Secili nga pejgamberët e dërguar njerëzimit, prej pejgamberit të parë, njëkohësisht njeriut të parë Ademit a.s. e gjer te pejgamberi i fundit Muhamedi a.s., kanë predikuar një shpallje unikate me të cilën janë ngarkuar nga Allahu i Madhëruar. Të gjithë ata, i kanë bërë me dije njerëzimit mbarë se shpallja nga Allahu Fuqiplotë, përmban në agjendën e vet sistemin e përsosur jetësor sipas së cilës ata duhet t’i përshtatin sjelljet e tyre, të aspektit të besimit dhe të veprave, në jetën e tyre private dhe publike. Shoqria që e ka pranuar thirrjen e pejgamberëve, bashkë me të, i ka pranuar edhe të gjitha normat edukativo-arsimore dhe moralo-etike. Prej normave të moralit dhe edukatës, një rëndësi të veçant ka implikuar edhe respektimi i kodit të mirësjelljes dhe përshëndetjes, si një tipar që kontribuon në masë të madhe në përmisimin e raporteve ndërnjerëzore dhe ndërshoqërore.
Përkufizimi i formës së ‘selamit’ si përshëndetje
‘Selami’ është shprehje (përshëndetje) unikate për të gjithë pjesëtarët e Islamit. Ai shprehet në gjuhën arabe. Forma e plotë e përshëndetjes islame ‘selam’ është kështu: i pari i cili e fillon përshëndetjen thotë: ‘es-selamu alejkum’, dhe mund t’ia shtojë pjesën: ‘ve rahmetullahi’, domethënë: es-selamu alejkum ve rahmetullahi. Ndërsa, i dyti që e kthen përshëndetjen, thotë: ‘ve alejkum selam ve rahmetull-Llah’, dhe sipas mundësisë i shtohet edhe pjesa ‘ve berekatuhu’. Sepse, më së paku, duhet këthyer përshëndetjen e njëjtë, ndërsa më së shumti (e mira e të mirës) është që përshëndetja t’i kthehet duke ia kapërcyer, e kjo bëhet duke ia shtuar në fund fjalën ‘ve berekatuhu’. Ky konstatim, ka mbështetje në ajetin kur’anor, ku Allahu i Madhëruar i porositë besimtarët se:
وَإِذَا حُيِّيتُمْ بِتَحِيَّةٍ فَحَيُّوا بِأَحْسَنَ مِنْهَا أَوْ رُدُّوهَا إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ حَسِيبًا
“Kur përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëndetje edhe më të mirë, ose kthenie ashtu. Allahu llogarit për çdo send.” (Kur’ani, En-Nisa:86)
Domethënia e përshëndetjes “es-selamu alejkum”
Përshëndetja islame ‘selam’ me të vërtetë ka domethënie të gjerë. Ajo karakterizohet me një kuptim unikat në gjuhën arabe, ndërsa përkthimi i saj bukval në gjuhën shqipe, po thuajse është i pamundur. Kur i hapim fjalorët e gjuhës, vërejmë dhe vërtetojmë se nocioni ‘selam’ ka më shumë se një, dy, tre, katër, pesë e më tepër kuptime tejet domethënëse. Teufik Muftići, ne lidhje me domethënien e nocionit ‘selam’ numron këto kuptime. Sipas tij ‘selam’ do të thotë: të jesh shëndosh e mirë; të jesh i padëmtuar; i sigurtë; i dëlirë, i panjollë, shembullor; të jesh besnik, të dëshmohesh; të jesh i përkushtuar (Zotit); shpëtim; mirëqenie; paqeje, etj. Përveç kësaj, ‘selam’ është edhe fjalë e Allahut të Madhëruar, sikurse i Lartëmadhëruari thotë:
سَلَامٌ قَوْلًا مِنْ رَبٍّ رَحِيمٍ
“…Selam, thënie e Zotit Mëshirues” (Kur’ani, Jasin:58). Edhe më shumë, ‘selam’ është edhe njëri nga emrat e bukur të Allahut të Madhëruar.
Ndërsa, morfologjikisht, përkufizimi ‘es-selamu alejkum’ përbëhet nga dy pjesë: es-selamu dhe alejkum, që do të thotë ‘selami qoftë mbi ju’. Kësaj fraze i mbështetet edhe fjala tjetër kompletuese: ve rahmetullahi (mëshira e Allahut). Pra, es-selamu alejkum ve rahmetullahi – selami dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju. Ndërsa kur kthehet përshëndetja, atëherë vetëm bëhet ndërrimi i dy pjesëve përbërëse të përshëndetjes, e që tingëllon ‘ve alejkum selam’ – edhe mbi ju qoftë selami. Po ashtu edhe kësaj i mbështeten edhe dy fjalë tjera kompletuese: “ve rahmetullahi ve berekatuhu”- mëshira e Allahut dhe bereqeti i Tij. Pra, ‘ve alejkum selam ve rahmetullahi ve berekatuhu’- edhe mbi ju qoftë selami, mëshira dhe bereqeti i Allahut.
Sipas këtij konfiguracioni, në sipërfaqe i kemi tri fjalë që e bëjnë madhështore ‘selamin’ si përshëndetje, ato janë: ‘selami’, ‘rahmeti’ (mëshira e Allahut) dhe ‘bereketi’ (begatitë e Allahut). Që të tri fjalët kanë kuptime të mëdha dhe të rëndësishme për jetën e njeriut – besimtarit. Përpos kuptimeve të ndara që secila prej tyre i ruan në vete, kanë edhe një lidhje shkakore që e karakterizojnë njëra tjetren.
Në këtë rrafsh, ‘selami’ si fjalë e parë, identifikon ‘besimin islam’, sipas një ajeti kur’anor, ku Allahu i Madhëruar, ‘selamin’ e bën sinonim të imanit . Ndërsa përvetësimi i ‘selamit’ (imanit) nga një njeri, pa dyshim është dhurata më e madhe e mundshme. Ky përvetësim, është shkak për mëshirën e vërtetë të Allahut xh.sh. në këtë botë dhe në botën tjetër. E kur te një njeri ekzistojnë këto dyja imani, me patjetër se atij njeri i është dhënë mirësi i madhe (bereket).
Bazat e ‘selamit’ si përshëndetje
Ekzistojnë shumë citate nga bazat e fesë, që ‘selamin’ si përshëndetje islame e bëjnë pjesë të moralit dhe etikës së lartë të muslimanit. Është gabim të mendohet se ‘selami’ si përshëndetje, është një novatori apo se është përshëndetje e një kombi të caktuar dhe se nuk ka baza në fe. Përkundrazi, përshëndetja islame ‘selam’ ka baza të qarta dhe decidive në Kur’anin famëlartë dhe në Sunnetin e Muhamedit s.a.v.s..
Allahu i Madhëruar, në Kur’an i porositë besimtarët që kur të hyjnë në ndonjë shtëpi të huaj, të marrin leje nga familjarët dhe në kontaktin e parë me ndonjërin prej tyre, t’i përshëndesin me ‘selam’:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا لَا تَدْخُلُوا بُيُوتًا غَيْرَ بُيُوتِكُمْ حَتَّى تَسْتَأْنِسُوا وَتُسَلِّمُوا عَلَى أَهْلِهَا ذَلِكُمْ خَيْرٌ لَكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ
“O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj (me selam). Kjo është më mirë për ju në mënyrë që të merrni mësim” (Kur’ani, En-Nur: 27)
Pejgamberi s.a.v.s. në një thënie të tij, ndërsa na mëson rregullat e mirësjelljes, thotë se dhënia dhe pranimi i ‘selamit’ konsiderohet prej 5 detyrimeve që muslimani i ka ndaj muslimanit. Transmeton Seid bin El-Musejjeb se Ebu Hurejra r.a. ka thënë: e kam dëgjuar Pejgamberi s.a.v.s. duke thënë:
حَقُّ الْمُسْلِمِ عَلَى الْمُسْلِمِ خَمْسٌ رَدُّ السَّلَامِ وَعِيَادَةُ الْمَرِيضِ وَاتِّبَاعُ الْجَنَائِزِ وَإِجَابَةُ الدَّعْوَةِ وَتَشْمِيتُ الْعَاطِسِ
“Muslimani ndaj muslimanit i ka pesë obligime: kthimin e selamit, viziten e të sëmurit, faljen e namazit të xhenazës, përgjigjjen ndaj ftesës së tij dhe lutjen për mëshirë nga Allahu kur teshtit.”
Pastaj në një hadith tjetër, Pejgamberi s.a.v.s përshëndetjen e ‘selamit’ e llogarit pikërisht prej atyre elementeve që ndikojnë drejtpërdrejt në nxitjen e dashurisë reciproke te muslimanët. Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra r.a. Resulullahi s.a.v.s. ka thënë:
لَا تَدْخُلُونَ الْجَنَّةَ حَتَّى تُؤْمِنُوا وَلَا تُؤْمِنُوا حَتَّى تَحَابُّوا أَوَلَا أَدُلُّكُمْ عَلَى شَيْءٍ إِذَا فَعَلْتُمُوهُ تَحَابَبْتُمْ أَفْشُوا السَّلَامَ بَيْنَكُمْ
“Nuk do të hyjni në xhennet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të duheni në mes veti. A doni t’ju tregoj për një gjë, që nëse e veproni do të duheni: jepni selam në mesin tuaj.” Dhe hadithe të tjera.
