Zekati: lëmoshë apo përgjegjësi?

Këto definicione nuk na kënaqin sepse nuk na lejojnë që të kuptohen aspektet e ndryshme të zekatit: meqë ai është i obliguar për shpirtin e çdo muslimani praktikant, zekati është një taksë (apo një tatim) që tërhiqet (sipas një llogarie precize) nga pasuria jonë. Kjo taksë ka natyrë “shoqërore” pasi së pari ajo iu drejtohet të varfërve dhe nevojtarëve të shoqërisë (apo veprave bëmirëse dhe/apo publike). Së fundi ka një dimension shpirtërorë qenësorë pasi që pastron pasurinë e njerëzve, sikurse ato pastrojnë zemrën duke u falur, dhe trupin kur agjërojnë. Zekati ngërthen këto tre dimensione që mund t’i përkthejmë me shprehjen: taksë shoqërore pastruese. Ky përkthim nuk është banal pasi që kërkon të shpreh një ndër aspektet thelbësore të mësimeve islame: natyrën thellësisht shpirtërore të ndërgjegjies shoqërore të njerëzve. Ky është mësimi i parë thelbësor dhe definicionet apo përkthimet tona aproksimative, disa herë, bëjnë që të humbim kuptimin e kësaj shtylle të madhe të islamit. Por kjo nuk është e gjitha; ka edhe mësime të tjera fundamentale rreth të cilave duhet të meditojmë sa i përket aplikimit konkret të tërheqjes e të shpërndarjes së zekatit ditëve të sotit, në vendet me shumicë muslimane dhe në Perëndim.


Përparësia nga ana e të afërmëve

Kur Pejgamberi i islamit (s.a.w.s.) dërgoi një emisar tek njëra prej fiseve që kishin pranuar islamin, i tha që t’i informojë rreth obligimeve fetare duke ua spjeguar pesë shtyllat islame. Sa i përket zekatit i tha që t’ua mësojë atyre që ai duhet të tërhiqet nga paratë e të pasurëve e t’u shpërndahet “të varfërve nga ato” (‘ala fukara’ihim). Ulematë brenda shkollave (juridike) të ndryshme dhe gjatë kohërave pas vdekjes së Muhammedit (s.a.w.s), duke u bazuar në këtë, gjithmonë kanë insistuar mbi nevojën për të shpërndarë zekatin së pari lokalisht, për të varfërit dhe nevojtarët lokal, të vendit apo të shoqërisë në të cilën është tërhequr zekati. Vetëm kur plotësohen nevojat lokale, mund të harxhohet zekati jashta shtetit, me përjashtim kur verifikohet ndonjë situatë e jashtëzakonshme, si një katastrofë natyrore, një luftë, etj. Zekati jo vetëm që formon ndërgjegjen shoqërore të muslimanit, por edhe e orienton drejt ambientit rrethues që të ngre këtë ndërgjegje duke u përballuar me vëshirësitë dhe disfunksionet e shoqërisë së tij, të të varfërve, të njerëzve të lërë anash. Zekati, ndryshe nga lëmosha e lirë (sadakaja), para së gjithash iu drejtohet muslimanëve dhe të qenit besnik ndaj mësimit të tij na obligon të shikojmë atë çka ndodhë rreth neve, në bashkësinë tonë shpirtërore më të afërt. Kjo përparësi ndaj të afërmëve tanë është fundametale: na obligon të njohim shoqërinë tonë e të përkujdesimi për muslimanët e lagjes sonë, të qytetit tonë e të Shtetit tonë (ku jetojmë!).

Tash, neve ditëve të sodit, jemi largë këtij qëndrimi. Në të shumtën e shoqërive perëndimore, në Shtetet e Bashkuara, në Angli ashtu si në Francë, takojmë gra e burra që japin zekatin për vepra bamirëse në Botën e Tretë, apo në Vendin nga e kanë prejardhjen. Shumë pak preokupohen për ata ose ato që jetojnë pranë tyre dhe janë të bindur të jenë në drejtë, duke menduar që ato që janë atje janë më të varfër se këta që janë këtu. Asgjë nuk u pengon këtyre njerëzve t’u japin lirisht (sadaka) të varfërve të mbarë botës apo të Vendlindjes së tyre, por ato kanë një obligim të përcaktuar ndaj nevojtarëve të Shtetit të tyre, e kësaj nuk mund t’i ikin: edhe një herë të varfërit nga ta kanë këtë të drejtë para Zotit. Nuk mund mos trishtohemi e kajher të nevrikosemi kur vërejmë që muslimanët shumë pak preokupohen për realitetin lokal: të obsesionuar nga problemet internacionale e nga situata e “muslimanëve të atjeshëm”, nuk vërejnë deficitin në edukim, papunësinë, margjinalizimin shoqërorë, drogën, dhunën, burget në shoqëritë e tyre. Ndërgjegjia, në fakt pozitive, e vuajtjes së “vëllezërve të tyre” tjetërkund, si pasojë, në mënyrë shumë negative, i ka bërë pasiv, neglizhent dhe të pavetëdijshëm për situatën e “vëllezërve të tyre” të këtuhit. Kjo është dramatike, një gabim e, së fundi d.m.th të tradhëtosh mësimin fundamental të zekatit. Shoqatat islame mbajnë një përgjegjësi të madhe për këtë rrjedhojë, pasi që aq shumë e kanë të vështirë të propozojnë një program dhe t’u japin përparësi shpërndarjeve të zekatit në nivel lokal, në qytete e rajone. Një kuptim i mirë i këtij aspektit të zekatit duhet të formojë ndërgjegjen shpirtërore e qytetare të individit, duke ia bërë me dije që ajo/ai duhet të mundohet për ambientin e tij, ta kuptojë e të gjejë mënyrat më të drejta, më koherente që të shpërndajë këtë taksë shoqërore pastruse në shoqërinë e tij, në Angli, Francë, Kanada, në Shtetet e Bashkuara e në çfarëdo tjetër Shtet.


Drejt autonomisë

Rregulla e tretë zekatit nuk është më pak e rëndësishëme. Parimi nuk është që përfituesi i kësaj takse të mbetet varës, të ndihmohet gjatë gjithë jetës nga bashkësia shpirtërore në veçanti e nga shoqëria në përgjithësi. Përkundrazi bëhet fjalë për shoqërimin e të varfërve gjatë një procesi ku mund të fitojnë autonominë: qysh nga shekulli i VIII, disa dijetarë si Sufjan eth-Thauri flasin për fktin që bëhet fjalë që t’u bëhet e mundshme përfituesëve të zekatit të arrijnë një situatë financiare që do t’ua bënte të mundshme edhe atyre të paguajnë zekatin (d.m.th të arrijnë nisabin – minimumin e kërkuar – në lëndë gruri). Shpërndarja e zekatit pra duhet të bëhet me preokupimin për t’ua bë të mundshme disa grave apo burrave që të arrijnë një autonomi financiare, nuk bëhet fjalë që t’i “ndihmojmë” duke i mbajtur në një gjendje ndihme të përjetshme.

Pikërisht është kjo ajo që shohim gjithkund në bashkësitë muslimane mjerisht. Shpërndajmë, japim, por pa marrë fare parasysh procesin e fitimit të autonomisë financiare të përfituesëve. Shpërndarja është e rastësishme, kaotike e nuk i përgjigjet asnjë filozofie të aksionit shoqërorë. Në zbatimin e kësaj përsëri fitojnë mungesa e njohurisë, e kreativitetit (në lidhje me mënyrat e reja të përdorimit të zekatit) dhe së fundi përtacia: kështu tradhëtohet parimi i zekatit!

Një shpërndarje koherente, e logjikuar dhe e drejtë e zekatit na obligon, për shembull, që të njohim situatën specifike të individëve, legjislacionin e Shtetit në fushën shoqërore, sistemet ndihmëse të Shtetit dhe atë që të varfërit, gratë e braktisura e të vetme dhe të papunësuarit mund të marrin. Shpërndarja e zekatit duhet të jetë pjesë e një strategjie globale, e cila ka parasysh të gjitha mjetet që një shoqëri ofron për të kaluar nga ndihma në autonomi. Është e nevojshme të mblidhen ulema e specialista (në legjislacione e institucione nacionale), përgjegjës në fushën shoqërore dhe gra e burra që punojnë në këtë fushë për të pasur një vizion më global dhe të qartë rreth strategjive për të adoptuar në bazë të konteksteve të ndryshme shoqërore. Vetëm duke pasur parasysh gjithë atë që shoqëria ofron në fushën politike si taksa e ndihma sociale, shpërndarja e zekatit do të gjente gjithë kuptimin e saj: në këtë mënyrë zekati mund të mbështesë një projekt që synon fitimin e autonomisë financiare. Për disa individë zekati mund të jetë një mbështetje e përpiktë në një situatë tranzitore; apo pjesë, apo tërësia e krejt kapitalit i caktuar për të lancuar një projekt ekonomik lokal; apo ndoshta edhe një dhuratë, që synon realizimin e ndonjë aktiviteti, etj. Opcionet jane të shumta, por kërkojnë një njohje të mirë të islamit (sa i përket përdorimeve të mundshme të zekatit) të legjislacioneve dhe të realiteteve shoqërore lokale e nacionale. Të gjitha këto opcionet, në fakt, kërkojnë një specalizim dhe kreativitet. Sot nuk shohim asgjë nga e gjithë kjo dhe zekati, sipas mentalitetit të shumicës së muslimanëve, është kthyer në një lëmoshë të thjeshtë ndihmëse e nuk shihet si një mjet i efektshëm në filozofinë e një aksioni shoqërorë. Kjo jo vetëm që është një shtrembërim i kuptimit të zekatit, por shpesh mënyra se si përdoret ai nuk sjell dobi.

Një refleksion rreth kushtit të tretë të islamit na tregon se sa ne, shpeshë, jemi largë asaj që kërkon një aplikim i thellë dhe inteligjent. Respektojmë formën por gjithnjë e më pak kuptimin e vërtetë. Ajo që është e sigurtë është se një ditë, në një Jetë përtej kësaj, të afërmit tanë, të varfërit tanë, të emargjinalizuarit tanë, të papunësuarit tanë, gratë tona të braktisura e të vetme, të droguarit tanë, kriminelët tanë do t’ia bëjnë Atij që është Një të vetmen pyetje që peshon: në emër të cilës fe të pasurit kanë shprehur ndjena pasive për ne të shtypurit e planetit dhe kanë treguar kaq pak kuptim e përkujdesje të respektueshme dhe aktive për ne, që jetonin pranë tyre e ne nuk i kemi parë? Në fakt kjo është e vetmja çështje që peshon kur kujtojmë që Pejgamberi i islamit (s.a.w.s) nuk ndalej nga të kërkuarit Atij që është shumë afër t’i dhurojë “pasurinë e zemrës” dhe “dashurinë për të varfërit”. Duhet të fillojmë nga atje: të ri-mësojmë të ri-duam, t’i duam të pafurnizuarit. Atëherë secili do të kuptojë që kjo dashuria është trajtimi i drejtë që meritojnë të varfërit, kanë shumë nevojë për të e nuk është fare lehtë kur ata jetojnë në prag të dyerve tona . Kjo dashuri e ky respekt a mos ndoshta nuk janë xhihadi i vazhdueshëm i zemrës, i shpirtit dhe i mendjes së muslimanit të ditëve tona?

Nga Italishtja: Rexhije AMETI

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme