimeve të substratit të protoshqipes që janë shënuar në burimet shkrimore dhe historike sipas natyrës së gjuhës shqipe, mund të pohojmë se ato kanë dalë nga goja e shqipfolësve dhe se gjuha shqipe gjallëronte në hapësirën e ish-Dardanisë para dhe gjatë mesjetës, dhe vazhdimësia e saj sipas këtyre dëshmive onomastike nuk u ndërpre asnjëherë që nga kohët më të vjetra. Këto dëshmi onomastike, të cilat i kemi hulumtuar në regjistrat kadastralë osmanë, përforcojnë tezën e shumë dijetarëve që merren me studime albanologjike, e sidomos pohimin e çabejt, i cili pohon se gjuha shqipe u formua në territorin e sotëm gjuhësor të saj dhe se "Dardania dhe Arbëria Veriore bashkë me Krahinën e Matit, duhet të shikohen si pjesë e treës gjuhësore të shqipes së kryehershme".

Me pushtimin e tokave shqiptare nga serbët, filloi edhe ndryshimi i emërtimit të vendbanimeve në hapësirën e Ilirikut, ku përfshihej edhe Dardania. Kështu, që në mesjetë, në hapësirën e Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë Qendrore dhe deri te Selaniku i Greqisë, u bë edhe ndryshimi i toponimisë, siç shihet nga dokumentet dhe burimet shkrimore mesjetare: nga Durrahium-Durrës në Draç, nga Shkodër në Skadar, nga Ulkinon-Ulkos-Ulk në Ulcinj, nga Thessalonikis në Solun, nga Skupi në Skopje, nga Monastiri në Bitola, nga Bilazora-Vilazora në Veles, nga Dibër në Debar, nga Kërçovë në Kiçevo, e të tjera.
Autoktonia e popullit shqiptar është dëshmuar nga studiues të huaj dhe vendës, përmes toponimeve që kanë marrë formën nëpërmjet shqipes: Naissus-Nish, Scardus-Sharr, Scupi-Shkup, Scodra-Shkodër, Lisus-Lesh, Drivastum-Drisht, Drinus-Drin, Barbana-Buenë (Bunë) etj.
Lidhur me këtë çështje po sjellim të dhëna për disa vendbanime mesjetare me toponomastikë parasllave, që dëshmojnë se janë krijuar para pushtimit të tokave shqiptare nga sllavët, pra para shek. XII, kur vetëm pas tërheqjes së Bizantit nga hapësira e Dardanisë (në vitet 1186-1196), Nemanjidët serbë arritën ta pushtonin dhe të vendosnin administratën e tyre në një pjesë të viseve të Kosovës.
Toponimet me substratin e protoshqipes bard me prapashtesat latino-greke –us, -os dhe –is, mal, mol, si edhe me bazë të fitonimit të shqipes lul, lule - dëshmojnë se janë trajta të latinizuara dhe të greqizuara para vendosjes së administratës sllave në tokat shqiptare, siç kanë pohuar edhe disa onomastë sllavë: M. Pavloviç, P. Ilievski, M. Gër-goviç, M. Peshikan, D. Barjaktareviç, se toponimet me substratin e lartpërmendur hasen në arealin e Ilirisë (Iliricum).
Në defterët e shek. XV, kemi hasur vendbanimin mesjetar, i trashëguar nga mesjeta e hershme, me emrin Bardus - formë e latinizuar, i cili gjendej në afërsi të Kurshumlisë. Dëshminë e parë për emrin Bardinus që e has në ujdhesën Pag të Kroacisë qysh në shek. XI (1071), na e jep historiani i mirënjohur çek Konstandin Jireçek si dhe formën tjetër Barda, që e has në Tivar në vitin 1400. Edhe në krisobulat mesjetare serbe dhe të shek. XIV i hasim disa mikrotoponime me bazën bard.
Vendbanimi tjetër mbi bazën bard, që del në sanxhakun e Nishit, në rrethinën e Leskovcit, është toponimi Berdonic, me alternimin a:e Bardonic, i zgjeruar me formantin e sllavishtes –ic. Toponimi ishte sajuar nga apelativi i shqipes bard, me sufiksin e greqishtes –on, me prapashtesën sllave –ic, Bard+on+ic > Bardonic.
Në vijim po përmendim toponimet mbi bazën bard, që për herë të parë i kemi hasur në regjistrat kadastralë osmanë: Bardus-i (i) Kurshumlisë, i sajuar nga baza bard+us>Bardus; Bardoniq-Bordoniq i Rozhajës, i sajuar nga baza bard+on+iq > Bardoniq; Bardoniqi i Gjakovës, i sajuar nga baza bard+on+iq>Bardoniq; Bardosan i Gjakovës (emri tjetër sllav Lipovac), i sajuar nga baza bard+os+an(e)>Bardosan = Bardhoshan; Bardiq (i) Nishit, i sajuar nga baza bard+iq>Bardiq; Bardis-i, Bardiz-i, i sajuar nga baza bard dhe prapashtesa greke –is, bard+is>Bardis, trajta shqipe Bardiz (që gjendej në mes Prizrenit dhe Shkodrës); Bardovci i Shkupit dhe Bardova e Shtipit, Batus-i i Fushë Kosovës, i sajuar nga bat+us > Batus, në formën shqipe na del Batush. I njëjti toponim na del në Toplicë me formën e greqizuar dhe të sllavizuar Batonofc, i sajuar nga bat+on+ofc > Batonofc, si edhe toponimi Batusha e Hasit dhe Batusha e Studeniçanit afër Shkupit, janë shënuar me trajtat e shqipes nga bat+ush+a > Batusha.
Toponime parasllave të protoshqipes, mbi bazën dard-a kemi hasur në hapësirën e Dardanisë, ojkonimin mesjetar Darda në Pashtrik, ojkonimin tjetër Dardasi, në rrethinën e Ohrit, i sajuar nga dard+as+i>Dardas-i, trajta shqipe Dardhashi; Darda dhe Dardasi në mes Prizrenit dhe Shkodrës, ndërsa dy toponime të tjera i kemi hasur në formën e shtrembëruar nga administrata sllave, si Darllan dhe Dardishte në hapësirën mes Medvegjës dhe Leskovcit; pastaj Dardiq në anën e Rozhajës dhe Dardiq-i tjetër, në anën e Rogoznos-Bihorit si dhe mikrotoponimin Darlan në katundin Cërnicë të Gjilanit, i cili është shënuar nga administrata sllave e hershme me tingullin –ll në vend të tingullit –dh, d.m.th. me formën e shtrembëruar nga trajta burimore e mirëfilltë e protoshqipes Dardan-Dardhan në Darllan.
Toponimi mbi bazën Das, Dash, për herë të parë përmendet mbi një mbishkrim të datuar në shek. V – VI të erës sonë, i gjetur në rrethinën e Ulpianës së atëhershme nga arkeologu i mirënjohur shqiptar Skënder Anamali.
Toponimi Dasiq në rajonin e Vushtrrisë, si edhe Dashefce në anën e Klinës. Dy toponime me emrin Dashinc në Toplicë dhe dy të tjera në rajonin e Rozhajës dhe të Bihorit.
Toponime mbi bazën e fitonimit lule, të parën herë i gjejmë në burimet osmane të shek. XV, - Lulkofc në masivin malor të çiçavicës, pastaj në rrethinën e Leskovcit, dy toponime si G. Ljuljisa dhe D. Ljuljisa (Lulisa e Epërme dhe Lulisa e Poshtme), të shënuara me formën e greqizuar Lulis-a, nga apelativi i fitonimit të shqipes lule dhe sufiksi i greqishtes –is e formanti –a i serbishtes, Lul-is-a (Ljuljisa).
Po ashtu, në rajonin e Jeni-Pazarit, hasim dy toponime mbi bazën e fitonimit të shqipes: G. Ljuljac, D. Ljuljac (Lulaçi i Epërm dhe Lulaçi i Poshtëm), të cilat i ka deshifruar dhe i ka lexuar drejt studiuesi boshnjak H. Shabanoviç, sipas të cilit nuk kemi të bëjmë me apelativin e sllavishtes Lulaç, që disa studiues serbë mundohen ta lidhin me fjalën sllave llulla-kamishi i duhanit. Në rrethinën e Novabërdës hasim mikrotoponimin me trajtën Luloza-Luluza>Lulza.
