Pas humbjes drastike të orientalistëve në të ashtuquajtura kundërthënie, ata u munduan ta sulmojnë Kur’anin, në një formë tjetër me gjoja përplasjen e Kur’anit me realitet e natyrës. Pas hulumtimit të bërë, sipas tyre, konkluduan se në Kur’an ka disa përplasje me fenomenet e gjithësisë. Kjo ishte një shpifje e llojit të tyre. Kur’ani kurrë nuk mund të ndeshet me realitetin natyror.
Nuk ndodhë të ndeshet, sepse ai që e tha është vetë Krijuesi i natyrës. Duke u bazuar në këtë, themi se nuk është e mundur që njeriu të jetë më i ditur se Ai, i cili e krijoi këtë natyrë. Motivi i tyre është shumë i qartë. Ata mundohen ta njollosin Kur’anin dhe të fusin në të të pa qena, si edhe shpifje të ndryshme. Por, në këtë pjesë të librit, polemika jonë me ta, ka për qëllim që të sqarojë atë që pohojnë ata.
Para se të futemi në temë, duhet të jetë e qartë për të gjithë se Kur’ani i Madhëruar është libër universal. Ai vazhdimisht jep risi për çdo gjeneratë dhe kjo e bën ate të Madhëruar. Sikur mos të ishte Kur’ani libër universal që sjell risi të vazhdueshme, atij për një kohë të shkurtër do ti humbej vlera. Shihet qartë se Kur’ani është i pa shterrur,ushqen çdo gjeneratë aq sa ajo gjeneratë është në gjendje të marrë prej tij. Kështu e ushqen çdo gjeneratë duke ia dhënë ate që nuk ia dha gjeneratës së më parme.
Tani po kuptojmë se pse Muhammedi s.a.v.s. nuk i shpjegoi të gjitha ajetet, por, vetëm ato që kishin të bëjnë me urdhëresat, “bëje këtë ose mos e bëj këtë”, pra ato gjërat të cilat kishin karakter të shpëtimit ose të ndëshkimit. Ndërkaq nuk u shpjeguan ajetet që kishin të bëjnë me zbulimet e kohës së ardhshme. Duket qartë, se ato nuk u shpjeguan, sepse në atë kohë, njerëzit nuk ishin në gjendje që shkencëtarisht të kuptonin ajetet Kur’anore dhe realitetin e universit. Kur’ani jep aq, sa mundet ta kuptojë ai që e lexon, dhe të kënaqet me kuptim e tij. Shkuan vite ose shekuj të tërë derisa u kuptuan disa të dhëna të Kur’anit.
Kur’ani dhe teoritë shkencore
Para se të flasim për të vërtetat e gjithësisë, ne duhet t’u përgjigjemi dy pyetjeve shumë të rëndësishme.
1. Mundësinë e lidhjes mes Kur’anit dhe teorive shkencore. Disa nga dijetarët gabojnë kur mundohen t’a shpjegojnë Kur’anin me zhvillimet shkencore. Fjalën e All-llahut xh.sh. e mbronin me teoritë shkencore që zbuloheshin. Mund të ndodhë që këto zbulime të jenë të gabuara dhe do të dalë se Zoti qenka gabim. Kur’ani, nuk është libër shkencor e të ketë nevojë për ta vërtetuar shkenca. Ai është libër adhurimi, me program dhe sistem jete. Ajo se ç’ka ka Kur’ani, e di vetë All-llahu, duke qenë se Ai e di se do të vijë një kohë kur Kur’ani do të kuptohet shumë më lehtë, pasi të kenë ardhur gjenerata tjera të cilat do të thonë se perëndoi koha e besimit. Tani jemi në kohën e shkencës. Këta do ta vërtetojnë mrekullinë e Kur’anit dhe do të flasin për të vërtetat e gjithësisë ashtu siç theksoi Kur’ani shumë shekuj më parë. Zbulimet e vërtetuara i japin kurajo njerëzimit, të thonë se njeriu e vërtetoi atë që thoshte Kur’ani. Kur’ani pra është dhurues i përhershëm, risitë e tija s’kanë të mbaruar. All-llahu në Kur’an thotë: “ Ne do t’u bëjmë të mundur që të shohin Shenjat Tona në të gjitha horizontet si dhe në vehten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se Ai (Kur’ani) është i vërtetë “. 45
Duhet të kemi kujdes në shkronjën (S in) në fjalën (Senurihim – do t’u bëjmë të mundur ). Ky sin jep kuptimin e një të ardhme. Sa herë të lexohet Kur’ani, e ardhmja është e pa definuar nga gjenerata në gjeneratë, deri në Ditën e Kijametit. Kjo të jep vizion të qartë, se shenjat e All-llahut, nuk kanë të mbaruar, ato do të zbulohen ndër gjenerata. Por kjo nuk do të thotë që ne ta marrim barrën të cilën nuk jemi në gjendje ta bartim. Ne duhet ta trajtojmë Kur’anin, si libër i cili na këshillon për njohuritë e botës. Kur’ani nuk na mëson sekretet se si të arrijmë deri te shkencat e përsosura teknike, ose astronomia, shkenca elekronike etj. Në Kur’an, pas sures së parë, pra Hapjes së Kur’anit, me rradhë vjen suretul Bekare e cila fillon me fjalët: Elif, Lam, Mim, Ky është një libër në të cilin nuk ka kurrëfarë dyshimi, është udhëzues për të devotshmit …”
Pra, Kur’ani është libër udhëzimi. All-llahu na dhuroi ajete të shumta të cilat do të na shërbejnë për përgjigje ndaj sulmuesve të Kur’anit, deri në Ditën e Kijametit. Ajete të shumta që gjenden në Kur’an, janë zbuluar ose janë të njohura për ne. Ajetet të cilat nuk janë të zbuluara, dhe janë ende të pa qarta për ne, na shërbejnë për t’u thënë sulmuesve të Kur’anit, të cilët thonë se perëndoi koha e besimit, se tani jemi në kohën e shkencës. E këta sulmues do të krijojnë diçka që nesër do t’u thonë njerëzimit se ky është Zot. Ky është produkt i diturisë sonë dhe krijimtari e jona. Mos i adhuroni krijesat e ta largoni Krijuesin. Kjo na detyron që shkencën ta përdorim për ta vërtetuar Kur’anin, sepse Kur’ani është argument i padiskutueshëm për vërtetësinë ose jo vërtetësinë e shkencës. Një shkencë e cila është në kundërshtim me Kur’anin e Madhëruar është gënjeshtër dhe e pa pranuar.
Kur’ani është Fjala e All-llahut, përmes tij adhurohet deri në Ditën e Kijametit. Nuk ndryshon dhe nuk zëvendësohet. Është e rrezikshme lidhja e Kur’anit me teoritë shkencore, shpeshherë teoritë shkencore janë jo të sakta dhe të pavërteta. Ne jemi larg shpjegimeve të tyre, pasiqë ato mund edhe të vërtetohen se ishin teori të pa sakta. Prandaj këto nuk ndryshojnë ose nuk zëvendësojnë asgjë nga fjala e All-llahut xh.sh. Për këtë arsye sygjeroj të gjithë dijetarëve, të mos shpejtojnë në vërtetësinë e çfarëdo zbulimi shkencorë, dhe të krahasojë këtë zbulim shkencor me Kur’anin, përderisa të mos janë të bindur dhe të kenë bindje të plotë për vërtetësinë e tij. Do të jemi shkaktarë për një gabim të pafalshëm ndaj njollosjes së Kur’anit, kur të vërteohet pasaktësia e atij zbulimi.
Pse u la pa shpjegim
Shtrohet pyetja, pse nuk u shpjeguan ajetet shkencore për bashkëkohësit e zbritjes së Kur’anit, ose të paktën të shërbente për gjeneratat e ardhshme. Dihet se të vërtetat e universit për të cilat është sinjalizuar në Kur’an nga ana e All-llahut xh.sh. kanë të bëjnë me proceset më të mëdha të kozmosit. Ato janë në shërbim të njeriut, qofshin ato në dijen e njeriut ose jo. Dielli, rrotullimi tokës, gravitacioni i tokës, nata dhe dita, si dhe procese të tjera natyrore, e në anën tjetër shkenca e embriologjisë si dhe gjithçka që është rreth njeriut, edhe këto kanë të bëjnë me regullat e proceseve natyrore. Rregullat e krijimit janë në shfrytëzim të njeriut, i njohëm ato ose jo. Miliona njerëz nuk dijnë asgjë për gravitacionin e tokës, mirëpo ata i shfrytëzojnë këto rregulla. Miliona njerëz nuk dinë asgjë për rregullat e natyrës, për precizitetin dhe balansin, mirëpo, ata i shfrytëzojnë këto rregulla. Miliona njerëz nuk dinë asgjë për jetën e fetusit në mitrën e nënës por, ajo nuk i pengon ata të mos lindin fëmijë.
Të gjitha këto, si dhe të tjera, nuk u shpjeguan nga All-llahu, sepse ato ishin në shfrytëzim të njeriut. Nuk kishte nevojë të shpjegoheshin, ishin ata në dijeni të plotë për to ose jo. Kjo është mrekulli e Kur’anit, ju jep njohuri aq sa do ta kuptojnë atë. Këto ajete u shpjeguan dhe do të shjegohen ndër gjenerata, do të shpjegohet aq sa do ta kuptojë njerëzimi në kohën në të cilën jeton.
Të kthehemi pak tek orientalistët. Këta supozojnë se rregullat e gjithësisë janë në kundërshtim me Kur’anin. Kurse ne u themi se asnjë zbulim shkencor, që është zbuluar deri sot, nuk është në kundërshtim me Kur’anin. Kur’ani nuk mund të përplaset me shkencën. Këto ndeshje të supozuara, nganjëherë mund të ndodhin për arsye të keqinterpretimit të Kur’anit, ose nga ndonjë zbulim shkencor i rrejshëm, që bëhet vetëm e vetëm për ta njollosur Kur’anin. Ashtu siç thashë, po e përsëris edhe njëherë, ne nuk duam që ta provojmë vërtetësinë e Kur’anit përmes shkencës, por, e themi të kundërtën, e cila është e vlefshe, shkenca duhet të vërtetohet me Kur’an. Të shihet nëse zbulimi i supozuar është në kundërshim me Kur’anin. Kur’ani është më i përsosur se çdo shkencë në botë. Shkenca është dituri e njeriut, kurse Kur’ani, është dituri e All-llahut të Lartësuar. Duhet të jetë e qartë se unë kurrë nuk mundohem ta vërtetoj Kur’anin me shkencën toksore, por, më duhet t’ju them atyre që njollosin Kur’anin, se nuk ka kundërshtim në mes Kur’anit dhe zbulimeve shkencore nëse ato janë të vërtetuara saktësisht.
Tokën . . . e shtruam
Të shohim tani vërtetësitë dhe realitet e Kur’anit. Të shohim nëse kemi të bëjmë me keqinterpretime, apo përplasje në mes së vërtetës shkencore dhe asaj Kur’anore!? Disa nga dijetarët përmendin se All-llahu xh.sh. në Librin e Tij thotë:
“ Ndërsa tokën e kemi shtruar “ 46
Fjala med ka kuptimin, shtruarje, d.m.th e kemi shtruar. Tokën e shohim të shtruar para nesh. Nuk ka kurrfarë përplasje në mes Kur’anit dhe asaj që shohim para nesh. Por kur u zbulua se toka është e rrumbullakët, u ngritën disa dijetarë fetarë dhe kundërshtuan këtë zbulim ngase mendonin se është në përplasje me Kur’anin. U themi se ishte keqinterpretim nga disa komentatorë të Kur’anit. All-llahu i Lartëmadhëruar, në Kur’an na kishte dhënë argumentin se toka është e rrumbullakët. Ai na informoi se toka dhe krijimi i saj është në formë topthi. Të polemizojmë rreth kësaj.
Përmendëm se në Kur’an thuhet: “Ndërsa tokën e kemi shtruar”. All-llahu nuk tha se toka është e rrafshtë, gjë që nënkupton se ngado që të sillesh, toka është e rrafshtë. Nëse gjendesh në një pikënisje, sheh se toka para teje është e rrafshët. Po u ngjite më në veri, pra, në polin e veriut, sheh se toka është e rafshët. Nëse shkon në Evropë, Amerikë, Azi, ose në Afrikë, toka para teje është e rrafshët. Toka është e rrafshtë në çfarëdoqoftë këndi të rruzullit tokësor, e kjo nuk do të mund të ndodhte nëse toka nuk do të ishte e rumbullakët. Sikur toka të ishte në formë cilindri, katrori, trekëndëshi, gjashtëkëndëshi, ose në çfarëdo forme tjetër gjeometrike, do të arrinim vetëm në një skaj të saj. Përderisa nuk kemi arritur asnjëherë në një nga skajet e saj, nënkuptohet se toka nuk ka formë tjetër përpos formës së rrumbullaktë.
Mrekullinë e Kur’anit, unë e shoh në thënien: “Ndërsa tokën e kemi shtruar”. Edhe kjo është një nga vërtetimet e All-llahut për formën e rumbullakët të tokës. Këtu është shfrytëzuar thënia që do të kuptohet nga të gjithë në kohën e zbritjes së Kur’anit, dhe në të njëjtën kohë, nuk bie ndesh me shkencën. E gjithë kjo, ndodhë në dy fjalë të vetme, jepet lajmi ose sekreti i tokës në këto dy fjalë të vetme. Pra, kjo nuk mund të bëhet nga dituria e njeriut. All-llahu na ka sinjalizuar për formën e tokës edhe në katër fjalë të cilat ishin në kohën e krijimit.
Paraprinë nata apo dita
Kur të shohim ajetet e Kur’anit: “…dhe as nata s’është para ditës …”47
All-llahu xh.sh. në suren Ja-Sin thotë: “As dielli nuk duhet ta arrijë hënën, dhe as nata s’është para ditës …”
Fjala këtu është për rregullat e gjithësisë. Dielli nuk mund ta arrijë hënën, sepse siç është thënë nga shkencëtarët, ato lundrojnë nëpër orbita të veçanta. Kjo e vërtetë shkencore është zbuluar tani pak para disa vitesh, kurse Kur’ani e ka sinjalizuar që para katërmbëdhjetë shekujsh. “…dhe as nata s’është para ditës…”. Këtu, All-llahu për qëllim kishte të eliminonte një realitet të gabuar. Arabët thonin se nata është para ditës. Tek arabët dita fillonte pasi të perëndojë dielli. Kështuqë, muaji Ramazan vërtetohej pasi të perendojë dielli në fund të muajit Shaban, Bajrami vërtetohej në perendimin e ditës së fundit të muajit Ramazan. Nëse arabët thonin se nata është para ditës kjo nënkuptonte se dita nuk është para natës.
Këtu kemi të bëjmë me dy të vërteta. Nata është para ditës, si dhe dita nuk është para natës. All-llahu këtë e la pa e kundërshtuar, sepse ishte një e vërtetë. Ai ju tha atyre se thënja juaj është e vërtetë, por, këtu shtoi edhe thënien: “edhe nata s’është para ditës”.
Pra, dita s’është para natës dhe as nata s’është para ditës. Kjo jep të kuptohet, se nata dhe dita ishin prezente në të njëjtën kohë, e kjo nuk mund të ndodhë nëse toka nuk është e rrumbullakët. Ky nuk është kuptimi i fundit i këtij ajeti. All-llahu xh.sh. dëshiroi ta përmirësojë këtë realitet, dhe e bëri të qartë se nata dhe dita ekzistojnë në të njëjtën kohë në rruzullin tokësor. Me këtë na sinjalizoi për realitetin e krijimit të tokës. Sikur All-llahu ta krijonte tokën në formë të rrafshtë në momentin kur ajo u krijua, dielli do të ishte prezent, dhe atëherë do të thonim se dita është para natës, sepse nata erdhi më pastaj. Por, All-llahu na thotë se as dita dhe as nata, nuk e parakuptojnë njëra tjetrën sepse janë të krijuara në një kohë. Kjo është argument se toka është krijuar në formën e rumbullakët. Forma e vetme është kjo e cila e vërteton se nata dhe dita janë krijuar (u gjendën) në të njejtën kohë.
Kjo e vërtetë u vërtetua atëherë kur mendja e njeriut u angazhua dhe filloi të hulumtojë thellë në kuptimet e ajeteve Kur’anore. Kështuqë, shohim se All-llahu xh.sh. na ka sinjalizuar, edhe me këtë shembull, që ne të kuptojmë se toka është në formë të rrumbullakët, edhe atë vetëm me pak fjalë.
Rrotullimi i tokës dhe kodrat
Në Kur’an, rrotullimi i tokës, është theksuar si një nga realitetet e gjithësisë. Në suren el Nemël (Thnegla), ajeti 88, i Lartëmadhëruari thotë :
“Dhe i sheh malet (kodrat), e mendon (llogaritë) se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin ashtu siç lëvizin retë. (kjo është) Vepër e All-llahut, i cili çdo gjë e përsosi …”
Kodrat u rrënjosën thellë në tokë. Ishte e domosdoshme që këto të privohen nga lëvizjet. Të qenit të privuara nga lëvizjet, sigurojnë mosdridhjet e tokës dhe sigurojnë luhatjet e njeriut. Ato janë simbol i qendrueshmërisë. Kur ato vështrohen, e japin këtë mesazh. Nga pamja e madhësisë dhe rrënjosjes së tyre, beson se toka është stabile dhe nuk lëvizë as edhe një hap të vetëm. Duket shumë stabile dhe e pa lëvizshme, prandaj All-llahu në Kur’an e thotë fjalën: mendon (llogaritë). Këtë e ka thënë nga mëshira e Tij ndaj njeriut. Njeriu mendon se kodrat janë të pa lëvizshme. Por, ja që All-llahu dëshiron të na tregojë, se atë që ne i mendojmë se ato janë të pa lëvizshme, në realitet lëvizin nga një vend në një vend tjetër. Kodrat lëvizin ashtu siç lëvizin retë. Pse u tha si retë? Retë janë ato që nuk lëvizin vetvetiu, por lëvizin në sajë të erërave. Retë pa erërat qëndrojnë në vend. Erërat janë ato që i lëvizin retë nga një vend në një vend tjetër. Në Kur’an, përdorimi i shprehjes -“ si retë”, është sinonim i lëvizjes të kodrave me ndihmën e dikujt tjetër. Nëse kodrat janë të pa lëvizshme, atëherë kush i lëviz ato, nëse nuk lëvizen nga vetvetja? Kush është ai që i vë në lëvizje? Kjo është toka, e cila me lëvizjen(rrotullimin e saj), i lëviz edhe kodrat. Me siguri që edhe toka lëvizë dhe rrotullohet, sepse përndryshe, si do të lëviznin kodrat duke qenë ato të rrënjosura thellë në tokë. Pra kodrat e rrënjosura thellë, i përkasin një vendi që është në lëvizje. Ashtu sikur retë që janë të varura nga era, edhe kodrat janë të varura nga toka, ngase ato janë të rrënjosura në tokë. Në këtë mënyrë, All-llahu i Lartësuar na shpjegoi në formën më të përsosur, lëvizjen e tokës dhe rotacionin e saj. Ne kemi llogaritur se kodrat janë të palëvizshme por del se ato qenkan në lëvizje të vazhdueshme, përderisa toka lëviz. Fjala: “Mendoni se janë të palëvizshme“, ka nevojë për një shpjegim më të gjërë, sepse kjo na vërteton një tjetër realitet shkencor.
Nëse qëndron në një trup që është në lëvizje, por nuk ka kurrfarë dridhje në ate trup, nuk e ndjen atë lëvizje. Do ta ndiesh atë lëvizje, nëse e krahason atë trup me një trup tjetër, i cili nuk është në lëvizje. Nëse vështrojmë nga dritarja e aeroplanit me të cilin fluturojmë, atëherë e ndiejmë lëvizjen e aeroplanit dhe atyre që janë aty. Por, nëse mbyllim dritaret dhe koha të jetë e qetë, si dhe aeroplani të fluturojë pa dridhje, ne nuk do ta ndiejmë lëvizjen e aeroplanit. Pse nuk do ta ndiejmë? Kjo ndodhë për arsye se çdo gjë përreth nesh, është e pa lëvizshme dhe ne nuk e ndiejmë atë lëvizje. Karriket dhe çdo gjë përreth teje, është e palëvizshme. Kjo vlen edhe për qëndrimin tonë në veturë ose tren, nuk kemi tronditje dhe çdo gjë është e qetë dhe nëse i kemi mbyllur dritaret nuk do ta ndiejmë lëvizjen e mjetit dhe lëvizjen tonë. Por nëse e hapim dritaren dhe vështrojmë një objekt të palëvizshëm do të vërejmë lëvizjet tona me mjetin ku qëndrojmë vetë.
Me këtë All-llahu xh.sh. dëshiroi të na tregojë se ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë lëvizjen e kodrave, sepse toka është stabile dhe qëndrimi ynë është stabil, dhe qëndrimi përreth nesh është stabil, dhe ne llogarisim se çdo gjë është e palëvizshme, sepse nuk imagjinohet ajo lëvizje përderisa nuk kemi mjet tjetër të palëvizshëm para nesh që të krahasohet. Por ne ju themi, këto kodra lëvizin, dhe këto nuk lëvizin nga vetja e tyre që të shkojnë nga një vend në një vend tjetër mbi tokë, por, ato përcjellin tokën gjatë rotacionit të saj, e ti mos u habit sepse ajo është nga “ Vepra e All-llahut i Cili çdo gjë e përsosi“, e po u bazove në këtë, atëherë do të bindesh.
Dikush thotë se ky cilësim i përket Ditës së Kijametit, por ne u themi atyre se kjo nuk ka të bëjë me ate, sepse atje nuk ka parallogaritje, por, atje është bindja.
All-llahu thotë:
“…prandaj T’a hoqëm mbulesën, e sot shikimi yt është i mprehtë”. 48
Si dhe thënia e të Lartësuarit për kodrat në Ditën e Kijametit:
“Dhe do të pyesin ty për kodrat, dhe thuaju: Zoti im do t’i bëjë ato hi e pluhur” 49
Si është e mundur që ato t’i bën hi e pluhur dhe ato të parallogariten se janë të rrënjosura, thotë i Lartësuari xh.sh.: “Ditën kur toka do të zëvendësohet me një tokë tjetër dhe qiellërat…”50
Në Ditën e Kijametit çdo gjë do të jetë e qartë dhe sheshazi, sepse nuk ka kodra, e gjitha do të jetë hi e pluhur. Do të shohim xhennetin dhe xhehennemin, si dhe do ta shohim All-llahun, pra llogaritja i përket kësaj bote kurse bindja në botës tjetër.
Pse duhet të flasim për embrionin
Thamë se Kur’ani ka theksuar shumëçka. Sikur të ishte vepër e tjetërkujt nuk do të sillte edhe këto të dhëna. Fjala është për fetusin. Në Kur’anin e Madhëruar All-llahu xh.sh thotë:
“Vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun nga ekstrakti i baltës. Mandej, Ne e kemi vendosur atë si një pikë sperme në një vend të sigurt (mitër). Mandej, Ne e kemi trajtuar (spermën) në mpiksje gjaku; mandej atë mpiksje gjaku e kemi trajtuar në një copë mishi; mandej Ne e kemi shndërruar atë copë mishi në eshtra dhe mandej eshtrave ua veshëm mishin, mandej atë e trajtuam në një krijesë tjetër (u bë njeri), Pra i bekuar është All-llahu që është Krijuesi më i mirë”.51
A thua çka e shtyri Muhammedin a.s.v.s. të merret me sekretet. Dhe ato t’i prezantonte në Kur’an, gjë e cila do ta shkatërronte besimin që nga themeli. Kur’ani është fjalë e All-llahut, leximi i tij konsiderohet adhurim, nuk ka ndryshime në të dhe as që mund të zëvendësohet deri në Ditën e Kijametit. Çmund të ndodhë me përparimin e shkencës. Sikur të vërtetohet se këto thënje janë të pa vërteta, atëherë si mund të vazhdojë besimi në Zot? Pse Muhammedi të merret më këto sekrete, të cilat do ta rrezikojnë fenë. Askush nuk kërkoi nga ai të na tregojë këto sekrete, dhe askush nuk e sfidoi atë. Jo, jo, kjo ndodhë ngase Krijues është All-llahu. Ai tregoi këto vërtetësi para se të zbulohen nga shkencëtarët, e më pas shkenca t’i vërtetoi saktësitë e këtyre thënieve të Kur’anit. Ishte kjo njëra nga sfidat e All-llahut xh.sh.
Në vetet tuaja
Një nga pikat shumë interesante të cilat i shqyrtoi Kur’ani, është edhe trupi i njeriut dhe shkenca organike. Shohim se All-llahu në Kur’an i përmend shqisat e të dëgjuarit, gjithnjë para shqisave të të pamurit.
Kur njeriu humb të pamurit, atëherë themi se ka humbur çdo gjë. Nuk sheh, është në terr të plotë, e nëse nuk sheh, ska dyshim se është humbur plotësisht. Por nëse i ndodh që të humb të ndëgjuarit, e jo edhe të pamurit, themi se kjo do të ishte më e lehtë. Kur All-llahu e përmend të dëgjuarit dhe të pamurit, gjithmonë i jep përparësi të dëgjuarit!
Këtu kemi të bëjmë më mrekulli të All-llahut. All-llahu e lartësoi shqisën e të dëgjuarit, para asaj të të pamurit, sepse shqisa e dëgjimit është ajo e para e cila e merr detyrën nga organet e njeriut në këtë botë. Këtë detyrë dhe përparësi do ta ketë edhe në ahiret. Një nga arsyet është se kjo shqisë nuk fle kurrë. Pra, ky organ është ai i cili i pari e merr detyrën në këtë botë. Foshnja e posalindur dëgjon por nuk sheh. Nga kjo themi se rëndësia e këtij organi është që nga dita e parë e jetës së tij. Nëse në afërsi të një foshnje të sapolindur fjaloset, dhe përdoren fjalë bezdisëse, i sapolinduri do të reagojë duke qarë. Nëse të sapolindurve ia afrojmë duart afër syve, ata nuk e ndiejnë veten të rrezikuar. Kjo është e para. Në kohën kur njeriu është duke fjetur, duket të jetë çdo gjë në qetësi, me përjashtim të të dëgjuarit të tij. Nëse dëshirojmë që ta zgjojmë njeriun nga gjumi, edhe sikur t’ia afrojmë dorën afër syve, ai nuk do të reagojë. Por, nëse ai dëgjon ndonjë bubullimë, do të zgjohet shpejt dhe i trishtuar. Kjo ishte e dyta. Kurse e treta është ajo që të dëgjuarit është organ ndërmjetësues në mes njeriut dhe botës.
Në momentin kur dëshira e All-llahut ishte që personat e shpellës të flejnë me qindra vjet tha:
“Dhe iu mëshuam në veshët e tyre (duke qenë ata) në shpellë (ku ata qëndruan) vite të tëra”,52
Nëse prishet organi i dëgjimit, qenka e mundur që të flihet me qindra vite pa ndonjë shqetësim. Meqenëse lëvizjet dhe bubullimat gjatë ditës pengojnë njeriun të flejë në gjumë të thellë, kjo nuk ndodh gjatë natës, ngase është qetësi. D.m.th se veshi e merr detyrën i pari dhe ai nuk fle, nuk hamendet, si dhe qenka ndërmjetësues ndërmjet njeriut dhe botës. Është organ i cili dëgjon ftesën për në ahiret. Këto do të ishin disa nga shkaqet, se pse All-llahu e lartësoi të dëgjuarit para organeve tjera.
Kemi edhe një gjë tjetër të cilën e vërejmë në Kur’an. All-llahu kur flet për dëgjimin, gjithmonë e thekson atë në njëjës, kurse të pamurit gjithmonë në shumës.
All-llahu thotë:
“Dhe ju nuk do të mund të fshihni (mëkatet e juaja) sepse për ju do të dëshmojë ndëgjimi juaj dhe të pamurat e juaja53
A thua pse fjala -dëgjimi juaj, është në njëjës, kurse fjala- të pamurat, është në shumës? Pse nuk u tha: dëgjimet dhe të pamurit tuaj? Shikuar logjikisht, do të ishte më në rregull, sikur të ishin që të dyja në njëjës ose shumës. I Lartësuari me këtë deshi të na tregojë precizitetin e Kur’ani Kerimit. Të pamurit është shqisë e cila sundohet nga vetë dëshira e njeriut. Është në dëshirën time të shoh ose mos të shoh diçka. E kthej kokën, ose së paku shikimin e syve, nëse dua që të injoroj dikë, respektivisht të mos e shoh. Kurse të dëgjuarit është e kundërta e të pamurit. Nuk mund ta injorosh ose të mos dëgjosh, këtu nuk ka dua ose nuk dua. Nëse je në një dhomë ku ka dhjetë persona, sikur të flasin të gjithë, tek veshi yt do të arrijnë të gjitha zërat, deshe apo nuk deshe të dëgjosh. Pra do të mund të largosh shikimin tënd nga dikush që nuk do ta shohësh, por, nuk mundesh që të mos e dëgjosh ate që nuk dëshiron ta dëgjosh, dhe të sillesh sikur nuk e ke dëgjuar. Me dëshirë apo pa dëshirë, ti nuk ia ndalon vetes mosndëgjimin. Pra, të pamurit përfshin shumësin. Unë shoh një gjë, ti sheh atë, si dhe i treti e sheh atë. Njeriu edhe mund të mbyllë sytë e mos të shohe asgjë, por, kjo nuk vlenë për shqisën e të dëgjuarit. Të gjithë, përderisa jemi në një dhomë, do të dëgjojmë fjalimin. Të pamurit është i ndryshëm, kurse të dëgjuarit është unik. Secili ka sy dhe sheh aty ku ai dëshiron, por, secili nga ne ka veshë dhe që të gjithë jemi unik në atë çka dëshirojmë dhe çka nuk dëshirojmë të dëgjojmë. Këtu nuk përdoret thënia - dëgjimet. Veshët janë më të preferuar tek All-llahu, për dallim nga sytë, sepse ato nuk flejnë. Ato të cilët nuk flejnë, janë më të priviligjuara në krijim, se sa ato që flejnë. Veshët që nga krijimi i tyre nuk flejnë, ato veprojnë që nga sekonda e parë e jetës së tyre. Kurse organet e tjera të trupit, do të fillojnë së funksionuari pas disa ditësh, e ka prej tyre që fillojnë edhe pas disa vitesh.
Veshi nuk flen. Gjatë gjumit pushojnë të gjitha organet e trupit me përjashtim të të dëgjuarit. Me të dëgjuar një zë zgjohesh, por, sikur të kesh probleme me shqisat e të dëgjuarit, ose të mos dëgjosh fare, atëherë çfarëdo zhurme nuk të zgjon nga gjumi, sepse organi i thirrjes është i prishur. Po e njëjta vegël, pra veshi, do të jetë ai që do ta merr ftesën atëherë kur të fryjë Suri.55
Për të funksionuar syri, ka nevojë për dritë e cila do të bën përthyerjen e objektit derisa të hyjë në sy e të shihet. Nëse është terr, atëherë nuk mund të shikohet. Kurse veshi e kryen funksionin e vet ditën dhe natën, në dritë dhe në terr, në gjumë ose zgjuar. Ai nuk fle kurrë dhe nuk ndalon. Për këtë arsye All-llahu i dha prioritet të të dëgjuarit, para të të pamurit.
Ndieshmëria dhe lëkura
Gjë interesante është edhe përsosmëria e ndjenjave, këtë na e mësoi i Lartësuari. Kur’ani ka prekur një realitet shumë interesant në natyrë. Ai na mësoi se si të njihemi me përsosmërinë e ndjenjave, angazhimet e ndjenjave. Ai na mëson për këtë duke qenë se është një realitet natyror e jo si një zbulim shkencor në lëminë e mjeksisë. Ai vetëm e tregon një realitet. Kur ai flet për mënyrën e dënimeve të pabesimtarëve me zjarr i Lartësuari thotë:
“…Sa herë që tu piqen lëkurat e tyre do t’ua ndërrojmë me lëkurë tjetër me qëllim që ta shijojnë vuajtjen…”56
Urtësia e këtij ajeti është mu tek ndërimi i lëkurës e ajo bëhet për ta shijuar dënimin. Sipas Kur’anit vendi i ndijimit të dënimit qenka lëkura. Tani të shohim se ç’na thotë shkenca.
Është vërtetuar se të gjithë nervat e ndjeshmërisë janë të vendosura menjëherë pas shtresës së lëkurës. Këto nerva pasi ta ndjejnë rrezikun dhe dhimbjën e sinjalizojnë trurin. Ato janë poshtë lëkurës pikërisht ashtu si tha All-llahu në Kur’an “do t’ua ndërrojmë me lëkurë tjetër me qëllim që ta shijojnë vuajtjen”
Nga All-llahu është dhënë informacioni për një realitet natyrorë për, ndjeshmërinë dhe vendosjen e nervave të njeriut menjëherë pas lëkurës. Për ta ndier vazhdimisht njeriu dhembjen e zjarrit All-llahu do t’ia ndërrojë lëkurën sepse, kur lëkura të digjet e humb ndjenjën e dhembjeve ose vuajtjeve dhe kështu lëkura e re do të ndiejë dhembje. Tani kur shkencëtarët na thonë se nervat arrinë deri te lëkura u themi atyre se ato që janë të rëndësisë së veçantë na i ka treguar All-llahu para shumë shekujve.
Shihet qartë se llojet e mrekullisë në Kur’an janë të ndryshme dhe se ato sinjalizohen me shembuj shumë të thjeshtë. Në temat tjera thamë se All-llahu na thotë: “…Ecni nëpër tokë…” e nuk tha ecni mbi tokë, kështu vërtetuam mrekullinë se njeriu vërtetë ecën tokë në mes mbështjellësit atmosferik dhe sipërfaqes toksore. Ashtu siç u sqarua preciziteti i ajetit “… Zoti i shumë lindjeve dhe shumë perendimeve…” Që të gjitha këto konsiderohen mrekulli të Kur’anit. Mrekullitë e Kur’anit nuk mbarojnë me kaq. Ato vazhdojnë dhe do të vazhdojnë…Tani të shohim disa të tjera.
Foshnja e epruvetës
Para se të përfundojmë me këtë diskutim, e shoh të arsyeshme të flas rreth të vërtetës shkencore, por kjo nuk është realitet shkencorë. Disa njerëz thonë se tani shkencëtarët kanë arritur të përcaktojnë llojin e embrionit e të thonë se fetusi është mashull ose femër. Disa shkojnë aq larg saqë thonë se shkenca do ta krijojë foshnjen në epruvetë. Kjo është në kundërshtim me ato pesë sekretet. “…dhe Ai e di se ç’ka në mitra …”57
Ne u themi atyre që mbështeten në këto pohime. Kush ju ka thënë se fjala ç’ka ka në mitër nënkupton vetëm të qenurit mashkull ose femër. Fjala ç’ka ka kuptimin e karakterit të njeriut të ardhshëm, nëse do të jet fatlum ose fatkeq, i gjatë ose i shkurtër, i bardhë ose i zi, jeta ,furnizimi, exheli, emri çdo gjë për krijesën që do të vijë në këtë botë. All-llahu e informoi Zekerijanë për fëmiun e tij para mbarsimit. E lajmëroi për emrin e foshjes së tij, ishte një emër që nuk i emronin fëmijët më parë dhe e lajmëroi për ardhmërinë e tij të më vonshme i cili do të jetë zotni, i ndershëm, lajmëtar dhe prej të mirëve. Çdo gjë ndodhi para se ky fëmijë të jetë në mitër të gruas së Zekirjasë. Kjo ndodhi derisa ai ishte në mihrab të faltores ku ai po lutej për fëmij.
i Lartëmadhëruari thotë:
“Aty e luti Zekerijahu Zotin e tij, i tha: O Zoti im, falmë prej Vetes Tënde pasardhës të mirë, vërtetë Ti dëgjon lutjet (e lutësit)! E thirrën melaiket, përderisa ai lutej në këmbë në mihrab, vërtetë All-llahu të përgëzon me Jahjanë i cili do të verifikohet me fjalën prej All-llahut dhe do të jetë zotëri i dëlirë dhe një profet prej të drejtëve. Ai tha: O Zot im, si do të kem unë fëmijë kur jamë i shtyrë në moshë madje edhe gruaja ime është shterpe? Ai (All-llahu) tha, ashtu All-llahu bën çfarë të do”.58
Sihariqi i erdhi për pasardhësin e tij duke mos qenë gjallë ai fare, as edhe në mitër të nënës së tij. Por çka është edhe më e çuditshme, Zekirjahu nuk besonte edhe vetë sepse ishte i moshuar dhe gruan e kishte shterpe. Pas të gjitha atyre pengesave për të patur fëmijë më pare, ai përgëzohet me fëmij bile, iu përcaktua edhe emri. Ai është Jahja, do të jetë i dëlirë, i dërguar e bamirës. Ky ishte një shpjegim rreth fjalës ç’ka e si munden që disa ta shpjegojnë dhe zëvendësojnë këtë fjalë vetëm me të qenurit mashkull ose femër.
Fjala “ç’ka”, përmban çdo gjë para se fëmija të lind, ku do të vdesë, ardhmërinë e tij, me cilën do të martohet, me çka do të furnizohet, do të jetë fatlum ose fatzi, i gjatë ose i shkurtër dhe çdo gjë që do t’i ndodhë atij. Fjala “ç’ka”, përmban çdo shkronjë të jetës së tij të cilën do ta përjetojë. Si do të jetojë dhe ku do të migrojë. Pra dituria e All-llahut të Lartësuar rreth fjalës “ç’ka”, është dituri e pa kufi e si mund që dikush ta përkufizojë në të qenurit e foshjes mashull ose femër, përderisa All-llahu nuk e ka përcaktuar, por tha: ç’ka në mitra .
Vërtetësia rreth mashkullores dhe femrores nuk është vërtetësi shkencore ngaqë gruaja nuk e di çka do të lindë, mashkull ose femër. Ndodh nganjëherë të thotë do të lindi mashkull ose nganjëherë thotë do të lindi femër, kjo nuk do të thotë se e gjeti fshehtësinë. Nganjëherë thotë se do të lindi mashkull dhe ashtu ndodhë, ndodhë të thotë do të lindi femër dhe ashtu ndodhë. Kjo nuk do të thotë se e dinte dhe e kishe parashikuar. Çdo parashikim përmban në vehte 50 % të realitetit. Aty shanset janë 50% mashkull dhe 50%femër. Sikur të kishte mbi 20 lloje të gjinive njerzore atëherë do të thonim se vërtetë po e qëllojnë ate që e parashikojnë në mënyrë shkencore. Parashikimi ose përdallimi shpeshherë ndodh të dihet edhe nga njerëz të pa shkollë fare. Grave shtatëzana shpeshherë u thonë se do të lindni mashkull dhe vërtetë ashtu ndodhë. Kjo a nënkupton se vërtetë e ka ditur ç’ka në mitër. Është një çështje që qëllohet nga shumë por, disa të tjerë pas analizave të tyre shkencore thonë se u zbulua një nga pesë fshehtësirat e Zotit, kjo nuk është aspak e vërtetë. Fjala ç’ka në mitër ka përmbajtje shumë më kuptimgjërë se dituria njerëzore që prej ditëve të sotme e deri në Ditën e Gjykimit.
Tani të shkoqisim ate të foshjes së epruvetës. Është një pikë shumë e diskutuar kohëve të fundit. Kur dëshiron të krijosh diçka e në veçanti njeriun së pari duhet të grumbullosh materialin e pataj ta konstrukosh ate. Nëse e mer materialin ose organin e gatshëm të cilë ne dhuroi All-llahu atëherë këtij nuk i thuhet fëmijë i epruvetës. More prej krijimit të All-llahut nga mashkulli pastaj sajove një rrugë tjetër për ta plotësuar dëshirën e All-llahut në ate të cilën e ka krijuar All-llahu tek femra. Kështu nuk është bërë asnjë e veçantë sepse është ndaluar vetëm procesi i shtatzanisë. U zgjodh një rrugë tjetër me materien e gjallë dhe mitrën e femrës dhe foshnja u zhvillua po me të krijuarat e All-llahut të Lartësuar. Si mund të thuhet se kjo është foshje artificiale ose e epruvetës?! Nuk ke krijuar asgjë, All-llahu të ka mundësuar të shërosh sterilët me ate që Ai ka krijuar për të vazhduar jeta njerzore, ti kështu nuk ke krijuar asgjë. Nëse vërtetë ke mudësi të krijosh njeriun artificial atëherë së pari formo materien ose spermën e gjallë. E unë them se kjo nuk mund të bëhet dhe çdo tentim për këtë do të jetë dështim.
Kemi theksuar shumë herë se Kur’ani nuk është Libër shkencorë i cili zbulon disa nga krijesat e tija në gjithësi por, Kur’ani ka zbritur si sfidues. Ai përderisa është mrekulli në vete përban sfida. Kur’ani sfidoi arabët në lëminë e retorikës por, islami është fe universale. Ai edhe pse sfidoi popujt e kohës së zbritjes ai vazhdon t’i sfidojë të gjitha gjeneratat që pasuan dhe do të pasojnë, përndryshe nuk do të quhej mrekulli e vazhdueshme.
Kur’ani është në gjendje të zbulojë enigmat e sekreteve botërore. Ai zbuloi enigmat në të kaluarën dhe, tani po zbulon enigmat. Ky do të shpalosë sekretet në të ardhmen si dhe zbulojë enigmat e vet qenies njerzore. Ai zbuloi enigmat e gjërave të cilat nuk ishin të njohura gjer në ditët tona. Kur’ani vazhdon të sfidojë dhe askush nuk i përballet kësaj sfide dhe për këto sfida do të flasim në pjesën tjetër.
Përktheu Muhamed Jusufi - Kajolli
--------------------------------------------------------------------------------
45 Kur’an, sure 32 el Sexhde, ajeti 53
46 Kur’an, sure 15 el Hixhr, ajeti 19
47 Kur’an, sure 36 Ja Sinë, ajeti 40
48 Kur’an, sure 50 Kaf , ajeti 22
49 Kur’an, sure 20 Ta Ha, ajeti 105
50 Kur’an, sure 14 Ibrahim, ajeti 48
51 Kur’an, sure 23 Mu’minun, ajeti 13
52 Kur’an, sure 18 el Kehf ajeti
53 Kur’an, sure 41 el Fusilet, ajeti 22
55 Suri, mjet me të cilën do të fryejë një erë e cila do të shkatërron gjithëçka që është krijuar (fillimi i kataklizmës)
56 Kur’an, sure 4 el Nisa’,ajeti 56
57 Kur’an, sure 31 Lukman, ajeti 34
58 Kur’an, sure 3 Ali Umran, ajeti 38- 40