Umeti islam dhe përshëndetja ‘es-selamu alejkum’
Secili popull ka veçoritë dhe identitetin e vet. Umeti i Muhamedit a.s. pa marrë parasysh largësitë teritoriale dhe të kufijve apo dallimet e tjera, është një dhe unikat në pikëpamjet e fesë, sepse ka një besim, një moral fetar, andaj edhe e ka përshëndetjen e vet të vaçant që njihet me emërtimin ‘selam’. Me këtë, dëshiroj të potencoj se përshëndetja islame ‘es-selamu alejkum’ nuk është pronë e asnjë populli apo kombi. Ndonëse është në gjuhën arabe, ajo nuk është e arbëve në mënyrë të vaçant. Në të vërtetë aq sa kanë të drejtë arabët, që të pretendojnë se ajo është përshëndetja e tyre, po aq ka të drejtë çdo komb tjetër, pjesëtar i fesë islame, që të thotë se ajo është e tyre. Sepse ‘selami’ është ‘gjuha’ e fesë islame dhe me të mund të komunikojnë dhe duhet të komunikojnë të gjithë ata që Islamin e njohin për besim të tyre dhe fe të tyre.
Le ta themi edhe këtë, se kombi arab ka përshëndetjet e veta eskluzive, sikurse çdo komb tjetër, p. sh. Mirëmëngjes (sabahul hajr), mirëdita (neharukum se’idun), mirëmbrëma (lejletukum se’idetun), mirupafshim (ilel-likai) etj. Të njëjtat përshëndetje i kemi edhe ne si komb shqiptar. Pa dyshim edhe këto konsiderohen përshëndetje, porse në krahasim me përshëndetjen e ‘selamit’ nuk krahasohen dot, sikurse do ta shohim më poshtë kur të vijmë te njësia ‘domethënia besimore e përshëndetjes’.
Pretendimi paradoksal se përshëndetja islame e ‘selamit’ është e ndonjë kombi të caktuar, është e barbartë sikur të themi se Kur’ani është i ndonjë kombi të caktuar apo saktësisht, i arabëve përse ka zbritur në gjuhën arabe, apo edhe më paradoksalisht të themi se feja islame është e kombit arab, për shkak se Kur’ani është në gjuhën arabe dhe se Pejgamberi është nga gjiri i tyre. Kjo nuk qëndron absolutisht. Madje pohimi i këtillë, tregon cekshmërinë e njohurive në raport me njohjen e fesë islame. Këmbëngulësia në këtë paraqet një gabim sa të panevojshëm aq të pajustifikueshëm.
Definitivisht, përshëndetja islame, ‘selam’ është e të gjithë muslimanëve pa dallim ngjyre, kombi, fisi apo gjinie, për arsyen e vetme, sepse është përshëndetje fetare dhe buron nga Kur’ani dhe Sunneti i Resulullahit s.a.v.s.
Historiku i përshëndetjes islame ‘selam’
‘Selami’ ka një histori të gjatë te njerëzimi në përgjithësi. Realisht ajo është e vjetër sa edhe vetë njeriu. Në hadithe të Pejgamberit a.s. vërtetohet se prej normave morale të mirësjelljes, që Allahu i Madhëruar i pati mësuar njeriut të parë Ademit a.s., menjëherë pas krijimit të tij, kishte qenë edhe mësimi i përshëndetjes ‘es-selamu alejkum’
Në hadithin që e transmeton Imam Buhariu nga Ebu Hurejra r.a., Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
فَلَمَّا خَلَقَهُ قَالَ اذْهَبْ فَسَلِّمْ عَلَى أُولَئِكَ النَّفَرِ مِنْ الْمَلَائِكَةِ جُلُوسٌ فَاسْتَمِعْ مَا يُحَيُّونَكَ فَإِنَّهَا تَحِيَّتُكَ وَتَحِيَّةُ ذُرِّيَّتِكَ فَقَالَ السَّلَامُ عَلَيْكُمْ فَقَالُوا السَّلَامُ عَلَيْكَ وَرَحْمَةُ اللَّهِ فَزَادُوهُ وَرَحْمَةُ اللَّهِ
“Pasi që Allahu e krijoi Ademin a.s. i tha atij: shko dhe jepju selam atij grupi të melaqeve që qëndrojnë ulur dhe dëgjoji mirë se si po ta kthejnë përshëndetjen, sepse ajo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve tu. Ai (Ademi a.s.) u tha: es-selamu alejkum!” Ata ia kthyen: es-selamu alejke ve rahmetullahi. Pra ia shtuan fjalën ‘ve rahmetull-Llahi’.”
Ky hadith na qartëson dy të vërteta: 1. të vërtetën, se ‘selami’ historikisht prinë ndaj çdo forme tjetër të përshëndetjeve, dhe 2. se ‘selami’ si përshëndetje nuk fillon vetëm me zbritjen e Kur’ani dhe dërgimin e Muhamedit a.s. për pejgamber, por ajo është shumë e herëshme. Ky është edhe një argument shtesë se ‘selami’ nuk është aspak përshëndetje eskluzive e arabëve, por e të gjithë njerëzve (muslimanëve), sepse Ademi a.s. është babai i të gjithë njerëzve.
Edhe më shumë se kaq, po ashtu nga historia do të vërtetojmë se ‘selami’ si përshëndetje islame, e ka trasuar rrugën e vet origjinale për gjatë gjithë historisë së njerëzimit, në çdo epokë. Në Kur’anin famëlartë lexojmë se, kur Ibrahimit a.s. i kishin ardhur dy melekë myzhdegji (sihariques) për lindjen e ardhshme të djalit të tij të ardhshëm Ismailit a.s., pikërisht ‘selami’ kishte qenë përshëndetja ndërmjet tyre. Le ta lexojmë ajetin kur’anor që saktësisht na rrëfen këtë ngjarje:
وَلَقَدْ جَاءَتْ رُسُلُنَا إِبْرَاهِيمَ بِالْبُشْرَى قَالُوا سَلَامًا قَالَ سَلَامٌ فَمَا لَبِثَ أَنْ جَاءَ بِعِجْلٍ حَنِيذٍ
“Edhe Ibrahimit i patën ardhur të dërguarit (engjëjt) tanë me myzhde dhe i thanë: ‘selam’. Ai u përgjegj: ‘gjithnjë paqi selam’ dhe nuk vonoi t’ju sjellë një viç të pjekur” (Kur’ani, Hud: 69).
‘Selami’ si përshëndetje është obligim për muslimanët
‘Selami’, pa dyshim konsiderohet prej çështjeve obligative për muslimanët. Në konceptin islam, përshëndetja islame ‘selam’ është e pazëvendësueshme me asnjë përshëndetje, sepse është përshëndetje që Allahu e ka urdhëruar, kurse i Dërguari i Tij s.a.v.s. na ka mësuar se si ta aplikojmë në jetën tonë të përditshme. Aplikimi i tij, nuk është çështje vullneti, por është çështje urdhëri dhe detyrimi. Zëvendësimi pa arsye me ndonjë përshëndetje tjetër, konsiderohet akt i palejueshëm. Sepse, në ajetin e mëposhtëm, Allahu i Madhëruar ‘selamin’ e ka vërtetuar se është përshëndetje prej Allahut dhe është e bekuar nga Ai. I Lartëmadhëruari në Kur’an thotë:
فَإِذَا دَخَلْتُمْ بُيُوتًا فَسَلِّمُوا عَلَى أَنْفُسِكُمْ تَحِيَّةً مِنْ عِنْدِ اللَّهِ مُبَارَكَةً طَيِّبَةً كَذَلِكَ يُبَيِّنُ اللَّهُ لَكُمُ الْآَيَاتِ لَعَلَّكُمْ تَعْقِلُونَ
“… Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (me selamun alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme. Kështu Allahu ua sqaron argumentet që t’i kuptoni.” (Kur’ani, En-Nur:61).
Edhe Pejgamberi a.s., e ka obliguar përshëndetjen me ‘selam’. Transmetohet nga Bera bin Azib r.a., i cili ka thënë:
أَمَرَنَا النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ بِسَبْعٍ وَنَهَانَا عَنْ سَبْعٍ فَذَكَرَ عِيَادَةَ الْمَرِيضِ وَاتِّبَاعَ الْجَنَائِزِ وَتَشْمِيتَ الْعَاطِسِ وَرَدَّ السَّلَامِ وَنَصْرَ الْمَظْلُومِ وَإِجَابَةَ الدَّاعِي وَإِبْرَارَ الْمُقْسِمِ
“Na ka urdhëruar Pejgamberi s.a.v.s. për shtatë gjëra dhe na ka ndaluar nga shtatë të tjera. Na ka urdhëruar për: vizitën ndaj të sëmurit, faljen e namazit të xhenazës, lutjen për shëndet ndaj atij që teshtit, kthimin e selamit, ndihmën ndaj të të dëmtuarit, përgjigjen ndaj ftuesit dhe përmbushjen e betimit.”
Ndërsa në një hadith tjetër, Pejgamberi a.s., urdhëron që ‘selami’ si përshëndetje, të prijë para çdo bisede tjetër me rastin e takimit me ndonjë njeri (musliman). Ai thotë:
من بدأ بالكلام قبل السلام فلا تجيبوا حتي يبدأ بالسلام
“Kush ju flet juve para se t’ju japë selam, mos iu përgjigjuni derisa të fillojë me selam”.
Të kësaj natyre, hadithet vërtet janë shumë. Po kështu nëpër hadithe të shumta mësohen rregullat e dhënies ‘selam’ të tjerëve. Për shembull kalorësi i jep ‘selam’ këmbësorit, ndërsa këmbësori i jep ‘selam’ atij që është ulur. Pastaj i riu, fillon i pari me ‘selam’ ndaj më të moshuarit, grupi më i vogël e përshëndet grupin më të madh, e kështu me radhë.
‘Selami’ është përshëndetja për Pejgamberin a.s.
Allahu në Kur’an i ka urdhëruar besimtarët që kur ta përshëndesin Pejgamberin s.a.v.s, atë ta bëjën duke i dërguar ‘salavate’ dhe ‘selame’ (dua):
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا
“…O ju që keni besuar, madhëroni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (Kur’ani, El-Ahzab:56).
Përpos kësaj ‘selami’ është përshëndetje edhe për Allahun. Në një hadith që e transmeton Buhariu, Nesaiu dhe të tjerë nga Abdullah bin Mes’udi r.a., mund të kuptohet qartë se ‘selami’ si përshëndetje është edhe për Allahun, mirëpo Pejgamberi a.s. i ka ndaluar sahabët që të thonë: ‘es-selamu alall-LLahi’ – selami qoftë për Allahun, për shkak se njëri nga emrat e tij të bukur me të cilin e ka emërtuar Allahu xh.sh. Qenien e Vet është edhe ‘Es-Selam’. Kjo do të thotë se Allahu është vetë “Selami” dhe nuk ka nevojë për ‘selam’. Për këtë kanë nevojë krijesat e tij. Në lidhje me këtë Ibni Mes’udi r.a. transmeton:
كُنَّا نَقُولُ فِي الصَّلَاةِ قَبْلَ أَنْ يُفْرَضَ التَّشَهُّدُ السَّلَامُ عَلَى اللَّهِ السَّلَامُ عَلَى جِبْرِيلَ وَمِيكَائِيلَ فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ لَا تَقُولُوا هَكَذَا فَإِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ هُوَ السَّلَامُ وَلَكِنْ قُولُوا التَّحِيَّاتُ لِلَّهِ وَالصَّلَوَاتُ وَالطَّيِّبَاتُ السَّلَامُ عَلَيْكَ أَيُّهَا النَّبِيُّ وَرَحْمَةُ اللَّهِ وَبَرَكَاتُهُ السَّلَامُ عَلَيْنَا وَعَلَى عِبَادِ اللَّهِ الصَّالِحِينَ أَشْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ
“Para se të obligohej tesheh-hudi (et-tehijjati), ne këndonim në namaz: selami qoftë për Allahun, selami qoftë për Xhibrilin dhe Mikailin. Pejgambri s.a.v.s. tha: mos thuani kështu, sepse Allahu i Madhëruar është Es-Selami, por thuani: përshëndetjet, lutjet dhe gjithë të mirat i përkasin Allahut, ndërsa selami, rahmeti dhe bekimi i Allahut qoftë mbi ty o i Dërguari i Allahut. Selami qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përpos Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.”
Me ‘selam’ të gjallët i përshëndetin të vdekurit
Nga praktika profetike, transmetohet se Pejgamberi a.s. përpos që selamin ua ka dhënë të gjallëve, atë ua ka dhënë edhe të vdekurve, sa herë, që ka kaluar pranë varrezave, apo kur i ka përkujtuar ata.
Transmetohet nga Sulejman bin Burejdete, e ky nga babai i tij r.a. se Resulullahi s.a.v.s. i mësonte sahabët, që kur të kalojnë pranë varrezave, të këndojnë këtë lutje:
السَّلَامُ عَلَيْكُمْ أَهْلَ الدِّيَارِ مِنْ الْمُؤْمِنِينَ وَالْمُسْلِمِينَ وَإِنَّا إِنْ شَاءَ اللَّهُ بِكُمْ لَاحِقُونَ نَسْأَلُ اللَّهَ لَنَا وَلَكُمْ الْعَافِيَةَ
“Es-selamu alejkum (shpëtimi qoftë mbi ju) o ju banorë të këtyre varrezave, besimtarë dhe muslimanë, në dashtë Allahu edhe ne do të vijmë tek ju. Kërkojmë falje te Allahu për ne dhe për ju.”
‘Selami’ është përshëndetja e banorëve të xhennetit
Përshëndetja islame ‘selam’, përpos që është përshëndetje e muslimanëve në këtë botë, ajo është përshëndetje edhe e banorëve të xhennetit. Në dhjetëra vende në Kur’an, Allahu ka vërtetuar se banorët e xhenetit, do të përshëndeten me ‘selam’. Engjëjt do t’u thonë:
سَلَامٌ عَلَيْكُمْ بِمَا صَبَرْتُمْ فَنِعْمَ عُقْبَى الدَّارِ
“selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin, sa përfundim i lavdishëm është ky vend” (Kur’ani, Er-Rra’d:24). Pastaj ajeti:
الَّذِينَ تَتَوَفَّاهُمُ الْمَلَائِكَةُ طَيِّبِينَ يَقُولُونَ سَلَامٌ عَلَيْكُمُ ادْخُلُوا الْجَنَّةَ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ
“Të cilëve duke qenë të pastër, engjëjt ua marrin shpirtin, duke u thënë: ‘selamun alejkum’- gjetët shpëtimin, hyni në xhennet për hirë të asaj që vepruat”. (Kur’ani, En-Nahl:32).
Po ashtu, këtë e vërtetojnë edhe shumë hadithe të Pejgamberit a.s.. Në një hadith Resulullahi s.a.v.s. thotë:
اعْبُدُوا الرَّحْمَنَ وَأَطْعِمُوا الطَّعَامَ وَأَفْشُوا السَّلَامَ تَدْخُلُوا الْجَنَّةَ بِسَلَامٍ
“Adhurojeni të Gjithëmëshirshmin, jepni ushqim dhe jepni selam, do të hyjni në xhennet me selam.”
Domethënia besimore e ‘selamit’ dhe epërsia e tij
mbi çdo përshëndetje tjetër
Deri këtu, përgjithësisht i kemi pa specifikat e përshëndetjes islame ‘es-selamu alejkum’. Kemi vërejtur se, ‘selami’ si fjalë është thënie e Allahut të Madhëruar; se ai ka domethënie të gjerë dhe shumë përmbajtësore; se ‘selami’ është përshëndetja e parë e njeriut të parë Ademit a.s.; se ‘selami’ është përshëndetja e melekëve që i kanë bërë Ibrahimit a.s.; se ‘selami’ është përshëndetja për Pejgamberin a.s.; se ‘selami’ është përshëndetja për të vdekurit, se ‘selami’ është përshëndetja e banorëve të xhennetit; se ‘selami’…, me një fjalë dhe mbi të gjitha është ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar në njërin prej ajeteve që e kemi cituar më lartë: ‘është një përshëndetje e caktuar nga Allahu, e që është e bekuar dhe e këndshme.'
Nuk janë vetëm këto veçoritë e ‘selamit’ si përshëndetje. Jo, ato janë akoma më shumë që ne, disa mund t’i identifikojmë e disa nuk mund t’i dimë. Një është me rëndësi se përshëndetja islame ‘es-selamu alejkum’ është unikate, e veçantë, me vlerë të pazëvendësueshme dhe e pa krahasuar me asnjë përshëndetje tjetër nga formulimet njerëzore. Le të pyesim, cilat janë ato vlera besimore (akaidore) që ‘selamin’ si përshëndetje e bëjnë të veçantë dhe atraktive? Prej vlerave besimore më kryesore janë tri sosh:
1. ‘Selami’ është reflektim i besimit stabil në Allahun e Madhëruar. Fakti se ‘selami’ është veçanti e muslimanëve dhe me të nuk lejohet t’i përshëndetim jo muslimanët, tregon se e vërteta e tij, mbi të gjitha, është një e vërtetë besimore. Pranimi i konceptit të ‘selamit’ si përshëndetje, është njëkohësisht edhe pranim i besimit islam dhe, e kundërta, refuzimi i tij, është refuzim i një vlere që ka rëndësi fetare dhe besimore.
Për asnjë përshëndetje tjetër, Allahu nuk ka thënë se është përshëndetje prej Tij, përpos për ‘selamin’. Po ashtu për asnjë përshëndetje tjetër Allahu i Madhëruar nuk ka deklaruar se ka ndonjë vlerë, përpos për ‘selamin’, të cilin e ka cilësuar si përshëndetje të ‘bekuar’ (mubareketen) dhe të ‘këndshme’ (taj-jibeten) (En-Nur:61). A ka dëshmi më të madhe për muslimanin, për të vërtetuar epërsinë e një vlere kundrejtë të tjerave se sa dëshmia e Allahut të Madhëruar? Pa dyshim se nuk ka. Allahu i ka ditur dhe i dinë dhe do t’i dijë të gjithë përshëndetjet e karakterit njerëzor, por ‘selamin’ e ka bërë të jetë përshëndetja e Tij, jo vetëm për këtë botë, por edhe për banorët e xhennetit, që është edhe një dëshmi shtesë për mirësinë e ‘selamit’. Sepse gjithçka që i atribuohet xhennetit, vlera e saj është jashtë çdo krahasimi. Cila prej përshëndetjeve njerëzore i ka këto begati? Sigurisht se asnjëra.