Në Toplicë hasim këto toponime me prapashtesat latino-greke: -us, -os, -is, si: Gjakus, i sajuar nga gjak+us>Gjakus; Gjunis-Gjonis, nga gjun-gjon+is>Gjunis-Gjonis; Tanus-Tanusius, trajta shqipe Tanush (në rrethinë të Kurshumlisë); Tarkus-Tarkos, nga tark-thark+os>Tarkos-Tarkus, në mes të Jeni-Pazarit dhe Rashkës. Në këtë hapësirë këtë toponim e ubifikoi H. Shabanoviç, sipas të cilit s'ka të bëjë me vendbanimin e sotëm Trikose, që disa studiues serbë e identifikojnë në mes Zveçanit dhe Leposaviqit, prandaj nuk mund të pranohet ky ubifikim i tyre. Në anën verilindore të rajonit të Llapit ekzistonte një toponim si vendbanim me formën e shënuar në regjistra kadastralë osmanë, që mund të lexohet në dy mënyra, si: Qavos dhe si Qafos. Mendojmë se ky toponim ka për bazë apelativin e shqipes qaf(ë)+os>Qafos, me ndërndërrimin e tingullit -f ne -v nga ana e administratës së hershme sllave; njësoj e regjistroi edhe administrata osmane.
Toponime mbi bazën -mal, -mol, mbi bazën e apelitivit të shqipes –mal, gjatë procesit të romanizimit, e më vonë edhe të sllavizimit në hapësirën e Ilirikut gjatë periudhave të kaluara, i bënë rezistencë formës latine -mont dhe asaj sllave –pllanina, siç thotë onomasti i njohur sllav Milivoje Pavloviç. Këtë oronim të protoshqipes e kemi hasur në më se 20 toponime të mesjetës mbi bazën mal në hapësirën e Dardanisë, duke filluar prej Nishit, Vranjës e Shtipit në verilindje, e deri përtej Novi-Pazarit në Perëndim dhe në hapësirë tjetër më të gjerë të Ballka-nit, një apelativ të cilin edhe Danilo Barjaktareviç e lidh me hapësirën e Ilirisë (Illiricum).
Në defterët kadastralë osmanë të shek. XV, hasim toponimin e regjistruar me formën G. Malç dhe D. Malç (Malça e Epërme dhe Malça e Poshtme-I.R.), ndërsa në hartat topografike austriake dhe angleze të shek. XIX, e gjejmë vetëm si një vendbanim me formën Malça, që gjendej në veri të Nishit.
Po ashtu, në defterin e Sanxhakut të Nishit të vitit 1494, e gjejmë të shënuar vendbanimin me formën Maloshishta, nga fjala e shqipes mal+osh+ishta > Maloshishta, që në atë kohë si dhe sot e kësaj dite gjendet në jug të Nishit. Ky vendbanim asokohe kishte 81 shtëpi, 35 beqarë dhe 8 të veja. Emrat e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishin të sferës krishtero-sllave, mirëpo, në mesin e kryefamiljarëve kishte edhe kryefamiljarë me emra tradicionalë të krishterë shqiptarë: Konstandin i biri i Arbanasit, Mark-u i biri i tij; Gurguri i biri i Pavlit, Pavli i biri i Brajsal-it; Gurguri i biri i Brajsal-it, Petri i biri i Brajsal-it dhe Dushmani i biri i Brajsal-it.

Në rajonin e Krushevcit e gjejmë të regjistruar toponimin me dy forma: Maletin dhe Maletino, nga pluralia tantum i shqipes malet+in+o >Maletino.
Në rrethinën e Prokupit gjejmë toponimin e regjistruar me formën Malushic, nga fjala mal dhe prapashtesa -ush e shqipes si edhe prapashtesa +ic e sllavishtes, si mal+ush+ic > Malushic.
Në hapësirën e Jashanicës së Epërme në afërsi të Ribariçi gjejmë toponimin mesjetar Malevce, nga apelativi i shqipes mal+evce.
Në rrethinën e Novi-Pazarit, ekziston toponimi me emrin Malosh, ndërsa në hartat topografike austriane është shënuar me formën Malesh dhe në Sallnamenë e vilajetit të Kosovës me formën Malefça.
Në rrethinën e Gjilanit hasim toponimin Malofça, i regjistruar në defterin e Novabërdës të fundshekullit XV (1497-1498), ndërsa në nahijen e Izvornikut, hasim toponimin me formën tjetër Malisheva që ka të bëjë me vendbanimin e sotëm në rrethinën e Gjilanit.
Në regjistrat kadastralë osmanë, në fshatin Hodanofc të Kamenicës, hasim mikrotoponimin me parashtresën shqipe –ner të togfjalëshit Bashtina Nermal nga ner+mal.
Në defterin e sanxhakut të Vushtrrisë të shek. XVI hasim një vendbanim në rrethin e Komaranit me dy emërtime: Tumaleva dhe emri tjetër Sankofc nga Stankofc. Toponimi i parë është sajuar nga dy gjymtyrë, nga prefiksi –tu në vend të parafalës –te (formë dialektore popullore e shqipes) dhe apelativi i shqipes –mal+ prapashtesa sllave –eva > Tumaleva.
Në defterin e shek. XV për Rrafshin e Kosovës, e gjejmë të regjistruar toponimin me formën Mokrmal, që është sajuar nga dy gjymtyrë: nga mokr, fjalë me etimologji të errët, ndoshta nga fjala greke okris>kodër, me protezën –m, mokris, dhe me shndërrimin e o-së në –a, makris, dhe pas rënies së prapashtesës greke –is, na del toponimi me togfjalëshin dhe shqiptimin nga mokr në makr+mal>Makrmal. Edhe në Sallnamenë e vilajetit të Kosovës të vitit 1900, është regjistuar me formën Mokrmal, e në Sallnamenë tjetër Mokramal, në vend të Makrmal. Shqipfolësit e qujanë Makërmal, ndërsa sllavofolësit Mokromal. Sipas konfiguracionit gjeografik, vendbanimi është i vendosur në një kodër të vogël mali dhe nuk ka të bëjë me fjalën sllave –mokri, "i lagët", "i lagësht".
Në hartat topografike angleze (1860-1868), është shënuar toponimi Malese, i shënuar me formën e shtrembëruar në vend të emrit të mirëfilltë burimor Malesi, atëherë një vendbanim i vogël që gjendej rrëzë masivit malor të Sharrit, në mes fshatit Bob dhe Rakaj të Kaçanikut. Sot ka një vëllazëri që mban mbiemrin e këtij toponimi – Malësiu.
Po në këto harta topografike, e hasim të shënuar toponimin me formën Maluk, nga mal+uk, vendbanim që atëherë gjendej në afërsi të fshatit Masuricë të Vranjës.
Në rrethinën e Shkupit, në defterët osmanë e gjejmë të regjistruar toponimin me formën Malçishte, nga apelativi i shqipes mal+ç+ishte > Malçishte.
Po ashtu në rrethinën e Shkupit, ha-sim ojkonimin tjetër me togfjalësh Gumaleva, formë tautologjike, do të thotë toponim i hibridizuar, për të cilin deri më tash nuk ka bërë fjalë askush. Ky toponim dygjymtyrësh, sipas nesh, është sajuar nga pjesa e parë, një fjalë e gjuhës persiane -gu(h), (ku shkronja h- ka rënë), me kuptimin "mal", dhe gjymtyra e dytë është nga apelativi i shqipes –mal, me prapashtesën sllave –eva, si gu+mal+eva > Gumaleva. Ky vendbanim mesjetar kishte edhe kryefamiljarë me patronime tradicionale shqiptare, sipas leximit tonë, si: Radosav i biri i Prenko-s; Domeniku i biri i Sapo-s (Capo-s); Rela i biri i Sapo-s (Capo-s); Dhimitri i biri i Damo-s (Dhamo-s), etj.
Në defterin e timareve të Vojnukëve të shek. XV të sanxhakut të Qustendilit, ku përfshihej kazaja e Shtipit, ku përveç emrit të oronimit që mbante nahija e Maleshevës, është shënuar edhe toponimi si ojkonim me të njëjtën formë – Maleshev, sipas natyrës së gjuhës shqipe, e jo sipas trajtës sllave Maleshevo.
Përveç toponimeve që përmendëm më lart, kemi edhe toponimin e vjetër mesjetar, i cili për herë të parë përmendet në krisobulën e Stefan Deçanit (viti 1330), me formën e shtrembëruar Unjemir, në vend të Ujmir, sikur del në Klinë.
Në defterin e viilajetit Vlk (viti 1455), për Rrafshin e Kosovës, toponimi është i regjistruar me grafinë arabe-osmane, që lexohet vetëm si Unmir-Onmir, ndërsa paleografët osmanë nga Sarajeva, këtë toponim e kanë lexuar si Onamir dhe Onemir, sipas natyrës së gjuhës sllave, sepse toponimi nuk është shënuar me ndonjë fonemë që do të na riprodhonte zanoren –a apo –e, për ta lexuar këtë toponim dygjymtyrësh si Ona-mir apo si One-mir, lexim ky që në shqipe del me kuptimin Ana e Mirë. Kjo dëshmon se administrata osmane emrin e këtij toponimi e ka shënuar me trajtën e shtrembëruar të marrë nga regjistrat kishtarë sllavë, kurse në dokumentet e mëvonshme të administratës osmane e hasim me emrin Ujmir, e jo trajtat e shtrembëruara sllave: Unjemir, Onamir, Onemir, Unmir apo Onmir.
Vendbanimi Ujmir, në vitin 1455 kishte 12 shtëpi, 1 të ve dhe 1 beqar. Emrat e kryefamiljarëve të këtij vendbanimi ishin të sferës sllavo-krishtere, me përjashtim të dy kryefamiljarëve: Bogavec i biri i Plak-it dhe Pec-in i biri i tij. Emrin e formës shqipe Plak, përgatitësit e defterit e kanë lexuar jo drejt - Beljak.
Ky toponim, në Sallnametë e vilajetit të Kosovës na del me formën e shqipes Ujmir dhe, nuk del në asnjë regjistër tjetër osman me trajtën sllave Dobra Voda, në rrethinën e Klinës.
Një vendbanim tjetër mesjetar me emrin Ujmir e kemi hasur të regjistruar në dy defterë të shek. XV e XVI të sanxhakut të Dukagjinit, në rrethin e Elbasanit. Kjo është një dëshmi e fortë që mund të mbështesë bindjen se toponimi Ujmir i Klinës në mesjetë është shtrembëruar nga administrata e hershme sllave. Po të ishte toponimi sllav Unjemir më i vjetër, ai me siguri do të përdorej edhe gjatë periudhës osmane dhe pasosmane, e jo si Dobra Voda, që përmendet për herë të parë mbas vitit 1930-1940, që sikur shihet qartë, është përkthyer fjalë për fjalë nga toponimi i mëhershëm i shqipes Ujmiri.
Glisha Elezoviç këtë vendbanim e gjen të shënuar në Katastikun e Kishës së Deviçit, në vitin 1761, me format Unemir dhe Unamira, ndërsa në Fjalorin e vendeve dhe vendbanimeve të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene për vitin 1925, e gjen të shënuar me formën e shqipes Ujmir, e jo çiftin - Dobra Voda, dhe, lidhur me këtë emër, thotë: «Fjala është pa mëdyshje shqipe, me siguri nga ujë në voda, ose nga ona-ana e mir = "dobra, lepa strana".
Glisha Elezoviç ka qenë anëtar korrespondent i SANU (Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë) dhe, po të kishte qenë fjala sllave Unjemir e përshtatur me Ujmir në gjuhën shqipe, ai do ta shpjegonte këtë dukuri, sepse ai e njihte mirë gjuhën shqipe.
Historiani serb Rela Novakoviç, mendon se Ujmiri i Klinës që del në krisobulën e lartpërmendur me formën Unjemir, duhet lidhur me fshatin sakson Wunschöitz që lidhet me emrin sllav Unémir-Unislav të çekisë. Edhe Jireçek, në një punim të tij, duke cituar krisobulën e vitit 1330, thotë se vendi Unjemir është një emër i vjetër – antroponim serb, pa u thelluar më tepër në etimologjinë e këtij emri. Këtu duhet theksuar se kemi të bëjmë me toponimin dygjymtyrësh të shqipes uj(ë) /i/ mirë>Ujmir, e jo me antroponimin (emrin) serb Unjemir.
Edhe Muhamet Tërnava, në studimin e tij «Shqiptarët e sotëm të Kosovës në dritën e toponimeve », nuk pajtohet me mendimin e këtyre historianëve serbë, duke pohuar se krisobula e Deçanit nuk është ruajtur në formën origjinale, por në përshkrim të origjinalit dhe askush nuk mund të garantojë se edhe në origjinalin e saj ky toponim ishte shënuar si Unjemir e jo si Ujmir.
Për këtë arsye mund të mendohet se ky ndryshim i vogël midis këtyre dy trajtave të emrit të këtij vendbanimi mund të jetë shumë lehtë rezultat i ndonjë gabimi të padëshirueshëm të përshkruesit të krisobulës, aq më parë kur gabimet e këtilla nuk ishin të rralla për dokumentacionin mesjetar, sidomos kur ai përshkruhej disa herë. Tërnava nuk përkrah mendimin e historianit Rela Novakoviç, duke thënë se ky toponim ka prejardhje shqipe dhe është marrë nga shqipfolësit dhe, këtë formë që e ka edhe sot, e ruan që nga shek. XIV; për këtë citon edhe mendimin e Eqrem çabejt se ky toponim rrjedh nga gjuha shqipe.
Edhe Latif Mulaku dhe Mehmet Halimi mendojnë se ky toponim është përkthyer nga Ujmiri në Dobra Voda, dhe, përkthimi i tij është shumë i vonshëm. Në këtë frymë është krijuar toponimi Kroni i Bardhë (te Nushiqi, Kronj te Bal), me përkthimin gjithnjë të futur në kllapa (Bela Voda). Po kështu kemi edhe toponimet turke Kara Su (Uji i Zi), Ak Su (Uji i Bardhë) dhe Ek?i Su (Uji Mineral).
Toponimi tjetër mbi bazën ujë, është një vendbanim tjetër që del në krisobulën e Deçanit (viti 1330), që gjendet në juglindje të Gjakovës. Autorët serbë su-pozojnë se ky toponim ndoshta e ka marrë emrin sipas një mali të quajtur Ujezdin, i cili gjendej 15-20 km në anën perëndimore të fshatit Kosharë. Edhe pse forma e toponimit shqiptar ishte shtrembëruar, shihet qartë nënshtresa e tij shqipe, meqë trajta sllave Ujezdin nuk ka kurrfarë kuptimi në gjuhët sllave, prandaj gjatë sundimit të shtetit mesjetar serb, mori edhe emrin tjetër Radotinc. Siç shihet, ky toponim është përftuar nga apelativi i shqipes ujë, dhe prapashtesa e gjuhës shqipe –ëz, dhe në fund toponimi merr formën shqipe Ujëz.
Ky toponim është regjistruar edhe në dy defterët e sanxhakut të Dukagjinit (viti 1571 e 1591) në nahijen e Domeshtinit me dy emërtime - Radotinc dhe Ujëz, sepse administrata sllave para kohës osmane, kishte bërë përpjekje për ta ndërruar toponimin shqip më të vjetër Ujëz, për t'i humbur gjurmën e toponomastikës shqiptare.
Ky toponim është ruajtur deri më sot, ndonëse në atë kohë në këtë vendbanim nuk kishte popullsi sllave, dhe toponimi sllav i imponuar mbeti vetëm si gjurmë në këto dokumente, po më vonë u zhduk, ngase popullsia vendëse nuk e kishte futur në përdorim asnjëherë.
Në defterët kadastralë osmanë të shek. XV–XVI kemi hasur edhe toponimin Zym, po dhe me emrin tjetër sllav - Zubofc.
Etimologjia dhe semantika e këtij toponimi është e errët, por na duket se është me formë të shqipes. Ky horonim lidhet me apelativin e shqipes si zym ( i zym, khs. hi, e për i përhim, mb.)+ prapashtesa mbiemërore – të 'i errët'. Ky shpjegim etimologjik pothuajse pajtohet plotësisht me konfiguracionin gjeografik, si një grykë mali me thepa të lartë, që e tregon edhe trajta çift, sllave, Zubovc, d.m.th. vend i thepisur. Në këtë frymë u krijua edhe ojkonimi Karashëngjergj (turq. kara "i zi"). Prandaj emërvendi Zym nuk ka të bëjë me formën turke yzym – rrushi, siç mendojnë disa studiues, meqë toponimi edhe në regjistrat osmanë është shënuar pa shtesën protetike ?, (vetëm si – Zym, e jo si ?z?m), dhe jo si emrat e tjerë më z nistore, që, sipas fonetikës turke, marrin shtesën protetike – i, ?, si p.sh. Izveçan = Zveçan, Izlatar = Zlatar, Smira - Izmir, etj.
Në fund po përmendim edhe toponimin Zhur, i cili përmendet si vendbanim në Aktdhuratën e Stefan Deçanit të vitit 1326, kur i dhuron disa fshatra Ipeshkvnisë së Prizrenit, përfshirë edhe Zhurin e Prizrenit.
Lidhur me prejardhjen e toponimit Zhur bën fjalë edhe akademik I. Ajeti, në një studim të tij, ku, në mes të tjerash, pohon se origjina e kësaj fjale duhet lidhur me fjalën latine sabur, - saburum, e cila, në gjuhën shqipe, sipas ligjeve të saj, ka dhënë trajtën shur, dhe, me kohë, nëpërmjet sonorizimit, ajo ka kaluar në zhur, me kuptimin shur, "rërë e hollë".
Ky toponim del i regjistruar edhe në defterin e hollësishëm të Rumelisë (viti 1451–1452), si vendbanim me 19 kryefamiljarë që përfaqësonin 19 shtëpi. Regjistruesi i këtij defteri i ka dhënë vetëm patronimet e kryefamiljarëve, një rast i rrallë ky, ku nuk jepen edhe emrat e tyre, siç shihet nga sa vijon: Barleti (Bardheci), Krajislavi, Barda, Olivera, Stojani, Barda tjetër, Nikisha, Gjini, Tanushi, Rako, Pavli, Dimitri, Kalina, Buçani, Barda tjetër, Marko, Bogdani, Novaki, Ivani dhe Buzeti-qi.
Nëse analizohen emrat e këtyre kryefamiljarëve, përkatësisht patronimet e tyre, përveç katër emrave tipikë sllavë (Stojani, Novaku, Krajislavi dhe Bogdani), 16 emrat e tjerë janë të sferës së onomastikonit tradicional shqiptar, duke llogaritur këtu edhe dy të veja me emra të krishterë: Olivera dhe Kalina, emra të femrave shqiptare në mesjetë. Katër kryefamiljarë na paraqiten me emrin Bardhi, njëri prej tyre me trajtën sllave Barlet (për Bardhec), e tre të tjerë, me trajtën sllave Barda, në vend të trajtës shqipe Bardi (Bardhi).
Duhet theksuar se një toponim tjetër gjendej në Mal të Zi del i shënuar edhe në dokumentet sllave të shek. XIV, si edhe në ato osmane të shek. XV, me formën e shqipes Zhur, që më vonë kishte marrë trajtën sllavizuese Zhur-oviq-i->Zhuroviq.
Përveç këtyre dy toponimeve që dalin në dokumentet sllave të shek. XIV, në regjistrat osmanë të shek. XV na dalin edhe dy toponime me emrin Zhur, por në trajtën e sllavizuar Zhurin, në anën e Rogoznës së Bihorit si edhe Zhurin-i tjetër në anën e Prokupes.
Edhe këto tri toponime të fundit me format e shqipes Zhur dhe prapashtesat sllave –in apo –oviq, dëshmojnë se kanë qenë në gojën e shqipfolësve edhe para vendosjes së administratës sllave-serbe në tokat shqiptare.
Hulumtimi dhe studimi i toponimeve, dhe veçanërisht i mikrotoponimeve mund të na ndihmojë për të zgjeruar njohuritë tona në shumë shkenca shoqërore, të cilat na mundësojnë të zbardhim dukuri të ndryshme gjuhësore dhe ngjarje historike të së kaluarës së popullit tonë, për të cilat, burimet shkrimore dhe historike, ose heshtin ose mungojnë fare.
Gjurmët onomastike që ka krijuar populli ynë gjatë shekujve, janë me rëndësi të shumëfishtë për historinë, gjuhësinë, gjeografinë, etnografinë, topografinë si edhe për shkencat ekzakte, për gjeodezinë, gjeologjinë e të tjera, andaj pritet që studiuesit e ardhshëm që këto gjurmë onomastike t'i studiojnë dhe t'i vënë në shërbim të shkencës albanologjike.
Toponimet si nënsistem i çdo gjuhësie të çdo populli, nëse ato deshifrohen dhe zbërthehen në pikëpamje etimologjike dhe semantike, atëherë ato e dëshmojnë se në një hapësirë të caktuar, atje ka jetuar populli që i ka emërtuar vendbanimet e veta në gjuhën e tij popullore, ndërsa shtresat e tjera gjuhësore të administratave të pushtuesve të huaj, qofshin ato kalkime, derivate apo formante të ndryshme, janë më të vona.


___________________ _
Burimet dhe literatura
1. Baskabanlik Arsivi, Istanbul, Maliye Mudevver defrteri nr. 12.
2. BBA Defter-i Mufassal-i Vilayet-i Vlk (Defteri OB I-II, Orijentalni Institut, Sarajevo, 1974.
3. BBAI Arsivi, Istanbul, Tapu Tahrir Defteri, Defter-i Mufassal-i Liva-i Dukagin, nr. 499.
4. BBAI, Tapu Maliye Defter-i nr. 28,
5. BBAI Defteri Mufassal-i Liva-i Nish, nr. 27.
6. BBAI Defteri Mufassal-i Liva-i Alaca Hisar nr. 179 dhe nr. 567.
7. BBAI Defter-i Essami-i Voynuga-i Liva-i Kustendil, nr.21.
8. Pavle Iviq-Milica Grkoviq, Decanske hrisovule, Novi Sad, 1976.
9. Milos Milojevic, Decanske hrisovule, GSUD, Knjiga XII, Beograd, 1880.
10. R. Ivanovic, Decansko vlasteljinstvo, Istorijski casopis, Bgd, 1954, knjiga IV.
11. Miodrag Purkovic, Popis sela u srednjevekovnoj Srbiji, Godisnjak Skopskog Filozofskog Fakulteta Skopje, 1940,
12. Stojan Novakovic, Zakonski spomenici srpskih drzava srednjeg veka, Bgd. 1912.
13. Fanula Papazoglu, Dardanska onomastika, Zbornik filozofskog Fakulteta, knj. 7, Bgd. 1964.
14. Mayer, Die Sprache der Alten Illyrier, Band I, Wien, 1957,
15. Hans Krahe, Lexikon Altillyrischer Personennamen. Heidelberg, 1929.
16. Eqrem çabej, Hyrje nç historinë e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1970.
17. Idriz Ajeti, Studime gjuhësore në fushë të shqipes, 1. Rilindja, Prishtinë, 1982.
18. Shefki Sejdiu, Semantizmi "bardh" në onomastikën e Dardanisë, Rilindjs, 19.X.1985.
19. Rexhep Ismajli, Disa çështje të onomastikës mesjetare, Onomastika e Kosovës, Simpozium i mbajtur më 25 – 27 shtator 1977, Prishtinë, 1979.
20. Selami Pulaha, Popullsia e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, Tiranë, 1984.
21. Muhamet Tërnava, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI. Prishtinë, 1995.
22. Milivoje Pavlovic, Oronimet më të lashta të Ilirikumit, Gjurmime albanologjike, nr. 3, Prishtinë, 1966.
23. Rexhep Doçi, Antroponomia e Kosovës, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1990.
23. Iljaz Rexha, Sllavizimi i onomastikës së vendbanimeve mesjetare arbane në arealin e Dukagjinit, Vjetari, Arkivi Kombëtar i Kosovës, XXV-XXXVI, Prishtinë, 2001.
24. Iljaz Rexha, Regjistrimi i vendbanimeve dhe i popullsisë së kazasë së Novabërdës sipas defterit të fundshekullit XV, Arkivi Kombëtar i Kosoves, XXVII-XXVIII, Prishtine, 2000. 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme