
Në marrëdhëniet shqiptaro ‑ jugosllave, një periudhë e veçantë me karakteristikat përkatëse, është edhe ajo në vitet 1941 ‑ 1948, periudhë që ndahet në dy etapa kohore, në atë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe atë të katër viteve të para të regjimit komunist. E gjithë kjo kohë paqyron zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro ‑ jugosllave nën ngjyrën komuniste, me flagrancën më të madhe të tyre. Themi kështu pasi në këtë periudhë ajo ç'ka quhej për vite me radhë si tradhëti kombëtare, u shit si diçka e zakonshme apo si vlerë e papërsëritshme. Në këtë hark kohor, lindi, u rrit dhe u konsolidua, klasa politike komuniste e Shqipërisë si vegël qorre e jugosllavëve. Në të gjitha treguesit e saj, flagranca shqiptaro ‑ jugosllave e viteve të sipërpërmendura, tregoi se pas lufte në Shqipëri ishte vendosur në kuptimin e vërtetë të fjalës një regjim amator kolaboracionist.
Asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë nuk shihet me transparencë kaq të plotë një pushtet kolaboracionist kaq lolo në shërbim të jugosllavëve dhe me dëshirë të plotë kundër vendit të vet, sa në periudhën 1944 ‑ 1948.
Edhe pas prishjes së flagrancës së madhe, të imponuar nga kushtet jashtë Shqipërisë, nuk pati ndonjë ndryshim kryesor, pasi filloi periudha e flagrancës së madhe ia la vendit kamuflazhit të madh.
Shtrati i sigurt i agjenturës jugosllave: nga Stanoje Simiç tek Miladin Popoviç
Në vitet 30‑të të shekullit të kaluar, konsull i Jugosllavisë në Korçë ka qenë Stanoje Simiç, njeri i cili në vitet e para të pasluftës, do të ishte ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë. Në këtë kohë Simiç, ka njohur nga afër edhe udhëheqësin e ardhshëm komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha. Për agjenturën jugosllave, emri i Enver Hoxhës nuk do të ishte person i panjohur në momentin kur duhej ta përcaktonin përfundimisht si udhëheqës të Shqipërisë komuniste.
Që në fillimet e saj, lëvizja komuniste në Shqipëri, u vu nën ndikimin dhe nën kontrollin e plotë të agjenturës jugosllave. Elementët e pabindur apo të papërshtatshëm, u eliminuan në mënyra të ndryshme. Pas sulmit të 22 qershorit 1941 të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik, mori fund edhe pakti i ashtuquajtur Ribentrop ‑ Molotov. Pas kësaj kohe, në shtator 1941, njëri nga komunistët e parë në Shqipëri, Koço Tashko, kishte propozuar në Pejë pranë Komitetit Qarkor për Kosovë dhe Metohi të PKJ‑së, ndihmën e tyre për bashkimin e grupeve komuniste në Shqipëri. Partia Komuniste Jugosllave, i rekomandoi Tashkos se njeriu i saj në Shqipëri ishte Miladin Popoviç, i cili ndodhej i internuar në një shkollë të vjetër në qytetin e Peqinit, pasi ishte zënë rob nga forcat italiane në prill 1941 kur kapitulloi Jugosllavia.
Në fundin e tetorit 1941, Vasil Shanto dhe Mustafa Gjinishi morën kontrakt me Miladin Popoviçin në Peqin, ku ai qëndronte i internuar bashkë me disa jugosllavë të tjerë.
Pa ndonjë vështirësi, ata arritën ta veshin atë si fshatar dhe e nisën drejt Pezës. Pas disa ditësh me Miladin Popoviçin u bashkua edhe me Dushan Mugoshën, i cili kishte ardhur në Shqipëri disa ditë më parë dhe kishte marrë takime me dy grupe kryesore komuniste. Mugosha kishte ardhur me kërkesë të Miladinit pasi ai "dinte shqip".
Më 8 nëntor 1941, të dy jugosllavët mbodhën në Tiranë nga Grupi Puna e Korçës, Koço Tashkon, Enver Hoxhën, Pilo Peristerin, Koçi Xoxen, dhe Sotir Vullkanin; nga Grupi i "Të Rinjve", Ramadan Çitakun, Anastas Lulën, Sadik Premten dhe "një shok kosovar"; nga Grupi i Shkodrës, Qemal Stafën, Vasil Shanton, Kristo Themelkon dhe Tuk Jakovën. Ndër detyrat më kryesore që i parashtroi vetes PKSH‑ja, ishte edhe kjo: "Të zhvillojmë dashurinë dhe bashkëpunimin luftarak me të gjithë popujt e Ballkanit, sidomos me popujt serb, grek, malazez e maqedonas, që luftojnë heroikisht për çlirimin e vet nacional" (shih "Rezolucionin" e grupeve komuniste në nëntor 1941, botuar në "PPSH dokumenta kryesore", faqe 27).
Ndër direktivat më të rëndësishme të Enver Hoxhës, veçojmë edhe atë të datës 3 nëntor 1943, dërguar në emër të KQ të PKSH‑së, komiteteve qarkore, ku ndër të tjera thuhet:
"Duhet të popullarizojmë luftën nacional‑çlirimtare dhe veçanërisht të jugosllavëve dhe grekëve. Duhet të shtrojmë haptazi dhe pa ndrojtje problemin e vëllazërimit tonë me popujt jugosllavë dhe grek. Të demaskojmë pa mëshirë reaksionin dhe shovinizmin që mundohet të na vërë në luftë me fqinjët, ta bindim popullin se interesi i lartë i atdheut kërkon që të jemi të vëllazëruar me popujt grek e jugosllavë, t`ia heqim maskën shovinizmit që mundohet të dalë si mbrojtës i Shqipërisë nga të huajt dhe t`i tregojmë botës se ne dhe vetëm ne e mbrojmë Shqipërinë nga okupatorët dhe nga imperializmat e huaja. Duhet ta bindim popullin se lëvizja nacional‑çlirimtare greke dhe jugosllave jo vetëm që nuk cënon indipendencën tonë, por ndihmon për ta fituar".( shih "PPSH dokumenta kryesore", vëllimi I, faqe221, Tiranë 1971).
Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha do të bëheshin themeluesit e PKSH‑së më 8 nëntor 1941. Ata do ta bënin këtë parti një bishtuk terrorist serb të gatshëm për çfarëdo lloj krimi që do të kishin nevojë. Qëllimi i tyre kryesor mbeti lufta civile dhe sjellja në pushtet e një klase që do t'i shërbente verbërisht interesave të Jugosllavisë. Për këtë qëllim ata panë tek Enver Hoxha personin e duhur që mund të realizonte planet e tyre.
Pas dështimit të Organizatës së Fshehtë të Vlorës në vitin 1932, agjentura jugosllave do të arrinte suksesin më të madh të saj me krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë në 8 nëntor 1941, duke gjetur formën më të përshtatshme për të realizuar qëllimet e veta.
Në mënyrë të përmbledhur do të thonin që personat më influentë që u morën me përgatitjen e lidershipit komunist në Shqipëri kanë qenë:
‑Konsulli jugosllav në Vlorë në vitin 1932.
‑Stanoje Simiç ‑ konsull i Jugosllavisë në Korçë në vitet 30‑të të shekullit të kaluar.
‑Miladin Popoviç
‑Dushan Mugosha
‑Bllazho Jovanoviç ‑ i dërguar i PKJ‑së në Konferencën e Labinotit
- Zvetovar Vukmanoviç (Tempo)
‑Velimir Stojniç
‑Savo Zllatiç
Kongresi i Përmetit si imitim i trashë i AVNOJ‑iu jugosllav
Ngritja e një pushteti paralel përkrah atij legjitim, ishte një nga mjetet e përdoruara nga komunistët jugosllavë me në krye Titon gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk është ndonjë zbulim i madh të themi që i njejti mekanizëm u zbatua edhe në Shqipëri nga komunistët që ishin vegla të bindura të jugosllavëve. Si model për një gjë të tillë, shërbeu Mbledhja e Dytë e AVNOJ‑të që u mbajt në Jajce të Bosnjës në "datën historike" të 29 nëntorit 1943. Në këtë mbledhje u përcaktua forma federative popullore e Jugosllavisë së ardhshme, u zgjodh Këshilli Nacional Çlirimtar Jugosllav (në rolin e një trupi legjislativ), Kryesia e këtij Këshilli në rolin e një presidence dhe Komiteti në rolin e një qeverie.
Ndër pikat e tjera të rëndësishme mund të rendisim vënien e gradave, ndalimin e kthimit në atdhe të famijles mbretërore jugosllave të Karagjergjoviçëve etj.
Të gjitha këto që përmenda më lart, janë zbatuar pikë për pikë në Kongresin komunist të Përmetit, i cili u zhvillua më 24 ‑ 28 maj 1944. Edhe data e mbajtjes së këtij kongresi ka një origjinë jugosllave, pasi më 25 maj (1892) ishte ditëlindja e mareshallit Tito dhe për këtë duhej patjetër që kongresi të kalonte në këtë datë.
Në zbatim dhe në kopjim të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ‑it, në Përmet u zgjodh Këshilli Nacional Çlirimtar (trupi legjislativ), Kryesia e këtij Këshilli (në rolin e një presidence), kryetar i së cilës ishte Omer Nishani e sekretar Koço Tashko, dhe Komiteti i KANÇ‑it (në rolin e një qeverie të pashpallur) në krye të së cilës u vu Enver Hoxha.
Gjithashtu kongresi vuri gradat për "ushtarakët" e vet si dhe ndaloi hyrjen e familjes mbretërore në Shqipëri. Kongresi u shpreh gjithashtu se ishte në favor të një modeli konfederativ ballkanik, vendosur kjo sipas kërkesës jugosllave.
Gjithkush që i lexon këtë rreshta le ta bëjë vetë krahasimin se sa i trashë është imitimi i AVNOJ‑it 2 në kongresin e Përmetit. Kush nuk bindet për këtë le të shikojë edhe stemën e Republikës Federative Popullore (më vonë Socialiste) të Jugosllavisë, stemë e cila është kopjuar me të gjithë parametrat e saj edhe në stemën e Republikës Popullore (më vonë edhe Socialiste) të Shqipërisë. Në vendin ku shkruhej "29 nëntor 1943", komunistët e Shqipërisë vendosën datën imituese "24 maj 1944" që konsiderohet prej tyre si "lindja e pushtetit popullor".
Pse u quajt Haki Taha "shovinist shqiptar" nga Enver Hoxha
Tashmë dihet nga ndokush se njeriun që themeloi PKSH‑së, Miladin Popoviçin, e vrau arsimtari kosovar Haki Taha në Prishtinë në mars të vitit 1945. Në historiografinë komuniste dhe veçmas në atë PPSH‑së, është thënë vazhdimisht se kjo vrasje u krye nga UDB‑ja jugosllave, pa dhënë asnjëherë shpjegime të mëtejshme. Mirëpo në vitet e para të regjimit komunist në Shqipëri, ka qenë vetë Enver Hoxha që thotë të kundërtën. Në librin voluminoz "PPSH dokumente kryesore" vëllimi i I‑rë, botuar në në Tiranë në vitin 1971, në faqen 507, botohet edhe një deklaratë e Komitetit Central të PKSH‑së si përgjigje ndaj deklaratës së 12 korrikut 1948 Komitetit Central të Partisë Komuniste të Maqedonisë, ku sulmohej PK e Bullgarisë dhe PK e Shqipërisë. Nga kjo deklaratë ‑ përgjigje, ndër të tjera veçojmë:
"Në Kongresin e 5‑të, Tito përmendi në mes të tjerash emrin e komunistit jugosllav Miladin Popoviç si një aktivist që ka ndihmuar Partinë tonë Komuniste. Miladin Popoviçi, anëtar i PKJ‑së, i kapur nga forcat fashiste italiane në Kosovë e Metohi, u çlirua nga kampet e përqëndrimit në Shqipëri prej guerriljeve shqiptare. Miladini vuri të gjitha forcat për të ndihmuar Partinë dhe popullin tonë dhe ky u rrit me luftën e Partisë sonë dhe popullit tonë......Miladin Popoviçi u vra tradhëtisht dhe në mënyrë misterioze në Kosovë e Metohi nga dora e një SHOVINISTI SHQIPTAR KOSOVAR (nënvizimi është yni). Partia jonë nuk u vu në korrent mbi këtë çështje nga Komiteti Central i Jugosllavisë, megjithëse ajo e konsideron Miladin Popoviçin si një pjestar heroik të saj dhe e nderon kujtimin e djalit të popullit të Malit të Zi dhe të Partisë Komuniste Jugosllave, si një komunist internacionalist që shërbeu në radhët e luftëtarëve më të shquar të popullit shqiptar".
Po në këtë deklaratë, midis të tjerash, nxirret roli i madh që ka luajtur Miladin Popoviçi në "shtypjen pa mëshirë" të "fraksionit të Vlorës".
Ndërsa në librin kujtimor "Kur lindi Partia", në lidhje me vrasjen e Miladin Popoviçit, Enver Hoxha thotë:
"..Jo shumë kohë pas çlirimit të Kosovës (lexo pushtimit nga serbët ‑ shënim), Miladin Popoviçin e vranë prapa krahëve njerëzit e UDB‑së, sepse ishte shprehur për të drejtën e popullsisë shqiptare të Kosovës për vetëvendosje (gënjeshtër e pastër ‑ shënim). Për këtë kemi bindje të plotë jo vetëm nga bisedat që bënim me Miladinin, kur ishte në Shqipëri por edhe në Arkivin e Komitetit Qendror të Partisë sonë kemi dokumente që flasin qartë për këto pikpamje të komunistit internacionalist, Miladin Popoviç. Pas kësaj njerëzit e Titos trumbetuan se vrasjen gjoja e paskësh bërë....një shqiptar kosovar! Dhe ku? Mu në tavolinën e tij të punës, në shtëpinë që ruhej nga partizanë jugosllavë...".
Po të krahasojmë këto dy materiale, duhet të shtrojmë disa pyetje. Në rast se Haki Taha ishte një "shovinist shqiptar", siç e quan Enver Hoxha në vitin 1948, pse duhej të ishte ai " i UDB‑së". Një tjetër mashtrim i madh i Enver Hoxhës është edhe cilësimi "proshqiptar" i Miladin Popoviçit, sikur ai gjoja paska kërkuar zbatimin e parimit të vetëvendosjes për Kosovën. Pa dashur të merremi gjatë me një falsifimi të tillë do të kujtonim dy detaje:
Së pari Miladin Popoviçi ishte i pari që u ngrit kundër marrëveshjes së Mukjes, për shkak se në këtë marrëveshje flitej për problemin vetëndosjes së popullit të Kosovës. Ai urdhëroi Enver Hoxhën që të pushkatoheshin si tradhëtarë, Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica. Ky i fundit nuk u ekzekutua pasi në gazetën "Bashkimi i Kombit", u botua nga Xhelal Staravecka, proces ‑verbali i mbledhjes së Vithkuqit, në të cilin dënoheshin me vdekje nga Miladin Popoviçi personat e sipërpërmendur. Por ndërsa Gjinishin e vranë prapa krahëve, një gjë të tillë nuk mundën ta bëjnë me Dishnicën pasi do të demaskoheshin keqas.
Së dyti duhet thënë se Haki Taha e vrau Miladin Popoviçn në një lokal në Prishtinë në momentin kur ky i fundit i pat thënë se Kosova ishte e Jugosllavisë dhe vetëvendosje nuk kishte për të pasur. Pak kohë pas vrasjes së Miladinit, Haki Taha u vra, ndërsa shoqëruesi i tij Qazim Vula, pasi vuajti në burgjet e Jugosllavisë, u arratis në Shqipëri ku vuajti burgjet e tmerrshme të komunizmit këtu.
Në fakt në deklarimet e mësipërme të Enver Hoxhës, ka një diçka të sinqertë nga ana e komunistëve të Shqipërisë. Ata kanë qenë gjithnjë antinacionalistë të tërbuar dhe në këtë linjë nacionalizmi quhej rëndom si "shovinizëm" pavarësisht se nuk ka ekzistuar kurrë ndonjëherë një shovianizëm shqiptar. Por nuk është rastësi që "shovinistë" shpallen Gjergj Fishta, Haki Taha etj.
Nga ana tjetë duam të kujtojmë se njeriu që kontriboi më shumë se kushdo në ngritjes e Enver Hoxhës në pushtet, Miladin Popoviç, mban akoma "Urdhërin e Flamurit" dhe medaljen e "Kujtimit", në bazë të vendimit nr 117, datë 5 shtator 1945 të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar (shih "Gazeta Zyrtare" nr 46, 20 shtator 1945, faqe 5).
Ja pse 29 nëntori është dita e përbashkët e komunistëve të Shqipërisë dhe jugosllavëve
Personalisht për mua, nuk asnjë lloj rëndësie se kur ka kaluar kufirin e Shqipërisë londineze ushtari i fundit gjerman. Kjo për disa arsye.
‑Së pari sepse kurrë Gjermania nuk i shpalli luftë Shqipërisë dhe as vuri në diskutim pavarësinë dhe sovranitetin e saj, pasi ushtria e saj nuk erdhi këtu si pushtuese.
‑Së dyti ushtria gjermane u largua vetë pa ndonjë presion nga formacionet luftarake komuniste.
‑Së treti çështja është se midis termave "çlirim" dhe "largim" nuk kurrfarë ngjashmërie.
‑Së katërti nuk ka asnjë arsye që të justifikojë dhe ta paraqesë vendosjen e regjimit komunist nëpërmjet rrebelimit, si "çlirim të atdheut" në një kohë që vendi figuronte prej kohësh si i pavarur.
‑Së pesti çështja e pushtetit e mpleksur në një vorbull të luftës civile ka qenë elementi kryesor që vihet re në fundin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
‑Së gjashti emisarët jugosllavë arritën tre objektiva që i patën vënë vetes: themeluan PKSH‑në si agjenturë solide të tyren, futën vendin në një luftë civile dhe larguan nga pushteti elementin nacionalist shqiptar.
Nga ana tjetër duhet thënë së për komunistët e Shqipërisë nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe çështja e vendosjes datës së regjimit të tyre, datë që në fillim të sundimit të tyre terrorist ishte 28 nëntori.
Mirëpo duke qenë një instrument në duart e jugosllavëve, PKSH‑ja pranoi të njihte si festë të përbashkët 29 nëntorin për shkak se kjo ishte një datë historike për Jugosllavinë.
Së pari ishte 29 nëntori i vitit 1943, Mbledhja e Dytë e AVNOJ‑it (Këshilli Nacional Çlirimtar Jugosllav), ku u përcaktua forma e shteti të ardhshëm jugosllav dhe ku u vendosën organet e pushtetit paralel.
Së dyti ishte 29 nëntori i viti 1945, datë kur Asambleja Popullore kishte shpallur Republikën Federative Popullore (më vonë Socialiste) të Jugosllavisë.
Ishte e natyrshme pra që regjimi kolaboracionist i Tiranës, të zbatonte urdhërat e shefave të vet të Beogradit, të cilët që kërkonin një festë të përbashkët për shkak se Shqipëria do të shkonte gradualisht drejt humbjes totale të pavarësisë.
Në një konferencë akademike të mbajtur në Tiranë më 29 nëntor 1947, për nder të 2 vjetorit të shpalljes së RFPJ‑së, ministri pa portofol, Pandi Kristo, në fjalën e tij ndër të tjera do të theksonte :
"Në këtë luftë ne gjetëm ndihmën direkte dhe eksperiencën e paçmueshme të popujve të Jugosllavisë heroike. Popujt tanë u vëllazëruan përjetë në zjarrin e derdhur në të njejtat llogore dhe kundër të njejtëve armiq. Lufta e popujve të Jugosllavisë me mareshallin Tito në krye, i dha dorë popullit tonë të çlirohet nga okupatorët dhe tradhëtarët e vendit. Rrethanat historike, bënë që populli ynë të festojë sot i lirë dhe sovran dy data të mëdha dhe shumë të rëndësishme për ekzistencën e tij të lumtur: ditën e madhe të çlirimit dhe shpalljen e RFPJ‑së, e cila për ne është një nga garancitë më të shëndosha për lirinë, indipendencën dhe sovranitietin kombëtar për të ardhmen e vendit tonë.....Rroftë aleanca dhe vëllazërimi i popullit tonë me popujt vëllezër të Jugosllavisë së re, dita e 29 nëntorit, dita e RFPJ‑së dhe e mareshallit Tito.
Intermexo historike. Fjala e Hysni Kapos e mbajtur me rastin e përvjetorit të shpalljes së RFPJ‑së
Njëri prej udhëheqësve komunistë me lidhje edhe të mëparshme me agjenturën serbe nëpërmjet xhaxhait të tij Murat Tërbaçi, ishte edhe Hysni Kapo. Nga fillimi i vendosjes së regjimit komunist e deri më 27 shkurt 1947, ai do të ishte ministër (ambasador) i Shqipërisë në Beograd. Pas i tij e deri më 6 shkurt 1948 ishte Tuk Jakova, e më pas Ramadan Çitaku. Ky i fundit u shkarkua pas "prishjes së madhe" dhe u shkarkua edhe si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Një rol të madh në forcimin e "miqësisë së madhe" luajti edhe Hysni Kapo. Gjatë mandatit të tij në Beograd u nënshkruan marrëveshjet skllavëruese me Jugosllavinë dhe u zhvillua vizita e kryeministrit Enver Hoxha në Jugosllavi.
Më 27 nëntor 1947, ai mbajti fjalën kryesore në mbrëmjen akademike në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, kushtuar 4 vjetorit të Mbledhjes së Dytë të AVNOJ‑it dhe 2 vjetorit të shpalljes së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë. Për të qenë sa më jugosllavofilë, mbrëmja akademike ishte organizuar në datën 27 nëntor 1947, me rastin e përvjetorit të parë të nënshkrimit të marrëveshjes që hoqi barrierat doganore, që parifikoi monedhat etj (për këtë shih më gjerësisht në vijim të dossier‑it). Të pranishëm në këtë mbrëmje akademike ishin Enver Hoxha, Omer Nishani, Koçi Xoxe, Myslim Peza, Pandi Kristo, Gogo Nushi, etj si dhe i ngarkuari me punë i Jugosllavisë Drago Kosmerlj, i ngarkuari me punë i Bashkimit Sovjetik, Gagarinov etj.
Nga fjala e sekretarit të Sekretariatit të Frontit Demokratik, Hysni Kapo veçojmë pjesën e mëposhtme:
"Popujt e Jugosllavisë festojnë për të tretin vit ditën e shpalljes së republikës, ditën e rilindjes kombëtare, 29 nëntorin. Kjo datë shënon dy evenimente me rëndësi historike për popujt e Jugosllavisë. Më 29 nëntor 1943, kur lufta e popujve të Jugosllavisë, në ballë të së cilës qëndroi pa u tundur partia e lavdishme komuniste me në krye mareshallin Tito, merrte përmasa të gjera dhe okupatorët fashistë po goditeshin pa mëshirë nga të gjithë frontet, kur tradhëtarët e popujve të Jugosllavisë e hoqën maskën dhe dualën më fytyrën e tyre të vërtetë, u mblodh për të dytën herë Këshilli Nacional Çlirimtar për të marrë vendime që kishin të bënin me fatin e popullit dhe të kombit. Në këtë datë u hodhën themelet e vëllazërimit dhe të barazimit të të drejtave të popujve, u hodhën themelet e pushtetit popullor dhe u krijuan bazat e reja të një rregulli shoqëror. Aty gjithë përfaqësuesit e popullit shprehën unanimisht vullnetin për kundra mbretit dhe monarkisë së Karagjergjoviçëve. Dy vjet më vonë, kur popujt e Jugosllavisë kanë realizuar fitoren mbi fashizmin dhe bashkëpunëtorët e tij, kur flamuri i tyre i fitores valon i lirë në Jugosllavinë e re, Asambleja Popullore shpalli Republikën Federative nën të cilën popujt e Jugosllavisë do të rrojnë të lumtur, do të gëzojnë për jetë të gjitha të drejtat dhe liritë demokratike.......29 nëntori kujton luftën, sakrificat dhe heroizmat që bënë popujt e Jugosllavisë për të fituar lirinë dhe pavarësinë. 29 nëntori është data që vërtetohet edhe një herë zyrtarisht dëshira e popullit përkundra regjimit shtypës dhe gjakpirës. Ajo simbolizon rrugën e drejtë që udhëhoqi popujt e Jugosllavisë gjatë luftës, rrugën që u shërben dhe sot për të vazhduar gjatë periudhës paqësore për ndërtimin e vendit. Fitoret e 29 nëntorit, në sajë të të cilit popujt e Jugosllavisë po ndërtojnë jetën e tyre të re, jo vetëm që siguruan baza të shëndosha në të cilat mbështetet pushteti popullor sot, por këto influencuan për ta forcuar edhe më tepër bashkimin dhe vëllazërimin midis popujve të Jugosllavisë, midis njëri ‑ tjetrit dhe midis fqinjëve të tyre...... Jugosllavia sot nuk është vendi ku përgatiteshin planet imperialiste për intriga kundër popujve, sikurse ndodhte ndaj vendit tonë.....Popujt e Jugosllavisë, me luftën e tyre heroike e varrosën thellë politikën serbo ‑ malazeze dhe janë bërë zot të vendit të tyre. Ata u treguan fqinjëve se ndjenjat që ushqenin për ta, nuk pajtoheshin kurrë me regjimet shtypës. Lufta e drejtë që ata bënin nën udhëheqjen e shëndoshë të mareshallit Tito, politika e drejtë që ata ndoqën dhe kujdesi i madh që treguan për zhdukjen e mbeturinave të së kaluarës, e shtoi dashurinë dhe simpatinë tonë për popullin jugosllav........Jugosllavia Federative sot është transformuar në një qendrë të rëndësishme për gjithë vendet e Evropës Qendrore, aty ku përqendrohen problemet kulturale, ekonomike, politike, ushtarake të përbashkëta dhe marrin zgjidhjen më të drejtë. Mbas kryeqytetit të vendit të madh të socializmit, Moskës, sytë e popujve demokratikë dhe përparimtarë shikojnë me simpati dhe admirim Beogradin, qendrën ku rri udhëheqësi i madh ushtarak dhe politik i popujve të Jugosllavisë, miku më i shtrenjtë i popullit tonë mareshalli Tito......Fitoret e popujve të Jugosllavisë janë edhe fitoret tona pse ato janë në të mirën e gjithë popujve përparimdashës, në të mirë të demokracisë dhe paqes. Themi që fitoret e Jugosllavisë janë edhe fitoret tona pse populli jonë nuk ka se si t'i ndajë ato, sepse rruga e të dy popujve nuk ndryshon. Ai (populli shqiptar ‑ shënim) e provoi mirë se kush është Jugosllavia. Populli shqiptar do ta festojë me hare ditën e 29 nëntorit se ajo është dita e rilindjes së miqve të shtrenjtë, do ta festojë se ajo është dita e rilindjes së miqve të shtrenjtë, do ta festojë ditën e 29 nëntorit se kujton luftën, sakrificat dhe vuajtjen e të dy popujve, se ajo kujton fitoren tonë mbi mbi fashizmin dhe bashkëpunëtorët e tij" (marrë me shkurtime nga gazeta "Bashkimi" e datës 28 nëntor 1947) .
Emisarët jugosllavë si udhëheqës të PKSH‑së
Pas formimit të PKSH‑së, roli i emisarëve jugosllavë do të ishte parësor në strukturimin dhe ngritjen e njësive ushtarake komuniste, ose siç njihen ndryshe me emrin batalione apo brigada. Përveç kësaj në të gjitha forumet e mbajtuar të PKSH‑së, emisarët jugosllavë do të përbënin presidencën e tyre.
Kështu në Konferencës e Parë të PKSH‑së që u mbajt në Labinot më 17 ‑ 22 mars 1943, ku u zgjodh edhe Enver Hoxha sekretar i përgjithshëm i Partisë, rolin kryesor në të e kishte i dërguari i KQ të PKJ‑së, Bllazho Jovanoviç. Konferenca pohoi edhe një herë vijën terroriste dhe prosllave të Partisë Komuniste të Shqipërisë duke e konfirmuar edhe një herë qënien e saj si një shtojcë e PKJ‑së. Në lidhje me një fakt të tillë, sekretari i PKSH‑së Tuk Jakova thotë në Kongresin e Parë të kësaj partie, në nëntor 1948 këto fjalë:
"..Konferenca caktoi vijën politike dhe organizative të Partisë për periudhën e ardhshme dhe zgjodhi Komitetin Qendror definitiv. Të gjitha punimet e konferencës u zhvilluan drejt, përveç procedurave së zgjedhjeve të Komitetit Qendror.....Në këtë drejtim, për shkeljen e rregullave organizative, për zgjedhjen e KQ definitiv, ka influencuar i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, Bllazho Jovanoviç. Ne u mbështetëm në këshillat e Blazho Jovanoviçit, mbase ne vetë na mungonte eksperienca e nevojshme në çështjet organizative dhe besuam se pikpamjet e Bllazho Jovanoviçit do të ishin të drejta. Pas konferencës, Komiteti Qendror i ri nuk u mblodh të zgjidhte Byronë Politike. Anëtarët e KQ‑ së u shpërndanë seicili në qarkun e tij të punës dhe në qendër mbeti shoku Enver Hoxha, i zgjedhur sekretar i përgjithshëm, me një numër anëtarësh të KQ, të cilët zgjodhën në unanimitet Byronë Politike".
Në gusht 1943, erdhi në Shqipëri Zvetovar Vukmanoviç (Tempo) me qëllimin e formimit të një "shtabi ballkanik" që do të udhëhiqej nga jugosllavët. Gjithashtu Tempo erdhi edhe dy herë të tjera në Shqipëri.
Emisarët komunistë jugosllavë luajtën një rol kryesor edhe pas marrëveshjes së Mukjes.
Konferenca e Dytë Nacional Çlirimtare (e para qe mbajtur në Pezë më 16 shtator 1942) që u mbajt më 4 ‑ 9 shtator 1943 në Labinot të Elbasanit, si qëllim kryesor të saj pati denoncimin e marrëveshjes së Mukjes, e cila dëmtonte seriozisht interesat sllave në Shqipëri. Kuptohet që rolin kryesor këtu e patën Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha.
Më 15 maj 1944, në Helmës të Skraparit u mbajt Pleniumi i Parë i PKSH‑së, në të cilin u pa plotësisht roli udhëheqës i emisarëve jugosllavë.
Në shtator 1944, pas largimit të Miladin Popoviçit nga Shqipëria, vendin e tij e zyri Velimir Stojniç, pasi emisarët jugosllavë kishin më tepër një pozicion mëkëmbësi në Shqipëri. Stojniç së bashku me Nijaz Dizdareviçin do të ishin dirigjuesit kryesorë të Pleniumit të Dytë që njihet "si i Beratit" (23 ‑ 27 nëntor 1944).
Pas lufte, emisari jugosllav më i rëndësishëm pas atij zyrtar që ishte ministri jugosllav në Tiranë, Josip Gjergjia e më pas Drago Kosmerlj, u bë Savo Zllatiç. Ky i fundit do të ndërhynte sa herë që t'i tekej në punët e Partisë Komuniste të Shqipërisë që konsiderohej nga jugosllavët si një celulë e Partisë Komuniste të Jugosllavisë.
Terrorizmi komunisto ‑ partizan në Kosovë
Në prag të triumfit të plotë të rrebelimit komunist në mbarë Shqipërinë, forcat rrebele komuniste, përkatësisht Brigada e 5‑të e më pas Brigada e 3‑të, më 5 tetor 1944, kaluan kufirin e Shqipërisë londineze (që në atë kohë nuk ekzistonte) në ndihmë të homologëve të tyre jugosllavë me kërkesë të tyren për të nënshtruar plotësisht Kosovën dhe për t'ia dorëzuar atë pa probleme serbëve. Ashtu si në mbarë jugun e veriun e Shqipërisë londineze, ashtu edhe në këtë pjesë të Shqipërisë lindore, formacionet rrebele komuniste ushtruan në mjaft raste terror mbi popullsinë shqiptare me justifikimin e goditjes së "reaksionarëve" . Të ashtuquajturit reaksionarë ishin elementët më të shquar antiserbë që nuk pranonin të viheshin në shërbim të komunistëve dhe që shikoheshin me dyshim nga ata.
Duke qenë se forcat gjermane po largoheshin gradualisht nga Ballkani, forcat jugosllave e kishin të vështirë të merrnin në kontroll Kosovën pa ndihmën e komunistëve të Shqipërisë, ndihmë që u pasqyrua me ardhjen e brigadave komuniste nga Shqipëria.
Në një udhëzim që komisari i Korpormatës së I‑rë, Hysni Kapo u dërgonte brigadave 3 dhe 5, më 20 shtator 1944, ndër të tjera theksonte:
"Të popullarizohet miqësia e popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë, të theksohet lufta Mihajlloviç, Deva, e Mitrovica që janë shkaktarë...të përçarjeve midis popujve të Jugosllavisë dhe atij të Kosovës,.....të propagandohet lufta e përbashkët kundër okupatorit dhe nevoja e bashkëpunimit dhe e miqësisë midis popujve....Ne duhet të jemi të pamëshirshëm ndaj elementëve reaksionarë..".
Formacionet rrebele komuniste më 23 tetor 1944 u futën në Junik dhe më 26 tetor në Deçan. Më 7 nëntor hynë në Gjakovë dhe më 16 e 17 nëntor në Prizren dhe Pejë.
Pas kontrollit të kësaj zonë të Kosovës, divizionet 5 dhe 6‑të komuniste, më 30 nëntor 1944 u bashkuan me forcat jugosllave dhe luftuan "kundër armikut të përbashkët" në Tuz, Podgoricë, Novi ‑ Varosh, Priepolje dhe Vishegrad.
Nga personat që drejtuan forcat rrebele komuniste kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, mund të përmendim komandantin e Brigadës së 5‑të, kriminelin e njohur Shefqet Peçi, komisarin politik të Divizionit të V‑të (ku bënin pjesë brigadat me numur 3, 5 dhe 25) Ramiz Alia, dhe siç e thamë edhe më lart komisarin e Korparmatës së I‑rë, Hysni Kapo. Të tre këta individë kanë qenë persona influentë të agjenturës serbe në Shqipëri në vitet e regjimit komunist dhe për më tepër shumë vite më pas procesi i caktimit të Alisë si paardhës i Hoxhës, kaloi nëpërmjet një skeme që pati angazhuar seriozisht shërbimin sekret jugosllav.
Jashtë vëmendjes nuk duhet lënë as as fakti i bashkëpunimit luftak midis forcave rebele komuniste të Shqipëisë (siç ishin brigadat 5 dhe 18) dhe atyre maqedonase siç ishte rasti i marrjes nën kontroll i qytetit të Dibrës më 2 shtator 1944.
Kalimi i formacioneve komuniste të Shqipërisë në Kosovë u bë me kërkesën e Shtabit Suprem të Ushtrisë Nacional Çlirimtare (rrebele) Jugosllave. Në verën e vitin 1944, në Shqipëri pati ardhur një mision i ushtarak jugosllav i kryesuar nga Zvetozar Vukmanoviç (Tempo). Sipas jugosllavëve forcat komuniste shqiptare "do të pengonin konsolidimin e njësive armike (lexo "shqiptare" ‑ shënim)". Të planifikuara për t'u dërguar në Kosovë kishin qenë formacionet komuniste të brigadave I dhe III. Mirëpo për shkak të pamundësisë së të parës për t'u dërguar atje, në Kosovë shkoi Brigada e 5‑të.
Formacionet komuniste nuk kursyen aspak terrorin ndaj elementëve nacionalistë. Ndër të tjera mund të përmendim konfrontimin me forcat e Mehmet Gradicës në Drenicë, etj.
Nga ana tjetër duhet theksuar se formacionet komuniste, humbjet më të mëdha i patën jashtë trojeve shqiptare si në Mal të Zi apo në Bosnjë. (Më 21 qershor 1946 erdhën nga këto treva eshtrat 350 partizanëve të vrarë në Mal të Zi dhe Bosnjë). Përgjithësisht popullsia shqiptare e Kosovës, ju shmang një konfrontimi të armatosur me forcat komuniste që vinin nga Shqipëria londineze, gjë që po të ndodhte, do të merrte përmasat e një lufte të pa parashikueshme civile.
Në lidhje me këtë, njëri nga ish pjestarët e Brigadës së 5‑të komuniste, më vonë edhe ministër në qeveritë komuniste, Zenel Hamiti, në gazetën "Bashkimi" ka botuar në disa numra kujtimet e tij në lidhje me historikun e këtij formacioni luftarak komunist në Kosovë. Në kujtimet e botuara më 18 mars 1945, ai ndër të tjera thotë në lidhje me luftimet e këtij formacioni në Kosovë:
"Më datën 14 nëntor 1944, të gjithë batalionet gjenden në luftime rreth Prizrenit. Kjo gjendje vazhdon deri në orën 6.00 të mëngjezit kur i gjithë qyteti bie në duart tona, i paprekur mbase armikut nuk iu dha rasti të digjte e të plaçkiste. KUFOMA NACIONALISTËSH (nënvizimi është yni) kishin mbuluar rrugën Prizren ‑ Kukës, depo materiali kapen si dhe fuqia më e madhe luftarake vendase që kish qenë në shërbim të armikut dorëzohet....Brigadës e 5‑të i duhej të luftonte edhe më ngushtë me forcat e mareshallit Tito në tokat e Jugosllavisë, pse kështu e kish kryer misionin e vet".
Çfarë ishin marrëdhëniet shqiptaro ‑ jugosllave në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist
----------------------------------------------------------------------------
Si e dëshironte Omer Nishani( dhëndëri i Enverit ) , Jugosllavinë
I ashtuquajturi kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe president i ardhshëm i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Omer Nishani në një artikull të botuar në gazetën "Bashkimi" shkruan ndër të tjera, me rastin e formimit të qeverisë së Titos këtë fjalë:
"Shteti federativ jugosllav është i destinuar të lozë një rol të madh në skenën politike të Ballkanit, dhe që do të bëhet një faktor me rëndësi për sigurimin e paqës në këtë sektor të Europës.....Me një fjalë, Jugosllavia e re është një epiqendrë politike, reperkusionet e së cilës do të ndihen në gjithë Ballkanin. Populli shqiptar, qeverinë e re të kryesuar nga mareshalli Tito, e priti me gëzim të madh se ai sheh në këtë qeveri garancinë më të madhe të miqësisë dhe vëllazërimit që ndjen për popujt heroikë të Jugosllavisë, vëllazëri kjo që është mbrujtur me sakrificat e me gjakun e të dy popujve gjatë luftës...kundër armiqve të përbashkët..... Populli shqiptar dhe miqësia me Jugosllavinë demokatike dhe federale do ta ruajë gjithnjë dhe do ta forcojë më tepër të ardhmen, se kjo aleancë dhe kjo miqësi është bazuar mbi interesa politike dhe ekonomike..".
A ishte Jugosllavia faktor paqeje në Ballkan
Vetëm pak ditë pas formimit të qeverisë së re të Enver Hoxhës, gazeta "Bashkimi" boton kryeartikullin me titull "Jugosllavia faktor paqeje në Ballkan dhe në botë". Një pjesë kryesore të këtij kryeartikulli, e zë një citim nga fjala e Enver Hoxhës në Kuvendin Popullor, ku ai sipas gazetës ka thënë:
"Miqësia dhe vëllazërimi që na lidh me popujt e Jugosllavisë, do të jetë e përhershme se është vitale për popullin shqiptar dhe indipendencën e tij. Miqësia që na lidh me Jugosllavinë, është nga ato miqësi të rralla e të sinqerta që ndihmojnë aq shumë popullin tonë dhe nderojnë dhe respektojnë sovranitetin e Shqipërisë".
Duke vazhduar në këtë linjë, gazeta shkruante se popujt e Ballkanit "janë solidarë me popujt e Jugosllavisë për problemin e Triestes dhe Julika Krajna‑n", të cilat gazeta i quante "krahina të martirizuara".
Dy ditë më vonë, po e njejta gazetë citon fjalimin e Koçi Xoxes të mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, pjesërisht si më poshtë:
"Për popujt vëllezër të Jugosllavisë së re të mareshallit Tito, populli shqiptar ushqen ndjenjat më të pastra dhe të sinqerta të një miqësie dhe vëllazërimi të shëndoshë.....Të kesh në kufi një demokraci përparimtare dhe të fuqishme siç është ajo e RFPJ‑së, do të thotë të kesh në kufi një aleat të shëndoshë dhe të sinqertë që të do të mirën dhe që të ndihmon pa kursim. Këtë miqësi të sinqertë, që lidh popullin tonë me popujt e Jugosllavisë, shumë njerëz e kanë halë në sy se ata përbëjnë radhët e fashistëve dhe mbeturinat e fashizmit".
"Vëllazërim gjaku"
Kështu e hapte një artikul të rëndësishëm gazeta "Bashkimi" e datës 17 maj 1946 dhe që ja kushtonte 6 maqedonasve që u varën në Tiranë më 14 maj 1943. Personat në fjalë, Dushko Popoviç, Ilia Antevski, Rade Ugrinovski, Kristo Oxhaklisti, Trifon Andovski dhe Drage Todorovski ishin dënuar 3 vjet më parë nga Gjykata e Tiranës për akte terrorizmi dhe ishin varur në burgun e Tiranës. Vepra e tyre penale kishte ndodhur në Novoselë të Gostivarit, që në atë kohë ndodhej brenda juridiksionit të shtetit shqiptar. Pikërisht ngjarja në fjalë mori qysh gjatë luftës ndjenjat më të neveritshmë të solidaritetit komunist, madje duke kaluar në "vëllazërime gjaksore".
E njejta gjë vazhdoi edhe mbas më shumë se një viti kur në 10 shtator 1947, u zhvillua ceremonia e përcjelljes së eshtrave të tyre në Jugosllavi. Kur respektoheshin kaq shumë 6 maqedonas që kishin kryer akte terrorizmi mbi shqiptarët, nuk ke si të mos revoltohesh për veprimet e sipërtreguara të komunistëve të Shqipërisë, në një kohë që vetëm pak muaj më parë, në 2 prill 1945, mijëra të rinj shqiptarë nga Kosova ishin masakruar në qytetin e Tivarit nga bandat serbo ‑ malazeze që hiqeshin si "vëllezër" dhe si "miq" të mëdhenj të shqiptarëve.
Ja përse nuk mund të mendohej që Kosova t'i kthehej Shqipërisë
************************************************** ******
Jugosllavët duke vendosur në Shqipëri një pushtet politik të kontrolluar nga ata vetë, nuk e kishin të vështirë të kontrollonin dhe të komandonin çdo veprim të udhëheqjes shqiptare. Qysh në kohën e luftës, ata kishin luajtur fort me parimet internacionaliste, ishin mbështetur fort tek shtresat ordinere të Shqipërisë, dhe nuk kishin lënë as të mendohej për çështjen e Kosovës. Ndërsa ajo që ishte pjesë idealiste, u çua në plumb në mënyra të ndryshme duke mos kyrsyer as tradhëtinë.
Për këtë arsye, shumë nga udhëheqësit komunistë të Shqipërisë, në qëndrimet e tyre ishin më proserbë nga ç'mund të mendohej. Një provë të qartë në këtë drejtim dha edhe shembulli i Konferencës së Mukjes si dhe mospranimi nga komunistët i realitetit të ri politik të krijuar në kohën e qëndrimit të përkohshëm të trupave gjermane në Shqipëri.
Përveç konjukturës së pafavorshme politike që u krijua pas lufte në Kosovë, duhet thënë se një rol jo të vogël luajtën formacionet luftarake komuniste që erdhën nga Shqipëria për t'i shërbyer regjimit të ri në Jugosllavi.
Nga ana e saj, udhëheqja e PKSH‑së asnjëherë nuk e pa të arsyeshme të interesohej sadopak për fatin e shqiptarëve në Jugosllavi, por pa si shqetësim më të madh Poan e Istrien si dhe bregdetit slloven. Pas marrjes së këtyre të fundit, Enver Hoxha më 18 gusht 1947, përshëndeti personalisht për këtë fitore të madhe të arritur nga Jugosllavia.
Vetë Enver Hoxha gjatë një mbledhje të Komitetit Qendror të datës 18 dhjetor 1946, shprehet:
"Disa anëtarë partie duan të filozofojnë se mos thotë populli ç'bëtë me Kosovën. Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi ynë është që ajo të jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? ‑ Kjo nuk është progresive. Pra në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë çështë e mundur që kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi".
Republika Popullore e Shqipërisë ishte një tjetër imitim jugosllav
S'ka asnjë dyshim që edhe e ashtuquajtura republikë popullore e 11 janarit 1946, ishte një imitim i rastit jugosllav. I vetmi dallim ishte vetëm organizimi federativ i Jugosllavisë. Këtu sa për shembull po kujtojmë një artikull të ish anëtarit të Misionit Shqiptar në Beograd, Nuri Huta. Ai në një artikull të gjatë në gazetën "Bashkimi" me nëntitull "Në Jugosllavi republika është popullore" (dhe me titull kryesor "Republika Federative Popullore e Jugosllavisë dhe kushtetuta e saj") , të botuar ditën kur pritej të shpallej Republika Popullore e Shqipërisë, pra më 11 janar 1946, ndër të tjera thotë:
"Republika në Jugosllavi nuk është "pluhur syve". Republika është popullore dhe federative, ku demokracia qëndron në barazinë popujve. Republika shkatërron të kaluarën dhe i mbyll rrugën kohës së vjetër....Minoritetet kombëtare gëzojnë të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen e jetës së tyre kulturore si dhe përdorimin e gjuhës së tyre".
Vetëm pak ditë pas shpalljes së të ashtuquajturës republikë popullore, përshëndetja e parë erdhi nga Presidiumi i Asamblesë Kushtetuese të Jugosllavisë.
Vizita e Enver Hoxhës në Beograd
Në marrëdhëniet midis dy vendeve vizita e kryeministrit Enver Hoxha në Jugosllavi më 23 qershor ‑ 2 korrik 1946, mbetet vizita më e lartë e kryer nga një udhëheqës shqiptar atje. Në këtë vizitë Hoxha u shoqërua edhe nga Myslim Peza, Manol Konomi, Nako Spiru, Nesti Kerenxhi, Manush Myftiu, Vasil Konomi, Ferik Hado, Sadik Bekteshi, Sadik Dega si dhe ambasadori Hysni Kapo. Veçojmë nga fjala e Enver Hoxhës në aeroportin e Beogradit:
"...Ju siguroj se sot gjithë populli shqiptar është çuar në këmbë dhe brohoret për popujt e Jugosllavisë. Sot zemrat e njerëzve të Shqipërisë rrahin për ju dhe ndjenjat më të pastra dhe më vëllazërore janë për ju.......U çelnikos miqësia dhe vëllazërimi do të jetë i përjetshëm pse prej këtej varet e ardhmja e lumtur e popullit tonë, pse ky vëllazërim dhe kjo miqësi është e ngushtë është një nga faktorët më kryesorë të vëllazërimit të Ballkanit dhe është një faktor për mbrojtjen e paqes dhe demokracisë....(gazeta "Bashkimi" 25 qershor 1946).
Nga e ana tij njohësi i thellë i çështjeve shqiptare, ministri jugosllav Stanoje Simiç në drekën e dhënë për nder të delegacionit shqiptar ndër të tjera ka thënë:
"..Rëndësia e kësaj vizite miqësore për popujt e Ballkanit është e madhe. Është karakteristike që popujt tanë sa herë që kanë qenë larg nga ndikimet e jashtme dhe kur nuk janë përzierë të tjerët, kanë ditur të kuptohen shumë mirë me njëri ‑ tjetrin...Popujt tanë u shkëputën nga aparatet e kalbura...".
Enver Hoxha në përshëndetjen e tij ndër të tjera ka theksuar:
"...Në të kaluarën populli shqiptar ishte ndarë nga Jugosllavia për shkak të veprimtarisë së kombinuar të klikave të vendit dhe të jashtme, që kishin qëllim të përçanin dy popujt vëllezër. Me gjithë këtë populli shqiptar tregoi gjatë kësaj lufte dëshirën e fortë që t`ia presë rrugën kësaj politike antipopullore. Më në fund populli shqiptar e gjeti rrugën e drejtë dhe sot ai sheh tek Jugosllavia jo vetëm popullin vëlla e aleat por edhe mikun e tij, popullin që i ka dhënë një përkrahje të fortë si gjatë luftës ashtu edhe tani në paqe për ndërtimin e një të ardhme më të mirë....." (gazeta "Bashkim" 26 qershor 1946).
Gjatë vizitës së tij në Jugosllavi Enver Hoxha, shkoi kudo përveçse në Kososë. Ai u takua edhe më udhëheqësin komunist Josip Broz ‑ Tito. Kur u kthye në Tiranë më 2 korrik 1946 Enver Hoxha do të deklaronte në aeroportin e Tiranës:
"..Dita e prekjes sonë të madhe me Mareshallin Tito, udhëheqësin e madh të popujve heroikë të Jugosllavisë dhe njëkohësisht miku ynë shumë i madh dhe besnik, do të mbetet e paharruar dhe njëkohësisht një ditë e shënuar në historinë e popullit tonë.....Ne popujt vëllezër të Jugosllavisë i kemi miq të mëdhenj dhe nga më të sinqertit, dhe këtë miqësi do ta ruajmë si sytë e ballit, ta forcojmë dita‑ditës pse ajo është garancia shumë e madhe e mbrojtjes së indipendencës dhe sovranitetit të vendit tonë, është një nga faktorët kryesorë të përparimit të vendit tonë......Prandaj të vemë të gjitha forcat tona që vëllazërimi mes popullit me popujt e Jugosllavisë të forcohet shumë e shumë për të ardhmen e popullit tonë...."(gazeta "Bashkim" 3 korrik 1946).
Në këtë vizitë u vendos të konkludohet gjithashtu edhe një "pakt miqësie dhe ndihme reciproke".
Si e demaskoi Enver Hoxha "shovinizmin" shqiptar" me At Gjergj Fishtën në krye. Fjala e Enver Hoxhës më 21 gusht 1947 gjatë pritjes së një grupi të rinjsh që morën pjesë në pleniumin e VI‑të të Rinisë Popullore.
"Demaskimi" i të ashtuquajturit "shovinizëm shqiptar", ka qenë ndër detyrat më kryesorë që i vuri vetes Enver Hoxha në vitet e para të pushtetit në Shqipëri. Duke qenë një krijesë politike jugosllave dhe duke mos u motivuar nga asnjë lloj ndjenje kombëtare, me serbofilinë e tij ai habiti edhe vetë Titon, i cili në ditarin e tij ka shkruar se është habitur nga zelli i madh proserb i Enver Hoxhës.
Me këtë zell të madh, Enver Hoxha i bëri një shërbim të madh serbëve duke goditur elementin nacionalist në emër të "vëllazërimit me popujt e Jugosllavisë", dhe duke ngritur në pushtet një shtresë ordinere nga e cila kurrsesi dhe në asnjë rrethanë nuk mund të buronte asnjë lloj ndjenje kombëtare. Në të gjithë veprimet e tij, Enver Hoxha e dëshmoi veten si flamurtar i zjarrtë i pansllavizmit. Ai kudo shpalli se shqiptarët dhe sllavët ishin popuj vëllezër dhe se kishin qenë "agjentët e imperializmit" ata që kishin shkruar një histori plot urrejtje midis serbëve dhe shqiptarëve pasi historia sipas Enver Hoxhës qenka "një tjetër realitet". Në mënyrën sa të pabesueshme aq edhe kriminale njëkohësisht, udhëheqja komuniste me Enver Hoxhën në krye, insistoi në kultivimin e harresës kombëtare pasi veprimet kriminale të serbëve ndaj shqiptarëve u paraqitën si raste "të veçuara" dhe të nxitura "nga elementë reaksionarë". Për të "ilustruar" këtë gjë, Enver Hoxhës iu desh të bënte edhe punën e historianit, madje edhe të atij mesjetar, dhe të shpjegonte me imtësi ngjarje të kaluara historike sipas versionit proserb të tij. Dëshira e Enver Hoxhës për të bërë një gjë të tillë, dhe arsimi i tij i kufizuar (Enver Hoxha është i vetmi kryeministër i Shqipërisë pa arsimin e lartë), këtij tragjizmi i jepnin edhe tone komizmi ordiner. Janë disa qindra e qindra fjalime të Enver Hoxhës "demaskuese" nga "shovinzmit shqiptar" të cilat sigurisht nuk kanë asnjë lidhje me zhvillimin e ndonjë "politike të madhe" siç mund të pretendojnë fansat e tij të niveleve të ndryshme, qofshin këta edhe të niveleve historike.
Shumë prej fjalimeve të Hoxhës janë botuar edhe në gazetën "Bashkimi". Në vitet e flagrancës së madhe shqiptaro ‑ jugosllave, transparenca në një farë mase ka qenë një element më i dukshëm dhe më i sinqertë që vërehet. Për të ilustruar ato që thamë në këtë kapitull, kemi marrë nga gazeta "Bashkimi" e datës 22 gusht 1947, një pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV të rinisë popullore. Ja një pjesë e këtij falimi:
"...Dashuria e popujve të Jugosllavisë e mareshallit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë siç është Jugoallavia.....Po të studjojmë historinë e vërtetë të popullit tonë dhe jo atë të shkruajtur prej agjentëve të imperializmit, do të shohim se populli ynë, pa qenë një popull sllav, ka pasur një lidhje të ngushtë dhe të përzemërt me popujt sllavë. Kurdoherë që krerët feudalë të Shqipërisë si Ballshët (Balshajt ‑ shënim) e të tjerë, kanë qenë në aleancë të mirë me sllavët e jugut që kanë pasur përkrahjen e malësorëve....Çdo gjë e lidhte popullin tonë me sllavët e jugut, jeta zakoni, burrëria, lufta për indipendencën kundër të njejtëve armiq.....Miqësia ka ekzistuar përgjatë shekujve e rrebeshesh në mes të popujve tanë dhe atyre malazezë. Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me "Lahutën e Malësisë", ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t'i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur.....Fishta dhe Vlladan Gjeorgjeviçi janë njerëz të po një shkolle dhe shërbëtorë të një ideje skllavëruese. Populli shqiptar dhe sllavët e jugut me malazezët e serbët në krye, nuk mendojnë dhe nuk ndiejnë si as si Gjergj Fishta dhe as si Vladan Gjeorgjeviçi. Poetët popullorë malazezë e serbë kanë shkuar me entuziazëm për trimërinë dhe bujarinë e shqiptarëve. Këngët autentike të malësorëve të Shqipërisë së veriut, këndojnë anasjelltas trimërinë dhe besnikërinë e malazezëve. Si mund të këndonte populli kësisoj kur ekzistonte një armiqësi siç kërkon ta përshkruajë At Gjergj Fishta e agjentët e tjerë të imperializmit. Populli shqiptar ka luftuar së bashku me popujt sllavë të jugut kundër Turqisë në Kosovë e gjetkë. Në kohën e Gjon Kastriotit dhe Skënderbeut, ne kemi pasur marrëdhënie të ngushta me këta popuj, ne kemi pasur krushqira dhe aleanca, e nga një