Emra të mëdhenj të kombit shqiptar në historinë e Damaskut

Gjatë një hulumtimi rreth dijetarëve islamë shqiptarë në botë, më ra në dorë edhe vepra enciklopedike e studiuesve Muhammed Mutie el- Hafidh dhe Nedhir Ebadha, të cilët në dy vëllime dhe në 1676 faqe, kanë evidentuar plot 569 emra dijetarësh islamë të Damaskut, në shekullin e 14- të hixhri, të specializuar në fusha të ndryshme të teologjisë islame. Ajo që të tërheq vëmendjen në këtë vepër është fakti i përfshirjes në këtë enciklopedi të quajtur: "Tarikhu ulemai Dimeshk fil- karnir- rabii asher el- hixhri", që do të përkthehej: "Historia e dijetarëve të Damaskut në shekullin e 14- të hixhri", i tre dijetarëve shqiptarë, të cilët me sa duket janë bërë tashmë pjesë e pandarë e historisë së dijetarëve islamë të Damaskut, por pa asnjë mëdyshje edhe një pjesë e krenarisë sonë kombëtare dhe islame njëkohësisht!

Sulejman Gavoçi, Nuh Albani dhe Hamdi Arnauti, janë emrat e tre shqiptarëve të përjetësuar në këtë vepër nga një tjetër dijetar i madh shqiptar në botën islame, Shejkh AbdulKadir Arnauti, i cili u ka shërbyer autorëve të veprës voluminoze, sipas njohurive të tij mbi këta tre figura, materialin bazë mbi të cilin kanë evidentuar këta dijetarë. Ajo që duhet theksuar, pa asnjë farë dyshimi, është se ky vend e kjo tokë kanë nxjerrë përherë emra të mëdhenj e figura të shquara, në fusha të ndryshme përfshirë edhe atë islame, që fatkeqësisht edhe në këto ditë kanë mbetur peng e drejtimeve të ndryshme politike, të interesave të ndryshme të klaneve të caktuara meskine që imponojnë vendimet e tyre në skenat historike të popujve, me apo pa dashjen e tyre! Por ajo që ka rëndësi është fakti se e drejta, herët a vonë del në pah dhe atëherë ngjarjet do të shikohen me një sy tjetër dhe analizat do të drejtohen nga kahje të tjera, të cilat do të jenë frytdhënëse.

E vërteta e lidhjeve të shqiptarëve me Islamin është temë e gjerë dhe e gjatë, ku të shumtë janë ata që kanë shkruar dhe kanë vënë në dukje hulumtimet e tyre rreth kësaj çështje. Ajo që dua të vë në dukje është se shqiptarët, jo vetëm që e kanë pranuar me bindje e dëshirë fenë islame, por kanë sakrifikuar edhe jetën e tyre për t'u edukuar me parimet dhe mësimet e kësaj feje, duke kuptuar objektivat e saj dhe duke përçuar ato të tjerëve. E pikërisht në këtë kontekst, prania e atyre tre Zotërive të nderuar shqiptarë në mesin e 569 vëllezërve të tyre dijetarë e studiues të thelluar të Islamit, është një faktor që duhet të na tërheqë vëmendjen për këtë vërtetësi të lidhjes së bijve të kësaj toke me Islamin…Dhe kjo lidhje e fortë, duhet të vazhdojë dhe në realitet ajo edhe sot vijon rrugën e hapur nga të parët… Më poshtë, po paraqes të plotë ç'është shkruar për secilin prej tyre:



1.Sulejman GAVOÇI ARNAUTI

? - 1378 (h) = ? -1958 (m)



"Sulejman, i biri i Halilit, Gavoçi, Shkodrani, Shqiptari. Lindi në qytetin e Shkodrës, në Shqipëri dhe u rrit në të, ku mori edhe mësime nga dijetarët e atij vendi, ku mund të përmendet: Hafiz Jusuf Abdullah Këlmendi, që i qëndroi pranë disa kohë dhe mësoi në duart e tija:

*Fikhun Hanefi,

*Gramatikën arabe,

*Morfologjinë arabe,

*Retorikën arabe,

*Tefsirin,

*Akiden (besimin).

Emigroi nga vendi i tij për në Damask dhe jetoi në lagjen Divanijje (lagjja e shqiptarëve). Për një kohë të caktuar mori përsipër detyrën e imamit në xhaminë e Omerijes, si zëvendës i myftiut Shejkh Muhammed Shukri el- Ustuvani. Me ndihmën e bamirësve vrapoi të ndërtonte një xhami në lagjen e tij, Divanije, që e quajti Xhamia e Arnautëve (Xhamiul Arnaut), në të cilën qëndroi imam dhe hatib, derisa ndërroi jetë. U mësoi një numri të madh studentësh, shqiptarë dhe të tjerë. Shkroi një broshurë që e titulloi: " Shpëtimi i besimtarëve në mos përngjasimin me jobesimtarët ", ku përmendi çështjet e kapelës, zbulimit të grave, martesën e jomuslimanit me muslimanen dhe të kundërtën, fotografimin, trashëgiminë, etj.