2. ‘Selami’ është fjalë e Kur’anit dhe e Sunnetit. Më lartë kemi përmendur ajetet, të cilat citojnë tekstualisht se ‘es-selamu alejkum’ është pjesë e citateve kur’anore. Funksionalizimi i ‘selamit’, në raportet ndërshoqërore gjithësesi e ka këtë frymë, pra, atë të respektimit të një urdhëri dhe fjale të Kur’anit dhe Sunnetit të Pejgamberit s.v.a.s., për dallim prej të gjitha përshëndetjeve tjera të llojit njerëzor, që nuk e kanë synimin e tillë. Ndërsa është fare e qartë se citimi i një fjale të Kur’anit, në kuptim të funksionalizimit të urdhërit të Kur’anit dhe respektimit të tij, konsiderohet vepër e lavdëruar te Allahu i Madhëruar dhe e shpërblyer. Po kështu është edhe me aplikimin e një dispozite nga Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s.. Në një hadith, që e transmeton Imam Termidhiju nga Ibni Mes’udi r.a., Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ مَنْ قَرَأَ حَرْفًا مِنْ كِتَابِ اللَّهِ فَلَهُ بِهِ حَسَنَةٌ وَالْحَسَنَةُ بِعَشْرِ أَمْثَالِهَا لَا أَقُولُ الم حَرْفٌ وَلَكِنْ أَلِفٌ حَرْفٌ وَلَامٌ حَرْفٌ وَمِيمٌ حَرْفٌ
”Kush e lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, atij për këtë i takon një e mirë, ndërsa kjo e mira është me dhjetëfishin e saj. Nuk them: elif lam mim se janë një shkronjë, porse elif është një shkronjë, lam një shkronjë, mim një shkronjë”.
Me rastin e ‘selamit’, është evident fakti se ai është një sintagmë kur’anore që ka pjesën e vet të pamohueshme në këtë hadith të Pejgamberit a.s.. Sipas kësaj, përshëndetja ‘es-selamu alejkum’ si fjalë e gjuhës arabe i ka tetë shkronja (s,l,m – a,l,j,k,m), që nga dhjetë sevape japin shumën prej tetëdhjetë sevapeve, e kur kësaj ia shtojmë edhe sevapet që pasojnë nga respektimi i një norme kur’anore, përfundojmë se shpërblimi për dhënie-marrjen e ‘selamit’ është shumë i madh.
Në kuadër të kësaj, ‘selami’ si një sintagmë kur’anore, ka edhe një vlerë tjetër. Imam Ebu Hanife r.a. rreth ajeteve të Kur’anit thotë: “Të gjitha citatet (ajetet) e Kur’anit në kuptimin e tyre si fjalë (e Allahut) janë të barabartë si në vlerë (në kontekst të shprehjes) ashtu edhe në madhëri (në kontekst të domethënies). Përveç disa ajeteve të cilat përpos që e kanë vlerën e vet si fjalë e Allahut, ato e kanë edhe vlerën për shkak të karakteristikës së përmbajtjes.”
E ‘selami’, pa dyshim se i ka këto vlera, sepse përveç tjerash ai është edhe një prej emrave të Allahut e, emrat e Allahut, padallim, pa dyshim kanë domethënie të madhe.
3. ‘Selami’ është lutje për atë, të cilit i drejtohet ai. Argumenti që e vërteton se ‘selami’ ka karakter të lutjes, është rregulli besimor se me këtë përshëndetje nuk lejohet që të përshëndeten jomuslimanët. Kjo sepse, ‘selami’ si domethënie, bartë një uratë të madhe dhe lutje që konsiston shpëtimin, sigurinë, paqën nga të këqiat etj., cilësi këto që, Allahu i ka bërë meritë për ata të cilët e besojnë Atë. Mbi këto parime, Allahu i ka ndaluar muslimanët që të lutën për jo muslimanët dhe, as mos t’i përshëndesin me ‘selam’. Kurorë e kësaj është praktika e Pejgamberit s.a.v.s., i cili përshkak të mosbesimit të xhaxhait të tij Ebu Talibit, nuk kishte bërë lutje për të.
Le ta zëmë se edhe përshëndetjet e karakterit njerëzor kanë karakter të lutjes për atë, të cilit i drejtohet. P.sh. nëse i themi “mirëmëngjes”, me këtë bashkëbiseduesit po i urojmë një mëngjes të mirë. Ngjashmërisht është edhe me uratat tjera si: mirëditë, mirëmbrëma, tungjatjeta, mirupafshim, etj. Të gjitha këto, janë një lloj urate në vete. Mirëpo, cili është perimetri, që karakterin e ‘selamit’ si lutje ndaj besimtarit, e bënë të veçantë, nga karakteri i përshëndetjeve tjera të llojit njerëzor?
Kësaj pyetje i përgjigjemi kështu: ‘selami’ si lutje është i pakrahasuar me asnjë përshëndetje tjetër, sepse, kur muslimanin e përshëndesim me ‘selam’, atë e kemi uruar, apo për të jemi lutur me një domethënie shumë dimensionale që përfshinë: paqen, sigurinë, shpëtimin dhe të tjerat me radhë, dhe të gjitha këto domethënie që i inkorporon ‘selami’ i adresojmë te Ai, i cili ka mundësi që t’i plotësojë të gjitha këto të mira, e Ai është Allahu i Madhëruar. Pra, nëpërmjet ‘selamit’ bëjmë një lutje dhe këtë lutje në të njëjtën kohë e drejtojmë te Allahu që t’i dhurojë shëndet, atij të cilin po e përshëndesim. Ky është qëllimi i ‘selamit’ dhe çdo vepër që e bën besimtari atë e drejton te Allahu, si Dhurues i vetëm i të gjitha të mirave, që njeriu i gëzon.
Për dallim prej përshëndetjeve tjera të karakterti njerëzor, të cilat përpos që kanë një domethënie shumë të lokalizuar, kanë karakter formal. Sepse, ta urosh dikend me përshëndetjen ‘mirëdita’ apo ‘mirëmbrëma’, kjo do të thotë që me këtë uratë, t’i shprehish një admirim personal, por pa e adresuar te Ai i Cili ka mundësi që këtë ‘mirëditë’ apo ‘mirëmbrëma’ ta shndërrojë në realitet.
Prandaj për këto arsye dhe të tjera, përshëndetja ‘es-selamu alejkum’, është unikate dhe e pakrahasueshme me asnjë përshëndetje të karakterit njerëzor.
___________________
1.Krahaso: Ebu Beker El-Xhezairi, “Minhaxhul Muslim”, boton ‘darul kutubis-selefijeti’, Kairo, 1406 h. fq. 101.; Mustafa Sapahiq “Kultura islamske ishrane” boton ‘Zëri Islam’, Prizren 1420/2000, fq. 80.
2.Teufik Muftić “Arapsko – srpskohrvatski rjećnik”, Sarajevë, 1984, botimi i dytë, vëll.I, fq. 1558-1560; Ibrahim Mustafa, Hamid Abdul Kadir, Ahmed Hasan eZ-Zijat, Muhamed Alij Nexhar,’El-Mu’xhemu’l-Vesit’- ½, boton Darud-da’veti, Stamboll, Turqi, 1989/1410, fq.446.
3. Shi ajetin: Kur’ani, En-Nisa:94.
4. Sahihul Buhari, kitabu’l-xhenaizi (babu: el-emru bit-tibai’l-xhenaizi), hadithi nr. 1164.
5. Sahihu’l-Muslim, Kitabul imani, (babu: bejanu ennehu la jed’hulul xhennete ilel muminune) hadithi nr. 81 (citim sipas CD-së).
6. Sahihul Buhari, Kitabul-isti’dhan (babu: bedeu’s-selam), hadithi nr.5759. (citim sipas CD-së).
7. Sahihul Buhari, Kitabul medhalimi vel gasbi (babu: nasrul madhlumi), hadithi nr. 2265.
8.Muttefikun alejhi, sipas: Ebu Beker El-Xhezairi, “Minhaxhul Muslim”, op.cit. fq.101.
9. Suneni i Nesaiut, Kitabus-sehvi (babu:ixhabut-tesheh-hudi), hadithi nr. 1260; Sahihul Buhari, Kitabul-isti’dhan (babu: es-selamu ismun min esmail-Lahi teala), hadithi nr. 5762. (citim sipas CD-së).
10. Suneni i Ibni Maxhes, Kitabu:Ma xhae fil xhenaizi, (babu: ma xhae fima jukalu idha dehalel mekabir), hadithi nr.1536 (citim sipas CD-së)
11. Po ashtu në lidhje me këtë shih ajetet:Ibrahim: 23, El-Hixher: 46, El-Ahzab:44, Ez-Zumer: 73, Kaf:34, etj.
12. Suneni i Termidhiut, kitabul-et’imeti an Resulilahi (babu: ma xhae fi fadli it’amit-ta’ami), hadithi nr. 1778. Transmetuesi thotë se hadithi është ‘hasenun sahihun’ – i vërtetë në shkallën ‘i mirë’.
13. Sunenu Termidhij, “Kitabu fedailil Kur’ani”, babu: ma xhae fimen kare’e harfen. Hadithi nr. 2835.
14. Ebu Hanife ‘El-Fikhul-Ekber’, cituar sipas: El Mul-la Alij bin Sulltan Muhammed, El-Kari, “Sherhul fikhil ekber li Ebi Hanifete En-Nu’man”, tahkik Mervan Muhamed Esh-Sha’ar, ‘daru’n-nefais, botimi i parë – 1417/1997, Bejrut-Libon, fq.20