DISA SHEMBUJ TË TOLERANCËS FETARE NDËR SHQIPTARËT

Eshtë evidente se të gjitha këto tentime për përçarje kombëtare dhe intolerancë, janë pjesë aktive e dorës së huaj, të cilët kanë gjetur shërbëtorët e vet në mjediset shqiptare, në grupet ‘intelektuale’, politike, e madje edhe në vetë klerin shqiptar, që të fusin urrejtje e përçarje mes njëritjetrit, dhe siç janë dëshmuar tash sa herë, ta kenë më të lehtë gjahun më pas! Por, në të kaluarën, falë tolerancës fetare të pjesës dërmuese të popullatës, shpeshëherë u ka shkuar mundi huq. Sot, shoqëria shqiptare është mbushur me njerëz që kanë shumë shkollë e pak mend, që për një levërdi simbolike personale, është vënë në shërbim të tyre, pa e lodhur mendjen ‘ku e shpie mushka’!?

Dikur, baballarët tanë, nuk kishin shumë shkollë, por ishin të mençur e të thjeshtë që i respektonin bindjet fetare të besimtarëve. Kurrë nuk diskutonin probleme të karakterit fetar. Respektonin bindjet fetare të të dy krahëve. Ishin tepër të kujdesshëm ndaj referimeve fyese të palës tjetër. Shkurt, i shmangeshin politikave të tilla në çdo aspekt ndërfetar, për të mos krijuar shkaqe për keqkuptime. Këtu qëndronte thelbi i mirëkuptimit. Me këtë, ato u bën simbol i tolerancës së madhe të njohur jo vetëm tek shqiptarët por madje në gjithë botën. Megjithatë, kjo tolerancë e zemërgjerësisë së pjesës dërmuese, nuk duhet të nënkuptojë edhe të drejtën e fyerjeve dhe shpifjeve që i mvishen sot islamit e islamizimit!

Tolerancën fetare të shqiptarëve e kishte veçuar Faik Konica: "Për ato që janë thënë për skepticizmin, ka ndikuar mbi të gjitha çudia e grekve dhe e turqve, kur shikonin tolerancën dypalëshe të shqiptarëve në këtë pikë. "Muhamedanët nuk janë këtu muhamedanë të vërtetë, ashtu edhe të krishterët nuk janë tamam të krishterë, - i kishte thënë Torezit një oficer turk, tre çerekë shekulli më parë" Po, - nënvizon Konica, - vërtetë nuk ishin të tillë, sepse për të qenë të tillë, të krishterë ose myslimanë të mirë, duhej t'i nxirrnin gurmazin njëri-tjetrit, siç ishte zakon në pjesët e tjera të perandorisë turke."

Në seancën e mbledhjes së Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, delegati i Indisë, duke miratuar e quajtur si vepër të mirë pranimin e Shqipërisë në Organizatën e Lidhjes së Kombeve, nënvizonte: "Kur në botë zhvilloheshin ende luftra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët e ortodoksët, jetonin në harmoni dhe ishte fakt i shkëlqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane të kishte këtu përfaqësues një të krishterë dhe një prift."

Qysh me procesin e islamizimit të shqiptarëve, udhëpërshkruesi italian Pagafeta, kur vizitoi Ravnicën (1568), kishte parë se murgjit e krishterë jetonin të lirë në mesin e muslimanëve dhe në asnjë rast nuk pengoheshin as tempujt, as njerëzit. Kurse udhëpërshkruesi francez Palerine, kur vizitoi Malishevën (1582), mbeti i befasuar nga kalogjerët, të cilët ‘posedonin pasuri të madhe, liri të plotë e mbrojtje nga muslimanët’ [1]

Nga ana tjeter, Shqiptari i islamizuar, duke i ruajtur traditat me përpikmëni, brënda vetes dhe familjes kishte ndryshuar stilin e jetës, kishte ndrruar emrin, ishte bërë synet, falej, festonte bajramin, agjëronte ramazanin, refuzonte mishin e derrit dhe alkoolin, ndryshoj stilin e varrezave dhe perjashtoi idhujt, ndryshoi përshendetjen, por në kuvende, pleqëri e luftra, ishte prapë bashkë me vëllaun e krishterë që fliste shqip, për të luftuar padrejtësitë, qoftë edhe kundër bashkëfetarit të tij osman.

Në periudhën osmane Halifi dhe Porta e Lartë i kushtuan rëndësi të pamohueshme tolerancës fetare, duke i dhënë Evropës mesjetare të përgjakur dhe të ngulfatur në fanatizmin fetar, leksione për bashkekzistencën ndërmjet feve e besimtarëve të feve të ndryshme. Bashkësitë fetare të krishtera e çifute, jo vetëm që toleroheshin, por ata kishin autonominë e tyre. [2]. Shembuj të tillë janë të shumta në regjistrat e dokumenteve historike brëndashqiptare. Ata ishin tolerantë ndaj përkatësive të ndryshme fetare. Nuk i detyronin njerëzit të konvertohen, por i ndihmonin ato në të gjitha pikëpamjet. Frëng Bardhi përmendë ndihmën që i kishin dhënë muslimanët shqiptarë në rindërtimin e kishës së shëmbur të Kabashit! [3].

Konsulli rus në Prizren – Tomofejev (1866) kishte parë xhaminë e Pukës, ku vinin për tu falur musliman e të krishterë nga Mirdita e Dugagjini. Ata sillnin kurban për kërshëndellë, për Pashkë, për Bajram të Madh e për Bajram të Vogël. Në Lurë, në dasma ftohej Frati, Hoxha e Shehu. Në krye të vendit te katolikët vihej frati, ndërsa te muslimanët hoxha ose shehu. Në sofër koka e berrit u ndahej përgjysëm [4]

Udhëtarja amerikane Roza Wilder Lain, flet për shtëpinë e një malsori katolik të Shalës, ku buka ishte shty deri pas mesnatës, për shkak të përkthyesit – Rexhepit, që ishte musliman. Meqë në shtëpi ata kishin vetëm mish derri, kishin dërguar dikë për të kërkuar ndonjë vezë a mish dhie, në fshatin tjetër matanë maleve. [5].

Bajroni që qëndroi në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë, konstatoi se: “Shqiptarët nuk janë të gjithë muslimanë, disa nga fiset janë të krishterë, por feja nuk i bëri të ndryshojnë sjelljet, zakonet e tyre”. Njëjtë, Grisebach në vitet e 30-ta të shekullit XIX-të thoshte se: “shqiptarët janë popullsi që nuk dallohen dot nga operenca se muslimane se e krishtere është”. Duke parë këtë, edhe Vuk Karaxhiqi ka vënë re se midis shqiptarëve musliman, katolikë e ortodoks “ka pak urrejtje, por ndaj popujve tjerë jetojnë si vëllezër dhe sikur të ishin të gjithë të një feje” [6]. Jo pse shqiptarët nuk dinin ose nuk e praktikonin fenë, por pse kishin respektin e duhur për njëritjetrin dhe në çështje fetare edhe në çështje të rëndomta jetësore. “Kurdo që janë thirrur nga Atdheu, shqiptarët e të gjithë besimeve fetare kanë qenë unanim dhe kanë luftuar krah për krah” – kishte vërejtur studiuesi i mirënjohur francez Justin Godard. “shqiptari, para së gjithash është shqiptarë”- thoshte Edith Durham. [7]

Më 28 Mars 1897, te dera e Xhamisë së Rus-Maxharit në Shkodër u gjet një derr i therur! Muret e xhamisë nga brënda, vende vende ishin lyer me gjak derri, e diku-diku ishte varur ndonjë copë mishi. Ky incident ishte veprim i nxitur nga të huajt, por shkaktoi paknaqësi ndërfetare. Për të shua këtë mosmarrveshje u caktua një komision prej muslimanësh e katolikësh. Në krye të komisionit ishte Mustafë Agë Sykja dhe Dedë Gjo Luli. Sipas marrveshtjes do të ndëshkoheshin provokatorët të cilët ishin kapur, kurse procesin e vulosi edhe Dedë Gjo Luli. Kur e pyeten Dedën si e vulose atë proces që dënonte disa katolikë, ai u përgjigj: “Po të më thoshte Mustafë Aga me u ba musliman, do ta pranoja propozimin e tij, e jo ma me vu myhyr në mazbat për tu pajtue me vllaznit tanë”.

Një rast tjeter i ngjajshëm, lidhet me rastin kur disa katolikë deshën të djegin xhaminë e Lezhës. Këtë e merr vesh At Gjergj Fishta dhe me t’u errësuar, shkon tek xhamia. Kur ato shkuan për ta djegur, at Fishta u flet në emër, dhe ato të çuditur i thonë: “Si mor At ti edhe prift edhe hoxhë?” At Fishta ju përgjigjet thjeshtë: “Jo, unë jam prift, por meqë Hoxha kishte ca punë në Shkodër, me tha mua me e rujte se edhe kjo është shpia e Zotit për shqiptaret”!... Fishta, në Lahutën e tij të famshme, për hirë të tolerancës, shkruante: "Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj" [8]

Kur më 28 Dhetor 1913 u ngrit në Shkodër flamuri kombëtar, musliman e katolikë, këmbanorën e kishës së Gjuhadolit e lidhën përmes një konopi me minarenë e xhamisë së Fushë çelës, në të cilën valvitej flamuri kombëtar ndërmjet rreshtit të gjatë të kandilave kuq e zi. Duke karakterizuar këtë ngjarje, Fishta tha: “...myslimanë e të krishterë, katolikë e ortodoksë qofshin, dijnë me u vëllaznue në idealin kombëtar. Ky vëllaznim, u shpreh edhe në këtë natë simbolikisht me drita kandilash, që si varg yjesh lidhnin minaren e Xhamisë së Fushës së Çelës me kumbanaren e kishës së Gjuhadolit."

Shkodrani musliman Kupe Dania (luftëtar i shquar në mbrojtjen e Plavës e Gucisë), vrau dy ushtarë osman, për të mbrojtur një grua, bashkëqytetare katolike, të cilët ata tentuan ta dhunojnë. Kurse në përgjegjësi u tha: “Vërtetë gruaja ishte katolike, por ishte motra jeme. Kemi të ndarë kishën e xhaminë, por e kemi bashkë Shqipërinë”. Qeveria e ndoqi, i dogji shtëpinë, ndërsa shkodranët me iniciativën e klerit, ja ndërtuan shtëpinë sërish. Këti gjesti fisnik të Danes, Fadil Kraja i ka kushtuar romanin “Britmat e një gruaje” [9]

Kur më 7 Prill 1858 u vu gurthemeli i kishës së madhe – katedrales së Shkodrës, fjalimin e rastit e mbajti Daut Efendi Boriçi (hoxhë dhe intelektual – drejtor i arsimit). Këtë nismë ai e quajti “gëzim të madh për të gjithë Shkodrën, pa dallim feje...” Më 1861 u përurua shkolla françeskane, e cila megjithse nën sundimin osman, pa kurrfar pengese përgadiste kuadro të reja të klerit katolik françeskan. Më 1878, u hap shkolla e parë e klerëve jezuit (poashtu në Shkodër) e cila vazhdoi punimet deri me ardhjen e komunizmit në Shqipëri. Më 1898, filloi botimi i revistës "Lçia e zemrës së Jezu Krishtit" . Më 1899 u krijue shoqata letrare "Bashkimi" me drejtorin e saj abatin e Mirditës Preng Doçin. Në shkollën ushtarake turke, që u hap më 1902, ndiqnin mësimet edhe katolikët. Në këtë shkollë festohej festa e Shën Gjergjit. Në kolegjin severian (jezuitë), veç nxënësve katolikë e ndoqën edhe 159 nxënës musliman e 99 ortodoks (deri më 1928). Në këtë kolegj jepej edhe mësimi i fesë Islame për nxënësit musliman. Më 1907 françeskanët krijuan teatrin e parë në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë. Më 1912 doli në qarkullim e përkohshmja "Zani Shna Ndout" drejtor i së cilës ishte Gjergj Fishta. . Në vitin 1913, doli në dritë "Hylli i Dritës" me drejtor Gjergj Fishtën. Më 1916 u formua "komisia letrare" nga kleri katolik. Po në kët vit Gjergj Fishta themeloi shtypshkronjen françeskane. Më 1921 u themelua liceu françeskan, i cili përgadiste klerikë të rinj, etj..

Në bajrakun e Hotit, në veri të Shqipërisë, të gjithë ishin katolikë, vetëm bajraktari musliman. Më 1904, ngjau që bajraku të mbesë pa meshtarë disa ditë. Bajraktari (musliman) me një shoqërues, u ulën në Shkodër, te i pari i fretërve dhe i tha: “Pasha Zotin zotni, kisha jonë ka petë keq pa fraatë. As s’ka kush na beko shpirtë, për s’gjalli as vorret për s’dekni. Rixha kam me zotnin tate me na çue fratin sa ma par te kisha, se kam petë keq...”

Në lug të Beranit (Kosovë) në një shtëpi rrinin bashkë 12 të krishterë dhe 18 turq (muslimanë). Nji vlla ishte ba turk (musliman), tjetri mbet i krishterë prej Berishet. Ky turku (muslimani) ishte i zoti i shtëpisë, e po m’thotë, eja zotni n’shpi teme se kam edhe disa t’krishtenë, vjen hoxha për ne, e do të vij edhe prifti për ta, por më parë eja e më beko varrin e nënës time se ka dekë e krishterë. Menjëherë m’prini maje nji kodre ku ishin vorret e tparve t’vet, shkon te vorri i samës e i thotë: “O more nanë, ke mendue se s’ta bie priftin, qe ta pruna”. E kur thojsha “Epja Zot pushtimin e pasosun” ai prapa thoshte, amin. N”shpi na pritne mirë. Kur e thamë pjesen e ruzares, turqit (muslimanët) nuk banin za. Kur erdh koha e meshës i qita jashtë, por për para se me çue meshën madje n’uratë e mija, kishe përbri një turk (musliman) që falej [10] Nga një mjedis i tillë, në Lurë doli personaliteti i njohur Imzot Nikollë Kaçorri, arqiipeshkv i Durrësit, Babai katolik që quhej Vokërr dhe nëna muslimane Mihane. Nëpër fshatra të Labërisë, dikur ekzistonte zakoni që hoxha të merrte nusen e djalit bijën e priftit, ndërsa prifti për djalë, merrte vajzën e hoxhës [11]. Në shtëpinë katërdhjetfrymëshe të Tahir Ademit në Llugaxhi për pashkë e krishtlindje ushqimet i përgadisnin gratë muslimane, ndërsa për bajrame gratë e krishtera [12]. Vëllezrit At Martin Sirdani dhe Dom Aleksandër Sirdani të mbetur jetimë i rriti Hoxha i Gucisë i cili më vonë i mori me vete në Shkodër dhe i vendosi në shkolla për të ndjekë rrugën e priftërisë [13].

Megjithëse Hasan Riza Pasha ishte musliman, në rivarrimin e eshtrave të tij morën pjesë musliman e katolikë, ndërsa fjalimin elegant e prekës e mbajti At Gjergj Fishta. Në fjalimin prekës me rastin e varrimit të atdhetarit Sali Nivica, Fishta qëllimisht, në vend të termave katolike, përdorë terma muslimane: Rahmet, Xhennet, etj. Kurse në varrimin e tij ishin së bashku musliman e katolikë. Kur vdiq Fishta, më 30 Dhetor 1940, ndër fjalimet më prekëse dhe më dinjitoze, në ceremonialin e varrimit ishte ai i Hafiz Ali Krajës: “...Të jeshë i bindun o poet i madh, se shqiptari me ‘Lahutën e Malcisë’ ka për të qenë gjithmonë kryenaltë, siç janë helenët me ‘Iliadën’ e persianët me Shahnamenë’... Sot djelmënia intelektuale me Lahutën tënde në dorë te nep besen shqiptare tue të betue se idealin tënd të naltë që shprehe për kombsin shqiptare do ta ruaj e do ta mbaj si gja të shenjtë morale...” Dedë Shyti i këndon Hafiz Ali Krajës: “N’burg të Tiranës të njoha, o i nalti klerik Hafiz Ali, me katolikë të bashkoi koha, ti ushqeve të bukërën harmoni...” Edhe At K. Gjolaj shkruan: “H.Ali Tari (Kraja) ishte një njeri i madh i kohës... ndër hoxhët më të kulturuem që kam pas rastin të njoh, që mos me than ma i dituni... Nji fetar i mirë si Ali Tari (Kraja) kurrë nuk mundet me qenë fanatik...”.

Hafiz Musa Dërguti që kishte mbaruar Universitetin e Stambollit, jep shembullin e mirëkuptimit dhe tolerancës maksimale fetare që mund t’i shërbejë si shembull shumëkujt edhe sot. Meqë burgu për shumë predikues islamikë dhe klerikë ka qenë detyrimisht një shtëpi e dytë, e tillë ishte edhe për Musa Dërgutin, për të cilin At Zef Pllumbi tregon: “Ai na respektonte e për këtë kishte stimën e dashurinë e ne të gjithëve... Ishte shumë i devotshëm por jo fanatik...” Shumë indikativ është dialogu i Hafiz Dërgutit me një rojtar burgu që e akuzon se ata kanë propaguar të mbysin kaurrët, e sot kalojnë ditët e burgut me klerikët. Hoxha i përgjigjet: “Në pastë qenë ndonjë hoxhë që të ka mësue ty me vra kaurat, po të them troç se ai paska kjenë nji hoxhë xhahil e jo nji hoxhë halim...” [14].

Protesta e atdhetarit Filip Kraja, drejtuar Qeverisë së Vjenës, shkaktoi largimin e gjeneralit Trolman, për shkak të reprezaljeve që u kishte bërë malsorëve musliman të Mbishkodrës.

Në muajin e Ramazanit, edhe tregtarët katolikë i mbydhnin dyqanet, sidomos pietoret dhe gjelltoret. Qyetetari musliman J. Shpuza (Shkodër), gjatë muajit ramazan bëri ca punime në shtëpinë e tij. Për mjeshtër kishte marrë katolikun Gj. Hutini. Mjeshtri e lajmronte më parë Shpuzën se kur do të vinte të punonte. Të nesërmen për shkak të Hutinit, i zoti i shtëpisë e prishte agjërimin. Ngjante që Hutini vinte në punë pa e lajmruar Shpuzën, kështuqë zotin e shtëpisë e gjente agjërueshëm. Në këtë rast, Hutini, për hirë të zotit të shtëpisë, agjëronte edhe ai (punonte pa ngërnë, pa pirë e pa cigare). A nuk shprehë kjo një tolerancë emocionuese të katolikut për muslimanin dhe të muslimanit për katolikun?

Në kohën kur At Anton Harapi hartonte memorandumin e famshëm të 1918-s drejtuar Fuqive të Mëdha, të nënshkruar nga të krishterë e myslimanë, kur Imzot Sereqi i shkruante Lidhjes së Kombeve se në Shqipërinë, që rrezikohej të zhbëhej, kristianë e muhamedanë janë vëllezër dhe duan të jetojnë në të njëjtin shtet. Pikërisht në këtë kohë, në mitingun madhështor, organizuar në sheshin e Tiranës, kleriku dhe patrioti Vehbi Dibra (Agolli), luftëtar i orëve të para, deklaronte: "Jemi mbledhë këtu, që Kosova e Çamëria t'i ngjitet Shqipërisë plotësisht indipendente,…jemi të gjithë bij të një gjaku e të një trualli." [15]. At Anton Harapi, bashkëjetesën dhe tolerancën e shihte si mjet bashkimi kombëtar sa herë që atdheut i kanosej rreziku. Më 1944 Ai nënvizonte: "Bashkimi i tri klereve asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, as xhamia pa kishën, as kisha pa xhaminë, por as njena, as tjetra pa Shqipninë… me të gjithë atdhetarët…afrim, dashuri, vllaznim" Hyzmeqarëve të dorës së huaj i thoshte: "Po fole në këtë rast, ke qitur tharmin e shqetësimit, je atentator i vëllaznimit, i rrezikshëm për besim e shtet...". [16]

Haxhi Vehbi Dibra, i cili për 17 vjet rresht qëndroi në krye të hierarkisë më të lartë të klerit mysliman, u drejtohej hapur besimtarëve: "Kristianë e myslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë... Ta duam njëri-tjetrin...…t'i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër si bij të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri" [17] Ai thërriste besimtarët shqiptar të zgjohen nga gjumi, sepse dashuria për diturinë e për Atdhenë është pjesë e besimit. Në pozitën e kryemyftiut, në Kongresin Musliman Shqiptar, mbajtur më 1923, në fjalimin e mbajtur në momentin më të rëndësishëm të historisë kombëtare, prapë përsëriste me sinqeritetin e me seriozitetin më të madh: “mysliman, katolik dhe ortodoks, në pikëpamje të kombësisë kemi një lidhje vëllaznie të plotë e të patundshme, e nuk mund të thohet e të kuptohet asnji send qi e tund atë vllaznie të plotë. Çashtja e fesë asht nji çashtje e posaçme e sjecilli asht i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet...” [18].

Haxhi Ali Elbasani që drejtonte gazetën ”Zemra” (Yrek), [19], në minberet e xhamive po edhe në gazetë porosiste besimtarët e lexuesit e gazetës se: "Myslimanët duhet t’u shtrijnë dorën kristianëve, sepse kjo e forcon kombin shqiptar". Sami Frashëri vendosmërisht deklaronte se: “...muslimanë dhe katolikë, ortodoksë, gjithë shqiptarë sa janë dhe tek janë, janë vëllezër... janë një trup një mendje, një qëllim, një besë!”. [20]

Seid Nadjeni – Hoxhë Voka i Dibrës, nga minberet e xhamive, predikonte shqip: “...me u zgjue kombi, me mësue gjuhën e tij, me i dalë zot vetes". Ibrahim Kaduku, njeri universitar dhe njohës i mirë i gjuhëve orjentale, në predikimet e së premtes thërriste: “jemi njerëz të një gjuhe, të një gjaku e të një vendi”. Në thirrje të kësaj tolerance, predikonte edhe Haxhi Hafiz Muhamed Bekteshi: “Të gjithë njerëzit janë krijesa të Zotit xh.sh... te gjithë i përkasin Atij, dhe tek Ai do të shkojmë, prandaj ta duem njani tjetrin të mos krijojmë asnjë konflikt por të punojmë për të mirën e kombit...”

Sa kuptimplote dhe sa domethënëse janë fjalët e Mualimit Mulla Idriz Gjilani: " S’ka fe pa atdhe... Të ndihmojmë njëri-tjetrin me fjalë, me penë, me pasuri, të duhemi si vëllezër... Lexoni o mualimë të urtë sa e mirë dhe sa e kuptueshme është feja islame, kur shpjegohet shqip, në gjuhën e Zotit për shqiptarët... Kemi tri fe, por vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vllaznor, një gjuhë e një diell, Një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi vllaznimin dhe mbrojtjen e Atdheut " [21].

Çka do të vlente sot më shumë se këshilla e Sheh Ahmed Shkodrës, që duke folur për tolerancën fetare e unitetin kombëtar, kundër atyre që donin t’a prishin këtë unitet: “tuj shti ndonji mikrob i cili shkakton shkatrrimin e bashkimit” pse shqiptarët janë ”me nji gjuhë, me nji kombsi, prej nji gjaku, prej nji race”dhe prandaj duhet “me i dhanë doren njanitjetrit”. [22]

Referencat:

[1]. Mihajlicic: “Lazar Hrebaljanovic” f.348; Palerine:”Peregri Nations” f. 508; Slijepcevic: “Istoria Crkva”, Vol.I, f.306

[2]. cituar në: “Drita”, revistë fetare dhe kulturore, organ i zyrës ipeshkvore, Ferizaj, nr.7-8/1991, f. 3

[3]. Relacion i Frang Bardhit, mbi Krahinën e Pukës, drejtue Kongregacionit të Propagandës Fide. Qershor 1637; I. Zamputi: “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shkekullin XVII”, Tiranë 1965,II, Dok#24, f.71

[4]. Th. Ippen: Nordvestilichen Albaninas, Vienë 1908, f.34 ~ “Zakone e tradita të Lurës”, cituar sipas Kehreman Ulqinit: “Faktor kulturor e fetarë tek shqiptarët” Shkodër 2000

[5]. Shiko librin e përkthyer në gjuhën shqipe “Majat e Shalës” të udhëtares amerikane Rosa Wilder Lain, të botuar në Londër më 1923, f.62-68

[6]. Cituar nga : Dr. Muhamed Pirraku: “Jo Katedrale në emrin e shqiptarisë së imagjinuar” Prishtinë 2003].

[7]. Edith Durham: “Brengat e Ballkanit”.

[8]. “Lahuta e Malcisë”, ..........

[9]. Fadil Kraja: “Britmat e një gruaje”, Shkodër 200

[10]. “Disa ndodhi histrorike, ose çka qilloi ndër misione t’Shqypnisë” dorëshkrim në arkivin e Muzeut të Shkodrës, f.36-37, cituar sipas Kehreman Ulqinit: “Faktor kulturor e fetarë tek shqiptarët” Shkodër 2000; Këtë gjendje bashkjetese në Lug të Beranit, e gjet Prof. Mark Krasniqi më 1957 në shtëpinë e Fahri Ademit në fshatin Llugaxhi, Mark Krasniqi “Disa veçori etnografike të Lugut të Beranit” “Gjurmime Albanologjike – foklor dhe etnologji” III, Prishtinë 1984, f.103-104.

[11]. E. Nikolaidon: “Oi kriptochristianoi tes Spathias” Janina 1970

[12]. T. Zajmi: “tallazet e jetës dhe lotët e zemrës” Bruxelles 1970, f.50

[13]. Dr. P.V. Malaj: “Kontributi i klerit katolik në shkrimet shqipe”, “Meshari” i Gjon Buzukut monument i kulturës shqiptare, 1555-1985” Ulqin 1995, f.186

[14]. Mahmud Hysa: “Alamiada shqiptare” II, Shkup 2000, f.185

[15]. Haxhi Vehbi Dibra në mitingun madhështor organizuar në qendër të Tiranës më 1918

[16]. Gazmend Shpuza, "Millet Sistemi Çerçevesinde Arnavutlarin Durumu", Osmanl? IV, ed. Güler Eren, Yeni Türkiye Yayinlari, Ankara 1999, f. 41

[17]. Shih, Qazim Xhelili, Toleranca në marrëdhëniet midis komuniteteve në Shqipëri dhe ndikimi i tyre në jetën shoqërore në periudhën midis dy luftërave botërore, Krishterimi ndër shqiptarë-simpozium ndërkombëtar Tiranë 16-19 1999, Shkodër 2000, f. 344; Prifti, Diversiteti fetar dhe uniteti kombëtar te shqiptarët, f. 346

[18]. Gazmend Shpuza: “Kongresi Mysliman Shqiptar” (1923), Kultura Popullore, 1-2, viti XVIII (35, 36), Tiranë 1997, f. 192-193

[19]. shiko tek kontributi i muslimaneve shqiptare ne historine shqiptare…

[20]. Cituar nga Sherif Delvina: “Pa pavarësi fetare nuk ka pavarësi kombëtare”, Tiranë 1998, f. 25

[21]. Muhamed Pirraku, Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës lindore 1941-1951, Dituria Islame, Prishtinë 1995, f. 13

[22]. Sheh Ahmed Shkodra në veprën “Këshilla e ibadet”

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme