Studimi i vëmendshëm i kaptinave kur’anore, andaj edhe i kaptinës Jusuf nxjerr në pah disa përfundime, mësime dhe synime. Nuk pretendojmë se kemi theksuar të gjitha porositë, por mendojmë se në parim janë përfshirë shumica e tyre. Kur’ani është mu’xhize dhe nuk mund të shterret vetëm me një lexim apo vetëm nga një brez dijetarësh. Ai do të jetojë ndër njerëzit deri në Ditën e shkatërrimit (jewm’us-sa’atu):
1. Besimi në Zotin Një dhe i Vetëm ( Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.) (El-Ihlas, 1-4).
2. Fuqia e Allahut të vetëm është e pakufishme, e plotëfuqishme dhe e plotëpushtetshme. Asgjë nuk i paraprinë para dhe pas, herët e vonë.
3. Allahu ka dërguar të dërguar e lajmëtarë kohë pas kohe për të udhëhequr njerëzinë në besimin e një Allahu. Të gjithë ata janë një familje dhe plotësim i mësimit të atij që ishte para tij.
4. Të gjithë të dërguarit dhe lajmëtarët kanë qenë njerëz dhe kanë jetuar jetën e njerëzve të kohës së tyre. Të gjithë ata janë ballafaquar me ngrohtësi dhe ftohtësi, me dashuri dhe dhembje, me uri dhe ngopësi, me shëndet dhe sëmundje, sikur të gjithë të tjerët.
5. Duke ftuar në besim në një Zot, si njerëz kanë fituar shumë armiqë dhe kundërshtarë. Shumë prej të zgjedhurve të Allahut e kanë lënë vendin e tyre dhe kanë vazhduar misionin e tyre në vend tjetër për ta mbjellë farën e mirësisë.
6. Allahu i ka ndihmuar të dërguarit (rusul) dhe lajmëtarët (enbija) me mrekulli që u përshtateshin kohës dhe rrethanave të tyre për të vërtetuar se misioni i tyre është hyjnor.
7. Të dërguarit e Allahut kanë qëndruar të pathyeshëm para mundimeve të kundërshtarëve deri në fitore ose deri sa kundërshtarët janë dënuar prej Allahut të madhëruar.
8. Allahu i shpërblen me xhennet besimtarët që kanë përkrahur dhe ndihmuar të dërguarit dhe lajmëtarët e Allahut, duke ndjekur mësimet, udhëzimet dhe zbatimin praktik të fesë.
9. Të dërguarit dhe lajmëtarët kanë vuajtur dhe janë munduar nga popujt e tyre. Për këtë arsye, ata duhet të jenë të pajisur me virtytin e durimit, të punës, me oratori dhe metoda efikase të të ftuarit, duhet të kenë shpresë në ndihmën e Allahut dhe në fitoren përfundimtare të fesë së tyre.