
"Qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore bota myslimane ka qenë në marrëdhënie dashuri-urrejtje me SHBA. Për ata që duan ta njollosin, Amerika është e mbrapshtë se ka për qëllim kryesor sundimin global, është një përbindsh që e predikon demokracinë me zjarrin e armëve. Për admiruesit e saj, Amerika është kalorësi i bardhë që mbron njerëzimin nga tirania... Kështu, Islamofobia dhe Antiamerikanizmi vazhdojnë të mbizotërojnë në ligjërimin tonë"
Anvar Ibrahim
Në librin e Mohamed Nimer-it "Islamofobia dhe Antiamerikanizmi", SHBA 2007, fë. 37
Ka disa kohë që tek shqiptarët dhe tek miqtë e tyre më të mirë është vënë re njëfarë pakënaqësie ngaqë u duket se procesi i njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës nuk ka ecur me ritmet e duhura. Në të vërtetë kjo njohje nuk ka ecur me ritmet që dëshironin shqiptarët dhe miqtë e tyre dhe ka ngecur në disa shtete e grupime shtetesh ku mendohej se njohja ishte e sigurtë dhe do të bëhej pa ngurime e vonesa. Më e "papritur" dhe më zhgënjyese duket ngecja e njohjes nga vendet arabe-myslimane dhe Konferenca e Vendeve Islamike. Kjo ngecje ka shkaktuar edhe pezmatim të kuptueshëm, por që nuk duhet të kalojë në dëshpërim.
Zhgënjimi shqiptar po kalon në një pezmatim edhe më të theksuar pas "suksesit" të parë diplomatik të Serbisë në OKB, që arriti të fusë në rendin e ditës të punimeve të sesionit të tanishëm të Asamblesë së përgjithëshme propozimin serb që t’i kërkohet mendim këshillimor Gjykatës së Drejtësisë në Hagë për ligjëshmërinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Ky "sukses" i parë diplomatik i Serbisë nuk duhet perceptuar aspak si një "humbje e parë" diplomatike për Kosovën. Ky "sukses" serb më shumë dëshmon për amullinë politiko-diplomatike që ekziston në diplomacitë e shteteve të ndryshme, që krijon telashe edhe në OKB.
Njohja e pavarësisë së Kosovës sipas precedentëve, jo si rast "sui generis"
Futja e kësaj kërkese në rendin e ditës së punimeve ende nuk do të thotë se Asambleja e përgjithëshme do ta miratojë rezolutën për të kërkuar mendimin e Gjykatës së Hagës. Kështu që ende ka shumë mundësi që "suksesi i parë" diplomatik i Serbisë të zhvleftësohet dhe të kthehet në "fitore të parë" të Kosovës në OKB, në rast se Asambleja nuk e mbështet idenë serbe dhe nuk e çmon se duhet kërkuar mendim këshillimor në Gjykatën e Hagës. Gjasat për një kthesë të tillë janë më të mëdha tani që Rusia ka njohur Osetinë e Jugut dhe Abhazinë dhe nuk duhet të jetë shumë e interesuar që edhe këto dy raste të bëhen objekt shqyrtimi në Gjykatën e Hagës.
Në rast se Asambleja e përgjithëshme e miraton kërkesën e Serbisë, kjo sigurisht do të jetë "suksesi" i dytë diplomatik për Serbinë, por aspak "humbje e madhe" për Kosovën, sepse mbetet ende si mundësi më e madhe që Gjykata e Drejtësisë në Hagë të gjykojë drejt dhe të japë atë mendim që është i arsyeshëm, kundër dëshirës së Serbisë. Në këtë rast Serbia do të pësonte një humbje të madhe, "një Kumanovë juridiko-ndërkombëtare".
Por edhe sikur Gjykata e Drejtësisë të japë mendim këshillimor sipas oreksit të Serbisë, kjo vetëm do të krijonte pështjellim në diplomacinë ndërkombëtare e në ecurinë e mëtejshme të procesit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës, por kurrsesi nuk mund të zhbëjë atë që është bërë në realitet, pavarësinë dhe njohjen juridiko- ndërkombëtare të deritanishme të Kosovës. Asnjë shtet nuk është krijuar në saje të ndonjë mendimi këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Asnjë shtet nuk është njohur vetëm pas një mendimi-këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mbi të gjitha asnjë shteti të njohur nuk i është tërhequr pavarësia nga Gjykata, asnjë shtet nuk është detyruar të pezullojë pavarësinë e tij. Asnjë shtet nuk është shtrënguar nga ndonjë mendim këshillimor gjyqsor të tërheqë njohjen që i ka bërë një shteti tjetër. Në këtë drejtim Kosova nuk mund të përbëjë një rast "sui generis", por është një hallkë më shumë në zinxhirin e gjatë të precedentëve ndërkombëtarë.
Një këshillë e gabuar, si i pëlqen Serbisë, nga Gjykata e Hagës do të shërbente vetëm për keq në marrëdhëniet ndërkombëtare, sa për të nxitur më shumë Serbinë të tollovisë më tej Ballkanin dhe Europën. Shqiptarët natyrisht do të kenë më shumë telashe nga kjo, por duhet të mësohen t’i përballojnë edhe këto ngatërresa serbe. Nuk mund të ketë më kthim mbrapa për askend, as për Serbinë që të rikthehet në Kosovë, as për shqiptarët që të bëjnë mbrapsht në rrugën e tyre, duke "pezulluar pavarësinë", ose duke nisur bisedime të reja për statusin me serbët, as për diplomacitë që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, as për diplomacitë që ngurojnë të njohin Kosovën e pavarur.
Vulat shqiptare dhe ndërkombëtare në aktin e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës tashmë janë vënë dhe nuk i fshin dot kush. Shqiptari që do të tentonte të fshinte këto vula duhet ndëshkuar në vend me rreptësinë më të madhe si tradhtari më i madh në historinë e kombit. Ndërkombëtari që do të sugjeronte të fshihen edhe një herë këto vula duhet demaskuar e kudërshtuar në vend si batakçiu më i madh ndërkombëtar i gjitha kohërave. Pas kësaj që bëri Serbia edhe në OKB pushtetarët e Kosovës duhet ta bëjnë prerazi të qartë se me Serbinë derisa kjo të ketë kryer njohjen de jure të shtetit të Kosovës nuk mund të ketë fare kontakte e bisedime për asnjë çështje, sepse Kosova e Serbia realisht janë shtete në gjendje lufte.
Mosnjohja arabo-islamike e pavarësisë së Kosovës, si shembje e iluzioneve shqiptare
Zhgënjimi e pezmatimi nga ngadalësia ose ngecja e procesit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës po shkakton një nervozizëm politik të panevojshëm dhe të parakohëshëm në Prishtinë, çka shprehet më shumë nëpërmjet qortimeve të rënda pa baza ndaj shërbimit diplomatik kërthi të Kosovës në shtypindhe në parlamentin Kosovës (Zijadin Gashi "Debate të ashpra rreth politikës së jashtme dhe njohjes", gazeta "Standard" 19 shtator 2008).
Tani dëgjojmë e lexojmë shumë fjalë që e kthejnë mbarë e mbrapsht zhgënjimin e pezmatimin me vend e me mjaft arsye, që na erdhi si i papritur nga ata që besonim ndershmërisht se nuk do të na vinte, nga vendet arabe-myslimane. Të gjithë uronim dhe prisnim sinqerisht të ndodhte e kundërta. Edhe më skeptikët për këtë (ku radhis të paktën prej 10 vitesh edhe veten time) kujtonin se gjithsesi vendet myslimane nuk do të binin në këto pozita të pahijshme me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, kur në Europë lindi një shtet i dytë me shumicën e popullsisë së besimit islam. Por ja që në politikë ndodhkan të papriturat më të çuditëshme se në lojën e futbollit. Në fushën tënde, ku kujton se e ke të sigurtë fitoren, pëson humbje dhe pikët që të duhen për të mos shkuar poshtë në klasifikim i merr gjetkë, ose t’i dhurojnë të tjerë.
Sidoqoftë, fjalët nuk kanë të pushuar për "rrengun" që na bënë vendet myslimane. Disa pezmatimin e shprehin me sinqeritet, disa me cinizëm e për provokim. Disa thonë mendime e fjalë që u ka ikur koha e nuk bëjnë më pare, pra fjalë fatkeqe. Disa kanë gjetur rast të thonë sërish fjalën e keqe për këtë që po ndodh e të spekulojnë për të nxitur histerinë antimyslimane tek shqiptarët. Disa përpiqen të hyjnë me vonesë në këtë lojë fjalësh që të ndihmojnë në zbulimin e shkaqeve që shkaktuan këtë zhgënjim e pezmatim. Disa këto shkaqe i kërkojnë vetëm në sjelljet e shqiptarëve që kanë zemëruar vendet myslimane. Të tjerë shkaqet i kërkojnë vetëm në sjelljet e vendeve myslimane, duke i paraqitur ata si borxhlinj ndaj shqiptarëve, për arsyen e thjeshtë se kanë me ta fenë e përbashkët.
Por ajo që bie më shumë në sy është se propaganda shqiptare e paraqet punën sikur në botë të kishte vetëm 100 shtete: 50 shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe 50 shtetet anëtarë të Konferencës Islamike që bëjnë "mëkatin" e rëndë të sabotimit të njohjes së kësaj pavarësie. Propaganda shqiptare më shumë hesht për faktin se në botë ka dhe 100 shtete të tjerë, që gjithashtu mund e duhet ta njohin pavarësië e Kosovës, si dhe për faktin se midis këtyre 100 shteteve të tjerë janë dhe shtete që ua kanë vërtetë borxh shqiptarëve, më shumë se vendet islamike, të njohin shtetin e Kosovës, sepse janë fqinjë të shqiptarëve, janë anëtarë grupimesh që tashmë kanë njohur Kosovën, janë dhe vende që kanë pasur marrëdhënie të ngushta me shqiptarët. Për këta nuk dëgjojmë e nuk lexojmë fjalë zhgënjimi e pezmatimi.
Askush nuk thotë fjalë fatkeqe, apo fjalë të keqe për sfidën që u bëjnë shqiptarëve Greqia, Maqedonia, Mali i Zi (fqinjët e afërm), Rumania (mike e vjetër gjoja) bashkë me Moldavinë, Spanja, Portugalia, Kina e madhe Popullore (motër e shkuar motrës dikur) për futjen e së cilës në OKB Shqipëria ka bërë më shumë se çdo shtet (nuk nuk më vjen keq që kam punuar edhe unë në këtë çështje); Vietnami-vëlla që e mbështetëm në luftën për çlirim e bashkim kombëtar; Kamboxhia e Sihanukut, me të cilën jemi sjellë si me kushërirën e parë (kam qenë përkthyes i Sihanukut kur ai bënte vizita në Shqipëri); Laosi që na dukej si kushëriri i dytë; Ukraina, që duhet ta dijë vlerën e pavarësisë derisa nuk qëndroi dot me vëllezërit rusë; Armenia që bën luftë për të shkëputur nga Azerbaixhani krahinën e Karabakut të Sipërm); Vatikani që e di mirë se për hir të tij politikanët shqiptarë kanë lënë shije të keqe tek myslimanët, duke vënë fotografitë e Papës e të Nënë Terezës në zyrat e larta shtetërore në Kosovë e në Shqipëri; vendet katolike në rajone të ndryshme që për solidaritet fetar presin çfarë do të bëjnë Papa; apo Spanja e rikonkuistës antimyslimane; Sllovakia që vetë as me çekët e kulturuar dhe të sjellshëm nuk qëndroi dot, ndërsa shqiptarëve u kërkon të rikthehen nën gjenocidin serb; India një kontinent që bën pazare meskine në dëm të një populli të vockël ballkanik,( i cili ia ka bërë një shërbim të veçantë, nëpërmjet bijës së vet Nënë Terezës së Kalkutës).
Edhe më shumë se Egjipti, që ka harruar se shtet modern e bëri një shqiptar, Mehmet Aliu, avokatë të zellshëm të propozimit serb në OKB në fazën procedurale qenkan bërë dy shtete tipike katolike: 1) Spanja e realpolitikës meskine, atdheu i inkuizicionit katolik dhe i rikonkuistës antimyslimane, i anarkizmit majtist, i fashizmit militarist dhe vendlindja e Opus Dei-t; 2) Argjentina e juntave ushtarake, e zhdukjes masive të njerëzve, e aventurës ushtarake kundër Britanisë së Madhe për ishujt Malvinas (Falklend) që e humbi turpshëm luftën.
Tani ndjej keqardhje të thellë që kur isha përfaqësues i Shqipërisë në OKB kam mbajtur një fjalim për të mbështetur Argjentinën në konfliktin ushtarak që kishte me Britaninë e Madhe, duke u nisur nga fakti se anglezët po bënin luftë në cepin tjetër të botës, mijra kilometra larg, pranë brigjeve argjentinase për territore që i kishin përvetësuar në kohën e ekspansionit kolonial. Nuk mund ta harroj që në dalje të sallës së Asamblesë së përgjithëshme pas fjalimit më priste një diplomat i Argjentinës, i cili më falënderoi nxehtësisht dhe më siguroi se vendi i tij kurrë nuk do t’ia harronte Shqipërisë së vogël këtë mbështetje të madhe. Por ja që vendi i tij dëshmoi se e ka harruar nderimin për nderin e bërë. Kjo është diplomacia që bën realpolitikë(!).
Kuptohet që shqiptarët me të drejtë kanë mbetur të zhgënjyer, të pezmatuar nga qëndrimet e vendeve arabe e myslimane. Shumë shqiptarë prisnin të mos ndodhte kështu. Madje sapo u shpall pavarësia e Kosovës njerëzit e diplomacisë e të propagandës shqiptare me njoftime pa përgjegjësi ndikuan të krijohej ideja se Konferenca Islamike kishte vendosur njohje në blok të Kosovës. Me gjithë skepticizmin tim prej gati 10 vitesh se mund të ndodhte një gjë e tillë, të këndëshmen më pëlqeu ta merrja për të vërtetë. Por kjo nuk mund të zgjaste. Zhgënjimi i parë nga davaritja e iluzionit për njohje në blok u pasua nga zhgënjimi prej zvarritjes së njohjes individuale prej shteteve myslimane. Këta shtete natyrisht kanë gabuar shumë, cilatdo qofshin arsyet e përbashkëta e të veçanta që kanë pasur për të nguruar kaq gjatë.
Por për të kuptuar mirë atë që ka ndodhur duhet t’i kthehemi edhe aspektit tjetër të problemit e të kuptojmë se zhgënjimet tona janë edhe rrjedhojë e iluzioneve që kemi ushqyer, janë edhe pasojë e një mendjelehtësie në gjykimin e politikës së shteteve të tjerë dhe sidomos e njëfarë psikologjie se e kishim në xhep njohjen arabe e islamike vetëm për faktin se jemi në shumicë myslimanë. Pushtetarët e politikanët shqiptarë në Kosovë e në Shqipëri nuk e vrisnim mendjen shumë për "lidhjet myslimane". Vetëm kur u erdhi veza pretenduan se kanë të drejtë të kërkojnë gjithçka nga vendet myslimane, madje të kërkojnë më me ngulm se nga vende të tjera që kishin dhe e kanë detyrim më të madh të njohin shtetin e pavarur të Kosovës, sikurse janë vendet fqinjë, anëtarët e Bashkimit Europian që kanë mbetur pa e njohur pavarësinë e Kosovës, shtete me të cilët Shqipëria ka zhvilluar marrëdhënie etj.
Prandaj arabëve dhe myslimanëve duhet t’u lëmë pakënaqësinë tonë për zhgënjimin që na bënë, por për vete duhet të kuptojmë më qartë arsyet përse kanë vepruar kështu dhe gabimet që kemi bërë ne shqiptarët që ata nuk kanë treguar dëshirë për të mos na zhgënjyer. Sidoqoftë problemi më kryesor për ne është të sqarojmë mangësitë tona që të përmirësojmë diçka në qëndrimin e një numri të madh shtetesh ndaj njohjes së Kosovës.
(Mos)njohja arabo-islamike e Kosovës si pasqyrë e gabimeve të shqiptarëve
Gabimet dhe mangësitë e shqiptarëve ( të Shqipërisë e të Kosovës) nuk janë të pakta e të vogla.
Islami është fyer si fe e prapambetur, e imponuar me dhunë, si fe e pushtuesit, si faktor shpërfytyrues i arbërve që u bënë shqiptarë, si kromë që e bën Europën të neveritet nga shqiptarët; është quajtur publikisht deri "fe e poshtërimit njerëzor", "mëkat fillestar" nga i cili duhet të dliremi, burim terrorizmi, dhune e padijenie. Myslimanët shqiptarë janë shpallur nga ish-kryetari i shtetit të tyre të gjithë hipokritë që pak t’u gërvishtësh lëkurën u del mishi i krishterë.
Botën myslimane e kemi fyer sa kemi mundur për fondamentalizëm e terrorizëm islamik, për talebanizëm, për alkaedizëm e binladenizëm. Në Shqipëri është bërë gjueti shtrigash ndaj çdo arabi e jo arabi që dukej si mysliman. Në Shqipëri janë sjellë, mbjellë, kultivuar e shartuar të gjitha varietetet e stereotipeve antimyslimane që gjenden në vendet fqinj sllavo-grekë e në Perëndim, është importuar pa hesap islamofobi ekstreme. Nga mjedise politike dhe intelektuale në Shqipëri, ku prin patriarku i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare me disa shqytarë të tij antimyslimanë, është nxitur dhe ushqyer një histeri antimyslimane si ajo kundër çifutëve në Gjermaninë hitleriane dhe janë përgatitur e propaganduar programe e projekte fetare, politike, kulturore e administrative për zhbërjen e myslimanizmit, për të detyruar myslimanët shqiptarë të ndërrojnë fenë e të bëhen të krishterë.
Deri ministra, kryeministra e kryetar shteti të Shqipërisë janë përfshirë në të tilla fushata antimyslimane. Deri në Londër ka shkuar një ish-kryetar shteti i Shqipërisë që të bindte anglezët se kryqëzata për rikonkuistën shqiptare kishte nisur e po përparonte vrullshëm. Në artikuj të shumtë analizues e në librin prej 700 faqesh "Përballjet me Islamofobinë" (pas botimit të këtij libri kam lexuar në librin "Kush flet në emër të Islamit", 2007, fq. 135, se më 7 dhjetor 2004 sekretari i përgjithëshëm i OKB-së, Kofi Anan kishte thirrur një konferencë me temën "Përballjet me Islamofobinë: Edukimi i tolerancës dhe i mirëkuptimit"), jam përpjekur të kundërshtoj këtë islamofobi dhe kam polemizuar me zërat e saj më të fuqishëm si Ismail Kadare, Arbën Xhaferri, Veton Surroi, Pirro Misha, Kiço e Ben Blushi, Mustafa Nano, Neshat Tozaj, Skënder Shkupi, Aurel Plasari, priftërinj e intelektualë katolikë nga Kosova e Shkodra, me gazeta e botime të mekanizmave të katolikocentrizmit, të Vatikanit e të Opus Dei-t në Shqipëri, me janullatistët e ndihmuar nga Greqia, deri dhe me një palolibër si "Nacional-islamizmi shqiptar. Baleta e Feraj" (2001) që doli si amalgam i të gjitha prirjeve islamofobe.
Vetëm në Shqipëri ka bërë vaki që hyrja në Konferencën Islamike të trajtohet nga politikanët, gazetarët dhe intelektualët si një mëkat i madh, sikur po hyhej në sektin e satanistëve. Vetëm në Shqipëri ka bërë vaki të kërkohet me kokëfortësi dalja zyrtare nga një forum politiko-diplomartik si Konferenca Islamike me pretekstin se Shqipëria është vend laik (a thua se Turqia nuk është laike), se Shqipëria ka 3 besime (a thua se nuk ka vende të tjera me disa besime, duke përfshirë edhe Rusinë që po anëtarsohet); se prania në Konferencën Islamike do të thotë të zbatohet sheriati në Shqipëri, ku sheriatin nuk e zbatojnë në fakt as vendet që paraqiten si fanatike.
Vetëm në Shqipëri bëri vaki që kur Europa e krishterë dërgoi ministrin e jashtën spanjoll, në fillim të vitit 2006, që Shqipëria të ndërhynte në botën islame që të ulej vala e demonstratave kundër karikaturave të Profetit në gazetat e Perëndimit, "ajka" (e thartuar) e politikës dhe diplomacisë shqiptare të gjithë krahëve të spektrit politik iu vërsulën Spanjës me fyerje se gjoja po na bënte edhe Shqipërinë vend islamik. Në këtë fushatë të turpshme u përfshi edhe kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Vetëm tek shqiptarët ka ndodhur që të jenë mbi 90% myslimanë, si në Kosovë, dhe kreu i tyre politik të mbajë në murin e zyrës "Atin e Shenjtë" të katolikëve. Vetëm tek shqiptarët, në shumicë dërmuese myslimanë, është vënë re që nderimi për Nënë Terezën e Kalkutës të kthehet në psikozë e histeri kolektive për përqafimin e filozofisë së durimit të mjerimit, që vajzave shqiptare t’u reklamohet nga gjithë mediumet si modeli i lumturisë ndjekja e shembullit të Nënë Terezës (pra të bëhen murgesha). Politika shqiptare në Shqipëri e Kosovë është përpjekur të ikë si djalli nga temjani nga kontaktet politike, kulturore, apo shkencore me botën myslimane.
Ka edhe më. Po le të ndalemi për të thënë se vendet myslimane të gjitha këto i kanë vërë re dhe siç zhgënjehemi ne sot me ftohtësinë e tyre në rastin e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, janë zhgënjyer edhe ata më parë nga këto sjellje të çuditëshme "myslimane" tonat.
Në propagandën e analizat mediatike e gazetareske shqiptare tani dallojmë katër prirje kryesore: 1) Të fajsohen në maksimum, me mallkime apo përvbuzje, vendet arabe e myslimane që deri tani nuk po e njohin shtetin e pavarur të Kosovës, sikurse kishin llogaritur shqiptarët. 2) Të kërkohen ku janë e ku nuk janë argumentet shfajësuese për këtë qëndrim të vendeve arabe e myslimane dhe faji të kërkohet vetëm tek gabimet e njëpasnjëshme që kanë bërë shqiptarët (Shqipëria e Kosova) në qëndrimet ndaj këtyre vendeve 3) Të bëhen analiza gjoja të baraspeshuara për të shpjeguar se arabët e myslimanët nuk kanë qenë ashtu si i mendonin shqiptarët dhe tani këta kanë rastin të mësojnë se nuk duhet të shpresojnë shumë tek Islami e myslimanët, por njëkohësisht duhet të marrin distancë edhe nga perëndimorët që nuk shihen me sy të mirë në botën myslimane. 4) Të shfrytëzohet rasti për të ngritur një fushatë të re për çrrënjosjen e myslimanizmit tek shqiptarët dhe për të intensifikuar fushatën e konvertimit të myslimaëve shqiptarë në të krishterë, që të ecë përpara edhe fryma e mirëkuptimit midis ballkanasve, e këta të mos grinden kot për hesap të fuqive jashtëballkanike.
(Mos)Njohja e pavarësisë së Kosovës, si tregues i kontradiktave botërore
Udhëheqësit,vëzhguesit, studiuesit dhe komentuesit politikë janë të shqetësuar për të kuptuar zhvillimet e ndërlikuara në botë dhe veçanërisht për të parashikuar se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen.
CIA paska përgatitur për dy kandidatët amerikanë për president një raport të fshehtë se si mund të shkojnë punët në botë deri në vitin 2025. Përgatitja e raporteve të tillë është pratikë e zakonshme në punën e CIA-s, që për këtë qëllim ka dhe një mekanizëm të veçantë këshillimor "Këshillin Kombëtar të Zbulimit". Ky Këshill në vitin 2003 ka lëshuar një raport shumë të gjatë "Si do të jetë bota në vitin 2020", që është botuar në vitin 2005 në formë libri në Francë, me një koment nga vëzhguesi i njohur politik, Aleksandër Adler. Raporti i CIA-s ka përshkruar katër skenarë të mundshëm të zhvillimeve 20-vjeçare: 1) Pax Americana, që ka nisur në vitet 1990. 2) Bota e Davosit, e mbizotëruar nga globalizimi ekonomik. 3) Një Kalifat i ri, pra një mbizotërim i strategjisë së Bin Ladenit dhe Al Kaedës. 4) Një botë multipolare e zhytur në ciklin e radhës të frikës e të pasigurisë.
Dy skenarët e parë nxjerrin në pah domosdoshmërinë e ruajtjes së rolit parësor e mbizotërues të SHBA në zhvillimet botërore dhe sjellin më shumë stabilitet. Skenari i tretë, Kalifati i ri, perceptohet si sfida më e rëndë për SHBA, sepse do të rrënonte themelet mbi të cilat është ngritur sistemi i sotëm ndërkombëtar (fq. 259 e raportit në frëngjisht). Besojmë se është i saktë Aleksandër Adler kur shkruan se: "Pa dyshim Kalifati nuk është një aspiratë realiste, jo më shumë se sa ka qenë ajo për "kombin e madh arab" nga Atlantiku në Gjirin Persik, që e përmendnin dikur Naseri dhe bathistët" (fq. 34).
Skenari i katërt nënkupton përsëri telashe të mëdha për SHBA, sepse "Euroazia, veçanërisht Azia Qendrore e Kaukazi do të jetë një zonë shqetësimesh në rritje me një numër të madh shtetesh që janë përballë falimentimit të mundëshëm(fq.259). Pas ngjarjeve në Gjeorgji kemi provën e qartë të vërtetësisë së këtij hamendësimi. Po kështu ndërhyrja ushtarke ruse kundër Gjeorgjisë dhe vringëllimi i armëve ruse për të trembur Perëndimin janë provë se ka qenë i qëlluar vlerësimi i ekspertëve të CIA-s se "zhvillimi politik në Rusi qysh nga rënia e komunizmit është ndërlikuar nga kërkimi i vazhdueshëm i një idenditeti kombëtar pas-sovjetik. Vladimir Putini për të përcaktuar këtë idenditet rus i është drejtuar gjithnjë e më shumë nacionalizmit rus dhe nganjëherë ksenofobisë" (fq. 184).
Raporti i vitit 2003 theksonte gati me siguri se "Gjatë 15 viteve të ardhëshëm janë më të pakta se gjatë gjithë shekullit të kaluar gjasat për një konflikt të madh midis fuqive që mund të përshkallëzohet në një luftë të përgjithëshme" (fq.224). Pikërisht këtij vlerësimi iu përmbajt Perëndimi gjatë provokimit të rëndë që i bëri Rusia nëpërmjet deklaratave bombastike të gjeneralëve rusë për goditje parandaluese bërthamore kundër Polonisë dhe me luftën rrufe në Kaukaz kundër Gjeorgjisë, e cila e kishte ndjerë veten më të sigurtë sesa ishte nën hijen mbrojtëse të miqësisë perëndimore. Por kandidatja republikane për zëvendës presidente e SHBA, ylli në ngjitje në politikën amerikane, Zonja Pejlin ka deklaruar se " edhe mund t’u përgjigjen me luftë sfidave të shfrenuara ruse, në rast se teprohet me to".
Pra, 5 vite pas përpilimit të raporti të CIA-s lind dhe pyetja : mos vallë SHBA do të jetë e detyruar të rishikojë "doktrinën e armikut kryesor" dhe të kërkojë zbutje me botën myslimane e të ulë intensitetin e luftës kundër terrorizmit islamik? Anvar Ibrahim e ka trajtuar këtë problem në shkrimin "Amerika dhe bota myslimane duhet të ndryshojnë marrëdhëniet e tyre dashuri-urretje" (libri "Islamofobia dhe antiamerikanizmi" 2007), para se të shpërthente në gusht të vitit 2008 "kriza kaukaziane" në marrëdhëniet Rusi-Perëndimi. Pas kësaj krize në horizont po shihet qartë përsëri lufta e ftohtë, (sado që këtë dukuri e mohojnë si rusët dhe perëndimorët) jo me motive ideologjike (si thotë Hollbruk në një intervistë) si me BS e kampin socialist, por luftë e ftohtë për arsye të mirëfillta gjeostrategjike me Rusinë dhe me "aksin euroaziatik në forcim Rusi-Kinë-Iran që do të krijonte trazirë të madhe në Perëndim" (Aleksandër Adler, parathënie e botimit frëngjisht të raportit të CIA-s fq. 24). Ka shenja se këtij aksi në raste e për çështje të caktuara mund t’i bashkëngjitet edhe India si p.sh. në trajtimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës!
Është vërtetë shumë intriguese të merret vesh nëse një version i tillë është prekur në raportin e ri të fshehtë që CIA ka përgatitur për Obamën e Mekkeinin! Është e gabuar që Perëndimi shpresat për të mbajtur të dobët Rusinë t’i vejë vetëm tek kriza e saj demografike. SHBA-së do t’i duhet të ndryshojë diçka në marrëdhëniet me botën myslimane. Po ashtu është e dëshirueshme që edhe vendet myslimane të mos mbajnë shpesh qëndrime vetëm për të qenë në krahun e kundërt me SHBA, ose Irani, si shtet me peshë në botën islame, të mos i vendosë gjithë vezët e politikës në shportën e aksit euro-aziatik antiamerikan dhe të mos e flijojnë shpesh solidaritetin mysliman për interesat që ka në aleancën Moskë-Teheran-Pekin dhe për inat të Amerikës. Sipas revistës "Foreign Affairs", shtator-tetor 2008, në SHBA pritet të dalë libri "Marshimi i gjatë i Iranit", ku ky vend cilësohet si "një strumbullar në botën myslimane", ashtu siç është cilësuar edhe Turqia në librin e sapo botuar të Graham E. Fuller "Republika e re turke".
Vëmendjen tonë e tërheq dhe fakti që raporti i CIA-s i vitit 2003 e përfshin Ballkanin në "harkun e madh të mungesës së stabilitetit që nis nga Afrika nënsahariane, në Afrikën e Veriut e Lindjen e Mesme, në Kaukaz e Azinë Qendrore dhe deri në Azinë Jugore e Jug-lindore. Shtetet e kësaj zone do të përballen më tepër me dhunën e me konfliktet e brendëshme për shkak të prapambetjes ekonomike, bindjeve fetare, përkatësive etnike, problemeve demografike. (fq. 221). Praktikisht kjo është zona që quhet edhe "bota myslimane".
(Mos)Njohja e pavarësisë së Kosovës si "korruptim politik" i Islamit
Në këtë "botë myslimane" gjejmë një larmi të madhe kombesh, etnish, bashkësishë e shtresash shoqërore me fizionomi e nivele zhvillimi të ndryshëm. Gjejmë politika, regjime, qeverisje, udhëheqje të stileve të ndryshëm, sjellje politike e fetare të ndryshme, ide e mendësi shoqërore të ndryshme. Për të pasur ide sa më të qartë për lëvizjet politike e diplomatike shtetërore të vendve myslimanë është e domosdoshme që në çdo rast të gjykojmë sipas Hadithit që përmendet në fillim të këtij shkrimi, të vemi re mirë se kush udhëheq në këtë ose atë shoqëri, apo shtet të botës myslimane. Profesori e studiuesi i së drejtës në Universitetin DePaul të Çikagos, autor i 24 librave, Sherif Basiuni që ka shërbyer në OKB si anëtar e kryetar i Komisonit hetimor për krimet e luftës në ish-Jugosllavi (1992-94) dhe ekspert për të drejtat e njeriut në Afganistan (2004), në një studim për gjendjen e nënshtruar të myslimanëve në SHBA e në botë shkruan edhe këto: "Myslimanët mezi presin të kërkojnë falje për Islamin... Myslimanët dhe shoqëritë myslimane kanë shumë mangësi në shumë drejtime. Udhëheqësit myslimanë në vendet myslimane janë në shumicën e tyre të korruptuar dhe mizorë. Atje nuk ka demokraci" ("Islamofobia dhe antiamerikanizmi" fq. 129). Edhe ky vlerësim mund të jetë një shpjegim pse vendet islamike nuk po e njohin pavarësinë e Kosovës.
Më shumë forcë shpjeguese politike dhe teologjike përmban mendimi i Skot C. Aleksandër: "Nga këndvështrimi i Kuranit dhe i Biblës besimi na detyron të futemi me vendosmëri në politikë. Megjithatë ai na paralajmëron që kurrë të mos lejojmë politikën të kooptojë ( të përthithë) dhe të korruptojë (të zhgërryejë) besimin tonë" ("Islamofobia dhe antiamerikanizmi" fq.52). Një vlerësim i tillë na hap rrugën të bëjmë pyetjen retorike: kur ndodh vallë që vendet e Konferencës Islamike në politikën e tyre e korruptojnë besimin islam, kur e njohin, apo atëherë kur nuk e njohin pavarësinë e Kosovës?!.
Kur lexon një vlerësim të Graham E. Fuller lidhur me ish-republikat sovjetike myslimane se "... autokratët e Azisë Qendrore i hedhin sytë nga Rusia e Kina për të mbrojtur regjimet e tyre (dhe) për më tepër bota turkike nuk është e bashkuar, sepse çdo shtet ka përparësitë e interesat e veta, duke përfshirë edhe rivalitetet midis tyre" ( libri "Republika e re turke", 2008 f.134)" e kupton pse këta vende myslimanë nuk janë të gatshëm të njohin pavarësinë e Kosovës që e ka njohur Amerika, pavarësisht se këto vende nuk janë zhytur në antiamerikanizëm dhe kanë lidhje të mira me SHBA.
Në këtë gjendje, mbase dhe më të keqe, gjenden shumica e shteteve myslimanë në pjesë të tjera të botës. Sudani p.sh. është i përfshirë në luftë civile dhe antiamerikanizmin e ka në shkallën më të lartë, ndërsa nga Kina merr armët, si dhe 3 miliardë dollarë ndihma e investime. Azerbaixhani shiit mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës e sheh si një ngushëllim se po bën luftë diplomatike për Karabakun e Sipërm, të cilin e ka humbur në luftën me armë me Armeninë e krishterë, e cila ka marrëdhënie të mira me Iranin shiit.
Tek shumë vende myslimanë ushtron një ndikim hipnotizues kundër pavarësisë së Kosovës "argumenti" frikësues serb e rus se shembulli i Kosovës do të nxisë etnitë e shumta në këto vende të hyjnë në rrugën e separatizmit. Iraku edhe nën sundimin amerikan jeton me frikën e projekteve për ndarje në tre shtete. Siria mezi vendosi marrëdhënie diplomatike me Libanin, sepse gjithnjë e ka quajtur këtë shtet pjesë të Sirisë së madhe. Koncepti i shtetit kombëtar është ende shumë i mjegullt në mendimin dhe në praktikën politike të shoqërive islamike, të mësuar të jetojnë më shumë në ngrehina shtetërore perandorake. Turqia ku nacionalizmi ka mbizotëruar mbi këtë psikologji e njohu menjëherë Kosovën.
Në kastat politike shtetërore dhe intelektuale të një numri vendesh myslimanë janë ende të fuqishme ndjesitë e trashëguara nga koha kur Tito i Jugosllavisë bënte pjesë në pesëshen e madhe të Bandungut, të vendeve të paangazhuar (me Naserin, Nehrunë, Sukarnon, Kvame Nkrumën) dhe nga lidhjet me socializmin sovjetik. Nuk duhet shpërfillur as një psikologji e veçantë e myslimanëve për zvarrisjen e veprimeve e të vendimve, sipas formulës "Allah Qerim".
(Mos)Njohja e pavarësisë së Kosovës e vë politikën mbi besimin
Por në rrafshin e politikës globale më shumë rëndon shkaku kryesor që pavarësia e Kosovës ishte vepër e SHBA, e NATO-s dhe antiamerikanizmi në botën myslimane i kundërvihet islamofobisë perëndimore, edhe duke shpërfillur atë detyrim politik që vendet myslimanë e kanë për solidaritet fetar.
Në konfliktet midis Lindjes e Perëndimit shqiptarët janë ndodhur gjithnjë si midis dy deshëve që përplasin kokat kur u hanë brirët. Tani kur "Islamofobia është rritur vrullshëm në Europë dhe në Amerikë, ndërsa antiamerikanizmi vazhdon të përhapet në botën arabe e myslimane" ( Xh. Esposito& D. Mogahed "Kush flet në emër të myslimaënve" fq. 65) shqiptarëve u duhet të paguajnë edhe për rrjedhojat negative që vinë nga kjo, sikurse po tregon qëndrimi i padrejtë i vendeve myslimanë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Por Shqiptarët, si kombi me më shumë popullsi vendase të besimit mysliman në Ballkan dhe në Europë, paguajnë një faturë të tepërt për shkakun se vetë "bota myslimane", nga e cila shqiptarët nuk kanë si të shkëputen plotësisht, është në një gjendje rrëmuje e rrokopuje.
Në botën myslimane prej kohësh është ndezur debati mbi shkaqet që qytetërimi islam humbi shkëlqimin e vendin e tij prijatar në botë dhe sidomos për prapambetjen e madhe të tanishme të vendeve myslimanë në zhvillimin e përgjithëshëm ekonomik, industrial, shkencor, teknologjik, arsimor e kulturor. Pakënaqësitë për këto të këqija mendohet se i shtyjnë shumë myslimanë të kërkojnë zgjidhje të enigmave tek e shkuara, duke u hedhur në fondamentalizëm islamik dhe duke u prirur drejt kultivimit të mërisë ndaj përparimit perëndimor e sidomos drejt antiamerikanizmit.
Në lëmin e politikës së brendshme e të marrëdhënieve ndërkombëtare "Nacionalizmi dhe socializmi arab u diskredituan nga disfata në luftën arabo-israelite të vitit 1967. Kjo solli zhgënjim dhe frikë për humbjen e identitetit, për rënien e vlerave tradicionale. Si përgjigje shumë qeveri iu kthyen Islamit për ta vajisur legjitimitetin e tyre dhe për të përballuar sfidat e ngutshme të reformës islame dhe lëvizjet opozitare. Qysh nga vitet 1970 feja dhe kultura kanë mbetur forcë madhore në shoqërinë islame"’("Kush flet në emër të Islamit" fq. 85-86).
Mirëpo feja dhe politika në shoqëritë myslimane janë ngjitur më keq se në shoqëritë e tjera, sepse qasjet realpolitike shpesh grisin vellon fetare të retorikës diplomatike që shërben për konsum propagandistik. Graham E. Fuller, specialist i CIA-s që 14 vjet ka jetuar në vendet myslimanë dhe ka udhëtuar pa pushim kudo në botën myslimane; që ka qenë edhe zëvendës drejtor i Këshillit Nacional të Zbulimit në CIA, ka shkruar : "Islamikët në parim janë të përkushtuar ndaj një botëkuptimi të qartë panislamik dhe mbështetjes për të gjithë myslimanët. Shtetet arabe mund të shqetësohen për të tjerë arabë myslimanë, por kjo mbështetet më shumë në interesin etnik ose në gjeopolitikë se në baza fetare. Madje as islamikët nuk i shpëtojnë dot llogaritjes së interesave kombëtarë e shtetërorë kur trajtojnë çështjen e panislamizmit" (nga libri "E ardhmja e Islamit politik" SHBA 2003 fq. 41).
Edhe më domethënëse është analiza e Graham E. Fuller për veprimet politike të pushtetarëve në vende myslimane: "Islamistët që janë në pushtet, megjithatë tregohen pragmatistë kur përcaktojnë se cilin shqetësim ideologjik duhet të nxjerrin në plan të parë, ose ta lënë më në hije, për shkak të interesit më të gjërë kombëtar dhe të arsyes shtetërore. P.sh. Irani ka mbajtur me këmbëngulje heshtje për çeçenët në Rusi, ose ujgurët në Kinë, thjesht sepse shteti iranian ka lidhje të rëndësishme strategjike si me Rusinë dhe me Kinën, që duhet t’i mbajë për interesa shtetërore. Në mënyrë të çuditëshme madje Irani ka mbështetur Armeninë kundër Azerbaixhanit (për Karabakun e Sipërm) dhe ka treguar kujdes të mos u japë shumë përkrahje islamistëve taxhikë në Taxhikistan, ku praktikisht flitet një dialekt i gjuhës perse" ( po aty fq. 41).
Nuk mund të quhet pragmatizëm diplomatik, por është paradoks politik, që vendet arabe dhe islamike nuk tregojnë gatishmëri për njohjen e shtetit të Kosovës kur e dinë se një ditë do të përballen me nevojën e njohjes së një shteti palestinez në territoret arabe që tani janë nën pushtim israelit. Ky shtet nuk mund të krijohet pa një rol aktiv të SHBA dhe ndoshta nuk do të ketë menjëherë mbështetjen e gjithë vendeve pa përjashtim. Por për arsye të tilla vendet myslimane nuk do të mund të qëndrojnë në pritje, siç po bëjnë në rastin e shtetit të Kosovës.
(Mos)Njohja e pavarësisë së Kosovës, si vazhdë politike jo si aksident
Para se tek shumë shqiptarë të lindnin zhgënjimi e pezmatimi që vendet myslimane nuk po e njihnin Kosovën e pavarur Graham. E. Fuller ka shkruar edhe këto: "Sadami ishte hero vetëm se i qëndronte Amerikës. Po kështu lufta e NATO-s kundër spastrimit etnik në Kosovë nga Serbia në vitin 1999 u kritikua rëndë nga disa islamistë dhe myslimanë të tjerë, të cilët treguan shqetësim më të madh që NATO po tregonte muskujt e vet në këtë rajon sesa (interes) për faktin se NATO po mbronte myslimanët kosovarë në Europë kundër shtypjes nga serbët e krishterë" (fq.197).
Këtë dukuri, që Fuller e ka paraqitur në libër në vitin 2003, kam pasur rastin ta vë re madje dhe ta kritikoj gjatë një seminari politiko-diplomatik ndërkombëtar të organizuar më 6-7 shtator 1999 në Teheran (Iran ) me temën " Kosova: Sfondi historik, zhvillimet e fundit dhe perspektivat" (shih shkrimin "Dy ditë kosovare në Teheran", gazeta "Rimëkëmbja" 21 shtator dhe 5 tetor 1999). Në atë shkrim kam përmendur se : "Në simpoziumin e Teheranit më shumë u ekspozuan shqetësimet që janë krijuar në botë nga ndërhyrja e NATO-s, sesa përparimet që janë bërë për të rregulluar krizat në Ballkan dhe për të krijuar atmosferë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare me synimin që dukuritë ballkanike të mos përsëriten më në zona të tjera. Shumica e pjesëmarrësve kishin zgjedhur si strumbullar të analizave të tyre kujdesin e tepruar për të dalë në mbrojtje të parimit të sovranitetit dhe të integritetit të shtetit nga rreziku i cenimeve prej veprimeve si ato që bëri NATO." Në atë shkrim kam përmendur se në atë seminar binte në sy qëndrimi i tërhequr i vendit organizator dhe i vendeve islamike përsa i përket mbështetjes për Kosovën përballë agresionit të Serbisë.
Në atë shkrim në mënyrë të veçantë jam ndalur në një analizë kritike të pikëpamjeve që përmbante kumtesa e ambasadorit iranian në Beograd, Xhahad Mohamed Zark, që ishin një pasqyrim i tezave serbe për Kosovën. Jam ndalur në paraqitjen e një replike me grekët që hodhën idenë e rrezikut të "Shqipërisë së Madhe", në analizat me frymë milosheviçiane të dy pjesëmarrësve nga Akademia kineze e Shkencave, që përçonin frymën e antiamerikanizmit, të cilëve iu përgjigja me analizat e senatorit amerikan Xhesi Helms, bërë në Senat në vitin 1983 për domosdoshmërinë që politika amerikane të mbështeste bashkimin shqiptarëve në një shtet kombëtar në Balkan etj.
Por në kuadër të këtij shkrimi të sotëm më shumë se gjithçka nga shkrimi para 9 viteve më shërben të citoj sa vijon nga ato që kisha thënë në seminarin e Teheranit: "Çdo popull që do të ishte në pozitën e shqiptarëve të Kosovës, që rrezikoheshin me zhdukje, do t’i ishte, si shqiptarët, mirënjohës SHBA e NATO-s për aktin e drejtësisë që bënë. Prandaj pavarësisht nga shqetësimet që mund të kenë vendet e tjera në këtë frymë duhen kuptuar shqiptarët dhe vlerësuar ndërhyrja e NATO-s. Nëse vendet islamike nuk kanë mundësitë, ose kanë arsye për të mos bërë atë që bënë SHBA me bombat e mirëfillta, edhe ato ende kanë armën e tyre që mund ta përdorin në dobi të së drejtës, kanë bombën e fuqishme politike të njohjes së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Dëshira e shqiptarëve është që vendet islamike të jenë ndër të parët që ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo do të ishte një përkrahje edhe për myslimanët në Ballkan. Në rast se vendet islamike mund të mendojnë se nuk është ndonjë humbje e madhe që Islami gradualisht të dobësohet, apo edhe të zhduket në Ballkan, kjo mund të mos jetë humbje e ndjeshme në numrin e besimtarëve dhe të shtrirjes gjeografike të besimeve, por për botën islamike mund të jetë humbje e madhe morale"( "Rimëkëmbja" 5 tetor 1999 fq.5 kolona 2).
Në atë seminar ndodhi dhe një episod (në fakt incident) mjaft domethënës. Një gazetar iranian hyri në një lloj polemike me kryetarin e bashkësisë islame të Bosnjes, Mustafa Seriç dhe hodhi idenë se myslimanëve në Kosovë mund t’u mjaftonte që të lusnin fenë e tyre, qoftë dhe në fshehtësi, dhe të mos krijoheshin probleme si ato që krijoi ndërhyrja e NATO-s. Në "ekipin" shqiptar (vetëm nga Shqipëria, sepse për fat të keq dhe për turp nuk kishte asnjë nga intelektualët e ftuar nga Kosova) bënin pjesë edhe studiuesi Shaban Sinani dhe drejtori nga Ministria e Kulturës në atë kohë Florian Agalliu. Pikërisht zotëri Agalliu i pari mori vrullin duke i shkuar tek vendi gazetarit iranian dhe me zemërim i hodhi poshtë pikëpamjet e tij.
Tani lexojmë që studiues të huaj kur shkruajnë kundër nënshtrimit të myslimanëve në Amerikën demokratike, jo në Serbinë genocidale: "Tani myslimanët duhet t’i bëjnë vetes një pyetje: A duam ne të jemi Xhaxha Tomët e rinj të Amerikës (kujtoni "Kasollja e Xha Tomit", AB)? Afro-amerikanët kanë hequr dorë nga ky rol. Myslimanët janë tani Xhaxha Tomët e rinj" ( Sherif Basiuni " Islamofobia dhe antiamerikanizmi" 2007 fë. 128-129). Ai gazetari iranian në vitin 1999 pak pasi SHBA e NATO kishin dëbuar makinën ushtarake serbe dhe i kishin dhënë fund sundimit kolonial të Serbisë në Kosovë, solidaritetin mysliman me shqiptarët e Kosovës po e shprehte me sugjerimin që këta të pranonin të bëheshin përsëri "Xhaxha Tomët e Serbisë", çka kosovarët myslimanë nuk e kishin pranuar e nuk do ta pranonin.
Në të tilla debate më ka qëlluar të jem dëshmitar e pjesëmarrës. Prandaj kam qenë skeptik për njohjen masive nga vendet myslimane. Por nuk kam besuar se këto vende do të mbeteshin kaq mbrapa në njohjen e Kosovës. Megjithatë nuk mendoj se duhet të ndjekim logjikën e ngushtuar e të ngurtësuar, apo thirrjet qëllimkeqe që solidaritetin e popujve e vendeve myslimane me shqiptarët, Shqipërinë e Kosovën ta vlerësojmë vetëm nën efektet e pakëndëshme të vonesës së njohjes së Kosovës. Siç kemi pasur e kemi dëshirë të na kuptojnë të tjerët për problemet e hallet tona, duhet të përpiqemi edhe ne të kuptojmë të tjerët për paqartësitë mbi faktet e realitetin, për vështirësitë në perceptimin e zhvillimeve, për hallet politike dhe nevojat realpolitike që kanë. Por pa rënë në një mendje me ta kur na duket se nuk e kanë mirë në përgjithësi, apo ndaj nesh.
Në këtë rrjedhë arsyetimi nuk mund të lë pa përmendur deklaratën më të freskët të ambasadorit të Iranit në Tiranë për të shpjeguar mosnjohjen e Kosovës nga vendi i tij. Në një intervistë për televizionet e gazetat në Tiranë, zotëri Alibeman Egbali Zark, kur është pyetur për njohjen e Kosovës ka dhënë përgjigjen: "Republika islamike e Iranit ka mbështetur gjithmonë popujt e shtypur, gjë ecila është vënë re edhe në rolin tonë pozitiv dhe mbështetës në krizën e viteve 1990 në Ballkan. Irani është për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet dialogut dhe bisedimeve në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare" (gazeta "Telegraf" 26 korrik 2008). Formula diplomatike për të paraqitur qëndrimin e Iranit është e përsosur. Ka vetëm të vërteta persa i përket qëndrimit iranian.
Por nuk është bindëse për mua përsa i përket zbërthimit të thelbit të problemit dhe drejtësisë së qëndrimit, sepse është mbështetje për tezën serbo-ruse që nuk do të lejojë zgjidhje të vërtetë të problemit të Kosovës. Rekomandimi për bisedime pa fund dihet se është rrugë pa krye dhe i shërben vetëm strategjisë e taktikës së Serbisë e të Rusisë, për të mos e zgjidhur realisht e drejt problemin e Kosovës. Është një formulë e diktuar nga antiamerikanizmi dhe arsyeja shtetërore iraniane, por jo nga drejtësia dhe as nga solidariteti mysliman.
Për të mos u zgjatur me komente edhe një herë po i drejtohem mendimit të një joshqiptari : "Nuk ekziston asnjë përvojë historike në asnjë shoqëri në botë sipas të cilës të shtypurve u janë dhënë të drejtat e tyre në një pjatë të argjentë. Ka vetëm një rrugë për njerëzit që të mund të fitojnë të drejtat e tyre: ata duhet të luftojnë për këto të drejta". Këto fjalë nuk i kam nxjerrë nga ndonjë tekst marksist-komunist shqiptar, rus apo kinez, por nga një studim i Sherif Basiunit në SHBA ("Islamofobia dhe antiamerikanizmi" fq. 128).
Në Iran regjimi i Shahut nuk u përmbys me bisedime dhe nëpërmjet organizatash ndërkombëtare. Unë kam qenë në OKB në atë kohë dhe i kam parasysh pushtetarët e lartë iranianë disa prej të cilëve vdiqën në atentate në Iran më vonë, që vinin për të paraqitur qëndrimet e tyre të forta. Delegacioni shqiptar në atë kohë, i kryesuar nga Reis Malile, ka bërë bisedime me delegacionin iranian të kryesuar nga ministri i jashtëm iranian Velajati dhe kjo sigurisht nuk kalonte pa u vënë re nga amerikanët dhe pa shkaktuar zemërimin e tyre.
Lufta në Kosovë u bë kur kishin shteruar të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje me bisedime. Politika e zgjidhjes paqësore me bisedime e shqiptarëve, e quajtur ndryshe edhe "gandizmi i Rugovës", kishte zgjatur një dekadë dhe ishte përbuzur nga Serbia. Politika zyrtare e Shqipërisë në fakt për shumë vite ka qenë ajo që rekomandon ambasadori i Iranit në intervistën e tij, politikë bisedimesh për të gjetur një zgjidhje që do ta pranonin edhe serbët. Më turpshëm e në kundërshtim fare flagrant me realitetin dhe me logjikën më të thjeshtë kjo politikë ka qenë parashtruar në një intervistë të ish-presidentit të Shqipërisë, tani kryeministër i vendit, Sali Berisha, dhënë gazetës myslimane-shqiptare "Hëna e re", në Shkup, më 1 dhjetor 1995.
Në këtë intervistë Berisha çështjen e Kosovës e trajtonte si të ishte një çështje e brendshme e Serbisë dhe zgjidhjen e kërkonte vetëm në rivendosjen e statusit të autonomisë që Kosovës ia kishte hequr Milosheviçi. Ndërsa alternativën e shkëputjes së Kosovës nga Serbia praktikisht e reduktonte në zero me arsyetimin: "Natyrisht ekzistojnë opinione të ndryshme. Të konceptohet shkëputja dhe ndryshimi i kufijve, mendoj unë, kjo mund të realizohet në rast se Serbia dhe faktorë të tjerë do të ishin dakord për një gjë të tillë, siç ranë dakord çekët me sllovakët". Lidhur me këtë qëndrim skandaloz të politikës zyrtare të Shqipërisë kam reaguar në shkrimin "Berisha ideator i Serbo-Kosovisë" (gazeta "Rimëkëmbja" 7 maj 1996). U vumë vonë në dijeni të intervistës së Berishës në gazetën e Shkupit.
Atëherë bënim pyetjen: "A shpreson Berisha se në vend të Milosheviçit, Sheshelit e Arkanit mund të vinë së shpejti liderë që të pranojnë këtë shkëputje?" Pas 12 vitesh vërejmë që edhe udhëheqësit e tanishëm, "demokratë" serbë që po i përkëdhël si tepër Europa, janë më milosheviçianë se Milosheviçi për mosnjohjen e mospajtimin me pavarësinë e Kosovës tashmë të bërë realitet ndërkombëtar. Tani pas 12 vitesh kemi një mal me prova se realizimi i pavarësisë së Kosovës me bisedime dhe me pëlqimin e Serbisë ishte marrëzi. SHBA e NATO e kuptuan mirë këtë të vërtetë dhe vendosën ta bënin pluhur e hi marrëzinë e "zgjidhjes me pëlqimi e Serbisë" qysh kur ndërhynë ushtarakisht në vitin 1999.
Prandaj një gjë që e kemi kundërshtuar kur e predikonte kreu i shtetit shqiptar, para se të kishim provat që kemi tani, nuk ka si ta honepsim kur e përmendin diplomatë të huaj, në kohën kur realiteti është krejt tjetër dhe absurditeti i zgjidhjes me bisedime dhe me pëlqimin e Serbisë ka dalë sheshit në sytë e mbarë botës. Nuk do të donim që të hynim në të tilla arsyetime, por kur e imponon rasti nuk kemi çfarë të bëjmë.
Përpjekjet për zgjidhje me bisedime dështuan, edhe kur shqiptarët njoftuan se do të bënin luftë të armatosur. Kjo ndodhi për faj të Serbisë, sepse shqiptarët në Rambuje në shkurt të vitit 1999 kishin bërë deri lëshime katastrofale për çështjen e tyre, që nuk ka logjikë t’i bëjë populli që ngrihet në luftë për liri.
Edhe për njohjen e Kosovës, pas fitores së NATO-s e të UÇK-së, u bënë bisedime të stërzgjatura shumëvjeç