Arsyeja shqiptare për ta kremtuar disfatën serbe të vitit 1389

***

Festimet fundamentaliste-nacionaliste të serbëve më 28 qershor në Gazimestan, nuk rezultuan me ndonjë provokim ose trazirë, dhe kjo gjë konsiderohet sukses nga të gjitha nivelet e pushteteve në Kosovë (qeverisa UNMIK-u, EULEX-i, KFOR-i). Ndoshta nën presionin e frikës nga provokimet e mundshme, këto pushtete të koklavitura, pothuajse harruan të mirreshin me një akt antikushtetues që ndodhi në kuadër të kësaj date, pra me krijimin e asociacionit të komunave serbe. Ngritjen e kësaj strukture antikushtetuese e pati paralajmëruar para disa javësh ministri serb i ngarkuar për destabilizimin e Kosovës, Sllobodan Samarxhiqi.
Sa për qeverinë e Kosovës dhe për UNMIK-un, ai ka mundur ta ngrinte atë strukturë kur t'ia donte qejfi, por e kishte fiksuar datën 28 qershor, pra ditën e Vidovdanit, ditë në të cilën serbët e kujtojnë princin Llazar dhe Betejën e Kosovës, të cilën e patën humbur në vitin e largët 1389. Fiksimi i kësaj date për të ngritur një strukturë antikushtetuese dhe antikosovare, ka për qëllim "begatimin" e historisë serbe të lidhur me Kosovën. Duke e lidhur me këtë datë, nacionalistët serbë mendojnë se strukturat kriminale që kanë ngritur, do të perceptohen si patriotike dhe do të kenë dimension mitiko-historik. Me këtë ngatërrim me mitin, fundamentalistët dhe nacionalistët serbë kujtojnë se do të ndërrojnë edhe realitetin e sotëm, ashtu si në mënyrë naive kujtojnë se e ndërrojnë realitetin e një disfate të turpshme që kanë përjetuar në vitin 1389, duke e kënduar atë disfatë tash e 619 vjet.
Por, sa u përket serbëve, ne nuk kemi arsye që të provojmë t'ua ndërrojmë mendjen, që të mos e këndojnë/ vajtojnë edhe më tutje atë humbje. Atyre u është mbushur mendja të mburren me të dhe nuk kemi pse mërzitemi për faktin se ata edhe për një kohë do të mbeten peng të atij halucinacioni mitologjik. Por, përderi sa ata e mbajnë këtë qëndrim të pandryshuar, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë dy gjëra, që do të ishin në rolin e digave ndaj ndonjë tendence të shpërthimit agresiv mbi bazën e asaj mitologjie perverse.
E para, rregullat e vajtje-ardhjeve të këtyre mysafirëve anakronikë, që duket sikur vijnë nga e kaluara e mjegullt mesjetare, duhet të jenë strikte. Në vendet europiane, edhe tifozët e një ndeshjeje futbolli futen në rëntgenin e kontrolimeve të detajuara dhe u caktohen edhe rrugët nga do të kalojnë e lëre më pjesëtarëve të organizimeve ekstremiste. Minimumi është që Kosova duhet të aplikojë rregullat që vlejnë në Europë për një tifozeri të shfrenuar. Nëse ekstremistët serbë sivjet nuk kanë bërë ndonjë provokim, kush mund të garantojë që vitin e ardhshëm, nuk do të bëjnë incidente? Prandaj, institucionet duhet të mirren me më shumë përkushtim me parandalimin e akteve të dhunshme.
E dyta, Kosova e pavarur duhet të dekontaminohet nga ideologjia serbofile e injektuar nga tezat e historiografisë dhe të kulturës sllave lidhur me Betejën e Kosovës. Një pjesë e madhe e historiografisë dhe e kulturës shqiptare i ka marrë tezat dhe vlerësimet serbe dhe i ka adoptuar si teza dhe vlerësime shqiptare. Nga ky deformim, ka rezultuar edhe në librat e historisë të shkollave fillore e të mesme, se car Llazari paskësh qenë hero edhe i shqiptarëve, se paskësh luftuar edhe për lirinë e tyre! Ndërsa, e vërteta është se Llazar Hrebelanoviqi ka qenë pushtues i tokave të Kosovës, ka qenë shfrytëzues i pasurive të saj dhe vazhdues i politikës së Dushanit, për dëbimin, asimilimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.
Këto përmbajtje të falsifikuara duhet të largohen sa më parë nga librat e historisë dhe nga historiografia shqiptare në përgjithësi. Nëse ato nuk largohen, atëherë vajtje –ardhjet e zhurmshme e provokuese të ekstemistëve serbë, do të jenë të përligjura, nga perceptimi se ata po e kremtojnë një kauzë të drejtë dhe po e nderojnë një figurë që paskësh edhe nderimin e shqiptarëve
Delegjitimimi i këtyre stereotipeve fundamentaliste-nacionaliste serbe, të sajuara nga historia e falsifikuar nacionaliste e shekullit XIX, është hapi i parë edhe për delegjitimimin e strukturave kriminale që u ngritën në ditën që shënon 619 vjetorin e Betejës së Kosovës.
E vërteta historike është se serbizmi mori goditjen fatale, bash në Kosovë në vitin 1389. Pa atë disfatë të serbëve, nga Perandoria Osmane, Serbia mund të bëhej një shtet dominues në Ballkan dhe shqiptarët mund të shkonin drejt asimilimit dhe shfarosjes edhe më fort. Brezat e rinj të shqiptarëve që edukohen në Kosovën e pavarur, duhet të mësojnë të vërtetën historike e të mos mbeten të kontaminuar si brezat që jetuam në shtetin sllavë, ku mësimi i parë i lëndës së historisë fillonte me fjalinë " Ne jemi sllavë të jugut".
Shkëputja politike e shpallur më 17 shkurt 2008, ka nevojë të pasohet nga shkëputja e plotë kulturore nga trashëgimia e turbullt, ku sllavofilia ende është prezente, e maskuar nën etiketën e Betejës së Kosovës, si betejë e përbashkët serbo-shqiptare-ballkanase.
Kur të dekontaminohet mësimi i historisë për Betejën e Kosovës nga tezat sllave, për shqiptarët mund të shfaqet një realitet interesant: do të kenë arsye më shumë se serbët që ta festojnë 28 qershorin, disfatën e serbëve në Kosovë në vitin 1389.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme