
Problemet dhe vështirësitë kryesore në komunikim ndërmjet botës muslimane dhe evropiane nuk janë gjera befasuese, por janë rezultat i politikave të gabuara për një kohë të gjatë. Kjo sidomos rezulton për shkak të standardeve të dyfishta të Perëndimit në raport me botën muslimane dhe për shkak të përvojave të shumta të botës muslimane me Perëndimin gjatë historisë moderne. Edhe pse Perëndimi parimet e lirisë dhe drejtësisë i arriti nëpërmjet revolucioneve politike që pasuan pas iluminizmit, është e pakuptueshme që gjatë shekujve 19-20 se si Perëndimi këto parime nuk i ka sendërtuar në raportet Perëndimi kundrejt pjesës së mbetur të botës muslimane.
Sundimi imperialist dhe kolonialist evropian në territoret muslimane ka lënë gjurma të tmerrit, represionit dhe egërsisë në vetëdijen e qytetërimeve të kolonizuara. Imperialistët kanë treguar jo vetëm mungesë respekti ndaj kulturës dhe religjionit islam por edhe elemente të racizmit dhe arrogancës kulturore. Deklarata e Balfourit më 1917 hebraikëve ua premtoi atdheun nacional në Palestinë, që solli deri te konflikti me popullsinë arabe e cila jetonte aty. Pas Luftës së Parë Botërore Marrëveshja e fshehtë e Sykes-Picot (The Sykes-Picot Agreement) , e cila është përpunuar gjatë luftës, e ndau botën arabe ndërmjet Anglisë dhe Francës në “zonat e ndikimit”. Për shkak të standardeve të dyfishta liria dhe e drejta në vetëdeklarim kanë qenë të kufizuara për qytetarët e këtyre dy shteteve evropiane, por në tërësi kanë qenë të privuara për qytetarët e shteteve arabe. Në rrafshin ekonomik, territori i botës arabe është eksploatuar në dobi të Evropës. Raporti ndërmjet vlerës reale ekonomike, nga një anë, dhe çmimit të të mirave të shitura dhe shërbimeve, në anën tjetër, ka qenë i padrejtë dhe politikisht i imponuar, deri sa politikanët përreth kanë predikuar për “tregtinë e lirë” dhe në mekanizmat e tregut. Me mijëra njerëz të cilët kanë qenë të detyruar që nën udhëheqjen franceze të punojnë në hapjen e Kanalit të Suezit kanë humbur në Egjipt jetat për shkak të urisë dhe sëmundjeve, deri sa puna e detyrueshme në të njëjtën kohë në Evropë më nuk ishte i lejuar. Pas nacionalizimit të Kanalit të Suezit më 1956 forcat ushtarake të Britanisë, Francës dhe Izraelit kanë sulmuar dhe pushtuar këtë kalim të vlefshëm dhe të rëndësishëm strategjik ekonomik në mënyrë që t’i pengojnë egjiptianët që ta sendërtojnë të drejtën dhe kontrollin e tyre mbi territorin dhe ekonominë e tyre. Pas Luftës së Dytë Botërore bota muslimane ka shpresuar se Evropa e dobësuar, e cila ka shijuar të gjitha përvuajtjet e kësaj lufte, do të jetë më humane ndaj të tjerëve, e sidomos ndaj atyre të cilët e kanë përkrahur në luftën e saj kundër racizmit.