Fliste shumë mirë shqipen dhe me vështirësi arabishten, gjë që vihet re edhe në broshurën e botuar. Kishte pamje të veçantë, respekt para banorëve të lagjes së tij dhe ndikim të veçantë ndër ta. Në fund të jetës u sëmur dhe ndërroi jetë në shtëpinë e tij, në Divanije, rreth vitit 1378 (h) dhe u varros në varrezat e Dahdahit.

Varri i tij njihet edhe sot".



2. Nuh ALBANI ARNAUTI

? - 1372 (h) = ? - 1952 (m)

Dijetar, emigrant.

Nuh, Shqiptari, Arnauti. Lindi në qytetin e Shkodrës, në Shqipëri, ku mësoi në duart e dijetarëve të vendit. Emigroi në Damask me emigrantët e hershëm dhe u vendos në zonën Hikrun-Na'na', në lagjen Amareh. Punonte si ndreqës orësh, afër xhamisë Teube, në lagjen Akibe. Mësoi studentet e dijes në shtëpinë e tij, prej tyre: I biri Shejkh Muhammed Nasir Albani dhe djali tjetër Shejkh Munir Albani Sahatçiu, Shejkh Shuajb Arnauti, etj., të cilëve u jepte mundësinë të debatonin me të dhe pranonte mendimet e tyre. Dijetar, i devotshëm, i ruajtur, i kapur me medh'hebin hanefi. Prej moralit të tij ishte sinqeriteti dhe qartësia dhe nuk i njihte dredhitë, sikurse ishte serioz, mjeker-bardhë, modest, preferonte shumë ecjen edhe pse ngadalë, thonte gjithmonë të vërtetën dhe nuk kishte frikë për të, askënd. Ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Hikrun-Na'na', rreth vitit 1372 (h) dhe u varros në varrezat e Dahdahit.




3. Hamdi ARNAUTI

? - 1390 (h) = ? - 1970 (m)


Dijetar, emigrant.

Hamdi Arnauti, i njohur në popullin e tij, si Molla Baftjari. U lind në qytetin shqiptar të Tetovës (Maqedoni). Emigroi me vëllezër dhe të afërm, në Damask dhe konsiderohet ndër emigrantët më të hershëm. E kërkoi diturinë në duart e Shejkh Ebul- Khajr el- Mejdanit, pastaj filloi të mësonte fëmijët e arnautëve dhe të tjerë, në shtëpinë e tij në lagjen Amara në zonën Hikrus- Seraja. Mësimin e zhvillonte sipas mënyrës së vjetër të shkrimit mbi pllaka. Mësonte Kur'anin, Texhvidin dhe Rregullat e bukurshkrimit. Më pas kaloi në Medresenë e Shejkh Said esh- Shel- lah, në zonën Mesxhid el- Eksab, po në Amara, duke u caktuar mësues Kur'ani dhe texhvidi.

Si Imam shërbeu në xhaminë Shamijje, në lagjen Suksaruxha, për një periudhë të gjatë kohore, pastaj doli në pension për shkak të moshës së madhe dhe sëmundjes së tij, pasi u godit nga një paralizë në fund të jetës, duke qëndruar në shtëpi për disa vite, nën shërbimin e të shoqes. Kishte prezencë, vishej bukur, kishte një xhybe të gjerë, një çallmë të bardhë dhe të rregulluar, mjekrën e kishte të gjatë dhe të bardhë, arabishten e fliste mirë ndonëse ngadalë, nuk mund të mbante hytbe, ndërsa Kur'anin e këndonte mirë pa thekse të huaja (axhemije).

Vdiq në shtëpinë e tij në lagjen Babul- Xhabije, afër xhamisë Hassan, rreth vitit 1390 hixhri.



*** *** ***

Shqiptarët në Damask të Sirisë, e kanë ruajtur shumë mirë traditën e trashëgimisë së dijes islame brez pasa brezi. Kështu, nga Sulejman Gavoçi rrjedhin tre djem: Shefqeti, i diplomuar në Ez'her dhe autor i një fjalori arabisht- frëngjisht- shqip, Vehbiu, dijetari i madh dhe me zë dhe Nuhi, pastë rahmet, Hafiz Kur'ani. Po ashtu, nga Nuh Albani rrjedhin dy djem, të paktën sipas përkthimit të mësipërm,: Nasiri, pastë rahmet, hadithologu dhe dijetari i njohur dhe Muniri, po ashtu i marrë më dijen islame. Po të vazhdojmë më tej, nxënësi i dikurshëm i S. Gavoçit dhe H. Arnautit, është tashmë një dijetar dhe haditholog mjaft i njohur, shqiptari nga Peja, Shejkh AbdulKadir Arnaut, rrugën e të cilit e ndjekin edhe bijtë e tij në dijen islame. Shejkh Shuajb Arnauti, me prejardhje nga rrethinat e Shkodrës dhe i lindur në Damask, është një tjetër dijetar i madh dhe i njohur në kohën tonë. Në ShBA, Kryetari i Bashkësisë Islame të Shqiptarëve të Amerikës, ez'heristi, Imam Vehbi Ismaili, është një tjetër emër i madh, studiues dhe personalitet i madh i letrave në shqip. Nëse kombi shqiptar prezantohet sot si populli i Nënë Terezës- e përmenden më tej si figura madhore: Gjon Buzuku, Ndre Mjedja, Fan Noli, Gjergj Fishta e shumë emra të tjerë të klerit kristian shqiptar, do të ishte mirë dhe e domosdoshme, në kuadrin e praktikimit real të teorisë së tolerancës ndërfetare, e cila ekziston tek shqiptarët, që atyre emrave t'u bashkangjiten, duke kryesuar listën e tyre, edhe emrat e këtyre dijetarëve dhe bamirësve të mëdhenj të kombit tonë, sepse me ta krenohemi, dhe drejt altareve të madhështisë së njeriut në tokë si zëvendës i Zotit, na udhëzojnë!



Shënim:

H. Sulejman Gavoçi ka lindur me datën 20. 01. 1883, sipas pasaportës nr. 4759, lëshuar me datën 22. 12. 1936 në Shkodër, sipas të dhënave të marra nga familjarët e H. Sulejmanit në Shkodër. (M.S). Muhammed Shukri el-Ustuvani (1869- 1955), e trashigoi dijen dhe mirësinë nga babai i tij, që ishte hatib i xhamisë së madhe "El Emevi". U emërua mësues në shkollën e quajtur "Medreseja e re". Në 1937 emërohet zëvendës i Myftiut të Shamit, pas vdekjes së Myftiut Muhammed Ata el- Kesem. Pas kësaj zgjidhet me konsensus Kryemyfti i Republikës Siriane, me dekret datë 13. Safer. 1360 (h), viti (1940). Vdiq në Damask, me 23. Safer. 1375 (h), (1955). (Shih: M. M. el Hafidh & N. Ebadha, "Tarikhu ulemai Dimeshk fil- karnir- rabii asher el- hixhri", v ë ll. 2, fq. 682- 683).

Gjatë një interviste me të birin e H. Sulejman Gavoçit, dijetarin e madh Vehbi Sulejman Gavoçi, gjatë punimit të monografisë sime me titull: " Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi- Dijetar nga dijetarët e ymetit ", ende në dorëshkrim, ndër të tjera e pyeta për të atin dhe ai m'u përgjigj: "Prej sifateve të mira që ka pasë baba, pastë rahmet, ka qenë mbështetja në veten e tij gjithmonë! Nuk ka qenë hoxhë, që përkëdhel pasanikët, apo që afrohet me zyrtarët. Kurrë nuk ka treguar se ka nevojë për dikë. Ndoshta e ka ngrënë bukën thatë, ka punuar si punëtorët, mirëpo kurrë s'e ka ulur kokën para kujt. Ka qenë me çallëm, me mjekër, ka qenë imam dhe hatib, por nuk e njeh askush se ai babë, pastë rahmet, ka shkuar ndonjëherë te ndonjë president apo zyrtar për të lypur diçka. Ka besuar se Zoti të jep, ndërsa robi është i shtrenjtë dhe nuk të jep, vetëm nëse e ka caktuar Zoti (xh.sh).

Kemi mësuar prej tij me qenë i saktë! Nuk e di se baba jonë na ka gënjyer ndonjëherë, ose ka gënjyer dikë, ose dikush po thotë se ai po gënjen. Kemi mësuar prej tij djegien e zemrës dhe shpirtit, për të mësuar hallkun. Kur erdhi në Siri, në Sham, arnautët që ishin të ardhur nga Kosova para vitit 1912, mundohej për gjithë natë t'i mësonte se si me u falë, si me agjëru, si me adhuru Zotin (xh.sh) e si me u sjellë me tjerët. Ndërtoi edhe një xhami që u quajt "Xhamia Arnaut", në lagjen Divanijje, e njohur si lagjja e shqiptarëve, duke punuar në të si punëtor me krah, siç i kemi thënë, sëbashku me ata shqiptarë që e ndihmonin sipas kohës së tyre, Zoti jua shpërbleftë! Ende, ajo xhami është në këmbë! Ende aty jepen derse, vasë e mësime! Ende aty falet xhumaja e Bajramet!

Baba i mblidhte njerëzit me shkak e pa shkak, me mevlude, mësime, etj. Baba im, pastë rahmet, është djegur për t'i mësuar hallkut fenë e tyre! Është munduar me hytbe, me derse, me shkrime e librat që ka shkruar, për të shërbyer këtë fe. Prandaj, ne kemi përfituar nga jeta e tij plot punë e sakrificë, nga sjellja e morali i tij, se si me qenë njeri sa më i mirë, inshaall- llah".
_____________________________________

1. Shkruar me dorën e nxënësit të tij Shejkh AbdulKadir Arnaut, fq. 700, vëll. 2.
2. Shkruar me dorën e Shejkh AbdulKadir Arnaut, fq. 653, vëll. 2.
3. Shkruar me dorën e nxënësit të tij, prof. Shejkh AbdulKadir Arnaut, fq. 877, vëll. 2.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme