1.
Kohëve të fundit, me aktualizimin e diskutimit për çështjen e Edukatës Fetare në sistemin arsimor, po shtohet edhe përflakja e debatit, rrjedhimisht edhe skandaloziteti i qëndrimeve, që mbështeten në diçka të paqenë dhe diçka që bie ndesh me vetë argumentimin.
Argumentimet dhe arsyetimet kundër kësaj lënde, kryesisht janë të natyrës kulturore, ngapak edhe politike madje edhe ideologjike, por në mesin e tyre nuk gjendet ndonjë arsye e qëndrueshme logjike, përtej kontekstit të dhënë që do të argumentojë pse-në e kundërshtimit.
Pra, dimensionet parimore, për shkak të të cilave është shtruar kërkesa, madje as që merren në konsideratë në rastet kur kundërshtohet nisma, duke i përjashtuar këtu edhe implikimet e natyrshme pozitive që do të kishte futja e kësaj lënde në sistemin arsimor.
Fakti se Kosova nuk ka arritur nivel të lartë të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe të forcimit të institucioneve si dhe jostabiliteti i përgjithshëm assesi nuk duhet të shërbejnë si shkak për refuzimin e futjes së edukimit fetar në shkolla, ngase parregullsitë në rendin social, manipulimet dhe vendimet e palakmueshme politike s'kanë ç'të pjellin tjetër, veçse një krizë të vërtetë psikologjike me pasoja fatale, dhe tërë kjo shpie në një amulli të paparë, në depresion që deri më tash, mjerisht, ka treguar rezultatet e veta famëkeqe.
Përkundrazi, në këtë rrëmujë ndodhish, rrjedhash e vendimesh, në çekuilibrin e përgjithshëm social me "kamuflazha" idiote në sytë e disave, kush tjetër do t'i qetësojë mendjet e trazuara të qytetarëve të etur për një drejtësi, rend, qetësi, moral, edukatë, përveç fesë dhe edukimit fetar? Kush tjetër do të rrëfejë mbi një të vërtetë që qëndron mbi politikat e kohës, mbi hipokrizitë, manipulimet dhe dredhitë? Kush tjetër do të mbjellë frytet e një stabiliteti shpirtëror që i qëndron kohës? Kush do të shpëtojë personalitetin e individit të lodhur nga loja e materiales? Kush tjetër do t'i thotë po gjysmës tjetër të ekzistencës, shpirtërores, të harruar (lexo: të lënë anash) tashmë nga proklamimi i verbër i idesë së sekularizmit.
Prandaj kjo s'është iniciativë e verbër, siç e quan autori, i cili ngulmon në subjektivitetin e verbër nën maskën e një objektiviteti të rrejshëm.
Për më tepër, ideja se "futja e kësaj lënde në sistemin arsimor nuk koincidon me të vërtetën dhe historinë e kombit shqiptar", është një ligjërim që vuan ose nga papjekuria ose nga fanatizmi i qëllimtë. Në faqet e historisë së kombit shqiptar elementin fetar e gjejmë të shpërfaqur qartë. Historikisht, personalitetet e ndërtuara në frymën e këtij edukimi i dhanë vulë një modeli të intelektualit të vyeshëm, burrë, patriot dhe përparimtar, vulë të cilën e ruan koha, historia, kujtesa. Personalitete të pazëvendësueshme të kombit tonë të cilat u identifikuan me fenë dhe besimin (si Hafiz Ali Korça, Sami Frashëri, Mulla Ymer Prizreni, At Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Fan Noli, Haxhi Zeka, Mulla Idriz Gjilani, Ndre Mjeda etj.,) nuk qenë të frymëzuar nga "iniciativa të verbëra", por nga e vërteta sublime.
Ndërsa, skandaloze është edhe ndërlidhja mes futjes së edukimit fetar në shkolla dhe "gjunjëzimit të sistemit fëmijë të demokracisë" siç thotë autori "nën petkun e krijimit të shtetit islamik". Në asnjë kuptim të qëndrueshëm racionalisht, edukata fetare s'e rrënon demokracinë. Askush nga nismëtarët e kësaj kërkese nuk ka kërkuar që në sistemin arsimor të futet edukimi fetar islam, si i vetëm, që do të shpinte në krijimin e shtetit islamik. Edukimi fetar ka nënkuptuar një lëndë alternative, që do i përfshijë pjesëtarët e të gjitha feve, për nxënësit myslimanë, edukimin islam, për ata të krishterë, edukimin krishterë etj. Edhe disa shtete brenda vetë Bashkimit Evropian, siç është Austria p.sh., ka një model të tillë të edukimit fetar në shkolla, ku përfshihet edhe edukimi islam, por është dalje prej kornizave të normales dhe reales të thuhet se Austria është një "shtet islamik".
Me futjen e kësaj lënde në sistemin arsimor mëtohet të mbillen njohuri elementare nga burimet fetare, që do t'u shërbejnë nevojave shpirtërore të të rinjve, mëtohet të ndërtohet një themel i qëndrueshëm në personalitetin e të riut, i cili s'do ta lë atë të bie viktimë e depresionit, amullisë dhe debalancimi të përmbushjes së kërkesave të personalitetit të tij. Nga kjo del se ajo që po i përshkruhet kërkesës është jashtë rrjedhës së të mundshmes, sepse ne nuk vuajmë nga utopi që zhveshin nga realja.
Madje lënda e Edukatës Fetare në shkolla, nuk e zbeh as për së afërmi manifestimin e multireligjioziteti t, aq më pak të multietnicitetit, përkundrazi, kjo do t'i vë bazat e një mirëkuptimi dhe tolerance me rrënjë burimore dhe do t'i shërbejë pasurimit të personalitetit të individit dhe qenies shoqërore me një vlerë kulturore, brenda së cilës ekziston një botë e tërë.
Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj religjioneve në Kosovë s'është e drejtë. A mendim i thellë i bashkësisë ndërkombëtare qenka Plani i Ahtisaarit? Mendim i thellë për diskriminimin kombëtar dhe fetar, po. Për të avancuar ortodoksizmin serb dhe për të lënë të shkelur kulturën islame të shqiptarëve dhe atë të krishterë, veç pse janë shqiptarë.
2.
Pikërisht pse jemi të mbërthyer me probleme të pasigurisë (ekonomike dhe politike) ne kemi nevojë për edukatë fetare, se "edukatat" tjera na lanë në baltën e kohës, dhe kjo vetëm do t'i plotësojë "edukatat" e mangëta. Ndërsa, për rrezik nga "terrorizmi" (si mjet ideologjik i urrejtjes) te ne shqiptarët ngulmuan edhe serbët me qasje tendencioze, e si duket edhe ky korrelacion mes edukatës fetare dhe "rrezikut" të fryrë pa nevojë (por me një frymëzim të qëllimtë ideologjik) është i menduar, por i papranueshëm.
Ata që sakrifikuan për liri e demokraci, para se të luftojnë "për bashkimin e Kosovës me familjen e saj evropiane", luftuan për një komb shqiptar të çliruar nga regjimi, robëria e të mënjanuar nga tjetërsimi, terrori, gjenocidi, persekutimi, shpërngulja dhe lufta si dhe për një komb të konsoliduar territorialisht, pa ndarje e copëtime.
Në këtë pikë, ata që i shkuan karshi këtij parimi s'qenë të ndarë ideologjikisht për apo kundër elementit fetar, madje shumë prej tyre qenë të frymëzuar nga vetëdija fetare për luftën në udhë të Zotit për atdhe, për çlirim. Nga kjo, futja e lëndës fetare nuk do të thotë zhvlerësim i përpjekjeve të tyre. E më pas ata që luftuan për integrime, as ata s'qenë të ndarë me vijë të prerë për apo kundër kësaj gjëje, dhe s'mund të thuhet se zhvlerësohet përpjekja e tyre kur insistohet për Edukatën në fjalë. Ngase për integrime euroatlantike sakrifikuan dhe sakrifikojnë edhe ata të cilët janë pro lëndës fetare edhe ata që janë kundër saj. Dallojnë vetëm mënyrat se si e shohin ata integrimin: me identitetin tonë të plotë, brenda të cilit duhet lënë hapësirë edhe vlerave tona kulturore, kombëtare dhe fetare, apo me zhveshje identiteti dhe tjetërsim kulturor.
Pra, asnjë përpjekje s'është hedhur poshtë, përkundrazi është ngritur një përpjekje në vete, për ecjen tonë kulturore, qytetëruese me këmbë pak më të sigurta me vlera të shëndosha morale e jetësore që po kërkohet t'u jepet terren i institucionalizuar duke pas në konsideratë se Milosheviqi s'është më në krye.
Dhe, pasi që nuk është zhvlerësuar asnjë përpjekje e sinqertë për liri e integrime, nuk është hedhur poshtë asnjë proces historik i kombit shqiptar, përkundrazi, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për madhështinë e atyre proceseve, ne sot mund të flasim edhe e kemi hapur këtë diskutim.
Nëse shumë nga shtetet perëndimore e kanë këtë lëndë në sistemin arsimor, pse atëherë përpjekja jonë të mos krahasohet më ato shtete, dhe të merren si model, dhe kjo të jetë një hap më tutje në udhën e përngjasimit dhe integrimit, por të lëshohen zëra të pamatur me gjuhë të vrazhdë, e të identifikohet kjo me kthimin tonë kah "errësira e Perandorive orientale- e ekstremizmit islamik". Krejt çka kemi bërë ne, është ajo që kemi kërkuar diçka p.sh. si Gjermania, sesa që kemi kërkuar diçka që mund të përngjajë në ndonjë perandori, e cila sulmohet me inat, duke shtrembëruar meritat e lëna historikisht.
S'i përket as një për qind të objektivitetit që edukimi fetar, kulturor, shpirtëror islam të cilit i është lënë hapësirë institucionale edhe në vendet me shkallë të lartë civilizimi të shprehet me trajtën "helm oriental". Edukimi nuk është helm, as nuk ka qenë kurrë, por perceptohet si i tillë nga ata që janë subjektivë në ligjërime dhe kërkojnë zhbërje (apo, së paku, ngujim) të një identiteti shqiptar mysliman të formësuar ndër shekuj me një themel të fortë kulturor dhe tradicional. Dhe, futja e kësaj lënde në shkollë s'është futje e kulturës së huaj, por pikësëpari është afirmim i kulturës autoktone, rizgjim identiteti, mandej edhe qasje e institucionalizuar në një sistem vlerash universale me shtrirje globale. Është e vërtetë që kurrë më parë s'ka pas lëndë fetare në shkolla, por kurrë më parë s'kemi pasur një shtet që i ka thënë vetes i lirë dhe demokratik. Madje kurrë më
parë p.sh., deri vonë s'e kemi pasur lëndën e Gjuhës Angleze në shkolla, ngase në vend të saj ka qenë serbokroatishtja, ndërsa në vend të Marksizëm-Leninizmit , mendojmë se tash i erdhi radha Edukatës Fetare. Askush s'ka pse të frikësohet nga realiteti i të qenit të shqiptarëve dikur të krishterë, sepse e dimë se ashtu si erdhi Islami në këto troje dhe "këmisha orientale" paska qenë "e huaj" për ne, ashtu edhe këmisha bizantine dhe romake, sipas asaj logjike, duhet të jenë të tilla, të huaja, dhe po të vazhdojmë me refuzime këmishësh mbetemi larg, turp, në paganizëm.
Paragjykimi i prin vlerësimit të gjërave; është i shpërfaqur në tërë rrjedhën e asaj që diskutohet: dhe nëse thuhet se: Errësirë, dhunë, e huaj - orientalja, dritë, e mirë, e jona - kryqi, kjo vërtetohet lehtë. "ShënPalizëm" i kulluar. Subjektivitet i rryer. Ku po fshihen vitet e Perandorisë që u dha shqiptarëve emër, i konsolidoi ata në një identitet të dallueshëm fetar nga fqinjët që i qëndroi me imunitet sllavizmit dhe greqizmit?
3.
Feja dhe edukimi fetar do të plasojë si alternativë e vonuar për parandalimin e dukurive negative në të cilat është zhytur rinia, nga viktimizimi nga droga, prostitucioni dhe trafikimi, mandej nga vrasjet dhe vetëvrasjet, ngase i riu do ta gjejë veten të një e vërtetë që qëndron mbi problemin, mbi të dhe mbi botën, e ajo është e shenjta, që mëson vlerat sublime, njerëzinë, moralin, të mirën, nderin dhe është e vetmja që mund të plotësojë vakuumin shpirtëror të njeriut. Nga kjo del se edukata fetare nuk e rrezikon ardhmërinë e gjithë kombit në proceset e tij zhvillimore, përkundrazi, ajo formon një bazë të mirë e të shëndoshë mendërisht, intelektualisht, kulturalisht, shpirtërisht e moralisht në resursin njeri, dhe rrjedhimisht dobia ngritët në nivel kombëtar. Mandej, a është më mirë të integrohemi në unionin evropian duke marr hapa konkret për parandalimin e devijimimeve sociale apo të
vazhdojmë që duarkryq të presim edhe ca viktima?
Edukimi fetar nuk nxit urrejtje brenda kombit shqiptar, përkundrazi nxit mirëkuptim, unitet e tolerancë, sepse qasja e institucionalizuar e mësimit të parimeve të fesë dallon dukshëm nga interpretimet e duarnduarta të qarqeve dhe lëvizjeve që mund të identifikohen si të palakmueshme për dikë dhe në këtë mënyrë e rrëzon së funksionuari mësimin jashtë zyrtar. Nëse historikisht ne shqiptarët u dalluam për unitet kombëtar deri në atë masë sa që hoxha dhe prifti të luftojnë krahpërkrah për një ideal, atëherë pse sot të mos besojmë se edhe myslimani shqiptar dhe i krishteri shqiptar që do të marrin edukatën e fesë ne shkolla mund të jetojnë me mirëkuptim maksimal?
Është absurde të thuhet "ky Edukim nxit dhunën dhe ushqen celulat e një fundamentalizmi islamik". Ngase nëse nisemi nga ky parim, atëherë kush do të na sigurojë së nuk do të përsëritet tek në edhe një Natë e Thikave të Gjata e modelit të Parisit, e cila ngjau pa qenë njëra palë myslimane, pa marrë edukim fetar në shkolla.
Përpjekja për inkuadrimin e vlerave dhe dobive të përmendura më lart në sistemin arsimor, për afirmimin e dimensionit të harruar shpirtëror të të riut, nuk është mendësi vetëm "orientale" apo "ideologji islamike". A nuk është edhe mendësi krishtere t'i mësosh të riut fenë? A nuk është mendësi e perëndimit t'i mundësosh nxënësve mësimin e fesë së tyre? Pra nuk është kjo përpjekje për t'i përdorur metodat orientale në Kosovë, sepse kjo po aq del edhe si metodë e krishterë dhe po aq si metodë e perëndimit, por është një përpjekje largpamëse për t'iu ofruar edukatës, kulturës, qytetërimit.
Po, jemi në zemër të qytetërimit evropian, por qytetërimi evropian nuk është më ai i mesjetës, ai përfshin në vete një larmi identitetesh kulturore dhe s'është i përcaktuar në një të vetëm dhe fakti se jemi në Evropë s'do të thotë se ne duke marr edukatën fetare dalim nga ajo. Për më tepër, nuk është e vërtetë që gjithmonë kemi qenë pjesë e familjes evropiane. Historikisht është vërtetë se gjithmonë kemi qenë të përjashtuar nga të drejtat dhe liritë që ka gëzuar Evropa dhe progreset që ka shënuar ajo, por jo edhe të përjashtuar nga sundimi, manipulimi dhe asimilimi... E megjithatë kjo s'do të thotë se ne nuk duhet të provojmë dhe të insistojmë që së paku tash e tutje të jemi pjesë e saj, në aspektet e mundshme kohësisht. Njëqind të zeza dalin në rrugë drejt integrimit që kanë të bëjnë me faktorë ekonomikë, politikë e socialë dhe as që vije në shprehje edukimi fetar si
pengesë, madje s'ka të bëjë me të.
Askush nga iniciatorët nuk e ka mohuar përfshirjen e lëndëve tjera si histori botërore, mitologji botërore, edukim të zgjeruar shkencor, mësim ndaj kulturave tjera etj., në sistemin arsimor, por s'do mend se myftiu është e udhës të kërkojë Edukatën fetare dhe jo Mitologjinë, apo diçka tjetër, edhe pse shumica prej këtyre lëndëve në një mënyrë apo tjetër mbulohen nga Edukata fetare, brenda të cilës edhe mund të mësohen, ndërsa pse s'ka kërkuar dikush tjetër diçka tjetër, s'është përgjegjës myftiu as "te tjerët" që aludon autori.
(Le të shpresojmë se) "Kosova ka për qëllim... të qëndrojë neutrale sa i përket çështjes së religjioneve në vend duke ditur multireligjioziteti n dhe multietnicitetin brenda saj", por si mund të shpjegohet superioriteti që u jepet nga Ahtisaari monumenteve ortodokse serbe, duke mohuar një pjesë të (pa) mirë të kulturës autoktone islame dhe krishtere shqiptare? E kjo a është neutralitet? Por tash shkruajmë kinse për neutralitet ndaj religjioneve pa nevojë, kur flitet për edukatën fetare të cilin, siç u tha, ajo nuk e thyen, përkundrazi kjo i kontribuon atij, duke i dhënë secilit në mënyrë të barabartë atë që kërkon.
4.
Ndenja e përkatësisë dhe shprehja hapur e identitetit s'është diskriminim. As nuk e mohon trajtimin e barabartë të të gjithëve.
Institucionet e Kosovës, realisht, nuk kanë treguar preferenca për ndonjë fe, as për fenë islame, madje nëse dikush është diskriminuar ata janë myslimanët që me hapësira të vogla për falje dhe jetë fetare, me mungesë hapësire në media, me injorim kontributesh për liri dhe shtetndërtim dhe me provokim ekstremisht të papranueshëm të ndërtimit të katedrales në qendër të kryeqytetit me shumicë islame, madje duke rrënuar një prej shkollave më me nam, ndërtim ky me një sipërfaqe që nuk korrespondon aspak me nevojat që "do të përmbush", ajo, shtyhen të durojnë diskriminimin e diçkaje autoktone.
Dhe ata "zinxhirët e brendshëm të shpirtit të robërisë së Perandorisë Osmane" nuk ekzistojnë dhe as që kanë ekzistuar ndonjëherë, ata mund të ekzistojnë në mendimin e mbushur frikë ose inat. Ata zinxhirë, përballë gjithë kësaj që u tha, mund të tingëllojnë si një përrallë, një perceptim i diçkaje me figuracion të shtrembër dhe është një gjurmë më shumë e një botëkuptimi me orientim të ngushtuar e plot paragjykim, që duke folur për Edukatën Fetare hap edhe hapësira tjera diskutimi, në të cilat lëshon tymin e urrejtjes, në të cilin treten edhe fjalët prej të cilit (botëkuptim) kanë dalë.