Muslimanët në Evropë, qytetarë të rendit të dytë
Për fat të keq, hipokrizia evropiane, standardet e dyfishta, kanë vazhduar edhe më tutje. Shpresat muslimane për një Perëndim “të të gjithëve” filluan të zbehen dhe të fiken para gjendjes pothuaj të pandryshuar të hipokrizisë perëndimore. Evropa filloi të rindërtohet kurse për këptë qëllim në Evropë u sollën miliona muslimanë nga Turqia, Jugosllavia dhe Afrika Veriore. Mirëpo, trajtimi i tyre ishte përbuzës. Vendet muslimane që ishin poligon i luftrave gjatë viteve 1939-1945 nuk u ndihmuan as kompenzuan nga shkaktarët e shkatërrimit të vendit të tyre. Dëmet nga minat që i patën vendosur forcat aleate vazhduan edhe për një kohë të gjatë. Ato dëmtuan popullin musliman biologjikisht por edhe ekonomikisht e politikisht. Mirëpo, kjo nuk ndodh me vendet e tjera si Izraeli, Anglia, ShBA, Franca etj. Perëndimi i dënon me vdekje edhe planifikimet e çdo muslimani për veprim terrorist (atë që ata e quajnë terrorizëm), kurse veprimet e perëndimorëve sado kriminale zbuten, mbulohen dhe paraqiten si çështje rasti. Më e keqja, edhe pse janë të dukshme padrejtësitë, Perëndimi vazhdon të predikojë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e demokracisë dhe të drejtave njerëzore. Është interesant se privilegje në shkeljen e ligjeve dhe të drejtave njerëzore kanë edhe vendet që bashkëpunojnë me Perëndimin. Të tillë janë Izraeli, India, Filipinet, Arabia Saudite etj.. Izraeli është rast i veçant dhe i përkëdheluri i Perëndimit në vazhdimësi. Izraeli u përkrah moralisht, materialisht, politikisht dhe ushtarakisht gjatë okupimit ilegal të Palestinës, gjatë luftrave me vendet arabe, dhe në të gjitha reperkusionet në vendein e Palestinës. Muslimanët pyesin: pse gjaku izraelit apo perëndimor është më i vlefshëm se gjaku palestinez, arab, musliman. Mos vallë e drejta ndërkombëtare vlen vetëm për varfanjakët dhe të dobëtit, por jo edhe për të pasurit dhe të fuqishmit. Perëndimi vetëm deklarativisht pohon se njeh zërin e popullit, sepse përkundër fitores së krahut musliman në Agjeri në zgjedhjet e vitit 1992, ato u shkelen me tanke dhe u përkrahen nga Perëndimi. Nga lufta qytetare që pasoi vdiqën mbi 100 mijë njerëz. Shtetet e fuqishme perëndimore i mbrojnë shtetet autoritare dhe diktatoriale, për t’i mbrojtur interesat e tyre politike e ekonomike. Shumë mjete disiplinimi që ekzistojnë ndër muslimanët janë blerë nga Perëndimi. Kjo bëri që muslimanët të dyshojnë në çdo gjë perëndimore, madje edhe kur diç është e mirë dhe e dobishme. Muslimanët mendojnë se çdo gjë perëndimore është jodemokratike, me qëllim shfrytëzimi, korruptimi, sepse Perëndimi çdo gjë e prodhon me qëllim sundimi, represioni, dhunimi etj.
Shkelja e të drejtës ndërkombëtare
Koncepti modern i të drejtës ndërkombëtare, që me ndryshime dhe plotësime të vogla është edhe sot në përdorim, ka lindur pas dy luftrave të tmerrshme botërore. Ato ndodhën sepse nuk pati mekanizma për pengimin e tyre. Për këtë arsye fuqitë e mëdha botërore e hartuan Konventëën e Popujve të Bashkuar , të miratuar para së gjithash që të sigurojë ruajtjen e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare ndërmjet vendeve të ndryshme në botë dhe të pengojë luftrat dhe katastrofat humanitare të ardhshme. Mirëpo, kjo kartë edhe pse e miratuar prej të fuqishmëve, injorohej shpesh pikërisht nga të fuqishmit, kurse aplikohej ndaj të pafuqishmëve. Kështu, Izraeli e ka shkelur këtë kartë me dhjetëra herë duke u ndihmuar drejtpëdrejt nga ShBA, Anglia, Franca etj.. Sidomos, kjo shkelje erdhi në shprehje pas 11 shtatorit 2001 në New York, kur ShBA reagoi në mënyrë unilaterale, pa pëlqimin e bashkësisë ndërkombëtare, duke shkelur disa nene të saj. Po ashtu, edhe pse ekziston Konventa e Gjenevës për trajtimin e robërve të luftës, të aprovuar më 12 gusht 1949 (Konventa e Tretë e Gjenevës) , në Afganistan dhe Irak aleanca perëndimore shkeli çdo të drejtë të tyre, nga arrestimi e deri te mbajtja në burgje famëkeqe pa fakte dhe në pafund pa gjykim. Kjo flet qartë se konventa në fjalë vlen për t’i mbrojtur perëndimorët por jo edhe pjesën tjerër të botës. Kjo gjendje nuk do fakte, sepse edhe vetë qeveria amerikane (e Bushit dhe kjo e Obamës) e pranon se Guatanamo dhe burgjet e tjera paraqisnin shkelje drastike të të drejtave më elementare njerëzore.
Mungesa e drejtësisë së mirëfilltë dhe gjithëpërfshirëse
Kur talebanët në Afganistan urdhëruan rrënimin e një shtatoreje të Budës në aspektin kulturor jo të rëndësishme, shtetet perëndimore dhe shumë shtete muslimane shprehën indinjatën dhe mospajtimin e tyre për shkak të veprimeve të tilla barbare. Ky rast shërbeu, për të saten herë, që mediumet perëndimore ta theksojnë prapambeturinë dhe moszhvillimin kulturor të shteteve muslimane dhe të Islamit. Mirëpo, kur më 1991, gjatë Luftës së Gjirit, forcat amerikane dhe ato aleate sulmuan Irakun dhe rrënuan vende jashtëzakonisht të rëndësishme historike dhe vende arkeologjike nuk u dëgjuan aspak kritika dhe vërejtje. Më pastaj, aleatët perëndimor nuk bënë asgjë për të ruajtur e mbrojtur trashëgiminë kulturore irakiene nga plaçkitjet e hajdutëve, por me ngulm e mbronin Minsitrinë Irakiene të Naftës. Në të dy rastet Konventa e Hagës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në rrethanat e konflikteve luftarake, nga viti 1954, është injoruar, që është shembull i barbarisë kulturore për të cilat Vashingtoni dhe disa vende evropiane dëshironte t’i akuzojë vendet e tjera në disa raste të tjera. Në disa raste të tjera vendet perëndimore mbrojtën apo restauruan disa përmendore të lashta historike në vendet muslimane, por ato u orientuan në objektet historike jomuslimane si ato asiriane, budistike, faraoniste dhe romake, duke ua kthyer shpinën objekteve muslimane. Kjo ndodhi edhe në Kosovë. Edhe pse më 1998-1999 në Kosovë nga serbët u dogjën, rrënuan e shkatërruan mbi 220 xhami dhe dhjetëra objekte të tjera historike muslimane, kjo kaloi heshtazi nga faktori ndërkombëtar dhe (mos llogarit ndonjë përjashtim) nuk u restaurua asnjë xhami apo objekt i rëndësishëm musliman nga donacionet perëndimore. Por, kur më 17 mars 2004 ndodhi një revoltë në Kosovë, e nxitur dhe padyshim e shkaktuar nga vetë shërbimi sekret serb, dhe pas degies së disa kishave ortodokse, faktori ndërkombëtar në të gjitha nivelet, u alarmua dhe nga buxheti i varfër, social, i Kosovës, filloi të ndajë miliona euro për restaurimin e tyre. Si kurorë e tërë kësaj, qeveria serbe ndonëse në ish-Jugosllavi shkaktoi mbi 300 mijë vdekje, ndonëse shkaktoi rreth 2 milionë refugjatë, ndonëse dogji mbi 2000 objekte fetare në ish-Jugosllavi, etj etj., ajo u shpërblye me privilegje të reja: liberalizimi i vizave për BE dhe hyrja e shpejtë në të. E qartë, standardet e dyfishta ngulisin në kokat e njerëzve gjurmë të pashlyeshme të padrejtësisë dhe diskiriminimit racor, fetar, kulturor etj.
Perëndimi shpërfill arritjet pozitive në avancimin e të drejtave të femrës
“Çështja e femrës në islam” edhe më tej është temë e nxehtë jo vetëm në mediumet e shkruara dhe elektronike por edhe në tavolinat e qeverive të rëndësishme në Perëndim. Çdo rast shfrytëzohet që të prezantohet prapambetja dhe moszhvillimi i të drejtave të femrave në botën muslimane dhe në vetë Islamin. Mbulesa e femrës, poligamia dhe synetimi i femrave zë vend qendror në këtë listë të zezë temash. Hulumtimi i këtyre temave nuk është bazuar në fakte por në idetë e orientalizmit të skajshëm duke shkëputur pjesë nga “Një mijë e një net” apo nga “Bota e haremit”. Ngjarjet pozitive në lidhje me të drejtat e femrave në Islam dhe në shoqëritë muslimane shpesh mbesin të heshtura dhe të pavërejtura. Për shembull, gratë në Egjiptin modern kanë realizuar të drejtën e përfaqësimit në parlament qysh në vitin 1956, që ia parakalon Zvicrës dhe disa vendeve të tjera perëndimore. Rrogat dhe kompenzimet për punën e kryer janë të njëjta si për meshkuj ashtu edhe për femra për dallim nga disa shtete në Perëndim. Islami po ashtu ka përcaktuar detyrimet materiale të babait ndaj familjes së tij dhe urdhëron ndarjen ndërmjet detyrimeve materiale ndërmjet burrit dhe gruas. Duke shqyrtuar dhe zbërthyer shembujt e theksuar dhe të tjerë bëhet e qartë se në të shumtën e rasteve politika e jashtme perëndimore dhe diskursi intelektual është joreal, subjektiv dhe indiferent për tjetrin. Ata duken se kanë aversion për dëgjimin e tjetrit dhe për pranimin e diversitetit. Këto dukuri janë të pranishme edhe në shoqëritë muslimane, por kjo dukuri shpirtngushte ka peshë në shoqëritë perëndimore dhe ndikim shumë të dëmshëm për shkak të fuqisë dhe ndikimit të tyre. Standardet e dyfishta të cilat i praktikon Perëndimi ndaj Lindjes e sidomos ndaj Lindjes islame është pengesa kryesore për çfarëdo dialogu kuptimor, të sinqert dhe afatgjatë ndërmjet dy palëve të konfrontuara: Orientit dhe Oksidentit.
Perpsektiva e problemit: Për një botë më të mirë
Me kalimin e kohës mirëbesimi ndërmjet Perëndimit dhe Botës muslimane është dobësuar, dëmtuar dhe në segmente të caktuara edhe rrënuar. Mjegulla e hipokrizisë intelektuale ka mbuluar vetëdijen dhe pikëpamjet e të dyja palëve. Që të kapërcehet kjo gjendje e ngarkuar dhe përplot mosbesim dhe që të fillojë këmbimi i ndërsjellë i vlerave dhe mallërave në bazë të njëjtë, nevojitet kohë e gjatë e bashkëpunimit. Në vend të rrënimit të shoqërive muslimane (çfarë ndodh me Afganistanin, Irakun, Palestinën, Egjiptin, Sudanin, Kosovën, Shqipërinë etj.) nevojitet lexim i thellë i historisë së përbashkët në nivele akademike dhe ato më të ulta, akademike dhe popullore, duhet favorizuar elementet e përbashkëta, sidomos: duhet të pranojmë të gjithë se asnjë palë nuk është e vetëmjaftuar dhe se diversiteti nuk është pengesë por begati, kurse imponimi i standardeve të dyfishta të bëhet pjesë e së kaluarës historike. Kjo duhet të bëhet edhe nëpërmjet këmbimit më të madh intelektual, arsimor dhe publik. Duhet të intensifikohen diskutimet për problemet e përbashkëta duke i shfrytëzuar mjetet e përbashkëta. Atëherë kur Bota Muslimane të vërejë se po trajtohet si partner i barabartë dhe miqësor, me të drejtë kontributi për bashkësinë globale, mund të shpresohet për vendosjen e urave që do ta lidhin Perëndimin dhe Botën Muslimane. Elemente për një klimë të tillë ka. Qeveritë dhe institucionet relevante të të dyja palëve duhet të veprojnë sinqerisht dhe jodjallëzisht.