Sipas përcaktimit të fikhut i përkasim kësaj shkolle juridike dhe ibadeti ynë që ia bëjmë Allahut xh.sh. themelohet në këtë medhheb, sepse këtë shpirtërisht e kemi trashëguar dhe e kemi marrë nga baballarët tonë, e ata prap nga ata të vetët dhe kështu rrënja kthehet deri te Osmanlinjtë, të cilët e kanë prurë Islamin në viset tona. Ajo që e dijmë është se të parët tonë mësimit të rregullave të fikhut iu kanë përveshur me respektin maksimal dhe gati me qëndrim të shenjtë ndaj tij.
Nuk ka mundur as të merret me mend që dikush në mënyrë skeptike të pyes apo të dyshojë në rregullësinë e dispozitave islame të rregulluara sipas medhhebit hanefij. Gjeneratat janë edukuar ashtu që t’i nderojnë dijetarët dhe vetëm me të mirë dhe me respekt t’i përmendin. Ajo që ka të bëjë me librat dhe shënimet, të cilat janë punuar nga kjo lëmi në gjuhën tonë është se aty vetëm është bërë renditja e dispozitave islame. Aspak nuk janë theksuar argumentet për ato dispozita nga Kur’ani apo edhe nga Sunneti. Kjo nuk do të thotë se dispozitave të sheriatit sipas medhhebit hanefij ju mungojnë argumentet, përkundrazi, medhhebi hanefij është më i pasuri për nga argumentet. Ajo që duhet të theksohet është se muxhtehidët për secilin mendim dhe qëndrim të sheriatit kanë patur argument nga Kur’ani dhe Hadithi.
Është shkuar sigurisht nga ajo se për masën nuk është e nevojshme të theksohet argumenti, por drejtpërdrejt të përmenden dispozitat (ahkam), ndërsa dijetarët janë ata që merren me argumente, i theksojnë ato dhe prej tyre nxjerrin dispozita. Kanë gëzuar autoritet të madh dhe njerëzit u kanë besuar. Mirëpo, tash situata mjaft ndryshon. Posaçërisht ndaj medhhebit hanefij, është rrënjosur mendimi se shumë pikëpamje të medhhebit hanefij nuk themelohen në Kur’an dhe Sunnet, madje konsiderohet se shpesh ato janë qëndrime dhe mendime të lira të Ebu Hanifes dhe dijetarëve të tjerë të këtij medhhebi. Sidomos pas shkuarjes së studentëve tonë për studime në botën islame, pas kthimit i sjellin ambientet nga midiset ku kanë qëndruar. Nuk kam për qëllim që me këtë punim modest ta mbroj dhe të theksoj përparësinë e medhhebit hanefij ndaj medhhebeve tjera e as të deklaroj se medhhebi hanefij është më i drejti. Këtë, jo në asnjë mënyrë! Secilin dijetar duhet respektuar, e sidomos ata që kanë arritur gradën e ixhtihadit dhe mund të nxjerrin dispozita drejtpërdrejt nga Kur’ani dhe Sunneti.
Me këtë kontribut modest vetëm dëshiroj t’i theksoj të vërtetat mbi medhhebin hanefij, e ajo është se ai është i pranuar nga ummeti dhe se themeluesit e tij janë dijetarë që kanë qenë muxhtehidë. Dëshiroj që të ruhet besimi te pjesëtarët e medhhebit hanefij kundrejt dijetarëve të tyre. Me një rast kam qenë për vizitë në xhaminë e Zagrebit. Pasi që kishim ardhur nga largësia prej 400 km, ishim musafir (udhëtarë), e musafiri ka tretman të veçantë për sa i përket namazit dhe agjërimit. Ne i kemi shkurtuar namazet katër rekatëshe në dy rekate, kurse disa edhe i bashkonin drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë. Unë e kam falur akshamin në fillim të kohës së tij, ndërsa disa janë ngritur dhe pranë akshamit e kanë falur edhe jacinë. Mua një djalosh më pyeti: “A nuk do t’i bashkosh (xhem’) edhe ti namazin e akshamit dhe të jacisë?” I thashë: “Kjo sipas medhhebit hanefij në këtë situatë nuk lejohet.” Kurse ai në këtë ma ktheu: “Nëse jo sipas medhhebit hanefij, atëherë po sipas hadithit të pejgamberit të Zotit Muhammedit a.s.!” Nuk dëshirova të polemizoj. Mirëpo shihet qartë se në kokën e atij djaloshi është mbjellë se medhhebi hanefij është diç e ndryshme dhe e huaj nga Kur’ani dhe Sunneti! Sikur Ebu Hanife të kishte vënë sheriat të ri, ligj i cili nuk themelohet në Kur’an dhe Sunnet.
Lexues të dashur, në tekstin i cili pason ne po ju sjellim vetëm dy dispozita, dhe do t’i theksojmë argumentet në bazë të të cilave dijetarët e këtij medhhebi e kanë marrë qëndrimin e tillë. E i tillë është i tërë medhhebi hanefij. Secila dispozitë i ka argumentet e veta. Asnjë dispozitë nuk është thënë me hamendje, por bazohet në diçka. Pasi që gjatë namazit, i cili kryhet më së shpeshti, më së qarti vërehet dallueshmëria e medhhebeve, unë i kam zgjedhur dy pyetje (mes’ele) nga kjo lëmi që të vërtetojmë se si janë zgjidhur ato në medhhebin hanefij.
LEXIMI I MUKTEDIUT PAS IMAMIT
Ekziston pajtueshmëri te dijetarët islamë, se imami në namazet e përbashkëta në farz e merr mbi vete vetëm kiraetin (leximin e Kur’anit). Ndërsa sa u përket farzeve tjera të namazit, secili muktedi është i obliguar vetë t’i kryej dhe për to mban përgjegjësi, qoftë edhe nëse atë namaz e kryen me xhemat (bashkërisht). Sa i përket vetë leximit të Kur’anit në namazin bashkërisht nga ana e muktediut ka divergjencë mendimesh mes dijetarëve islamë rreth kësaj çështjeje. Ne këtë çështje do ta trajtojmë si është zgjidhur në medhhebin hanefij, duke i theksuar argumentet në cilat mbështetet ky mendim. Diejtarët e medhhebit hanefij kanë thënë se leximi i Kur’anit në namazin bashkërisht (me xhemat) nga ana e muktediut bie, do të thotë ai nuk është i obliguar të lexojë asgjë. Nëse lexon pas imamit, kjo ashpër qortohet (mekruhi tahrimen). Serhesi ka thënë madje kjo e prish namazin. Këtë mendim e mbështet në mendimin e disa as’habëve si: Zejd ibn Thabit, sa’d ibn Ebi Vekkas etj.. Leximi i Kur’anit në namazin bashkërisht është detyrë e imamit. Ky mendim mbështetet në: 1.Kur’an, 2. Sunnet dhe 3. Kijas.
1. Kur’ani
وَ إِذَا قُرِئَ الْقُرْآنُ فَاسْتَمِعُوا لَهُ وَ أَنْصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ .
“ Kur lexohet Kur’ani, ju dëgjonie atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.” (El-A’raf, 204).
Imam El-Bejhekiu e thekson transmetimin nga Ibni Ahmedi: “Të gjithë janë të pajtimit se ky ajet ka të bëjë me namazin”. Dhe thekson po ashtu transmetimin nga Muxhahidi se Muhammedi a.s. duke lexuar Kur’an në namaz, kishte dëgjuar një Ensarij të ri duke lexuar pas tij, atëherë ishte shpallur ajeti i sipërtheksuar. Pasi që ajeti është shpallur mbi namazin, sipas rregullit të njohur të fikhut, që përparësia i jipet përgjithësimit të tekstit e jo specificitetit të shkakut (sebebi nuzul) atëherë porositë e këtij rasti përcillen në të gjitha situatat tjera të ngjashme. Nga kjo është i qartë ndalimi i leximit të gjithçka nga Kur’ani pas imamit. Në ajet kërkohet nga besimtarët dëgjimi, e kjo ka të bëjë me ato namaze ku Kur’ani lexohet me zë (sabah, aksham dhe jaci), e urdhëri i dëgjimit – insat ka të bëjë edhe me namazet ku imami lexon Kur’an pa zë (dreka, ikindija). Pasi që këtu heshtja dhe dëgjimi janë të urdhëruara, do të thotë farz, atëherë lëshimi i tij, që me këtë rast do të manifestoheshin me lexim pas imamit, do të jetë mekruhi tehrimen (më afër haramit se sa lejimit).
2. Sunneti
Ebu Hanife transmeton nga Ibn Sheddadi e ky nga Xhabiri r.a. se i dërguar i Allahut Muhammedi a.s. ka thënë: ”Kush falet pas imamit, leximi i imamit e zëvendëson leximin e tij”. Hadithi është thënë në formë të përgjithshme, kështu që i përfshin të gjitha namazet edhe ditore edhe të natës. Këtë hadith e përforcon tjetri në të cilin theksohet se një njeri duke u falur pas pejgamberit Muhammed a.s. drekën ose ikindinë, kishte lexuar Kur’an. Sahabiu tjetër këtë ia kishte ndaluar. Kur e përfundojnë namazin ai njeriu e pyet: “A po duash të ma ndalosh leximin e Kur’anit pas të Dërguarit të Allahut?” Ai atëherë e kishte cituar hadithin e sipërtheksuar: ”Kush falet pas imamit, leximi i imamit e zëvendëson leximin e tij”.
Ky rast qartas dëshmon ndalimin e leximit të Kur’anit muktediut në namazin me xhemat, sepse përgjigjeja e të Dërguarit a.s. e ka konfirmuar qëndrimin e sahabiut i cili ia kishte ndaluar atij njeriu që të lexojë pas Resulullahut. Nëse kjo ka ndodhur në namazin ditor (drekë ose ikindi), ku imami lexon pa zë, atëherë ndalimi i leximit të Kur’anit në namazet ku imami lexon me zë, gjithsesi është i qartë. Për këtë hadith, muhaddithinët kanë thënë se është me sened të rregullt (sahih). E transmeton Ahmedi nga Xhabiri r.a. dhe ka thënë: “Senedi i këtij hadithi është i ngjitur (muttesil) kurse njerëzit në atë sened (zingjiri i transmetuesve) janë të besueshëm”. Gjithashtu edhe hadithi të cilin e transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi a.s. ka thënë: ”Imami është caktuar që të ndiqet, kur e shqipton tekbirin edhe ju përseritnie pas tij, kurse kur lexon Kur’an në namaz, ju heshtni”. (Muslimi ka thënë se ky hadith është sahih). Po ashtu vërtetohet me hadithin të cilin e transmeton Umran ibn Husein se Pejgamberi a.s. e kishte falur namazin e drekës, kurse një njeri kishte lexuar pas tij disa pjesë nga Kur’ani. Kur e kanë kryer namazin ka pyetur: “Kush prej jush lexoi Kur’an?” Ai njeriu lajmërohet dhe thotë: “Unë”, atëherë Muhammedi a.s. thotë: “Mendova se dikush donte të më përmirësojë në leximin e kësaj sureje!”
(Buhariu dhe Muslimi)
Ky rast dëshmon pakënaqësinë e të Dërguarit të Allahut për lexim pas imamit, e cila gjë i pëngonte Muhammedit a.s. Deri te dijetarët e shkollës hanefite kishin arritur edhe disa deklarata nga as’habët mbi ata që lexojnë pas imamit. Ali ibn Ebi Talibi ka thënë: “Nuk e ka mirë ai që lexon pas imamit”. Ibn Mes’udi është pyetur për leximin pas imamit, ka thënë: “Hesht, sepse në namaz ka mjaft obligime, të mjafton imami”. Seid ibn Ebi Vekkas ka thënë: “Do të dëshiroja që atij i cili lexon Kur’an pas imamit në namaz t’ia vë gacën në gojë”.
3. Kijasi – Analogjia
Hanefijtë kanë thënë se muktediu nuk duhet të lexojë pas imamit. Në analogji – kijas me atë i cili vonohet në namazin me xhemat, e nëse e arrin imamin para rënies në ruku, e ka arritur atë rekat. Në këtë rast shihet që kiraeti (leximi) nuk është i domosdoshëm. Ndërsa farzet tjera duhet t’i plotësojë vetë. Leximi (kiraet) i mesbukut bie prej tij, sepse nuk është i paraparë, e të marrurit në namaz me diç që nuk është e paraparë, do të thotë të bësh mekruh- vepër të qortuar. Mendojmë se pas theksimit të argumenteve, është e qartë se medhhebi hanefij nuk është i themeluar vetëm në fjalët e Ebu Hanifes, por secilës dispozitë, para se të thuhet qëndrimi për të, i paraprinë mbikqyrja studimore e Kur’anit dhe Sunnetit.
Përktheu: Miftar Ajdini