Gjeneza e akuzave dashakeqe

Pikërisht, ashtu sikur artistët e shekullit të nëntëmbëdhjetë dëshironin të jepnin fotografinë e muslimanëve si luftëtarë mizorë me shpatë në dorë, apo në skenat e nxehta të haremeve, ashtu edhe sot, fjala Islam, në mënyrë frekuente, nxit pamjen e dijetarëve fanatikë orientalë me mjekra, apo terroristëve mizorë.
Nga shtypi tendencioz, shpeshherë, Islami paraqitet si një fe që fabrikon kamikazë të gatshëm të terrorizojnë njerëzit tjerë, që u mëson ithtarëve të tij se vetëm duke derdhur gjakun e jomuslimanëve mund të fitohet kënaqësia e Zotit.
Padyshim se këto shtrembërime, në të shumtën e rasteve, janë rezultat i pasionit dhe averzionit, për pasojë kemi një pamje të mjegulluar, ku gjysmë të vërtetat paraqiten dhe duken si të vërteta.
Grekët e Romakët vetëm vetveten e konsideronin “të civilizuar”, ndërsa çdo gjë të huaj, e sidomos çdo gjë që vinte nga Mesdheu, ata e etiketonin si “barbare” dhe “barbarizëm”. Që nga ajo kohë, superioriteti i perëndimorëve ndaj pjesës tjetër të njerëzimit, përbuzja e theksuar, më pak apo më tepër, ndaj racave të popujve joevropianë, ka qenë një prej vijave të përhershme të civilizimit perëndimor.
Qëndrimi i evropianëve ndaj muslimanëve është shënuar, me shkrimin e njëanshëm të historisë nga të krishterët, sikurse ishin kryqëzatat dhe dëbimi i muslimanëve nga Spanja. Nuk ka fije dyshimi se deri më sot, dhe nga vetë fakti i vazhdimësisë së pandërprerë të këtij përfytyrimi të krijuar në Mesjetë, është një aspekt polemik, një aspekt i sensibilizimit kundër Islamit në nënvetëdijen evropiane, në të gjitha nivelet. Kjo gjë bën që njëri ndër qytetërimet dhe njëra ndër fetë më të pakuptuara të Evropës, të jenë gjithsesi Feja Islame dhe qytetërimi islam. Islami është shumë i afërt për t’u mbajtur në largësi, dhe njëherësh shumë i largët për t’u përthithur.
Orientalistët, të cilët jo me qëllim që të jenë objektivë, por që të shtrembërojnë çdo gjë që ka të bëjë me Islamin, shumica e të cilëve ishin priftërinj dhe ushqenin urrejtje ndaj Islamit, i kanë shërbyer qëllimeve kolonialiste kundër vendeve islame. Hiq disa raste, madje edhe orientalistët më të shquar evropianë, janë përgjegjës për praninë joshkencore në shkrimet e tyre mbi Islamin. Në hulumtimet e tyre, gati se është e dukshme se, Islami nuk mund të trajtohet si subjekt i thjeshtë i hulumtimit shkencor, por si i pandehur dhe i akuzuar para gjykatësve të vet.
Portretizimi i përgjithshëm, i cili ekziston në Perëndim mbi Islamin është shembull tipik i prishjes së optikës së shkencës ‘akademike’. Edhe sot e kësaj dite, jomuslimanët kanë një pasqyrë të zbehtë ndaj Islamit. Kryesisht këtë pasqyrim ua ofron propaganda misionare, e helmuar dhe e deformuar me të gjitha mundësitë dhe me të gjitha format e mundshme.
Popujt evropianë ishin të angazhuar në luftëra jashtëzakonisht të pandershme. Ishin të krishterët që nisën kryqëzatat, që bënë inkuizicionin, që kolonizuan gati gjithë botën, duke tregtuar robërit, që asimiluan popuj dhe kultura të lashta, dhe që shfrytëzuan në mënyrë të pamëshirshme burimet natyrore të vendeve tjera. Madje, edhe dy Luftërat e Mëdha Botërore, nuk filluan në vendet islame. Në kohën e sotme, kërcënimi i Paqes Botërore, nuk vjen nga bota islame, pavarësisht akuzave dashakeqe dhe djallëzore, që i bëhen muslimanëve, duke u munduar që t’i paraqesin si njerëz, që janë rrezik për paqen dhe që e bëjnë të paevitueshme përplasjen e civilizimeve.
Literatura e sotme e botuar në Perëndim, mbi të ashtuquajturin Islam politik është sipërfaqësore, e paarrirë dhe e bazuar në interesin momental, nganjëherë edhe me leverdi, e shkruar me pretekste të ndryshme dhe tendencioze, pa vlerë të njëmendët shkencore. Ekzistojnë përjashtime, mirëpo ato janë të pakta. Prandaj që të arrihet një afrim reciprok, demonizimi duhet të mënjanohet nga të gjitha palët. Mosnjohja e tjetrit, shkakton paragjykime dhe urrejtje. Për pasojë, mediet duhet të përmirësojnë dhe të ndreqin shikimin e tyre stereotip, sipërfaqësor, madje shpeshherë edhe tendencioz dhe bile bile edhe armiqësor ndaj Islamit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme