Të shkruash historinë me aversion

Në një fushë propagandistike parimi se; "Secili është i pafajshëm përderisa nuk dëshmohet e kundërta" është i pa fuqishëm para formulës së njohur Goebbels´iane: "Një gënjeshtër e madhe që përsëritet shpesh, në fund besohet si e vërtetë". Si duket historitë përsëriten. Gjithsesi, se kjo ndodhë në dy raste, ose atëherë kur njeriu nuk e shikon të kaluarën detyrohet ta përsëris atë, ose kur ka lakmi nga ajo.
Me katërmbëdhjetë prill 2009, në Hotelin Grand në Prishtinë, kishte filluar Simpoziumi Ndërkombëtar "Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumentet arkivore", me moton "Ta shkruash historinë me tolerancë". Ky simpozium ishte organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Agjencia Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar "TIKA". Meqenëse Arkivat shumë herë shërbejnë edhe si urë lidhëse për një komunikim miqësor mes dy shteteve, dhe se dokumentet arkivore janë thesare të vetme të memories njerëzore edhe ky Simpozium krijoi një rast të volitshëm madje edhe të mirëseardhur për të nxjerrë në pah atë "miqësi" që i ka karakterizuar këta dy popuj të cilët për një kohë të gjatë patën "bashkëpunuar" madje më shpesh të acaruar. Në ditën e dytë të këtij simpoziumi historianët patën rastin të shpalosin referimet mbi të dhënat arkivore rreth marrëdhënieve të
Perandorisë Osmane me popujt e tjerë të Ballkanit. Njëri ndër referuesit më të spikatur të këtij Simpoziumi ishte edhe Kristaq Prifti, i cili në një far forme solli fakte të "reja" dhe dokumente rreth krijimtarisë dhe aktiviteteve politike të Pashko Vasës: "Vasa i ritit të krishterë asokohe kishte pasur një ndër privilegjet më të larta të sundimit osman dhe gjithnjë sipas Priftit "E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët (1879)" për traktatet publicistiko - politikë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të shkruara nga Pashko Vasa, janë shkrime me një qasje shumë pozitive ndaj administratës dhe diplomacisë turke të asaj kohe".[1] Duket ka ardhur momenti i duhur që të paraqitet ai realitet i "ri" nga vet kundërshtarët e kësaj Perandorie, ai raport acarues i cili ka ekzistuar prej kohësh mes dy popujve ballkanas; shqiptarëve dhe turqve
Rrjedhimisht, do të dukej shumë i ngjashëm ky titull i imi me moton e këtij Simpoziumi, ose thënë ndryshe tip plagjiati, por thënia latine "Uti, non abuti (përdore, por mos e keqpërdor)!" shpresoj të ma justifikon këtë rast. Ndryshimi i vogël në titull më shumë ad hoc se sa i para menduar prezanton në vijim se historia shqiptare, jo që nuk është shkruar me tolerancë, por ajo është shkruar me averzion dhe përbuzje të tepruar. Si gjithmonë në Ballkan, por në fakt edhe gjetkë, nuk është e vërteta ajo që ka rëndësi, por ajo që njerëzit besojnë se është e vërtet. Dhe çka njerëzit besojnë, mund të vihet në përdorim të përditshëm. Për ata prej nesh që jetojnë në Kosovë ose në Shqipëri, fakti se kush jetoi apo kush luftoi për mbijetesë në shek. XVI, nuk duhet të ketë ndonjë lidhje me të sotmen.
Në anën tjetër është naive të mendohet se turqit janë armiq të shqiptarëve. Këtë aversion ndaj popullit turk unë e kam mësuar qysh kur fillova të mësoj definicionin e shkencës së historisë, edhe atë në një momente të caktuara kur identiteti im ishte në formësim e sipër dhe unë dhunshëm duhet të pranoja atë që më mësohej nga mësuesi im. Atëherë, ku përpos asaj se dija të thoja; feja ime është feja Islame (mësim nga familja), kombi im është shqiptar dhe "shteti" im është Kosova, mu imponua, gjithnjë në arsimin e asaj kohe se turqit dhe Perandoria Osmane ishin armiqtë më të mëdhenj të popullit shqiptar sepse nga prindërit e mi dhe edukata që kisha marrë si fëmijë më ishte ngulitur në shpirt dhe në zemër se populli turk gjithmonë ishte mik i popullit tonë. Me këtë moto vet Mbretëria Serbe nguliti kthetrat e saja dhe sundimin e saj më të ashpër me përmasa gjenocidale kudo ku flitej shqip
dhe kishte kulturë islame.

"Inati" në Perandorin Osmane - Turqit


Sa herë flitet për Perandorin Osmane, krijohen paragjykime tmerruese ndaj turqve. Po pse ekziston gjithë ky mllef ndaj kësaj Perandorie, pse të mobilizohemi i madh e i vogël për të bërë propagandë anti turke?
Në shumicën e vendeve ballkanike, botëkuptimi popullor për sundimin osman është pothuajse tërësisht negativ. Osmanët përshkruhen si barbar aziatik, të cilët shkatërruan, në çdo vend që pushtuan... ata kishin imponuar një sistem plotësisht të huaj sundimi; shtypën në mënyrë cinike të gjitha ndjenjat e identitetit kombëtar; kolonizuan vise të mëdha të Ballkanit me banor turq; ata i shndërruan fshatrat e krishterë në një pozitë të bujkrobërisë së plotë... ata ushtruan presion të padurueshëm në kishat krishtere vendëse dhe i detyruan njerëzit që të kalonin në fenë islame; treguan një përkushtim fanatik ndaj parimeve të Sheriatit. Kështu na thuhet. Të gjitha këto pohime apo mëtime janë në rastin më të mirë çoroditëse kurse përndryshe krejtësisht fallso", sqaron studiuesi Noel Malcolm, duke vazhduar më tutje Malcolm pohon se: "në vend që të vendoste një sistem plotësisht të huaj,
Perandoria Osmane, në të vërtet, ruajti dhe zhvilloi shumë karakteristika të jetës administrative, shoqërore, ceremoniale etj. - ashtu siç i kishte gjetur në shtetet e krishtere të pushtuara... me këtë, sidoqoftë, nuk duam të themi se Perandoria Osmane ishte veçse një variant më i madh e më i mirë i një shteti të Evropës Perëndimore të periudhës së Rilindjes. S´do mend se kishte disa dallime të thella. Disa nga këto dallime rridhnin nga lidhja osmane me islamin; mirëpo, shumica e karakteristikave fundamentale të Perandorisë Osmane nuk kishin të bënin me fenë, por me luftën.[2]
Do të duhej studiues të huaj dhe objektiv të trajtonin historinë shqiptare. Ndërsa për mungesë të teksteve valide në gjuhën shqipe, të gjitha gjeneratat e reja kanë fituar aversion ndaj Perandorisë Osmane, e që të tillët (studiuesit të huaj me qëllime kamufluese) kohë pas kohe bënin mbindërtimin e një historie krejtësisht fallse, duke sajuar hipoteza të ndryshme, të cilat nuk kanë kurrfarë baze me realitetin. Madje përpos shqiptarëve të cilët konsiderueshë m kanë qenë tendencioz karshi Perandorisë Osmane, edhe të huaj në këtë drejtim kishte mjaft. Do përmend studiuesin gjerman Peter Bartl. Bartli është i mendimit se "në histografinë shqiptare sundimi gati pesë shekullor turk gjykohet pothuajse negativisht. Pushtimi i Shqipërisë në pasojat e tij nuk mund të krahasohet me pushtimin e Bullgarisë apo Serbisë; aty turqit rrënuan kultura të larta mesjetare".[3] Bartli edhe në këtë pohim hipotetik nuk
sjellë fakte veçse mjaftohet të hamendësojë në stilin "thuhet se...ose gati...

Pse gjithë ky inat?

Po të bëhemi dëshmitar të shtypit ditor, do të vërenim se çdo ditë në ndonjë shtyp vendor mund të hasësh në ndonjë artikull që flet për raportet midis dy vendeve mike, në këtë rast Kosovës dhe Turqisë, dhe sikur të bënim një balancim nga e kaluara, kjo e tashmja thuajse tregon një antagonizëm karshi të kaluarës sonë tendencioze në raport me popullin mik - Turqinë. Marrë shkas nga kjo të them, se edhe përkundër një aversioni të tepruar karshi kësaj Perandorie sërish nuk fshehim emocionin e atij momenti kur pikërisht Turqia ishte Shteti i dytë në Botë që njohu sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës, ishte po ky Shtet që i pari hoqi vizat për shtetasit e Kosovës. Madje me rastin e vizitës së zv/kryetarin e Parlamentit të Turqisë zt Nevzat Pakdilli i cili para pak kohësh bëri një vizitë Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës zt. Fatmir Sejdiu, në këtë takim miqësor theksoi se:
"Mbështetja e Turqisë është në shumë dimensione, në shumë fusha, duke filluar nga proceset e hershme, me prezencën e KFOR´it - me investime në fushën e biznesit, në arsim, në shëndetësi etj. Me vizita dhe kontakte, me këmbime përvojash, vetëm se shtojnë edhe më tepër mundësin e bashkëpunimeve bilaterale edhe në fusha të tjera".[4] Po të përmendim edhe raporte tjera bilaterale midis këtyre dy vendeve, kam përshtypjen se kjo pjesë do të stërzgjatej, por nuk do të bënte pa u përmendur edhe angazhimi shumë i sinqertë dhe i vazhdueshëm i shtetit Turk për njohjet sa më të shpejta nga Konferenca Islamike në veçanti, po edhe nga shtete tjera.
Në anën tjetër, na gëzon fakti, madje edhe marrë guxim të shprehem, se Turqia çdoherë në raport me shqiptarët ka kontribuar vetëm në kontest pozitiv në rrugë të prosperitetit dhe avancimit të Kosovës në drejtim të shkencës dhe teknologjisë bashkëkohore. Këtë të fundit mbase e ka treguar qysh në të kaluarën e lasht. Jo pa qëllim përmenda këtë të fundi sepse edhe vet sistemi devshirmes siç është i njohur tek ne shqiptarët, ka qenë pothuajse i kësaj natyre, aspak aksidental, spontan dhe jo sporadik. Perandoria Osmane, ka praktikuar këtë sistem në mënyrën më të kujdesshme në provincat e mbikëqyrura. Ata edukuan breza të ndryshëm duke përfshirë edhe jomyslimanët, ata edukuan prijës më të dobët pa kurrfarë presioni. Në këtë rast Perandoria Osmane ishte veç se një variant më i mirë i mundshëm për shqiptarët të cilët tashmë kishin pranuar mbikëqyrjen e kësaj Perandorie.
Islamizmi i shqiptarëve dhe i të tjerëve në kohën e Shtetit Osman është bërë me anë të sistemit devshirme dhe në mënyrë vullnetare. Të islamizuarit me anë të devshirme-së, ishin fëmijët e vegjël meshkuj të krerëve aristokratë vendës, të cilët u morën peng nga Shteti Osman. Qëllimi i marrjes peng të këtyre fëmijëve ishte që të njëjtit të përgatiten për një detyrë të tillë. Dhe kjo është bërë më dëshirën e prindërve të fëmijëve në fjalë.[5] Djem të familjeve feudale vendase u morën dhe u edukuan si "içogllanë" në pallatin e sulltanit ose si "gulamë" pranë bejlerbeut të Rumelisë ose pranë sanxhakbejlerë ve, ku, pasi kalonin në fenë islame, ktheheshin më funksione të ndryshme administrative ose ushtarake në vendin e tyre.[6]
Tani, po të krahasonim atë sistem si "totalitaro-turk" (asnjëherë sipas meje), me mënyrën propagandistike të të huajve "tjerë" të cilët kanë shtrirë pushtetin e tyre në Kosovë me qëllime dhe synime të caktuara në fusha të ndryshme të jetës sociale, politike, shkencore e sportive, nuk shoh se ka ndonjë ndryshim në esencë, vetëm se këta të fundit për dallim nga të parët, veprojnë në formë shumë kamufluese dhe shumë dinake. Ndërsa nëse vetëm pak të vetëdijshëm për aftësimin dhe profesionalizmin e kuadrove të rinj me njohuri të ndryshme nga shtete të fuqishme me më shumë eksperiencë, nëse vetëm për një moment të caktuar do të merrnim ndonjë ofertë studimi ose avancimi profesional, jam më së e bindur se nuk do të kishte asnjë që do t´i thoshte JO kësaj oferte - mbase mund të jetë edhe e pa rezistueshme.
Në analogjinë time sistemi devshirme e që për shqiptarët është hale në sy nga sistemi Osmanë, vazhdon të mbetet i vetmi sistem që shqiptarëve vetëm se i krijoi mundësi se si t´i konsolidojnë radhët e tyre në ushtri, administratë, si të udhëhiqen me politikë të jashtme e me radhë. Realisht, kjo Perandori me veprimet e saja toleruese, kulturës shqiptare dhe elitës në përgjithësi nuk ia mbylli zhvillimin evropian, por mbi të gjitha i la mundësi dhe hapësirë për t´u zhvilluar, madje me një përgatitje dhe eksperiencë të mirë të marrë mbi shtratin e kësaj Perandorie. Zëra të tillë të cilët Perandorin Osmane e paraqesin Perandori me një sistem totalitar, sa janë të pabaza, të ngjashmet edhe janë propagandistike, por gjithsesi se mbeten të padëgjueshme para pikëpamjeve të mbështetura shkencërisht e që konsiderueshë m edhe u paraqitën brenda këtij teksti.
________________________
[1] Gazeta "Express" E enjte, 16 Prill 2009, fq. 22
[2] Malcolm, Noel, Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 2001, fq. 96-97
[3] Bartl, Peter, Shqipëria nga mesjeta deri sot, Prizren, 1999, fq. 49
[4] Gazeta "Kosova Sot", E enjte, 23 Prill 2009. fq. 4
[5] Bozbora, Nuray, Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptarë në Perandorinë Osmane, përktheu Dritan Egro, Dituria, Tiranë, 2002, fq. 57-59.
[6] Historia e popullit shqiptar, për shkollat e mesme, Grup autorësh, Prishtinë, 2003, botimi i pestë fq. 117.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme