Rikthimi i ariut të bardhë dhe ribërja e hartave

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO së fundmi, lodhi çdo shpresë ruse mbi ndaljen e ekspansionit të Perëndimit përmes NATOS në drejtim të saj dhe siç ndodh rëndom, kur gardhet prishen, atëhere dhuna zgjidh gjithçka.Papritmas boshti euro-atlantik perëndimor si bosht dominues, u gjend nën atmosferën përvëluese të një para lufte të ftohtë. Por, ajo që duket se po e shqetëson më shumë Perëndimin është përballja e vetme që ai duhet të bëjë me të paktën tre fronte apo akse botërore kundërshtare, të cilat jo pak kanë frenuar planet ekspansioniste të tij.
Duke filluar nga Boshti tashmë i shpallur i së Keqes që shtrihet nga Koreja e Veriut, Iran, Siri dhe mbaron në Venezuelë, Boshtin e Kuq që shtrihet nga Kina, Rusia dhe mbaron në Kubë dhe Boshtin Jeshil që përfshin një grumbull stërmadh vendesh myslimane.
Tani, pyetja shtrohet se, si do t’i vejë halli këtij planetit tonë të vogël piktoresk duke parë se të katër boshtet në fjalë janë posedues të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë ?
Ajo që mendoj se do të ndodhë dhe që për të disatën herë ka ndodhur, është që Perëndimi dhe kryesisht SHBA do të duhet të rikonfigurojnë aleancat dhe për rrjedhojë edhe sloganet në mënyrë që të balancojnë përballjen e boshteve kryesore civilizuese. Për këtë nuk do të përbëjë ndonjë habi që tashmë Boshti i së Keqes të mos ketë më ngjyrë të gjelbër (myslimane) por ndoshta të kuqe dhe slogani që Perëndimi nuk negocion apo bën aleanca me shtete të ashtuquajtura “terroriste”, të interpretohet thjesht si një keqkuptim politik i së shkuarës. Lufta ruso-afgane vetëm se e vërteton këtë.
Kërcënimi i hapur i Rusisë për pozicionim luftarak në rast të vendosjes së sistemit amerikan të mbrojtjes anti-raketë në Poloni e Çeki të bën të mendosh se gjërat duhen marrë seriozisht dhe se përballja e re ruso-amerikane do të kërkojë aleanca të reja për të dyja krahët.
Vizita së fundmi e presidentit sirian Bashar el Asad në Rusi si dhe ato të mëhershmet të presidentit iranian Ahmedin Nexhat në po këtë vend, dhanë mesazhin e qartë se i ashtuquajturi Boshti i së Keqes, përfshirë këtu edhe Korenë e Veriut, do të profilizohen si shtete aleate me Rusinë.
Ndërsa bashkësia e shteteve myslimane e konturuar politikisht në Konferencën Islamike, edhe pse me firot e Iranit dhe Sirisë, tani për tani qëndron në një pozicion asnjanës por të vështirë politikisht për arsye se ky bosht civilizues ka marrëdhënie dhe aleanca politiko ushtarake me boshtin euro-atlantik nga njëra anë dhe marrëdhënie të forta të shkëmbimeve ekonomike me Rusinë dhe Kinën nga ana tjetër.
Ja përse Kosova, një njollë e papërfillshme në hartën gjeopolitike botërore, kthehet në një soj instrumenti matës të pozicionimeve të boshteve civilizuese botërore. Ja përse ato vende që u profilizuan si aleate te Rusisë (Iran, Siri, K.Veriut) nuk hezituan të mos njohin pavarësinë e Kosovës.
Ja përse Konferenca Islamike qëndron në një pozicion stand by për sa i përket Kosovës, sepse interesa më të mëdha gjeopolitike dhe influenca shumë më të mëdha se Kosova po luhen në këtë fillim mijëvjeçari.
Pra me pak fjalë i vetmi bosht i cili tashmë i ndodhur në këtë kapërcyell diplomatik dhe politiko-ushtarak,akoma i pa profilizuar qartë, është Boshti Jeshil ose politikisht të themi Konferenca Islamike, e cila duhet të përzgjedhë në mes Perëndimit dhe Lindjes ish komuniste si nocione aleancash politike.
Parë në këtë optikë mund të themi se edhe pozicionimi i KI-së për Kosovën do të bëhet njëkohësisht dhe njëtrajtshmërisht me pozicionimin e vet si bosht në hartën e influencave ndërkombëtare.
Por, duket se të fundit që kuptojmë këto zhvillime jemi ne shqiptarët e të dy anëve të kufirit. Edhe pse Serbia të gjithë gjenocidin e vet ndaj myslimanëve të Ballkanit e mbështeti tek teza e luftës ndaj fundamentalizmit islamik, sot me pafytyrësinë morale dhe politike është e para që vrapon për të lobuar në vendet e Boshtit Jeshil si bosht akoma i pa pozicionuar qartë.
Amerikanët po ashtu edhe evropianët, me nuhatjen e tyre politike, kanë dërguar përfaqësues të tyre pranë KI-së për lobing lidhur ke Kosovën, sepse ata dinë që prononcimi përfundimtar i KI-së në raport me Kosovën përbën edhe pozicionimin e njëmendtë të këtij boshti.
Vetëm ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës kemi luksin akoma të shpërfillim kontakte me këtë bosht dhe për më tepër me publicistë apo “mendimtarë” si Baton Haxhiu e ndonjë tjetër, të cilët sulmojnë çdo përpjekje që në fakt do të ishte me interesa historike kombëtare.
Por, pengesë serioze që blloku i vendeve të KI-së të mund të profilizohet në anën e perëndimit është Izraeli dhe çështja palestineze. Duke qenë se influenca izraelite është faktor vendimtar në politikën amerikane, kjo sjell një pengesë në përafrimin pa kushte midis perëndimit dhe KI-së.
Në këto pozita boshti i ashtuquajtur jeshil duket se ka dy rrugë; e para të bashkohet me boshtin perëndimor si vendimmarrje politike dhe e dyta të qëndrojë asnjanës si bosht duke luajtur politikisht dhe ekonomikisht midis Perëndimit dhe Rusi-Kinës. Nëse zgjedh këtë të dytën atëherë çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet në bllok por do të lihet të përcaktohet individualisht nga shtetet anëtare të këtij boshti.
Një gjë është tashmë e provuar, koha e simpatisë apo dashurisë politike ka marrë fund. Ajo që urojmë është që fakti i të gjendurit tonë në kryqëzime boshtesh civilizuese të mos kthehet edhe kësaj radhe në një makth.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme